Nga Fadil Lushi/
I nderuar lexues, në eterin tonë politik, flitet, përflitet a lakohet një aforizëm që përafërsisht tingëllon kështu: “Inati i burrave dhe grave (shqiptare) është më i fortë se inati i urisë”! Vërtetësinë e këtij aforizmi do mëtoj ta gjej (nëse do ta gjej) në historinë e njëqindvjetorit të shtetit të cunguar shqiptar, e cila histori filloi të ndërtohet me inate. Kjo do të karakterizohet me një sërë lëvdatash, harresash, shtrembërimesh, nihilizmash, bajraktarizmash, folklorizmash… Të gjitha këto së bashku të stisura nga akëcili kalorës i vonuar i kauzës shqiptare, nga akëcili politikan që shumë pak i dha Shqipërisë dhe më shumë mori (vodhi) nga ajo. Ndaj, jo rastësisht, kjo histori do të ngarkohet me një thes inatesh histerike dhe homerike. Nuk mund të thuash se “shpikësit e këtyre anakronizmave” ishin vërtet inatçinj homerikë, aq sa ishin shtirës a njerëz që kishin lindur në kohë dhe vend të gabuar. Kjo histori do të karakterizohet edhe me një sërë idealistësh, nacionalistësh, të cilët këmbëngulnin t’i shkonin pas virtytit duke dashur “të gatuajnë” një politikë tjetërfare…, si dhe me një varg neronësh…, me njerëz të fodullosur, kokëkrisur, kokëbosh, a edhe “biçim njerëz të minderit”, të cilët edhe sot do të mbajnë inat me të kaluarën. Në ndërtimin e kësaj historie 100-vjeçare, s’do mend se do kenë hise edhe gjithfarë akademikësh…, gjithfarë kronistësh, të cilët fatkeqësisht, lëre që nuk dhanë kontributin e tyre, po përkundrazi kësaj historie i ngjitën një mal të pavërtetash, i ngjitën shumëçka që “ndoshta” edhe nuk e meritonte. Disa këtë e bënë me urdhër të mbretit Ahmet Zogolli, ca të tjerë me diktat të diktatorit Enver Hoxha dhe, së fundi, nga politikanët e moderuar, të cilët, lëre që nuk e humanizuan a emancipuan këtë histori të lavdëruar, po përkundrazi duke shtrembëruar turinjtë e tyre, disa pjesë të kësaj historie i përudhën krejt tjetërfare dhe gjithsesi në drejtim të gabuar. “Ndofta” ata nuk kishin “takat” t’i kundërshtonin urdhrat e “Neronit shqiptar”! Ata që ishin të “padëgjueshëm”, o do përfundonin në kazamatet famëkeqe të Shqipërisë, në Burrel, Spaç e gjetiu, ose do t’u vihej litari në qafë, o do “iknin nga kjo dynja” me plumbin në kokë. Në përgjithësi, këta (hiq mënjanë idealistët dhe historianët pa taraf) në vend se ta frenonin fanatizmin e çmendur dhe të hanin bukën e tyre, hëngrën kokat e ndritura shqiptare, pa dallim në ishin ateistë të bindur, fetarë, shehërlinj, katundarë, toskë ose gegë. Nëse shqiptarët mendjendritur i dhanë kësaj Shqipërie frymën e kohës dhe atë kombëtare, ca të ashtuquajtur “historianë tarafxhinj e të imagjinuar”, me shëndet të brishtë mental si dhe do kalorës të vonuar të politikës ditore…, do të shkojnë deri aty sa që padrejtësisht të ndërtojnë lloj-lloj shpifjesh. Një e tillë shpifje (për inat) do t’i “faturohet” edhe Ismail Qemal bej Vlorës, kinse ai “…, paskësh lidhur krushqi me Perandorinë Osmane, në këmbim të një autonomie (turke) të cunguar, mandej do t’ia hedhin fajin (prapë për inat) se pse ky nuk paskësh marrë pjesë në punimet e Lidhjes së Prizrenit dhe të Kongresit të Manastirit!”…, e shumë sajime të tjera të ulëta. Çuditërisht, këto shpifje a trillime sot po”gëlltiten” nga injorantët si dhe nga ana e gjithfarë kontrabandistësh të historisë sonë kombëtare.
I nderuar lexues, se vështrimet e paraqitura në paragrafët e lartpërmendur janë të vërteta a jo, nuk ka nevojë për të shpjeguar etimologjinë e tyre, sepse ato flasin vetë. Sot, në vigjilje të 100-vjetorit të mëvetësimit të shtetit të Ismail Qemal Bej Vlores, neve na duhet ta diskutojmë kalendarin historik shqiptar, të cilin (prapë në emër të inatit) aq shumë e kemi abuzuar, saqë nuk i gjendet fija, thjesht na është bërë si lesh arapi. Në do bësh përpjekje që ta zgjidhësh këtë pështjellim a këtë “nyjë gordiane”, nuk mjafton të kesh vetëm mendje femre, këllqe dhe…, por duhet të kesh guximin që t’i “sikterisësh” të gjithë ata, që nuk e njohin aq sa duhet këtë kalendar tonin kombëtar.
Parashtrohet pyetja se kush, në këtë vigjilje të 100-vjetorit, do të “pushtojë kalanë” e organizimit të manifestimit qendror (mbarë!?)kombëtar, që sot e gjithë ditën nuk dihet se a do të “mbahet në Tiranën e Partisë Demokratike a në Vlorën e Partisë Socialiste”!??…, nuk dihet se ky 100-vjetor a do të kremtohet më 28 nëntor në Tiranë, gjegjësisht në kryeqendrën administrative të shqiptarëve, apo në Vlorë më 27 nëntor, gjegjësisht në kalanë e historisë së Ismail Qemali Bej Vlorës…, apo edhe kush do të jetë ai “bir nëne që do ta uzurpojë të drejtën që t’i bëjë dinjitet flamurit kombëtar”!? Do t’i bëjnë të “kuqtë apo të kaltrit”, do t’i bëjnë politikanët aktualë, të cilët në vijimësi mëtojnë që me makiavelizmin e tyre të dominojnë mbi vullnetin e të tjerëve, apo ata që kundërsh-
tojnë regjimin e pushtetit aktual dhe filozofinë e politikëbërjes së tyre. Të parët do të gjejnë njëmijë e një arsye, karshi vazhdimësisë së sundimit të “demokracisë foshnjarake” dhe të zbehtë, ndërkaq sehirxhinjtë, hazërxhinjtë dhe sejmenët do të presin që një ditë ta zaptojnë kryeminderin e pushtetit.
Nëse kjo datë e shenjtë (jo e saktë!??) nuk do të përfillet dhe nuk do nderohet, atëherë kësaj i mbetet të qëndrojë në hava. Do të parashtrojmë pyetjen se kujt do t’i “takojë” e drejta ta shenjtërojë këtë datë a këtë ditë. Vallë do ta organizojë pushteti aktual, opozita shqiptare, apo politikanët (në hije) që ëndërrojnë autoritarizmin gjegjësisht pushtetin absolut…, a edhe ata politikanë të moderuar shqiptarë, që ende nuk e kanë kaluar moshën adoleshente. Nëse të gjithë politikanët e Shqipërisë politike nuk bien dakord me ditëlindjen dhe vendndodhjen e Flamurit, atëherë do të detyrohen “t’i bien dajres së evgjitit (çdo respekt për të) apo…, “ fyellit në një vrimë”, siç do të thotë një analist nga Shqipëria. Pse kjo çështje duhet të ngelë e pazgjidhur sot e mot, këtu në Shqipëri e gjetiu në hapësirat e Shqipërisë politike dhe asaj londineze!??? Pse kjo çështje nuk zgjidhet në qarqet akademike dhe në ato historike, por duheshka të “redaktohet, (ri) defininohet, rishkruhet dhe recensohet” në hapësirat e shtabeve partiake, diku në bllokun e Tiranës!?… Pse kjo datë e shenjtë na duheshka të përflitet e lakohet sipas qejfit të akëcilit shqiptar, qoftë ai të jetë politikan, diplomat, kronist, ose edhe të jetë kalorës i vonuar i çështjes kombëtare…, në veçanti nga ata të cilët kur nuk kanë për të bërë punë më të mençur, ashtu thjeshtë do të anashkalojnë edhe ato pak vlera historike, që i kanë mbetur njëqindvjetorit të shtetit të Ismail Qemal bej Vlorës. Nëse ne do të vazhdojmë të “frymojmë” me kësisoj inatesh histerike, po edhe homerike, atëherë një ditë do të “çmendemi vetvetiu dhe njëkohësisht do ta çmendim” gjithë atë histori, sa të lavdishme po aq edhe të ngatërruar keqas.
Sot, të “çirresh e të bësh shaka” me kryeministrin, kryeparlamentarin a edhe me presidentin e shtetit, besoj nuk “bëhet kiameti”, por ama të tallesh me këto data të shenjta madje edhe me flamurin e Vlorës dhe me vlonjatin mendjendritur, është përtej çdo idiotësie…, nuk mund të tallesh as me “historiografinë tonë qoftë të jetë i vonshme, e ideologjizuar, e sakatosur, po dhe e folklorizuar”! Askush nuk ka të drejtë ta pronësojë këtë manifestim, po qoftë të jetë edhe “pasuri e patundshme e gjyshërve të tyre me opinga”!?
Tekefundit, nëse këto data (tona) të shtrembëruara nuk do të përcaktohen saktë, sidomos tani në vigjilje të 100-vjetorit, akëcili prej nesh të mos shpresojë e ëndërrojë se ashtu “kollaj’ do të zdirgjet tatëpjetës së Qafë Thanës ose edhe të Morinës për të marrë atë udhën e Evropës e të Brukselit…, me një kusht “të mos i plasë goma furgonit të politikanëve tanë me inate homerike”!?
“… Kur Madona kishte shkuar në Moskë për të dhënë koncert, një zyrtar (fetar) rus i qe drejtuar me një kërkesë: … ose hiq kryqin ose vish brekët!” Mos vallë, ky zyrtari moskovit kishte kërkuar etikën e munguar të këngëtares me shtetësi amerikane. Unë, sinqerisht nuk e di. Unë mund të them se gjithsecili nga ne, o do të bëjë punën për çka është i ngarkuar e i paguar, o do të duhet ta braktisë atë…, o do duhet të mbyllë gojë. Ndryshe nuk bën.
Është një shprehje ballkanase ku, pos të tjerash, thuhet: “Njeriun prite (gostite) sipas veshjes dhe përcille sipas mendjes!”