Nga Ismet Azizi/
Vlerësohet se sot në Bosnjë dhe Hercegovinë (B dhe H) jetojnë 8 deri në 10 mijë shqiptarë, të cilët përbëjnë një nga pakicat më të mëdha në këtë shtet. Nga këto llogaritje përjashtohet Republika Serbe ku nuk jeton pothuajse asnjë shqiptar dhe ku çështja shqiptare shikohet nën prizmin e çështjes së Kosovës. Sipas kushtetutës së B dhe H, shqiptarët, sikurse edhe pakicat tjera, konsiderohen “të tjerë”, dhe ata nuk mund të zgjidhen si anëtarë të Presidencës ose të jenë delegatë të Kuvendit Popullor të këtij shteti. Disa përfaqësues të shqiptarëve thonë se këto funksione nuk janë për ta të rëndësishme por janë të shqetësuar për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike të shumicës së shqiptarëve në B dhe H.
Shqiptarët e parë në Bosnjë dhe Hercegovinë kanë ardhur në kohën Perandorisë Osmane të detyruar nga gjendja e vështirë ekonomike, politike dhe sociale në atdheun e tyre. Shumica e tyre kanë orogjinë nga Shqipëria veriore. Shqiptarët e veriut të Shqipërisë para Luftës së Dytë Botërore, kanë emigruar, përveç vendeve tjera edhe drejt Bosnjës.
Vendosja e kufijve në vitin 1948 ndërpreu emigrimin dhe ndau mijëra familje. Burrat nuk u kthyen më dhe ndërtuan jetën në Bosnjë. Kjo vërtetohet edhe me të dhënat rreth emërtimit të malit Koritnik me emrin Pikëllimë. Njerëzit e rajonit të Kukësit i përcillnin gurbetqarët deri në Koritnik dhe aty ndaheshin nga familjarët e tyre të piklluar, e mandej vazhdonin rrugën për Prizren. “Nga kjo kohë ky mal ka marrë emrin Pikëllimë. Nga Prizreni gurbetçarët merrnin trenin dhe shkonin në Bosnjë. Nga Fshati im p.sh. ka pasur që kanë ikur dhe nuk janë kthyer më. Kështu ka ndodhur me 5-6 djem vetëm nga familja Kola”- rrëfen Januz Kola.
Nga biseda e mëtejme, Januz Kola thekson se banorët e moshuar e kujtonin me nostalgji kohen e Bosnjës sepse pas mbylljes së kufirit u ndërpre kjo rrugë. “Një ndër ta ishte edhe gjyshi im. Ai shkoi në gurbet sa ishte 13 vjeç tek dajët e vet, të cilët ishin vendosur ne Bosnjë dhe merreshin me gatimin e ëmbëlsirave. Gjyshi im është kthyer në moshën 28 vjeçare. Pastaj është martuar dhe at vit është mbyllur kufiri me Jugosllavinë. Në vitin 1967 ka shkelur kufirin dhe ka tentuar të shkoj në Bosnje ku kishte lënë vëllanë. E zënë në Prizeren dhe e kthejnë në Shqipëri.” – shton Januz Kola
Të tilla histori ka pasur me dhjetëra por për fat të keq kanë mbetur të pashkruara pasi brezi dhe këta njerëz vdiqën pa lënë gjë gjurmë.”Janë histori të dhimbshme dhe të denja për filma por pushteti në Tirane kurrë nuk e ka konsideruar Veriun si vend me vlera historike. Përkundrazi, janë munduar ta nënvlerësojnë luftën, përpjekjet…”, përfundon Kola.
Në B dhe H në të kaluarën, sikur edhe sot, shqiptarët jetojnë duke u marrë me blegtori, bujqësi dhe zanate tjera. Ata janë edhe tregtarë të aftë, roje kufitare por një numër i madh i tyre janë asimiluar në boshnjak. Me ardhjen e austro-hungarezëve numri i shqiptarëve është reduktuar në masë të madhe për shkak të emigrimit në Evropë pasi që me këtë rast u janë hapur rrugët për të emigruar tutje. Kështu, regjistrimi i popullsisë së vitit 1910 në B dhe H shënon vetëm 273 banorë të cilët kanë folur gjuhën shqipe.
Megjithatë, gjatë Jugosllavisë së parë dhe veçanërisht Jugosllavisë së dytë, përsëri një numër i madh i shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia kanë emigruar në B dhe H. Ata janë vendosur kryesisht në Sarajevë, Tuzëll, Zenicë, Banja Llukë, Doboj, Bërçko, Bijelinë, Mostar dhe Trebinje. Në vitin 1930 numri i shqiptarëve në B dh H thuajse është katërfishuar kurse regjistrimi i vitit 1991 tregon shifrën rreth pesë mijë shqiptarë. Shqiptarët e ardhur në B dhe H në këtë periudhë kryesisht kanë punuar si bukëpjekës, ëmbëltoristë, argjendarë dhe lloje tjera të zanateve.
Shumica e shqiptarëve kanë jetuar në Sarajevë. Nga viti 1970 deri më 1981, në Sarajevë ka ekzistuar një shkollë fillore në gjuhën shqipe. Shkolla është quajtur Bane Shurbat e cila gjendej në Gërbavicë. Duhet përmendur gjithashtu se gjatë rrethimit të Sarajevës, në luftën e fundit, më së paku shqiptarët e kanë lëshuar qytetin. Ata janë kërcënuar nga bandat e Ratko Mlladiçit të vendosura në Pale nga ku, me anë të televizionit, shpesh janë dërguar mesazhe se asnjë shqiptar nuk do të dal gjallë nga Sarajeva.
Një prej specifikave të shqiptarëve, që i bën ata të veçantë nga pakicat tjera kombëtare në B dhe H, është gjuha e tyre jo e zakonshme. Sot në B dhe H shumë mbiemra kanë origjinën nga gjuha shqipe. Mbiemra të tillë janë: Gega / Gegić, Toska / Toskić , Arnaut / Arnautović. Bushatlija / Bušatlić, Balta/Baltić, Bajgorić/Bajgora, etj.
Nga gjuha shqipe kanë origjinë edhe disa vendbanimev në B dhe H (Arnauti / Zenica, Arnautovići / Visoko, Shiptar në Hercegovinë, Breška / Tuzla, Korča /Korça, Arbanasi afër Rudo, Arbanaška / Trebinje). Disa hulumtues përmendin edhe emra tjerë si Butmir, Majevicë (nga maja e malit). Disa nocione të gjuhës shqipe u përvetësuan nga sllavët e jugut, për shembull fjala “dasa” (një njeri i mirë, tip), e cila rrjedh nga fjala shqipe “dash”, që në gjuhët sllave do të thotë ovan.
Shqiptari më i njohur i cili ka jetuar dhe është shkolluar në B dhe H është Gjergj Fishta (1871-1940). Fishta në B dhe H ka shkuar në vitin 1886 ku edhe studijoi teologjinë, filozofinë, italishten dhe latinishten. Gjatë qëndrimit të tij në Bosnjë ka mbajtur kontakte me shkrimtarin e shquar Grgo Martiq dhe me poetin Strahimir Kranjqeviq.
Përveç Fishtes gjithashtu duhet të përmendim profesorë tjerë të njohur dhe të shquar të Universitetit të Sarajevës me origjinë shqiptare, siç ishte prof. dr. Hamid Dolareviq (1925-2002), prof. dr. Ibrahim Ahmetaj, kardiokirurgen e parë Iliriana Haxhibeqiri, kompozitorin Halim Koshi mandej gazetarin dhe poetin e njohur Alirizah Gashi (1945-1997).
Shqiptarët në B dhe H janë të organizuara në shoqatat kantonale shqiptare, të bashkuar në komunitetin shqiptar në B dhe H. Nëpërmjet kësaj shoqate shqiptarët shënojë datat e rëndësishme historike shqiptare, promovojnë libra në gjuhën e tyre amtare dhe në forma tjera përkujtojnë origjinën e tyre. Me ndihmën e Qeverisë së Kosovës, Komuniteti ka kërkuar sërish fillimin e mësimit shtesë të gjuhës shqipe për fëmijët e tyre shqiptarë, e cila ishte ndërprerë për shkak të mungesës së fondeve.
Vlerësohet se në Bosnjë dhe Hercegovinë (në fakt, kryesisht në Federatën e B dhe H, sepse në Republikën Serbe, çështja shqiptare, shikohet nga prizmi i çështjes së Kosovës, nuk jeton pothuajse asnjë shqiptarë ) jetojnë midis 8 dhe 10 mijë shqiptarë, të cilët përbëjnë një nga pakicat më të mëdha kombëtare. Sipas Kushtetutës së B dhe H, sikurse edhe pakicat tjera, edhe shqiptarët konsiderohen “të tjerë” dhe nuk mund të zgjidhen si anëtarë të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës ose të jenë delegatë të Kuvendit Popullor të Shtetit. Disa përfaqësues të shqiptarëve thonë se këto funksione nuk janë për ta të rëndësishme, por se janë të shqetësuar për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike.
Vlerësohet se në periudhën 2010-2020 shqiptarët kanë rritje më të lartë se mesatarja vjetore e popullsisë së Evropës. Të dhënat për Kosovë dhe Shqipëri tregojnë për rritje 0.7% gjegjësisht 0.2%. Rritje e ngjashme është shënuar edhe në vendet fqinje , aty ku jetojnë shqiptarët (Maqedoni, Mal të Zi, Greqi). Shtypi në hapësirat e ish Jugosllavisë, sidomos ai në Serbi, konsideron se nacionalizmi gjithnjë e më i artikuluar shqiptar dhe aspiratat e zgjerimit, janë faktorë që mund të sjellin më shumë paqëndrueshmëri në rajonin jo stabil të Ballkanit Perëndimor. Shqiptarët në hapësirën e ish Jugosllavisë shpesh janë subjekt i shakave dhe talljeve. Megjithatë, për shumë gjëra, shqiptarët janë bërë objekt i adhurimit dhe respektit por edhe të frikshëm për fqinjët e tyre. Sa i përket Bosnjës, shqiptarët përbëjnë padyshim një nga komponentët thelbësore të identitetit të këtij shteti.
Dy vendime “ për shpërnguljen e suksesshme të shqiptarëve”
Migrimi i shqiptarëve në drejtim të Turqisë përkon me dobësimin dhe rënien e Perandorisë Osmane dhe në një mënyrë përfaqëson “evakuimin” nga territoret e humbura. Në anën tjetër, motivet të cilat nxitën shpërnguljen, ishin fetare, politike, ekonomike dhe ekzistenciale. Ishte proces ballkanik në një shkallë të madhe (Greqi, Rumani, Bullgari, Jugosllavi), në të cilin hynte interesi i përbashkët i vendeve të Ballkanit dhe Turqisë. Jugosllavia u përpoq në këtë mënyrë të zgjidhë problemin me shqiptarët dhe të fitoj toka për kolonizim, ndërsa Turqia “me element të përshtatshëm” t’i populloj pjesët e boshatisura të vendit nga i cili ishin dëbuar më parë kurdët, armenët dhe grekët. /
Nga Ismet Azizi/
Qarqet sunduese, kulturore e shkencore serbe dhe veçanërisht ideologët e krijimit të hapësirave të pastra etnike, me gjithë masat e ndërmarra ndaj shqiptarëve, nuk ishin të kënaqur me rezultatet e kolonizimit dhe të shpërnguljes së shqiptarëve në vendet tjera. Edhe përkundër të gjitha masave drastike, numri i shqiptarëve nuk u zvogëlua, por, përkundrazi, shënoi rritje në saje të natalitetit të lartë në kushtet e rënda të jetës e të punës. Prandaj, pushteti i atëhershëm vendosi që këto qëllime të vetat t’i realizoj me shpërnguljen me dhunë e terror të të gjithë shqiptarëve nga trualli i Kosovës dhe meritoreve rreth saj, në një anë, dhe kolonizimin sa më intensiv të serbëve në Kosovë, por edhe në Maqedoninë Perëndimore. Për këto qëllime dhe u përpiluan një varg elaboratesh dhe planesh.
Një kontrollim i kaosit të shpërnguljes është legalizuar më 11 korrik 1938 me nënshkrimin e Konventës jugosllave-turke në Stamboll. Sipas konventës ishte paraparë dëbimi i 40.000 familjeve nga viset e pushtuar nga Serbia, “të cilët flasin turqisht dhe kanë kulturë turke” nga 46 rrethet e banovinave të Vardarit, Zetës dhe Moravës. Sipas konventës së përmendur, Turqia ka qenë e detyruar të pranoj 40.000 familje brenda gjashtë viteve, ndërsa me marrëveshje parashihej që Jugosllavia të paguaj kompensim Turqisë nga 500 lira turke për familje, d.m.th. në total 20 milion lira. Konventa parashikonte transferimin e emigrantëve dhe pasuritë e luajtshme deri në portin e Selanikut në kurriz të Jugosllavisë.
Elaboratit me karakter fashizoid, me titull “Shpërngulja e shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta), i paraqitur në klubin Kulturor Serb më 7 mars 937 të cilin e hartoi Dr. Vasa Çubriloviq, i parapriu një sërë veprimesh të kreut polit serb. Me këtë rast, po paraqesim dy dokumente që i paraprijnë elaboratit të Çubriloviqit dhe nënshkrimin e Konventës në mes Jugosllavisë dhe Turqisë.
Dokumenti i parë është Procesverbali i konferencës ndërministrore, e cila u mbajt në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jugosllavisë më 20 shtator të vitit 1935, në të cilën u diskutua për dëbimin e popullatës jo-sllave nga Serbia Jugore.
Teksti i dytë paraqet projekt planin për shpërngulje të cilin e ka hartuar komiteti i ngushtë ndërministror, që është miratuar në mbledhjen e 24 shtatorit 1935 në Beograd. Ndër konkluzionet e këtij projekti të cilin e kanë përpiluar së bashku përfaqësuesit e pesë ministrive dhe Gjeneralshtabit dominon nevoja e miratimit urgjent të konventave dypalëshe me Turqinë dhe Shqipërinë, ndërsa në rast të problemeve me shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri është propozuar të zhvendosen nga zonat kufitare në brendësi të territorit të Jugosllavisë. Lehtësime tatimore janë paraparë për ata të cilët do të heqin dorë vullnetarisht nga shtetësia, ndërsa për transport pa pagesë deri në Selanik mund të llogarisnin vetëm ata të cilët pasurinë e tyre të paluajtshme ua lënë shtetit. Pothuajse të gjithë propozimet e përfaqësuesve të Shtabit të Përgjithshëm u miratuan unanimisht si masa të cilat projekti propozon për “shpërngulje të suksesshme dhe më të shpejtë të popullsisë jo-sllave në Turqi ose Shqipëri”: Shtypjen e propagandës kundër dëbimeve që vinin nga Tirana, si dhe thirrjet sa më të shpeshta të regrutëve nga rrethet kufitare në stërvitje ushtarake dhe manovra, ndalimin e pranimit në shërbimin civil “të personave të cilët vijnë në shprehje për dëbim”, transferimi e zyrtarëve shqiptarë në pjesë të tjera të vendit, nacionalizimin e toponimeve dhe mbishkrimeve, etj. Të dy këto dokumente janë ruajtur në Arkivin e Jugosllavisë, në kuadër të Fondit të Ambasadës së Mbretërisë së Jugosllavisë në Turqi-Stamboll, Ankara (370), dosje 9, njësia arkivore 42, faqe 637-643.
Tekstin po e paraqesim (të përkthyer nga autori) në formën e vet origjinale, pa asnjë ndërhyrje stilistike apo gjuhësore.
Procesverbali i Konferencës ndërministrore , është mbajtur në Ministrinë e Punëve të Jashtme më 20 shtator të viti 1935. në lidhje me shpërnguljen e popullatës jo-sllave nga Serbia Jugore.
Prezent:
– nga Ministria e Punëve të Jashtme: Z. Ilia Milikiq, Shef i Seksionit të IV repartit politik, g. Milivoje Milçiq, këshilltar, g. Peter Çabriq, këshilltar, zoti Radovan Mitroviq, sekretar;
– nga Ministria e Bujqësisë: g. Vojislav Magovçeviq, inspektor, g. Gjuro Tataloviq, shef i seksionit financiar ;
– nga Ministria e Punëve të Brendshme: Z. Dushan Tadiç, inspektor;
– Nga Shtabi i Përgjithshëm: Z. Jovan Sokolloviq, gjeneral kolonel;
– nga Ministria e Financave: Z. Dushan Trajkoviq, këshilltar;
– nga Ministria e Transportit: g. Milosh Popoviç, zyrtar i lartë Komercial. Departamenti General i drejtorisë së hekurudhës.
Seancën e udhëhoqi g. I Milikiq. Procesmajtje e udhëhoqi g. Dr. Feodor Koreniç dhe g. Dr. Jozo Logar, notar të Ministria e Punëve të Jashtme.
Seanca u hap në ora 18
***
G. Ilija MILIKIQ thotë se zoti V. Magovçeviq shprehu dëshirën që në një konferencë ndërministrore të trajtohet çështja e shpërnguljes së turqve dhe myslimanëve të tjerë nga rajonet jugore. Kjo çështje duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse në masë kompakte turqit dhe arnautët përgjatë kufirit të Arbërisë ( Shqipërisë) paraqesin problem kombëtar dhe në aspektin ushtarak problem të rëndësishëm. Numri i shqiptarëve, i cili është mbi gjysmë milion, nga viti 1931 është rritur për rreth 65.000 veta. Arsyeja e dështimit të nacionalizimit të elementit jo sllav, arsyeja është se popullsia ortodokse në rajonet jugore numerikisht është e vogël (në rajonet jugore ka vetëm 165.000 ortodoks) dhe për shkak se elementi jonë nuk ishte mjaft e përgatitur për ushtrimin e nacionalizimit. Prandaj, nuk mbetet gjë tjetër përveç dëbimit të elementit jo-sllave nga vendi.
Ministria e Punëve të Jashtme konstaton se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet Arbanasëve [Shqiptarëve], sepse ata janë kompakt dhe në kontakt të vazhdueshëm me Arbaninë [Shqipërinë] fqinje, ku, pavarësisht pa përcaktimit politik, megjithatë, ngadalë krijuan një ndjesi kombëtare.
Shpërngulja politike, deri më tani, nuk ka dhënë ndonjë rezultat të veçantë. Ky element shpërngulet në Turqi dhe në Arbani [Shqipëri]. Ekziston mundësia që numri i të shpërnguluarëve në Turqi të rritet duke u bazuar në ligjin turk të vitit të kaluar për popullimin e të gjitha krahinave të saja me popullatë të kulturës turke. Për këtë qëllim, turqit kanë lidhur një marrëveshje me Rumaninë, dhe tani negociatat janë duke i zhvilluar edhe me Bullgarinë. Marrëveshja me Rumaninë parasheh që turqit nga Rumania, të cilët janë rreth 400.000, duhet të shpërngulen brenda 5 viteve. Të gjithë pasurinë e tyre, para se gjithash, do të mund të kompensohen nga qeveria rumune. Gjatë dëbimit ata gëzojnë privilegje të caktuara; udhëtojnë pa pasaporta të zakonshme, tatimet e vjetëruara shlyhen, zyrtarëve iu kthehen të gjitha paratë e paguar në fondin e pensioneve, rekrutët janë të liruar nga shërbimi ushtarak të mëtejshëm, për transportimin e gjërave me anijeve nuk paguhet taksë, ose transportin e kafshëve, mjetet tjera, e kështu me radhë. Vlera e pronave të emigrantëve, të cilët, për shkak të kohës së shkurtër kan mbetur të pa shitura, sikurse pronat e vakëfeve, qeveria rumune do t’ua paguaj emigrantëve nga burimet e tyre, ndërsa më vonë do të merren vesh me qeverinë turke.
Qeveria e Shqipërisë, e cila më parë ka qenë e gatshëm të pranojë një numër të caktuar të shqiptarëve tanë, tani thotë se kjo nuk mund të bëhet për arsye financiare. Megjithatë, ne besojmë se këtë nuk e bënë për shkaqe kombëtare: ajo nuk dëshiron të reduktojë numrin e Arbanasëve [Shqiptarëv] tek ne për shkak të pretendimeve të ardhshme territoriale. Qeveria turke, në të kundërtën, ka miratuar për emigrantët e saj deri në vitin 1936. 3.000.000 lira turke.
Ligjit mbi Shtetësinë e bëri të mundur për dëbimin e popullatës jo-sllave; por megjithatë ka disa vështirësi nga ana jonë.
Në radhë të parë është vërejtur se është bërë një gabim, për shkak se në mesin e deklaratave për largim gjinden edhe një numër i madh i kërkesave të myslimanëve nga Sanxhaku, të cilët janë megjithatë njerëz tanë. Prandaj nuk ka arsye që ata të largohen nga vendi. Ne ia kemi tërheqë vëmendjen Ministrisë së Brendshme se deklarata të tilla në të ardhmen të popullatës sonë sllave mos të pranohen.
Vështirësi tjetër është likuidimi i pasurisë së patundshme të të shpërngulurave. Kjo çështje deri diku mund të zgjidhet me huanë të cilën Ministria e Bujqësisë mori nga Bankën Hipotekare Kombëtare në vlerë prej 21,800.000 dinarë.
Ne nuk duhet të harrojmë se edhe ata që e kanë likuiduar tashmë pronat e tyre, hasin në vështirësi në marrjen e pasaportave, duke pasur parasysh formalitetet mëdha të mbledhjes së certifikatave. Ministria e Punëve të Jashtme ka propozuar që këto vërtetime të lëshohen sipas detyrës zyrtare.
Ata emigrantë, kryesisht të varfër, nuk munden vetë t’i bartin shpenzimet e transportit. Prandaj, është e nevojshme që të sigurohet transport pa pagesë deri në kufi ose të paktën një zbritje prej 75%. Megjithatë, Ministria e Transportit nuk do të bëjë ndonjë lëshim nga rregullorja për tarifa.
Si do që të jetë, dëbimi duhet të bëhet me një plan të caktuar. Për shkak të kredisë së kufizuar që posedojmë, duhet të përcaktojmë se cilat rrethe, nga arsyet ushtarake dhe politike, duhet në radh të parë t’i shpërngulim.
G. Milivoje MILÇIQ konstaton se çështja e shpërnguljes së myslimanëve nuk është e re, sepse ka ekzistuar që nga viti 1878 (Muhaxhirët). Është e re në raport me § 55, i cili deri në vitin 1933 mbeti vetëm në letër. Më në fund në këtë vit qeveria shqiptare e ka ngitë këtë çështje, me qëllim ë zgjidhjes çështjen e shtetësisë të atyre shqiptarëve, të cilët për çfarëdo arsye kishte ikur nga vendi ynë në Arbani. § 55 vlera e së cilës u cilësua më 1 nëntor të 1933 është vazhduar me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme deri më 1 nëntor 1938. Nga ata që dhënë deklarata, rrallë rrallë kush është shpërngulur duke marrë parasysh faktin, që qeveria shqiptare nuk ka dhënë leje për imigrim.
Deri më tani, janë shpërngulur në Turqi vetëm rreth 20.000. Për Shqipëri janë dhënë rreth 2000 deklarata, por asnjë nga këto nuk iu është dhënë leje për tu vendosur në Shqipëri. Turqit në vendin tonë paraqesin një element të qetë, të shkëputur nga metropoli (Stambolli) nuk u janë nënshtruar propagandës nacionaliste. Tek Shqiptarët situata është krejt e ndryshme në lidhje me faktin se u vendosën në masë të dendur në rajonet kufitare (në disa rrethe mbi 90% nga numri i popullsisë së përgjithshme).
Ne jemi në marrëdhënie miqësore me Turqinë dhe brenda disa muajsh ne mund të zgjidhim çështjen e dëbimit të turqve. Turqia pranon të gjithë njerëzit e kulturës turke dhe në këtë mënyrë do të jemi në gjendje t’i shpërngulim një pjesë të Arbanasëve.
Në asnjë mënyrë viktimat nuk do të ishin të shumta, për tu zgjidhur kjo çështje. Ministria e Bujqësisë, me anë të një organizimi të planifikuar, duhet ta shkatërroj kompleksin Arnaut, duke i vendosur në çdo fshat disa familje tona, dhe përgjatë kufirit me Shqipërinë duhet krijuar një brez të pastër pa shqiptarë.
Z. Vojislav MAGOVÇEVIQ thotë se Ministria e Bujqësisë kryen kolonizimin për 15 vjet me radhë. Më së shumti u shpërngulën nga rajonet pasive(Bosnja, Lika, Hercegovina, Mali i Zi). Me këtë veprim janë konsumuar të gjitha sipërfaqet e lira që i kishim në dispozicion, por janë edhe 17.000 familje të cilat kanë aplikuar për ndarjen e tokës dhe janë në pritje për t’iu krijuar mundësinë për vendosje (kolonizim ) në rajonet jugore. E vetmja zgjidhje e problemit do të ishte, shpërngulja e elementit turk dhe shqiptar, i cili është veçanërisht i fortë në 17 rrethe; atje relacioni është 73% me 27% në dëm të popullatës sonë. Arsyet kombëtare kërkojnë të vazhdojmë me kolonizimin pikërisht pran kufirit shqiptar. Për këtë qëllim, tani Ministria e Bujqësisë ka marrë një kredi prej 21,000.000 dinarë në Bankën Hipotekare Kombëtare për blerjen e pronave turke dhe shqiptare në jug të Serbisë. Nëse dëshirohet të blihen 15.000 hektarë tokë, ku do të mund të vendosen 3000 familjet e kolonistëve tanë, atëherë do të ishte e nevojshme një shumë prej 30.000.000 dinarë. Megjithatë, disa do të donin të fitojnë transport falas deri te kufiri turk, dhe për këtë kishin me dhënë pasuritë e tyre pa pagesë.
Përgjatë zonës kufitare me Shqipërinë, ku është rreth 85% e popullsisë shqiptare, është aktiv edhe Komiteti Shqiptarë, të cilin e ndihmon qeveria shqiptare, e cila inkurajon shqiptarët të mos shpërngulen.
Ne do t’u jepnim para për prona vetëm personave të cilët marrin pasportë valide, të cilët kanë kryer shërbimin ushtarak dhe kanë të paguara të gjitha taksat; ata menjëherë do të hipin në tren. Praktika e mëparshme e policisë së qeverisë sonë, kur ka lëshuar pasaportë me vlefshmëri prej gjashtë muajsh, ishte e gabuar, sepse këta persona nuk kanë humbur shtetësinë, dhe kështu ata u kthyen.
Duhet përpiluar një plan dhe program për shpërngulje me idetë kryesore. Në këtë drejtim, me siguri do të mund të shërbejë si një marrëveshje bazë me Rumaninë.
G. Ilija MILIKIĆ pastaj kalon tek masat të cilat duhen ndërmarrë për eliminimin e vështirësive, të cilat po pengojnë shpërnguljen e popullsisë jo-sllave në bazë të § 55 të Ligjit mbi Shtetësinë. Këtu do të vinte në shprehje: lëshimi i pasaportave pa pagesë, lirimi nga të gjitha detyrimet, dhënia e mundësisë që pa pagesë të arrihet në kufirin shtetëror në këmbim të pasurive të paluajtshme në shfrytëzim të shtetit, nënshkrimi i një konvente me Turqinë, të ngjashme me atë të Rumanisë, lirimi nga shërbimi ushtarak. Gjithashtu, duhet thjeshtuar procedurat administrative me rastin e nxjerrjes së çertifikatave të shumta, të cilat janë të nevojshme për të shpërngulurit.
Me qëllim të zbatimit sa më të shpejtë të këtyre masave në jetë, g.Milikiq propozon organizimin e një Komiteti të ngushtë, në të cilin do të hyjnë g. M. Milçiq, kolonel, J. Sokolloviq, D. Tadiç dhe V. Magovçeviq, me detyrë të hartimit të një projekti të masave të cilat duhet të ndërmerren për të shpejtuar emigrimin e popullsisë jo-sllave, e cila do të paraqitet në Këshillin Ministror për miratim.
Të gjithë të pranishmit u pajtuan me këtë propozim.
Z. Kolonel J. Sokoloviç, thotë se ai ka disa propozime pavarësisht Konventës, e cila do të arrihet me Turqinë, për të përshpejtuar shpërnguljen e popullsisë jo-sllave.
1. Me forcën e ligjit t’i detyrojmë t’i kryejnë të gjitha detyrimet tatimore;
2. Emigrantët të largohen nga trevat e banuara me turq dhe shqiptar, sepse edhe ata të cilët llogariten si miq tanë, bëjnë propagandë kundër shpërnguljes;
3. për shkak se turqit tanë nuk konsiderohen si pakicë kombëtare, të detyrohen fëmijët e tyre të vijojnë shkollat tona kombëtare, sepse deri tani ka ndodhur që tre të katërtat e të rinjve të kësaj ane, të cilët vijnë në shërbim ushtarak, shkruajnë vetëm turqisht;
4. të lëshohen njoftime konfidenciale për ata që nuk shpërngulen, të mos pranohen në shërbime shtetërore dhe as në shërbime publike ;
5. këto treva të shënohen me emra tonë nacional ;
6. të krijojmë zonën e banuar me elemente tona përgjatë kufirit shqiptar. Për këtë qëllim, të fillojmë kolonizimin e hapësirave pran kufitare, kështu që të shkojnë në mënyrë sistematike në drejtim të brendshëm. Kjo çështje të zgjidhet pjesë-pjesë, planin e aprovuar për 10 vitet e ardhshme.
Si masë të parë për organizimin e shpërnguljes të elementit jo sllav g. Kolonel J. Sokoloviq propozon krijimin e një komiteti të përhershëm intern, i cili do të mbetet i tubuar me përgjegjësi të plotë, pavarësisht juridiksionit.
Të gjithë që ishin të pranishëm u dakorduan me këtë propozim.
Konferenca sjell konkluzionin e mëposhtëm:
1. Duhet iniciuar çështjen e shpërnguljes me qeverinë turke dhe të përpiqemi për të zgjidhur të njëjtën gjë në një mënyrë të ngjashme si ajo që bëri Rumania, pra përmes një konvente speciale.
2. Kushdo që dëshiron të shpërngulet, duhet t’iu epen pasaporta pa pagesë.
3. Të gjitha këta persona duhet të jenë të liruar nga detyrimet ndaj shtetit (tatimet, taksat vendore, etj).
4. Atyre që ofrojnë pasuritë e tyre të patundshme në këmbim të transport falas deri në kufi, t’ju bëhet e mundur një gjë e tillë, ndërsa atyre të cilët i kanë shitur pasuritë t’ju mundësohet 75% zbritje.
5. Këta persona duhet liruar nga pagesa e detyrimeve të inventarit të vdekur, të cilin e bartin me veti, sikurse edhe paratë.
6. Ministria e Ushtrisë dhe Marinës tashmë ka nxjerrë një urdhër që të gjithë personave, të cilëve u jepet leja për shpërngulje pa marrë parasysh se a kanë obligime ushtarake. Gjithashtu, duhet liruar ata që duan të shpërngulen, edhe nëse janë në kryerjen e shërbimit ushtarak.
Komiteti i ngushtë, do të përpiloj një plan projekt për shpërngulje, i cili në konferencat e ardhshme ndërministrore definitivisht të pranohen dhe t’i dorëzohet Ministrit të Bujqësisë. Zoti ministër i Bujqësisë do ta sjellë para Këshillit Ministror, i cili do të sjellë zgjidhjen e caktuar.
U mor vendim që komiteti i ngushtë të takohet më 24 shtator 1935. Në ora 9 në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Seanca përfundoi në ora 20.
Proces mbajtës Dr. Feodor Koreniç d.v, Dr. Jozo Logar d.v.
Takimin e kryesoi Ilia Milikić d. v.
20 shtator 1935. Beograd
Projekti i Konferencës së Komitetit të Ngushtë mbi shpërnguljen e elementit jo-sllav nga jugu i Serbisë
Për zgjidhjen e vendimeve te Konferencës ndërministrore të 20 shtatorit të 1935, komiteti i ngushtë është takuar më 24 shtator të këtij viti, i cili për çështjen e shpërnguljes së popullsisë jo-sllaves së vendit tonë, konkretisht nga Serbia Jugore, sipas nenit 55 të Ligjit për Shtetësi, ka marrë këtë përfundim:
1. Çështjen e shpërnguljes duhet rregulluar sa më shpejt sipas konventës speciale midis vendit tonë dhe Turqisë, si dhe në mes vendit tonë dhe Shqipërisë, sipas formës që kjo çështje është rregulluar ndërmjet Turqisë dhe Rumanisë.
2. Në rast se me Shqipërinë nuk mundemi të arrijmë marrëveshje për shpërnguljen e Shqiptarëve në Shqipëri, ose shqiptarët të cilët nuk dëshirojnë të shpërngulën në Turqi, duhet menjëherë të aplikohen ligjet në fuqi për detyrimin e këtij elementi të zhvendoset nga zona kufitare në brendësi dhe të njëjtat treva të popullohen me popullsi sllave.
3. Për të gjithë ata persona të cilët, në bazë të nenit 55 të Ligjit për Shtetësi t’u ipen deklaratat me të cilat do të heqin dorë nga shtetësia jonë, për një kohe të caktuar të shpërngulen jashtë vendit tonë, t’u mundësohen përfitimet e mëposhtme:
a) t’iu lëshohen pa pagesë pasaporta të emigrantëve, sipas rrethanave edhe kolektive;
b) të lirohen nga të gjitha detyrimet ndaj shtetit (taksat, tatimet, ushtria, etj);
v) në rastin kur personat të cilët shpërngulën, kanë hipoteka dhe borxhe private (letra me vlerë, obligacione dhe dokumente të ngjashme), të bëra deri më 1 shtator 1935, t’iu paguhen pasuritë të tyre të paluajtshme në vlerën e paraparë ;
g) t’ju sigurohet transporti pa pagesë deri në Selanik dhe Svilengrad, nëse kanë deklaruar se të gjithë pasurinë e tyre e paluajtshme t’ia lënë shtetit tonë. Gjithashtu kjo vlen edhe për emigrantët e varfër;
d) t’ju lejohet zbritje në shfrytëzimin e hekurudhave për 75% e personave të cilët qëndrojnë mirë financiarisht apo që më herët kanë shitur pronat e tyre;
f) të lirohen nga të gjitha pagesat për eksportin e inventarit të vdekur dhe të të hollave;
e) të lirohen nga momenti i dhënies së deklaratës për shpërngulje nga: rekrutimi, dërgimit në ushtri, shërbimit ushtarak, ushtrime ushtarake. Nga kjo mund të bëhet përjashtim, nëse shpërngulën brenda një viti nga data e dhënës së deklaratës.
4. Për një migrim më të suksesshëm dhe më të shpejtë të popullsisë jo-sllave në Turqi, ose Shqipëri, komiteti ka ardhë në përfundim se është e dobishme për të marrë këto masa:
a) me të gjitha mjetet të parandalohet dhe të përjashtohet çdo propagandë që bëhet në mesin e këtij elementi kundër shpërnguljes e cila kryhet nga Shqipëria;
b) nga popullsia jo-sllave që vjen në konsiderim për shpërngulje, të kërkohet zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve ekzistuese, veçanërisht ato që lidhen me pagesën e detyrimeve fiskale (tatimet, mbi-tatimet, shërbimet ushtarak, etj);
v) sa më shpesh të jetë e mundur në territorin e Serbisë së Jugut, veçanërisht nga trevat kufitare të thirren në ushtrime ushtarake, ushtri rezervë me origjinë jo-sllave, pa marrë parasysh ushtrime apo manovra, qoftë për ndërtimin e rrugëve ose objekteve fortifikuese;
g) kryesisht mos të pranohen në shërbimin civil (dhe publik) personat të cilët janë emigrant potencial, ndërsa ata që tashmë janë në shërbime të tilla, të shpërndahen në zona ku jeton popullsia jonë;
d) të zbatohet në mënyrë rigoroze principi i arsimimit të detyrueshëm të fëmijëve të këtyre trevave në shkollat tona fillore;
f) në mënyrë strikte të zbatohen të gjitha rregullat e popullimit të rajoneve jugore, kryesisht viset kufitare) menjëherë të ndërmerren masat e shtetëzimit të objekteve gjeografike (vendbanime,lumenj, male, etj) me emërtime tona. Kjo vlen për mbishkrimet publike, emrat e kompanive, reklamave, etj;
e) Të gjitha masat e përmendura, tërësisht dhe menjëherë duhet të zbatohen duke filluar nga vija kufitare me Shqipërinë drejt brendësisë së vendit tonë.
24 shtator 1935. Beograd
Masakra e Biohorit në Natën e Bozhiqëve të 43-tës (II)
Vuajtjet e popullit në viset veriore të trojeve Shqipatare janë përshkallëzuar sidomos në periudhën nga 5 janari deri më 7 shkurt të vitit 1943 kur është kryer gjenocid i pa parë kundër popullsisë së besimit islam të këtyre trevave. Sipas dëshmive të dokumentuara në këtë periudhë janë masakruar rreth 9200 njerëz. Popullsia e kësaj treve është persekutuar pa dallim gjuhe, përkatësie kombëtare (shqiptarë apo boshnjakë). Kjo ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore – luftë e cila për çetnikët kishte edhe karakter “kryqëzate”./
Nga Ismet Azizi/
Gjenocidi serbomadh mori formë të organizuar shtetërore qysh në vitin 1844, me programin “Naçertanija” të Ilia Garashaninit, ish-ministër i Punëve të Brendshme të Principatës së Serbisë, për të vazhduar me projektin e Vlladan Gjeorgjeviqit, më 1908. Pas reformës agrare, vazhdohet me programin kolonizimit i cili paraqitet në parlament në Beograd në formë memorandumi me titull “Shpërngulja e Arnautëve”, më 7 mars 1937, nga Vaso Çubrilloviç, ku tregoheshin mënyrat çnjerëzore që duhej të përdorte shteti serb për zhdukjen e shqiptarëve. Elaborati i titulluar “Projekt-raport për Shqipërinë”, i cili u promovua nga nobelisti i mëvonshëm Ivo Andriq, më 30 janar 1939, paraqet planet për zhdukjen e shqiptarëve dhe shtetit shqiptar. Ndërsa projekti i Stefan Moleviçit, i 30 qershorit i viti 1941, parasheh fshirjen e Shqipërisë nga harta ballkanike dhe zhdukjen totale të shqiptarëve, program të cilin u mundua ta realizoj edhe Drazha Mihailloviq gjatë Luftës së Dytë Botërore, sidomos në viset veriore të trojeve Shqiptare.
Historiografia shqiptare në dy dekadat e fundit ka bërë përpjekje të dukshme për zbardhjen e ngjarjeve dhe zhvillimeve politiko-ushtarake në trevat etnike shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për këtë qëllim janë organizuar me dhjetëra simpoziume shkencore në Tiranë, Prishtinë, Shkup etj, në të cilat janë ofruar fakte dhe dëshmi të pakontestueshme për krimin dhe gjenocidin ndaj popullsisë civile shqiptare nga ana e forcave të ndryshme pushtuese çetnike e komuniste.
Krimet çetnike-komuniste janë kryer në vijimësi, sa herë që u është dhënë mundësia, e që për fat të keq deri më sot kanë ngelur në errësirë.
Të dhënat burimore flasin qartë se forcat serbo-malazeze çetnike të përkrahura me logjistikë dhe me armë nga ushtria italiane, shkatërruan përtokë 82 fshatra në Krahinën e Bihorit në Sanxhak, më 5 – 6 janar të vitit 1943. Këto forca çetnike serbo-malazeze i ka udhëhequr nga krimineli i njohur Pavle Gjurishiq. Siç bëjnë të ditur dokumentet arkivore shqiptare, brenda dy ditëve janë vrarë, therur, dhe masakruar në forma të daytime, mbi 4 628 banorë shqiptarë. Qindra të tjerë janë zënë rob (shumica gra e vajza të reja) kurse mbi 15.000 janë detyruar t’i lëshojnë vatrat e tyre për t’u vendosur në vende më të sigurta. Krahina e Bihorit ishte zonë neutrale midis vijës së demarkacionit të Shqipërisë dhe Malit të Zi, e cila mbikëqyrej nga autoritetet civile e ushtarake italiane.
Bihori i Sanxhakut ishte lënë zonë e demarkacionit midis zonës së interesit gjerman (Serbisë së regjimit të Nediqit), zonës italiane (Mbretërisë së Malit të Zi) dhe “Shqipërisë së Madhe” nën kurorën mbretërore të Italisë. Mirëpo, mbi këtë teritor kishte vu dorë Mali i Zi, me përkrahje të plotë nga ushtria fashiste italiane.
Popullsia e zonës neutrale konsideronte se për gjendjen e krijuar dhe për masakrën e Bihorit janë fajtore autoritet shqiptare sikur edhe autoritetet ushtarake italiane të Malit të Zi, për moskujdesje ndaj sajë. Sipas tyre, zona neutrale e cila nuk i takonte askujt, ishte mundësi e mirë që sersbomalazezët të realizojnë qëllimin e tyre të pastrimit etnik të kësaj treve. Qeveria shqiptare nuk kishte marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e saj. Popullata e akuzoi qeverinë sepse nuk ishte në gjendje as që ta armatoste popullin që të vetorganizohej në mbrojtjen jetës së tyre, edhe pse një gjë e tillë iu ishte premature. Madje, popullit as që iu bë me dije që të gjindej apo të vetorganizohej në këtë situatë të rëndë.
Pasi që për masakrën e Bihorit ishte dëgjuar gjithandej, qeveria e Tiranës formoi një komision i cili do ta analizonte gjendjen e krijuar në këtë trevë dhe ta njoftojnte qeverinë për masakrën e shkaktuar ndaj popullatës së Bihorit dhe pasojat e saja.
Qeveria Libohova e Mbretërisë Shqiptare e dërgoi në Bihor një komision shtetëror në krye me Nënministrin e Tokave të Lirueme, juristin Qazim Bllaca. Në komision ishte edhe Thoma Luarasi, me karrierë politike në këtë ministri, dhe tre ushtarakë të lartë italianë dhe një numër i parisë shqiptare të Dukagjinit me Demë Ali Pozharin, Emrush Miftrain, Bajram Gashin dhe disa të tjerë. Komisionin e shoqëroi një delegacion i Sanxhakut në krye me patriotin e zjarrtë shqiptar Mulla Osmanin e Petnicës .
Nga të dhënat që mblodhi ky komision, në Masakra e Bihorit nga serbo-Maliseet kishin vrarë 590 burra, 185 të therur, 119 të grirë; gra – 340 të vrara, 285 të thera, 266 të grira; fëmijë – 701 të therur, 705 të djegur, 447 të grirë. Të plagosur: burra – 359, gra – 275. Diku rreth 250 gra të reja e vajza janë deportuar në kampet çetniko-drazhiste për t’u dhunuar seksulaisht nga ushtarët serbo-malazez. Asnjë nuk shpëtoi nga thika për të dëshmuar krimin shtazarak. Ua humbën edhe varret. Pra, numri përgjithshëm i viktimave është 4 628.
Në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, në fondin arkivor të viti 1943 (janar – korrik), gjendet dosja nr. 5, me 57 fletë, ekzistojnë disa dokumente origjinale dërguara kryeministrit të atëhershëm të Shqipërisë Ekrem Bej Libohovës nga ana e Komisionit të zgjedhur enkas për ta konstatuar gjendjen faktike, të cilat në mënyrë të pakontestueshme dëshmohet krimi dhe gjenocidi serbo-malazias mbi banorët shqiptar të kësaj zone. Dokumentet në fjalë po vazhdojmë t‘i paraqesim në formë origjinale.
Dokumenti i II-të
“Tiranë, me 30 Kallnuer, 1943-XXI, Shkëlqesisë Ekrem bej Libohova, Kryetar i Këshillit të Ministrave
Shkëlqesi
Në vijim të kthjellimeve që patëm nderin të Ju apim mbi ngjarjen e tmerrshme që ndodhi në Bihor, në krahinat e Senicës e të Bjelopolës, sikurse na porositët, po paraqitim së bashku me këtë shkresë, nji relacion mbi ato mizorina, i forcuem me dhjetë copë dokumenta provuese. Shkëlqesia e Juaj e din vehtë se ç’masa duhet marrë për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve – gadi 10.000 shpirt – që janë tue vuejtun keqas, si edhe mbi çka duhet bamë qi ata mizorina mos të përsëriten dhe populli mund të shkojë në vend të vet. Edhe mbi atë pikë simbas porosisë së Juaj, e kemi dhënë mendimin tonë këshillues. Tue qenë të sigurt se Qeverija Mbretnore do t’a merrë parasysh këtë çështje me rëndësin e me ngutësin që meriton, mbeteni me shumë nderime.
N’emër të muhaxhirëve të Bihorit
P.S.
I lutemi së ndershmes Kryesi t’ia përcjellë sa më parë Kryqit të Kuq Shqiptar dokumentat origjinale, mbasi atij instituti i janë drejtue.
Promemoria mbi ngjarjet e tmerrshme në zonën e Bihorit
( Në vazhdim po japim nga pika 4 e dokumentit të Dytë në formë origjinale. I . A)
4. – Bilansi i ditëve tragjike të Bihorit, shkurtimisht, asht ky: Shtëpija të djegura 1763, burra të vramë 590; të therun 185, gra të vramë 340; gra të theruna 285, fëmijë të therun 701; të djegun 705, të grimë prej të ftohtit: fëmijë 447, gra 266, burra 119, të vdekur nga urija, të plagosur: burra 359, gra 275, të marrun rob (gra e vajza) 251. Pra, gjithsej, si mbas hetimeve të bamë me shpejti, del se të vdekurit janë 3741 dhe të plagosunit 634. Sa për 251 shpirt qi mungojnë, shumica e madhe e të cilave asht gra e vajza, këto do të jenë marrë rob qi t’u shërbejnë çetnikëve qi t’a plotësojnë veprën e tyne të turpshme e shnjerzore. I takon botës së qytetnueme t’i peshojë e t’i gjykojë këto mizorina. Mallkimi i Zotit le të bien pa mëshirë mbi ata q’i mendojnë e i kryejnë; dënimi i Drejtësis njerëzore le t’i ndëshkojë shkaktarët e kësaj kërdie qi janë tregue bisha të pashpirt.
5.- Shkaktar kryesuer i këtyre mizorinave mund të quhet Vojvoda Pavle Gjurishiq, shokët e çetat e tij. Ay paturpësisht pretendon se i asht shtrue autoriteteve ushtarake italiane të Maltzi dhe se bashkëpunon me to. Vepra kriminale e kryeme kundër Shqiptarëve të pafajshëm e të pamprojtun të Bihorit e provon plotësisht se Gjurishiqi dhe çetnikët e tij janë anmiq të betuam të fisit shqiptar. Janë gjithashtu anmiq të papajtueshëm t’Italisë: e treguen përpara dhe do t’a provojnë rishtas në ma të parin rast të volitshëm. Qi Pavle Gjurishiqi e organizoi planin e masakrit në Bihor dhe ndofta e zbatoi në vend, nuk duhet të ketë dyshim. Dëshminat e atyne q’i banë çetnikët në veprim e sipër; shenjat qi ata lanë në lamën e kërdisë s’provojnë mjaftësisht fajin e tij. Por, veç këtyne provave asht fakti se nuk mund të merret me mend qi, ndër ato vise, mund të veprojë nji çetë e madhe 4- 5 mijë vetësh pa dijen e pa lejen e tij. Në nji proklamatë të shpallun e të nënshkrueme prej tij, mbas masakrit, ay thotë tekstualisht: “Tragjedija e katundit Burgjeve ka sjellë dëshpërimin e popullit t’onë në kulm dhe ky ka eksplodue. Populli vetë asht çue me marrë gjakun dhe njëkohësisht me u mbrojtë. Kanë ndodhun tmere të pa mbajtura në mend deri më sot, qi ka qenë e pamundur me i ndalue. Komanda e çetnikëve dhe kryetarët e njësive të mija s’janë pjesëmarrës në këtë…” Qi ay gënjen pa turp, duket faqas, sepse çetnikët me uniforma e me të gjitha shenjat dalluese të tyne: ata e kryen kërdinë e jo katundarët malazias. Kjo gja asht evidente, e dukshme qartësisht, e pamohueme.
6.- Pavle Gjurishiqi flet, në Proklamatën e tij, për “tragjedinë e katundit Burgjeve” dhe, me këtë, don të thotë se faji asht i popullsis shqiptare, e cila i ka dhanë shkak munxynes së Bihorit. Kjo asht nji renë qi e akuzon dhe nuk e shfajëson. Ja si qëndron puna: Gadi dy muej ma para, malizas të katundit Burgjeve qi nuk shkojnë me Shqyptarët, mbassi shumë ndër “ta” e kanë zanat grabitjen dhe janë çetnikë, e atakuan katundin shqiptar Bular, rëmbyen 40 krenë lopë, 250 berra dhe vranë dy bari. Dy javë ma vonë, Shqiptarët e vendit, tue drojtun dhe kërcnime të tjera, u mbështjellën dhe shkuen në katundin Burgjeve, ku kishin mësue se gjindet nji pjesë e baktive të grabitun. Atje u pritën me pushkë prej çetnikëve dhe kështu u ndes nji luftë midis tyne. Përfundimi asht se u vranë disa nga të dy palët, u dogjën 5-6 shtëpi, por nuk u damtue as nji njeri qi nuk mori pjesë në luftim, as nji grue nuk u vra, as nji fëmijë nuk u plagos. Asht marri e thjeshtë të gjykohet se me ngjarjen e Burgjeve, të shkaktuese prej malaziasve, popullsia shqiptare ka provokue ahmarrjen e Bihorit. Kryeparë vihet re se katundi shqiptar Bulari, qi u ba shkak për ngjarjen e Burgjeve, as nuk gjindet midis atyne 82 katundeve që janë shkatrre prej çetnikëve.
7.- Asht jasht menç të thuhet se ndofta Shqiptarët e kanë shkaktue vet ngjarjen e Bihorit. Kryeepara ata mezi presin realizimin e idealit të tyne qi asht bashkimi me Mbretnin shqiptare. Ata e kanë kuptua mirëfilli se çdo ngatresë e trazirë në vend, shkon për dam të tyne. Ata vullnetarisht janë ba mbrojtës të qetësisë e kanë luftue kundër kryengritësve qi kërcnonin rendin e ri të vendosun n’at zonë. Ata u kanë dalë zot ushtarëve dhe karabinierëve italianë, kur këta janë ndodhur ngushtë si në ngjarjen e Beranës ku ishin rrethue nga çetnikët dhe u shliruen nga Shqiptarët -, jo për tjatër, por për njerzi e për mirënjohje kundrejt atyne ushtarëve qi kanë ardhur si shlirues të tokave shqiptare të Malitzi. Asht ky provokimi ma i randë për të cilin i fajson Pavle Gjurishiqi, sikundër del faqas nga Proklamata e tij q’u përmend ma nalt. Por, sigurisht “provokimi” asht vetëm nji fjalë për ta mbulue të vërtetën. Realiteti asht se Pavle Gjurishiqi me shokë, kundrejt Shqiptarëve nuk ban[ tjatër veç se me e zbatue planin ma të gjanë të Drazha Mihajloviqit. Baterdija e tmerrshme e Bihorit mund të thuhet se asht zbatimi i pikës së parë të Planit të kurdisun nga Mihajlloviqi, dhe të shpallun ca kohë ma parë prej Shtypit shqiptar, ku shfaqet qartas vendimi me e shfarosun popullin shqiptar t’atine krahinave.
8.- Të mjeruemit e tragjedis së Bihorit, ndër krahinat e Senicës e të Bjelopoles, nuk janë vetëm ata q’u shënuan ma nalt, në pikën 4. Janë edhe t’ikunit nga tmeri. Këta mbath e vdath kanë lanë plangun e shtëpinë dhe kanë marrë rrugën e malit dhe shumica e tyne kanë dalë përkëtej kufinit. Nji pjesë tjatër e madhe gjindet në Qendrën e Bjelopoles. Të parët janë 6- 7 shpirt, shumica në Pejë. Ata të Bjelopoles janë 4-5 shpirt. Të gjithë gjinden mos ma keq. Të plagosunit e të sëmundit janë në rezik të madh. Sëmundje të rënda dhe të rrezikshme, edhe për popullsinë e vendit, mund të shfaqen në mes të tyne. Të gjithë kanë nevojë për ndihmë të shpejtë dhe të dobishme. I takon Qeverisë mbretërore t’i vendojë e t’i zbatojë me ngutësi masat që do t’i duken ma të përshtatshme. Masat e shpejta dhe ma të nevojshme munden me u radhitë në këtë mënyrë: a) Organizimi i ndihmës, zyrtare e kombëtare, për muhazhirët të mjeruemit: strehim, veshje dhe ushqim; b) Dërgim i shpejtë mjekësh dhe barnash për të sëmundit; c) Organizimi i rikthimit të muhazhirëve nëpër vendet e tyne, pasi të vendoset atje qetësija dhe sigurija; d) Përkrahje materiale që të mundin ata t’a rifillojnë sa më parë punimin e tokës.
KUJTESE- Në prag të 90 vjetorit të vrasjeve masive në Shahoviq të Sanxhakut
Për krimin në Shahoviq të Sanxhakut që ndodhi në fillim të nëntorit të vitit 1924 pothuajse askush nuk ka guxuar të flas apo të shkruaj. Ky krim është fshehur aq shumë sa që edhe sot dihet pak për te. Milovan Gjilas ishte ndër të rrallët që ka shkruar në librin e tij “ Bezpravna Zemlja”. Aty ai përshkroi Gjenocidin në Shahoviq duke bërë me dije se ky krim, i përmasave të gjenocidit, nuk ka qenë një hakmarrje spontane, siç e ka përshkruar shtypi serb e malazez, por i planifikuar në detaje.
Shkruan: Ismet Azizi/
Shqiptarët në vitin 1924 kanë përbërë gati gjysmën e popullsisë të vendbanimit të quajtur Shahoviq. Kjo popullsi është vrarë dhe dëbuar nga shtëpitë e tyre brenda 24 orëve nga malazezët. Kjo ngjarje jo e ndriçuar sa duhet, u jep mundësi historianëve të ndryshëm të japin shifra të ndryshme për numrin e viktimave.
Malazezët duke publikuar shifrën vetëm 80 viktimave, në shkrimet e ndryshme japin edhe arsyet e sulmeve malazeze ndaj fqinjëve të tyre.
Numri i saktë i viktimave të krimit në Shahoviq nuk dihet, por mendohet se është diku rreth 600-750 të vrarë. Në Shahoviq para kësaj ngjarje kanë qenë të banuara 576 shtëpi me malazezë, 1580 shtëpi me shqiptarë dhe boshnjakë, ose 26.8% serb e malazezë dhe 73.2 % shqiptarë e boshnjakë.
Vazhdimësia e krimeve kundër sanxhaklinjëve ka vazhduar nga luftërat ballkanike të vitit 1912, mandej krijimi i Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve në 1918 e deri në rënien e Mbretërisë së Jugosllavisë në vitin 1941 por edhe gjatë shkatërrimit të Jugosllavisë së Titos. Jeta e shqiptarëve dhe myslimanëve të Sanxhakut dhe më gjerë në Jugosllavinë e Parë, nuk kishte asnjë vlerë, sikurse edhe në viset tjera të banuara me shqiptarë dhe jo serb edhe në Sanxhak ishte tejet e vështirë.
Në Sarajevë, në vitin 1919 qëndroi gazetari francez i revistës Tempos, i cili është takuar me Reis-ul-Ulemanë Xhemaludin Çausheviqin. Gazeta në fjalë citon deklaratën e Reisit: Mijëra njerëz u vranë, gjashtë gra u dogjën, 270 fshatra u shkatërruan dhe u plaçkitën, ky është bilanci për ne myslimanët me rastin e krijimit të Jugosllavisë…
Masakra në Shahoviq, Pavino Pole, Vranesh dhe fshatrat përreth, ishte krimi më i madh kundër popullsisë të përkatësisë myslimane gjatë kohës së paqes në Mbretërinë SKS. Gjenocidi është kryer më datën 9 dhe 10 nëntor të viti 1924. Praprakisht më 7 nëntor të viti 1924, komitat malazeze kanë vrarë Boshko Boshkoviqin në një pritë në malin Cer. Është me rëndësi të përshkruajmë se kush ishte Boshko Boshkoviq dhe çka thotë në lidhje me te në librin e tij Milovan Gjilas “Vendi pa drejtësi”(anglisht: Land Without Justice), (serbisht: Besuda zemlja, 2005).
Boshkoviq ishte një toger i këmbësorisë në formacionin rezervë, inspektor i Ministrisë së Punëve të Brendshme, shefi i qarkut të Kollashinit, mbështetës fanatik i krahut të Pribiqeviqit të Partisë Demokratike. Ishte dalluar në shtypjen e lëvizjes së kaçakëve. Këto detyra i kishte kryer me arrogancë dhe mizori, duke i terrorizuar kundërshtarët politikë. Kjo ishte arsyeja që kundër tij në vitin 1921 është ngritë interpelancë në Asamblenë Kombëtare. Gjillasi e përshkruan në detaje vrasjen e vëllaut të plaqkitësit të famshëm Todor Duloviqit gjë që më vonë do të jetë shkak i likuidimit Boshkoviqit nga komitët malazezë. Sipas të gjitha gjasave Boshkoviq është vrarë nga vëllezërit Drago dhe Radosh Bullatoviq.
Krimi apo vrasja masive kundër sanxhalinjëve në Shahoviq është kryer më 9 dhe 10 Nëntor 1924
Togeri Boshkoviq me një batalion bënë krime të rënda, plaçkitje dhe vrasje në vitin 1912 në fshatrat e banuara me shqiptar në Peshter. Në fshatin Doliq ka vrarë 20 persona, pesë vetë u vranë nga ai në fashatin Uglla kurse në Tuzinje janë vrarë 10 veta. Në fshatin Rasnë një përson ka ekzekutuar katër anëtarë të familjes Kurtagaj kurse në Koritim u vranë 58 meshkuj dhe dy femra.
Për vrasjen e Boshkoviqit u akuzua komiti i njohur Jusuf Mehonjiqi, i cili në këtë kohë nuk gjendej në këtë anë. Varrosja e Boshkoviqit është bërë më 9 tetor në fushën e Kollashinit. Aty ishte një numër i madh i njerëzve, zyrtarë e qeveritarë, të cilët ishin ftuar nëpërmjet korrierëve. Vlerësohej se ka pasur rreth 2000 njerëz. Janë mbajtur fjalime që kishin ndezur masën duke akuzuar Jusuf Mehonjiqin dhe banorët e fshatit Shahoviq dhe Vranesh si përkrahës të tij, ku u kërkua hakmarrje.
Një ditë para se të kryhej varrimi i Boshkoviqit autoritetet urdhëruan popullsinë myslimane që të sjellin të gjitha armët e tyre për t’iu ndarë malazezëve. Kryeshefi i qarkut të Bjellopoles, Cemoviq, duke kaluar nëpër Shahoviq, dhe duke shkuar në varrimin e Boshkoviqit, xhandarëve u urdhëroi evidentimin e të gjithë myslimanëve të dalluar të Shahoviqit dhe rrethinës. Evidentuesi kishte mbledhur 32 myslimanë me pretekstin se jeta e tyre ishte në rrezik por në realitet u burgosën.
Kur kryeshefi Cemoviq ishte kthyer nga funerali dhe pa se ishin vetëm 32 pengje kërkoi më “turq “. Xhandarët me shpejtësi arrestuan edhe 20 të tjerë. Të gjithë këta njerëz janë kapur në mashtrim. Këto pengje, pranë varrezave myslimane, jo larg vendbanimit, në mënyrën më mizore janë ekzekutuar . Nga i gjithë grupi vetëm dy kanë shpëtuar. Një fëmijë 13 vjeç u shpëtua nga nji malazez i cili gati u vra për shkak të këtij veprimi. Sipas dëshmisë së Bahrës, bijës së myftiut të Bjello Poles, Mustafa Salihbegoviqit, i cili ishte në komisionin për hetim, tha se janë identifikuar 60 pengje të masakruara.
Në peticionin për mbretin Aleksandër Karagjorgjeviq, të 21 nëntor të viti 1924, të cilin e dërguan popullsia myslimane e Shahoviqit dhe Pavino Polës, thuhet se sulmi është kryer nga rreth 2000 malazezë të armatosur të Kollashint dhe nga viset tjera kurse fronti shtrihej në vijën prej 19 kilometra gjatësi. Hamdi Beg Hasanbegoviqi dhe Amir Musiqi u përpoqën personalisht ta informojnë mbretin në Beograd, por ai i refuzoi kurse ankesën ia kishin dorëzuar stafit të mbretit.
Gazeta “Politika” e Beogradit nr. 5947 e 13 nëntorit të vitit 1924 raporton se pas vrasjes së Boshkoviqit, gjatë ndjekjes së hajdutëve, kanë marrë pjesë fshatarët nga rrethina e Bijelo Poles, për dy ditë të plota gjatë 10 dhe 11 nëntorit. Gjithë ky aksion ishte nën zinxhirin komandues, i cili u ndërmor kinse ishin “lodhur” nga komiti Jusuf Mehonjiqi. Sikur mos të kishte reaguar xhandarmëria dhe ushtria, pasojat do të ishin edhe më të mëdha.
Kryetari i Xhemijetit Ferhat bej Draga më 14 nëntor të viti 1924 iu drejtua ministrit të Punëve të Brendshme me një mocion lidhur me mizoritë e tmerrshme në këtë rajon. Ky mocion u botua në “Pravda” të Sarajevës (nr. 262) të 18 nëntorit. Aty, në mes të tjerash, thuhet: Zoti ministër! Kjo masakër si një veprim i përbashkët i autoriteteve policore lokale dhe Vasojeviqëve, përgjegjës janë autoritetet policore, të cilët kanë qenë me kohë të paralajmëruara për rrezikun dhe nuk ndërmorën asnjë veprim për ta parandaluar këtë masakër. Në këto rrethana përgjegjësia është më e madhe e pushtetit se sa e bandave, sepse deri tash askush nuk është arrestuar …
Ndërsa gazeta “Politika” e Beogradit nr. 5949 e datës 15 nëntor 1924 raporton me titullin: Protesta e Ferhat Beg Dragës me rastin e hakmarrjes së Vasojeviqëve ndaj vrasjes së Bosko Boshkoviq. Mandej gazeta shkruan për veprimin e Ferhat beut, i cili i dërgoi një letër proteste ministrit të Punëve të Brendshme V. Maksimoviqit.
Gazeta “Politika”, kështu kishte parë të nevojshme të shkruaj në lidhje të një letër proteste të Ferhat Beut dhe krimet e kryera ndaj qindra burrave të pafajshëm, grave dhe fëmijëve. Më shumë ka pasur viktima se sa shkronja të harxhuara për këtë artikull të botuar në gazetën Politika. Krejt kjo flet për qëllimin e paramenduar të spastrimit etnik dhe fshehjes me qëllim që askush mos të thirret në përgjegjësi.
Përsëri duhet cituar Millovan Gjilasin: prijësve myslimanë u janë shkulur mjekrat dhe u është gdhendur kryqi në kokat e tyre. Në një fshat i kanë lidhur një grup të njerëzve me tela rreth stogut me kashtë dhe iu është dhënë zjarri. Pas kësaj njerëzit për një kohë të gjatë kanë folur për mënyrën e djegies së njerëzve në flakë. Një grup prej tyre kishin sulmuar një fshatar në shtëpinë e tij në një zonë të largët. Fshatari sapo kishte rrjep një qengj të varur në një kumbull. Ata kishin për qëllim ta pushkatonin edhe këtë fshatar, t’ia djegnin shtëpinë por qengji i rrjepur i kishte nxitur që edhe me fshatarin e gjallë të veprojnë njësoj siç kishte vepruar ai me qengjin. Njëri prej tyre e vari fshatarin në kumbullë kurse një një kasap me përvojë, me sopatë is përgjysmoi trupin.
Në librin e Gjillasit në gjuhën serbe “Vendi pa drejtësi” këto pjesë të dëshmimeve të krimeve janë hequr por ato gjenden në versionin anglisht.
Menjëherë pas vrasjes së pengjeve filloi një sulm i përgjithshëm, dogjën shtëpi, vranë të rinj dhe të vjetër, gra dhe fëmijë nga krahët e nënave të tyre. Numri i viktimave nga tregimet e njerëzve të cilët mbijetuan tmerret është mbi 500 kurse sipas disa tregimeve dhe të dhënave historike, numri është shumë më i lartë. Këto të dhëna u siguruan nga numërimi i të afërmve dhe fqinjëve të tyre. Derisa ndodhte tmerri autoritetet lokale nuk kanë ndërmarrë asgjë ndaj kriminelëve bile edhe në këtë krim kishin marrë pjesë edhe ata vet. Rasti i vetëm ishte kur shefi i qarkut Plevlës, Kreckoviq, iu vjen në ndihmë njerëzve të pafajshëm, duke iu kërcënuar se do ta angazhoj ushtrinë.
Sanxhaklinjtë të cilët i mbijetuan gjenocidit në Shahoviq dhe rrethinë kurrë nuk u kthyen në tokën e tyre. Shumë shpejt, kjo zonë mbeti e shkretë ndërsa tokën e mbetur e grabitën fqinjët e tyre malazezë. Askush ndonjëherë nuk është përgjigjur për këtë këtë vrasje masive.
Popullsia e mbetur u shpërngul në brendësi të Sanxhakut dhe Bosnjës. U shpërndanë nëpër tërë viset e Sanxhakut, trevave të Vishegradit dhe nëpër qytetet tjera por një numër i konsiderueshëm i tyre më tepër se 100 shtëpi emigruan në Turqi kryesisht në Izmir.
Sot vendbanimi Shahoviq quhet Tomashevo, sipas një komandanti partizan, në të nuk jeton më asnjë mysliman. Kolonët e tanishëm në Shahoviq thonë se shpesh gjatë natës nuk mund të flenë, sepse dëgjojnë zëra të thirrjes së ezanit për namaz, shkruan revista e Podgorices “Vjesnik “ e 25 janarit 2005. Për të njëjtin fenomen shkruajnë edhe Harun Crnovrshanin dhe Nuro Sadikoviq në librin e tyre “ Bijt e Sanxhakut”(“Sinovi Sandžaka” ).
A po formohet “ Ushtria e Sanxhakut”?
Në rrjetet sociale janë paraqitur disa faqe të cilat kanë të bëjnë me krijimin e “Ushtrisë së Sanxhakut”. Në një faqe të hapur në facebook para 4-5 ditëve, bëhet thirrje për formimin e “Ushtrisë së Sanxhakut”. Në disa postime tjera ftohet çdo individ që të armatoset sa më mirë. E gjithë kjo arsyetohet me mbrojtjen e popullsisë boshnjake dhe territorit të Sanxhakut./
Nga Ismet Azizi/
Në lidhje me hapjen e kësaj faqe të internetit, për prononcimet dhe thirrjet që janë bërë, është deklaruar edhe Reshat Pllajoviq në emër të Bashkësisë Islame. Ai për TV B92 ka deklaruar: “Konsiderojmë se ky është një keqpërdorim i një manifestimi të qetë kulturor me qëllim të diskreditimit të sajë si dhe organizatorët e tij, dhe po ashtu edhe nxitje të mosbesimit dhe panik ndërmjet qytetarëve të këtij regjioni”.
Pllajoviq, poashtu, ka shtuar se kush qëndron pas kësaj thirrje dhe këtij keqpërdorimi përgjigjen mund dhe duhet ta gjej te organet përgjegjëse të këtij shteti. Gjithashtu, ai deklaroi se mbrojtja e qytetarëve dhe e regjionit është detyrë e shtetit dhe organeve të tij. Ai shtoi se pas këtyre thirrjeve “qëndrojnë ata të cilët gjatë këtyre ditëve në mediet serbe vazhdojnë të paraqesin-shtrojnë akuza të tmerrshme dhe gënjeshtra në llogari të BI dhe ndaj udhëheqësish së sajë, të cilët në këtë mënyrë sigurojnë edhe më tutje vëmendjen e medieve”.
Nuk dihet se kush i ka hapur këto faqe në internet. Prokurori serb për kriminalitet të lartë teknologjik, Branko Stamenkoviq, për TV B92 deklaroi se tashmë ka reaguar dhe ka kërkuar nga Ministria e Brendshme të grumbulloj informacione.
Prokurori Stamenkoviq tha se menjëherë, sapo është njoftuar se një faqe e tillë ekziston, është hapur procedura dhe ka kërkuar nga Ministria e Brendshme që të mbledhë të gjitha të dhënat. “Ka disa indikacione të caktuara se mundë të veprohet në këtë çështje, dhe pasi të mblidhet materiali, do të njoftohet opinioni publik”, ka deklaruar Stamenkoviq.
Supozohet se qëllimi i formimit të “Ushtrisë së Sanxhakut,” sipas shkrimeve të autorit në faqen e internetit, është mbrojtja e popullsisë boshnjake dhe jo serbe, po ashtu edhe mbrojtja e territorit të Sanxhakut. Kjo dukuri është duke ndodhur pas kërcënimeve të çetnikëve të kthyer nga Ukraina, të cilët kanë paralajmëruar marshimin nëpër rrugët e Pazarit të Ri .
“Presim që autoritetet shtetërore do të reagojnë sa më shpejtë që është e mundur, për shkak se ky është momenti i fundit për të treguar seriozitetin e sistemit, se institucionet punojnë, që askush nuk mund të krijojë një panik të tillë,” ka deklaruar për B92 Meho Omeroviq anëtarë i Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave. Omeroviq shtoi se këtu bëhet fjalë për shkelje të ligjit.
Duhet përmendur se TV B92 nuk ka transmetuar deklaratën e drejtorit të medresesë Reshad Pllojoviqit, e cila është bërë me kërkesë të korrespondentit të B92, dhënë këtij televizioni.
Në një takim me simpatizantët e tij në Novi Pazar, zëvendëskryeministri i Serbisë Rasim Lajiq, vuri në dukje se një grusht njerëzish sipas tij, duan të tërheqin vëmendjen për veten e tyre dhe me budallallëqet e tyre të ndryshme po i shkaktojnë dëme të mëdha tërë popullit.
“Marshimi në uniforma të gjelbra, deklarata të ndryshme ekstremiste dhe nacionaliste, përmendja e sërishme e autonomisë për Sanxhakun dhe çdo gjë tjetër që kemi dëgjuar në 15-20 ditët e fundit në Novi Pazar na kthen në vitet e nëntëdhjeta, të kaluarën e shëmtuar dhe na shkakton dëme të mëdha. Por , Novi Pazari iu thotë jo këtyre veprimeve. Shumica e njerëzve këtu duan punë, rrugë, shkolla, investitorë të huaj dhe prosperitet. Shumica këtu dëshirojnë në vend të uniformave ushtarake të shohin ato të punëtorëve, inxhinierëve, mjekëve … ” tha përveç tjerash Lajiq duke abstrahuar faktin se ai më tepër se 20 vite është në pushtet, dhe se për gjendjen e mjerueshme në Sanxhak pikërisht ai më së shumti është fajtorë. Edhe më tepër, sipas shumë analistëve, Lajiq është ministër i “përhershëm” në qeverinë serbe, pavarësisht se cila parti është në pushtet.
Të gjitha këto ngjarje po ndodhin në prag të zgjedhjeve për Këshilla Nacionale. Si duket kundërshtarët politik i ka kapluar paniku, sidomos Rasim Lajiqin, të cilin po e pengon përafrimi i Bashkësisë Islame në krye me myftiun Zukorliq dhe Partia e Aksionit Demokratik (SDA) e Sulejman Uglaninit.