nga Jozef Radi/
…në të 15 vjet të ikjes së Tij!/
Me shkruejtë për Ahmet Kolgjinin, kam mendue gjithherë sa asht gjaja ma e lehtë që mund të baj, bile mund ta baj edhe me sytë mbyllë, edhe në gjumë, edhe midis çorodisë së përditshme… mundem me thanë… çka s’mundem për Ahmet Kolgjinin: mundem me shkrue me lehtësinë e çeljes së lules apo ramjes së gjethes, mbasi akumulimi im i gjatë e i heshtun, për çdo grimcë të dhunueme të jetës së këtij djaloshi të ikun herët, ndër ato kohna të përgjakuna shtazësh të egra, ka pikue në mue si dhimbje hane dhe rrin ashtu i mbledhun dhe pret… prandej them se gjithçka mund të shfaqet ashtu si nji krue që rrjedh pa ia kërkue askush, thjesht pse Ahmet Kolgjini hyn te ajo kategori e njerzve që mbeten “djaloça të përjetshëm”, pse shpirti i tyne ka nji përmasë të veçantë e të papërsritshme, që e ndalon moshën me ecë dhe i jep krahë pegasit të shpirtit me i grah qiellit kah të mundet, deri sa ta lodhë atë…
Shpesh e mendoj dhe i bahem dalazotas i jetës dhe veprës së këtij njeriu modest, pse ai i dha vuejtjes kuptimin ma madhështor të jetës, pse diti me i ba vend vetes ndër miq e shokë, po edhe ndër urrejtsa, pse edhe fëmijë ndër vuejtje e tortura të mnershme ndejt si burrë; pse edhe i rritun pa babë, po nën kujdesin e veçantë të nji partie që s’e la me gëzue nji ditë të vetme n’at përmasën e tij njerzore të papërmasë… e megjithatë Ahmeti mbijetoi.
Sot i përkujtojmë të pesëmbëdhjetin vit të ngjitjes ndër qiej, dhe jam i bindun se ai kqyr mbi ne, kqyr me shumë dhimbje gjithçka ndodh, pse shumçka asht ashtu si ai s’e kishte andrrue… e sigurisht ndër qiej ai përlotet jo për çka hoqi e vuejti, po për çka andrra e tij për vend të vet vazhdon të jetë andërr…
Sot po e përcjell kët nderim ndaj tij me disa poezi që ai mbrriti me i ba libër pak para se ti mbyllte sytë, për me dëshmue që edhe pse futën në burg pa mbushte të 18 vitet, edhe pse bani 20 e kusur vite burgjeve të tmerrit, edhe pse u rrit pa babë; edhe me pse motra rrugëve të krejt kampeve të tmerrit, ai do të mbahet mend e do të kujtohet si poet, si poet delikat i asaj dashnie që mbetet veç andërr…
Ky njeri i brishtë e i tejdukshëm, ky zog vetmitar kange, fitoi betejën ma të madhe të jetës së vet: betejën me urrejtjen, mbasi kish fitue betejën mbi trishtimin, betejën e pafund me burgjet dhe interrnimet, betejën me provokuesit e ndytë që s’i lanë nji ditë me e gëzue si duhet… betejën e të mbetunit Njeri, Njeri i Dashuruem… kur bishat të shkelnin me kambë e me dhambë…
Nderim, respekt, mirnjoftje dhe do pika loti të spërkatuna me dritë… për Ju zoti Kolgjini!
2 gusht, 2014
*Botohet me lejen e autorit.
ATA QE VEC E FSHIKIN PAKSA JETEN TONE…
Ne kujtim te Vehip Hoxhes, qe vdiq ne kampin e internimit ne Saver te Lushnjes/
Nga Jozef Radi/
Ka njerëz që veç ta fshikin paksa jetën tënde, po brenda asaj fshikje është krejt magjia e së përjetshmes dhe ai mesazh i tyre, paksa i heshtur, pa e ditur as vetë pse, të merr dhe përcjell ngado që vërtitet jeta jote. Vërtet mund të harrosh shumçka të rëndsishme të jetës tënde, po magjia që ai njeri, pothuaj i panjohur, ka lënë …tek ti është aq e madhe dhe e pabesueshme, sa ti e ke jo të pamundur ta harrosh, po e ndjen të domosdoshme ta kujtosh në at përmasë të veçantë, që edhe pse vështirë të kuptohet se ç’është; sepse ajo çka ke lexuar, mësuar e leçitur në jetë s’ta ka dhënë at çelsin e duhur të mbrritjes tek e vërteta e asaj vogëlsie që ka lënë nji gjurmë të madhe, të dukshme e të pashlyeshme…
E nisur diku prej fëminisë së hershme ajo sërish të ndjek ngadoqë ti vërtitesh: ndër kohra, hapsira dhe njerëz… derisa gjen ditën e disi përdhunshëm, të thotë: “Ajo e vërteta që të përkiste ty duhet të jetë edhe e të tjerëve…!”
Dhe ky personazh i jetës sime nuk vjen prej asnji fantazie, prej asnji përralle, prej asnji trimërie; ai thjesht ishte aty në jetën time deri at mbasdite, kur më mori përdore dhe me hijen e nji gjyshi të munguar dhe të nji mësuesi që mosha s’ia kish shterrur pasionin e parë, më tregoi se dashuria për çdo vogëlsi të jetës bëhet pasuria më e madhe, e njeriu atë mund ta fitojë përditë, në shpërfillje të ashpërsisë së jetës, pa iu nënshtruar rrethanave edhe kur ato shfaqen të përbindëshme!
Ky plak i urtë përtej të shtatëdhjetave quhej Vehip Hoxha, e derës së Hoxhatëve të Gjirokastrës, arratisja e djalit të vetëm Asafit, në fund të viteve ‘50, vërtet e kish degdisur Myzeqesë, po s’kish mundur t’ia cënonte at pamjen e tij prej dendy, as veshjen gjithnji perfekte si i posadalë kutie, as sjelljen prej fisniku, as shikimin e mprehtë që s’i shpëtonte asgjë, veçanërisht e bukura, as ecjen e hijshme e të ngadaltë, e pothuaj të përditshme drejt qytetit; aq sa të krijonte idenë se ishte nji krijesë jashtë realitetit komunist… dhe jo nji i dënuar rëndomtë i gulageve shqiptare!
Vehip Hoxha kishte qenë ndër mësuesit e parë në Gjirokastër, drejtor banke në Korçë gjatë viteve ‘30, nëpunës i lartë Banke për shumë kohë në Tiranë… burrë i emnacipuar, baba i tenistes së parë shqiptare: Andan Hoxhës, dajko i Nedim dhe Vedat Kokonës, u detyrua forcërisht, edhe pse mbi të shtatëdhjetat, bashkë me tri vajzat: Andanin, Suzanën e Nerimanin dhe gruan, Zonjën Nalo, nga fisi i Bejove, të kalonin vite pafund mes baltrat aspak mikpritëse të Myzeqesë… aty ku përbaltesh jeta e shumë familjeve të nderuara shqiptare e aty ku sapo kish mbirë fëminia ime dhe e shumë sivllezërve të mi.
Ishte pamja e tij tejet serioze, që më shtynte ta shihja Xha Vehipin, si nji sfidant të regjimit, si nji shpërfillës të madh, si njeriu që edhe ndaj baltës së madhe myzeqare “vishte dy palë këpucë!!”, bile nji shoku im, që mori përsipër t’ia pastronte palën e përbaltur duke u tallur, provoi edhe shijen e bastunit të tij… që ende sot e ka të freskët!
Edhe pse ndër më të moshuarit, Xha Vehipi gjithë grave të kampit u thoshte Zonja dhe gjithë burrave Zotëri… aq sa edhe unë që s’kisha më shumë se 7-8 vjeç, një mbasdite u shfaqa si “zotëri” edhe pse përdore më ftonte në shtëpinë e vet, duke iu drejtuar gruas dhe vajzave: “Ku është djali i zotit Lazër dhe miku im i vogël, prej sot kët zotni ju duhet ta nderoni dhe respektoni si burrë të madh!” Dhe toni dhe fjala e tij ishte ligj!
Xha Vehipi, ishte sigurisht filatelisti më i zellshëm shqiptar… albumet e tij të pullave postare ishin të panumërt dhe koleksionet e tij nga më të pasurat që kishte Shqipëria!
Filatelia u bë afërsia e madhe mes nesh!
Unë do të përpiqem t’i jap gjithë bisedat si nji e vetme, mbasi ato ishin aq të bukura dhe të shtrira në vite… duke u rrekur të jap thelbin e tij prej mësuesi, njeriu dhe vizionari!
Duke më treguar albumet e tij të shumta më thoshte: “I sheh këto pulla poste, duket sikur s’kanë asnji rëndësi, duken si ca gjëra pavlerë që shoqërojnë veç letrat dhe kartolinat! Jo, s’është kështu… çdo pullë ka një informacion të shkëlqyer! Ja shikoje: së pari tregojnë shtetin nga vjen, së dyti tregojnë vitin kur është emetuar, së treti aty mund të gjesh nji ngjarje, nji personazh, nji lule, nji qytet, një kafshë, një sport, një olimpiadë… e ku e di unë, pra po të jesh i vëmendshëm, ti pa pyetur askënd merr vesh shumë gjera. Fjala vjen ti nga pullat mëson se Ingliterra s’ka mbret po mbretëreshë, dhe s’ka pullë të mbretërisë së saj të pashoqëruar nga figura e mbretëreshës… E di si quhet mbretëresha…? Ja s’e di! Queen Elisabeth! Ja pra e mësove dhe këtë… Po do mësosh se figurën e Mbretëreshës s’e kanë vetëm pullat e Mbretërisë, po edhe të gjithë kolonive si fjala vjen Australia, Zelanda e Re, Kanadaja, e shumë koloni të vogla. Mëson kryeqytetet e botës, mëson emrat e udhëheqsave, mëson gjeografinë, mëson historinë, mëson edhe politikë… Mëson si t’i mbledhësh pullat, si t’i pastrosh, si t’i vendosësh nëpër albume, si t’i shkëmbesh ato që i ke me shumicë, me të tjera që ti s’i ke… si të bësh miq në Shqipëri pse jo dhe nëpër botë. Pullat së pari të pasurojnë me kulturë, me informacion, e shpenzon kohën e lirë për nji pasion tëndin, pse jo mund të bëhesh edhe i pasur, shpirtërisht e sigurt, po edhe me para sepse po t’i mungojë një koleksionisti të njohur një pullë që e ke vetëm ti… ai ta paguan sa frëngu pulën… Pra, po të jesh i zoti e kupton se ajo pulla e parëndësishme, befas bëhet e madhe e të ndihmon në jetë, që çdo që gjë ta shohësh me interes… Se ai që di të vlerësojë nji pullë, pra nji copë letre; ai di të vlerësojë një libër, di të vlerësojë nji ngjarje, nji grua, nji aeroplan, një personazh… atij që s’i hyn në sy ajo pulla e vogël që kushton pak qindarka, atij s’i hyn në sy asgjë e kësaj bote! Ai lind kot, jeton kot dhe vetëm vdes plot… kurse ai që jeton me interesa dhe mendon për diçka të rëndësishme, ai e jeton jetën me të vërtetë, dhe mos harro se ka mjaft prej atyre që edhe pse vdesin u lenë vlerë emrit dhe vështirë se harrohen! Ja edhe ato pullat që ti i sheh me tallje të mësojnë ta bësh bukur jetën tënde!!!”
Nuk e di se ç’ngjyra mund të ketë pasur fytyra ime fëminore gjatë atyre shpjegimeve magjike të atij njeriu, i sigurt jam se drita e tij edhe mbas katër dekada ka mbetur e paprekur brenda meje, atë dritë s’mundi të ma shkulë askush! Sepse në jetë ndodh rrallë të takosh personazhe të kësaj përmase, po më e rëndësishmja është që nëse fati të ndihmon t’i takosh, të paktën ruaje me kujdes dhe shpërndaje imazhin e tyre që mos të harrohen…
Xha Vehipi, më percillte nëpër oborrin e barakës, ku kishte dy trëndafilë të mëdhenj rozë dhe me gërshërë këpuste nji gonxhe dhe më thoshte: “Merre se e meriton, më dëgjove me vëmendje dhe s’u mërzite, jam i bindur se ajo çka të thashë, do të shërbejë…”
Dhe mbeti mësuesi më i madh i jetës sime!
Xha Vehipi vdiq papritur në vitin 1967! Grupit të interrnuarve që e shoqëruan në varrezat e qytetit at ditë do t’i ngjitesha edhe unë, mbasi iu luta me lot ndër sy tim eti! Isha i vetmi fëmijë që përcillja një mikun timin të Madh, një mësues të papërsëritshëm, që edhe pse i hedhur midis baltës, jetoi dhe vdiq si Zotni!
Xha Vehipi, është prej atyre që veç e kanë fshikur paksa jetën time, po brenda asaj fshikje ka mbetur krejt magjia e së përjetshmes dhe ai mesazh i tij, paksa i heshtur, pa e ditur as vetë pse, më merr dhe më përcjell ngado që vërtitet jeta ime…
NJI URIM I BEFTË PËR RITA ORËN
Nga Jozef Radi/
Emni Rita Ora, prej kohësh e rreh veshin tim, po siç ndodh random me gjithë ata që kanë tashma nji reliev të përcaktuem të shijeve dhe ekzigjencave të tyne muzikore, e shtyjnë pak me arrogancë në shpërfillje ose i lejojnë nji hapsinë aq të vogël asaj çka ndodh përreth, sa nji ditë mbeten paksa jashtë kohe, bash prej këtyne mënyrave selektive e shijeve të tyne, fatkeqsisht të paaxhornuara…
E ndërsa “shetisja” ashtu i përhumbun midis flamurëve të nji feste të madhe ndër shqiptarë, befas bukuria tallazuese e Kim Kardashian m’u shfaq e plotë, veshun e gjitha në të kuq me nji shqiponjë që i rrinte gjoksit të saj si nji grafullim tundues…
Mendova se asht nji lojë… Po edhe nëse asht lojë fotoshopi – thashë, – i lumtë atij që e ka mendue! Ndala pak ma gjatë dhe e kundrova at bukuri të veshun me diçka që m’përkiste edhe mua, e kjo më dha nji afërsi të çuditshme, nji atmosferë dashnie që merr befas kuptim dhe ti s’e gjen psenë e kësaj që ndodh me ty… Megjithatë, thashë, po e gërmoj pak psenë e këtij operacioni mediatik dhe gjeta ndër rreshta se… i vëllai i Kim: Rob Kardashian, ishte afërsisht “i dashtuni” i Ritës, kangtares së lindun në Kosovë në vitin 1990…
Pra, nji lidhje ishte… ashtu krejt pa lidhje nuk ishte!!!
Po kush dreqin na qenka kjo Rita Ora, që paska kaq pushtet në muzikë dhe që unë s’po ditkam asgja… thashë me vete, dhe ia nisa nji udhëtimi kërkues që më zhyti ndër botë të panjoftuna rinie… Mbrenda pak çastesh ti e gjen veten mes nji mrekulli të pabesueshme: takohesh me nji vajzë të ikun nga vendi i saj, dhe ndjen nji artiste komplete, me përmasa të jashtzakonshme, artiste që pak çaste ma parë ishte për ty krejt e huej, e largët, askushi…
Hej injorant! – i thirra vetes – dhe vazhdova zhytjen nëpër at natë magjike, ku nji bionde sensuale, diçka ma shumë se njizet vjeçe, të afronte gjithçka: mbi të gjitha nji za plot jetë me nuanca e vibracione grabitëse; energji dhe shlirtësi të natyrshme, nji timbër edhe pse disi të ngjashëm e të krahasuem me superyjet e momentit, kishte diçka të vetën, të pangatrrueshme, rrebel; kisha njoftë kangtaren e nji brezi që jeton në rrugë, në hare, në shkujdesje të plotë dhe pashë se ajo, me nji lehtësi të pabesueshme, ishte nji prej atyne…
Ishte nji udhëtim rrëmbyes… mahnitës… që më detyroi me kuptue se kangë mbas kange përballesha nji personalitet muzike, me nji arrogancë të pabesueshme vokale, që i kishte thye gjithë portat dhe hendeqet dhe me drejtohesh me forcë: Sonte jam unë mbretnesha e shijeve të tua… Unë… dhe askush tjetër!!!
Dhe ti ndjehesh i vogël dhe i madh njiherësh: i vogël pse vizita jonë në kangët e saj asht në kufijtë e të qenit i 100 milionti; i madh sepse ajo i ka dhanë nji përmasë të re shpirtit tand, nji përmasë që prej kësaj nate s’mundet kërkush ta vrasë…
Ishte nji udhëtim që e kapërceu mesnatën pa u ndje, që më futi atje ku s’e besoja, më bani të ndjehesha adoleshent, i pamoshë, i papranguem; të ndjehesha njiherësh planet dhe grimcë… dhe e gjitha kjo prej asaj vajze që kishte kapërcye hendeqet dhe ngurtsinë e etapave ngutshëm falë nji talenti dhe energjie të pabesueshme… Ajo ishte nji vajzë kosovare, që pjesën ma të madhe të jetës e ka kalue në Angli, e që raportet muzikore i kishte me ma të randsishmit e kohës së vet; nji vajzë që shfaqej ngado skenave si nji prej kangtareve ma të sukseshme të panoramës muzikore botnore…
Të Falemnderës Ritë,
zani yt prej sot, prej kësaj mesnate vjeshte, iu ba pjesë e atij relievi tashma të konfiguruem qartë, edhe pse me pak vonesë, e ndjeu se zani yt i paska mungue pa e ditë as ai vetë pse…
Ndërsa nata e mbyllte ciklin e vet duke u futë te dita e re, pashë se n’at shoqni magjike e të pabesueshme të kësaj çupuline të skenës dhe spektaklit, ajo kishte mbushë 22 vite të jetës së saj…
O Zot – thirra! Rita Ora mbushte at çast 22 vjeçe: e pabesueshme!
Më takonte ndër të parët me e urue…!
Takoheshim papritmas në vetminë e nji nate dhe ndjeheshim miq prej kur s’mbahej mend… Edhe njiqind ditë si kjo Rita!
Çfarë mund t’i uroja tjetër?! Asgja ma shumë se at pavdeksi që zani i saj tashma e ka; at mrekulli që ma kishte falë aq papritmas dhe që tash e kisha të pamundun ta braktisja…
Nji falenderim ari Rita Ora, për magjinë e kësaj nate, ku krejt rastësisht të njofta ty, zanin tand, të cilin mjaft prej atyne që sot ndjehen dive të kangës, ta lakmojnë…
U ndala për pak dhe mora frymë thellë! Gjithë kët shkrim e kisha shfry nën tingujt e kangës së saj “Hello, hi, goodbye!”, dhe pa frikë mund të shprehem se mund ta ndigjoj pa u lodhë për nji kohë të pacaktueme… dhe jo vetëm atë…
Prej kësaj nate, bjondja e lindun në Kosovë, e që sot jeton skenave të mëdha, Rita Ora, nji prej mbretneshave të popit botnor, asht edhe mikja ime… Uroj të jetë edhe mikja e gjithkujt që s’u lodh së lexuemi këto shënime mesnate, nën shoqninë magjike të Rita Orës!!!
SHQIPNIA:100 VJET SHTET DHIMBJESH
Nga Jozef Radi/
Tashma me orë pritet festa e 100 Vjetorit i Shtetit Shqiptar.
Nji festë e cila e ka ba flamurin dyngjyrësh të nji kombi të shpaloset gjithkund ndër shqiptarë, (si gjeografi pak e trishtë) e të dëshmojë se lidhja jonë me kuqezinë asht diçka e shkrueme në gjakun tonë, në shpirtin tonë, në vuejtjet tona, në krenarinë tonë ballkanase…
Ky flamur si kurrë ma parë e si kurrë ma hijshëm se sot asht jo vetëm në duart e çdonjenit prej nesh, po shpaloset edhe brenda nesh…
Fati gjithnji ban të vetën. Kët Kryefestë të Flamurit, fati ia ngarkoi ta organizojë Sali Berishës. Nji rastësi historike?! Sigurisht, po mund të mos jetë edhe aq e tillë…! Megjithatë organizimi asht diçka protokollare, e arsyetueme, e diskutueme, buxhetore, kurse festa asht tjetër gja, festa asht shpirt, asht frymë, asht gjendje që nis prej çdonjenit nga ne, ashtu si nji pikë shiu vjeshte dhe merr teposhtë bahet rrëke, përrua, lumë derisa shfaqet ashtu e plotë si nji det i ndezun, me gjithë madhështinë e vet; nji det kuqezi i dalë prej nji dhimbje të madhe historike, po si duket sa ma e madhe dhimbja e lindjes aq ma i madh shpirti i kësaj feste të ndjeme…
Nëse bajmë nji kthim mbrapa në histori ka me na rezultue se në ditë të Mëvetsisë dhe shpalosjes së Flamurit, ngrihet figura urtake e Ismail Qemalit; në të njizetepestin vit shfaqet figura mbretnore e Ahmet Zogut; në të pesëdhjetin vit peshon randë hija e Sekretarit të Parë: Enver Hoxhës dhe bash në mbyllje të shekullit Shtet Shqiptar, rri e përndezun lavdie figura e Kryeministrit Sali Berisha, duke na e ba fakt “volendo nolendo”, se nëpër kto katër simbole, ende të vuejtshme, kalon nji rreth, vetëm nji rreth dhe asnji tjetër: rrethi i Njiqind Viteve Shtet Shqiptar… pa shmangë këtu edhe at figurë që duket si jashtë këtij rrethi, po që historia shqiptare s’ka me e pasë kurrë të lehtë me e anashkalue: ajo e Ibrahim Rugovës!
Po Shqipnia e vërtetë, ajo që jeton në shpirtin e çdonjenit prej nesh s’asht vetëm Shqipnia e Prijsave Politikë, e këtyne “Duerve të Hekurta” të Pushtetit, po Shqipnia e Prijsave Shpirtnorë, nji Shqipni që vërtet ende s’po mundet me folë ashtu si duhet, por që askush s’do mundet me ia ndalë ma fjalën: e kjo asht Shqipnia e Fishtës dhe Konicës, e Mjedës dhe e Nolit, e Koliqit dhe Kutelit, e Lasgushit dhe Migjenit, e Mit’hat Frashërit dhe e Lef Nosit, e Merlikës dhe Merxhanit, e Eqerem Vlorës dhe Krist Malokut, e Ali Asllanit dhe Anton Harapit, e Martin Gjokës dhe Vangjel Koçës, e Çabejt dhe e Rizës, e Kasem Trebeshinës dhe at Zef Pllumbit, e Petro Markos dhe e Vilson Blloshmit, e Trifon Xhagjikës dhe e Havzi Nelës, e Qoses dhe e Kadaresë, e Musine Kokalarit dhe Drita Çomos, e Pipës dhe Malëshovës, e Tefta Tashkos dhe Vaçe Zelës, e Martin Camajt dhe Bilal Xhaferrit, e Padër Meshkallës dhe Arbën Xhaferrit dhe e shumë e shumë të tjerëve, të cilët Panteoni Shqiptar ende i pret dhimbshëm…
Historiografia shqiptare edhe pse ka mbi shpinë shekullin e trazuem të nji shteti, ende s’u ka dhanë qytetarëve të vet nji tekst si duhet, ku të lexohet pak ma qartë e të kuptohen pak ma mirë përpjekja dhe dhimbja e gjithë atyne që e deshën kët vend, secili në mënyrën e vet, e secili me kontributin e vet, nëpër kontekste historike e rrethana politike jo fort fatlume…
Gjithë figurat e sipërpërmenduna të Kryeshtetarëve kanë shfaqë konflikte të hapta interesash me paraardhësit e tyne, e ku gjithsecili asht përpjekë me ngritë lavdinë e vet mbi poshtnimin e tjetrit… secili prej tyne ka kërkue me e u ngjitë sa ma nalt në majën e quejtun shtet shqiptar, vetëm si pjesë e lavdisë së vet dhe pak kush asht shqetsue se gjithçka realizohej ishte sakrifica ma sublime e nji populli të vuejtun, i cili ende e ka qëndresën cilësinë ma primordiale të genit të vet…
28 nantori, asht ditë e kremte dhe secili prej nesh duhet me harrue diçka nga historia e derisotshkrueme! Ajo çka s’duhet harrue asht vendosja në vend e krejt atyne që luftuen me shpirt për kët vend dhe i dhanë gjithçka mundën, shpesh duke marrë mbi fytyrat e tyne të ndrituna edhe shumë baltë të pameritueme…
Asht e vërtetë se krejt figurat e këtyne Kryeshtetarëve qendruen gjatë në pushtet, bile edhe Plaku i Vlorës, edhe pse njeriu ma pushtetpakët i të katërtve, vinte nga pushteti në perandorinë osmane, prej ku zvarritesh edhe fati i trishtë i Shqipnisë… Dy të tjerët kanë pasë nga nji çerek shekulli, kurse ai ma jetgjati pothuaj gjysëm shekull Pushtet…
Sot, në çdo tavolinë shqiptare ku mund të ulesh me festue, asht e vështirë me i bashkue të Katërt këta Prijës dhe të ngresh nji dolli përbashkuese, prej asaj fryme që ata kanë mbjellë në histori! Harrohet edhe ma i randomti fakt se ata mbeten historia jonë; janë e mira dhe e keqja jonë e përbashkët, e bukura dhe e shëmtuemja jonë, heroikja dhe tragjikja jonë…!! Do të mbetesh nji akt i madh paqtues, për secilin prej nesh, prej frymës së kësaj feste të kishim nji përcaktim ma pak randues në dam tyne, ose e thanë pak ma ndryshe, me u ndalë te secili te ajo çka asht ma pozitivja e thelbit të tyne udhëheqës… A nuk do të ishte ma e denjë fjala vjen që Ismail Qemali të përcaktohesh fjala vjen si Dipllomati, Andrrimtari, i Sakrifikuemi; a s’do të ishte denjsisht rigoroze që Ahmet Zogu, të quhej Reformatori, I Paepuni, Autoritari; a s’do të ndjeheshin ma mirë jo vetëm idhtarët e diktaturës nëse Enver Hoxha do të konsiderohej Qëndrestari, Kundërshtuesi, Komandanti; apo Sali Berishës a s’do t’i bahej nder nëse do të quhesh Shpresësjellësi, Ekuilibristi, Kuqebluja…
Këto janë ende andrra… ndaj mbetet e vështirë ndër ne me i respektue si duhet ata që e kanë drejtue Shqipninë e këtyne njëqind viteve! Prej sot duhet të na bahet e pamundun me i poshtnue edhe ma, e me vazhdue pafundsisht me urrejtjen… Veç kështu e kërkon dinjiteti i këtij njiqindvjetori madhështor: me i respektue ata! Le t’i kthejmë me kurajo shumë prej këtyne të përbaltunve të mëdhenj në Panteonin e lavdisë sonë të brishtë; ta dimë ne së pari; mandej edhe fëmijët tanë se nga kemi ardhë, për ku po shkojmë dhe ku mund të mbrrijmë; duke e braktisë njiherë e përgjithmonë idenë e skajshme të heronjve dhe tradhëtarëve… sepse në politikë të gjithë janë nga pak heronj dhe nga pak tradhëtarë… mjaft që të mos jetë në shënjester vetëm e keqja e tyne, sepse vërtet ata qeverisin popullin e tyne po harrohet se ata vërtitën edhe rreth nji harte të madhe, ku koha dhe ngjarjet kanë provue shpesh se asht e vështirë të mos jesh edhe thjesht nji sferë bilardoje…
A s’është mirë që edhe Stoikut Rugova, t’i kujtohet fryma që solli në qëndresën shqiptare dhe jo t’i ciklohen egërsisht çastet e tija të vështira në histori, që shpesh të kujtojnë cejtnotet e shahut…
Po ne ende jemi larg kësaj fryme…
Përballë gjitha këtyne kundërshtive, ndryshe prej herëve të tjera, ky njiqind vjetor po flet si askurrë ma parë me nji gjuhë të pabesueshme bashkuese…!! S’ka as ma të voglin dyshim se sot shqiptarët e gjithë botës kanë vetëm nji kryefestë përbashkuese, gjithë të tjerat janë thjesht festa, Ajo asht Kryefesta Jonë, së cilës duhet t’i biem të gjithë në gjunjë dhe ai Flamur Kuqezi që vërvisim gjithë krenari në qiell ma shumë se ndër duer tona duhet t’na valvitet prej shpirti…