• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TOKË NË KËMBIM TË PAQES!

October 28, 2023 by s p

Kastriot Fetahu

-Ese-

“Asnjë e re nga fronti i perëndimit” dhe gjimnazisti Paul Baumer, më pushtojnë sa herë kriset dhe thyhet paqja si një degë e thatë lisi, në Lindjen e Mesme. Llogoret e Remarkut më fanepsen në sipërfaqen e mendimit sa herë që Gaza dhe Bregu Perëndimor i lumit Jordan, mbyllen…

Bota përsëri nën tamtamet e luftës…

Bibi Netanyahu, pseudonimi i fëmijërisë së Benjamin Netanyahu, kryeministri më jetëgjatë i Izraelit, arroganti elegant, shpesh më ngjan në sjellje me komandantin e burgut, kolonel Winter, luajtur nga James Gandolfini në filmin “Fortesa.”

Me vetullën gjysmë ngritur, sikur është në çdo çast në pozicion luftarak, vëllai i Yonathan hebreu i vrarë nga palestinezët, se shpëtoi pasagjerët e një avioni të rrëmbyer nga komandot në UGANDËN që ra në duart e Idy Amin, autoritar modern dhe një lloj gangsteri politik në mendimin tim, me heqjen e të drejtës së gjykatës së lartë të Izraelit për të mos diskutuar vendimet e qeverisë.

Një figurë e ngjashme me konservatorin nacionalist Yitzhak Shamir, ish kryetar i partisë Likud, ish kryeministër dhe gjeneralin me pullën e zezë në syrin e majtë Moshe Dayan, kapi edhe njëherë fokusin e axhanseve të botës.

Bibi, ky student absolut i universitetit No 1 në botë, Massachusetts Institute of Technology, ka edhe një herë në duart e tij rivendosjen e paqes me devizën historike “Tokë në këmbim të paqes!”

Ka në dorë rikthimin e një “Camp David” No 2, ku këtë herë mungojnë Ehud Barak, Yasser Arafat dhe Bill Clinton.

Historia e konfliktit izraelito-palestinez daton nga fundi i shekullit të 19-të, kur sionistët kërkuan të krijonin një atdhe për popullin hebre në Palestinën e kontrolluar nga osmanët, rajon që përafërsisht korrespondon me Tokën e Izraelit në traditën hebraike.

Sionistët e marin emrin nga mali i shenjtë Sion, që ndodhet në Izrael.

Luftërat më të ashpra në Lindjen e Mesme, janë në vitet 1967 dhe 1973.

Në vitin 1978 u mbaj samiti historik i Camp David, ku u arrit marrëveshja historike e paqes midis vendeve arabe dhe Izraelit, nënshkruar nga presidenti i Egjyptit Anwar El Sadat, kryeministri izraelit Menachem Begin dhe presidenti amerikan, demokrati Jimmy Carter.

Sadatit ju bë atentat në Kajro nga fondamentalistë islamikë, pse tradhëtoi interesat e botës arabe sipas konceptit të tyre.

Vetë Sadat pasoi në pushtet një nga presidentët më të famshëm arabë Gamal Abdel Nasser dhe ky kishte përmbysur mbretin Faruk.

Historia e Lindjes së Mesme ngjason me një koloni koralesh të mbushur me naftë dhe me gjak.

Nafta në vendet Arabe ndodhet në shkëmbinj koralorë, ndaj kosto e nxjerrjes është e vogël, nxirret në thellësira të vogla toke dhe sasia e naftës e madhe, sepse koralet janë si sfungjerë…

Sulmi i fundit i Hamas shënoi rikthimin në vitin 2000, para samitit të Camp David dhe vetëm dialogu mund të rivendosë paqen, duke nxjerrë nga loja Hezbollah, grupi militant islamik shiit libanez, që mbështetet nga Irani dhe vetë Republikën Islamike të Ayatollahëve ultrakonservatorë radikalë.

Kam qënë një dashamirës i Iranit të shahut Mohamed Reza Pahlevi, një mbreti modern, që herë herë më dukej se e kishte shndrruar Iranin si subjekti i filmit “Njeriu orkestër”, filmi që më nxiste të mendoja me frikë nga vetja, se diktatura mund të shpërbëhej.

Nuk kam njohur realisht një hebre, por Dr. Ravikun nuk mund të them se “nuk e njoh.”

Dhe “Lista e Shindlerit” është një “tragjedi e gëzuar”…

Oscar Schindler në fund ju drejtohet hebrenjve e ju thotë -Në kujtim të viktimave të panumërta në mesin e popullit tuaj, unë kërkoj të mbajmë tre minuta heshtje…

Sa herë e shoh atë film, një pyetje më godet në kokë… A i ka borxh bota e qytetëruar hebrenjve??

Sa do doja të flisja me Refik Veselin…

Palestinezë kam takuar rastësisht dhe…

Në bregun e liqenit Michigan në fund të “East Ohio street”, rruga ku banoja në Chicago, një buzë mbrëmje katër djem, diku tek mosha 25 vjeçare, më ndalën dhe më pyesin anglisht.

Ju përgjigja se -nuk ju kuptoj, nuk di anglisht.- Kaluan në një lloj ilariteti agresiv, që më bëri të shtrëngoja dhëmbët, (jam shqiptar). Nuk më ka ndodhur as sot një situatë e ngjashme prej më shumë se katër vjetësh që banoj në USA…

Ndërkohë një sirenë makine policie diku pranë dhe… ata sikur ta kishin bërë me fjalë u zhdukën me vrap si vjedhës bankash në tunelin, i cili kalon poshtë rrugës Lake shore, që lidh bregun e liqenit me qytetin.

Isha nisur për në shtëpi dhe kur mbërrita pas pak minutash, më ndali një mik nga Kuvajti, me të cilin luaja bilardo.

-Pse je i nxehur- më pyeti me “translate” në telefon.

I tregova ngjarjen…

U nervozua dhe më tha – miku im, ke shpëtuar mirë, se janë djem konfliktualë palestinezët…

Në mendjen time nuk dija të arsyetoja saktë ndarjet sektare fetare midis kuvajtianëve dhe palestinezëve, pasi konflikti Sunitët me Shiitët është i vjetër në ato vise, kuvajtianët janë Sunitë dhe palestinezët janë Shiitë, që të krijoja idenë sa më afër të vërtetës.

-Ne nuk i duam ata- më tha miku im, se janë sherrxhinj.-

Më erdhi në vemendje lufta sektare Iran-Irak në kohën e presidentit Saddam Hussein…

Ngjarja e mësipërme nuk më bëri antipalestinez, sepse kauzat qëndrojnë përtej individëve.

Ata janë një popull martir, që meritojnë të kenë shtetin në trojet e tyre dhe përgjegjës për këtë është bota arabe ashtu si edhe bota e qytetëruar.

Para se të formohej shteti i Izraelit në 1948, Jordania nuk e krijoi një shtet palestinez në bregun perëndimor të lumit Jordan…

Paqja është esenca e shpirtit njerëzor, që “ushqehet” me Lirinë, tokën dhe gjakun.

Njohja me palestinezët për kauzën e tyre fillon që prej viteve të herëshme, kur media e diktaturës dukshëm përkrahte Intifadën palestineze dhe Yasser Arafat, mbretin e Palestinës, i cili ka vizituar dhe Tiranën zyrtare në ato vite.

Hoxha kishte pritur delegacione të palestinezëve, ilegalë, në kongreset e partisë së Punës.

Paqja është produkt i njerëzve jo ilegalë.

Edhe vetë “Usta Hasani” i viteve të luftës në kafen Flora, nuk solli paqen sociale për popullin e tij me luftën famëkeqe të klasave.

Tokë në këmbim të paqes, është mënyra e vetme që tensionet të zerohen dhe krijimi i dy shteteve do të ngurtësonte ekuilibrat fluidë paqësorë, aq të dëshirueshëm në Lindjen e Mesme.

Të dielave zakonisht e pi kafen në Cambridge, në Blue Bottle coffee, përballë saj është një Starbucks Coffee i vjetër.

Shpesh e kam menduar Bibin sëbashku me Noam Chomsky në atë kafe e cila “njeh” pothuaj nobelistët e botës, pasi ata kanë kaluar nga “MIT dhe HARVARD”, që janë pranë njeri tjetrit…

Unë besoj tek Bibi Njetanyahu, besoj tek diplomacia dhe jo lufta.

Por që të ndodhë kjo, ai duhet të ndjekë një model tjetër kryeministri izraelit, atë të Yitzhak Rabin, vrarë nga një student ultranacionalist, i quajtur Yigal Amir.

Në mendimin tim, laburisti Rabin, është modeli më i mirë izraelit për të rivendosur paqen…

Bibi, ktheje “Murin e lotëve”, të ndërtuar nga mbreti Herod, në një muze të historisë botërore moderne dhe tempull faljeje për paqen, jo shënjestër të plumbave, kështu fytyra jote do të stampohet me lotë dashurie Nënash në atë mur, të ngelur nga shkatërrimi i romakëve në vitet 70 të erës sonë, ku bënte pjesë edhe gjenerali i famshëm famëkeq Pons Pilati, të Tempullit të judenjve!

Bibi, ti je artist arkitekt i MIT dhe artistët janë paqësor.

Vendosi në njërën anë yllin e Davidit me katër kolorëshin palestinez.

Yonathan, vëllai yt, u vra për paqen…

BOSTON 10/27/2023

May be an image of 1 person and smiling

Filed Under: ESSE Tagged With: KASTRIOT FETAHU

UNË, EMIGRANTI…

August 7, 2023 by s p

Kastriot Fetahu/

A do ta njihnim historinë e popujve pa mërgimin e një pjese të tyre, që nga thellësitë e shekujve?

A “erdhi” tek ne Troja dhe Itaka nga një poet shëtitës, “mërgimtar” si Homeri?

A mos vallë historia dhe zhvillimi i Perëndimit janë në nivele përherë më të larta se Lindja edhe nën ndikimin e këtij fenomeni?

Nuk e kisha menduar asnjëherë më parë të lija Atdheun tim, pasi e ndjeja që do të kisha një jetë të trazuar përmes të panjohurave që i ngjanin ecjes si një i vetmuar në një pyll ekuatorial, ku lianet do të dukeshin aleatët e vetëm…

Nuk po largohesha nga një vend me rregjim tiranik, (edhe pse demokracia e pambërritur nuk kishte aromën e saj), por e ndjeja që inteligjenca vlerësohej më pak se muskujt e gangsterrit të lagjes dhe fjala nuk kishte peshë, më dukej se aty radikalizimi i trukuar i jetës politike që derivon edhe në atë sociale, pjell “Robespierë” të vegjël si matrioshkat pambarim…

Politika më vrau ëndrrat, më varfëroi dëshirat, më tjetërsoi objektivat, më humbi besimin dhe ndërtoi një labirinth mendimi fundor ekzistencial, nga i cili për të dalë duhej një “Arianë”, gjithmonë e munguar në vendin tim.

Kur kalojmë kufijtë dhe nuk “kthejmë kokën pas,” jemi ne që bëjmë mëkat ndaj Atdheut, apo ka të tjerë mëkatarë që na induktojnë nga pak çdo ditë idenë e braktisjes me ato çfarë bëjnë dhe nuk bëjnë për ne??

Ikja e një emigranti mbart guxim, kurajo, një aventurë epike me ngulçe të fshehura shpirti, një nisje në errësirën e mëngjesit për të dritësuar errësirën e jetës dhe të gjitha këto vijnë si një protestë për t’ju mohuar ju, se nuk ngjallni më besimin edhe kur pëshpërisni “iku dhe ky” me një lloj dhembje të pangjyrë hipokrite, duke sanksionuar kalbëzimin e inisiativës dhe shpresës për ndryshim, pasi gjithmonë ikin pionerët, ikin ata që ndjekin akoma ëndrrën e “Yukon” të Alaskës së London!

Njeriu, që në lindje të shoqërisë njerëzore me mitin e Evës dhe Adamit, ishte mërgimtar.

A nuk mërguan edhe Poseidoni me Hadin, kur i dëboi (legjendat thonë edhe me short ky mërgim) Zeusi nga Olimpi, pasi eliminoi Kronosin?

Bota jonë duket sikur është një turmë mërgimtarësh të ikur apo të dëbuar për arësye të ndryshme, që dëshpërimin e kthejnë në energji krijuese në historinë e re, kur e fillojnë në vendin e panjohur, i cili i tremb gjithmonë me puzzlet që e rrethojnë si rrethi qarkun e tij në gjeometri.

E kam menduar edhe planetin si një emigrant që ka ndërruar orbitën fillestare në tjetër orbitë…

A është mohimi i të shkuarës së vetvetes, që derivon në rilindje, mërgimi i njeriut nga Adami dhe deri më sot?

Ditën që avioni i “Lufthansa” u ngrit me një uturimë të mbytur në ajër, mendova se koha e streseve vulgare do të mbaronte.

Mbërritja në tokën e premtuar, (tokën e George Washington dhe Abraham Lincoln, që jo më kot është shteti i parë i botës dhe i themeluar nga emigrantë), u shoqërua me ndjesi ku edhe gëzimi bënte pjesë…

Chicago, qyteti ku qielli ka zbritur në tokë!!

Është bukur, është paqe individuale, është siguria që askush nuk të njeh dhe ti nuk je i ndrydhur se po të gjykojnë duke të veshur gjendje të shprehura me fjalë si “egoisti, mediokri, mendjemadhi, përmbledhur me shprehjen tipike bullizuese -ja ky…- pa cituar fundin e saj.

Më ka intriguar gjithmonë historia e këtij vendi dyoqeanik…

Kam pyetur veten se… a është përplasur me fisin e gjuhës Maskóki, që më pas u bashkuan me Seminolët luftarakë (Florida), Christopher Columbus kur zbarkoi me “Santa Maria” në brigjet e “Indisë”?

Kisha lexuar më parë “Osceola, prijësi i Seminolëve”, përkthyer nga profesori im Hajrulla Zonja, madje kisha parë dhe filmin “Osceola”.

Komplekset e tua emocionale të fshehura me kujdes me atë pamjen mistike pa asnjë shprehje në fytyrë në vendin nga vjen, këtu sa vijnë e treten.

Sa fytyra “të ngrira”, si e Sharli Bovari, kam parë në atë vend…?!

Më duket sikur Liria e çliruar dhe e pavëzhguar nga sytë dinakë të atyre që të njohin, është Liria e munguar!

Ndërsa Liria juaj duket sikur ekziston vetëm nën maskën veneciane të shekullit të XVIII…

“Aty ku banon Liria, atje është vendi im,” kjo, një frazë latine që e kishte për zemër James Otis, ligjvënës kolonial dhe mbështetës i hershëm i kauzave patriotike në Koloninë e Gjirit të Massachusetts në fillim të Epokës Revolucionare.

Ne jemi një popull që e përqafojmë shpejt perëndimin, po kur kthehemi në Atdhe se kuptoj pse ndonjëherë bëhemi më “lindor” nga sa ishim, kur morëm udhën e ëndrrës “Londoniane”?!

Duket sikur i ngjajmë rrymës alternative…

Këtu më sundon habia e hutuar, më mban peng fillimisht, e shoqëruar me një frikë manuale pa objekt real.

Heshtjet e mia nuk janë të zhurmëshme si në Tiranë dhe nuk mi dhuron askush, jam unë që i kërkoj për tu fundosur në to…

Sa larg është iluzioni me realitetin në mendimin e një emigranti në vendin e ri ku ai jeton??

Emigranti, një qënie që endet midis luftës dhe paqes handikape në mendjen e tij dhe që herë herë më duket si subjekt i veprës së Engelsit, (filozofit materialist në veprën e tij “Gjendja e klasës punëtore në Angli”), sidomos ata që janë informalë…

Ëndrrat zbehen shpejt dhe ti ridimensionon dëshirat…

Nënqesh hidhur kur kujton se në Shqipëri pëlqeje “Cadillac Escalade” dhe rrjetin e supermarketeve Whole Foods (Jeff Bezos), më i miri dhe natyrisht më i shtrenjti.

Po i arratisemi ne civilizimit, apo po na arratiset ai, neve(?)… përsiata pa artikuluar dot asnjë përgjigje!

Një ditë, pasi rrëkëlleva disa birra, guxova të bëj analogji…

Ku ndryshoj unë nga franko-algjeriani Albert Camus, (edhe pse ai është një emigrant i brezit të dytë),?

A jam më shumë se Camus, multikulturalist?

Çfarë sistemi vizualizimi kishte ai në ndryshim nga unë për vendet respektive?

Kush prej nesh dëshiron më tepër diversitetin se sa homogjenizimin?

A kërkon dikush tjetër ti ngjajë zotit Merso, (i huaji)?

Shpejt u kthjellova, por nuk e harrova Camus…

Në dukje gjithçka është ok, por jo belbëzimi im në anglisht për të thënë çfarë dua…

Një vajzë e bukur po qeshte një ditë, duke më parë në starbucks (kafe) dhe nuk dija çfarë të përjetoja, pasi bullizmi dhe simpatia nuk kuptohen qartë nga unë, një i huaj, në fytyrën e asaj vajzës pa shprehi të deklaruara.

Nuk e di, pse kur dëgjoj gjuhën e vendasve, gjuha jonë më kujton fronin e Bourbonneve?!

Kur më ndaloi një polic, pse kalova me “të kuqe” në semafor, nuk më bërtiti dhe as u shqetësua fare, kur preu fletën e gjobës 200 dollarë…

Më erdhi në vemendje një homolog i tij shqiptar në aksin FushëKrujë – Lezhë, kur për një shkelje, pasi bërtiti sa ju ngjirr zëri, më dha dokumentat e me zë gati të mekur … -ik, mos të shoh më me shkelje…!-

Në restorant kamerierët buzëqeshin, duke të pyetur “mungon gjë(?)”, aq shpesh sa unë “mbytem” të mbaroj sa më parë, të paguaj e të iki…

Asnjë fqinjë nuk më flet, veç të dhurojnë një si lloj ngërdheshje të kontraktuar, që tenton buzëqeshjen e sinqertë!

Emigranti më duket si një madhësi fizike që i jep nxitimin centripet zhvillimit të Atdheut të ri dhe merr si shpërblim nxitimin centrifug, duke ngelur gjithmonë “kloni” i shoqërisë së atij vendi.

Të jesh emigrant, jeton me këtë hije dhe një shpirt në dy botë.

Nuk e kam kuptuar dot, se ku është kufiri midis emigrantit, qytetarit të botës dhe kolonialit?

Statujat këtu janë gjigante, por nuk më ngjallin emocion, sikur të jenë prej argjile të ngjyrosur akoma pa u tharë!

Gjithmonë e kam adhuruar Odhise Paskalin dhe bazaltin e tij!

Ju mendoni se keni ndryshuar kur fëmijët janë rritur e integruar, ose shtëpia juaj e fëmijërisë fillon e dobëson lidhjet me ju dhe kuptoni se e kaluara nuk është kurrë aq e fortë sa një send i shenjtë në të i trashëguar me breza, por si një pasqyrë e thyer, hije njerëzish me fytyra që nuk i shihni dhe kështu, nuk mund ta shpirtërojmë atë lehtësisht.

Ti nuk harron asgjë, as çastin kur mbylle derën e shtëpisë për herë të fundit me një psherëtimë të thellë, fshehur buzëve të shtrënguara nga idetë e turbullta, që donin të shpërthenin nga burgu i tyre, por tani ato janë një masë tuli kujtimesh, një pelegrinazh në varrezën e tyre, ku në vend të qiparisave, janë sende që ecin si në një filëm me metrazh të shkurtër dhe që xhirrón si kaseta në aparatin e vëllezërve Lymier!

Po këngën “Për ty Atdhe”, Pjetër Gaci e ka kompozuar?

Pse disa na konsiderojnë atdhetarë pa Atdhe?

Pse na çnderojnë kaq djallëzisht me emrin “refugjat”, si muhaxhirët klasik beduinë??

Më duket sikur me padurim presin ca, që të na çrregjistrojnë…

Një ndjenjë e zhdrejtë komunikimi të mundon këtu edhe për shkak të gjuhës edhe për zakonet jo të njëjta duke e dramatizuar më shumë dramën e emigrantit.

Nuk më pyet askush se si i kam hallet dhe kjo më detyron t’ju kthehem kujtimeve me miqtë e mi, kur i ndanim ato sëbashku, për të gjetur pak ngushëllim si X i një zgjidhjeje ekuacioni, për ti ikur makthit të errësirës me dritën e miqësisë.

Po Zoti ndihmon më shumë një emigrant, apo një “patriot”?

Rruga e jetës së emigrantit më duket si një kalldrëm me një fund pa mirazh, që në vend të gurëve, ka toptha gjaku e djersë të koaguluar, trotuarët e tij janë shtruar me pllaka psherëtimash dhe anës tyre ca pemë ku degët janë gjymtyrët e tij, gjethet e të cilave pikojnë mëngjeseve të vesuar… vetëm lot!

Të kthehet (?)… një dilemë hamletiane.

Këtu jeton në një shoqëri që e perifrazon mjaft bukur filozofi i famshëm Karl Popper, intoleranca është një gjë që një shoqëri tolerante nuk mund të lejojë të tolerojë.

Dy nobelistët shqiptarë e kanë fituar çmimin në mërgim.

… E kam menduar edhe vdekjen dhe mendimi ka udhëtuar nga urna e hirit deri tek banorët e mëhallës së vjetër, që pëshpërisin për politikën në funeralin tim…

Më duket vetja si emigrant i një populli, që i ngjan një rrapi të palëvizëshëm, nën hijen e të cilit më parë kanë qëndruar popuj të tjerë, në këtë botë emigrantësh!

Mbrëmjeve “arratisem” tek prindërit e mi…

Strukem në fjalët e Nënës me mallin e lotuar, larg syve të njerëzve…

Po këta kanë Nënë?

Pse askush nuk e përmend ndonjëherë?

Më kujtohet një miku im, i cili kohë më parë më tha… “Një ditë, unë, nuk i gjeta më Nënën dhe Babain, kur u ktheva beharin tjetër në Atdhe… !”

Meditoj në heshtje, (nuk e di kush e shpiku heshtjen?).

Po dhembjen time, dhembjen time, që këta nuk e kuptojnë dot, kush do ma shëroj… ??

Filed Under: Emigracion Tagged With: KASTRIOT FETAHU

ME VISARIN…

May 26, 2023 by s p

Kastriot Fetahu/

Para disa ditësh një mik, Fatmir Harizaj, mësues në një kolegj në Wisconsin, më ftoi të pimë një kafe me Visar Zhitin pasi kishin dakordësuar për këtë takim. Me Visarin jemi takuar edhe më parë…

Në datën 20 Maj në orën 11.00 Am mbërritëm në Rosell, qytetin ku ai banon.

Vendosëm të ulemi në një kafe aty pranë edhe pse këmbënguli sipas traditës për “një gotë raki” në shtëpi.

Një surprizë në lokalin Dino’s Cafe, pasi na shërbeu një kamariere shqiptare me shumë mirësjellje, sikur më solli një copëz Shqipërie ajo…

Vuajmë, çlirohemi, gëzojmë, stresohemi, kjo është jeta e përditëshme, tha në përgjigje të pyetjes se si e kalon kohën, Visari, poeti që në moshën 27 vjeçare provoi ferrin komunist të Spaçit…

Në mendjen time të burgosurit politikë janë kreshnikët e vërtetë të historisë së vendit tonë.

Këta ishin njerëz të lirë dhe trupa të burgosur, kurse ne të tjerët njerëz të burgosur dhe trupa të lirë…

Njerëz… a quhet njeriu i tillë në shumës, njerëz?

A e plotësonim kushtin të ishim të paktën si “studentët e kolegjit të Another Brick” të Pink Floyd?

Po të na njihnin këta të fundit, çfarë do të këndonin për ne??

René Descartes, Jean Paul Sartre e të tjerë filozofë të ekzistencializmit kanë thënë… Unë ekzistoj…

Sa “të vegjël” më duken para “Unë ekzistoj” të një si Visar Zhiti!

Fillimisht folëm për Nolin, Konicën, rolin e diasporës, që të ndikoj mbi qeverisjen e vendit si dikur Noli e Konica, e jo e kundërta.

Ka ardhur koha që Noli dhe Konica duhet të kenë edhe shtatore të përbashkët duke e filluar nga Tirana, në USA…

E duam Shqipërinë me shqiptarë të mirë…

Duke vazhduar bisedën, erdhi një çast që përmenda emrin e Ernest Koliqit, për të cilin mendoj se akoma nuk ka marrë vendin e duhur në “Tiranën zyrtare”.

E dija çfarë kishte bërë Koliqi për arësimin në Kosovë, në të cilën nderohej shumë edhe kur tek ne ishte diktatura e Hoxhës.

Koliqi ngriti “UÇK” kulturore të Kosovës me 200 normalistë që dërgoi, një përkufizim mjaft mbresëlënës ky, që i bëri Visari.

Diskutuam Orwellin krahasuar me Koliqin. Orwelli i te famëshmit “1984” dhe Koliqi i “Rrajët lëvizin”!

I pari parashikoi fitoren e komunizmit kurse Koliqi rënien e tij dhe edhe vdekjen personale.

Orwell dështoi, ndersa Koliqi i vetmi shkrimtar që realizoi profecinë e tij, pasi në 1975 kishte ndërruar jetë në Romë dhe nuk arriti ta shihte.

Folëm për shumë gjëra, që nuk mund ti shkruaj të gjitha, sa të tjera më ngelën pa pyetur për mungesë kohe.

Duhej të gjeja një ekuilibër gjatë bisedës se “bëja tre punë”, e dëgjoja, përpunoja çfarë do pyesja dhe shkruaja…

Për romanin Këpuca e aktorit, i thashë se je Marquez këtu i “Njëqind vjet vetmi” dhe nuk mund të shkruash një vepër të tillë…

Pse (?), më pyeti.

Sepse ke derdhur shpirtin këtu.

Buzëqeshi duke më kundërshtuar por nuk më bindi… dhe qesha dhe unë…

Për një çast bëra analogji me Kadarenë, po të ishte futur në burg dhe Visari të ishte jashtë i pompuar nga sistemi, si do ishte pesha e secilit në letërsinë shqipe… ??

Folëm për fletoren e burgut, të cilën e ka botuar “Onufri” me pamjen origjinale.

Na tregoi se si e kishte shkruar…

Në hetuesi më mbajtën nëntë muaj…

Aty kaloja kohën duke recituar Esseninin, më tregoi se ishte poeti i tij i preferuar e më pas Walt Whitman, Paul Eluard…

Mbaja mënd pesëdhjetë poezi të Essenin, po ashtu edhe poetë të tjerë dhe erdhi koha që i mbarova dhe fillova të rimoj me mendje.

Gjatë javës krijoja dhe të shtunën i përsërisja, që të mos i harroja.

Në hetuesi kur arrita nëntëdhjetë poezi lutesha që të rrija dhe ca që të arrinin njëqind, por nuk munda se më dënuan e më çuan në burgun e Spaçit.

Milingonat nuk i shkelja me këmbë, se janë gjallesa të zotit, na tha për qëndrimin në birucën e hetuesisë.

Në Spaç më priti me “mirëserdhe” një shok që e njihja nga koha student, Hasan Bajo.

U habita… dhe më shpjegoi se Hasan Bajo i kish thënë që e dija se vendi yt është këtu!

Në qeli na lejonin një fletore “katër lekëshe” në atë kohë.

Ja recitoja poezitë Hasanit, atij i pëlqyen dhe i shkrova. Fletoren e fshihnim gjithmonë tetëmbëdhjetë shokë pa ditur se kush e kishte, në mënyrë që mos të kapej në asnjë rast.

Për GUINNESS kjo histori mendova…

Një Promethe i vërtetë, a nuk janë zjarri për njerëzit këto poezi??

Trojën dhe Itakën ja ka “dhuruar” botës një poet..

Biseda rridhte natyrshëm…

Ernesto Sabato me rrënjë arbëreshe, i cili ka qenë një fizikan i madh dhe ka punuar me Mari Kyri. Dashuria për letërsinë e bëri që të linte fizikën dhe ti përkushtohej letërsisë, midis të tjerash edhe i famëshmi “Tuneli”.

Sabato në Paris ka shkruar dhe për Skënderbeun…

Edhe për librin e Kadri Cakranit.

Ai në Vjenë kishte parë… Adolf Hitlerin!!

Një gjë të bukur nga libri i Kadriut na tregoi Visari.

Gestapoja gjermane erdhi në Berat për të gjetur dhe marrë kodikët e purpurt. E shantazhuan Kadriun se nëse nuk i gjente do ti vrisnin klerikët e Beratit.

Ai thirri Visarjon Xhuvanin, si i pari i tyre dhe i thotë që Kodikët duhet të mos i dorëzojmë, të bindim murgjit që të thonë nuk kemi kodikë…

Visarjoni shqeu sytë se murgjit nuk gënjejnë…

Thuaju, tha Kadriu ti luten zotit gjithë natën që ti falë…

Atë bënë murgjit dhe kur erdhën oficerët e Gestapos gjermane të nesërmen tek Kadriu, ai u tha që nuk kemi kodikë… mund të pyesni murgjit…

Ashtu u bë, murgjit e mohuan dhe kodikët e Beratit shpëtuan.

Ky ishte Kadri Cakrani, pinjoll i Bektash Cakranit, firmëtar i deklaratës së pavarësisë.

Na tregoi fotot e Suadës, pinjolles së familjes Cakrani, që ka mbaruar për artet në Paris, Suada që i puthte këmbët vëllait të varur në mes të Fierit nga diktatura, si Doruntinë e vërtetë e një formati tjetër…

Ne shqiptarët jemi nga racat e bukura në botë dhe Suadën, nga fotot që pashë, e gjej “hollywoodiane”. Ishte me class dhe bukuri magjepsëse!!

Duke folur me Visarin vetvetiu krijon idenë… Njeri i ditur, i lexuar, miqësor, në tavolinë jemi të barabartë, zero mëndjemadhësi dhe arrogancë, vlera njerëzore që i çmoj shumë, që bazohen tek thjeshtësia e tij dhe respekti për njerëzit…

Çfarë është një njeri i madh??

Gjatë bisedës na kërkoi leje se e telefonoi një mik italian, Matteo Mandalá profesor i letërsisë dhe filozofisë në universitetin e Palermos, autor i disa librave për letërsinë, historinë e kulturën arbëreshe, e letërsinë shqiptare, vetë një arbëresh.

Edhe emri i aeroportit Nënë Tereza është shumë interesant, vazhdoi biseda

Një mik shkrimtar nga Struga më njoftoi, tregoi Visari, se autoritetet e Shkupit do e emëronin aeroportin e tyre me emrin e Nënë Terezës!!!

Në rrugë të tjera u njoftua Presidenti dhe urgjent ju vendos emri Nënë Tereza aeroportit të Rinasit.

Një gjest i madh në mendimin tim, sepse ne nuk jemi Greqia që të ndryshojmë “Maqedoninë politike” në vendimet shtetërore.

Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterrë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta, mu kujtua Stanley Kubrick, rregjisori i famshëm amerikan.

Edhe Kosova zuri vend të rëndësishëm në tavolinë ku vlerësuam Poetët Ali Podrimja, Azem Shkreli dhe figura historike të saj si Rugova, Agani dhe të tjerë para tyre si Pajazit Nushi, Dr. Ymer Jaka, Kaçusha Jashari, Azem Vllasi…

Folëm për burgun dhe natyrisht edhe spiunët…

Diskutuam një tregim të Danilo Kish, hebre nga Beogradi.

Personazhi kryesor i tregimit u fut në burg, ku i kërkonin të bëhej spiun. Ai nuk pranonte dhe autoritetet e burgut e kërcënuan se nëse nuk bëhej, do ti vrisnin të gjithë kalimtarët që kalonin aty pari.

Atëhere pranoi të firmoste për të shpëtuar njerëzit.

A është ky spiun?

Ka ardhur koha të dalin ata që detyronin njerëzit të beheshin spiun në atë rregjim.

Janë ata fajtorët e vërtetë ndoshta…

Fatmiri u angazhua në pyetjet për qëndrimet ndaj politikës së vendit…

Visari ka shërbyer dhe si ambasador i Shqipërisë në Vatikan, midis të tjerash ku ka takuar edhe dy Papë, Ratzinger dhe Papa Françeskun.

Unë i adhuroj Papët dhe ngulmova të flisnim për ta…

Një gazetar në mënyrë provokuese e pyeti Papën Ratzinger… e ke parë zotin?

-Jo,- i tha Papa Benedikti i XVI (gjerman bavarez)!

Çfarë është Zoti…

Ai në takim me Visarin e pyet si mundet të hyjë në burg një poet?

U habita, kaq i vemendëshëm ishte Papa Ratzinger në takimet që kishte!

Ratzinger, ky njeri madhështor i dijes teologjike dhe një det i thellë mendimi, në mendjen time.

E kam parë Papën Gjon Pali i dytë, vazhdoi, Papën që e “akuzojnë” për politikë…

Në mendimin tim, roli i Karol Vojtilës është i njëjtë me Reagan, Gorbaçhev, Kohl, për rrëzimin e komunizmit pasi ai e njihte aq mirë si polak që ishte.

E adhuroja Papën Gjon Pali i dytë, që kur Hoxha e stigmatizoi në kohën që Ai nga brigjet e Puljas me shikim nga Shqipëria u lut për popullin e martirizuar shqiptar, i cili vuante diktaturën më të egër komuniste…

Kam takuar Papa Françeskun, na tha.

Ai të dëgjonte duke u shkëputur komplet nga bota që e rrethonte, një hyjnor.

Më erdhi në mendje se kështu të dëgjonte edhe Visari kur flisnim.

Visari ka shkruar “Këpuca e aktorit”, por vetë nuk ka qenë kurrë dhe as është një aktor, por njeri i vërtetë një mik i rrallë dhe kjo u evidentua qartë në gjithë dimensionin e bisedës që zhvilluam.

Pasi na dhuroi libra të tij, u ndamë me premtimin… do takohemi përsëri.

Rrugës pa arritur në Chicago më shkroi dhe uroj prapë rrugë të mbarë.

Është VISAR ZHITI.

K.F.

Chicago 05/20/2023

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: KASTRIOT FETAHU

LIRIA DHE POEZIA

May 5, 2023 by s p

Kastriot Fetahu/

Poezia që sapo lexova, sikur i kishte çekiçë ato rreshtat e dhëmbëzuar si tehu i asaj sharrës së drurit në mësimin e shkronjës “sh” në abetare. Një kandar nga ata me gurë, në mendjen time, bënte gjithmonë atë zhurmën “rrak-shtrak”, njëjtë me atë të atij fshatarit plak që del e shet fiq në fundin e mëhallës e dukej sikur peshonte poezitë e lexuara.

Ajo pyetja se me çfarë maten apo peshohen poezitë më rëndonte gjithmonë si guri i kandarit në fundin e bishtit…

Nuk e kam gjetur dot shpjegimin pse vjetërimi i njeriut është në përpjesëtim të drejtë me zhvillimin progresiv të mendimit filozofik të tij!

– Sa vjeç ishte Chehov kur shkroi “Xhaxha Vanja”? – doja të hiqja mendjen, po përsëri vargjet sharrë të asaj poezie, nuk dija nëse më sharronin, apo godisnin trurin, si një sqep qukapiku në një dru të vjetër…

Mirë që nuk e lexova autoren.

Unë tjetërsohesha sa herë lexoja ca si poezi ku shkronja “ë” mungonte në fund të fjalës dhe shkruheshin me vargje shkronjëmunguar!

Po të ishte ajo poetja e bukur, autorja e kësaj poezie, do e shaja unë?

Jo, jo, atë nuk mundem edhe në turrën e druve të më digjni dhe sikur në vend të kardinalëve të Vatikanit, vendimin ta marrin ata dy këpucarët e vjetër në atë kthinën pranë dyqanit të zarzavateve tē rrugicës sime.

Po… vërtetë pse duhet ta përbuz atë poeten, vetëm pse lexova diçka që i ngjan poezisë, aq sa katrori i ngjan rrethit?

Po sikur ajo ta mësoj këtë e të më thotë se çfarë dështaku jam në pjesën tjetër të jetës apo në shkenca të tjera jashtë letërsisë?

Po sikur të më tregojë se sa i pavlerë jam para Hygo, Pushkin, Marquez, Dickinson, Charles Baudelaire e të tjerë?

Ja që edhe unë jam ca mediokër në boshtin e abshisave për vlerën numerike letrare, që atashohem në të.

Lutem të jem në anën e djathtë të origjinës së tij!

Mu kujtua ai filmi me Hipolitin…

Nënqesha, se popuj të tjerë kanë nxjerrë Nobelistë dhe nuk endin në qiejt e tyre të mendimit të tilla re të ngarkuara me jone urrejtjeje kundër amatorëve.

Qytetërimi është solidaritet, respekt e dashuri, dialogova me vehten!

Pse e minojmë paqen sociale ne??

Po për klimën e komunitetit të krijuesve, të fundit jemi në Europë?

Letërsia është opinion apo shumatore aksiomash?

Po opinioni është e vërteta apo arsyetim variabël në kohëra që lidhen midis tyre me ura?

Limiti në sistemin e referimit të gjykimit të drejtë për vlerat letrare nuk jam unë dhe nuk duhet ta harroj, që të mos zhytem në delirim personaliteti e të bie në pozitat e një narcisti, pasi njësia matëse e mediokritetit është relative dhe jo një etalon i “Louvre Museum”, arsyetova!

Sikur të ishte gjallë Konfuci.

Po Bukowski do të më rreshtonte tek inteligjentët plot dyshime apo do të më degdiste andej nga ata idiotët e mbushur plot vetbesim??

Më kujtohet zysha e matematikës kur ngrinte zërin në klasë, se nuk kuptonin limitin dhe më drejtohej mua ta shpjegoja.

Po unë pse nuk vazhdova matematikën ku shkëlqeja, po kërkoj të provoj se mund të bëhem poet?

Qesha përsëri, se më kishte intriguar gjithmonë ideja empirike, që poetët kanë dashnore të bukura dhe se femrat e bukura nuk i donin as limitet dhe as integralet.

Po… nuk u bëra dot dhe as e gëzova dot këtë benefit.

Mirë se ajo vajza nuk shkruan si duhet, por është e lirë të “zhgarravisë”, me pasionin që ka, ç’të dojë brenda etikës, se ndodhet në “shtëpinë e vet”, po unë ç’ dreqin dua që vjell kundër saj çorbën, që më thartohet në stomakun e mendjes?

“Të shkruash nuk është një variabël ekuacioni eksponencial, po një artificë aforistike e përjashtuar nga teoria e dialektikës së Hegelit”, “shantazhova” vehten për të ndaluar bullizmin kundër platonikëve.

A është poezia monopol i disave??

Ej, sa i madh është treguar Platoni kur ka formuluar arsyen pse shkruajmë poezi!

Dikush në ditën e saj kumtoi që “nuk lexova asnjë varg, se nuk postoi asnjë nga këta poetë…”

Ky sikur të jetë Maoja i ri, që hyjnizon këtë herë “katërshen kineze”!

Sa mirë që nuk jam Poet, po një dashnor fjalësh të ngatërruara midis metafora profanësh dhe krahasime nga ato të fëmijërisë kur dallgën e dija një kafshë më grabitqare se peshkaqeni!?

Kulmi arriti kur dikush tjetër donte të ngjiste malin e kritikës letrare pa qënë as matrioshkë e Sizifit, kur komentonte me shkrim analfabetik si hieroglifet e “Epit të Gilgameshit” te statusi i tij, duke theksuar “na mbytën… injorantët e poezisë”.

Kjo firmos “me gjisht”, mendova, se duket që nuk ka lexuar as “Gjysmagjelin” të ilustruar me figura!

Në USA jetojnë në paqe në diversitet racash.

Kjo është një prej judenjve, që do të gjuante me gurë Jezusin e jo Barabën me verdiktet inkuizitivë që jep për krijuesit.

Kushedi se sa e shëmtuar është në shpirt dhe sa asimetrike duhet ta ketë fytyrën!

-Unë di shumë libra të cilët i kanë mërzitur lexuesit e tyre, por unë nuk di asnjë libër që ka bërë vërtet ndonjë të keqe,- më erdhi në kujtesë kjo thënie e një prej mëndjeve më të ndritura në botë, VOLTERI.

Sa trishtim kur të shajnë “mediokër!”

Po Kadare quhet kështu, krahasuar me Dostojevskin apo Tolstoin??

Përgjigja nuk është një postulat, sepse hipotezohet mbi sisteme referimi dhe përsëri të vërtetat janë relative!

Edhe pika e mbështetjes së levës së Arkimedit nuk është absolute.

Pse Raskolnikov është antihero?

Sa dua të jem si ai, pasi hero nuk u bëra dot kurrë.

Kush jemi ne, që etiketojmë “mediokër” njerëzit me dëshirat pozitive në nivele shprehjeje masovike modeste, duke zbrazur mllefin me një lloj kënaqësie sadiste dhe cinizëm të pafre?

Kritika letrare nuk ka të bëjë me etiketimin e krijuesit në rrjete sociale, por të veprës së tij në forume të caktuara dhe në raporte individësh të vetëpranuar, i fola vetes si për të marrë anën e njerëzve të ekuilibruar, që nuk nxitojnë si mushka në errësirë.

Tani vërtet nuk ngatërroj katrorin me rrethin, po ndodh që edhe unë ndonjëherë kordën e quaj tangjente në poezi!!

Komuniteti i poetëve më ngjan si ai bregu i detit me guralecë, ku asnjë nuk është i njëjtë me një guralec tjetër në madhësi, formë dhe ngjyrë!!

E vështirë për mua, e më keq akoma për këtë të “Gjysmagjelit”, të kuptojmë për ç’ vlerë të “N” targohesh “mediokër” në këtë relacion?!

A nuk janë cilësuar mediokre edhe “produkte” të shkrimtarëve e poetëve të shquar?

Mediokriteti më duket si atmosfera që mbështjell sipërfaqen e tokës dhe… të gjithë kemi kontakt me të!!

Mungesa e dashurisë në shpirtrat tanë dhe frustrimi nga dështimet, mendova, nuk na jep të drejtën ta kompensojmë me pogrome vrastare mbi shpirtrat e brishtë.

Sa i madh atamani Taras Bulba që u bënte ballë pogromeve të panëve polakë!!

Duhet të kërkojmë ekzorcistë për të larguar demonët që na kanë pushtuar, po nuk duhet ti ngatërrojmë me magjistarët fallxhorë horoskopllinj.

Qetësova veten, se të paktën nuk jam ajo që me “shfryrje hipopotamike” mallkon si plakat e xhindosura kur ju thyenim xhamat e shtëpisë, duke luajtur me top në fëmijëri dhe sa keq që as ngjan fare me plakën Nurihan!!

Kur do të zbulohet algoritmi që të dallojë ligësinë e njeriut nga mediokriteti i tij… po vrisja mendjen!

A nuk është më mirë të ketë sa më shumë Poetë dhe sa më pak kriminelë e të korruptuar?

Nuk ka ndodhur që të vrasë ndonjë Poet një grua, po atëherë pse e përçmojmë “mediokër” pjesën që përpiqet të gërmëzoj në “shtëpinë e vet”?

As ai Poeti italian nuk e vrau Xhuliana De Sio te “Dramë dashurie”!!

Një “ushtri” Poetësh na duhet për të rilindur popullin, vazhdova, nisur nga Sigmund Freud që thotë: “Njerëzit nuk e duan vërtet lirinë, sepse liria përfshin përgjegjësi dhe shumica e njerëzve janë të frikësuar nga përgjegjësia.”

A mos ndoshta padashur kam ndihmuar të ndërtohet një sistem aparteidi letrar në këtë rrjet social?

Nëse është kështu, do të më kishte zili edhe vetë Frederik de Klerk, i fundit president aparteidi, që i dorëzoi pushtetin Nelson Mandelës në Pretorian e largët, por ai nuk jeton më.

Vendosa t’i shkruaj asaj poetes, që të mos ndihet si një digë behari për vërshimet e dimrit, por edhe pse dua ta trishtoj De Klerkun, hije në shpirtrat tanë.

Çekiçët dhe sharra… pushuan në mendjen time!

Filed Under: Emigracion Tagged With: KASTRIOT FETAHU

VATRA E CHICAGOS

February 8, 2023 by s p

Kastriot Fetahu/

Përpara pak kohësh në një intervistë në Radio Tirana 1 me gazetarin Jaho Margjeka, kisha një pyetje nëse ka degë Federata VATRA në Chicago? Nga çfarë dija në paqartësi totale u përgjigja… Nuk ka.

Dhe e vërteta e saj u mohua në dt 02/04/2023 me themelimin e degës se Federates VATRA në Chicago.

Në mbledhjen e themelimit të degës së Chicagos morën pjese dhe kryetari zoti Elmi Berisha si dhe anëtarë të kryesisë.

Kryetare e kryesisë së degës u zgjodh unanimisht një personalitet si shkrimtarja Mirela Kanini, anëtar i së cilës kryesi u zgjodha dhe unë.

Federata Pan-Shqiptare VATRA u themelua më 28 Prill 1912.

Qëllimi i saj ishte mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të shqiptarëve në SHBA, si edhe lobimin në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e shqiptarëve anembanë botës.

Takimi i pare për të bashkuar gjithë shoqatat shqiptaro amerikane në një federatë u mbajt në Boston më 24 dhjetor 1911.

Në këto takime ishin të pranishëm: Faik Konica, Fan Noli, Kristo Floqi, Marko Adams, dhe Paskal Aleksi.

Federata Panshqiptare “VATRA” u njoh prej shtetit të Massachusetts dhe mori kartën më 13 qershor 1912.

Ne lokalin “Mirage” u organizua takimi themelues i saj. Ne tavolinen ku isha ulur me miq te mi, Nesti, Ylli dhe Milto na sherbeu nje kameriere. Per kuriozitet e pyetem se nga ishte… (Se di pse ne shqiptaret jemi kaq te vecante edhe ne kete aspekt te thjeshte). -Jam serbe, na tha, serbe nga Subotica-. I fola shqip dhe mohoi per pyetjen qe i bera. Qesha dhe i thashe -Ja dike dhe shqip, se me kuptove-!

Bota ndonjehere eshte aq e vogel, kur ne nje lokal te Chicagos te sherben nje serbe. Se kuptoj pse ne cdo vend te botes te ndodhemi, jam i bindur qe shkojme normalisht me serbet dhe kedo kombesi tjeter. Radikalizmi nacional eshte nje sistem mendimi antinjerezor sot, derisa akoma problemet e Kosoves nuk jane zgjidhur nga nje lloj iracionaliteti radikal serb.

Takimi nuk ishte si mbledhje skolastike, por nje event i bukur, i hapur, me nje lloj solemniteti te fshehur ne menyren sesi te gjithe e kerkonim themelimin e VATRA se Chicagos. Nje zoteri i vjeter erdhi na pershendeti edhe pse nuk e njihnim. Ngurtesimi i fillimit ishte tretur dhe Mirela Kanini e zoteronte absolutisht ate takim. Asnje debat politik ne mbledhje sepse shqiptaria te bashkon dhe ndiheshim pasardhes te Fan Nolit ne themelimin e VATRA se Chicagos. Zoti Elmi Berisha pershendeti perzemersisht dhe edhe anetare te tjere te Kryesise qendrore. Cfare me ngeli pa realizuar ishte nje takim me kryeredaktorin e gazetes Dielli, zotin Sokol Paja, nje shqiptar i rralle patriot i perkushtuar per shqiptarinë dhe ndoshta mungesa e nje miku te vjeter si Zenel Hoxha.

Anëtaret e kryesise se VATRA se Chicagos, qe njoha aty, me lane mbresa si intelektualë me vlera integriteti. Vlerat e Kaninit jane te njohura qe me pare nga une dhe shqiptaret si shkrimtare, po keshtu edhe nje emer tjeter Ernest Nasto (ish pedagog në Universitetin e Tiranes) nenkryetar i VATRA se Chicagos, miku im dhe nje intelektual te cilin e cmoj per vlerat e larta ne njohjen e problemeve social-politike te USA dhe më gjere, apo Ing. Bledi Stefa nje intelektual tjeter plot vlera, Ardian Ruci, po keshtu dhe ndonje tjeter.

Do te duhen pak vite qe VATRA e Chicagos te behet shume e njohur, sepse premisat me kete grup entuziast qe ka ne krye, te cojne vetem ne kete rruge. Te shpresojme qe zhvillimi i ideve dhe tejkalimi i tyre ne mentalitetin ekzistues te VATRA te ndikoje ne zhvillimin e gjithanshem real dhe prosperitetin e vendit tone. Gjithmone kam menduar se shqiptaret e diaspores duhet te kene perfaqesues ne parlamentin shqiptar pasi 40% e tyre jetojne jashte kufijve.

Suksese VATRA e Chicagos.

Zoti i bekofte shqiptaret.

Filed Under: Reportazh Tagged With: KASTRIOT FETAHU

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT