• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sotir Peci publicist

December 6, 2022 by s p

Prof. as. dr. Jonela Spaho

Dekan / Dean

Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë / Faculty of Education and Philology

Universiteti “Fan S. Noli” / University of “Fan S. Noli”/

Sotir Peci ka hyrë në historinë e jetës politike dhe kulturës shqiptare, veçanërisht me publicistikën e tij të pasur dhe plot mendime të thella dhe të rëndësishme, në shërbim të kohës kur ai shkroi dhe botoi. Ai mund të quhet me të drejtë, një nga publicistët më të përmendur dhe aktivë të periudhës së luftrave të popullit shqiptar, për çlirim nga zgjedha e huaj dhe zhvillim të lirë e demokratik të vendit. Peci i përket brezit të luftëtarëve të rinj, nga rradhët e intelektualëve demokratë, që vunë  të gjitha forcat dhe energjitë e tyre për t’i siguruar popullit shqiptar jetë të lirë, jashtë çdo zgjedhe e varësie, drejtësi shoqërore dhe përparim. Këtij qëllimi Peci i shërbeu me punën e gjerë që zhvilloi në fushën e publicistikës, ku u shqua për mprehtësinë politike, për talentin e rrallë prej polemisti dhe analizën e thellë dhe të goditur të fakteve e ndodhive  politike. Sotir Peci ishte i pari që hodhi themelet e lëvizjes nacionaliste shqiptare, duke filluar botimin e gazetës “Kombi”, më 15 qershor1906, e para gazetë shqipe në Amerikë. Kjo gazetë, siç shkruante ai; “do të përpiqet për përparimin e çështjes politike dhe për lërimin e gjuhës së vetë, t’u apë kurajo dhe ndihmë gjithë atdhetarëve që përpiqen  për këto qëllime, t’u hapë sytë duke dëftyer udhën e drejtë dhe rreziqet e kombit, prej intrigave të armiqve atyre atdhetarëve që nuk interesohen  të futet ndër ta nxehtësira e shenjtëruar, e cila quhet patriotizmë, me pak fjalë të jetë  mpronjës, ndihmës, këshilltor  dhe luftëtar i. interesave të kombit”. Kur gazeta filloi të botohej, në Amerikë ndodheshin rreth shtatë mijë shqiptarë.

Efthim Thanasi,që në fillim dhe deri në fund,ishte dora e djathtë e Sotir Pecit në këtë gazetë. Në kujtimet e tij, ai thekson se vështirësitë për të nisur e botuar gazetën ishin të panumërta. Përveç anës ekonomike, që ishte një problem më vete, dihet vështirësia e gazetave në shqip, të botuara në vend të huaj, si dhe presionet dhe kërcënimet, apo ndonjëherë dhe ofertat joshëse, që mori botuesi i saj nga qarqe të ndryshme antishqiptare. Por. gazeta vazhdoi jetën e saj dhe Peci nuk u bë pree asnjë kërcënimi apo joshjeje.  Efthim Thanasi  thotë se: “Kombi u mbajt ndezur nga zjarri i shenjtë… ndonëse e nismë me aq pak vetë puna vajti mbarë. Pse? Se ata të pakët që e nisën e kishin zjarrin e shenjtë,siç thotë frëngu ”le fë sakrë” dhe arrimë që atë zjarr t’a kishin një pakicë e vogël dhe pakica e vogël, n.q.s. ka një fushë veprimi ku të punojë mbaron punë. Edhe fusha ishte se shqiptarët ishin patriotë shumë më përpara, nuk i bëmë ne patriotë. Deshën vetëm udhëheqës dhe perëndia u dha ca udhëheqës për rilindjen e tyre”.

 Ai e quan dhe Pecin si një ndër udhëheqësit shpirtërorë të kombit dhe veçanërisht të shqiptarëve të Amerikës, të cilët te gazeta gjenin një pjesë të atdheut të tyre të munguar. Kjo për faktin  se “Kombi” ishte e para gazetë e shqiptarëve të Amerikës me përmbajtje politike-shoqërore dhe letrare. Gazeta doli me rreth 110 numra, e shkruar kryesisht në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në frëngjisht, italisht dhe anglisht, duke u shpërndarë në Amerikë, kolonitë shqiptare të vendeve të tjera, si dhe në Shqipëri, ku hynte ilegalisht. Nëpërmjet botimit të gazetës synohej forcimi i ndërgjegjes kombëtare tek shqiptarët, që ata të bashkuar  të luftonin  për çlirim. Me problemet që trajtoi, ajo u vu plotësisht në shërbim të çështjes kombëtare, duke u bërë tribunë e mendimit patriotik në ato vite. Gazeta ishte dinjitoze për kohën dhe shumica e artikujve kryesorë, në ballinën e saj mbajnë firmën e Pecit. Veçanërisht, pena e tij shkëlqeu në  fushën e mendimit politik. Dhe jo vetëm te “Kombi”, por kudo që ngjeu  penën e gazetarit dhe në kohra të turbullta, apo në kohrat kur kapi majat e pushtetit, si dhe në kohën kur, me dhimbje, i duhej të ndeshej në fushën e ideve me Nolin, mikun e tij të rinisë, kudo pra, ndihet në shkrimet e tij humanizmi  intelektual dhe guximi qytetar. Ai eci vërtet në gjurmët e publicistikës, që mbëshetej fuqishëm në ideologjinë e Rilindjes, por shkoi akoma më tej  me mendimet e tij,duke u shfaqur si një vizionar i drejtimit perëndimor  e demokratik të vendit.

Duke iu rikthyer sërish gazetës “Kombi”, meqë ajo është bërthama e pulicistikës së tij, me rezonancë më të dendur, duhet theksuar dhe fakti se gazeta, duke qënë  një tribunë e lirë në të cilën analizohej gjendja e Shqipërisë, rreziqet  që e kërcënonin atë, arrinte në konkluzionin e shprehur dendur, se vetëm me luftën e armatosur  shqiptarët do të mund të siguronin lirinë e shumëpritur. Në një shkrim të qeshorit 1906, me titull “Mjaft urtësi dhe durim”, vizionari demokrat tenton një rrugë që shumë pak e aplikuan; kritikën  dhe jo lajkatimin, duke iu drejtuar vetes dhe të tjerëve; ”Gjendemi në rrezik se nuk kemi punuar dhe nuk punojmë siç duhet dhe siç kanë punuar të tjerë kombe, se vemi  më së shumti  me ato mendje të ndryshkura  se s’mundim  të bëjmë  gjë dhe të presim prej perëndie dhe prej bote të na shpëtojë”. Peci nuk bëhet pre e asnjë mashtrimi dhe dinakërie, ai nuhaste dhe nuancat më të holla  të politikave antishqiptare, që kërkonin të bënin tregti me territorret shqiptare, duke manipuluar në emër të miqësisë false.  

Artikujt e tij kanë, për çudi, një linjë konsekuente idesh  dhe lidhje organike mes tyre dhe kur ai shtronte pyetjen  nga do të vijë shpëtimi, po vetë arrin në përfundimin se: ”Duhet të lëmë mënjanë kapriçot  filodoksiane, interesat e veçanta dhe fanatizmin, përpara qëllimeve të ngutshme dhe duke patur ato për dritë dhe tregonjë, të udhëtojmë nëpër të përpjetën dhe nëpër malet, të cilat duhet t’i kapërcejmë që të arrijmë lirinë”. Si mjet të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve, Peci vlerësonte eliminimin e përçarjes fetare. Ishte koha  kur si brenda vendit, ashtu dhe në kolonitë shqiptare në mërgim, nuk predikohej në gjuhën shqipe, kur patriarkana e Stambollit e kishte humbur  karakterin e vet igumenik  dhe duke pasur dhe përkrahjen e Portës së Lartë,  kryente politikë antishqiptare. Rruga e vetme për këtë  ishte krijimi i kishës me shërbim  fetar në shqip, qëllim të cilit Peci do t’i shërbente jo vetëm me një seri shkrimesh publicistike, por dhe mbështetjen që i dha F.Noli, kur ky  themeloi  në Boston “Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare”.

Si gjithë rilindasit iluministë dhe humanistë ai shtronte si domosdoshmëri çështjen e gjuhës  shqipe, unifikimin e alfabetit dhe vendosjen e normës letrare. Pjesëmarrësi i Kongresit të Manastirit që në fillim do të theksonte se: “Çështja më për të vënë re  dhe të cilën duhet ta ndjekin gjithë shqiptarët,është çështja e gjuhës dhe themeli i gjuhës është shkrimi, pra qëllimi  tonë i parë  duhet të jetë njëshja e a.b.c., duke i rrëfyer botës  se jo vetëm kemi  gjuhë që shkruhet, por që  kemi  një shkrim si kombet e tjera”. Vetëm nevoja dhe domosdoshmëria e shkrimit të kësaj gjuhe do ta bëntë të diplomuarin për matematikë një nga publicistët dhe gjuhëtarët më të shquar të kulturës shqiptare, në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, i cili me mjeshtëri  dhe pa ndezur konflikte të forta krahinore, përdori për gazetën e tij alfabetin latin të shoqërisë “Bashkimi“ dhe jo atë të Stambollit, duke bërë kështu një gjest emancimimi për ta afruar më shumë Shqipërinë me perëndimin. 

Sotir Peci, si idealist, besonte tek e nesmërja, te sendërtimi  i prosperitetit dhe qytetërimit, por ishte tepër realist dhe i mprehtë për të kuptuar se interesat e klaneve shqiptare nuk sillnin progres por regres:”Jemi nënë zgjedhë dhe të këqijat që kemi hequr dhe  heqim na japin të kuptojmë që kurdoherë dhe prej cilitdo, e drejta matet me kutin e interesave të ndryshme, ndryshe nuk do të gjendeshim në këtë shkallë  qytetërimi dhe njerëzimi”.

Ai ishte skeptik dhe demaskues i regjimit xhonturk, i premtimeve të bujshme të tyre për të vendosur barazitë dhe të drejtat për të gjitha kombësitë e Perandorisë: ”Është e ditur se programi i turqve të rinj është krejt i përkundërt  me çështjen tonë kombëtare. Ata duan t’i japin shpirt Turqisë”. Deviza e tij është përfundimtare:”Dëshira dhe mejtimi i çdo shqiptari duhet të jetë  vetqeverimi dhe storasja  e një konstitutue kombëtare, e një shteti shqiptar. Atje duhet të drejtohen të gjitha veprimet tona”. Vizioni i tij është i përparuar për kohën  dhe shkon më tej duke hedhur në shkrimet e tij idenë për  krijimin e gjykatave  dhe administratës me nëpunës shqiptarë.

 Publicistika e S.Pecit është e gjerë  dhe e shpërndarë  edhe në organe të tjera të kohës kur jetoi.  Ky shkrim ishte vetëm një vështrim i përgjithshëm mbi  disa nga idetë e tij të shprehura në artikujt e “Kombit”. Por ajo që duhet theksuar te Peci  është se ai hodhi themelet e publicistikës moderne shqiptare, sepse  u përpoq në shkrimet e botuara të pulsonte me pulsin e atdheut dhe aspiratave të tij, se u përpoq ta ruante shqipen në  këto shkrimet të pastër, dhe jashtë stilit të gazetarisë vulgare, sepse krijoi një gazetë indipendente që nuk iu nënshtrua asnjë klani dhe qëllimi antishqiptar dhe antihumanist dhe u mundua që në të shprehurin e vet të afrohej sa më pranë fjalës së latuar me penën e mjeshtrit, se pati kurajon të konstatonte, të akuzonte dhe të denonconte, jashtë çdo lloj tutele politike, se njihte mirë realitetin ndërkombëtar dhe historinë e kombeve, çka i shërbente  për krahasime dhe polemika, se ishte tepër vizionar mbi ndërtimin e shtetit të ri shqiptar, duke u përpjekur të japë disa aspekte të tij, se ishte realist ironik dhe sarkastik i mprehtë, se dinte të sulmonte kur duhej dhe si duhej, me forcën që i jepte mendimi i lirë dhë ëndrra për një Shqipëri ndryshe, se asnjë lloj mjegulle, sado e tejdukshme nuk e mbuloi për asnjë çast idealin e tij për progresin dhe qytetërimin, sepse siç thotë dhe i biri Gaqo Peci, motoja e tij ishte “Ideali nuk i unjet kurrë forcës”. Vetëm me idealizmin  e purifikuar  përmes atdhedashurisë, ai  meriton të kthehet në një përmendore të aspiratave dhe sakrificave  mbi altarin e shenjtë të kombit.

Filed Under: Kulture Tagged With: Jonela Spaho, Sotir peci

KRISTO FLOQI, KOHA DHE VEPRA E TIJ LETRARE

October 30, 2021 by s p

Prof. as. dr. Jonela Spaho, Dekane, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë, rrëfen për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, studimin “Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare” ku paraqet jetën dhe veprën e gjërë të Kristo Floqit në politikë, media, jurisprudencë, kulturë, komedi, dramaturgji, poezi por fokusohet veçanërisht te veprimtaria e Kristo Floqit si Ministër i Arsimit, deputet i Dibrës dhe i Korçës dhe Këshilltar Shteti ku Floqi ishte një nga juristët më të shquar të kohës, sepse ishte organizues i drejtësisë shqiptare në Qeverinë e Ismail Qemalit, Kryetar i Gjykatës së parë në Shqipëri, botues dhe përkthyes i literaturës juridike në shqip. Me Prof. as. dr. Jonela Spahon bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol PAJA.

KRISTO FLOQI, NJË PERSONALITET POLIEDRIK

Kristo Floqi është një personalitet poliedrik, vepra e të cilit ngjall kureshtje dhe ngacmon çdo studiues të interesuar, veçmas, për periudhën e gjysmës së parë të shekullit XX. Edhe pse i diplomuar në fushën e jurisprudences, roli i tij si njeri aktiv në fushën e kulturës dhe mendimit shqiptar duhet çmuar, veçanërisht në kontekstin kohor si një nga lëvruesit sasiorë dhe cilësorë të gjinisë dramatike, vepra e të cilit u pëlqye dhe u receptua gjerësisht nga audienca e kohës, nëpërmjet vënies në skenë nga, pothuaj, të gjitha trupat e teatrove amatore të Shqipërisë në atë kohë, veçanërisht komedia e tij nëpërmjet së cilës ai u bë autori më prodhimtar dhe më popullor i periudhës. Horizonti i pritjes për komeditë e Kristo Floqit ka qenë më i ndjeshëm ndaj shfaqjeve në skenë të veprave të tij, sesa ndaj tyre si tekst letrar. Në këtë kuptim, është e përligjur vëmendja që mund t’i kushtohet dhe aspektit të pritjes, apo receptimit të veprës së tij nga publiku, nëpërmjet vënies së saj në skenë. Lidhur me figurën e Kristo Floqit është folur pak dhe kritika rrallë eshtë marrë me të, sepse për një kohë të gjatë, gati gjysëmshekullore, emri dhe vepra e tij u mbuluan  me heshtje dhe autori u anatemua dhe u përndoq.

KRISTO FLOQI NGA MINISTËR I ARSIMIT, DEPUTET I DIBRËS DHE I KORÇËS E KËSHILLTAR SHTETI

K.Floqi ka një aktivitet të dendur në fushën politike të gjysmës së parë të shekullit XX, si Ministër i Arsimit, deputet i Dibrës dhe i Korçës dhe Këshilltar Shteti. Ai ka qenë një nga juristët më të shquar të kohës, sepse është organizues i drejtësisë shqiptare në Qeverinë e Ismail Qemalit, Kryetar i Gjykatës së parë në Shqipëri, botues dhe përkthyes i literaturës juridike në shqip.Veçanërisht duhet përmendur aktiviteti i tij si patriot dhe publicist sepse ai ishte pjesëmarrës i rretheve patriotike për dëbimin e pushtuesve të huaj, delegat i Kongresit të Triestes, themelues i Federatës Panshqiptare “Vatra”, në Amerikë, bashkë me F.Nolin dhe F.Konicën dhe Komitetit ”Shqipëria e Re” në Milano, bashkë me Xh.Skiroin dhe K.Seremben. Gjithashtu, ai ka refuzuar në mënyrë të vendosur ndryshimin e sistemit qeverisës në Shqipëri; nga republikë në monarki, duke dalë hapur dhe i vetëm me fjalimet e tij ne parlament kundër shpalljes së Zogut si mbret i shqiptarëve.

KRISTO FLOQI SI BOTUES I MEDIAVE “DIELLI”, “AGIMI” E  “INDIPENDENCA SHQIPTARE”

Kristo Floqi është botues i së përjavshmes “Dielli” në Boston, “Zëri i popullit”, në Nju Jork, i të përmuajshmes “Agimi” në Shkodër, i gazetës “Indipendenca Shqiptare” në Tiranë etj. Por Kristo Floqi është dhe një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të periudhës  i cili shkroi dhe botoi rreth 20 komdi dhe farsa, tre drama, një tragjedi, ndërsa si poet ai u paraqit me vëllimet “Tingëllimat e zembrës”, ”Shkëndija ose antologji shkollore” dhe me poemat “Dëshmorët e Rilindjes” dhe “Shqyptarët”. Për të studiuar e pozicionuar më mirë veprën e tij dramaturgjike duhet ta shohim atë, së pari, në rrafshin e premisave historiko–letrare të zhvillimit të dramaturgjisë shqiptare, deri në gjysmën e parë të shekullit të XX. Në këtë periudhë dramaturgjia shqiptare, megjithëse nuk u zhvillua deri në atë masë që u zhvillua poezia dhe proza, njohu një zhvillim të ri. Në dramaturgjinë e kësaj periudhe u bënë përpjekje për krijimin e figurave artistike dhe karaktereve dramatike me botëkuptimin dhe prirjen realiste të pasqyrimit të realitetit historik dhe shoqëror, me gjithë notat e sentimentalizmit e melodramatizmit që e karakterizonin atë. Në suazën e zhvillimit të llojeve dramatike dallohet zhvillimi i komedisë, e cila ishte më e ndjeshme ndaj problemeve shoqërore. Në këtë periudhë (1912-1927), K.Floqi shkroi rreth 20 komedi dhe farsa, të cilat u botuan më vete, ose në organe të ndryshme të shtypit të kohës.

KRISTO FLOQI SI KOMEDIAN

Për analizimin e komedive të K.Floqit është e rëndësishme të vërehet tipologjia e llojit. Kështu, nëse do të flisnim për një tipologji të veprës së tij komike, duke u mbështetur dhe në përfundimet e studiuesve, mund të themi se në krijimtarinë komike të Kristo Floqit gjejmë dhe komedinë dhe farsën. Pas analizimit të përbërësve komikë, rezulton se pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij janë komedi, për nga problematika që trajtojnë, për nga mënyra si janë realizuar karakteret dhe situatat komike, apo mënyrës si janë strukturuar subjektet dhe ndërtuar kontradiktat komike. Ndërsa një pjesë e krijimtarisë komike janë farsa, pra vepra komike me një përmbajtje të lehtë që provokojnë gëzim dhe hare, për shkak të humorit që shndërrohet si qëllim në vetvete, situatave absurde, ngjarjet e pamundura, ekzagjerimi i vesit etj. Komeditë e K.Floqit patën një reagim pozitiv nga publiku, pasi ai vuri në qendër të tyre probleme të mprehta që shqetësonin shoqërinë e kohës kur ai i shkroi ato, apo probleme që kishin të bënin me aspekte të ndryshme të jetës familjare. Koha kur Kristo Floqi krijoi pjesën më të madhe të komedive dhe farsave të tij, përkoi me ndryshime të rëndësishme politiko-shoqërore. Për këtë arsye, një pjesë e komedive të tij kanë në fokus problematikën politiko-shoqërore. Si njohës dhe vrojtues i mirë i problemeve të realitetit shqiptar, duke parë nga afër problemet, prapaskenat dhe dështimet e disa qeverive ai satirizoi me guxim klika e personazhe negative, që po e çonin vendin drejt kaosit. Gama e problemeve që trajton ai, në komeditë e tij, është e gjerë dhe duket se autorit nuk i ka shpëtuar asnjë fenomen dhe dukuri negative. Ai preku probleme të rëndësishme që kishin të bënin me gjendjen e arsimit shqiptar, me sistemin gjyqësor, me financat dhe infrastrukturën e vendit. Në to veprojnë një galeri e tërë personazhesh që fillojnë që nga majat e pushtetit e shkojnë deri te njerëzit e thjeshtë, të cilët janë bartësit e veseve dhe deformimeve morale. Në këto komedi, me këtë problematikë, ai dënon paaftësinë në detyrë, akraballëkun, abuzimin me postin, lakminë për pushtet, pafytyrësinë, mënyrën jo të ndershme të përfitimit, korrupsionin etj. Komeditë e K.Floqit shquhen gjithashtu për mjeshtërinë e realizimit të gjuhës së personazheve, me anë të së cilës ai arrin t’i individualizojë ato. Gjuha e personazheve të tij është në përputhje me shtresën, mjedisin, botëkuptimin dhe kulturën që ata përfaqësojnë, pra me thelbin shoqëror të tyre. Shpesh, nëpërmjet gjuhës ai zbulon te personazhet injorancën, lakminë, pafytyrësinë, hipokrizinë dhe budallallëkun, duke shfrytëzuar me mjeshtëri mundësitë e frazës për të zbuluar kontradiktën komike dhe për t’u pozicionuar ideoemocionalisht.

KRISTO FLOQI SI DRAMATURG

Kristo Floqi shquhet po ashtu edhe si një nga autorët e mirënjohur të dramave të kësaj periudhe. Ai në dramat e tij do ta drejtonte vëmendjen tek problemet me të mprehta të kombit shqiptar, do të vinte në qendër të tyre dedikimin e shqiptarit ndaj idealit të lirisë, do të pasqyronte botën e  pasioneve të bashkatdhetarëve të tij dhe aftësinë e tyre për të përballuar sfidat më të mëdha në luftën për ekzistencë. Me mjeshtëri artistike, K.Floqi ka përhapur në dramat e tij aspiratat jetike dhe problemet e shpirtit dhe mentalitetit shqiptar, ka artikuluar anët më të ndërlikuara të problemeve ekzistenciale, me të cilat përballej populli në çastet e tij më dramatike. Duke pasqyruar, pikërisht këto probleme esenciale, të gjitha dramat e tij u bënë të pëlqyeshme dhe të mirëpritura nga publiku i kohës. Duke mos iu përmbajtur plotësisht të dhënave historike, autori ka ndjekur rrugën e dramaturgjisë së Rilindjes Kombëtare me subjektivizmin e ngjarjeve dhe me mitizimin e historisë, gjithnjë duke u nisur nga motive të pastra patriotie. Subjekti i këtyre dramave ndërtohet në mënyrë të thjeshtë, sipas parimit kronologjik. Ngjarjet ndjekin njëra – tjetrën në rendin e tyre kohor, por janë ndërtuar edhe sipas parimit shkak – pasojë. Autori parapëlqen, kryesisht prezantimin e personazhit kryesor që në fillim të veprës, nëpërmjet monologut dhe ndërkohë përgatit situatën për hyrjen në skenë të personazheve të tjera. Kësisoj, subjekti i ndërtuar si skema e marrëdhënieve midis personazheve, krijon një varësi të drejtpërdrejtë nga mënyra se si shfaqen personazhet në rrjedhën e veprimit dramatik dhe nga roli i tyre në zhvillimin e intrigës dramatike. Ndërtimi i subjekteve të tij është i ngjashëm me skemat e thjeshta të ndërtimit të subjektit të dramave me temë patriotiko – shoqërore të periudhës. Qëllimi dhe mesazhi kryesor i këtyre dramave ishte atdhedashuria, prandaj dhe rrjedha e shtjellimit të subjektit i është nënshtruar këtij mesazhi. Kristo Floqi nuk doli, me pak përjashtime, nga kuadri i ndërtimit të dramës shqiptare më këtë temë të periudhës në fjalë. Ndoshta ndërtimi i subjekteve, i veprimit dramatik dhe i situatave dramatike do të kërkonte forcë më të madhe realizimi artistik, për të shmangur një lloj shabllonizmi që vihet re jo vetëm në dramat e tij, por në gjithë dramat e periudhës. 

KRISTO FLOQI DHE KRIJIMET E TRAGJEDISË

Në krijimtarinë dramaturgjike të Κristo Floqit hyn dhe tragjedia “Pirro Neoptolemi”, me të cilën ai u bë lëvruesi i gjithë tipologjisë dramaturgjike në atë periudhë. Duke e vënë veçanërisht theksin mbi zbulimin e disa të vërtetave historike, ai është munduar në këtë tragjedi t’i qëndrojë sa më besnik historisë, duke u konsultuar me burime të hershme dhe duke bërë krahasime midis tyre. Ndryshe nga Rasini dhe Euripidi, që e përfundojnë tragjedinë me vrasjen e Pirros, Kristo Floqi e mbyll këtë tragjedi me vdekjen e Andromakës dhe Hermionës. Kjo tragjedi sjell skena të realizuara mbi mënyrën se si zhvillohet jeta në kushtet e mungesës së dashurisë respektive, kur ajo zëvendësohet me vese, kur ngec vetëdija dhe kur margjinalizohen çështjet ekzistenciale, deri në masën e vetmashtrimit. Fataliteti i heroinjve këtu shihet si pasojë jo e fatit, por e veprimeve njerëzore dhe e paaftësisë së tyre për t’i baraspeshuar pasionet me arsyen.

KRISTO FLOQI SI POET

Tiparet kryesore të stilit poetik të autorit, që shfaqen në këtë vëllim janë, lirizmi i thellë, psikologjizmi që buron prej tij, introspeksioni, sinqeriteti, shpërthimi i ndjenjës dhe përshkrimi. Lirizmi i thellë dhe depërtues që qëndis gjithë perlat dashurore të tij, krijohet prej faktit që kjo poezi është një lirikë, e pasur me konkretësinë e ndjenjës, dhimbjes dhe gëzimit të çastit. Lirika e tij mund të themi se është e varfër nga mendimi por është e pasur me alternim gjendjesh. Duke qënë në thelb një poezi me nota të theksuara autobiografike, por dhe një poezi e lokalizuar në një mjedis të caktuar shpirtëror dhe shoqëror, poezia e tij pasqyron në thelb qerthullin e ndjesive njerëzore që marrin spunto dhe ngacmohen nga shfaqje të ndryshme të natyrës dhe marrëdhënieve njerëzore, që në këtë vëllim janë specifikuar si marrëdhënie mes vajzës dhe djalit, të cilët si pjesë e një ambienti të caktuar, me guximin e tyre për të realizuar dashurinë dhe lumturinë që buron prej saj, sjellin notat e një emancipimi kulturor të trevës së cilës i përkiste autori. Në lirikën e Kristo Floqit vërehet dukshëm dhe ndikimi nga poezia popullore në mjetet stilistikore dhe në figuracionin popullor që përdoret dendur, sidomos në përshkrimin e portretit të vajzës.   

Filed Under: Featured Tagged With: Jonela Spaho

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT