• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR NË KANADA

January 4, 2021 by dgreca

Dr. Adriana Fishta Bejko, Ambasadore e Kombit, Sekretare e Pёrgjithshme e Kёshillit Koordinues tё Diasporёs, mësuese e Gjuhës Shqipe në Kanada, rrëfen ekskluzivisht për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Kanada nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Dr. Adriana Fishta Bejko bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

SI ORGANIZOHET DHE FUNKSIONON MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË KANADA

Si unё ashtu edhe kolegёt e mi tё nderuar qё punojnё pёr ruajtjen e gjuhёs sonё u jemi shumё mirёnjohёs bashkёkombёsve tanё qё n’a japin njё besim tё tillё duke shtuar emrat tonё nё listёn shumё dinjitoze tё Rilindasve tanё qё luftuan pёr kёtё gjuhё “perёndije”. Ne e kemi marrё kёtё detyrё me shumё pёrgjegjёsi dhe seriozitet, megjithёse jemi tё bindur qё nuk ёshtё e lehtё pёr shumё arsye – shkollave shqipe nё diasporё u mungon njё strukturё e unifikuar shkencore, didaktike dhe linguistike pёr faktin qё deri tani pёrvoja ka qenё, pa dyshim, mbi baza patriotike por amatoreske, dhe me shumё “folklorizёm” nё mёsimdhёnie, plane mёsimore, tekste etj. Vihet re njё mungesё e theksuar bashkёpunimi nё mes tё institucioneve pёrkatёse nё tё dy vendet tona, Shqipёri dhe Kosovё. Qeveritё tona kanё tendencёn t’i marrin gjёrat pak “shtruar”, por koha nuk pret; gjёndja e mёsimit tё gjuhёs shqipe nё diasporё ёshtё laramane, mёsimi i shqipes nё shumё raste nuk ёshtё prioritet pёr prindёrit, etj. Tё gjitha kёto e bёjnё njё rrezik real asimilimin e brezit tё dytё dhe brezit tё tretё tё fёmijёve tanё. Duke u mbёshtetur nё sa mё sipёr, edhe shkollat shqipe nё Kanada (atje ku ekzistojnё) janë kryesisht falё dёshirёs sё mirё tё bashkёatdhetarёve patriotё tё cilёve u qan zemra pёr vendin Amё dhe gjuhёn tonё. Situata ёshtё shumё e ndryshme nё provinca tё ndryshme tё Kanadasё. Pёr shёmbull, nё Ontario, gjuha shqipe konsiderohet si gjuhё e dytё dhe qeveria u siguron edhe lokalin edhe i paguan mёsuesit e gjuhёs shqipe. Por nё nёntё provincat e tjera qeveria Kanadeze nuk jep asnjё lloj mbёshtetje dhe ҫdo gjё organizohet nga shoqatat Shqiptaro-Kanadeze.

