• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A duhet të na shqetësojë zbrazja e shkollave shqipe në Zvicër & Shtimi i fëmijëve që frekuentojnë xhamitë e mësojnë arabisht?

January 24, 2020 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Ju ftoj që t’i shihni këto foto dhe këta fëmijë, këto vajza të vogla të veshura me soj hixhabi (hijab).

Ku janë bërë këto foto sipas mendjes tuaj?

Në Iran, Arabinë Saudite?

Përgjigjen po e jap unë.

Ata janë fëmijët tanë, emrat i kanë Erblina, Ermal, Diella, Shkumbin, Tomorr, Vesa, Shqiponjë dhe janë pjesë e gjeneratës të re të komunitetit shqiptar në Zvicër, të cilët marrin edukim fetar dhe në vend të gjuhës shqipe, mësojnë arabisht;

Skandaloze apo jo!

Për traditën shqiptare e kam fjalën!

Ata fëmijë të fiksuar në foto kanë lindur në Zvicër, në një vend sekular, që respekton besimin me kushtetutë, por që, në jetën publike të vendit, besimi i takon tërësisht sferës private, ndërsa ato vajza të vogla shqiptare që posa kanë filluar pubertetin apo jetën e bukur të adoleshencës janë të detyruara të mbajnë veshje të imponuar nga feja dhe flokët e tyre të bukura prej fëmije t’i lidhin me shami!

Ka një trend shumë alarmant. Ndërsa shkollat shqipe në Zvicër po zbrazen nga fëmijët e komunitetit shqiptar, po shtohet frekuentimi i tyre nëpër xhamitë shqiptare, frekuentim që nis prej moshës minorene.

Një mendje diabolike po i orienton prindërit e komunitetit shqiptar që t’i çojnë fëmijët e tyre të nxejnë mësime të fesë dhe t’ju binden rregullave të saj, sikur të jetë shtet teokratik në zemrën e një vendi laik si Zvicra që i bindet dhe respekton ligjet e Kushtetutës.

Besimi fetar në kushtetutën e Zvicrës është zgjedhje e lirë, pa cënuar sekularitetin e Konfederatës Helvetike. Seicili beson, pa prishur lirinë e besimit të tjetrit, në respekt të rregullave të një vendi të emancipuar dhe modern.

Zvicra po ashtu e ka të rregulluar me ligj edhe finacimin e institucioneve te kulteve te besimit kristian, që financohen zakonisht nga komunat ose nga taksa e fesë.

Mos harrojme se në një të shkuar jo të largët Zvicra i përkiste pothuaj e gjitha besimit krisitian. Ndërsa sot në përbërjen e saj ka edhe një komunitet mysliman, që mendohet se shkon rreth 700 mijë, por që praktikantë janë një pjesë e vogël.

Këtu është përfshirë edhe ajo pjesë praktikante e komunitetit mysliman shqiptar, që erdhi në Zvicër, jo si etnitet fetar, por si emigrantë, në kërkim të strehës, të sigurisë, punës dhe dinjitetit. Dikur, prindërit e këtyre fëmijëve që sot i çojnë nëpër imamë, ishin njerëz pa asnjë bazë ekonomike, në mëshirë të fatit, të larguar nga vendi i prejardhjes pasi aty nuk kishte asnjë shpresë. Kur erdhën në Zvicër fillimisht ata nuk e kishin mendjen tek feja por të gjenin punë, një pjesë tjetër gjetën strehë si azilantë politikë.

Për çudi vokacioni për të praktikuar fenë islame u lindi nga mesi i dhjetëvjeçarit të parë të milenarit të ri, kur papritmas një pjesë ateistësh shqiptarë bënë ndryshim drastik të jetës së tyre shpirtërore, u shpallën besimtarë të islamit, zgjatën mjekrat dhe i veshën gratë e tyre me hixhab!

***

Pak histori

Në konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve feja islame është me tipare thellësisht kombëtare, imamët shqiptarë kanë qenë njerëz të dijes, shkencës, mbrojtjes të gjuhës dhe veprimtarë politikë, të lidhur me Rilindasit.

Kujtojmë këtu Ymer Prizrenin, një nga organizatorët e Lidhjes të Prizrenit apo Hoxha Tahsinin nga Konispoli, rektori i parë i Universitetit të Stambollit, apo Myderriz Ismail Ndroqin, një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjes më 1920, kur Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë dhe ai e emërua kryetari i parë i bashkisë. Institucionet fetare shqiptare, qoftë kristiane apo islame, i bashkonte dashuria për kombin, fe dhe atdhe, gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Në Medresenë e Tiranës kanë studjuar mendje të ndritura si Vexhi Buharaja, përkthyes i Hoxha Tahsinit, Sami Frasherit, Naim Frasherit, dokumenteve të Lidhjes të Prizrenit deri tek Firdusi apo shkencëtari i gjuhës shqipe Shaban Demiraj etj dhe programi i Medresesë miratohej nga shteti. Studentët pas Medresese mund te vijonin rrugën e fesë apo të ndryshonin drejtim.

Në Medrese ka studjuar edhe im atë, poeti Vehbi Skënderi. Aty e çoi im gjysh, kryemyftiu Demir Skënderi, ndërsa djalin tjetër të tij, xhaxhain tim Kadri Skënderi e regjistroi në Shkollën Amerikane të Kavajës. E kam përsëritur këtë fakt, për të treguar se cili ishte islami shqiptar. Gjyshja ime, gruaja e Demir Efendiut, falej shtatë herë në ditë në shtëpinë e saj, por vishej si të gjitha gratë, jo sikur sot këto vajza të vogla shqiptare, të lindura në mes të Zvicrës.

Sipas Prof.Ferit Duka, “Islami shqiptar menjëherë pas shpalljes të pavarësisë lujti një rol konstruktiv dhe paqëtues në jetën e shqiptarëve…Kongresi myslima i 1929 e shpalli gjuhën shqipe si gjuhë e vetme e lutjeve dhe predikimit.” Prej asaj kohe Kurani u përkthye shqip.

Pas Luftës së Dytë Botërore fati i fesë në Shqipëri ka qenë tragjik. Diktatura sapo erdhi në pushtet nisi burgosjen dhe vrasjen e elitës shqiptare, pjese e së cilës ishin edhe klerikët katolikë dhe myslimane dhe me 1967 e ndali me ligj, duke u kthyer në vendin e vetëm ateist në botë. Ishte kohë e tmerrit, kur shkaterroheshin objektet e kultit, pa marre parasysh se ishin pjese e trashegimisë kulturore dhe duke vijuar persekutimi i klerit. E megjithatë, shqiptarët nuk e humbën lidhjen me Zotin. Ata bënin pelegronazhe të fshehta dhe individuale nepër teqe dhe vende të shenjta që tashmë ishin kthyer në gërmadha dhe ku shërbimi fetar ndalohej me ligj.

Në 1991 posa në Shqipëri u lejua liria e besimit, më kujtohet se Profesor Shefqet Ndroqi, pasardhës i myderriz Ismail Ndroqit u përfshi në organizimin e fesë islame në Shqipëri, sipas traditës shqiptare. Ai vetë kishte studjuar mjekësi në Paris dhe ishte mjek i shquar, por u angazhua për të mbrojtur identitetin shqiptar të fesë islame. Në 1991 në Shqipëri u ribotua Kurani në gjuhën shqipe.

Me këtë rast pyes, ato fëmijë nga Komuniteti shqiptar në Zvicër nëse e lexojnë Kuranin në shqip? Jo, e lexojnë arabisht!

E pra, ky islam që praktikojnë këta fëmijë nuk është i njëjtë me islamin shqiptar.

***

Financimet e dyshimta të xhamive në Ballkan deri në Zvicër

Problemi i financimeve të dyshimta lindi në Shqipëri prej 1991, në Kosovë pas çlirimit, kur nga Arabia Saudite dhe vende islamike filluan të vinin ndihma, para dhe bashkë me të edhe islami ndryshe, me hixhab, burkë dhe në gjuhën arabisht.

Është e qartë se financimet lidhen me qëllime të mbrapshta.

Edhe në Zvicër vitet e fundit janë ngritur shpesh dyshime për financimin e xhamive, të cilat po ashtu janë denoncuar si frymëzuese të qendrimeve ekstreme deri edhe furnizuese të islamit radikal me rekrutë të ISIS. Midis tyre pati edhe të rinj shqiptarë të lindur apo rritur në Zvicër, që u vranë në Siri.

Po përse ? Islami në vetvete dhe islami shqiptar, si besim është paqsor.

Zvicra ka mbyllur xhami sepse ka patur prova të pakundërshtueshme se në vendin e kultit nxitej urrejtja dhe radikalizmi.

Kohët e fundit në gjithë mediat botërore u shpërnda lajmi se një hoxheshë shqiptare me emrin Ikballe Berisha Huduti u arrestua në Kosovë sepse bënte thirrje për hakmarrje ndaj SHBA dhe Izraelit për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Solimani. Kjo hoxheshë financohet nga Irani, ajo ka fondacionin e saj dhe në kushtet e varfërisë që mbizotëron në Kosovë, ajo përdor mjerimin e popullësisë për të afruar njerëz të cilëve u ofron “mëshirë” të helmatisur në emër të një islami agresiv, që nuk ka lidhje me islamin shqiptar.

Ka dyshime edhe për financimet e xhamive shqiptare që kanë ndikuar deri në organizimin e fesë islame në komunitetin shqiptar në Zvicër.

Por nëse për dyshimet e financimeve duhen prova, praktikimi i fesë, në arabisht bie ndesh direkt me rregullat e Islamit shqiptar.

Jemi duke folur për numër të kufizuar praktikantësh, por me tendencë rritje, ndërsa mësimi i gjuhës shqipe ka tendencë rënie.

Këtu marrin rëndësi të dorës të parë ata përfaqësues shqiptarë të fesë islame në Zvicër që janë trashëgimtarë të besimit Islam sipas traditës shqiptare.

