Intervistë me z.Arben Bitri, vëllai i këngëtares së mirënjohur e të talentuar, Anita Bitri/
Ajo kishte lindur bashkë me talëntin për art, muzikë e letërsi. E formuar që në moshë të vogël dhe me pasionin për muzikën, ajo shquhet për të ruajtur të pastër këngën popullore dhe të lehtë shqiptare, përpjekjet e saj për të kultivuar tradicionalen, baladën dhe këngën lirike shqiptare. Këmbëngulja dhe puna e palodhur e gjeniut të violinës, prof. Robert Papavrami , mishëruan artin e vërtetë muzikor të këngëtares së ardhshme Anita Bitri. Prezantimi i Anitës si këngëtare erdhi si një fryt i ëndrrave të saj, të bëhej këngëtare e famëshme si idhulli i saj, Vaçe Zela, këngët e saj, të cilat i këndonte me pasion. Këngët e interpretuara nga Anita Bitri, qëndrojnë ende të freksëta, si dikur në koncertet që ajo jepte brenda e jashtë vendit, vecmas në Diasporën shqiptare të Amerikës , e identifikuar si këngëtare tipike e identitetit muzikor shqiptar në tokën e huaj. Sot për sot edhe pse Anita Bitri prehet në Paqen e Amëshuar, ajo mbetet këngëtarja –perlë dhe unikale për gjeneratën e artistëve që ajo i përket -dhe vitet e kontributit të saj duhen ruajtur dhe përjetësuar, si një vlerë cmuar kombëtare, artistike e historike. Në këtë rrëfim mbresëlënës të vëllait të artistes së shquar, z.Arben Bitri, i cili nxjerr në pah vlerat artistike dhe muzikore të këngëve të interpretuara nga Artistja Shqiptare, dhe ndikimet që pati moderniteti në karrierën artistike të së pavdekshmes, Anita Bitri. Për më shumë ndiqni intervistën.
Bisedoi:Raimonda MOISIU
-Z. Arben, Së pari ju falenderoj që pranuat të jepni këtë intervistë, për të risjellë në kujtesë, motrën tuaj, Artisten dhe Këngëtaren e talentuar dhe shumë të mirënjohur në Shqipëri e Diasporë, Anita Bitri, e ndarë nga jeta në një moshë relativisht të re, dhe la pas një kontribut të cmuar në muzikë. Si ndjeheni për këtë intervistë- e ndjeni homazh apo përcjellje të vlerave qytetare, kulturore e historike të kulturës e muzikës shqiptare?
-Të dyja bashkë, Raimonda, Cdo moment i jetës së Anitës është homazh në një mënyrë ose tjetër. Ajo është në mëndjen dhe zemrën tonë, në ecje dhe meditim, në ëndërr dhe jetën reale, c’ka do të thotë që bashkë me dhimbjen dhe dashurinë është edhe homazhi shpirtëror dhe njerëzor i përjetshëm. Dhe jo vetëm kaq! Intervista është edhe homazh në këtë vit të 46 vjetorit të lindjes së Anitës, pra mund ta quajmë që 2015-ë është viti i Anitës drejt pafundësisë. Intervista gjithashtu është vlerësim, për një artiste që i dha publikut artdashës më të mirën dhe të bukurën nga pasioni e talenti i saj, në kulmin e karrierës që pati një ndikim të jashtëzakonshëm, oshëtimë e gjeneratës së saj, por edhe për brezat që vijnë, vlerë e cmuar e vlerave qytetare, kulturore e historike të kulturës e muzikës shqiptare. Të jam mirënjohës që më dhe mundësinë t’ju rrëfej Anitën motër dhe Anitën -Artiste!
-Si u gjend motra tuaj në rrugën e bukur të artit, vecmas asaj të muzikës? E pati të trashëguar genin muzikor, apo ishte dhunti e saj?
Dua të them se Anita kishte lindur për të bërë art. Zoti me Anitën u tregua shumë zemërgjerë duke i dhuruar të gjitha dhuntit natyrore, talentin, pasionin, dhe anën profesionale, që mund t’i duhen një artisti për të shkëlqyer në rrugën e bukur dhe të magjishëme të artit muzikor. Si talenti dhe pasioni që lindën bashkë me Anitën, u bë realitet kur ajo takoi profesorin e merituar të violinës, zotin Robert Papavrami. Ishte këmbëngulja dhe puna e palodhur e këtij gjeniu të violinës, që mishëroi artin e vërtetë muzikor të këngëtares së ardhme Anita Bitri. Profesori i madh u mahnit nga veshi muzikor i Anitës dhe gjetjen e kohës së notave muzikore, pa asnjë vështirësi, në konkursin që u zhvillua për pranimin e elementëve të rinj për klasën e parë të shkollës së muzikës “Naim Frashëri” në Vlorë. Për të parën herë profesori i madh u ndesh me një talent të tillë. Anita, sipas profesorit të shquar, sikundër shprehej: “Ishte një nga rastet e rralla që kishte 99 % talent të dhuruar nga Zoti dhe i duhej vetëm 1 % punë për t’u bërë gjeni në violinë. Si tani më kalojnë në mend ato “beteeja” të ashpra që u zhvilluan në shtëpinë tonë, ndërmjet profesorit të madhërishëm, që dëshironte t’i jepte artit shqiptar një nga yjet që i mungonin dhe babait tim patriarkal, që nuk e shikonte këtë të ardhme kaq të suksesshme. Intuita e profesorit nuk gaboi; Do të duhej vetëm një vit punë, që profesori i madh i violinës dhe Anita të dilnin para spektatorit vlonjat në duet me violinë, duke mahnitur sallën me interpretimin e tyre virtuoz. Që aty filloi të krijohej, ngrihej dhe perfeksionohej nga dita në ditë si me magji,, aty është zanafilla për këngëtaren, mbretëreshën e ardhshme të muzikës shqiptare, Anita Bitri. Pra dhuntia, talenti dhe pasioni, që Zoti i fali Anitës, triumfoi, në sajë të punës dhe eksperiencës madhështore të profesorit të famshëm. Natyrishtë mbas hedhjes së kësaj baze të fuqishme muzikore Anita me këmbënguljen e saj, me krahë të fortë dhe mëndje të shëndoshë, me zërin e mrekulleshëm të pastër si gurgullima e kristaltë e valëv të Joinit, plot talent dhe pasion drejt kulmit të karrierrës së saj, në artin muzikor dhe artiste.
-A mund të na përshkruani momente nga eksperienca e saj? Kur ka filluar të këndojë? Cila është kënga e parë?
Anita ka filluar të këndojë që në moshën 3- 4 vjec, këndonte dhe kërcente pa pushim. Më kujtohet ajo fëmijë e bukur e gaznmore kur dilte para pasqyrës të madhe që kishim në dhomën e gjumit dhe imitonte këngët e Vaçe Zelës, apo këngët e festivaleve të RTSH. Ne qeshnim dhe e duartrokisnim dhe ajo përulej para nesh(publikut), sikur të ishte në skenë duke na falenderuar. Anita ishte një fëmijë ëndërrimtar dhe shumë e apasionuar pas muzikës dhe këngës. Në kujtesën time ka mbetur një konkurs, i cili u zhvillua në kopshtin Nr. 10-ë, të Vlorës. Konkurs që u zhvillua ndërmjet kopshteve të qytetit të Vlorës. Anita këndoj dhe kërceu në rolin e “bletës punëtore”. Anita, vetëm 5 vjeç debutoi aq bukur, sa që juria i dha çmimin e parë kopshtit të saj, duke e nderuar Anitën dhe me fletë lavdërimi, si këngëtarja dhe vallëtarja më e mirë e këtij konkursi.Por paraqitja e Anitës para një edicioni të gjerë si këngëtare, do të bëhej, kur ajo ishte 6-vjece, në Festivalin e Fatosave dhe Pionerëve të rrethit të Vlorës, ku Anita këndoi këngën, “Agimi dhe Fshesa”, duke u vlerësuar edhe me çmime nderi nga juria e këtij festivali. E kam të skalitur në kujtesë këtë moment, pasi atë natë gjithë familja nuk kishte gjumë nga gëzimi i këtij cmimi të fituar nga Anita jonë.
Prej moshës 8–14 vjeç, Anita ishte pjesmarrëse e rregullt e Festivaleve të Fatosave dhe Pionerëve të rrethit të Vlorës, në fillim si këngëtare dhe më vonë si violiniste e orkestrinës së festivalit.Në vitet 1980-1986 prezantohet para publikut vlonjat si violiniste në orkestrinën e shkollës së muzikës “Naim Frashëri”. Sa më shumë rritej, aq më shumë i rritej pasioni dhe interesi për këngën, pasion e talent, që Anita filloi t’i demostronte te shokët e klasës dhe profesorët e kantos. Të gjithë kuptuan se përveçse një violiniste e talentuar, ajo zotëronte edhe një zë të jashtëzakonshëm. “Një zë i ëmbël e njëkohësisht i rrallë”, e cilësuan profesorët e saj.
Prezantimi i Anitës si këngëtare erdhi si një fryt i ëndrrave të saj, të bëhej këngëtare e famëshme si idhulli i saj, Vaçe Zela, këngët e saj i këndonte me pasion. Në vitin 1986, Anita ishte maturante në shkollën e muzikës “Naim Frashëri” dhe gjatë koncertit të këngës në Pallatin e Kulturës “Labëria”, Vlorë, ku Anita merrte pjesë si violiniste, shoqëruese e orkestrinës së shkollës,dhe ishte caktuar të shoqëronte disa nga këngët e koncertit. Por një nga këngëtaret u sëmur dhe lindi domosdoshmëria të zvendesohej.Orkestrantët kolegë dhe drejtuesi i orkestrës, të cilëte kishin dëgjuar Anitën të këndonte, propozuan atë dhe efekti ishte i mahnitshëm. Prezantimi i parë u prit me duartrokitje pa fund nga publiku i sallës i elektrizuar nga zëri i mahnitshëm i saj. Ky ishte fillimi i një karriere të gjatë dhe të suksesëshme artistike, që ka vetëm një protagoniste: Të mirënjohurën, të talentuarën dhe të paharruarën, Anita BITRI. Kënga e parë para një auditori të gjerë ka qenë kënga “Ti je mësuese, je dhe shoqe” të kompozitorit Arben Zhezha në 9 qershor të vitit 1986-ë, ku Anita fiton Cmimin e parë ne festivalin e interpretuesve në Vlorë. Por kënga që e bëri vërtet të famëshme në fillimet e saj si këngëtare ishte “Hartimi dhe Dëbora”. Historia:- I bëhet ftesë në qershor të vitit 1987-ë, që të marrë pjesë tashmë në një garë kombëtare në “Festivalin e Zërave të Rinj” në Tiranë. Ajo prezantohet në festival me këngën “Hartimi dhe Dëbora”, kompozuar nga shoqja e saj e klasës, Laureta Çuku, dhe në anketën muzikore të Radio Tiranës, për këtë këngë, vlerësohet për interpretimin e saj brilant dhe fiton çmim nderi.
-C’mund të na thoni për influencat e saj muzikore në muzikën e lehtë? Po atë popullore, baladat dhe serenatat?
Në vitet që Anita doli në skenën e Këngës Shqiptare, vendi ynë ishte nën diktaturën komuniste, ku arti dhe muzika shqiptare ishte e kontrolluar nga censura komuniste. Por Anita me shumë bindje dhe idera shumë të përparuara të kohës që jetonim, u bë shpresa e aspiaratave të gjithë rinisë të clironin muzikën tonë të bukur shqiptare nga ideologjizmat e realizmit socialist, që e mbanin ende këtë art brenda kornizave të tyre censuruese. Anita me temperamentin e saj energjik, me potencën e bukur interpretuese dhe me stilin modern në skenë, bëri të mundur hapin më të moderuar për plejadën e këngëtarëve të viteve 90-ë`. Anita theu paragjykimet, solli një frymë të re në muzikën shqiptare. Cdo këngë e saj, cdo debutim mbushi boshllëkun e krijuar. Për sa theksova më lart, ja si është vlerësuar nga Artist i Popullit, i shquari Avni Mula:
“Anita Bitri ka lënë një kujtim të madh në skenën shqiptare, atë modernen artistike. . Ajo ishte një këngëtare e shkëlqyer, me një vokal shumë të mirë. Anita Bitri ishte ndër këngëtaret më të mira të brezit të viteve 90 që erdhën në skenat e festivalit shqiptar. Ndërsa muzikologu Zhani Ciko thotë se Anita ka qënë një nga plejadat e këngëtarëve të cilët vunë themelet e këngës së lehtë shqiptare. Anita kishte një bashkëpunim të shkëlqyer me muzikën, vokalin dhe me interpretimin. Ajo ishte shumë e lidhur me skenën dhe me publikun dhe ajo dinte çfarë këndonte, dinte çfarë trasmetonte dhe kjo ishte një anë positive e saj.
Mjeshtri i muzikës, ish kitaristi i talentuar i orkestrës së RTSH-ë dhe Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, aktualisht drejtuesi i Orkestrës “Alba” në Neë York, Edmond Xhani mes të tjerave shprehet: “
Kënga e Anitës ka lënë gjurmë jo vetëm në jetën e saj artistike, vecmas në muzikën shqiptare. Unë do ta vlerësoja në mënyrë të veçantë krijmtarinë e artistes Anita Bitri pasi kjo veprimtari i shërben të ardhmes dhe krijimtarisë së këtij populli.
Anita Bitri është një nga figurat më të spikatura të interpretimit të muzikës së lehtë shqiptare. Ajo i përket një brezi të shquar interpretuesish, që pasuruan me vlera të veçanta muzikën e lehtë si dhe atë të kultivuar në Shqipëri. Ajo është një përfaqësuese dinjitoze e intepretimit skenik me shumë temperament dhe cilësi të lartë, gjë që solli një freski dhe vrull rinor në këtë fushë. Anita do të kujtohet gjatë për cilësitë e rralla vokale, intonacionin e pastër si dhe për botën e saj të pasur shpirtërore. Në këngët e interpretuara prej saj ndjehet qartë pasioni për muzikën, saktësia dhe serioziteti me të cilën ajo trajtonte çdo motiv të materialit muzikor”.
Për zhanret muzikore që ju përmendni në pyetjen tuaj po jus jell përsëri disa vlerësime të Kino Gara i cili thotë se Anita ishte një artiste me vlera të mëdha dhe diapazon të gjerë. Më ka befasuar aftësia e saj për të kënduar të gjitha këngët popullore të trevave të ndryshme të Shqipërisë, pasi një gjë e tillë është shumë e rrallë. Anita edhe pse ishte këngëtare e muzikës së lehtë këndonte dhe zotëronte të gjitha këngët popullore e të gjitha trevave.në këtë linjë thotë edhe Edi Xhani i cili ka bashkëpunuar gjatë me Anitën në koncerte, në Neë York.
“Këngët popullore të interpretuara nga Anita shquhen për origjinalitetin e interpretimit si dhe për përshtatjen me karakteret e veçanta të trevave të ndryshme muzikore, duke i pasuruar ato me vlera të reja e mjaft tërheqëse. Po kështu edhe me serenatën dhe baladat. Dashuria për atdheun dhe për këngën shqiptare e ndoqi Anitën në të gjithë jetën e saj. Anita i pasuroj shumë këto këngë jo vetëm me zërin e saj të mrekullueshëm, por njëkohësisht duke futur dhe elemente të reja sa që dhe këto këngë dolen aq të mrekullueshme”.
– Si një njohëse dhe adhuruese e hershme e muzikës së kënduar nga Anita Bitri , kam vënë re se muzika e kënduar prej saj, ka një mirëkuptim mes dinamikës së muzikës, të kënduarit dhe interpretimit emocional, e cila u jep fuqinë e tingujve, melodisë së këngës . A ka pasur ndonjë trajnim apo eksperiencë në muzikë?
Krahas këngës Anita nuk la pas dore dhe studimet, ishte vullneti dhe dëshira e saj që bën të mundur vazhdimin e studimeve të shkollës së lartë në Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, ku në vitin 1989 diplomohet si mësuese kantoje.
Pra ketu Anita mori mesime per Kanton.
Ndersa ne Amerike ne shume biseda telefonike qe kam bere Aniten, me thoshte qe vente me pagese ne nje mesuese shume te njohur ne Manahattan(nuk ja di emrin) por me thoshte qe kishte arritur qe te krijonte nje ze fantastic dhe nuk kendonte me me ze nga stomaku, por me ze koke (nuk e di se keto jane shprehjet e duhura per kete) dhe mund te kendonte ne kete menyre pa u lodhur me ore te tera dhe te arrinte te gjitha zerat dhe notat muzikore.
-U nda nga jeta në moshë të re, në kulmin e karrierës si artiste. Si ishin momentet e fundit të jetës së saj? A kishit folur ju një ditë më parë me të? A ka lënë krijime muzikore të papërfunduara? Në rast se po cfarë keni bërë apo do të bëni ju me to?
Krijime muzikore të papërfunduara anita la. Këtu dëshiroj të përmend projektin e CD-së së re. Gjithashu ishte në projektin e dy vidioklipeve të CD-së me titull, “Cdo gjë është e mundur”, ku janë këngët “ Bijës sime” dhe “Na jep bekimin”.
Vecoja se pas suksesit në verën e 2004-ës me rikthimin në Shqiperi po pergatisnim një koncert recital në Shqipëri, Maqedoni dhe në Kosovë. Anita dëshironte të merrte pjesë në Festivalin e RTSH, por fatkeqësisht kur ajo ishte në kulmin e kësaj karriere brilante ajo ndahet nga jeta. Komunikimi im me Anitën ka qenë pothuaj i përditshëm. Për herën e fundit, kam folur të dielën në mëngjes, të datës 17 tetor (dy ditë para tragjedisë) para se të nisej në concert. Biseduam për gjëra normale dhe për projektet tona në lidhje me aktivitet e Anitës. Ishte në gjendje shpirtërore shumë të mirë dhe ishte shumë e lumtur.
-A ka shkruar poezi apo tekste këngësh Anita?
Anita Bitri ka pasur pasion letërsinë, sidomos poezinë dhe herë pas here-shkruante tekstin e këngëve të saj, qysh para se të largoj nga Shqipëria për në Amerikë. Por, largësia dhe malli e bënin të ndjehej e trishtë –melankolike dhe atë çka ndjente, e hidhte në vargje. Poezitë e Anitës, kur ishte në Shqipëri janë botuar në gazetat e revistat letrare. Kur erdhi në Amerikë i mori me vete. I pëlqente shumë poezia dhe vazhdoi të shkruante edhe në Neë York. Anita ishte edhe këngëtare edhe poete, cdo gjë që i linte mbresa e kujtime të bukura në jetë i hidhte në vargje. Shumë poezi ja ka kushtuar bijës së saj të vetme që u shua bashkë me të, Siborës. Kishte talent në këtë gjini. Tekstet e albimit “Malli” dhe të Albumit “ Cdo gjë është e mundur”, janë të shkruara nga talenti dora dhe mendja e Anitës. Ajo ishte edhe këngëtare-edhe poete.
-Një situatë e vështirë..?
Momente të vështira në jetën tonë familjare kemi pasur si cdo familje që ka, sepse kjo është jeta me të mirat e të vështirat e saj. Ishte dhjetor dhe Anita kishte koncert në Tiranë. Ajo iku një ditë më parë se do të merrej me pergatitjet dhe provat. Ndërsa unë dhe mamaja shkuam ditën që do të cfaqej koncerti ku debutante Anita. Gjatë udhëtimit për në Tiranë, filloi një shi shumë i madh si ditë dimri që ishte. Pashë si në mjergull që diçka lëvizi përpara makinës dhe instiktivisht frenova fort. Ndalova dhe zbrita nga makina thjeshtë për t’u bindur se çfarë ishte ajo si hije që më kaloi para makinës. Mbeta i shtangur, kur në anën e rrugës pashë trupin e vajzës së vogël, që ishte zhytur në baltën anës rrugës. Vrapova, e morra në krahë, i pastrova gojën nga balta, dhe i mata pulsin. Asnjë shenjë jete. Shumë i shqetësuar shkova drejt makinës dhe ja dhashë në dorë nënës tonë Hazbijes, e cila ka qenë ndihmës – mjeke. Mamaja filloj t’i bënte frymëmarrje artificiale dhe CPR. U drejt spitalit të Fierit, ndërkohë nëna ime vazhdonte t’i bënte CPR fëmijës së vogël. Nuk do ta harroj kurr atë moment gëzimi dhe çlirimi që ndjeu shpirti im kur pas shumë përpjekjeve që bëri mamaja ime e shtrenjtë, nga gjoksi pa jetë i fëmijës doli një ofsham qarjeje. Mamaja me atë shpirtin e saj dhe profesionin e saj të ndihmë –mjekes e solli në jetë atë fëmijë. Kur arritëm në spital, vajza e vogël akoma vazhdonte të qante dhe doktori e rrëmbeu në urgjencë e filloi ta viitonte. Mbas disa formaliteteve ligjore që u kryen në rajonin e policisë dhe kërkesës së dy gjyshërve fisnikë të vajzës së vogël, mirënjohës që unë e nëna ime e shpëtuam fëmijën, të cilët iu kërkuan autoriteteve të më linin të lirë. Pas pak isha i lirë dhe së bashku me mamanë vazhduam rrugën drejt Tiranës. U takuam me Anitën para koncertit, por për mos ta shqetësuar nuk i treguam se çfarë ndodhi. Debutimi i Anitës në këtë koncert ishte i përsosur. Unë e mamja ishim akoma të tronditur nga aksidenti. Por, akoma më kujtohen duartrokitjet e publikut pasi ajo mbaroi këngën dhe mua më duhej njëkohësisht të ndaloja duart e mamasë time që s’pushonin së duartrokituri edhe pse kënga kishte mbaruar. Pas koncertit shkuam të festonin triumfin e Anitës me miq e kolegë. Darka filloi. Anita që më njihte shumë mirë, vuri re gjendjen time të tronditur emocionale. Pas disa këmbënguljeve të mia që i thoja se jam mirë, Anita vazhdoi të insistonte derisa sa nëna i tregoi të vërteten, se cfarë kishte ndodhur. Kur nuk do të më shqitet nga mendja se si Anita brofi në këmbë u kërkoj ndjesë miqëve e kolegëve, dje të tre sëbashku unë, nëna dhe Anita jemi nisur për në spitalin e Fierit, ishte ora 1:30 e mengjesit! Sapo Anita hyn në dhomën e fëmijës të shtruar. Nëna e fëmijës sa e pa, u cua vrik në këmbë. Nuk iu besoi syve që pranë shtratit të bijës së saj ishte këngëtarja e saj e adhuruar Anita Bitri. Biles mes gjithë atij sikleti për fëmijën e saj e komplimemtoi për përformancën që Anita debutoi në koncert. Çfarë fisnikërie kemi ne shqiptarët. Anita iu afrua vajzës së vogël teksa flinte si një engjëll dhe e puthi. Ndenjëm gjatë në atë dhomë spitali ku dashuria, respekti dhe mirësia mbushte atmosferën. Kjo ishte Anita Bitri, artiste por edhe njerëzore, këngëtare por edhe e dashur, e famëshme por edhe thjeshtë, e binomit -Artist& Njeri E kujtoj shpesh këtë moment-nëna ime mundi t’i jepte jetë një fëmijë, ndërsa kur ajo vetë, mbesa dhe bija e saj ishin pa ndjenja, fat i tyre i trishtë e tragjik të ishin vetë dhe pa asnjë lloj ndihme, CPR apo frymëmarrje artificiale. Ato ikën, dhe nga dita në ditë ndjej dhimbjen, boshllëkun dashurinë dhe mungesën e tyre.
-Një situatë mbresëlënëse?
-Kam një kujtim tejet të bukur dhe tejet mbresëlënës, kur Anita ishte në Itali për vizitë tek unë. Si cdo emigrant që përpiqej të punonte për mirëqenjen e tij, edhe unë punoja në një diskotekë të madhe verore në L`Aquila të Italisë. Një fundjave, e mora Anitën me vete në këtë disko, me një public rreth, 4000-5000. Atë ditë ishin ftuar edhe një grup muzikantësh për të argëtuar publikun, një nga grupet më të njohura të atij qyteti. Nga mezi i mbremjes Anita më vjen dhe më thote:- Ben, të lutet motra, thuaj atyre të orkestrës që të këndoj një këngë. Në fillim u druajta nga kjo kërkesë, për vetë faktin që ishim në Itali dhe orkestra si njihte, këngët e Anitës, por edhe publiku nuk e njihte dhe i druhesha mirëpritjes së tyre. Por, megjithatë për mos t’ja prishur qejfin e pyes;- C`farë këngë dëshiron të këndosh”. Anita më përgjigjet:- Unë mund të këndoj “Lambada”. Dhe ma do mendja se ata e njohin atë këngë që është edhe shumë e thjeshtë për t’u mësuar nga orkestra. Pranova duke pasur besim tek zëri dhe talenti i Anitës vajta te orkestra dhe bisedova me ta. Ata si artistë të vërtetë pranuan pa problem. Në mes të koncertit ata anuncuan që një këngëtare e shquar shqiptare do të këndoj një këngë. Publiku u bë kureshtar, unë isha pak në ankth, pasi njihja në palcë racizmin e tyre rreth shqiptarëve. Por, Raimonda, ju nuk mund ta imagjinoni habinë e tyre, kur Anita pasi u spjegoi orkestrës notat dhe vijën muzikore të këngës “Lambada” filloi të këndojë. Të gjithë u cuan të vallëzonin dhe të këndonin me të dhe kërkuan dhe një këngë tjetër,. Anita nuk iau u prishi, kësaj here ajo këndoi këmgën italiane dicka që thoshte:- Ridi, Ridi e mi guardi e Ridi. Kënga u brohorit me aq enthusiazëm sa që pronarët e diskos më thërritën në radiolinjën që mbanim dhe me pyetën se cfarë po ndodh. Mbas mbarimit të këngës, zbritjes nga skena nuk mundeni ta imagjinoni sa e lumtur ishte Anita, sytë i xixëllonin dheshumë e kënaqur me sytë që vetëm i qeshnin. I mungonte skena dhe spektatori. Ja dhe një kujtimi tjetër. Ka qene dhjetor i vitit 1995-ë. Jetoja në Itali në atë kohë. Mëngjez rreth orës 10-ë, Anita më merr në telefon, dhe më thotë se do të ishte shumë e lumtur të vija në Shqipëri për të ndjekur festivalin, se do të këndonte një këngë shumë të bukur. Me kënaqësi e pranova ftesën. Duke ditur merakun e Anitës për veshjen, e pyes se si do të paraqitej. Filloi të qeshte duke më përshkruar veshjen që dëshironte të paraqitej në atë festival. E dëshironte ngjyrë të zezë, pak të shkurtër përpara dhe të vazhdonte si me bisht, sic më tha vetë: “ Si ato të principeshave!. Ndoshta rastësi apo cudi të njëtin tip fustani, që po ma përshkruante në telefon e pashë të ekspozuar në vitrinën e një dyqani gjatë rrugës që po kaloja. Ndalova, si parkova makinën, dhe vazhdoja të flisja në telefon me Anitën, futem në dyqan dhe pyes shitësen se cfarë mase ishte fustani. E pabesueshme! Masa e Anitës dhe cudia vazhdoi që fustani shoqërohej me një palë këpucë të kuqe, po i njëjti numër i këmbës së Anitës. Dhe sot e kësaj dite qesh me vete kur kujtoj atë habi të Anitës kur veshi fustanin, i cili sikur të ishte apostafat i prerë për Anitën. Dhe me këtë fustan aq të bukur u paraqit në Festivalin e RTSH-ë me këngën “Besoj në Dashuri”.
-Kush është Arben Bitri, për lexuesit e kësaj interviste?
Unë kam qenë ushtarak, kam mbaruar shkollën e mesme “Skënderbej” dhe atë të lartë për radiollokacion në Shkollën e Bashkuar të oficerave në Tiranë. Pesë vjet kam shërbyer si oficer. Në vitin 1991-ë emigrova në Itali. Kam qenë boksier me një ekip Italian për gati 3 vjet dhe 8-ë muaj. Në Amerikë erdha kur ndodhi tragjedia –humbja e motrës Anita me vajzën e saj dhe nënën tonë Hazbijen. Zoti më dha cilësi shumë të mira si sportist, portalentin për art muzikë e letërsi, zoti ia dhuroi me madhështi, Anitës sonë të shtrenjtë. Këtu kam një kujtim të bukur, por edhe për të qeshur. Më kujtohet aty nga vitet 1994- 1995-ë, Anita vjen në shtëpi dhe më thotë: – Beni, vëllai i dashur, kam një këngë të bukur duhet dhe dëshiroj të të mesoj të këndosh dhe në këtë mënyrë bëhemi edhe ne si familja e Frederik Ndoci. I them:- Motra, me kënaqësi, por zëri im është shumë i mirë për të komanduar ushtarët (isha oficer, në atë kohë), për të kënduar s’ma do mendja. Pas gati dy orë prova, (dhe ankesave nga ana e komshinjëve, pak shaka), Nita u dorëzua dhe më tha:- Po, ke të drejtë, vëllacko, harroje këtë projekt.
-Cfarë dëshironi të shtoni në fund të kësaj interviste?
Jemi në fund të projektit të faqes së re për Anitën, ëëë.anitabitri.com, e cila është pothuajse gati për tu hedhur në ëeb. Do të jetë një faqe e pasur me material, foto dhe video bashkëkohore.Jemi në punë e sipër me regjizorin e njohur të filmit-dokumentar zotin Kujtim Gjonaj, për një film-dokumentar rreth jetës dhe veprës artistike të Anitës. Është një projekt shumë interesant, dhe shumë i rëndësishëm, jo vetëm In Memoriam of Anita, -por edhe vlerë e cmuar kombëtare e historike për artin, muzikën dhe kulturën shqiptare. Gjithashtu në sirtarin e tavolinës sime është draft-projekti për një libër monografik rreth jetës dhe veprës së Anitës.
Ju Faleminderit!
Bisedoi:Raimonda MOISIU
New York, USA