QYTETET KU MËSOHET SHQIP DHE KURRIKULAT MËSIMORE

Nga informacionet jo shumë të sakta qё kam, di qё shkolla ka nё disa qytete nё Ontario, nё Calgary, nё Halifax, nё Winnipeg, nё Regina, por fatkeqёsisht nё disa qytete tё tjera shoqatat me gjithё pёrpjekjet e tyre janё detyruar t’i mbyllin shkollat pёr mungesё pjesmarrje. Ky ёshtё njё fakt shqetёsues qё po e hasim jo rrallё nё Kanada. Mund tё flas mё konkretisht pёr shkollёn tonё nё Calgary. Shkolla shqipe “Foleja e Shqiponjave” nё Calgary ёshtё organizuar mbi baza shkencore dhe didaktike nga mё tё mirat dhe ka njё mbёshtetje tё mrekullueshme nga bordi i shoqatёs me kryetar Ilir Kuqin. Puna e shkollёs drejtohet nga njё bord me bashkëatdhetarё tё mrekullueshёm dhe tё specializuar nё fushёn e arsimit, tё cilёt marrin pjesё nё kёtё forum pёr tё shërbyer dhe jo pёr fjalё boshe. Bashkёpunimi model i kёtij bordi ka sjellё si rezultat faktin qё ne punojmё me njё Plan Mёsimor Kornizё tё detajuar pёr ҫdo javё dhe temё mujore, Librin e Prindit, Librin e Mёsuesit, Gazetёn e Shkollёs, etj. Pra, pavarёsisht se numri i nxёnёsve ёshtё i vogёl, struktura ёshtё e kualifikuar si pёr njё shkollё me 500 fёmijё. Edhe shkolla jonё po e vuan mungesёn e interesit tё prindёrve dhe sidomos kёto kohёt e fundit. Gjёndja e Covid-19 n’a detyron qё pёr kёtё vit mёsimi tё bёhet online dhe ne tё jemi krijues nё mёsimdhёnie. Risitё pёr kёtё vit janё: Mёsimdhёnie cilёsore dhe me synime pedagogjike e gjuhёsore tё matshme dhe tё qarta nё kushtet e mёsimit online; Si rezultat i sponsorizimit tё shkollёs nga dyqani BestBuy, qё n’a sjellё kompjutera, softwere dhe vullnetarё, do t’a kthejmё mёsimin nё baza digjitale, fakt qё do tё tёrheqё mё shumё fёmijё dhe do tё japё rezultate mё tё mira. Mёsuesit do tё pёrgatisin plane mёsimore tё detajuara dhe me objektiva tё qarta pёr ҫdo orё mёsimi dhe do tё shfrytёzojnё platforma digjitale si “school me” etj.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË KANADA

Ruajtja e identitetit ёshtё e lidhur nё mёnyrё tё pazgjidhshme me ruajtjen e gjuhёs shqipe. Për këtë mua nuk më zë gjumi sepse diaspora e re rrezikohet seriozisht nga asimilimi. Diaspora e vjetër e ka ruajtur me dinjitet identitetin shqiptar në kushte shumë më të vështira se sa sot. Një shëmbull i mrekullueshëm për ruajtjen e identitetit në diasporë është komuniteti arbëresh në Itali. Ky komunitet daton në shekullin e XV kur tokat e tyre u pushtuan nga otomanët dhe ata ikën si refugjatë në perandorinë e Napolit. Megjithatë, fshatrat arbëreshe në Itali ruajnë edhe sot gjuhën dhe traditat, 600 vjet pas largimit të tyre dhe janë krenarë për gjakun e tyre shqiptar. Edukimi i fëmijëve fillon në familje dhe mësuesi i parë është prindi. Eshtë fatkeqësi e dyfishtë kur prindërit u flasin vetёm gjuhën e vendit pritës fëmijëve. Kjo për faktin që disa prindër pretendojnë se duhet t’i flasin (pёr shembull) anglisht fëmijëve që t’i ndihmojnë të “integrohet” në shkollat kanadeze. Miq të nderuar, ju dua dhe ju respektoj, por mos e gënjeni veten me ëndrra të tilla në diell. Si specialiste dhe studiuese shkencore e anglishtes ju njoftoj se niveli i anglishtes tuaj (të mësuar pa shkuar në kurse akademike) mund të mjaftojë vetёm për të mbijetuar në komunikimin e përditshëm, por nuk është gjuha akademike që fëmijët duhet të përdorin në shkollë. Prandaj, duke u folur fëmijëve me një anglishte “të ҫalё” e me shumë gabime, në vend që t’i ndihmoni, në fakt i dëmtoni. Ajo që është edhe mё e dhimbshme, është fakti që fëmijët tanë humbasin njohuritë për prejardhjen e tyre të ndritur dhe perlat natyrore të vendit të tyre. Në mënyrë të veҫantë, është shqetёsuese dhimbja që u shkaktoni gjyshërve, dajave, hallave etj qё jetojnё nё Atdhe, të cilët i privoni nga nevoja humane e komunikimit me nipërit dhe mbesat e tyre.

SI PRITET MËSIMI SHQIP NË KANADA

Kudo marrëdhёniet me vendet pritëse janë komplekse dhe kjo informon edhe praktikat e gjuhës dhe identitetit të emigrantëve. Pёr hir tё sё vёrtetёs, duhet thënë se marrëdhёniet zyrtare nё mes tё dy vendeve tona duket sikur kishin njё “cool off” pёr disa vite dhe investimet Kanadeze nё Shqipёri mund tё konsiderohen shumё modeste – nё vitin 2018 eksportet ishin vetёm $39.3 million, kurse importet nga Shqipёria ishin vetёm 12.3 million. Natyrisht edhe numri modest i komunitetit shqiptar në Kanada, nuk e vendos gjuhën shqipe në qendrën e vëmendjes së qeverisë Kanadeze si një nga “heritage languages”. Megjithatё, kohёt e fundit duket njё intensifikim i kёtyre marrëdhёnieve. Duhet theksuar se kjo ёshtё, ndёrmjet tё tjerave, nё sajё tё punёs sё palodhur tё ambasadorit tonё, z. Muca dhe stafit tё tij, si dhe punёs sё njё numёr shoqatash qё kanё arritur tё ndёrtojnё marrëdhёnie shumё pozitive me institucione drejtuese nё Kanada. Jam e mendimit qё edhe ҫdo Shqiptar nё mёnyrё individuale, me ndershmёrinё, korrektesёn dhe dinjitetin e tij/saj nё vendet ku punon e forcon reputacioni pozitiv pёr Shqipёrinё. Kjo është tipike për komunitetin shqiptar në Kanada.

ROLI DHE PESHA E SHQIPTARËVE NË KANADA

Sfida e parё nё kёtё drejtim ёshtё ruajtja e identitetit kombёtar, nёpёrmjet ruajtjes sё Gjuhёs Shqipe. Kanadaja ёshtё i vetmi vёnd nё botё qё ka njё nen tё veçantё nё Kushtetutё pёr tё garantuar mbrojtjen e kulturave dhe gjuhёve të ndryshme nё kёtё vend. Si rezultat, ndryshe nga ndonjё vend tjetёr nё botё, Diaspora Shqiptare nё Kanada nuk ka asnjё arsye pse mos tё rregjistrojё 100%  tё fёmijёve tё moshёs shkollore nё shkollat Shqipe. Aty fёmijёt tanё jo vetёm do tё mbajnё tё gjallё gjuhёn por do tё mёsojnë kulturёn dhe historinё tonё, do tё luajnё me shokёt shqiptar dhe do tё mbajnё tё gjallё “komunitetin” shqiptar edhe nё tё ardhmen. Këtu dua të përgëzoj në mënyrë të veçantë disa shoqata në qytete të ndryshme, të cilat kanë bashkëpunuar me pushtetin lokal pёr ngritjen e flamurit shqiptar, bustin e Skënderbeut, bustit të Nënë Terezës nё qendër të qytetit, dhe në mënyrë të veҫantë, Shoqata e Torontos që në bashkëpunim me parlamentin e Ontarios e kanё shpallur muajin Nёntor, Muajin e Kulturёs Shqiptare. Megjithatë, roli dhe pesha e komunitetit shqiptar, si i tillë, është mjaft modest. Ndërsa, kontributi individual i bashkëatdhetarëve tanë në fusha të ndryshme të jetës në Kanada është i shkëlqyer, gjë që i bën nder kombit tonё.

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPORËN NË USA

Ju falёnderoj qё n’a jepet mundёsia tё ndajmё disa mendime me lexuesit tuaj. Gjithashtu, pёrfitoj nga rasti tё falёnderoj Gazetёn “Dielli” nё New York pёr artikujt interesant qё boton dhe pёr kontributin e vyer nё ndihmё tё Diasporёs Shqiptare. Qё nё fillim dua tё theksoj se detyra pёr ruajtjen e gjuhёs shqipe nё kuadrin e detyrave tё tjera si anëtare e Kёshillit Koordinues tё Diasporёs (KKD) ёshtё sa privilegj aq edhe pёrgjegjёsi qytetare pёr mua. Ju përshëndes të gjithëve.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Adriana Fishta Bejko, gjuha shqipe, Kanada, Sokol Paja

SHQIPTARËT NË KANADA DHE BETEJA E SHTETIT KANADEZ NDAJ COVID-19

October 12, 2020 by dgreca

Visar Berisha, Farmacist në Silver Fox Pharmacy, Ontario, Kanada  rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e Kanadasë nga Covid-19, ecurinë e infektimeve dhe trendin e shifrave. Me Visar Berisha bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SITUATA E COVID-19 NË KANADA DHE MASAT E AUTORITETEVE. 

Kanadaja është një vend federal i përbërë nga 10 provinca dhe 3 territore. Ka 3 nivele të qeverisjes (nivel federal, provincial/krahinor dhe nivel komunal) ku secili nivel qeverisës ka përgjegjësite e veta. Në përgjithësi mund të them se ka pasur një koordinim të mirë midis niveleve të ndryshme të qeverisjes në menaxhimin e situatës me Covid-19. Qeveria federale ka ndërmarrë hapa për të siguruar që sistemi shëndetësor ka mjetet e nevojshme për t’iu përgjigjur rritjes së rasteve, ka siguruar mbështetje ekonomike dhe financiare për bizneset dhe njerëzit dhe ka për detyrë të menaxhojë kufinjtë. Që nga Janari 2020 e deri sot (10 Tetor 2020) në Kanada ka pasur 173,604 raste dhe 9,574 vdekje si pasojë e Covid-19.  Nga këto shifra, 81,914 raste dhe 5,906 vdekje janë nga provinca e Quebec-it.  Quebec-i është provinca më e prekur në Kanada nga Covid-19. Në provincen ku jetoj unë (Ontario), qeveria provinciale ka ndërmarrë masa të ndryshme për të siguruar që rastet të mbahen të ulëta dhe sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet. Disa nga këto masa kërkojnë që njerëzit të mbajnë maska të fytyrës ​​në vende ku distancimi nuk është i mundur. Është kufizuar numri i njerëzve në restorante dhe ka patur fushata ndërgjegjësimi se si të veprojmë në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e virusit. Së fundmi, shkollat ​janë rihapur për studentët me protokolle të rrepta, për të zvogëluar gjasat e shpërthimit të rasteve. Prindërit kanë mundësinë ti mbajnë fëmijët e tyre në shtëpi dhe janë krijuar mundësi që shkollimi të ofrohet mes internetit dhe disa prindër e kanë zgjedhur këtë mundësi. Duhet thënë që jo gjithçka ka shkuar normalisht. Pas 3 muajsh me numër të rastëve relativisht të ulët, ne po fillojmë të shohim një rritje të rasteve në Ontario të ngjashme me ato në mes të Prillit 2020. Qeveria e Ontarios tashmë po flet për rikthimin e disa prej kufizimeve që patëm gjatë muajve Mars,Prill dhe Maj, nëse numri i rastëve vazhdon të rritet.

NDIKIMET E COVID NË PROBLEMET E SHËNDETIT MENDOR

Sa i përket shëndetit mendor, përveç distancimit social, situata e krijuar nga Covid-19 mund të shkaktojë frikë dhe shqetësim për shëndetin tonë apo shëndetin e të dashurve tanë. Njerëzit gjithashtu shqetësohen për gjendjen e tyre ekonomike pasi shumë njerëz kanë humbur vendet e punës. Këto frikëra dhe shqetësime ndikojnë në cilësinë e gjumit, mënyrën e ushqyerjes, përkeqësimin e problemeve shëndetësore kronike dhe në ngritjen e përdorimit të alkoolit, duhanit apo substancave të tjera. Në një sondazh të kryer nga Centre for Addiction and Mental Health shihet se kishte një rritje të ndjeshme të ankthit gjatë muajit  Maj (kur numri i rasteve ishte akoma i lartë) krahasuar me muajt vijues. Disa nga këto frikëra dhe reagime burojnë nga kuptimi i vërtetë i rreziqeve, por shumë nga këto reagime ushqehen gjithashtu nga thashethemet dhe dezinformatat. Për këtë arsye rekomandohet që të qëndroni të informuar por shmangni ekspozimin e tepruar ndaj mbulimit mediatik të COVID-19. Kur keni nevojë për informata të sakta, vizitoni faqet e besuara si për shembull faqet e autoriteteve lokale të shëndetit. Për shqipfolësit, kemi krijuar një platformë (www.heda.al) inovative që ka si mision shpërndarjen e informacioneve të sigurta me qëllim promovimin e shëndetit të mirë e të sigurtë për të gjithë. Nëse ju apo një i dashuri juaj ka vështirësi me shëndetin mendor, Centre for Disease Control (CDC) ka përpiluar një listë të burimeve (https://www.cdc.gov/coronavirus/2019-ncov/daily-life-coping/managing-stress-anxiety.html) të cilat njerëzit mund të kenë qasje për të kërkuar ndihmë. Sa i përket ndikimit të Covid-19 në martesë, nuk ka studime të mirëfillta që tregojnë rritje të divorceve gjatë Covid-19. Megjithatë, ka pasur raporte të rasteve të divorcit si rezultat i Covid-19. Arsyeja themelore e këtyre divorceve ka qenë prezenca e dallimeve të mëdha midis të përfshirëve edhe para Covid-19 dhe se izolimi ka nxjerrë këto dallime në sipërfaqe. Çiftet që nuk kanë qenë në gjendje të zgjidhin këto dallime kanë arritur në përfundimin se divorci është e vetmja rrugë përpara.

SITUATA E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË KANADA

Komuniteti shqiptar në Kanada është ndikuar pak a shumë në të njëjtën mënyrë si Kanadezët e tjerë. Disa sfida unike që i përkasin komunitetit tone është se njerëzit nuk kanë qenë në gjendje të vizitojnë familjet e tyre në Shqipëri, Kosovë dhe viset e tjera shqiptare për shkak të masave kufizuese për udhëtim. Përveç kësaj, ngjarjet e komunitetit që mbahen zakonisht gjatë vitit natyrisht që janë anulluar.  

A KA VALË TË DYTË COVID? SA TË RREZIKUAR JEMI BASHKË ME GRIPIN E STINËS?

Shumë epidemiologë pajtohen se do të kemi rritje të rasteve të Covid-19. Sipas të dhënave të fundit në Ontario, ku tani kemi mbi 700 raste në ditë, mund të argumentohet se vala e dytë vetëm ka filluar.  Parashikimet sugjerojnë që Ontario mund të ketë rreth 1,000 raste në ditë në gjysmën e parë të Tetorit. Këto shifra janë të ngjashme me shifrat e valës së parë. Rritja në raste mund të shpjegohet nga faktorë të shumtë. Së pari, ka një lodhje nga izolimi midis të rinjve që nuk u përmbahen rekomandimeve nga agjencitë lokale të shëndetit publik. Në Ontario, njerëzit e moshave midis 20-39 vjeç paraqesin rritjen më të madhe në rastet e Covid-19 kohëve të fundit. Përveç kësaj, të rinjtë besojnë se për shkak se nuk kanë sëmundje kronike nuk do të ndikohen negativisht nga Covid-19. Problemi është se këta njerëz ndihmojnë në përhapjen e virusit që mund të prekë të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike ku dihet se pasojat janë tepër të rënda. Faktorë të tjerë për rritje të rasteve kohët e fundit është se disa nga kufizimet nga vala e pare janë relaksuar. Megjithatë, Covid-19 vazhdon të jetë i rrezikshëm dhe për  këtë arsye është e rëndësishme që të vazhdojmë të ndërmarrim hapa për të parandaluar përhapjen e Covid-19, masa  si larja e duarve, mbajtja e distances nga njerëzit e tjerë, mbajtja e maskave të fytyrës në vende publike etj. Gripi i stinës  komplikon gjërat pasi disa nga simptomat e gripit sezonal janë të ngjashme me ato të Covid-19 dhe shkaktojnë panik tek ata që shfaqin simptoma të tilla. Mënyra më efektive për të parandaluar gripin sezonal është marrja e vaksinës kundër gripit. Kur vaksinoheni, ju zvogëloni rrezikun që të sëmureni me grip dhe ndoshta të  shtroheni në spital ose të vdisni nga gripi. Këtë sezon, marrja e një vaksine gripi ka përfitimin e shtuar të zvogëlimit të barrës së përgjithshme në sistemin shëndetësor dhe kursimit të burimeve mjekësore për kujdesin e pacientëve COVID-19. Aktiviteti i gripit fillon të rritet në muajt Tetor dhe Nëntor, arrin kulmin midis Dhjetorit dhe Shkurtit dhe mund të zgjasë deri në Maj. Pas vaksinimit, duhen mesatarisht 2 javë që trupi të krijojë imunitet (antitrupa specifikë) kundër infeksionit. Gjatë kësaj periudhe, vaksina e gripit nuk siguron mbrojtje ndaj virusit. Prandaj rekomandohet që vaksinimi të kryhet pak më parë se virusi i gripit të përhapet. Muajt ideal për tu vaksinuar janë Tetor – Nëntor, por vaksinimi mund të kryhet edhe më vonë. Për më shumë detaje rreth vaksinimit të gripit, kemi një artikull në faqen Heda ku lexuesit e Diellit mund të kenë mundësinë të mësojnë më shumë rreth gripit sezonal dhe vaksinimit për mbrojtje nga gripi.  

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Mesazhi im për lexuesit e Diellit dhe Diasporën shqiptare është që të vazhdojnë ti përmbahen udhëzimeve të agjencive të shëndetit publik në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e Covid-19. Gjithashtu, unë do t’i rekomandoja njerëzit që të marrin vaksinen e gripit sezonal për arsyet që përmenda më lart.  Së fundmi, situata e krijuar nga Covid-19 ka shkaktuar shumë stres për shumë njerëz. Me këtë në mendje, ju lutem bëni kohë të kujdeseni për veten dhe ata përreth  jush. Gjeni kohë për të bërë ato gjëra që gjithmonë ju pëlqejnë t’i bëni. Kushtojini vëmendje llojeve të ushqimit që hani dhe përpiquni për të përfshirë ushqime të shëndetshme në dietën tuaj. Nëse keni vështirësi, kontaktoni ata që u besoni dhe kërkoni ndihmë dhe mos vuani vetëm.  Ju falendëroj përzemërsisht për vëmendjen tuaj. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Kanada, Sokol Paja, Visar berisha

KANADAJA NË BETEJËN NDAJ COVID-19 DHE SHQIPTARËT NË TORONTO

May 11, 2020 by dgreca

Doktor Luli Rrafshi Adjunct profesor në Departamentin e Mjekësisë Familjare në “Schulich School Medicine and Dentistry University of Western Ontario”, intervistë ekskluzive për gazetën Dielli, dhënë gazetarit Sokol Paja. 

Shteti kanadez ashtu si mbarë bota po përballet me një virus shkatërrimtar, betejë që duket me një fund të largët deri në zbulimin e vaksinës kuruese. Si shumë shtete në Europë edhe Kanadaja u gjend e papërgatitur përballë betejës me Covid-19. Marrja me vonesë e masave dhe mungesat në bazë materiale e bënë më të ngadalshëm reagimin ndaj valës shkatërruese të virusit. Masat shtrënguese në Kanada vazhdojnë të jenë të forta dhe fatmirësisht qytetarët shqiptarë e kanë kaluar me sukses valën e pandemisë botërore  Covid-19. 

SITUATA E COVID-19 NË KANADA

Doktor Luli Rrafshi Adjunct Profesor në Departamentin e Mjekësisë Familjare në “Schulich School Medicine and Dentistry University of Western Ontario” shpjegon se : “Sa i përket corona virusit dhe gjëndjes në Kanada, sikur në shumë vende të botës po ashtu edhe në Kanada, jemi duke u përballuar me një sëmundje të panjohur deri tani dhe shumë të rrezikshme për njerëzimin. Numri i të infektuarve është në rritje e sipër, diku mbi 66, 000 të infektuar deri tani dhe më shumë se 4400 të vdekur deri më sot. Spitalet mbeten në gjëndje stabile e po ashtu klinikat intensive, por mungesa e ndjeshme për veshje mbrojtëse të stafit medikal mbetet e ndjeshme dhe prezente. Në mungesë të terapisë dhe vaksinës kundër virusit corona, nuk do të jetë rrugë e lehtë për tu tejkaluar kjo gjëndje e vështirë ku kanoset vdekja e shumë njerëzve e sidomos atyre në moshë të avancuar dhe me sëmundje të tjera kronike që i bëjnë ata edhe më fragjil për të mbijetuar.( diku afër 40% -50% e të vdekurve duket të ndodhin në shtëpitë e të moshuareve apo nursing homes/Long term care facilities).

E ARDHMJA DHE SHQIPTARËT NË KANADA

Sipas Doktor Luli Rrafshi adjunct profesor në Departamentin e Mjekësisë Familjare në “Schulich School Medicine and Dentistry University of Western Ontario”, kurba e të infektuarve mbetet stabile këtu në Kanada, diku përafërsisht 1-2 mijë të infektuar brenda 24 orëve dhe diku 150-200 të vdekur brenda ditës. Në luftën ndaj corona virus, nuk ka shërim e as vaksinë për parandalim, e vetmja armë është kujdesi i jashtëzakonsëm vetjak, distancimi social dhe qëndrimi në shtëpi. Pra, unë ju këshilloj rreptësisht që të rrini në shtëpi, sepse vetëm kështu shpëtoni jetë duke parandaluar bartjen e virusit. Deri më tani nuk kam hasur të ketë ndonjë shqiptar të infektuar, dhe sa jam në dijeni edhe me shoqatat tjera shqiptare në Toronto, ende nuk ka të prekur shqiptar nga ky virus në Kanada. Sa i përket rihapjes, Provincat e Kanadasë duket sikur vijnë me plane paksa të ndryshme, në Ontario ku edhe unë jetoj, lëvizja e njerëzve mbetet e lirë por e kujdesshme, ku rekomandohet dalje vetëm për të blerë gjëra esenciale por edhe ndalohet mbledhja e njerëzve e më shumë se 5 përsonave në një vend. Po ashtu parqet e qyteteve, shkollat dhe bizneset jo esenciale mbeten akoma të mbyllura dhe ende nuk ka një plan të rihapjes së menjëhershme.

KËSHILLA PËR LEXUESIT E DIELLIT 

Doktor Luli Rrafshi adunct profesor në Departamentin e Mjekësisë Familjare në “Schulich School Medicine and Dentistry University of Western Ontario” tregohet shumë i rreptë me masat parandaluese që duhet të ndjekin qytetarët për të fituar betejën me Covid-19. Pra, distancimi social, qëndrimi në shtëpi dhe natyrisht pastrimi i kujdesshëm i duarve mbetet gjëja më e rëndësishme po ashtu edhe maskat dhe dorezat në përditshmërinë tonë. Qytetarët e Kanadasë janë tani të vetëdijshëm dhe ndjekin udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë së Kanadasë rreth parandalimit të bartjes së COVID-19. Si qytetar dhe si mjek, këshilloj të gjithë njerëzit që të vazhdojnë të mbajnë distancimin social dhe të vazhdojnë ti ndjekin rregullat dhe udhëzimet që janë të përcaktuara atje ku edhe jetojnë ata. Kthimi në “jetë normale” – të gjithë ne shpresojmë që së shpejti ti kthehemi jetës normale por mendoj që së shpejti do mësohemi me një “jetë normale” të re.

KUSH ËSHTË DOKTOR LULI RRAFSHI D CCFP FCFP

Doktor Luli Rrafshi është i specializuar në Mjekësinë e Përgjithshme Familjare dhe mban titullin a Adjunct Professor në Schulich School of Medicinë në Universitetin e Mjekësisë në London Ontario. Doktor Luli Rrafshi ka shumë vite që praktikon Mjeksinë Familjare si dhe shumë vite eksperiencë në Mjeksinë Emergjente në Provincat e Nova Scotia si dhe Ontario të Kanadasë. Aktualisht doktor Luli Rrafshi ushtron detyrën në Poliklinikën Active Care Medical Centre së bashku me disa mjekë të tjerë ku dhe ofrojnë shërbime mjkësore diku përafërsisht 15 – 18 mijë pacientëve.

Filed Under: Featured Tagged With: COVID-19, Dr.Luli Rafshi, Kanada, shqiptaret, Sokol Paja

Libri Serbian Crimes in Kosovo 1998-1999 u promovua në Kanada

May 8, 2018 by dgreca

SGASHI BOOK
Në Kanada u promovua libri Serbian Crimes in Kosovo 1998-1999,  i autores Sanije Gashi/
Toronto 6 Maj 2018 - Promovimi i librit
Në Toronto, në qendrën kulturore të shqiptarëve të Kanadasë, më 6 Maj 2018, u bë promovimi i librit Serbian Crimes in Kosovo 1998-1999, i autores Sanije Gashi. Fjalën e hapjes në këtë promovim e mbajti presidentja e nderit e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze, Ruki Kondaj, e cila shpalosi rrëfimet, të cilat paraqesin një ndër periudhat më të trishta të popullit shqiptar të Kosovës, protagoniste kryesore të të cilave janë gratë që përjetuan llahtarin në shtëpitë e tyre gjatë luftës së viteve 1998/1999, nga forcat okupuese serbe. Përveç adhuruesve të librit, për herë të parë në një ngjarje kulturore, ishte e pranishme edhe zonja Laura Albanese, Ministre e Migracionit dhe e Shtetësisë së shtetit të Ontarios, të Kanadasë, e cila librin e cilësoi një testament, vepër me fakte për krimin e serbëve ndaj shqiptarëve të Kosovës. Po ashtu, në këtë event ishte e pranishme përfaqësuesja e ambasadës së Republikës së Kosovës në Kanada, Besa Ademi, e cila librin Serbian Crimes in Kosovo 1998-1999, e vlerëson krahas monumentit të heroinave në Prishtinë.
Ndërkaq, kohë më parë, kryeministri Kanadez, Justin Trudeau, pas marrjes së librit Serbian Crimes in Kosovo 1998-1999, pati shkruar: ‘Zonja Gashi, e vlerësoj jashtëzakonisht botimin e këtij libri, ju faleminderit që keni gjetur kohë ta shkruani.’  
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe personalitete të tjera të njohura shqiptaro – kanadeze, në mesin e të cilëve ishte edhe shkrimtarja e njohur, Eglantina Mandia, ku u promovua veprimtaria e saj shumë cilësore.
 
 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Kanada, Sanije Gashi, SERBIAN CRIMES IN KOSOVO 1998-1999

THACI TAKON BASHKATDHETARET-KANADA, SHTËPI E DYTË PËR KOSOVARËT

November 19, 2017 by dgreca

-Presidenti Thaçi: Kosovarët në Halifax tash kanë dy shtëpi, Kosovën dhe Kanadanë/

unnamed-1

-Shumica e kosovarëve që jetojnë në Halifax kanë arritur në vitin 1999, si refugjatë të ikur nga fushata represive dhe përpjekja për gjenocid e ushtrisë dhe forcave tjera serbe/

unnamed

KANADA/HALIFAX, 19 Nëntor-2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar edhe komunitetin kosovar në Halifax të Kanadasë.
Në një pritje të organizuar nga komuniteti jonë atje, presidenti Thaçi ka thënë se ndjehet mirë kur sheh sesi komuniteti kosovar në Kanada është mirëpritur dhe është ndihmuar të integrohet në shoqërinë kanadeze.

“Tash jeni të përfaqësuar në të gjithë sektorët e jetës”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se “tash keni dy shtëpi, Kosovën dhe Kanadanë”.

Presidenti ka thënë se nuk duhet asnjëherë ta harrojmë të kaluarën, mirëpo të gjithë bashkë duhet të shikojmë nga e ardhmja më e mirë për popullin tonë.

“Ka qenë periudhë e vështirë për të gjithë ne ajo kohë, por me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë kemi arritur ta tejkalojmë dhe po punojmë shumë që ta forcojmë edhe paqen në rajonin tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, përfaqësuesit e komunitetit kosovar në Kanada e falënderuan presidentin Thaçi për vizitën dhe mirënjohjen që i ka sjellë Halifax-it në emër të Republikës së Kosovës.

Edhe ata janë shprehur të lumtur me rimëkëmbjen e shpejtë që ka bërë shteti i Kosovës.

Shumica e kosovarëve që jetojnë në Halifax kanë arritur në vitin 1999, si refugjatë të ikur nga fushata represive dhe përpjekja për gjenocid e ushtrisë dhe forcave tjera serbe./b.j/

Filed Under: Komunitet Tagged With: Kanada, kosovaret, Thaci

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT