• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IRIS HALILI: “LIDERI NUK LIND…BËHET”

September 13, 2021 by s p

në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York, ditën e Dielë më 19 Shtator 2021, ora 11 a.m, do të promovohet libri “Lideri nuk lind…bëhet”, i autores Iris Halili./

   Nga Frank Shkreli/

A person standing at a podium

Description automatically generatedKohë më parë, studiuesja dhe autorja Iris Halili pati mirësinë të më dërgonte librin e saj të fundit, “Lideri nuk lind…Bëhet”.  Është një libër doracak për të gjithë ata lexues që duan të kuptojnë më mirë “tiparet dhe cilësitë e lindura apo të fituara të liderëve.”  Duke patur parasysh historinë e liderve modernë shqiptarë –as të lindur as të bërë do të thoja unë — të këtyre 30-viteve tranzicion të pa fund si dhe zhvillimet e ditëve të fundit në skenën politike të Tiranës — vendosa që kësaj rradhe të luaj rolin e promotorit të promovimit të librit, “Lideri nuk lind… bëhet”, që organizohet në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare Vatra në Nju Jork, të djelën që vjen.  Këtë po e bëjë, me qëllim, para promovimit formal në Vatër, për një publicitet sa më të madh për këtë vepër të rëndësishme përball aktualitetit politik në trojet shqiptare, me shpresën që promovimi i këtij libri të tërheq vëmendjen sa më të madhe nga lexuesit e interesuar, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë, por jo vetëm. Në të vërtetë janë vet “liderët” negativë politikë aktualë në trojet shqiptare ose idivdidë që aspirojnë që një ditë të jenë “liderë” të mirë e frymëzues e me karakter — ata që, vërtetë, do të përfitonin më së shumti nga leximi i këtij libri. Sepse, sipas autores Halili, “Liderët negativë kanë një aftësi mahnitëse për të ushqyer një vërbëri apo apati kolektive dhe janë pikërisht këto të dyja, apo dhe vetëm njëra prej tyre që i shërbejnë jetëgjatësisë së tyre në pushtet.”

U garantoj se nëqoftse dëshironi të jeni vërtetë liderë të mirë e frymëzues, jo vetëm në politikë, por edhe në jetën e përditshme, ky libër ofron shembuj e analiza, opinione e thënje nga personalitete botërore që do t’u frymëzojnë që të bëheni liderë të mirë e frymëzues dhe jo negativë ose siç i quan studiuesja Halili, “toksikë”, si diktatori komunist Enver Hoxha.  Apo edhe më mirë, të bëheni liderë, shembulli i të cilëve duhet imituar, siç është Nënë Tereza.  (Autorja shpjegon gjithashtu se pse përdor termin “lider” dhe “lidership” dhe jo “udhëheqës” dhe “udhëheqje” – si dikur “nën udhëheqjen e partisë”, “udhëheqsi i lavdishëm”, etj ). 

Por është një libër që përqendrohet gjithashtu edhe në marrëdhëniet e liderve dhe ndjekësve të tyre, si një temë kryesore, “pasi janë ata që fuqizojnë dhe shfuqizojnë liderët”. 

Libri ka një mesazh të thjesht por të rëndësishëm për politikën aktuale të botës shqiptare – mbushur plot e përplot me liderë të këqij – por dhe për shqiptarët ndjekës të politikanëve, në përgjithësi – liderëve të paaftë  e të korruptuar – e që na kujtojnë edhe fjalët e filozofit francez Joseph de Maistre, i cili është shprehur në vitin 1811 se, “Toute nation a le gouvernement qu’elle merite”, (“Every nation has the government it deserves.”)  Secili komb ka qeverinë që meriton!  

Me këtë libër, Iris Halili, sikur u thotë shqiptarëve, ndjekësve të këtyre liderëve të paaftë e të korruptuar të këtyre 30-viteve post-komunizëm — që para se të ankohen për liderët e këqij që ata i ndjekin me sy mbyllur – së pari shikoni veten në pasqyrë, sepse, “Nuk ka lider pa ndjekës” dhe “Nuk mund të ketë lider të mirë me ndjekës të këqij apo anasjelltas.” 

Në këtë dinamikë marrëdhëniesh, sipas autores Iris Halili, është vetë kultura që përfaqësojnë liderët dhe ndjekësit, që luan rolin kryesor dhe është faktori qëndrestar, që më në fund, vendos se “lideri i suksesshëm nuk lind por bëhet”, sepse “ndershmëria, karakteri, dëshira apo empatia, janë cilësi që kultivohen dhe (njëherazi) përcaktojnë fatin e vet liderit apo të ndjekësve të tij.” 

 Gazeta Dielli — organ i Federatës PanShqiptare Vatra në Nju Jork — boton njoftimin se në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York, ditën e Dielë më 19 Shtator 2021, ora 11 a.m, do të promovohet libri “Lideri nuk lind…bëhet”, i autores Iris Halili.  Në njoftim thuhet se libri vjen si një risi, pasi është i pari i llojit të tij në letrat Shqipe.  Botuar nga Shtëpia Botuese Dituria, ai është përzgjedhur nga lexuesit si libri më i mirë i vitit 2020 në kategorinë libër i mendimit, organizuar nga portali më i madh i librit online në Shqipëri “Bukinsit.al”. 

Libri më i fundit i Iris Halilit, “Lideri nuk lind…bëhet”, dallon për gjuhen e kthjellët dhe të qartë përmes së cilës autorja na përcjell cilësitë/tiparet që dallojnë liderët. Ky libër tashmë është kthyer për lexuesin shqiptar si një manual që në formë lakonike dhe sintetizuese rrëfen rrugën sesi çdo kush mund të bëhet një lidër i sukseshëm apo edhe një ndjekës i ndërgjegjshëm dhe përgjegjës, shkruan gazeta Dielli.  Mes shembujsh konkretë nga historia botërore dhe ajo shqiptare, autorja percjell tiparet e liderve që kanë bërë histori, si për mirë ashtu edhe për keq, si dhe shpjegon se si modelet e tyre të lidershipit kanë përcaktuar fatet e ndjekësve, kombeve apo kompanive, që ata kanë drejtuar.

Autorja Iris Halili vjen me këtë botim pas një kariere të gjatë akademike dhe lidershipi si në Shqipëri ashtu edhe në USA. Ajo është gjithashtu e njohur, në shtypin e trojeve shqiptare dhe atë të diasporës, për artikujt e saj për lidershipin, letërsinë apo aktualitetin politik e shoqëror. Autorja ka qenë prej 10 vjetesh pedagoge e Letërsisë Moderne në Fakultetin e Letërsisë pranë Univesitetit të Tiranës; Shefe e Kabinetit e Presidentit Alfred Moisiu 2002-2005, Këshilltare e Ministrit Sokol Olldashi 2006 -2007 etj. Prej më shumë se 12 vitesh ajo jeton dhe punon në Miami, Florida. Në USA ka kryer doktoratën për Lidership dhe Zhvillim Organizatash, dhe aktualisht punon në profesionin e saj si Partnere Biznesi e Burimeve Njerzore.

Gazeta Dielli njofton se në promovim pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të blejnë librin 10Usd, të ardhurat e të cilit autorja ka nderin t’ia dhurojë Vatrës.  Promovimi do të moderohet nga gazetarja Marjana Bulku, përfundon njoftimi i gazetës Dielli për promovimin e librit “Lideri nuk lind…bëhet”, të autores shqiptaro-amerikane, Iris Halili

Frank Shkreli

A picture containing text

Description automatically generated
Text

Description automatically generated
A picture containing text, person, indoor, child

Description automatically generated

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shreli, Iris Halili, Vatra

“LIDERI NUK LIND…BËHET” PROMOVOHET NË VATËR TË DIELËN MË 19 SHTATOR

September 11, 2021 by s p

Dielli/

Në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York, ditën e Dielë më 19 Shtator 2021, ora 11 am, do të promovohet libri “Lideri nuk lind…bëhet” i autores Iris Halili. Libri vjen si një risi, pasi është i pari i llojit të tij në letrat Shqipe. Botuar nga Shtëpia Botuese Dituria, ai është përzgjedhur nga lexuesit si libri më i mirë i vitit 2020 në kategorinë libër i mendimit, organizuar nga portali më i madh i librit online në Shqipëri “Bukinsit.al”. Autorja Iris Halili vjen me këtë botim pas një kariere të gjatë akademike dhe lidershipi si në Shqipëri ashtu edhe në USA. Ajo është gjithashtu e njohur në shtypin Shqiptar dhe atë të diasporës për artikujt e saj sa për lidershipin, letërsinë apo aktualitetin. Autorja ka qenë prej 10 vjetesh  pedagoge e Letërsisë Moderne në Fakultetin e Letërsisë pranë Univesitetit të Tiranes; Shefe e Kabinetit e Presidentit Alfred Moisiu 2002-2005, Këshilltare e Ministrit Sokol Olldashi 2006 -2007 etj. Prej më shumë se 12 vitesh ajo jeton dhe punon në Miami,  Florida. Në USA ka kryer doktoratën për Lidership dhe Zhvillim Organizatash, dhe aktualisht punon në profesionin e saj si Partnere Biznesi e Burimeve Njerzore.

Libri i saj me i fundit “Lideri nuk lind…bëhet “ dallon për gjuhen e kthjellët dhe të qartë përmes së cilës autorja na përcjell cilësitë/tiparet që dallojnë liderët. Ky libër tashmë është kthyer për lexuesin shqiptar si një manual që në formë lakonike dhe sintetizuese rrëfen rrugën sesi çdo kush mund të bëhet një lidër i sukseshëm apo edhe një ndjekës i ndërgjegjshëm dhe përgjegjës.  Mes shembujsh konkretë nga historia botërore dhe ajo shqiptare, autorja na percjell tiparet e liderve që kanë bërë histori  si për mirë dhe për keq, si dhe shpjegon sesi modelet e tyre të lidershipit kanë përcaktuar fatet e ndjekësve, kombeve apo kompanive që ata kanë drejtuar.

Në promovim pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të blejnë librin 10Usd, të ardhurat e të cilit autorja ka nderin t’ia dhurojë Vatrës.

Promovimi moderohet nga gazetarja Marjana Bulku.

Ju mirëpresim në mjediset e Vatrës.

Filed Under: Politike Tagged With: Iris Halili, LIDERI NUK LIND…BËHET, Marjana Bulku

INTERVISTA E DIELLIT- 7 PYETJE PËR IRIS HALILI

March 8, 2021 by dgreca

Në intervistën e radhës, gazetarja Marjana Bulku, sjell historinë e intelektuales Iris Halili, e cila si qindra mijëra shqiptarë la Atdheun për një jetë më të mirë, duke emigruar në Florida, SHBA. Iris ka përfunduar studimet me Medalje Ari në Fakultetin e Letërsisë, Fakulteti Histori Filologji. Pas studimeve ajo u emërua pedagoge e Letersise Moderne aty ku studio. Po si rrodhi jeta e saj më pas? Ndiqeni intervistën:

Marjana Bulku- Zonja Iris, ju e keni lënë Shqipërinë në vitin 2009 të. Çfarë do të thotë për dikë që ka invenstuar aq shumë intelektualisht ta nisë jetën në një tjetër vend?

Iris Halili- Historia e ardhjes sime në USA është më shumë një imponim i fatit sesa një zgjedhje e shumë kërkuar. Në vitin 1994 pasi përfundova me medalje ari studimet në Fakultetin e Letërsisë, Fakulteti Histori Filologji u emërova pedagoge e Letërsise Moderne po aty. Ishte realizimi i asaj që unë kisha ëndërruar përpara se të hyja në fakultet, vite kur babai im mjek përpiqej të më mbushte mëndjen të studioja mjekësi, por unë ndoqa pasionin e letërsisë pasi e dija që do shkëlqeja në këtë degë te cilën e kisha dhe e kam vërtet për zemër. Në vitin 1996- të një mikja ime e ngushtë që kishte ardhur në NY, SHBA më ofron mundësine të vija këtu me studime masteri në kuader të projekteve për Europën Lindore, studime që ajo vete kishte mundur t’i realizonte. Unë nuk e mora seriozisht në konsideratë këtë ftesë pasi në atë kohë nuk mendoja të vija në Amerikën që më dukej shume e largët. Aq e vërtetë është kjo sa edhe kur mu dha mundësia  të zgjidhja një qytet të botës për të studiuar në kuadër të bursës një vjeçare që fitova si ambasadore e Rotary Club për vitet 1999-2000 unë zgjodha Romën (Italinë) dhe jo SHBA. Ishin vite të bukura për Shqipërinë fillimet e viteve 90, ishin vite me shpresë, me idera  utopike dhe optimiste për një Shqipëri për të cilën të gjithë mendonim se shumë shpejt do të bëhej si gjithe Europa. 

Por sikur sygjerojnë teoritë e fateve, çfare do të besh nuk i shpëton dot destinit tënd të shkruar. Në vitin 1998,  babai im me thote “Provoje dhe ti fatin e llotarisë amerikane moj bijë:”. Kështu në vitin 1999 unë e fitova “Green Card” dhe ardhja ime ne SHBA u nis si për të provuar fatin. E konsiderova këtë shans për gati 9 vjet  si një vizë turistike që më sillte shpesh tek vendi i parë i botës , por pa menduar se do jetoja në të, ndonëse djali i vetëm kishte lindur këtu. Por ja që në 2009 erdha ku destini kishte vendosur tashmë. Nëse në 1998 applikova jo se nuk shihja shpresa tek vendi im, në 2009 ika pa pasur ndonje  iluzion se ai po përparonte  me hapet që ne kishim ëndërruar; ika me shpresa të vrara.  Une isha 37 vjeç kur lashë vendin. Jo shumë e re për ta nisur nga hiçi por jo aq e vjetër për të mos patur ambicje vazhdimësie. Emigrimi kudo të jetë është një aventurë e njerzve të guximshëm, pasi ne dime se çfarë lëmë por ne nuk dimë se çfarë gjejmë. Çështja është se kur shkon vizitë turistike në një vend të huaj apo jeton dy a tri muaj atje, njeriu njeh vetëm majën e ajsbergut të kulturës së vendit mik, atë anë të dukshme dhe që në përgjithësi është eksituese, por kur fillon dhe jeton, atëherë ndeshesh me dy anët e tjera të ajsbergut kulturor që antropologu Eduard Hall do t’i quante pjesën e padukshme kulturore dhe bërthamën kulturore. Janë pikërisht këto dy anë të panjohura të kulturës së vendit mik/pritës që e bëjnë emigrimin shumë të vështirë. Kultura që ne mbartim që kur lindim së bashku me gjuhën që ne flasim përbëjnë shumatoren thelbësore të asaj si ne reagojmë apo realizojmë vetveten në një mjedis si të njohur si të panjohur. Të emigrosh do të thotë të shtypësh dhe ndrydhësh pak nga pak forma të kultures tënde dhe të fillosh të reagosh sipas kulturës/kulturave dominuese të vendit mik, dhe kjo është pak a shumë hapi i parë që të bën të mbijetosh larg vendit tënd. Këto “shtypje” nëse do të përdornim këtu gjuhën Frojdike, janë eksperienca të provuara prej çdo emigranti.

Marjana Bulku-E integruar më së miri në jetën amerikane a mund të na përshkruani këtë proces parë nga prizmi personal?

Iris Halili- Emigrimi të le mundësinë të zgjedhësh një nga tri rrugë:  Ose do të asimilohesh, ose do të margjinalizosh, ose do të  integrohesh. Asimilimi është qesharak dhe nëse do të duhet të dallojmë një emigrant të tillë pikasim ata indvidë që hiqen sikur kanë ardhur nga një planet tjetër. Këta besoj unë kanë edhe neurozat më të larta pasi është krejt e pamundur të përthithësh kulturën e vendit mik deri në bërthamë  apo të “shtypësh” në maksimum kulturën tënde pa pësuar apo provuar një stres të brëndshëm. Nga ana tjetër margjinizuesit janë ata që përçmojnë  vendin mik/pritës nga mëngjesi deri në mbrëmje. Edhe këta janë në dramë neurotike pasi janë as këndej as andej dhe bëhen të besdisur jo vetem me veten por dhe me të tjerët rreth e qark, pasi edhe ata vetë nuk i besojnë ata që thonë dhe mbi te gjitha edhe po të shihet në aspektin etik apo moral nuk funksionon asnjëherë të urresh mjedisin ku pi ujë, pasi asnjëri nuk të ndalon të kthehesh atje ku uji të duket më i pastër dhe njerzit më të mirë. 

Une mendoj se integrimimi është edhe hapi më i arrirë që duhet të realizojë çdo emigrant dhe besoj se integrim do të thote adaptim me kulturën vendase por pa përjashtuar as kulturën tënde. Në proçesin e integrimit transferojmë natyrshëm kulturën e vendit nga vijmë por njëkohësisht përpiqemi të adaptohemi me kulturën ku jetojmë dhe punojmë pa mohuar dhe përjashtuar vlerën e asnjërës, pasi nuk ka kulturë të mirë apo të keqe, ka vetem kulturë që e kuptojmë apo jo. Këtu do të shtoja se për një emigrant në SHBA integrimi nuk është më pak i vështirë se një vend tjetër. E di që kjo do të duket paradoksale, por le të marrim një shembull që besoj do tju bind. Çështja është se emigrantit nuk ja lehtësojnë jetën aq shumë ligjet antiraciste dhe gjithëpërfshirëse të qeverive sesa kontakti i përditshëm me njerzit. Kjo do të thotë se duke qenë një vend ku jetojnë qindra kultura, sapo del nga dera do të ndeshësh jo me një kulturë por me gjithçfarë lloj kulturash që kanë emigruar këtu. Kjo të çon në konkluzionin se “shtypja” e kulturës mëmë dhe konflikti mes kulturave tek një emigrant që jeton në SHBA është shumë më i madh se e një tjetri që jeton fjala vjen në Greqi.  Mua më qëllon të punojë me më shumë se 15  kultura të ndryshme dhe të ndaj mënyrën si shpreh mendimin në forma të ndryshme pasi ajo që quhet normë për amerikanët nuk është për latinot, apo zezaket apo aziatikët. Dhe i gjithe ky adaptim është në veprim 24/7 në çdo ditë të vitit, jetës, punës , shoqërimit, komunikimit, etj. 

Nga ana tjetër duhet thënë se ka dy kategori emigrantësh, ata që kanë emigruar duke lënë një të shkuar të arrirë në vendin amë dhe ata që nuk e kanë lënë një të tillë.  Kur emigron ti sjell me vete gjithë çke qënë, por drama që përjeton në fillesat e emigrimit është se ti duhet të njehsohesh si gjithë emigrantët e tjerë paçka se çfarë ti apo ata përfaqësoni individualisht !! Kështu që rrjedhimisht të duhet shumë punë, investim tek vetja dhe familja apo vite shkolle dhe rritje profesionale që të imponohesh në realitetin e ri. Çdo gjë qe ke bërë më parë është në letra e respektuar, por vetem kaq. 

Integrimi është proçes i gjatë që nuk rresht kurrë dhe të suprizon në çdo çast. Sikur fëmija që çdo ditë që rritet mëson diçka të re edhe emigranti sa më shumë jeton në një kulturë tjetër ndeshet me diçka të re krejt të paditur më parë. Emigranti është kështu një adult që kur emigron i duhet të ripërsëris në një farë mënyre proçesin e fëminisë së tij pasi çdo ditë i duhet të mësoje diçka të re nga kultura e vendit mik/prites apo kultura e njerzve përreth.  Sot flitet apo vlerësohet por edhe anatemohet shume globalizmi, por në thelb çdo emigrant nuk është gjë tjetër vetëm se një globalist që në momentin që ka vendosur të ndërtojë jetën e tij përtej asaj ku është rritur, vendos t’i bashkojë/pranojë kulturat dhe jetojë mes tyre në harmoni. Globalizmi është pranim, afrim, sheshim por edhe shtypje se nuk mund të pranosh tjetrin por nuk hoqe pak nga vetja. Unë mendoj se kjo botë e sheshtë në të cilën po jetojmë do i afrojë njerzit më shumë se çdo kohë e mëparshme dhe mendoj se kështu si po ndërtohen hapjet mes kulturave dhe vendeve emigranti i pas 100 viteve nuk do i ketë më veçoritë e emrit që sot e përcakton si të tillë.  

Ndërkohë pyetjes a kam bërë mirë që kam emigruar, do ti përgjigjesha pozitivisht, pasi unë mendoj se në SHBA konkurrenca funksionon në një hapësirë më të madhe se në Shqipëri, ose të paktën krahasur me si po funksionojnë gjërat së fundmi atje. Si rezultat edhe mundësitë individuale ne SHBA janë më të mëdha. Plus komoditetet, mundësitë dhe dijet që të ofron jeta këtu janë padiskutim më të arrirat në botë, kështu që edhe shpresat duket sikur nuk vdesin kurrë.  

Duhet pranuar se ne këtë jetë gjithkush lufton me të përditshmen, dikush për mbijetese fiziologjike, dikush për atë psikologjike e dikush për atë të vetëafirmimit personal, seicili sipas fatit të tij, llojit të tij apo zgjedhjes së tij. Unë mendoj se plotësimin final në jetë nuk ta jep vetem vendi ku jeton por më shumë ajo çka çdo njeri ka ndërtuar apo ndërton brenda vetes, ka vendosur në raportin me veten, të tjerët dhe botën e jashtme si dhe sa mundohet ti shmanget faktorëve determinues që tentojnë të pengojnë progresin e tij personal. 

Marjana Bulku-Iris, studente ekselente, pedagoge, këshilltare në qarqet më të larta të politikës, studiuse e letërsisë. Çfare ka mbetur vitale tek ju nga këto fusha që ju i keni ezauruar në Shqipëri? 

Iris Halili- Të gjitha kanë mbetur vitale, asgjë nuk është shuar. Unë nuk besoj tek teoria e shuarjes por thellësisht besoj tek teoria e transferimit. Dashuria për letërsine është trensferuar në çdo gjë timen, në pasionin që unë kam për çdo disiplinë humane dhe për humanizmin si të tillë, apo në  mënyrën si jetoj, mendoj, flas, shkruaj, komentoj,ndiej etj ejt.  Prej saj duket të jetë marrë përshëmbull rëndësia që unë i vë detajeve, kuptimi dhe interpretimi që u bëj karaktereve jetësore dhe mbi të gjitha shfaqet tek natyra ime pasionante të cilën kurrë nuk e kuptova nëse  ishte kjo natyrë që më çoi tek letërsia apo ky ishte një proçes i kundërt. Po kështu puna në qeveritë shqiptare dhe pranë presidentit si dhe mundësia që mu dha kësisoj për të takuar shumë liderë botërorë dhe qenë e pranishme në shumë tavolina ku luhej politika më rriti kërshërinë të studioja master dhe doktoratë për lidership në SHBA. Falë këtyre studime isha në gjëndje të hyja në tregun e punës amerikane duke realizuar kështu aspiratat që kisha. Tek këto studime hasa gjithashtu se letërsia dhe teoritë e lidershipit kanë një të përbashkët thelbësore: të dyja merren me karakterin e individit apo natyrën e rrethanave që përcaktojnë zgjedhjet apo vendimet e tij, si dhe të dyja përpiqen të zbulojnë edhe detajet më të vogla pas të cilave fshihen veprimet më sinjifikante. Të gjitha këto dije apo eksperienca janë transferuar dhe transferohen tek unë në forma nga me të ndryshmet, herë vetvetishëm e herë pavetvetishëm. Në rastin tim une as nuk dua te shkëputem nga a shkuara ime, por as nuk dua të jetoj me të; sikur nuk dua të jetoj duke bërë planifikime të detajuara për të ardhmen. Unë ndjek porosinë e Virginia Vulfit: jetoj momentin, pasi jeta në fund përmblidhet si një grusht momentesh, përqëndrohem tek e tashmja dhe mendoj se çdo ditë e jetuar me dashuri për jetën është një ditë e bekuar. 

Marjana Bulku -E bindur që jeni nga ato që i mbani sytë nga Shqiperia, si do na i përshkruani atë që sheh sot syri juaj i mprehtë, kritik , vizionar?

Iris Halili- Shqipëria sot është në një stanjaçion korruptiv. Kjo ka shumë arësye: nga të gjitha anët kemi një lidership të dështuar që ka ndërtuar një mjedis  të korruptuar; një lidership aspak frymëzues apo transformues. Nga ana tjetër kemi një shoqëri shqiptare që prej shumë vitesh është  gënjyer dhe zhgënjyer deri ne palcë. Kjo ka ashpërsuar zemrat e shqiptarëve dhe i ka bërë ata të bien në apati, pasi duket se çdo zgjedhje e tyre përfundon po njëlloj në qeveri të korruptuara.  Shqiptaret janë dorëzuar ndaj çdo lloj force për veprim apo aq më keq akoma kanë humbur dëshirën për veprim, shtoji këtu faktin që si kulturë ne kemi qënë gjithmonë të ngadaltë në pranimin e ndryshimit dhe e kemi parë veten shumë larg nga pushteti. 

E hapur tashmë tërësisht ndaj botës, realitetitit shoqëror shqiptar i është imponuar edhe një fenomen bashkëkohor. Njerzit sot kudo që jetojnë duket sikur shqetësohen  vetëm për suksesin, famën , dukjen  personale dhe sillen të gjithë sikur të jenë zotër,  por në fakt më shume janë kthyer në sende pasi ajo çka i frymëzon apo i bën të veprojnë është posesimi i sa më shumë sendeve. Njerzit kanë humbur komunikimin shpirtëror mes njëri- tjetrit. Teknologjia ka pjesën e vet të përgjegjësise në këtë dramë kolektive. Gjithkush nga ne e vërtit jetën e tij tek drejtëkëndëshi kompjuterik, apo drejtëkëndëshi telefonik !!! Sapo ngrihemi në mëngjes gjeja e parë që ne bëjmë është t’i drejtohemi telefonit drejtëkëndës; pyesim Aleksën si është moti pasi përtojmë të dalim deri ne ballkon e ta vlerësojmë vetë atë !!!  Shkojmë në zyrë dhe përpara se të përshëndesim kolegët hapim fillimisht kompjuterin po drejtëkëndësh.  Kthehemi në shtëpi dhe komunukimin e parë e kemi tek hapim TV po drejtëkëndësh. Lidhemi me të dashurit apo miqtë, të afërmit apo kolegët sërisht e gjithmonë e më shumë me tekste nëpërmjet hapjes së nje drejtëkëndëshi telefonik që duket sikur mbart brenda gjithë jetën tonë inorganike, që në fakt është jeta e cila drejton gjithë ditën tonë dhe të cilës ne i kushtojmë pjesën më dërmuese të kohës.  Vetvetishëm jeta jone është futur në një drejtëkëndësh nga i cili unë se di se si do të mund të dalim dot. Ne rendim të ushqehemi me ushqime organike, kur ndërkohë  kemi humbur të komunikuarit apo reagimin organik. Ne të gjithë këtë përqëndrim drejtëkëndor ajo që ka humbur më shumë është dashuria organike në çdo drejtim të fjalës, ajo vëllazërore, miqësore, për fqinjin, për vendin, për kolegun, për tjetrin, etj etj.  Kjo mos kërshëri ndaj dashurisë organike i ka kthyer  njerzit në makina, i ka bërë ata  apatik. Çdo gjë e zgjidh një algorithëm, një inteligjencë artificiale që e ben mëndjen humane dembele dhe jo pjesëmarrëse.  Mbi të gjitha këto forma kanë zbehur dashurinë njerzore, pasi dashuria pikë së pari është emocion gjallor, komunikim real me shumë se virtual. Ne jemi kthyer padashur në sllever të atyre institucioneve apo normave që i kemi krijur apo lejuar po vetë të na drejtojnë dhe sot institucioni qëndror që determinon jetën tonë është teknologjia dhe social mediat që ajo ka prodhuar.  Kriza e pandemisë së Kovidit i dha një shtysë edhe më të fortë kësaj jete mekanike pasi e largoi edhe më shumë njeriun nga njeriu. Sado i madh determinizmi që na ofrohet ne duhet të dalim nga kjo gjendje dhe të mos lejojmë të humbin njeriun brenda nesh dhe te mos lejojmë zvetnimin e tij.  Sot ndoshta askush nuk e parashikon qartazi si do të jetë e ardhmja, por unë i besoj teorisë  që njerzit që të arrijnë një farë ekuilibri në ekzistencen e tyre kurrë nuk duhet të heqin dorë apo humbasin atë çka e bën njeriun – njeri dhe  ky është vetëm humanizmi si i tillë, veprimi i zemrës dhe shpirtit njerzor ku dashuria ka vlerën më të lartë.Në çdo shkallë që ka arritur  njeriu është shoqëruar gjithmonë me shumë hapa të panjohur dhe shumë kundërshti ambigue, por sërisht ai ja ka dalë dhe kjo kur ka vendosur pikë së pari si prioritet ruajtjen e species së tij. 

Po ti kthehemi rastit shqiptar duhet thënë se vendi nuk ishte apo është i përgatitur për këtë krizë post moderne të komunikimit pasi ai ende nuk i ka kaluar fazat e kapitalizmit modern apo post- modern. Ka shumë shance që edhe si rezultat i kthesave  te tilla që po jeton,  shoqëria shqiptare të jetë bërë edhe më apatike dhe njëkohësisht edhe më ashpër sikur ndodh shpesh kur të duhet të hasesh me eksperienca jetike të parakohshme, apo të menjëhershme apo që nuk kalojnë natyrshëm të gjitha fazat.    

Une mendoj se për aq kohë sa shoqëria shqiptare nuk do të dalë nga apatija, të sfidoje ashpërsimin që i ka pllakosur zemrat dhe të mos shkojë në zgjedhje për të vendosur “të keqen e mirë”, fatkeqësisht këtë situatë do të duhet ta shikojmë gjatë. 

Marjana Bulku – Zonja Iris, mjaft prej brezit tonë, le ta  quajme ‘ të humbur’ I ’90, ka një rol të madh në shembjen e komunizmit. A mendoni se ka ende hapësire dhe mundësi për ta zhvilluar vizionin e mbetur përgjysem?

Iris Halili- Unë nuk besoj se ne jemi një brezi i humbur,  përderisa me kohën tonë lidhen shumë momente kyçe të historisë botërore dhe ne nuk ishim thjesht spektatorë por aktorë aktive të saj.   

Ne jemi gjenerata X (1964-1980), pikërisht ajo gjeneratë që pasuam të ashtuqujtëren gjeneratë të “baby boomers”. Ne u rritëm në paqe me prindërit qa na varrnin çelësin në qafë!  Kjo na bëri një gjeneratë të përgjegjshme, që di si ta ruajë çelësin dhe si të hapë derën atëherë kur dhe si duhet. Në 1990 ne dolëm të gjithë në sheshe dhe kërkuam “Shqipërinë si e gjithë Europa”; ne hapëm derën e Shqipërisë së lirë dhe ky mbetet akti ynë më i arrirë dhe me sa duket në Shqipëri kjo mbeti fitorja jonë më e madhe, pasi më pas duket sikur ne i lëshuam fatet në dorë të “baby boomers”, ndoshta ngaqë  ata na u duken më të përgjegjshëm.

Ne jemi brezi që mbijetuam në te gjitha  shkallët e revolucionit teknologjik. Shkollën e ndoqëm duke marrë leksione me penë në fletore 5 lekëshe, por punën e filluam kur u desh të shkruanim me kompjuterin që sapo ishte zbuluar, dhe më pas vazhduam pa ndërprerë kur na u desh të komunikonim me email dhe tani jemi forcë e rëdësishme e integruar e tregut të punës dhe në gjëndje të aplikojmë çdo të re teknologjike që na ofrohet. Të mos harrojmë se dhe kokat e teknologjisë post- moderne jane të gjithë pak a shumë nga gjenerata X. 

 Ndonëse ne jemi sërisht të lidhur shpirtërisht me vendin, unë mendoj se tashmë më e mira për Shqipërinë është të vijnë në drejtim, gjeneratat e reja pasi janë ata që nuk mbartin zhgënjimet dhe ashpërsinë e të shkuarës dhe si rezultat do i bashkojnë më shumë shqiptarët drejt nje të ardhmeje të shumëpritur dhe do te mund të sjellin një lidership transformues.    

Marjana Bulku -Sa herë ka festa unë hedh sytë nga Irisi, zonjë, amvisë, klas, plot shije e sharm ku nuk është vetëm cilësia e jetës ajo që bie në sy. Është gjithë ky rregull, finesë e trashëguar apo kultivuar? 

Iris Halili- Këtë model e kam parë tek gjyshja, e kam parë tek mamaja ime dhe mundohem ta përcjell në familje si tradite dhe dhunti. Mua gjithmone më kanë pëlqyer mjediset klasike pasi mendoj se mbartin apo janë në gjëndje të shprehin shumë histori dhe shume kujtime në të njëjtën kohë.  Më pëlqen të udhëtojë dhe të them të drejtën edhe kam patur fatin të vizitoj në shumë vende të botes. Gjithmonë kam patur kërshëri të njoh traditat dhe zakonet e ndryshme dhe mendoj se ana festive e çdo vendi rrëfen shumë për nivelin e ndjeshmërsie në atë kulturë.   

Përpiqem që çdo festë ta konsiderojë dhe organizojë deri në detaj dhe tek çdo e tillë  përpiqem të vendos një mendim apo ndjenjë. Shpesh edhe mënyra si e vendosim pecetën në një tryezë flet sa dashuri dhe mikpritje ka ne të. Festat janë pothuaj çdo vit po të njëjtat, por jo çdo vit ka qënë i njëjti për nga kujtimet që na le apo çastet që na ka sjell. Kjo do të thotë që çdo trapezë duhet të jete autentike e atij viti. Përshëmbull tavolinën në darkën e Thanksgiving 2020 unë e realizova me motive druri, dhe për këtë kisha një mesazh. Në një vit Kovidian si 2020-ta ne patëm edhe më shumë shanse të rrinim pranë dhe vetëm me natyrën dhe kështu të kuptuam edhe një herë sa e papërsëritshme mbetet ajo në energjinë që të jep dhe paqen që të afron. 

Marjana Bulku – Studentëve shqiptarë jam e bindur që u mungon metodika, mjeshtëria komunikative, elokuenca brilante, polemika dinamike. Si mund ta plotësoni këtë boshllëk ?

Iris Halili- Unë gjithmonë e kam dashur audiencën dhe e kërkoj atë kudo të jem. Lidhjet me studentët i mbaj të gjalla pasi ishte një kohë që si të thuash ishim gati moshatarë dhe ne zbulonim së bashku magjinë e shpjegimit apo interpretimit letrar. Une jam shumë krenare për ta dhe gëzohem kur i shoh të realizuar në jetë dhe karrierë dhe e lumtur vë re sesi letërsia i ka ndihmuar të mbeten gjithmonë intelektualë me njohje mbi dijet humane dhe mbi të gjitha njerëz me zemër të madhe. Ndërkohë përpiqem të jem aktive në shyp dhe botoj më shumë me drejtim nga lidershipi por edhe mbi probleme sociale, politike, letrare. Përpiqem modestisht të jem prezente me artikuj, libra, analiza jo për famë por për të thënë sinqerisht mendimin tim. Nese ikën nje apo dy ditë pa shkruar, mëngjesin e tretë e ndiej se nuk kam qënë vetvetja. 

Unë besoj tek shprehja hapur e të vërtetës dhe mendoj se njerzit lartësohen sa herë nuk rreshtin së thëni atë. Këtë parim e konsideroj si shtysën kryesore në çdo rresht që shkruaj, në çdo hap që hedh apo dhe komunikim që bëj. Sikur na mëson edhe Erik Fromi: “Gënjeshtrat mund të na bashkojnë në një parti, por përfundimisht vetëm e vërteta mund ta udhëheqë njeriun drejt lirisë”. Dhe unë mendoj se vetëm një njeri i lirë është një njeri i realizuar për veten, ata që e rrethojnë si dhe mjedisin ku jeton. 

Mars, 2021

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Intervista, Iris Halili, Marjana Bulku

ROLI I LIDERIT TRANSFORMUES NE REALITETIN SHQIPTAR-IRIS HALILI

January 12, 2021 by dgreca

INTERVISTOI MARJANA BULKU/

1. Këtu në SHBA flitet shumë për rolin që ka lideri transformues si në politke po ashtu edhe në botën e biznesit. Cili është saktesisht tipari i ketij lloj lidershipi ?

Lidershipi transformues është në gjendje të sjellë transformime në një realitet, mendimi apo veprimi përmes një frymezimi, krijimi dhe realizimi të një realiteti të ri, krejt të ndryshëm nga i mëparshmi  dhe që u trashegohet brezave si vlerë . Sikur e thotë edhe vetë  fjala transformues ky lider është në krye të transformimit , por (dhe ky moment ka shumë rëndësi) ai bën shumë kujdes që ky transformim të jetë i konsoliduar deri në fund. Lideri transformues pikë  së pari flet me vlerat dhe aftesitë  tij personale, vlerat e karakterit apo të shkuares apo edhe të tashmes së pastër dhe janë pikërisht këto me të cilat ai hidhet në betejën  e transformimit. Ai i kerkon këto vlera tek ndjekesit e tij dhe tek bashkepuntoret e tij. 

2. A ka patur ndonjëherë Shqiperia lider transformues?

Une mendoj se pothuaj të gjithe lideret e Shqiperise në fillimet e  tyre kanë fituar besimin e ndjekësve  duke premtuar transformimin  dhe në të njëjtën kohë kanë qenë shumë të zotë të  percjellin një figurë bindese se do të jenë  lokomotiva e transformimit. Transformues ka qenë Skenderbeu, Ismail Qemali, Nënë Teresa, të gjithë këta të njohur për vlerat e tyre transformuese  shumë përtej kufijve shqiptare. Ashtu sikur mendoj se të gjithë lideret e mevonshem shqiptarë kanë bërë një hap transformimi në realitetin shqiptar apo kanë vënë një gur transformimi. Psh ne e dimë  që sejcili nga lideret e trazicionit vuri  një gur në transformimin e Shqiperise nga diktaturë komuniste  në republikë parlamentare pluraliste dhe këtu pa dyshim  roli i Dr. Berishes është më i spikaturi. Por nga ana tjeter të gjithë lideret e tranzicionit pa perjashtim kanë dështuar në  një pike, pikërisht në atë dramë  që e krijuan po vetë , atë dramë  ekonomike dhe sociale që është pjellë  e grykësisë  së tyre:korrupsionin. Ironia më  e madhe është se ndjekësit shqiptarë  kanë qysh në vitin 2002 që votojnë atë lider që u premton se do u luftoje korrupsionin, por fatkeqesisht pas çdo votimi kemi o më shumë korrupsion, o një korrupsion me fytyrë tjetër  por me thelb të njëjtë. Kështu njëri pas tjetrit dështoi “Katarsisi” i Fatos Nanos, dështoi  premtimi i Dr.Berishes me “Me duar të pastra”, dhe po kështu deshtoi dhe “Rilindja” e Edi Rames. Unë mendoj thjesht që edhe psikologjikisht për lideret e tranzicionit është shumë e vështirë të luftojnë atë që kanë krijuar  po vetë.

3. A e shikoni pjesën më të sëmurë të realitetit aktual shqiptar  tek korrupsioni?

Po. Unë mendoj se korrupsioni është metastaza që fillon me zgjedhjet që manipulohen në një forme a tjeter dhe më pas vepron në çdo instance tjetër  Se po u vodh e drejta e zgjedhjes të  tjerat jane rrjedhojë . Kjo është shumë poshteruese për çdo shoqëri. Nderkohe korrupsionI nuk po i le talentet dhe njerëzit e ndershëm të evidentohen, të gjejnë  punë , të konfirmojnë veten , apo sigurojnë të ardhurat  minimale për jeteseë  kjo është arsyeja kryesore e emigrimit masiv të shqiptareve.  Fatkeqesisht, sipas EUROSTAT vetëm në kohën e “Rilindjes”janë larguar 360.699 shqiptarë prej të cileve 140.390 të rinj.Këto  për Shqiperinë janë shifra tronditese dhe rrëfejnë se interesi për vendin ka shkuar dhe po shkon në zero. Kjo është drama më e madhe që ka sjellë korrupsioni.

Ky i fundit po edukon një gjenerate të tërë me antimoralin: “Po nuk bëre korrupsion nuk ke të ardhme, nuk mbijeton”. Në media bejne moral të korruptuarit dhe këta propozohen si mendjet virtuale që japin leksione morali kur e gjithe jeta e tyre ka qenë një korrupsion pasiv, pasi psh të mos jesh ekspert dhe të dalësh  në media dhe të bësh  ekspertin është korrupsion intelektual , është korrupsion shpirtëror  dhe mbi të gjitha është korrupsion informativ. Shqiperia është një vend i vogël. Gjithkush e njeh tjetrin, kështu që  kur moralin ta ben i korruptuari,ajo çka ka vdekur perfundimisht është shpresa se vlera dhe puna do vleresohet. 

Lideret e tranzicionit kanë dështuar në transformimin e premtuar pasi në realizmin transformues e rendesishme është të mos  transformosh aty këtu , por në të gjithë strukturën të krijosh vizionin dhe platoformen transformuese në çdo qelize të shtetit  dhe shoqerisë . Le të marrim një shembull aktual. Ne të gjithë e dimë  qe gjykatat kane qenë të korruptuara,  por ne të gjithë e dimë gjithashtu se të korruptuara nuk jane vetëm gjykatat, dhe nese ndër  vite perpiqesh të bësh reforma  vetëm me disa institucione  dhe le mënjanë të tjerat ,psh fjala vjen energjinë , arsimin apo mjekesinë , pra bëjmë  reforma transformuese në një kah dhe jo “hot stove” dmth menjeherë  në të gjitha sistemet, transformimi mbetet çalaman, pasi është  njësoj si të shërosh  një organ dhe të lesh të tjerat të vdesin pak nga  pak. Nëse ne mbyllim një media për evasion dhe e leme të shijë një media tjetër kjo nuk është reforme antikorruptive, përkundrazi ky është  një transaksion i rrezikshem dhe krijon premisat e vendosjes  së një  forme diktature moderne ku pushteti  perkrah vetem ato që  e favorizojne. Kjo krijon atë që kemi  quajtuar oligarki, apo drejtimin preferencial. Ky realitet ka sjellë  çoroditje  dhe apati totale tek ndjekesit. Kjo ka bërë që Shqiptaret të mos kenë më besim as tek politika dhe lidershipi i saj , por edhe as tek media dhe në pergjithesi në asnjë institucion shqiptar

4. Cili do të duhej të ishte roli i lidershipit transformues përkundër këtij fenomeni në realitetin shqiptar? 

Aktualisht ndjekësit  shqiptare nuk kanë  nevoje ti bindesh për dramen e korrupsionit në vend, pasi  ata janë  të goditur deri në palcë prejt tij dhe kjo do të thote se sot nuk ka nevojë  për  retorike politike. Të lodhur nga propaganda antikorrupsion që ka mbetur më shume e tillë dhe të gjendur midis dy alternativave  partiake që janë po njelloj ato që propozojnë dy stacionet që kanë  të njejtin realitet, ndjekesit shqiptare deri më tani kanë  vendosur të mos zbresin fare nga treni.  Lideri transformers êshtë  ai që duhet t’i bindë për stacionin e ri, dhe kjo bëhet nëse ai u tregon hartën e stacionit të ri me të gjitha detajet si do luftohet korrupsioni dhe kur do arrihet kjo me afate të qarta. 

Ajo që duhet të sjellë lideri transformues është  stimulimi intelektual që do të thotë përpara çdo vendimi apo platforme antikorrupsion të marrë mendimet e paleve të involvulara dhe interesuara për këto reforma. Këtu ka shumë rëndësi angazhimii i të gjitha grupeve sociale.

Lideri transformues pike së pari duhet të jetë personalisht i përkryer dhe i pastër në figuren e tij, së dyti të vijë me një platforme të qartë me pika transparente dhe të qarta që shkatërrojnë  statu kuo-në , dhe së treti që është  më e rendesishmja, të mbledhë rreth vetes të pakorruptuarit . 

5.Si e mendoni ju të ardhmen e lidershipit shqiptar duke parë historikun e deritanishēm  ?

Në pergjithesi në botën demokratike një lider protagonist pasi mbaron misionin që i është besuar nga ndjekesit largohet, shumë premtime i arrin, shumë jo, pasi nuk ka lider që të përmbushë  100 % nga ato që premton, gjithkush le një gur e kështu vendoset demokracia dhe respektohet e drejta e ndryshimit. Unë mendoj se e gjithe kasta e tranzicionit në politikën shqiptare e ka mbaruar misionin e saj deri diku të transformit  të vendit nga një sistem diktatorial në një sistem demokratik dhe pluralist. Duhet pranuar gjithashtu se ne vinim nga  një errësirë  totale dhe lideret tanë modern nuk mund të ishin vetem se amatore. Por tashmë tranzicioni duhet e perfundojë dhe që kjo të realizohet, lideret e saj duhet ti hapin rrugën  një  brezi tjetër të ri.

Unë mendoj se në thelb në Shqipëri vazhdon mentaliteti i partisë  amë .Dikur kishim nje Parti, tani kemi dy, por edhe lidhjen me  to e kemi pak a shumë njëlloj. Lideret e rinj duhet pikë  së pari të transformojnë këtë  mendim të gabuar. Nëse partitë  tradicionale nuk e pranojnë dhe kjo po duket qartazi që nuk pranojnë alternativa progressive, duhet parë për një forcë më vete. Në fakt një parti nëse në ide nuk ndryshon, nuk modernizohet,nuk sjell ide dhe individë progresive, ajo parti vdes. Unë mendoj se të dy partitë e mëdha shqiptare si dhe simotrat e lindura prej tyre  po shkojnë drejt këtij fundi.Operacionet” plastike” të tipit që kreu Rama kur u bë kryetar partie, apo partitë e vogla që dolën nga partitë amë nuk sollen asnjë ndryshim pasi imazhi i ri me njerez të njëjtë është  pa efekt të gjatë . 

6. A keni besim se Shqiperia që kemi ëndërruar në vitet 90 do të bëhet ?

Po, kam shumë besim. Kam besim tek rinia intelektuale atje, kam besim tek vitaliteti i shqiptareve që e ruajtën shqiptarizmën për 500 -vjet të gjallë, kam besim tek mendjet intelektuale dhe të hapura shqiptare, kam besim tek hapja globale e Shqipërisë që mbyt mentalitet e vjetra dhe formëson  pak nga pak apo riparon ato pjesë të kulturës që na ka lënë prapa, kam besim se lideret që i  duhen Shqiperise pas – tranzicionale do të vijnë. 

7. Edhe sa do të duhet të presim , apo…?

Kjo është  në dorë  të të gjithë shqiptareve progresistë.  Siç  na këshillon  Nënë Tereza “Jepi botës më të mirën që ti ke”. Çdo transformim fillon pikë  së pari nga vullneti individual ! 

Filed Under: Featured Tagged With: Iris Halili, Lideri, Marjana Bulku

Refleksion Dhjetori- “ Lideri nuk lind…Bëhet “

December 9, 2020 by dgreca

Shkruan:Marjana BULKU/

Refleksion dhjetori mbi botimin e veprës “ Lideri nuk lind …bëhet “ me autore Dr . Iris Halilin 

Është 8 dhjetor 2020 . Një datë që tri breza(ne, prindërit tanë dhe fëmijët tanë)e njohin mirë sepse ia kanë numëruar me ankth orët e zhurmshme të atyre ditënetëve  dimërore që viteve 90-të që ndollën pranverën e një shprese plot ëndrra lirie duke u bërë protagonistë të saj.

Në kutinë time postare gjej librin “ Lideri nuk lind …bëhet” nga Iris Halili, mike dhe bashkëkohëse e viteve studentore në Fakultetin Histori -Filologji,  Tiranë. E marr ta shfletoj rrëmbimthi edhe pse shumë nga çështjet e botuara aty Irisi i ka publikuar në shtypin e përditshëm , nuk mungojnë referenca , citime dhe gjykime të thelluara mbi teoritë e lidershipit.

Prekem thellësisht në shpirt kur lexoj se këtë botim ajo ua kushton prindërve të saj, mbase edhe të mijve e ndofta të të gjithëve ne që ëndërruam atyre netëve të gjata studentore dhjetori për lirinë e shumëpritur e aq shumë të munguar.

Tashmë Irisi jeton në SHBA, unë po ashtu, shumë nga ne u larguam nga atdheu “sepse na vdiq shpresa” -siç shprehet ajo  , , e fjala na mbeti në gojë… e pathênë por gjithmonë në mendje . 

Kështu m’u duk se erdhi ky libër ;në këtë natë plot me kujtime të ftohta dhjetori e me ideale të pastra , e shëmbëllime ëndrrash e vrullesh rinore. 

Teksa e shfletoj ndjej se nga Irisi ish -studente dhjetori ka mbetur po ajo energji , mprehtësi gjykimi dhe thellësi mendimi që vozit lirshëm sa në letërsi po aq edhe në mitogji ku dukshëm bie në sy depërtimi nëpër informacionet e pafundme filozofike e kërkimore që vijnë në mënyre konçize dhe plot përvoja jetësore si dhe ajo prej pune ,duke krijuar kështu një komunikim të artikuluar thjesht , bukur ,saktë.

E lexoj dhe pohoj pareshtur dhe filloj të besoj se teoria mund të shdërrohet  lehtësisht në praktikë nëse “ rruga drejt lidershipit kalon nëpërmjet edukimit, vetëshërbimit ndaj shpirtit mendjes dhe trupit “- siç shprehet ajo.

Më tej shikoj profilin e Irisit petagoge, me mendimin që sulmon me gjykim , me frazën e shkathët e të zhdërvjellët që i referohet mendjeve që udhëhoqën botën me mendim dhe veprim ( Gandi ,Mandela,nënë Tereza) me arsyetimin që kultivon maturinë , logjikën saktësinë.

Nuk ke se si të mos i kthehesh dy herë në lexim konceptit të Lidershipit toksik ku ajo rendit :

1.Liderët e paaftë

2.Liderët e ngurtë dhe jofleksibël

3. Liderët  e papërmbajtur

4.Liderët e pashpirt,pa emtati, pa ndjenja

5.Liderët e korruptuar

6.Liderët izolacionalistë

7. Liderët diktatorë 

Mjafton ky narracion tiparesh që të qartëson edhe pamjen e shoqërive ku jetojnë e veprojnë këto lloj liderash të pranishëm në skenën politike shqiptare dhe jo vetëm, çka është e ngulitur në mënyrë postulare në fjalët e Kasit tek ” Jul Cezari”; -“ Dështimi i dashur Brut qëndron te vetja jonë .

Ky moment dhe shumë të tjera analoge e sjellin Iris Halilin në rrafshin e analistes që politikën dhe shoqërinë me të gjitha tiparet kulturore e historike din ti verë në një rrafsh studimor duke e bërë veprën mjaft të dobishme për studentët, gazetarët dhe politikanët , për të gjithë dhe për çdo moshë që të dijë e të mundë  ta dallojë liderin .

Rasti i Shqipërisë nuk solli vetëm diktaturën e egër hoxhiane por edhe Liderin që duhet imituar duke pasqyruar kështu në mënyrë tejet emocionale Nënë Terezën si një nga katër Lideret më të mëdhenj të njerëzimit përkrah Gandit,Martin Luter Kingut dhe Mandelës .Një model frymëzimi për shumë shkolla amerikane të cilat liderin shërbëtor e konsiderojnë si lidership moral që udhëheq përmes shembullit personal plot me vlera e vyrtyte sublime ku në thelb qëndron shpirti human dhe respekti maksimal për njeriun .Ky moment i veprës është i mbushur me analiza studimore, përqasje mendimesh, përvoja jetësore, fakte historike dhe teologjike ku dominon njerëzorja Terezë , arsyje legjitime krenarie për përkatësinë etnike të përbashkët por edhe mëkatin e madh po aq të përbashkët që ajo aq pak njihet dhe studjohet në shkollat shqiptare . Ky studim është një version ndryshe që Shenjtoren Terezë e radhit në rrafshet më të larta që udhëheqin njerëzimin ( Gand, Luter King, Mandelë).

Po e lexoj duke shkruar këtë libër sonte duke iu afruar asaj që duket se mbeti pêrherë në rrugëtim; kërkimi i një lideri që të frymëzojë të tjerët të ëndërrojnë .

A ka ? !

A do të ketë ? !

Një  dilemë e cila ne dhe prindërit tanë na mundoi gjatë, uroj të mos jetë kaq e mundimshme për fëmijët tanë .

“ Gjithkush mund të bëhet një lider i mirë përsa kohë ata flasin rreth zgjidhjeve “ citon Iris Halili si për të na e lehtësuar dilemën e gjatë në këtë natë dimri të gjatë kur 30-  vjet më parë belbëzonte liria. 

Filed Under: Featured Tagged With: Iris Halili, Lideri nuk lind, Marjana Bulku, Refleksion Dhjetori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT