Shtetet e Bashkuara po shprehin shqetësim rreth njoftimeve se Rusia po shton praninë ushtarake në Siri. Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry paralajmëroi homologun e tij rus se veprime të tilla mund të çojnë në më shumë viktima të njerëzve të pafajshëm dhe rrezikon konfrontim me koalicionin amerikane në Siri. Sergei Lavrov nuk i është përgjigjur publikisht zotit Kerry, por të dy diplomatët ranë dakort të diskutojnë konfliktin në Siri në fund të këtij muaji në Nju Jork.
BRITANI – BE-ja dhe SHBA-ja kërcënojnë Rusinë me sanksione të reja
Amerikanët dhe Evropianët kërcënuan sot se do të ndërmarrin sanksione të reja kundër Rusisë nëse ajo do të përpiqet të pengojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë më 25 maj, që janë kryesore për të ardhmen e vendit.
“Nëse Rusia ose ata që veprojnë në llogari të saj do të turbullojnë zgjedhjet, SHBA-ja dhe BE-ja do të vendosin sanksione ekonomike që do të prekin disa sektorë”, deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, pas një takimi me homologët e tij francezë, gjermanë, britanikë dhe italianë.
“Mesazhi ynë është shumë i thjeshtë: Lejoni Ukrainën të votojë. Lejoni popullin ukrainas të zgjedhë të ardhmen”, tha Kerry.
Kërcënimi me sanksione të reja vjen atëherë kur në lindje të Ukrainës, përleshjet mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të armatosur po shtohen një muaj para fillimit të një operacioni antiterrorist që synonte të vendoste kontrollin e Kievit në rajonet separatiste.
SHBA urojnë Kosovën për Ditën e Pavarësisë
Në një deklaratë për shtyp, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry thotë se në emër të Presidentit Obama dhe të popullit amerikan uron popullin e Republikës së Kosovës me rastin e 17 shkurtit, 6-vjetorit të pavarësisë.
SHBA, thuhet në deklaratë, mbeten vendosmërisht të përkushtuara ndaj një Kosove të pavarur, sovrane dhe shumetnike.
Deklarata përmend ato që i quan “arritje historike të vitit të kaluar”, duke përfshirë marrëveshjen e prillit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe përparimin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Në deklaratën e Sekretarit të Shtetit thuhet se SHBA i kanë drejtuar sytë tek puna e rëndësishme për ndërtimin e një Kosove të begatë, të integruar në institucionet evropiane dhe ato euro-atlantike.
“SHBA qëndrojnë me ju si një partner dhe mik i palëkundur”, thuhet në deklaratë.
JOHN KERRY: NDIHMAT AMERIKANE NUK JANË LËMOSHË
Në fjalimin e tij në universitetin Virxhinia, Sekretari Kerry—duke mbrojtur këto ndihma kundër kritkave të brendshme — tha se ndihmat amerikane për vendet e huaja, “nuk janë lëmoshë”. ”Ato janë”, shtoi ai, ” një investim në një Amerikë më të fortë dhe në një botë më të lirë”. /
Nga Frank Shkreli/
Sekretari i ri amerikan i Shtetit, John Kerry mbajti të mërkurën fjalimin e tij të parë me rëndësi si kryediplomati amerikan , në Universitetin Virxhinia — një universitet public ky i cili është themeluar nga Thomas Jefferson, njëri prej baballarëve të kombit amerikan dhe Sekretari i parë amerikan i Shtetit, i cili tha Kerry e themeloi këtë universitet, sipas Jeffersonit, të bazuar në “lirinë e pakufizuar të mendjes së njeriut”. Departmenti i Shtetit njoftoi se ky fjalim ishte i pari i një seri fjalimesh që Sekretari Kerry pritet të mbajë me qëllim që nga koha në kohë t’i raportojë popullit amerikan mbi diskutimet që ai do të ketë jashtë vendit me udhëheqës të vendeve të ndryshëme si edhe mbi efektin që ato diskutime mund të kenë në ekonominë dhe mbi gjëndjen e përgjithshme mbrenda vendit.
Zoti Kerry zgjodhi këtë universitet për të komunikuar drejtë për drejtë me popullin amerikan mbi ato që ai tha se janë vlerat e investimeve të Presidentit Obama në një politikë të jashtme të fortë. Thelbi i mesazhit të Sekretarit amerikan të Shtetit ishte se një investim i vogël në fushën e politikës së jashtme dhe të diplomacisë amerikane sjellë përfitime të mëdha në ekonominë dhe sigurinë e këtij vendi dhe se bizneset dhe qytetarët amerikanë duhet të jenë pjesëmarrës në debatin e vazhdueshëm në lidhje me prioritetet buxhetore të vendit.
Zoti Kerry tha se kishte shkuar aty për të nënvijuar faktin se në botën e sotëme globale, ”nuk ka asgjë të jashtme në lidhje me politikën e jashtme”, dhe shtoi se ”vendimet që ne marrim në këtë vend, afektojnë jo vetëm situatat ndërkombëtare, por ato në të njëjtën kohë, shkaktojnë edhe rrjedha të ndryshme brenda vendit tonë.” Sikurë tha se çdo gjë kishte të bënte me ekonominë, ai shtoi se politika e jashtme është një factor i rëndësishëm pasi afekton edhe jetën tonë të përditshme. Këjo politikë, sipas John Kerry, “është e rëndësishme jo vetëm në kuptimin e kërcënimeve me të cilat përballemi, por edhe për produket që blejmë, për mallërat që shesim, si dhe për mundësitë që ne ofrojmë për një rritje dhe gjallëri ekonomike.” Thomas Xhefersoni, tha Sekretari Kerry, ia dinte rëndësinë rolit që ekonomia luan në marrëdhënjet ndërkombëtre, pasi ai si Sekretar i parë i Shtetit të ri amerikan, vendosi të shtonte numërin e konsullatave të Amerikës anë e mabë botës, pikërisht për promovimin e tregëtisë.
Në fjalimin e tij ai tha se ekonomia dhe tregëtia janë me shumë rëndësi, por nuk janë të vetmit faktorë në marrëdhënjet ndërkombëtare, duke thënë se, ”Ne vlerësojmë të drejtat e njeriut dhe duhet që të nënvijojmë punën e mirë që Amerika ka bërë në këtë fushë, të vetdijshëm se promovimi më i efektshëm i të drejtave universal bazë për të gjithë njerëzit, nuk bëhet nga ndonjë podium ose nga Washingtoni, por në frontin e punës të vendeve ku mohohen liritë bazë dhe dinjiteti njerëzor.” Ai foli për programe ndihmash amerikane për vende të ndryshme, përfshirë programet për përmirësimin e shëndetit në botë, të ushqimeve, për promovimin e arsimit nepërmjet shkëmbimeve të programit Fulbright dhe programet që nxisin barazinë gjinore, duke thënë se, “vendet që jetojnë në paqë paqë dhe janë më të begata, janë ekzaktërisht ato vende ku gratë dhe vajzat gëzojnë të drejtat e barabarta.”
Në fjalimin e tij në universitetin Virxhinia, Sekretari Kerry—duke mbrojtur këto ndihma kundër kritkave të brendshme — tha se ndihmat amerikane për vendet e huaja, “nuk janë lëmoshë”. ”Ato janë”, shtoi ai, ” një investim në një Amerikë më të fortë dhe në një botë më të lirë”.
Për t’ia bërë punën më të lehtë si kryediplomatit amerikan, Zoti Kerry i bëri thirrje Kongresit amerikan që të zgjidhë sa më shpejtë krizën buxhetore dhe fiskale të këtij, duke thënë se, “ne nuk mund të jemi të fortë në botë, nëqoftse nuk jemi të fortë në punët e mbrendshme tonat.” Ai u ankua në lidhje me mosmarrveshjet buxhetore midis palëve në Kongres duke thënë se, ”se është vështirë t’i themi udhëheqsve të cilit do vend qoftë, se ata duhet të zgjidhin problemet e tyre ekonomike, nëqoftse ne nuk i zgjidhim problemet tona buxhetore e financiare.”
Ai tha se Amerika nuk është një vend i veçantë vetëm e vetëm se ne themi se është i tillë. Jo, shtoi ai, “Amerika është e veçantë për veprat e veçanta që ka bërë gjatë historisë”, duke përmendur Planin Marshall që nxorri Evropën Perëndimore nga greminat e Luftës së dytë Botërore, duke shtuar se ish-Sekretari i Shtetit George Marshall, ”e dinte mirë se nuk mund të kishte stabilitet politik pa një ripërtritje ekonomike”, në Evropën e shkatërruar nga lufta. Ai e dinte se Amerika e kishte detyrim të ndihmonte Evropën e pa luftës, për ta rindërtuar dhe për ta modernizuar atë, duke i dhënë një shtytje për të cilën kishte nevojë që të bëhej ortakja tregtare e fuqishme dhe paqësore, që është sot”, shtoi kryediplomati amerikan.
Duke folur për ”veçantinë” e Amerikës, Zoti Kerry u tha të pranishëmve në universitetin Virginia se, ”kur tragjedia ose terrori goditë ndonjërin nga fqinjtë tonë kudo në botë, qoftë nga dora e njeriut qoftë nga dora e Zotit, shumë vende ndihmojnë, por është Amerika ajo nga e cila të gjithë presin që të ndihmojë”.
Ai përfundoi duke thënë se Shtetet e Bashkuara, ”do të vazhdojnë të udhëheqin si një vend i pazevëndsueshëm, jo se pse ne e kërkojmë këtë rol, por për arsye se bota ka nevojë që ne të luajmë këtë rol. Jo si një alternativë, por si një detyrim. Jo se ne e konsiderojmë këtë si një barrë, por se pse e dimë se është një privilegj.” Këjo shtoi ai është veçantia e Amerikës, një cilësi, tha ai, që do ta marr me vete, në emër të popullit amerikan, kudo që do të udhëtoj nepër botë…një sens përgjegjësie që duhet të zbatohet në parandalimin e tragjedive, në forcimin e aleancave, në krijimin e tregjeve, në promovimin e të drejtave të njeriut dhe në mbrojtjen e vlerave tona”, anë e mbanë botës.
Sekretari Kerry i bëri këto komente para se të niset të Djelën për udhëtimin e tij të pare jashtë vendit si kryediplomati i Shteteve të Bashkuara, duke filluar me vizitën në Britaninë e Madhe, pastaj në Gjermani, Francë, Itali, Turqi, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkaura Arabe dhe më në fund në Katar. Sipas njoftimit të Departmentit të Shtetit, Zoti Kerry do të bisedojë me zyrtarët më të lartë të këtyre vendeve për çështje të interesit të përbashkët, dhe për probleme globale. Bisedimet do të përfshijnë edhe krizat botërore, si gjëndjën në Siri dhe gjetjen e mënyrave për t’i dhënë fund kësaj krize të përmasave njerëzore në atë vend, si dhe përpjekjet ndërkombëtare për të ndihmuar shtetin afrikan Mali në luftën kundër terroristëve islamikë dhe koordinimin e politikave për një numër çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare.
Megithëse është heret, ekspertët thonë se pritet që Sekretari Kerry, gjatë mandatit të tij si kryediplomati i Shteteve të Bashkuara, të përqëndrohet mbi çështje që kanë të bëjnë me Evropën (përfshirë Ballkanin) dhe Azinë, por edhe me mbrojtjen e ambijentit, zhvillimin ekonomik të kontinentit afrikan dhe me luftën kundër rrezikut që i kanoset njerëzimit nga terrorizmi ndërkombëtar – çështje këto të cilave ai u kushtonte një vëmendje të posaçme gjatë shërbimit të tij të gjatë në Senatin amerikan. Ekspertët thonë gjithashtu se duke qenë se Sekretari i Shtetit zbaton politikën e jashtme të Presidentit, nuk pritet që substanca e politikës së jashtme të Washingtonit të ndryshojë nën mandatin e Sekretari Kerry në krahasim me paraadhësen e tij Hillary Clinton – ndoshta nga stili por ja nga përmbajtja.