Nga Ajet Nuro/Në dy periudha të ndyshme historike më është bërë pyetja: Ti, je nipi i Jaho Sinanit ? Në të dy rastet përgjigja ka patur një prapashtesë. Para 1990, të ishe nip i Jaho Sinan Islamit do të thoshe të ishe nip i armikut, ishe i destinuar të ishe i lindur armik. Pas 1990, kuptohet dalëngadalë, njerëzit filluan të rikujtojnë se Jaho Sinani, para se komunistët t’a shpallinin armik, ishte flamurtar i « Vatrës », mbështetës i Fan Nolit, komandant i Çetës territoriale dhe mbështetës i luftës për çlirim. Ai vuri në dispozicion të Shqipërisë dhe luftës së saj për çlirim gjithçka kishte pasuri dhe mbi të gjitha familjen e tij. Ndaj, mund të kuptohet kënaqësia që pasi njihesh me një të ri tepelenas dhe ai merr vesh se je nipi i Jaho Sinanit, ai shton me habi : – Nipi i Jaho Sinanit, flamurtarit ?! Po, unë jam nipi i Jaho Sinanit.
Kush ishte Jaho Sinan Islami
Pa dashur të bëj një monografi apo të shkruaj detajet e jetës dhe asaj çka e bënë të pavdekshëm gjyshin tim Jaho Sinani, po radhis disa fakte nga jeta e tij e pasur me ngjarje.
Jaho Sinan Labi, lindi më 1 Janar 1890 në Dukaj të Tepelenës. Biri i një familje të madhe dhe relativisht të pasur, ndryshe nga tradita familjare që mendonte veç bujqësi e blegtori, Jahoja do të dashurohej pas arsimit.
Babai i Jahos, Sinani nuk pranoi të shkonte ushtar për Turqinë dhe u detyrua të bëhej kaçak dhe madje të krijonte edhe një çetë të tillë. Jo vetëm kaq por në edukimin patriotik të Jahos do të ndikonin burra të të tillë të Labërisë dhe gjithë Shqipërisë si Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali apo edhe Tafil Buzi.
Rinia e tij do të përkonte me ngjarjen më të madhe të kombit shqiptar por edhe me turbullirat më të mëdha historike. Bëhet fjalë për pavarësinë e Shqipërisë më 1912 dhe coptimin e saj prej fqinjëve sidomos shkëputja e Kosovës nga shteti mëmë.
Ndonëse i ri, Jaho do të edukohej nga ajka e rilindasve shqiptarë dhe do të lidhej me ideatorët dhe aktorët e bërjes së shtetit shqiptar. Ai do të luftonte jo vetëm me libra por edhe me armë për pavarësinë e Shqipërisë nga Turqia.
Është pikërishtë pragu i pavarësisë, kur Jaho me dy vëllezër të tij vendosin, të detyruar edhe nga gjendja ekonomoke e kohës, të fillojnë një aventurë që quhet mërgim që ndonëse i rrethuar me legjenda dhe histori të bukura të pasurimit, përsëri ai ngelej një plagë, plagë për familjet e ndara, plagë për ndarjen prind-fëmijë, në shumicëbn e rasteve pa mundur të rishiheshin.
Udhëtimi për në Botën e Re, Amerikë u krye në qershor të vitit 1912. Vëllezrit Islami u vendosën në Boston, pikërisht aty ku vetëm disa muaj më pare ishte krijuar shoqëria më e madhe që kanë mundur të krijojnë shqiptarët në megrim, shoqëria “Vatra”. Jaho Sininani nuk mund të rrinte larg organizimeve të tilla ndaj bëhet që në fillim një nga aktivistët e organizatës VATRA. Ai do të përfaqësonte shqiptarët e New Bedford në Federatën Pan-Shqiptare Vatra. Ai është konsideruar flamurtar i VATRËS dhe duhet kuptuar roli i flamurit si simbol i përkatësisë kombëtare dhe mbi të gjitha ai ka ndihmuar me gjithçka si Vatrën dhe fushatat e saj për të ndihmuar at’dheun që sapo është shpallur i pavarur. Duke u bazuar në njoftimet e herë mbas hershme të gazetës ALBANIA, jo pa krenari zbulohet se Jaho Sinani (Dukaj) është një nga më zemërgjerët në dhënien e ndihmave financiare. Është pikërisht ajo periudhë kur Shqipëria kishte më shumë nevojë se kurr për të mbijetuar dhe është pikërisht përgjigja e vatranëve që e bënë Nolin të shkruaj me entuziazëm:
“Mbahu, nëno, mos ki frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë”
Njoftimet në gazetën Albania për mbledhjen e ndihmave për Shqipërinë. Jaho Sinani dhe vëllezërit e tij figurojnë mes atyre që ishin më zemërgjerë
Në vitin 1920, bashkë me dy vëllezërit e tij, Jaho Sinani do të jetë mes atyre 300 shqiptarëve që lanë Amrikën për të marr pjesë në luftën e Vlorës.
Me kthimin e Fan Nolit nga Bostoni për të marr pjesë në jetën politike shqiptare, ai do të kishte mbështetës një mik të vjetër vatran, Jaho Sinanin. Por, kjo përkrahje dhënë Fan Nolit i kishte të gjitha brenda duke përfshir edhe konsekuencat si ajo e hakmarrjes së kundërshtarëve. Kështu, Noli u vu në krye të një lëvizjeje që përmbysi Ahmet Zogun me dhunë por pushteti i tij zgjati veç gjashtë muaj. Me riardhjen e Zogut në pushtet, jo vetëm Noli u largua nga Shqipëria për të mos u kthyer kurr, por edhe gjithë mbështetësit e tij, përfshi Jaho Sinanin. Është për t’u shënuar se në familjen e Jaho Sinanit ishin të ndar mes partive politike. Kështu, Jahua ishte përkrahës i Nolit ndërsa vëllai i tij, Sherifi, ishte përkrahës i Zogut. Pluralizëm politik familjar… Pushtimi i Italisë fashiste në prill 1939 do t’a rreshtonte Jaho Sinanin në krah të çlirimtarëve sidomos kur trumbetohej me të madhe “Shqipëria mbi të gjitha”. Si komandant i çetave territoeriale ai do merrte pjesë në shumë luftime si në Mogila, Miricë etj. Por, lufta në përfundim të saj do t’i rezervonte Jaho Sinanit një të papritur jo vetëm të pakëndëshme por më të keqen që mund të imagjinohej. Sigurisht, fitimtarët tashmë kishin ndërruar kapelen dhe parrulla ishte “Pushteti mbi të gjitha” dhe Jaho Sinani do të etiketohej armik.
Jaho Sinani mes fshatarëve të vet
Çfarë mund t’i bënte regjimi Jaho Sinanit, ku do t’ia gjente pikën e dobët? Sigurisht Jaho Sinani ishte nacionalisti 24 karatësh që nuk i duhej më Shqipërisë, madje as pasuria e tij që u vu në dispozicion të çlirimit të vendit nuk i duhej më Shqipërisë. Ato, tashmë regjimi mund t’ia merrte sipas parimit “Hodha lumin, të dh* kalin”. Fatin e Jaho Sinanit do t’a pësonin të gjithë nacionalistët e sërës së tij. Zenel Shehu, një nga shtyllat e luftës çlirimtare në Tepelenë do të pushkatohej se nga “komandanti” i pabesë vetëm e vetëm se Zenel Shehu i kujtoi Enver Hoxhes se “nuk e kishim fjalên kështu” pra nuk luftuam që pas luftës të n’a merrnin tokat të cilat i kishin trashëgim ose i kishin blerë me sakrifica. Jam krenar të them se pikërisht në Tepelenë filloi edhe rrebeliimi i parë kundër regjimit komunist siç ishte kryengritja e Zhabokikës. Në këtë kryengritje do të merrte pjesë edhe nipi i tij Mufiti, i cili edhe do të internohej. E pra, Jaho Sinani do të shpallej kulak, jo vetëm që do t’i merreshin tokat por edhe të vuante për një diçka që duhet të ishte krenari për të gjithë krijimi i pasurisë. Dhe mjeti më i mirë që partia kishte gjetur ishte hedhja në luftë e shqiptarëve kundër njëri-tjetrit. Për, nëse vegjëlia, ata që kurr nuk kishin patur në jetën e tuyre pak tokë, tashmë kishin partinë dhe e vetmja gjë që partia u kërkonte ishte t’i shërbenin asaj dhe mbi të gjitha të luftonin ish klasën “sunduese”. Në mbështetje të kësaj lufte edhe floklori, krijimtaria në shërbim të partisë. Ja një nga këngët që klasa e re, vegjëlia siç i pëlqente diktatorit t’i përkëdhekte i ngriti Jaho Sinanit me qëllim denigrimin e figurës së tij:
Shkëmbi Dukajt shkëmb i lartë
Mos kujto se s’ke kulakë
Jaho Sinanin me bajrak
Sado që kënga ishte për të përforcuar ndjenjat e urrejtjes ndaj “klasës së përmbysur” ata padashur e ngrenë lartë figurën e Joaho Sinanit. Ata e dinë që edhe duke e shpallur kulak, kanë të bëjnë me dikë që flamurin e kishte shtojcë të hijes së tij. Pra, Dukaj nuk kishte bërë kulak dokëdo por Jaho Sinanin, bajraktarin apo prijësin atë që dha gjithçka kishte për atdheun, atë që, edhe atë që nuk ua dha, ia grabinën.
Jaho Sinani iku ashtu pa u kuptuar. I vunë një diagnozë të çuditëshme si “ngatërrim zorrësh” dhe nuk kishte si ndodhte ndryshe. Ai që do të duhej të nderohej me nderimet që i takojnë një luftëtari dhe patrioti, u konsiderua armik. Dhe armiqët at’here shpalleshin dhe askush nuk mund të kërkonte llogari. Partia mbi të gjitha. Ajo parti që e shkatërroi rracën e intelektualëve, nacionalistëve dhe shqiptarëve të vërtetë.
Pas rënies së komunizmit në fund vitin e 1990-s dukjotët të parët do të kujtoheshin për heroin e tyre që jo vetëm nuk dutën t’a nderonin por edhe i kishin rënë më qaf duke e mënjanuar nga shoqëria, nga miqët dhe shokët. Filluan të dalin artikujt e parë. Rifilluan të ribotohen artikujt e “Diellit” dhe gazetave të tjera të kohës për të rinxjerr ne pah figurën e këtij patrioti.
Artikulli i Maliq Liles kushtuar Jaho Sinanit
Nder i kombit!
Artikullin më të ndjerë dhe që shprehte me fjalë të thjeshta atë çfarë i ndodhi Jaho Sinanit e shkroi poeti dhe personaliteti i kulturës, biri i Dukajt, z. Maliq Lila. Një video mbi veprmtarinë e Jaho Sinanit e ka realizuar poeti dhe regjisori Tepelena Patrit Ruka që do të doja t’a falenderoja për kujdesin e treguar dhe punën kolosale në përgatitjen e një video biografike për një figurë që veproi në dy kontinente dhe në disa regjime e në momente delikate për kombin tonë. Nderimet e vërteta do të vononin ca por do të vinin. Në vitin 2012 me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, Jaho Sinani do të shpallej “Nderi i Qarkut Gjirokastër”. Por, nderimin e plotë do t’a merrte në qershor 2017 nga Presidenti Bujar Nishani që do t’a shpallte “Nderi i kombit”.
PS Pasi kisha mbaruar këtë shkrim, pyeta dajon tim Shefqetin se ç’mendonte. Ai nuk mundej të mos më shkruante për një episod që i kishte ndodhur në kohën e diktaturës:
Shefqet Islami me të fejuarën, në kohën që bëhet objekt i biografive të fshatit të lindjes.
Nga vitet 84-85 une u grinda duke kerkuar qe njerzit te delnin nga letargjia e sistemit dhe t’i shikonin gjërat më me realizëm. Shkaku ishte nje biografia ime qe derguan nga fshati per mua ne Yrshek Tiranër. Ftova disa ish partizan e deshmitar te luftes ne fshat. Ata qe erdhen deshmuan per madheshtine e rrjedhes te Jahos. Nje fanatik i regjimit e ish partizan i quajtur Mehdi tha se Jaho ishte njeri si thike me dy tehe “presa” Aty u mor nje vendim qe ta benin historikun e fshatit dhe Jaho te zinte vendin e merituar.Por, nuk ishte e thjesht te dilje nga kthetrat e sistemi totalitar e kur kishe neperkembe “partinë”. Sekretar i byrosë së partisë për kooperativen e bashkuar Dukaj ishte Gramoz Ruci të cilin nuk e takoja dot që flisnim pasi ai fshihej, “shmangej”. Kur u ktheva ne Tirane shkova tek nje partizan i vjeter dhe ish ushtarak i larte Çome Koco Kripa nga Tepelena. Une u shtanga nga qendrimi i tij në anën e së vërtetës. Ai më tha se Jaho Sinani i ka dhene shume vendit dhe ne nuk duhet ta harrojme kujtimin e tij. Ne kemi akoma nder dhembe buken qe kemi ngrene tek Jaho Sinani. Kur i thash qe shoku Mehdi R. tha qe Jaho ishte thik me dy presa Çome Koco Kripa m’a ktheu: “Nje demokrat si Jaho Sinani sigurisht nuk donte kurre te humbisnin jetë njerzish ai e njihte mire luften civile. Jaho donte unitet”. Do të duhej të vinin vitet ’90 që figura e Jaho Sinanit të nderohej.
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy
Privacy Overview
This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.