Ditën e mërkurë, dt. 25.03.2015 u nda nga jeta në moshën 73 vjeçare akademiku dhe politikani i shquar prof. dr. Ylli Vejsiu.
I diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për matematikë dhe ekonomi Prof. dr. Ylli Vejsiu u bë i njohur si matematikan, ekonomist dhe
demograf. Ndër vite ka kryer punën e pedagogut në Fakultetin e Shkencave të Natyrës e më pas është transferuar në Drejtorinë e Statistikës si kryespecialist në Komisionin e Planit të Shtetit.
Pas zhvillimeve demokratike në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, Prof. Dr. Ylli Vejsiu u përfshi në politikë, ku zhvilloi një karrierë të shquar dhe plot kontribute. Në vitet 1992 – 1996 ai u zgjodh deputet i Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe ka mbajtur edhe postin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
Ka qenë anëtar i Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi.
Si akademik është autor dhe bashkautor i njësërë monografive dhe teksteve mësimore. Që prej vitit 2009 ka qenë anëtar i Bordit Drejtues të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC). Pavarësisht gjendjes jo të mirë shëndetësore në vitet e fundit, ai dha kontribut të vyer në Institut me staturën e tij si njeri i shkencës dhe i politikës.
Ceremonia funerale dhe nderimet e fundit u kryhen ditën e enjte, dt. 26.03.2015, ora 14.00, në adresën Rr. Mihal Grameno, 100 metra mbi shkollën e Baletit.
(Njoftim i INSTITUTIT SHQIPTAR TE MENDIMIT DHE QYTETËRIMIT ISLAM)