• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Jusuf e Bardhosh Gërllava dhe Kadri Zeka, Amanet si duhet dashur KOMBI

January 16, 2019 by dgreca

Jusuf e Bardhosh Gërllava dhe Kadri Zeka,na lanë amanetin e shejtë së si duhet dashur Atdheu dhe Kombi/

1 Gervallet e Zeka

Nga Jahja LLUKA/

për nga natyra me mençurinë,karakterin dhe vizionin që kishin, ishin dhe do mbeten personalitete të kalibrit europian,beteja e tyre u fitua me luftën dhe lirinë e popullit shqiptar, rruga dhe misioni i tyre le të mbetet e shejtë për çdo shqiptar i cili e do atdheun e tij. “Në shesh i nxora gjithë rekuizitat e parajsës /e syri i zbrazët në roje sodiste/ dhe përgjonte pamundësinë time të mundshme.”- Jusuf Gërvalla Të flasësh hapur në atë kohë të humbur e të vështirë, ta kesh guximin e Herkulit, e të dalësh para botës, duke treguar vuajtjet e kombit tënd, i cili ishte nën luhatje për shuarje të përhershme, këtë e bëri vetëm Jusufi, misionin e tij thuajse të pamundur e ndjekën vëllau Bardhoshi dhe miku i tyre Kadri Zeka. Përgjatë epokave të ndryshme, nga gjiri i kombit tonë kanë dalur figura madhështore, të cilët me veprat e tyre sublime, kanë mbetur të përjetshëm. Përtej lashtësisë, popujtë tjerë na kanë pasur njëherësh lakminë dhe zilinë, për guximin, karakterin dhe besën, virtyte këto që u përcollën deri në ditët tona, e që na bënë t’iu mbijetojmë situatave të rrezikshme, agresionit të pushtuesve, të cilët kishin një qëllim të vetëm, asgjësimin nga faqja e dheut,të qenies shqiptare. Neve bota na njeh për guximin dhe virtytet e Skënderbeut, të cilat civilizimi perëndimor i lakmon dhe nderon, por kemi edhe shumë figura të tjera, të cilat çdo popull që do lirinë andërron t’i ketë.Në historinë tonë më të re, padyshim që vend të veçantë zënë figurat e Vëllezërve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Këto tri personalitete të shquara, për nga natyra me mençurinë,karakterin dhe vizionin që kishin, ishin dhe do mbeten personalitete të kalibrit europian, të cilët mjerisht u vranë nga dora e armikut, por vepra e tyre dhe atdhedashuria që ata kishin, do mbeten përgjithmonë vlera të patjetersueshme, në kujtesën shqiptare. Të shkruash për këto tri personalitete, është e vështirë të gjeshë fjalë për të përshkruar dashurinë që ata kishin për atdheun dhe misionin e tyre vetësakrifikues, në mbrojtje të interesit kombëtar.Andaj sot, vepra e tyre le të mbetet shembëlltyrë për brezat e ardhshëm. Populli shqiptar po jetonte mjerimin nën Jugosllavi dhe kjo gjendje për Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun ishte e papranueshme. Andrra e tyre e cila u shndërrua në ideal ishte çlirimi i këtij populli të shumëvuajtur, të varfër dhe të privuar nga kushtet për një jetë të dinjitetshme. Veprimtaria patriotike e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës filloi në moshë të hershme. Duke parë si domosdoshmëri dhe qëllim ata asnjëherë nuk u dorëzuan edhe pse presionet nga ana serbe ishin të mëdha. Në intervistën e rrallë të Jusuf Gërvallës për prestigjiozen gjermane “D. Cajtung” ai flet për diskriminimin e shqiptarëve nën regjimin serbë. “Diskriminimi kombëtar bëhet në shumë aspekte. Më 1946 Jugosllavia e ndaloi përdorimin e flamurit shqiptar në emër të ”Internacionalizmit Proletar”. Një vit më vonë, përkatësisht në vitin 1947, u morr vendimi për dorëzimin e tepricës së drithërave në emër të njëfarë solidariteti. Kështuqë vetë shqiptarët u detyruan të jetojnë edhe pa bukë gjatë atij viti. Disa vjet më vonë u bë kolektivizimi bujqësor, eksperiment, që është bërë vetëm në Kosovë. Qëllimi ishte që, tokat e shqiptarëve të përzihen me ato të serbëve. Në vitin 1956, derisa Rankoviqi ishte akoma në pushtet, vetëm në Kosovë u bë një aksion për mbledhjen e armëve. Me këtë rast shumë burra shqiptarë u burgosën dhe u torturuan. Kjo ka ndodhur atëherë gjatë dimrit. Thuajse gjithë natën i kanë detyruar të qëndrojnë në kanale me ujë ose të lidhur lakuriq pas trungjeve të pemëve. Përsa i përket politikës ekonomike, Kosova është një vend shumë i pasur, përsa i përket bujqësisë edhe pasurisë me xehe. Në popull flitet për një Kaliforni të dytë. Kosova përmban 64 për qind të të gjitha rezervave të nikelit e kromit, 65 për qind të rezervave të zinkut dhe plumbit, 28 për qind të rezervave të magnezit. Të gjitha, këto të dhëna, janë publikuar në gazetat jugosllave. Përkundër kësaj, në Kosovë nuk ekziston industria përpunuese. Të gjitha produktet nga këto përsëri i shiten Kosovës me përfitime të shumëfishta. Dy emigracione të Kosovës….. Kjo mund të dëshmohet edhe me të ardhurat mesatare bruto për frymë. Të ardhurat e një banori të Kosovës në vitin 1953 kanë qenë 43 për qind më të vogla, se sa të një banori të Sllovenisë, republikës më të zhvilluar në Jugosllavi. Njëzet vjet më vonë, në vitin 1977, ato ranë në 37 për qind.Edhe pse Kosova është furnizuese kryesore me energji elektrike, 250 fshatra nga 1300, që ka gjithsej Kosova, janë ende të paelektrifikuara. Që, thënë shkurtimisht, zhvillimi dhe funksionimi i Kosovës është i orientuar për furnizimin e Jugosllavisë. Ky diskriminim i madh ekonomik ka për pasojë papunësinë e madhe. Sipas të dhënave të pranuara zyrtarisht, papunësia në Kosovë është mbi 20 për qind. Kjo ka për rrjedhojë emigrimin e brendshëm dhe emigrimin e jashtëm. Emigracioni i brendshëm do të thotë brenda Jugosllavisë, kurse ai i jashtëm në shtetet evropiane. Midis viteve 1968-1978, p.sh. gjysma e popullsisë fshatare u detyrua të emigrojë.” Të flasësh hapur në atë kohë të humbur e të vështirë, ta kesh guximin e Herkulit, e të dalësh para botës, duke treguar vuajtjet e kombit tënd, i cili ishte nën luhatje për shuarje të përhershme, këtë e bëri vetëm Jusufi, misionin e tij thuajse të pamundur e ndjekën vëllau Bardhoshi dhe miku i tyre Kadri Zeka. Për ta, diskriminimi i popullit shqiptar ishte i papranueshëm sepse historikisht, ky popull i përkiste lashtësisë dhe civilizimit europian e që aty ku kishte rrënjet, pushtuesit si hiena ishin vërsulur, duke ju mohuar gjuhën, kulturën dhe historinë, dhe duke ju mohuar jetën me të vetmin qëllim për t’i asgjësuar njëherë e përgjithmonë nga faqja e dheut. Ja çfarë kishte thënë Jusufi për intervistën e rrallë e cila, ju botua pas atentatit ndaj tij, në ballinën kryesore të prestigjiozes gjermane “D. Cajtung” “Fillimisht ka pasur diskrimin përmes injorimit të historisë kombëtare. Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe janë populli më i vjetër i Ballkanit. Deri në vitin 1968 shqiptarët kanë qenë të detyruar ta mësojnë historinë sllave, gjë që do të thotë historinë e dinastive të ndryshme serbe. Historinë tonë nuk guxonim ta mësonim. Pas Luftës së Dytë Botërore, aty këtu, u formuan shkollat ku mund të mësohej gjuha shqipe. Përmes presionit të intelektualëve dhe politikanëve shqiptarë numri i atyre shkollave u shtua, kështuqë u bë shkollimi masiv në gjuhën shqipe. Por, ata njerëz më vonë u dënuan me shumë vjet burg. Fillimisht u formuan vetëm shkollat fillore, më vonë edhe shkollat e mesme. Në vitin 1965 pranë Universitetit të Beogradit u hap Fakulteti i Albanologjisë. Ndërsa më 1968 në Kosovë pati trazira studentore, të cilat vërtetë kanë arritur ca suksese. Kështu që atëherë gjuha shqipe u njoh si gjuhë zyrtare në Prishtinë dhe u themelua Universiteti në gjuhën shqipe. Përdorimi i gjuhës amtare nuk ka qenë i lejuar dhe aty kanë qenë të punësuar kryesisht serbët. Tani rajoni zyrtarisht është dy gjuhësh, serbisht dhe shqip. Madje është përcaktuar me ligj që, ndokush që, nuk e di gjuhën shqipe nuk mund të punësohej fare, por në praktikë thuajse askush nuk i përmbahet këtij ligji. MASAKRI ME QËLLIM TË ASIMILIMIT!” Mendje ndriturit, vizionarët Jusufi dhe Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, u bënë pengesë për regjimin serb, dhe UDB-në. Ishte e papranueshme për ta që dikush i këtij kalibri europian, të dilte në pah, pasi që propaganda serbo-sllave, ishte aq aktive, diplomacia serbo-sllave e cila edhe sot vazhdon me të njejtën kartë, i paraqiste shqiptarët tërësisht shpellar, të pashkolluar, injorantë e të mjerë. Ishte planifikuar çdo gjë me përpikmëri për qëllimet famëkeqe serbo-sllave, duke mos justifikuar mjetet e tyre për zhbërjen dhe grabitjen e tokave shqiptare. Me 17 janar 1982, në një atentat të planifikuar qëllohen për vdekje në Gjermani, Bardhoshi dhe Kadriu, ndërsa Jusufi plagoset rëndë, duke u vrarë pastaj në në spitalin e Heilbronnit të Gjermanisë. Duke i ditur rreziqet dhe kërcënimet ata asnjëherë, nuk u ndalën, sot ne duhet të jemi krenar për këto tri personalitete të cilat, me vrasjen e tyre bënë që bota t’i kthejë sytë kah ne. Jusufi e Bardhosh Gërvalla si dhe Kadri Zeka, i shkuan misionit të tyre deri në fund, shpirtrat e lire të tyre nuk e duruan robërinë nga armiku gjakatar. Po citoj dy vargje nga poezia e Jusuf Gërvallës “Lufta dhe arti” “Tutje gjithnjë akull -Këndej gjithnjë zjarr-Unë jam syri i Aladinit-E shoh veten si digjem-në betejën e tmerrshme-të fjalës-e të mendimit/ Me shenjtëri të mallkuar-me përfytyrimin e qartë-e krijoj-Në mua shushurijnë dete-të qena-në ëndërr” Beteja e tyre u fitua me luftën dhe lirinë e popullit shqiptar, rruga dhe misioni i tyre le të mbetet e shejtë për çdo shqiptar i cili e do atdheun e tij.

Filed Under: Histori Tagged With: Jahja Lluka, Jusuf e Bardhosh Gërllava dhe Kadri Zeka

Rexhep Mitrovica- Burrështetasi që u la nën harresë

January 3, 2019 by dgreca

1 rexhep-mitrovica
Nga Jahja LLUKA/
 I vetmi kryeministër i Shqipërisë Natyrale,përgjatë periudhës 5 nentor 1943- maj 1944. Figura e tij shumë-dimensionale dhe karakteri i tij unik bënë që Rexhep Mitrovica, të jetë prijës i Shqipërisë, në situatë mjaftë delikate kur bota digjej. Nën hijen e harresës dhe vepra dhe figura e Rexhep Mitrovicës nuk ish dashur të zbehet, përkundrazi duhet të jemi krenar që kemi pasur një kryeministër të rangut botëror, i cili ja kishte vënë vetes një qëllim shpëtimin e kombit shqiptar, nga rreziqet që vinin në dëm të atdheut. Rexhep Mitrovica ishte njeri largpamës, njëri ndër më meritoret për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe,sepse ai e kishte kuptuar një gjë, që një popull analfabet të cilit i ishte mohuar çdo e drejtë ekzistenciale dhe qytetëruese , e kishe thuajse të pamundur të dilte nga zgjedha e robërisë. Andaj duke kujtuar dhe respektuar veprën e Rexhep Mitrovicës është mire që eshtrat e tij të riatdhesohen, në tokën të cilën ai aq shumë e deshti, duke i falur rininë, guximin, mençurinë dhe energjinë deri në çastet e fundit të jetë së tij. Edhe pse i rritur në një frymë orientale,Rexhep Mitrovica nuk harroi kurrë se kush ishte dhe çfarë ishin shqiptarët. Të jetuarit në mendësi orientale për Mitrovicën ishte nënçmim, në zemrën e tij kishte zënë vend poezia, filozofia dhe historia. “Rexhep Mitrovica u lind me 15 Janar 1888, në Mitrovicë, nga prindërit Hajria dhe Mahmudi.” Familja e tij falë pasurisë që kishin i mundësuan shkollimin, gjë që ndikoi pozitivisht në formësimin e karakterit të tij. Qysh i ri kishte shfaqur disa specifika të veçanta të cilat më pas e shoqëruan tërë jetën, për ta bërë atë personalitet të kohës në të cilën përkiste por dhe më gjërë. Ishte nxënës i shkollës fillore të Shkupit, më pas vijoi mësimet në në Gjimnazin Mbretëror të Selanikut dhe në liceun privat modern “Progres” në Selanik. Në Paris Rexhep Mitrovica u bë një me frymën eurpoiane e cila thuajse i ishte mohuar sa kishte qenë në vendlindje përshkak të rrethanave ekzistuese. Përveç që njohu për së afërmi civilizimin e mohuar, atje studioi letërsi frënge dhe drejtësi dhe poashtu degën e elektricitetit. Duke qenë çdoherë me mendje dhe zemër kah atdheu Rexhep Mitrovica pash shpërthimit të Revolucionit Xhonturk më 1908, kthehet në atdhe ku angazhohet për përgatitjet e Kongresit të Manastirit. Niveli i tij intelektual ishte i lartë dhe dëshira e tij për t’i shërbyer atdheut bënë që me 1909,emërohet mësues dhe pastaj drejtor në Normalen e Shkupit.Zgjidhet nënkryetar i klubit “Bashkimi” dhe bashkëpunon me gazetën e këtij klubi “Bashkmi i Kombit”. Veprimtaria e tij mjaftë aktive pason me pjesëmarrjen e tij në në Kongresin e II të Manastirit me 2-3 prill 1910. “Pas dy vitesh me 1912,udhëton me Mit’hat Frashërin,Sali Gjukën e Bedri Pejanin nga Shkupi në Mitrovicë,Pejë,Gjakovë,Durrës deri në Vlorë,ku më 28 Nëntor ngrihet Flamuri Kombëtar dhe shpallet Pavarësia e Shqipërisë” Rexhep Mitrovica ishte një ndër protagonistët kryesor të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, është nënshkrues i dokumentit të Pavarësisë dhe më pas zgjidhet anëtar i Senatit dhe nënministër i Punëve Botore. Pas Konferencës së Londrës me 1913, territori i Kosovës mbet sërish nën zgjedhën serbe. Krimet serbe ndaj popullatës shqiptare nën shenjë hakmarrje dhe gjenocidi ishin të tmerrshme. Rexhep Mitrovica nuk mund të rrij i heshtur përballë asaj situate,kështu i shkruan letër Ismail Qemalit duke rrëfyer për gjenocidin serb ndaj popullatës shqiptare, për t’iu bërë të ditur fuqive perëndimore vuajtjet dhe tmerret nëpër të cilat kalonte kombi ynë. “Në Mars të 1914,u dekretua drejtor i arsimit për Shqipërinë e Mesme.Nënshkruan një protestë kundër mizorive serbe në Veriun e Shqipërisë.” Situata politike në Shqipëri ishte e pakëndshme, ndërsa rrethanat e shtyejnë Rexhep Mitrovicën të emigrojë në Sofje më pas në Bukuresht të Rumanisë me 1915. Duke parë nivelin e analfabetizmit në trojet shqiptare, Rexhep Mitrovica nuk mundi të qëndroj në megrim. Vet fakti që shqiptarëve iu ishte ndaluar shkollimi dhe emancipimi prej shekujsh, ishte një tragjedi. Zgjidhja dhe nisma drejt lirisë, ishte vetëdija e masës, për atë që ishin si dhe kërkimi për të drejtat e tyre ekzistenciale të mohuara. Rexhep Mitrovica rikthehet në vendlindje më 1916, në Mitrovicë, ku angazhohet për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe.Dy vjet shërbeu si mësues dhe drejtor i shkollës Popullore në Mitrovicë. “Bëhet anëtar i Komitetit “Mbrojtja e Kombëtare e Kosovës” me 1919.Merr pjesë si anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris si përfaqësues i Komitetit të Durrësit për Shqipërinë e Mesme dhe si korrespodent i gaztës “Populli”. Anëtar i Shoqërisë “Albania të Vjenës”.Organizon një takim madhështor me artistin Aleksandër Mojsiu në Vjenë. Më 27 mars 1920, zgjedhet deputet i Partisë Popullore.Shkruan artikuj të ndryshëm me pseudonimin “Kumona e Popullit”dhe përshendet pranimin e Shqipërisë si anëtare e Lidhjes së Kombeve më 17 dhjetor të po atij viti. Zgjidhet deputet i Kosovës me 1921,në Parlamentin e Parë Shqiptar të dalë nga Kongresi i Lushnjës.Bashkëthemelues i “Bashkimit të Shejtë”.Zgjidhet Ministër i Arsimit në Qeverinë e Xhafer Ypit (24 dhejtor-1921-shkurt 1924).Fillon reformat në arsim në Shqipëri, ku nga (27 korrik-3 gusht 1922) organizoi Kongresin Arsimor që u mbjat në Tiranë.” Një vit më pas, pra me 1923, Rexhep Mitrovica kryen punën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme në vend të Sejfi Vllamasit. Jep dorëheqje nga posti i Ministrit të Arsimit dhe shkruan “Letër arsimtarëve” me 1924 dhe largohet për në Bari të Italisë.Atje aid he një grup bashkëatdhetarësh themelojnë organizatën “Bashkimi Kombëtar” më 21 shtator 1925, organizatë antikomuniste e emigracionit politik shqiptar(1925-1939). “Më 1934, zgjidhet sekretar i Komitetit të Organizatës “Bashkmi Kombëtar”.Më 1935,zgjidhet këshiltar i organizatës “Bashkimi Kombëtar”,më 1936, zgjidhet anëtar i Komitetit “Bashkimi Kombëtar dhe drejtor i gazetës “Bashkimi Kombëtar”.Numri i pare doli më 28 Nëntor 1936.Më 1938,zgjidhet anëtar i Direktoriatit të organizatës “Bashkimi Kombëtar”. Më 9 prill 1939, organizon protestë kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste.Më 30 prill kthehet në Shqipëri. Anëtarësohet në Këshillin e shtetit.(24 maj). Në prill të 1941, kthehet në vendlindje Mitrovicë.Propozohet komandant i forcave shqiptare në Trojet e Lirueme.Organizon hapjen e shkollave shqipe në Prefekturën e Mitrovocës,(Mitrovicë,Vushtrri,Podujevë dhe Pazar i Ri).” Veprimtaria politike e tij dhe angazhimi i tij i pandalshëm bëhen pengesë për qarqet e ndryshme antishqiptare, Rexhep Mitrovica burgoset në gusht të vitit 1943, dhe internohet në Porto Romano afër Durrësit. “Pas kapitullimit të Italisë fashiste lirohet dhe merr pjesë në themelimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit,(shtator),ku zgjidhet kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit.” Nënori i vitit 1943- me datën 5, shënon historinë shqiptare. Rexhep Mitrovica zgjehet Kryeministër i Shqipërisë Natyrale. Por rrethanat e pafavorshme dhe në dëm të Shqipërisë bënë që me prill 1944, Rexhep Mitrovica të mbaj një ligjeratë në radio.Fjala e tij u botua të nesërmen në gazetën “Bashkimi i Kombit”Jep dorëheqje nga detyra e kryeministrit.Braktis Kosovën(mesi i nëntorit).Vendoset në Austri ku shkruan “Kujtimet”. “Më 1947, kalon në Itali, më pas në Stamboll. Jeton në malteze dy dekada me radhë deri në vdekje më 21 maj 1967.Më 1949, me Mit’hat Frashërin themelojnë organizatën “Lidhja Kosovare”.Kryetar u zgjodh i biri i tij,Nexhat Mitrovica.Përgjatë viteve 1950-1967,shkroi artikuj të ndryshëm, të cilët i botoi në gazatat “Flamuri”,”Besa”etj. Shkroi memorandum me anë të të cilave njoftonte opinionin ndërkombëtar për pozitën e shqiptarëve në Kosovë nën regjimin e Titos dhe në Shqipëri nën diktaturën e Enver Hoxhës. Gjurmoi në Arkivin e Stambollit për Konferencën e Berlinit 1878.” Ishte kategorikisht kundër vendosjes së komunizmit në Shqipëri, të cilën me larpamësinë e tij e pa si një shkatërrues i qenies shqiptare, gjë që më vonë pasoi duke e lënë Shqipërinë të vrarë për dekada me radhë. “Vdiç me 21 maj 1967 dhe u varros të nesërmen në Maltepe. Në pllakën e mermertë është gdhendur emiri i tij: “Rexhep Mitrovica – Kryeministër i Shqipërisë (15 janar 1888-21 maj 1967).” Duke lexuar biografinë e tijm, ne kuptojmë një personalitet të shquar dhe mjaftë largpamës për periudhën në të cilën jetoi. Dhe fati i trishtë i kombit por dhe i figurave të mëdha që i’a deshën kombit lirinë dhe emancipimin. Do kalojnë kohë dhe do kuptojmë vepren e njerëzve të shquar e cila nuk ju shpërblye sa ishin gjallë, por misioni të cilën ata e nisën pasoi gjenerata të tëra deri në luftën tone të fundit. Ne duhet të jemi krenar për veprën e Rexhep Mitrovicës dhe të gjithë personaliteteve si ai. T’i shërbesh atdheut është vepra më sublime që një njeri mund ta ketë bërë në këtë botë. Sepse individet dhe popujt që luftojnë për liri pa dëm të askujt, janë të bekuar, edhe pse vuajtjet janë të mëdha çmimi i lirisë, është tej njerëzor sepse qenia njerëzore si e tillë nuk do kishte kuptim, nëse jeton nën zgjedhë dhe skllavëri. Andaj duke kujtuar dhe respektuar veprën e Rexhep Mitrovicës është mire që eshtrat e tij të riatdhesohen, në tokën të cilën ai aq shumë e deshti, duke i falur rininë, guximin, mençurinë dhe energjinë deri në çastet e fundit të jetë së tij. Sepse vetëm duke respektuar personalitete të tilla, kombi ynë do ecë përpara në rrugën e tij të mohuar prej shekujsh, e që sot e kemi një mundësi t’i tregojmë botës se kush ishim dhe cilat kanë qenë aspiratat tona të moçme. Referencat janë marrë nga libri: Kujtimet e mia/Rexhep Mahmud Mitrovica- Prishtinë: Shtëpia Botuese Libri Shkollor,2016.
…

Filed Under: Analiza Tagged With: Burrshtetasi ne harrese, Jahja Lluka, Rexhep Mitrovica

30 Gushti, Dita e personave të zhdukur në botë

August 30, 2018 by dgreca

-Në Kosovë figurojnë të zhdukur 1,648 nga lufta e fundit./

1 te humburitNga Jahja LLUKA/

Gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi kishte 40,000 persona, përfshirë 30,000 vetëm për Bosnje-Hercegovinën, 65,000 në Kolumbi, 60,000 në Siri dhe gjithashtu në vende të tjera si Kashmiri, Nepali, Uganda dhe vende të tjera. Ndërsa ende shqyrtohen 150,000 profile biologjike, nga cunami në Tajlandë, nga Uragani Katrina, nga konflikti i Bosnjes, nga Iraku, Afrika e Jugut, Kili dhe Libia.

Ndërsa në Kosovë figurojnë të zhdukur 1,648 nga lufta e fundit.

Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, (ICMP) është themeluar me iniciativën e Presidentit BillClinton,pas luftës në ish- Jugosllavi, ka identifikuar më shumë se 22,000 persona të pagjetur në Bosnje-Hercegovinë,

Që nga viti 2003, kur dërgoi një mision të parë në Irak, organizata e ka shtrirë gradualisht fushën e veprimit dhe tani punon për të gjithë personat e zhdukur, qofshin ato viktima të luftës, fatkeqësive natyrore apo trafikimit të qenieve njerëzore. Në dhjetor 2014, statuti i Komisionit ndryshoi nga një shoqatë në një institucion nëpërmjet një traktati të nënshkruar nga nëntë shtete, duke i lejuar asaj të miratojë një strategji globale

Sipas KathryneBomberger nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, (ICMP),ende nuk ka një shifër definitive globale për personat e zhdukur në botë.

Gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi kishte 40,000 persona, përfshirë 30,000 vetëm për Bosnje-Hercegovinën, 65,000 në Kolumbi, 60,000 në Siri dhe gjithashtu në vende të tjera si Kashmiri, Nepali, Uganda dhe vende të tjera. Ndërsa ende shqyrtohen  150,000 profile biologjike, nga cunami në Tajlandë, nga Uragani Katrina, nga konflikti i Bosnjes, nga Iraku, Afrika e Jugut, Kili dhe Libia.

Edhe pse kanë kaluar dy dekada nga konflikti në Bosnjë situata ende ka mbetur e pazgjidhur edhe pse ekzistojnë mjetet dhe statusi ligjore për tu marrë me çështjen e personave të zhdukur.

Bomberger thekson se numri i  madh i personave të zhdukur përbën një kërcënim për paqen dhe stabilitetin e shteteve. “Nëse keni një numër të madh personash të pagjetur, veçanërisht kur njerëzit janë zhdukur me forcë nga aktorët e Shtetit dhe ata individë janë ende në pushtet kur përfundon konflikti, ju keni një hendek të madh midis të mbijetuarve dhe Shteteve. Kjo mund të adresohet vetëm nga shtetet që marrin përgjegjësi.Nëse jo, viktimat dhe shoqëria e lënë pas nuk do të jenë kurrë në gjendje të rindërtojnë besimin në Shtetin. Dhe unë mendoj se njerëzit nuk e njohin këtë edhe në Siri tani. Pasi njerëzit kanë ushqim dhe strehim, ata duan të dinë se ku janë të dashurit e tyre. Nëse shteti nuk jep përgjigjen, do të ketë një boshllëk përgjithmonë. Ajo është më shumë se një çështje humanitare” thekson KathryneBomberger.

Poashtu, numri i të zhdukurve nga regjimi i HafezAl-Assad,  nga  17,000, ka shkuar në 40,000 si pasojë e luftës aktuale dhe kriza e migracionit e bënë edhe më të vështirë procesin për kërkimin e trupave të pagjetur.

Sipas IOM-it, nga 7 miliardë njerëz në Planetin Tokë, 1 miliard janë në lëvizje; këto lëvizje vijnë si pasojë e emigracionit, luftrave dhe faktorëve të tjerë.  Nga këto lëvizje viteve të fundit janë zhdukur 10,000 fëmijë duke hasur në vështirësi për të gjetur gjurmët e tyre.

Njerëzit që janë vrarë e masakruar nga regjimi i SllobodanMillosheviqit gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, janë bartur disa herë nëpër varreza të ndryshme në Serbi dhe se çdo ndryshim i terrenit me siguri është i filmuar.

Ne tani kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me shumë ambasada në Kosovë, me KFOR-in. Gjithashtu, kemi kërkuar edhe nga NATO-ja që të na jap fotografimet satelitore për ndryshimet e terrenit në Serbi, për arsye se njerëzit që janë kidnapuar janë vrarë e masakruar, janë bartuar disa herë në disa varreza në Serbi dhe çdo ndryshim i terrenit me siguri është i filmuar.

Ne kemi mbajtur një takim parapërgatitor në qershor të këtij viti, në Podgoricë të Malit të Zi, ndërmjet komisioneve qeveritare të shteteve të rajonit, i cili mund të prodhojë ndonjë marrëveshje për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Me 10 Korrik 2018, u mbajtë Samiti i Londrës, në të cilin ishin prezentë të gjithë liderët e Evropës, aty ku u nënshkrua një deklaratë për zbardhjen e fatit të peronave të pagjetur.

Në veçanti dua ta falenderoj princin Charles,i cili jepi mbështetje deklaratës për personat e zhdukur,një plagë ende e hapun që lëngon në Evropë.

Filed Under: Opinion Tagged With: “Dita e të Humburve”, 30 gushti, Jahja Lluka

Hasan Prishtina ishte drita, ishte zëri, ishte mendja, ishte pushka e kombit.

August 16, 2018 by dgreca

Shkruan: Jahja Lluka – Kryetar i Komisionit Qeveritar për Vitin Mbarëkombëtar “Gjergj- Kastrioti –Skënderbeu”/

1344848110-hasan_prishtina

  • Është e paktë çdo fjalë, kur është në pyetje vepra e të madhit Hasan Prishtina. Sepse ai mbetet i pazakontë, në rrethana të rënda  kur kombi ynë rrezikohej me shuarje, Hasan Prishtina ishte drita, ishte zëri, ishte mendja, ishte pushka e kombit./
  • Kombi ynë ka nxjerrë nga gjiri i tij, personalitete të kalibrit botëror, i tillë ishte Hasan Prishtina, të cilin historia e njeh si njërin nga mendjet më të ndritura, diplomat i shquar, politikan largëpamës, strateg preciz, filantrop, e mbi të gjitha atdhetar i madh./

Kur Shqipëria lëngonte nga dhimbja dhe vuajtjet, kur xhonturqit donin me domosdo ta shypnin dhe frymën e fundit shqiptare, kur fqnijët zaptues me frymë hienash iu hodhën Shqipërisë së gjakusur, për ta bërë copë- copë, kur fati i Shqipërisë prehej nga gërshëret e Fuqive të Mëdha, që ja vulosinin mosekzistencën, dolën në skenë burra të mëdhenjë të cilët përjetësisht do i njehë historia, për veprën e tyre sublime “Shpëtimin e Shqipërisë”.

Hasan Prishtina, ky njeri që ngriti zërin në parlamentin osman, tha se t’i mbrosh shqiptarët është detyrë që i takon civilizimit, sepse secili njeri i civilizuar do ngis zërin për tragjedinë pesë-shekullore ndaj një populli që fati kishte qenë i pamëshirë për të.

Sepse shqiptarët mbrojtën civilizimin kundër barbarisë, deri në frymën e fundit duke mos njohur fjalën dorëzim.

Hasan Prishtina thoshte para pralamentit osman, se tani shqiptarët trajtohen si skllevër, që mbi shpinën e tyre bartin peshën e gjithë barbarisë, të lodhur e të dërmuar në sytë e botës, nuk ishin më njerëz, ishin thjeshtë krijesa pa fat, të destinuara të zhdukeshin përgjithmonë.

Hasan Prishtina e cilësonte Shkupin si kryeqytet të të gjithë shqipëtarëve, ndaj kapi pushkën dhe nisi kryengritjen deri në çlirimin e tij.

Hasan Prishtina nuk ndenji në kolltuqe edhe pse ishte politikan, por njohu torturën e burgut, prangat të cilat iu vendosën nga serbët dhe bullgarët vetëm për ta çnjerëzuar dhe ta bënin të dorëzohej. Por ai nuk ndaloi, u bë zëri më i fuqishëm ndër shqiptarë ku preku majat e diplomacisë botërore.

Misioni i tij ishte çlirimi njëherë e përgjithmonë nga zgjedha osmano- sllave,  mision të cilit nuk iu nda asnjëherë deri në çastin që mbylli sytë përgjithmonë nga dora e tradhtisë.

Atdhetari i madh Hasan Prishtina lindi me 27 prill të vitit 1873, në qytetin e Vushtrrisë, rrjedhë nga një familje e shquar dhe fisnike nga Polaci i Drenicës, e cila e frymëzoi Hasan Prishtinën me dashurinë për atdheun.Qysh në fëmijëri Hasan Prishtina ishte i veçantë,duke treguar aftësi të jashtëzakonshme të cilat ia hapën rrugën e dijes. Filloi mësimet në vendin e lindjes,për të vazhduar më pas në gjimnazin frëng në Selanik.Nuk mbaroi me kaq dhe mori rrugën për në Stamboll për të studiuar drejtësi në Universitetin e Stambollit.Por dashuria për Shqipërinë e shtyu që pas përfundimit të studimeve të kthehet në Shkup, për të nisur misionin e tij patriotik dhe frymëzues për popullin e tij të shtypur.Veproi me klubin “Bashkimi” dhe hodhi idenë e tij në opinion se gjuha shqipe duhej të shkruhej me alfabetin latin, për  shkak se këto shkronja ishin më afër origjinës së shqipes.

Si politikan i shquar që ishte, u zgjodh dy herë deputet në parlamentin osman si përfaqësues i Prishtinës për Vilajetin e Kosovës. Hasan Prishtina në mandatet e tij si deputet,u bë zë i fuqishëm për çështjen shqiptare. Vuajtjet e popullit shqiptar dhe lufta e tij për liri,për  Hasan Prishtinën ishin objektivat  kyçe të cilat i mbronte në kuvendin e Stambollit.

Pasi  që humbi pozitën e deputetit më 1912,ishte lagjia Taksim e Stambollit, ku Hasan Prishtina fillon veprimtarinë e tij ilegale, me patriotë dhe intelektualë të asaj  kohe për të vendosur fatin e Shqipërisë së përgjakur. Aty merret vendim të organizohet një Kryengritje e Përgjithshme e Armatosur në Shqipëri. Nisma e tij mori dhenë dhe u përhap në përmasa popullore, pasi që  populli shqiptar ishte lodhur nga sundimi i regjimit xhonturk.Me 5 maj -18 gusht kryengritësit shqiptarë me në krye Hasan Prishtinën e liruan Vilajetin e Kosovës dhe zunë Shkupin.Kjo kryengritje e udhëhequr nga Prishtina, bëri që autoritetet osmane të dorëzohen para revoltës shqiptare, duke pranuar kështu 12 nga 14 pikat e parashtruara nga paria e kryengritjes. Ky ishte hapi i parë për njohjen e autonomisë së Vilajetit Shqiptar.

Në Luftën e Parë Ballkanike, Hasan Prishtina arrestohet nga forcat serbe dhe përfundon në burgun e Kalemagdanit në Beograd. Me urdhërin e qeverive të Austro- Hungarisë, Anglisë dhe Italisë lirohet.

“Fillon karrierën politike në Shqipëri pas Konferencës së Londrës me 1913, ku ngarkohet me postin e Ministrit të Bujqësisë dhe të Punëve të Brendshme në Qeverinë e Ismail Qemalit. Në nëntor të po atij viti iu bashkua Esad pashë Toptanit. Emërohet ministër në kabinetin e Turhan pashë Përmetit në kohën e Princ Vidit”

Lufta e Parë Botërore e gjenë Kosovën në flakë, Hasan Prishtina nuk rri duarkryq dhe niset për në Kosovë, ku organizon një grup vullnetarësh përkrah trupave austro-hungareze.

Ky guxim dhe largpamësi e tij  çmohet nga Austro- Hungaria ku merrë “ urdhërin austro-hungarez të Franc-Jozefit, me shenjat e oficerit të madh (Gross-Offizier). Kishte marrëdhënie të ngushta me Ballplatz-in për çështjen e Shqipërisë.”

Për Hasan Prishtinën, veç Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e atdheut i rëndësishëm ishte edhe edukimi i brezave të rinjë.

Ai e shihte edukimin si rrugëtim drejtë lirisë, sepse vetëm një komb i edukuar do arrinte njëherë e përgjithmonë të shlirohej nga pushtuesit e zymtë të cilët, bënin eksperimente me koka shqiptarësh.

Hasan Prishtina, kishe shkolluar qindra studentë me parat e veta, vetëm që ata të ishin njejtë sitë rinjët e botës së civilizuar që dinin shkrim e lexim.

Prapë burgoset nga forcat bullgare me 1917, ku më pas arratiset dhe e lëndon këmben rënde duke ikur nga dritarja e qelisë.

Me 1918, Kosova pushtohet nga forvat serbe. Hasan Prishtina largohet për në Vienë, qëllimi i tij ishte që ta ngriste çështjen e shqiptarëve të Kosovës në qarqet më të larta diplomatike evropiane dhe zëri i tij shkoi deri në Amerikën e largët, ku i shkroi telegram presidentit amerikan Wilson, për padrejtësitë dhe gjenocidin në të cilin po kalonte populli shqiptar.”U emërua në krye të dërgatës së Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Konferencën e Paqes në Paris ku do të kërkonte bashkimin e viseve shqiptare të ish-Vilajetit të Kosovës me shtetin shqiptar”

Në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Në dhjetor të  po atij viti pas një grusht shteti me Mustafa  Krujën, Q. Koculin e Prishtinës shkaktuan dorëheqjen e qeverisë Evangjeli.

Pas qeverisë gjashtëorëshe të Koculit, emërohet kryetar i një qeverie që zgjati pesë ditë,pas dështimit të revolucionit të 1924-ës u largua jashtë atdheut.Pretendohet se kundrejt Prishtinës janë ndërmarrë katër herë përpjekje për t’i bërë atentat. Vritet pabesisht me 13 gushtit të vitit 1933, në Selanik nga Ibrahim Çelo.

Vrasja e Hasan Prishtinës trondit opinionin e asaj kohe. Një njeri i madh që i dha gjithëçka atdheut, duke shkrirë rininë, pasurinë dhe jetën për çështjen shqiptare, që u bë frymëzim për brezat e ardhshëm e që asnjë moment nuk iu nda kauzës së tij deri në frymën e fundit, meriton respektin e çdo shqiptari.

Është e paktë çdo fjalë, kur është në pyetje vepra e të madhit Hasan Prishtina. Sepse ai mbetet i pazakontë, në rrethana të rënda  kur kombi ynë rrezikohej me shuarje, Hasan Prishtina ishte drita, ishte zëri, ishte mendja, ishte pushka e kombit.

Vepra e Hasan Prishtinës mbeti frymëzim për brezat e ri, të cilët lindën në Kosovën e okupuar dhe të përgjakur nga regjimi serb. Shekulli i XX ra si një vello e zezë mbi Kosovën. Vuajtje, gjenocid e dhimbje pafund përjetoi ky popull, ku vit pas viti e dakadë pas dekade shqiptarët detyroheshin me dhunë të shpërnguleshin nga atdheu. Në vitet e 90’ kur Kosova lëngonte nga gjaku, dhe torturat, Shoqata për Kthimin  e Shqiptarëve, me intelektualë dhe profesorë të Universitetit të Prishtinës, themeloi lëvizjen për pengimin e shpërnguljeve me emrin “Hasan Prishtina”.Pas më shumë se 700 tubimeve nëpër të gjitha fshatrat e Kosovës u arrit që të pengohet shpërngulja masive e ideuar nga Akademia Serbe.

Edhe pse nën masa të rrepta, nga regjimi serb, kur u mbyllën të gjitha institucionet në Kosovë, Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve, e vazhdoi punën, në vitin 97’ e themeloi çmimin “Hasan Prishtina”, që së pari iu nda Nënës Shqiptare e cila kishte lindur 16 fëmijë, e të cilët të gjithë qëndruan në Kosovë, pavarësisht rrethanave të vështira për jetesë.

Më pas çmimi “Hasan Prishtina” iu nda  shumicës së figurave kyçe të politikës dhe diplomacisë botërore të cilët ndikuan në çlirimin e Kosovës me 99’.

Veç çmimit “Hasan Prishtina” lindi edhe iniciativa për ngritjen e shtatores së Hasan Prishtinës tek rrethi i flamurit në Prishtinë, nga ku ishte nisur Hasan Prishtina për çlirimin e Shkupit, dhe rikthimin e eshtrave të tij nga Kukësi në Prishtinë, por kjo iniciativë u pengua me mosdhënien e lejes nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, në krye me Isa Mustafën, me arsyetimin se një shtatore e Hasan Prishtinës ekziston në oborrin e rektoratit të Universitetit të Hasan Prishtinës.Kjo shtatore nuk mund të vizitohet nga qytetarët pasi është brenda rrethojave të rektoratit.

Poashtu iniciativa  për shtatore në atë kohë u mbështet nga ish- kryeministri Hashim Thaqi me të vetmen kërkesë që të përmbushen procedurat ligjore (leja nga Komuna e Prishtinës).

Sidoqoftë me gjithë neglizhencën dhe hudhjen poshtë të iniciativës, figura e Hasan Prishtinës mbetet e përjetshme në historinë shqiptare, vepra e tij jetësohet me pavarësinë e Kosovës dhe do merrë kuptim të plotë kur të realizohen të drejtat e gjithë shqiptarëve në Ballkan.

Filed Under: Histori Tagged With: Hasan Prishtina, Jahja Lluka, pushka e Kombit

Ah, malli i Shiperisë…!

July 23, 2018 by dgreca

Nga Jahja LLUKA/

Ah, malli i Shiperise , malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall dhe dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s’e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! – Faik Konica Duke pasur parasysh që numri i shqiptarëve është shumë më i madh, jashta atdheut sesa brenda, është domosdoshmëri që diasporës ti kushtohet vëmendje e veçantë; duke përdorur një strategji konkrete në raport me të. Përderisa potenciali i saj mbetet i lartë në shumë fusha, shtetet shqiptare duhet të jenë të hapura së pari në thithjen e trurit nga jashtë, poashtu në krijimin e mundësive për investime në ekonomi, arsim e shëndetësi, të cilat do të krijonin një ambient të mirëqenë për popullatën brenda atdheut dhe rikthimin e shpresës dhe dëshirës për ta bërë vendin.Sepse ne mund të jemi në gjithë botën por kemi vetëm një shtëpi, me rrënjet e së cilës jemi të lidhur përjetësisht. Por për tu bërë racional dhe praktik duhen të merren vendime të prekshme të cilat do ishin frytdhënëse në raport me diasporën. Kushtetuta duhet ndryshuar për t’iu dhënë mundësinë e votimit diasporës, kështu do kishin përfaqësuesit e tyre në parlamentet shqiptare. Fati i një pjese të madhe të kombit tonë ka qenë që në periudha të ndryshme të ndryshme të historisë të shpërngulet nga trojet e veta përshkak të luftrave, eksodeve dhe faktorëve të tjerë. Por pavarësisht faktit që ishin larg atdheut, diaspora shqiptare dha kontribut të rëndësishëm, në shumë procese përfshirë këtu krijimin e shtetit shqiptar me 1912 dhe poashtu vazhduan misionin e tyre deri në pavarësimin e Kosovës. Madje edhe në ditët e sotme, diaspora është kontribuesi kryesor në mirëqenien e shumë familjeve në vend e që kanë ndikim të drejtë për drejtë në progresin e përgjithshëm të shoqërisë shqiptare. Duke e pasur të gjallë frymën patriotike të trashëguar nga pasardhësit të cilët vdiçën me mall për Shqiptarinë, sot gjeneratat e reja përveç që po shkëlqejnë në karrierë në fusha të ndryshme,ata asnjëherë nuk po i mohojnë rrënjet, përkundrazi po e ngrisin lart kombin shqiptar me veprat e tyre brilante. E pamë Kampionatin Botëror të Futbollit, ku djemtë tanë shkëlqyen duke na dhënë vullnet dhe duke i treguar botës se shqiptarët janë bartësit e civilizimit të lashtë, në shtyllat e të cilit qëndrojnë sot vlerat perëndimore. Fakt është që diaspora jonë, jo vetëm që ka ndihmuar atdheun por ajo u integrua në ato vende dhe kontinente ku është prezente, ku përveç fuqisë punëtore, ajo nxjerri koka intelektuale të kalibrit botëror, artistë e sportistë të cilët po mahnisin botën. Duke pasur parasysh që numri i shqiptarëve është shumë më i madh, jashta atdheut sesa brenda, është domosdoshmëri që diasporës ti kushtohet vëmendje e veçantë; duke përdorur një strategji konkrete në raport me të. Përderisa potenciali i saj mbetet i lartë në shumë fusha, shtetet shqiptare duhet të jenë të hapura së pari në thithjen e trurit nga jashtë, poashtu në krijimin e mundësive për investime në ekonomi, arsim e shëndetësi, të cilat do të krijonin një ambient të mirëqenë për popullatën brenda atdheut dhe rikthimin e shpresës dhe dëshirës për ta bërë vendin.Sepse ne mund të jemi në gjithë botën por kemi vetëm një shtëpi, me rrënjet e së cilës jemi të lidhur përjetësisht. Por për tu bërë racional dhe praktik duhen të merren vendime të prekshme të cilat do ishin frytdhënëse në raport me diasporën. Kushtetuta duhet ndryshuar për t’iu dhënë mundësinë e votimit diasporës, kështu do kishin përfaqësuesit e tyre në parlamentet shqiptare. Përderisa ekziston vullneti i diasporës që të ndihmojë vendin ku përket, njashtu shtetet shqiptare duhet të shfaqin vullnetin për të ndryshuar ligjet kushtetuese ku përfshihen mërgimtarë të zot të cilët do të kontribonin në zhvillimin e demokracisë në vend. I kemi shembull arbereshët që edhe pse numërojnë shekuj, jashta atdheut, nuk harruan gjuhën , kulturën dhe traditën. Kemi arvanitët në Greqi të cilët janë miliona, e që ruajnë me fanatizëm rrënjët dhe gjuhën e vjetër pavarësisht politikës naciste sllave. Kemi arnautët të cilët e mondernizuan Egjiptin dhe Turqinë e që janë miliona, duke mos harruar se nga vijnë. Kemi diasporën në Perëndim që dhanë shumë për çështjen shqiptare, diasporën në Amerikë e cila e ngriti në nivel botëror kauzën shqiptare duke i dhënë shpresë e dritë kombit në ditë të vështira. Andaj diaspora duhet trajtuar si asset i rëndësishëm e që nuk duhet të mbesin vetëm fjalë në këtë drejtim por vendime të prekshme nga ana e qeverive shqiptare sepse gjaku nuk tjetësohet e as nuk bëhet ujë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ah, Jahja Lluka, ma;lli i Shqiperise

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT