-Para një viti, në 5 Shtator 2017, u bë shugurimi i Katedrales Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Kosovës, në festën shumë solemne dhe madhështore me pjesëmarrje edhe shqiptarësh – vatranësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet/
-Para 15 viteve, në Vatikan, në 20 Dhjetor 2003, Presidenti Ibrahim Rugova e njoftoi Papa Gjon Palin II, në pritjen në audiencë, me përgatitjet që po bënte Ipeshkvia e Kosovës për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.
Gurthemeli i Katedrales është vënë në 26 Gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/*
PRISHTINË, 5 Shtator 2018/ Në Festën e Shën Nënë Terezës 2018, sot në mesditë në Katedralen me emrin e saj në Prishtinë mbahet Mesha solemne, e udhëhequr nga Delegati Apostolik për Kosovë, Monsinjor Juliusz Janusz dhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.
“Sivjet, në mënyrë të veçantë do të kujtojmë 1 vjetorin e shugurimit të Katedrales dhe 90 vjetorin e nisjes së Gonxhe Bojaxhiut – Shën Nënë Terezës për misione në Kalkuta të Indisë”, theksojnë në Ipeshkvinë e Kosovës.
Në Kosovë, Ditët e Nënë Terezës nisën në përvjetorin e ditëlindjes së saj në 26 Gusht të vitit 1910 për t’u përmbyllur në 5 Shtator – në ditën e përvjetorit të kalimit në amshim në vitin 1997.
Në ditën e parë, Ipeshkvia e Kosovës, me rastin 90 vjetorit të nisjes së Shën Nënë Terezës për në Indi organizoi Akademi kulturore-shpirtërore në Katedralen me emrin e Shenjëtëreshës Shqiptare, ku u hap edhe një ekspozitë me dokumente sipas fondeve të Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, në 550 vjetorin e vdekjes së tij, e përgatitur nga studiuesi Dr. Gjon Berisha.Shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në 26 Gusht të vitit 1910 në Shkup, u bë Motra Tereze e Loretos (1929); Nënë Tereza – “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003); Shën Nënë Tereza (2016).
Në 10 Dhjetor 1979, sipas raportimit në atë kohë të gazetës tradiconale të Kosovës Rilindja, Nëna Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…”Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza u bë para një viti në 5 Shtator 2017, në ditën e 1 vjetorit të shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të Shenjëtëreshes Shqiptare. Shumë solemne dhe madhështore ishte festa, mesha e shugurimit të Katedraljes-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe shqiptarësh- vatranësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet. Shqiptarët nga Amerika – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.
Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, atëherë Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.
“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.
“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.
Në vitin 2003, më 19 tetor, Presidenti Ibrahim Rugova në Vatikan ka marrë pjesë në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, misionares shqiptare Gonxhe Bojaxhiu me origjinë nga Kosova, lindur në Shkup. Para më se gjysmë milioni njerëzve, në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, Papa Gjon Pali i Dytë ka lumturuar Nënën Terezën, së cilës Vatikani iu referohet si “Nënë Tereza e Kalkutës”.Në Vatikan, në 20 Dhjetor 2003, ditë e shtunë, Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali II-të e priti në audiencë Presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën. Audienca, që zgjati rreth 20 minuta, ishte shumë e përzemërt.
Në fillim Presidenti Rugova e falënderoi Papa Gjon Palin II për beatifikimin e Nënës Tereze. Pastaj, Presidenti Rugova e njoftoi Atin e Shenjtë me progresin që është arritur në Kosovë në të gjitha fushat e jetës.
Presidenti kërkoi nga Ati i Shenjtë që që të lutet dhe të ushtrojë ndikimin e tij për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës.Presidenti Ibrahim Rugova e njoftoi Papa Gjon Palin II me përgatitjet që po bën Ipeshkvia e Kosovës për ndërtimin e Katedrales në Prishtinë.
Ati i Shenjtë e vlerësoi progresin që është arritur në Kosovë dhe shprehu interesimin e tij për shumë çështje të zhvillimeve pozitive në Kosovë.
Gjatë audiencës, Ati i Shenjtë e përmendi edhe Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, Heroin Kombëtar të shqiptarëve.
Presidenti Rugova ia uroi Papës Gjon Pali II Këshëndellat dhe Vitin e Ri, duke i dëshiruar shëndet dhe jetë të gjatë. Poashtu, edhe Ati i Shenjtë i uroi Presidentit të Kosovës Kërshëndellat dhe Vitin e Ri.
Në fund të audiencës, Presidenti Rugova i dhuroi disa dhurata Papës Gjon Pali II: Medalonin e Nënës Tereze, Medalonin e Lidhjes së Prizrenit, si dhe kristale të çmueshme të Kosovës.
Ati i Shenjtë i dhuroi Presidentit Rugova medalje papnore të punuara me rastin e 25-vjetorit të shërbimit të tij si Papë.
Pas audiencës tek Ati i Shenjtë, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugiva u prit nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Hirësia e Tij, Kardinal Anxhelo Sodano, me të cilin pati një bisedë të gjatë miqësore e përmbajtësore.
Edhe 10 vite më herët, më 11 Mars 1993, Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali II priti në audiencë Presidentin Rugova nga i cili mori një Promemorie për çështjen shqiptare. Po më vitin 1993, më 27 Prill gjatë vizitës së Papa Gjon Palit II në Shqipëri, Presidenti Rugova është takuar me të në Tiranë dhe i ka dhuruar një gur nga muret e qytetit të Ulpianës në shenjë kujtimi për dy martirët e krishterimit, Florin e Laurin.
Katedralja Nënë Tereza në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.