-Kudo të mirëpritur, edhe në Ipeshkvinë e Kosovës e në Katedralen Nënë Tereza nga Ipeshkvi Dodë Gjergji e Don Lush Gjergji, mbërrijnë edhe Zef Balaj, një vatran i vjetër, anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që ka ardhë me bashkëshorten Lina, anëtari i Këshillit të Vatrës, Lek Përlleshi, me bashkëshorten Vera. Është, së bashku, edhe Nue Balaj, nipi i Zefit…/
-Emra të vatranëve nga SHBA në korniza dritaresh të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë/
-Vatranë, shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që tradicionalisht verave vijnë në Shqipëri, Kosovë e viset tjera shqiptare, të ardhur edhe enkas për “Ditët e Nënës Terezë” në Prishtinë janë edhe sot, do jenë edhe ditëve në vijim…/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 1 Shtator 2017/ Vatranët, shqiptarët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të vijnë në “Ditët e Nënë Terezës” në Kosovë për të qenë edhe pjesëmarrës në festimet e shugurimit të Katedrales në kryeqytet, Prishtinë, me emrin e shenjëtëreshës shqiptare, të njohur e të admiruar në gjithë botën.
Në selinë e Ipeshkvisë së Kosovës, pranë Katedrales, pasditën e të enjtes pritet edhe një grup tjetër vatranësh…
Nga rruga e gjatë, nga Nju Jorku në Prishtinë, pas mbërritjes së Aeroport adresa e parë e ardhjes së vatranëve është Ipeshkvia, në dyert e mëdha të hapura të së cilës i pret me përqafime e gëzim, vëllazërisht e përzemërsisht, Vikari Gjaneral, Mons. Lush Gjergji.
Poashtu shumë të mirëpritur nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, që nga zyra e tij kishte zbritur në holl për t’u uruar mirëseardhje, të gjithë së bashku ulen rreth një tryeze.
Edhe për Ipeshkvin Dodë Gjergji edhe për Don Lush Gjergjin janë të njohur Zef Balaj, një vatran i vjetër, anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që ka ardhë me bashkëshorten Lina, anëtari i Këshillit të Vatrës, Lek Përlleshi, me bashkëshorten Vera. Është, së bashku, edhe Nue Balaj, nipi i Zefit…
Biseda e gjatë nis e vazhdon…Të gjithë bashkë edhe me Ipeshkvin Gjergji vizitojnë Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë dhe njoftohen nga afër me përgatitjet për shugurimin, që është një ngjarje e festë e madhe.
Papa Françeku ka emëruar Kardinalin shqiptar Imzot Ernest S. Troshani, të Dërguarin e Tij të Veçantë për kremtimin e shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, është njoftua nga Vatikani – Selia e Shenjtë në 15 Korrik 2017.
Po në këtë ditë Ipeshkvia e Kosovës ka shpallur Programin e Shugurimit të Katedrales Nënë Tereza, që do të jetë në 5 shtator 2017, ditën e 20 vjetorit të kalimit në amshim të Shenjëtëreshes Shqiptare. Kremtimi solemn i Meshës së Shugurimit do bëhet në mesditë, nga ora 11:00.
Kremtimi ka nisur me hapjen e “Ditëve të Nënë Terezës”, në ditëlindjen e saj dhe ditën e bekimit të gurthemelit të Katedralës, në 26 gusht.
Kjo ditë shënjonte edhe fillimin e përgatitjes së afërt të festës së Shën Nënë Terezës, e cila kremtohet në 5 shtator, kur do të bëhet edhe shugurimi i Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë. Në mbrëmje në Katedrale Don Lush Gjergji, biografi i Nënë Terezës, paraqiti një kumtesë, derisa u dha një program kulturor me këngë klasike dhe recitim të poezive dhe uratave të Nënë Terezës.
Hapja e mbrëmjes u bë me këngën “Nënës së mirë” të kompozuar nga Gjek Gjevalekaj, e të interpretuar me zërin e fuqishëm e të ngrohtë të sopranos Adelina Paloja dhe me poezinë e Nënë Terezës, e shkruar gjatë udhëtimit për në Indi, “Lamtumirë”, të cilën e recitoi studentja dhe poetja Jehona Gashi.
Programi vazhdoi me këngën “Ebben! Ne andrò lontano” të Alfredo Catalani; recitimit mjeshtëror të Lumnie Sopi të dy poeziv-uratë të Nënë Terezës “Falënderimi për muzikë dhe për këngë” dhe “Gjej kohë”, me të cilat risjelli fjalët e Nënës Tereze me plot emocion.
“Agimet shqiptare” të Agim Mula, të interpreuar nga sopranja Adelina Paloja, e përcjellë me piano Pranvera Hoxha, dhe recitimi i poezive-uratë “Jeta” dhe “S’ka rëndësi” nga Bislim Muçaj permbyllën program kulturor.
Poashtu në Katedrale u hap edhe një ekspozitë e autorit Sakip Imeri e fotografive dokumentare që nga vënia e gurthemelit të Katedrales Nënë Tereza.
Mbërmja vazhdoi në një koktel rasti për pjesmarrësit në oborrin e Rezidencës së Ipeshkvisë, ku vijoi bashkëbisedimi dhe bashkëndarja e gëzimit për Nënën tonë Tereze.
Që në nisje të “Ditëve të Nënë Terezës”, në Katadrale, si dhe në ekspozitën “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – korrespondenca”, të hapur në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, ishin të pranishëm edhe vatranë të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, mes të cilëve i ardhur enkas bashkë me bashkëshorten Dila është Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Vatres, njëherësh arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.
Shqiptarët nga SHBA – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.
Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji në fjalën përshëndetëse në hapje të “Ditëve të Nënë Terezës” vlerësoi lart të gjitha kontributet, ndërsa takoi e falënderoi vatranët edhe gjatë koktejit.
“Dua me këtë rast të falënderoj të gjithë donatorët, që na kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj Kishe, ata që janë sot prezentë e ata që do të jenë me 5 shtator”, u shpreh Ipeshkvi Gjergji.
“Do të vazhdojmë me kontributet”, shprehet Zef Balaj që është biznesmen e donator, si edhe veprimtar i çështjes kombëtare, derisa sheh se ende punohet në Katedralen Nënë Tereza.
Nën një nga dritaret e Katedrales, në kornizë, sheh të shënuar emrin e tij, i vie mirë për këtë që është edhe si shenjë mirënjohje, ndërsa thotë se nuk jam vetëm unë kontribues, se do donte të jenë edhe emrat e vëllezërve: Gjelosh, Pjetër e Zef Balaj.
Te dritaret e Katedrales ka edhe emra të tjerë kontribuesish, vatranësh nga SHBA, mes të cilëve: Ilir Marjan Cubi…
Vatranë, shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që tradicionalisht verave vijnë në Shqipëri, Kosovë e viset tjera shqiptare, të ardhur edhe enkas për “Ditët e Nënës Terezë” në Prishtinë janë edhe sot, do jenë edhe ditëve në vijim…
Nesër, në 2 shtator, bëhet hapja solemne e aktiviteteve kuturore e shpirtërore treditëshe të festës. Në 3 shtator në orën 11:00 zhvillohet meshë në Katedrale, ndërsa në 4 shtator në ora 18:00 – Mesha, Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë…
Dhe, edhe gjatë këtyre ditëve do shihemi përsëri me Zef Balajn, i cili siç shprehet në bisedë, ka lindur në Shqipëri – Pukë, është rritur në Kosovë, dhe prej vitesh është në SHBA…
Do takohemi përsëri edhe me vatranë të tjerë, edhe me ata që i takuam kur nisën “Ditët e Nënë Terezës” -me Fran Markun, anëtarin e Këshillit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, me Tomë Paloken, që ka shkruar e do e botojë së shpejti librin “Shqiptarët më të mirë në Amerikë që i njoha unë”…
Ishim së bashku edhe në ndejen në mbrëmjen e 26 gushtit në një nga lokalet pranë Katedrales bashkë edhe me Pashk Deskun, një i nohur i vatranëve që e takuan në Prishtinë, si edhe shumë njerëz të farefisit e miqë të tjerë që i takojnë përditë në trojet shqiptare…
***
Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.
“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.
“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.Presidenca e Kosovës tradicionalisht ndanë dekoratën Medalja Humanitare Nëna Terezë, që u jepet personave që kontribuojnë në çështjet humanitare.Katedralja në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.