SHKRUAN: Emin AZEMI/
Nëse miti mbi Anteun konfiguronte një arketip të lidhur me tokën dhe vendin e të parëve, miti i kërçovarëve për t’urikthyer në vendlindje me kontributdhënie në favor të një dominimi të caktuar politik e etnik, duhet marrë si diçka normale për faktin se pikërisht kjo popullsi e dyndur anekënd botës kishte nevojë të rishfaqte në skenë fuqinë e munguar të saj me dekada të tëra.
REGJIA E PADUKSHME E MIZANSKENËS ATDHETARE: Kërçova është një krahinë specifike shqiptare në të cilën ndërthuret historia me aktualitetin, gjeografia me politikën. Sa më shumë që kthehemi prapa në histori, aq më të qartë e kemi luftën e sotme për ta dominuar atë politikisht. Për dallim nga e kaluara kur Kërçova pati trysni nga të gjitha perandoritë, aktualisht ajo përjetoi një trysni specifike nga faktorët politikë që në pushtetin qendror ndajnë përgjegjësi të caktuara vendimmarrëse. Katër, pesë vitet e fundit makineria e Gruevskit kishte punuar intensivisht që ta ndryshojë strukturën demografike të rajonit të Kërçovës, duke favorizuar dhe sforcuar elementin sllav, të importuar madje edhe nga disa krahina të varfra të Shqipërisë. Në Kërçovë kishte edhe një kontingjent ushtarakësh, të cilët u bënë rezidentë, jo se kishin ndonjë lidhshmëri familjare e farefisnore me këtë mjedis, por pse ishin të komanduar politikisht që t’i bëjnë një shërbim të vockël demografisë etnike maqedonase.
Por, në fakt, çka ndodhi ditën e zgjedhjeve në Kërçovë dhe kush ishin komanduesit realë e faktikë të zgjedhësve shqiptarë, të cilët treguan një mobilizim të paparë? Të gjithë e thonë se mërgimtarët shqiptarë nga Amerika dhe Europa ishin ata që e shpëtuan Kërçovën. Sensi i tyre i atdhedashurisë u tregua më i fuqishëm se makineria institucionale e Gruevskit, kurse komanda e kësaj atdhedashurie nuk ishte thjesht politike, por ishte diçka më sublime. Nëse miti mbi Anteun konfiguronte një arketip të lidhur me tokën dhe vendin e të parëve, miti i kërçovarëve për t’u rikthyer në vendlindje me kontributdhënie në favor të një dominimi të caktuar politik e etnik, duhet marrë si diçka normale për faktin se pikërisht kjo popullsi e dyndur anekënd botës kishte nevojë të rishfaqte në skenë fuqinë e munguar të saj me dekada të tëra. Prandaj, më shumë se politikë, në skenën e konfrontimeve ndëretnike e ndërpartiake në Kërçovë, u luajt mizanskena e një kontinuiteti të ndërprerë dhunshëm nga pushtetet e kaluara. Regjia e padukshme që ridimensionoi vitalitetin e kësaj popullate, nxori në pah nevojën metaskenike të gjallimit aty ku edhe e ka burimin krenaria kombëtare e kësaj krahine.
“ÇADRAT” E PUSHIMIT PËR ZGJEDHJET E ARDHSHME PARLAMENTARE: Zgjedhjet e porsambajtura lokale në Maqedoni konfirmuan edhe njëherë diversitetin jo vetëm etnik, por edhe brendaetnik, sa i përket disa sensibiliteteve ditore. VMRO u ballafaqua me LSDM për ta marrë Ohrin, Shkupin, Kumanovën, Velesin etj., ndërkohë që BDI me PDSH garuan për të udhëhequr me Tetovën, Strugën, Çairin etj. Në këtë garë komplekse u identifikuan disa prirje e dukuri që mbeten për t’u analizuar në periudhën e ardhshme. Ajo që mund të thuhet tani, është lehtësia e habitshme e partive politike maqedonase për të hequr dorë nga sensi i shtetësisë në favor të dominimeve të tyre nëpër kasaba e lagje, për dallim nga partitë politike shqiptare, tek të cilët funksionoi konkurrenca në mes të diskursit dhe argumenteve. Përderisa PDSH opozitare u mundua të imponojë një diskurs publik denigrues për BDI, kjo e fundit me argumente bindi se drejtuesit e deridjeshëm të komunave nga radhët e oponentëve nuk kishin përmbushur pritjet e qytetarëve. Epërsia e BDI (në rrethin e parë) në Tetovë, rikonfirmimi i sërishëm i drejtimit të Çairit, fitorja impozante në Kërçovë, avantazhi në Gostivar, janë treguesit relevant për një stabilitet të vazhdueshëm që kjo parti po instalon në mendësinë dhe gjeografinë elektorale të shqiptarëve të Maqedonisë. Se sa kjo mendësi ka brenda kualitet dhe qëndrueshmëri, kjo ngel për t’u analizuar, por ajo që hëpërhë nuk mund të kontestohet është fakti që BDI me Ali Ahmetin pushtetmbajtjen e tyre edhe në nivelin lokal do ta udhëheqin edhe për disa vite pa ndonjë alternativë serioze që do ta cenonte këtë vijimësi.
Por, dimensioni aktual i këtyre zgjedhjeve nuk do të zinte vend meritor në vëmendjen e shumë analistëve dhe vëzhguesve, sikur ato të mos reflektonin ndikim edhe në një dimension më të gjerë në perspektivën e ardhshme kohore. Ngulitja e “çadrave” të pushimit të përkohshëm në komunat ku dominoi dukshëm vota e partive VMRO e BDI, duhet lexuar si projeksion matematikor për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, tek të cilat do të shkohet me elanin dhe bilancin e tanishëm zgjedhor. Argumenti kryesor i partive fituese në zgjedhjet e tanishme është se ata që dinë të menaxhojnë mirë një bashki të madhe siç është Shkupi, bie fjala, mund të menaxhojnë edhe një shtet të tërë. Në anën tjetër, një parti politike shqiptare që arrin të sfidojë konkurrentin e saj në Kërçovë, ka arsye të besojë që e ardhmja e saj në arkitekturën e ardhshme pushtetmbajtëse nuk do të jetë vetëm mbajtja e disa shtyllave anësore, por edhe drejtimi dhe administrimi me disa resurse të rëndësishme të shtetit. Fakti tjetër që e bën këtë argument edhe më të fortë është ndjesia e zgjedhësve për të deleguar më tepër besim tek ata kandidatë të cilët flijuan kolltukët e tyre të ministrit dhe deputetit në këmbim të një drejtuesi lokal.
A DO TË NDODHË TORBESHIZIMI POLITIK I PDSH NË STRUGË?
Epërsia e PDSH opozitare në Strugë, i atribuohet më tepër karizmës dhe angazhimit individual të kandidatit Sela, se sa vetë partisë së cilës ai i takon. Ka zëra që thonë madje se ai sikur të kishte dalë pa siglën e kësaj partie do të triumfonte që në raundin e parë. Se sa e komplikuar do të jetë fitorja e kësaj partie në rrethin e dytë, dëshmon edhe matematika në terren ku votat e torbeshëve të udhëhequr nga Fiat Canovski janë çelësi vendimtar i fituesit përfundimtar. Fitorja e Selës mund të jetë e vështirë pikërisht nga fakti se përfaqësues të ndryshëm të kësaj partie pa kurrfarë sensi etik e qytetar nuk kursyen sharje e ofendime në llogari të Canovskit, votat e të cilit ata tani i kërkojnë për të vendosur primatin e drejtimit të Strugës. Por, edhe nëse ndodh ky primat atëherë duhet nënvizuar se PDSH nuk mundi të fitojë në Strugë pa torbeshizimin e fuqisë së saj politike.