Përpara tre dekadave, komuniteti shqiptar në Zvicër financonte për kauzën e lirisë dhe dije, sot për xhami dhe arabisht !

Kur kemi ardhur në Zvicër më 1992 dhe vendosur këtu prej fillimvitit 1996, komuniteti shqiptar jepte 3% të pagës për të financuar institucionet paralele të shtetit dhe arsimin në Kosovë pasi krimineli Milosheviç i mbylli të gjitha shkollat shqipe, në të gjitha nivelet deri edhe Universitetin e Prishtinës. Prej asaj kohe në Zvicër u krijua edhe LAPSH-i, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër dhe në të gjithë Konfederatën u hapën shkollat e para të gjuhës shqipe, të cilat prej asaj kohe frekuentohen nga fëmijët shqiptarë.

Deri sa ishte gjallë Ibrahim Rugova, komuniteti shqiptar në Zvicër kishte një orientim thellësisht Perëndimor. Vizioni i këtij komuniteti pati si kauzë lirinë, pavarësinë e shtetit të Kosovës dhe po ashtu i kontribuonte edukimit të brezit të ri, duke krijuar kushte që fëmijët të mësonin gjuhën amëtare, historinë dhe kulturën.

Me vdekjen e Rugovës, komuniteti shqiptar në Zvicer është futur në qorrsokak. Për shkak të ndikimit shumë negativ që vjen prej politikave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, përfaqësitë diplomatike këtu në vend se të jenë unifikuese, përmes urave kulturore dhe gjuhësore, kthehen në instrumenta përçarëse.

Përpara 3 dekadave në Zvicër nuk kishte xhami shqiptare. Në dhjetëvjetëshin e fundit numëri i xhamive shqiptare ka arritur 85 dhe tendenca është në rritje. Ndërsa shkollat shqipe në zbritje. Ndërtimi i xhamive apo blerja e objekteve të kultit kanë kushtruar qindra milionë franga, të cilat mund të ishin investuar për shkollat shqipe, mediat, jetën kulturore dhe artistike në të mirë të interesit të komunitetit dhe sidomos brezit të ri.

Po pyetja legjitime vjen? Keto miliona franga nga vijnë? Nga komuniteti shqiptar apo nga vende islamike?

Nëse komuniteti shqiptar në Zvicër do të investonte  për një zhvillim normal të shkollës shqipe, për 30 vjet rrugëtim, sot shkolla shqipe dhe mësimi shqip do të duhej të ishte i përhapur në çdo komunë zvicerane dhe frekuentimi do të duhej të vinte gjithmonë në rritje. Vetë Zvicra është e interesuar duke vënë në dipozicion objektet e mësimit dhe shpesh herë edhe ka financuar vetë.

Por një dorë e zezë i orienton prindërit e fëmijëve shqiptarë jo drejt shkollave shqipe, por nga xhamitë ku fëmijët suret e Kuranit dhe lutjet i thonë në gjuhën arabe.

Kur kam biseduar me mësuesit e LAPSH-i, ata pohojnë faktet e trishta me zemër të plagosur, por nuk kanë fuqi të ndikojnë në komunitet; ndërsa përfaqësitë diplomatike shqiptare edhe pse kanë marrë sinjale të qarta nga shteti zviceran bëjnë shejtanin indiferent. Dhe dihet se indiferentët marrin anën e regresit dhe çallmave.

Kjo është situata e një pjese të brezit të ri të komunitetit shqiptar në Zvicër, (uroj të jetë sa më e vogël) që rrezikon të marrë një orientim dhe formim fetar krejt ndryshe nga tradita e tre feve shqiptare.

Imamët shqiptarë në Zvicër e (sh)përdorin Kushtetutën zvicerane dhe abuzojnë me lirinë fetare, sepse u imponojnë fëmijëve rregullat islame, jo vetëm brenda objekteve të kultit, por edhe jashtë tyre, duke krijuar barriera në integrimin e fëmijëve në jetën sociale, pasi vajzat janë të detyruara të mbajnë hixhabë.

Unë mendoj se kushtetutshmëria e shtetit sekular zviceran cënohet edhe në faktin se zgjedhjen fetare njeriu e bën në moshë madhore, kur vendos vetë se cilës fe i përket, të jetë monoteist, politeist apo ateist. Dërgimi i fëmijëve nëpër xhami dhe imamë për t’u edukuar me fe dhe mësuar arabisht bëhet nga prindërit, çka duket qartë si shkelje e lirive të individit, pasi fëmijëve u imponohen rregulla, që nuk i ka shoqëria ku jetojnë.

Natyrisht shteti zviceran është shumë i kujdeshëm dhe vigjilent për të mbajtur nën kontroll situatën dhe sigurinë kombëtare. Kur rrezikon të dalë situata jashtë kontrollit veprojnë mekanizmat demokratike, sikur janë referendumet dhe iniciativat që nëse marrin shumicën e votave kanë fuqi ekzekutive ligjore.

Sikur është vepruar në kantonet e Tiçinos dhe Sant Gallen ku prej disa vitesh është ndaluar me ligj mbajtja e burkës dhe nikab-it.

Kambanat e alarmit po bien edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër, që të organizojë forcat e veta, për t’u orientuar drejt rrjedhave që përkojnë me sistemin që ka Zvicra, ku shteti i së drejtës mbaron me kushtetutë plurikulturalizmin.

Mos harrojmë se feja e shqiptarit, sipas Vaso Pashës është shqiptaria;

mos harrojmë, poetin e Rilindjes, Naim Frashëri, që na e ka lënë amanet se vetëm drita nga dija e diturisë përpara do të na shpjerë;

mos harrojmë se orientimi i shqiptarëve si europianë është Perëndimi dhe vlerat e humanizmit.

Mos harrojmë se Zvicra na mikpriti, na dha strehë e dinjitet, na krijoi kushte për integrim dhe zhvillim, na bëri pjesën e saj, sepse pjesa më e madhe e komunitetit shqiptar është e natyralizuar dhe ne e kemi detyrë të respektojmë kodin e rregullave të mikpritësit me të cilin unifikohemi si europianë!

Por mos harrojmë kryesoren se fëmijëve u kemi borxh t’i edukojmë e t’i shkollojmë si qytetarë të ndershëm, në një shoqëri të lirë me sistem demokratik.

Gjeneratave të reja u takon e ardhmja, progresi, ata i ndriçon dija dhe vetëdija si qytetarë të një shoqërie Perëndimore, sekulare që kanë mision ta ndryshojnë botën për më mirë dhe kurrësesi ta kthejnë pas.

Fjalë kyçe: Elida Buçpapaj, komuniteti shqiptar, shkolla shqipe, Zvicër, Fëmijët, Islami, mësimi fetar

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, femijet, Islami, komuniteti shqiptar, mësimi fetar, Shkolla shqipe, zvicer

RIKTHIMI I MOTRAVE ISLAMI

September 16, 2014 by dgreca

Ne Foto:Visar Zhiti në Departamentin e Shtetit USA/
I dashur Muçi,/
Më gëzoi shumë lajmi i bukur, i rëndësishëm, domethënës i rikthimit të motrave Islami në Zërin e Amerikës.Ju lutem përshëndetini nga Atdheu, guxoj të them,e kam fjalën nga ana ime, aq më tepërqë ato janë dhe nga fshati i Nënës time të vuajtur, por jo,ato janë simbol dhe emblemë i persekutimit dhe sfidës,që në Vendin e Demokracisë bënë realitet ëndrrën,të tyren dhe tonën.

Përgëzime Juve, Shtëpisë së Lirisë, për qëndrimin, që nuk u dëshpëruat, por ngulmuat me besim e dinjitet. Jam i gëzuar vërtet, ogur i mirë, them tani…

Te fala të tuve dhe miqve të përbashkët,mbarësi në rrugën e nisur…

Përqafime,
Visar Zhiti

Filed Under: Komunitet Tagged With: Islami, kthimi i motrave, MuciXhepa, Visar Zhiti

KU U GABUA?

August 22, 2014 by dgreca

I parë nga të gjitha standardet e botës moderne, nga zhvillimi ekonomik, niveli i edukimit apo arritjet shkencore, qytetërimi islam, dikur i fuqishëm, sot ka mbetur shumë prapa. Mjaft njerëz në Lindjen e Mesme ia hedhin fajin faktorëve të jashtëm. Por problemet e botës muslimane përgjithësisht kanë në bazën e tyre një arësye të thjeshtë: mungesën e lirisë./
NGA BERNARD LEWIS/*
Gjatë shekullit të 20, u bë e qartë se në Lindjen e Mesme, në fakt në të gjitha vendet ku sundon Islami, gjërat kishin shkuar shumë keq. Krahasuar me Krishtërimin, rivalin e tij qindravjeçar, bota e Islamit ishte dobësuar, kishte rënë në varfëri dhe injorancë. Perëndimi kishte dalë në vend të parë dhe dominimi i tij ishte i dukshëm. Ai ishte shtrirë në çdo aspekt të jetës publike të muslimanëve, madje çka ishte më e dhimbshme, kishte hyrë edhe në jetën e tyre private.
Ithtarët e modernizimit me reformë apo me revolucion të botës islame i përqendruan përpjekjet në tre aspekte: ushtarake, ekonomike dhe politike. Por rezultati ishte zhgënjyes, për të thënë më të paktën.Përpjekjet për të arritur fitore me ushtri moderne sollën një sërë disfatash të hidhura.Edhe përpjekjet për zhvillim ekonomik nuk patën sukses.Në disa vende ato çuan në ekonomi të varfëra dhe të korruptuara, që vareshin te ndihmat e huaja.Në disa vende të tjera sollën varësinë te nafta si burimi i tyre i vetëm.Madje edhe nafta e tyre nxirrej me anë të shkencës perëndimore dhe shfrytëzohej nga industria perëndimore. Herët a vonë, ajo është e destinuar të shterrojë ose ndoshta të anashkalohet nga përdoruesit e energjisë, tani që komuniteti ndërkombëtar po e kupton gjithnjë e më tepër ndotjen që ajo i sjell tokës, detit dhe ajrit gjatë përdorimit ose transportit, po e kupton se nafta e lë ekonominë botërore në mëshirë të një klike autokratësh kapriçozë. Më e keqja e të gjithave janë rezultatet politike: përpjekjet e gjata për liri kanë lënë në Lindjen e Mesme një sërë tiranish mjerane, duke filluar nga autokracitë tradicionale e deri te diktaturat, të cilat janë moderne vetëm në aparatin e tyre të shtypjes dhe të indoktrinimit.
Për shërimin e gjendjes u provuan formula të ndryshme: armatime dhe uzina, shkolla dhe parlamente, por asnjëra nuk dha rezultatin e dëshiruar. Aty-këtu ato çuan në ndonjë zbutje të problemeve dhe për disa elementë të kufizuar të popullatës sollën ndonjë përfitim.Por ato nuk e ndreqën, madje as që e frenuan disbalancën në rritje mes Islamit dhe botës perëndimore.
Dhe kjo nuk ishte e gjitha.Muslimanët ndiheshin keq që, pas shumë shekujsh pasurie dhe fuqie, ishin bërë të varfër e të dobët, që kishin humbur pozitën udhëheqëse, të cilën e konsideronin si të drejtën e tyre dhe që kishin përfunduar në rolin e ndjekësve të Perëndimit. Por shekulli i 20, sidomos gjysma e tij e dytë, u solli një poshtërim të mëtejshëm, kur ata e kuptuan se nuk ishin më as në radhët e para të këtyre ndjekësve, por po mbeteshin prapa në sërën e gjatë të vendeve që po modernizoheshin sipas shembullit të Perëndimit, sidomos atyre në Azinë Lindore. Ngritja e Japonisë ishte një inkurajim por edhe një qortim.Ngritja e mëvonshme e fuqive të tjera ekonomike aziatike solli vetëm qortim.Trashëgimtarët krenarë të qytetërimeve të lashta ishin mësuar tashmë të paguanin firma perëndimore për të realizuar gjëra që teknikët dhe kontraktorët e tyre nuk i bënin dot.Sundimtarët dhe biznesmenët e Lindjes së Mesme e panë tani të udhës të ftonin kontraktorë dhe teknikë nga Koreja, e cila vetëm pak dekada më parë kishte dalë nga sundimi kolonial japonez. Nuk është mirë të ndjekësh dikë nga pas, por është shumë më keq kur e ndjek duke çaluar. I parë nga të gjitha standardet e botës moderne, siç janë zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës, niveli i shkollimit, arritjet në edukim dhe shkencë, liria politike dhe respekti për të drejtat e njeriut, ky qytetërim dikur i fuqishëm, tani ka rënë mjaft poshtë.
“Kush na e bëri këtë?” është reagimi më i natyrshëm i njerëzve kur punët nuk shkojnë mirë.Këtë pyetje e kanë bërë dhe e bëjnë shumë njerëz në Lindjen e Mesme.Zakonisht është më e lehtë t’ua hedhësh fajin të tjerëve për hallet e tua.Për një kohë të gjatë, fajtorët më të zakonshëm ishin mongolët. Pushtimeve mongole të shekullit të 13 u hidhej faji për shkatërrimin e fuqisë dhe të qytetërimit islam si dhe për dobësinë dhe stanjacionin që pasoi. Por pas një farë kohe, historianët, muslimanët dhe të tjerët kuptuan se ky argument kishte dy të meta: Së pari, disa nga arritjet më të mëdha kulturore të Islamit, sidomos në Iran, erdhën pas dhe jo para pushtimeve mongole. Së dyti, një fakt më i vështirë për t’u pranuar, por i pamohueshëm ishte se mongolët përmbysën një perandori, e cila tashmë ishte e dobësuar për vdekje; përndryshe është e vështirë të kuptosh se si perandoria dikur e fuqishme e kalifëve mund të kapitullonte përpara një hordhie kalorësish endacakë që vinin nga stepat e Azisë Lindore.
Rritja e nacionalizmit, që në vetvete ishte importuar nga Europa, solli perceptime të reja.Arabët mund t’ua hidhnin fajin për problemet e tyre turqve, që i kishin mbajtur nën sundim prej shekujsh. Nga ana e tyre, turqit mund t’ua hidhnin fajin për stanjacionin e qytetërimit të tyre peshës së vdekur të së kaluarës arabe, në të cilën kishin mbetur të paralizuara energjitë krijuese të popullit turk. Persët mund t’ia hidhnin fajin për humbjen e lavdisë së tyre të lashtë arabëve, turqve dhe pjesërisht mongolëve.
Në shekujt e 19 dhe 20, dominimi britanik dhe francez në një pjesë të mirë të botës arabe solli një element të ri dhe të pëlqyeshëm ku mund të kërkohej faji: imperializmin perëndimor. Në Lindjen e Mesme ka patur mjaft arsye ku mund të bazohej një akuzë e tillë. Dominimi politik perëndimor, depërtimi ekonomik i Perëndimit dhe sidomos ndikimi i tij kulturor, që ishte më i gjatë, më i thellë dhe më tinzar se gjithçka tjetër, ia ndryshuan faqen rajonit dhe transformuan jetën e popujve të tij. Ky element u solli atyre drejtime të reja, zgjoi shpresa dhe shqetësime të reja, krijoi rreziqe dhe pritshmëri të reja, të papara në të kaluarën e tyre kulturore.
Por dominimi anglo-francez ishte relativisht i shkurtër dhe mori fund gjysmë shekulli më parë, ndërkohë që tatëpjeta e Islamit kishte filluar shumë kohë më parë dhe vazhdoi parreshtur pas kësaj.Në mënyrë të pashmangshme, roli prej fajtori që u atribuohej britanikëve dhe francezëve u zëvendësua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas aspekteve të tjera të lidershipit perëndimor.Përpjekja për ta transferuar fajin tek Amerika ka fituar mbështetje të konsiderueshme, por, për arsye të ngjashme, nuk është bindëse edhe sot e kësaj dite. Sundimi anglo-francez dhe ndikimi amerikan, ashtu si edhe pushtimet mongole, ishin pasojë dhe jo shkak i dobësive të brendshme të shteteve dhe shoqërive të Lindjes së Mesme. Disa vëzhgues, brenda dhe jashtë rajonit, kanë vënë në dukje se ka patur diferenca në zhvillimin post-kolonial të ish zotërimeve britanike, për shembull mes Adenit në Lindjen e Mesme dhe Singaporit apo Hong Kongut, ose mes viseve të ndryshme që dikur ishin pjesë e Perandorisë Britanike në Indi.
Një tjetër element europian në këtë debat është anti-semitizmi dhe hedhja e fajit hebrejve për të gjitha problemet. Hebrejtë, në shoqëritë islamike tradicionale kanë provuar kufizimet normale dhe rreziqet e herëpashershme që sjell statusi i të qenit pakicë. Para lindjes dhe përhapjes së tolerancës perëndimore në shekujt e 17 dhe 18, ata jetonin më mirë nën regjimet muslimane se në ato të krishtera, në aspektet më të rëndësishme. Me përjashtime të rralla, aty ku në traditën islame ekzistonin paragjykime armiqësore ndaj hebrejve, përgjithësisht shoqëritë islame ushqenin më tepër përbuzje dhe mospërfillje se sa dyshime apo fiksime kundër tyre. Prandaj, ngjarjet e vitit 1948, dështimi i përpjekjeve për të penguar krijimin e shtetit të Izraelit, u pritën me tronditje. Siç vinin në dukje disa autorë të asaj kohe, të mundeshe nga fuqitë e mëdha imperialiste të Perëndimit ishte poshtëruese; të pësoje të njëjtin fat në duart e një bande të përbuzur hebrejsh ishte e padurueshme. Anti-semitizmi dhe imazhi i tij për hebrejtë si një monstër e ligë që thur vazhdimisht plane të fshehta, u kthyen në një antidotë për të qetësuar dhembjen.
Deklaratat e para anti-semite në Lindjen e Mesme u bënë nga pakicat e krishtera dhe u ngjanin atyre që e kishin zanafillën në Europë.Ndikimi i tyre ishte i kufizuar.Për shembull, gjatë gjykimit të çështjes Dreyfus në Francë, kur një oficer hebre u akuzua padrejtësisht dhe u dënua nga një gjykatë që u tregua armiqësore ndaj tij, komentet e muslimanëve zakonisht ishin në favor të hebreut dhe kundër përndjekësve të tij të krishterë.Por helmi vazhdoi të përhapet dhe, duke filluar nga viti 1933, Gjermania naziste bashkë me agjenturat e saj, ndërmorën një fushatë të orkestruar dhe përgjithësisht mjaft të suksesshme për të nxitur anti-semitizmin e stilit europian në botën arabe. Lufta për Palestinën e lehtësoi mjaft pranimin e interpretimit anti-semit të historisë, duke i bërë disa njerëz t’ia atribuonin çdo të keqe në Lindjen e Mesme, madje në të gjithë botën, komploteve të fshehta të hebrejve. Ky interpretim ka mbizotëruar një pjesë të mirë të diskursit publik në rajon dhe kjo pasqyrohet mes të tjerash në arsim, në media madje edhe në botën e argëtimit.
Një argument që përdoret herë pas here është se shkaku i ndryshimit të marrëdhënieve mes Lindjes dhe Perëndimit nuk qëndron te rënia e Lindjes së Mesme por te ngritja e Perëndimit, te zbulimet dhe revolucionet shkencore, teknologjike, industriale dhe politike që e transformuan Perëndimit dhe e shtuan mjaft pasurinë dhe fuqinë e tij. Mirëpo, një argument i tillë të shtyn ta shtrosh pyetjen ndryshe: Përse atëherë zbuluesit e Amerikës u nisën nga Spanja dhe jo nga ndonjë port musliman i Atlantikut, nga të cilët për hir të së vërtetës ka patur përpjekje në kohë më të hershme? Përse zbulimet e mëdha shkencore ndodhën në Europë dhe jo, siç mund të pritej, në botën më të pasur, më të përparuar dhe në disa aspekte më të iluminuar të Islamit?
Një formë më e sofistikuar e lojës së fajit i gjen fajtorët brenda dhe jo jashtë shoqërisë islame. Një fajtor i tillë është feja, madje për disa, është vetë Islami.Por, t’ia hedhësh fajin Islamit është zakonisht e rrezikshme dhe përpjekje të tilla nuk bëhen shpesh, nuk është as shumë bindëse si arsye.Gjatë pjesës më të madhe të Mesjetës, qendrat kryesore të qytetërimit dhe përparimit nuk ishin as kulturat e vjetra të Lindjes dhe as ato të reja të Perëndimit, por ishte bota e Islamit.Atje u rigjallëruan e u zhvilluan shkencat e vjetra dhe u krijuan të reja; atje lindën industri të reja, prodhimi dhe tregtia u përhapën në nivele të papara.Atje qeveritë dhe shoqëritë fituan një liri të tillë mendimi dhe shprehjeje që i bëri hebrejtë e përndjekur madje edhe disidentët e krishterë të iknin nga Krishterimi për të kërkuar strehë në Islam. Në krahasim me idealet moderne, madje edhe me praktikën moderne në demokracitë më të përparuara, bota mesjetare islamike ofronte liri të kufizuar, por kjo ishte shumë më tepër se sa ofronte çdo paraardhës i saj, shoqëritë e tjera të kohës apo shumica e atyre që do ta pasonin.
Shpesh bëhet pyetja: Nëse Islami është pengesë për lirinë, për shkencën dhe për zhvillimin ekonomik, atëherë si ka mundësi që shoqëria islame në të kaluarën ka qenë pioniere në të treja këto fusha dhe kjo kur muslimanët ishin shumë më afër në kohë nga burimet dhe frymëzimi i besimit të tyre se sa janë tani? Disa e kanë formuluar pyetjen ndryshe; jo “Çfarë u ka bërë Islami muslimanëve?”, por “Çfarë i kanë bërë muslimanët Islamit?” dhe janë përgjigjur duke ua hedhur fajin dijetarëve, doktrinave dhe grupeve konkrete.
Për ata që sot njihen si islamistë dhe fondamentalistë, dështimet dhe mangësitë e vendeve moderne islamike kanë ardhur për shkak se ato kanë përqafuar nocione dhe praktika të huaja.Ato u shkëputën nga Islami i vërtetë dhe kështu e humbën madhështinë e dikurshme. Ata që njihen si modernistë apo reformatorë kanë pikëpamjen e kundërt dhe e shikojnë shkakun e kësaj humbjeje jo tek braktisja, por tek ruajtja e mënyrave të vjetra e sidomos tek qëndrimet e palakueshme të klerit islamik. Sipas tyre, kleri i gjithëpranishëm islamik është përgjegjës për vazhdimin me këmbëngulje të besimeve dhe praktikave që mund të ishin krijuese dhe përparimtare njëmijë vjet më parë, por nuk janë më të tilla.Taktika e zakonshme e modernistëve është të mos e dënojnë fenë, aq më tepër Islamin, por ta drejtojnë kritikën te fanatizmi.Sipas tyre, është fanatizmi dhe sidomos autoritetet fanatike fetare, që i kanë zënë frymën lëvizjes shkencore islamike, dikur madhështore, dhe përgjithësisht lirisë së mendimit e të fjalës.
Një mënyrë më e zakonshme e trajtimit të kësaj teme ka qenë ajo e diskutimit të një problemi konkret: vendi i fesë dhe i eksponentëve të saj në rendin politik. Në këtë pikëpamje, një shkak kryesor i përparimit të Perëndimit është ndarja e fesë nga shteti dhe krijimi i një shoqërie civile që funksionon me ligje shekullare (laike). Një pikëpamje tjetër e gjen fajtorin kryesor te pozita e ulët që i jepet gruas në shoqërinë muslimane, gjë që e privon botën islame nga talentet dhe energjitë e gjysmës së popullatës dhe ia beson edukimin e gjysmës tjetër nënave analfabete dhe të nëpërkëmbura. Bëhet fjalë për formimin në vitet e para të rritjes, që është me rëndësi vendimtare.Produktet e një edukimi të tillë, thuhet, kanë prirjen të bëhen ose arrogantë ose të nënshtruar, pra të papërshtatshëm për një shoqëri të lirë e të hapur. Pavarësisht se si mund të gjykohen pikëpamjet e shekullaristëve dhe të feministëve, suksesi ose dështimi i tyre do të jetë një faktor kryesor që do të ndikojë mbi të ardhmen e Lindjes së Mesme.
Disa zgjidhje, që dikur mbështeteshin me pasion, sot janë harruar.Dy lëvizjet mbizotëruese në shekullin e 20 ishin socializmi dhe nacionalizmi. Që të dy janë diskredituar, i pari nga vetë dështimi i tij, i dyti nga suksesi dhe më pas ekspozimi që iu bë si i paefektshëm. Liria, e interpretuar në kuptimin e pavarësisë kombëtare, u pa si hajmalia e madhe që do të sillte të gjitha përfitimet e tjera. Shumica dërrmuese e muslimanëve sot jetojnë në shtete të pavarura, por kjo nuk ka sjellë zgjidhjen e problemeve të tyre.Nacional-socializmi, shartimi i të dyja ideologjive, vazhdon të bëjë ligjin në disa shtete që kanë ruajtur stilin nazifashist të qeverisjes diktatoriale dhe të indoktrinimit përmes një aparati të gjerë sigurimi dhe të sundimit të një partie të vetme.Këto qeveri kanë dështuar në çdo drejtim, me përjashtim të mbijetesës, dhe nuk kanë sjellë asnjë nga përfitimet e premtuara. Madje, infrastrukturat e tyre janë më të vjetëruara se sa ato të shteteve të tjera muslimane, ndërsa forcat e tyre të armatosura kanë si qëllim kryesor terrorin and shtypjen.
Sot për sot, dy përgjigje për pyetjen “Çfarë nuk shkon?”, secila me diagnozën dhe recetën e saj, gëzojnë mbështetje të gjerë në Lindjen e Mesme. Njëra ia atribuon çdo të keqe braktisjes së trashëgimisë së shenjtë të Islamit dhe kërkon kthimin tek e kaluara, reale apo imagjinare. Kjo është rruga e revolucionit iranian dhe e të ashtuquajturave lëvizje apo regjime fondamentaliste në vende të ndryshme muslimane. Tjetra dënon të kaluarën dhe është për demokracinë shekullare, të mishëruar më së miri në Republikën Turke, që u shpall në vitin 1923 nga Qemal Ataturku.
Për qeveritë shtypëse dhe të paefektëshme që sundojnë në një pjesë të madhe të Lindjes së Mesme, gjetja e arsyeve për të shkarkuar fajin i shërben një qëllimi të dobishëm, madje thelbësor, sepse kështu ato shpjegojnë varfërinë që nuk kanë mundur ta zbusin dot dhe përligjin tiraninë që kanë vendosur. Ato përpiqen ta devijojnë zemërimin në rritje të qytetarëve të tyre drejt elementëve të tjerë, të jashtëm.
Por njerëzit në Lindjen e Mesme gjithnjë e më shumë po përqafojnë një qëndrim më autokritik.Pyetja “Kush na e bëri këtë?” ka çuar veçse në fantazira prej të marrësh dhe në teori komploti. Ndërsa pyetja “Çfarë bëmë gabim?” natyrshëm ka shtruar pyetjen tjetër: “Si mund ta përmirësojmë gjendjen?”. Pikërisht te kjo pyetje dhe te përgjigjet e ndryshme që do të gjenden, qëndrojnë edhe shpresat për të ardhmen.
Për një vëzhgues perëndimor, që është shkolluar në frymën e teorisë dhe praktikës së lirisë perëndimore, është pikërisht mungesa e lirisë – liria e mendjes nga detyrimi dhe indoktrinimi, liria për të shtruar pyetje dhe për t’u shprehur; liria e ekonomisë nga korrupsioni dhe keqdrejtimi; liria e gruas nga shtypja e burrit; liria e qytetarëve nga tirania – që përbëjnë bazën e shumë problemeve të botës muslimane. Por rruga drejt demokracisë, siç e tregon qartë përvoja perëndimore, është e gjatë dhe e vështirë, është plot kurthe dhe pengesa.
Nëse popujt e Lindjes së Mesme vazhdojnë në rrugën e tanishme, kamikazet mund të bëhen një metaforë për krejt rajonin dhe nuk do të ketë shpëtim nga spirali i urrejtjes dhe inatit, i zemërimit dhe i vetëkeqardhjes, i varfërisë dhe i shtypjes.Herët a vonë kjo mund të kulmojë me një tjetër sundim të huaj, ndoshta nga një Europë e re që i kthehet zakoneve të vjetra, ndoshta një një Rusi që kërkon shpagim, apo nga ndonjë superfuqi në Lindje që kërkon zgjerim.Por nëse ata lenë mënjanë grindjet dhe viktimizimin, zgjidhin mosmarrëveshjet dhe bashkojnë talentet, energjitë dhe burimet në një përpjekje krijuese me pjesëmarrjen e të gjithëve, ata mund ta bëjnë përsëri Lindjen e Mesme ashtu sikurse ishte në lashtësi dhe në Mesjetë, një qendër madhështore të qytetërimit.Sot për sot zgjidhja është në dorën e tyre.
* REVISTA THE ATLANTIC-Janar 2002

Filed Under: Analiza Tagged With: Bernard Lewis, Islami, KU U GABUA?

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT