… dhe kështu do të bëhet…
Se fjala e tij është e drejtë, urtësia, mençuria, ligj dhe gjuha. Dhe dëshira e shpirti i shqiptarit përputhet me princin e vet…/
Ese nga Pirro Loli/
Lekë Dukagjini(1410-1481) ky princ bardhezi, krahu i djathtë i Skënderbeut, gjenerali i mençur që përbënte 1/3 e ushtrisë së Gjergjit tonë, që ka qenë përcaktues i fitoreve të mëdha e, më tepër se luftëtar, kapërcen breza e shekuj për t’u identifikuar si autor i Kanunit më jetëgjatë të kulturës shqiptare e evropiane.
Fatkeqësisht, ne shqiptarët e kemi parë princin dhe veprën e tij me bebëzat e syrit mjegullor. Nuk është hera e parë, që dhjetëra personalitete të historisë dhe kulturës, i kemi mohuar e përgojuar padrejtësisht, por Lekë Dukagjini dhe Kanuni i tij përbëjnë një shembull të paprecedent: Leka dhe Kanuni janë luftuar ashpër nga armiqtë tanë, sidomos osmanlinjtë, Venediku e sllavët, por edhe nga historianë, analistë të vjetër e të rinj vendës e, mendësia e ideologjizuar komuniste e profesorëve tanë, na i ka servirur edhe autorin, edhe veprën, si “barbarë e reaksionarë”. (!)
Ndërkohë ai ngrihet, gjallon dhe vepron edhe i pagojë e u tregon brezave, se si fjala bëhet histori, si bëhet ligj, psikologji dhe si metalet e çmuara nuk e humbasin vlerën edhe plehrash e baltërash hedhur.
Marin Barleti e Fan Noli, dy mendjet e ndritura të kulturës sonë, në distancë katërshekullore midis tyre, duke fokusuar vetëm figurën e madhe të Gjergj Kastriotit, nuk e panë realisht yllësinë shqiptare. Ata, superlativë ndaj Skënderbeut, e pikturuan qiellin e Mesjetës shqiptare vetëm me një yll. Pa heronj si Leka, pa dekorin princëror të dukagjinëve, komnenëve, muzakajve, balshajve, golemëve etj., pa mijëra trima e dëshmorë që s’kishin emër, por zemrën e gjeneralëve të tyre, Gjergji ynë s’do të ishte ai Gjergji i historisë. Lekë Dukagjini, ashtu bardhezi, princëron nëpër breza e gjallon plot vlera edhe tash, pas 600 vitesh
Akademikë e profesorë në zë e kanë quajtur “vepër monumentale” (A. Buda. Sh. Gjeçovi, Kryeziu), C. Von Schëerin: “Kontribut në thesarin e kulturës botërore”, E. Durham: “Personalitet imponues”, J. Hahn: “Hero Kombëtar i popullit të vet” etj. Herë-herë ai është ngritur humbëtirave e është bërë jo vetëm objekt historik e juridik në referenca majash, por edhe objekt gjuhësor, folklorik dhe artistik. Për të janë shkruar poezi e poema, drama, janë bërë piktura; është përkthyer në turqisht, gjermanisht, serbo-kroatisht e italisht, është lëvduar e akuzuar e, ai, ashtu princëror, krahasuar njëlloj me princat e tjerë bashkëkohës të Evropës, zhytet humbellave të Mesjetës shqiptare e për pak ngrihet sërish si Sizifi, me shkëmbin e drejtësisë mbi shpinë, me atë fjalën e tij që lyp vëmendje e përbën një vlerë unikale në të drejtën zakonore shqiptare, gjuhësore, folklorike dhe estetike.
E DREJTA ZAKONORE
Ashtu si shteti, e drejta zakonore është pjesë përbërëse e historisë. Për ne shqiptarët, e drejta zakonore( + gjuha) është dhe pjesë e qëndresës së popullit kundër legjislacioneve të pushtuesve të egër historikë. Jo më kot, të gjithë armiqtë na kanë goditur pikërisht këtu, në këtë kështjellë shpirtërore aq vitale e aq të qëndrueshme në shekuj. E drejta zakonore shqiptare, edhe për mungesë apo dobësi të shtetit, është zhvilluar si sistem normash juridike, që kanë rregulluar plotësisht marrëdhëniet shoqërore, civile, familjare, pronësore etj., duke e ngritur moralin me ligj e duke e detyruar qytetarin të njohë përgjegjësitë e tij. Origjinaliteti i kësaj të drejte qëndron në pasqyrimin me vërtetësi të psikologjisë shqiptare. Ajo do të ishte një bashkësi shkretinë pa elementët e besës, fjalës, nderit, burrërisë, mikpritjes etj. që është sintetizuar në Kanunin e Lekës, Kanunin e Skënderbeut (ose i Arbërisë), në Kanunin e Labërisë (ose i Papa Zhulit), në Kanunin e Muzakajve, në atë të Maleve etj. Ka vepruar pa përjashtim në të gjitha trevat shqiptare (mbartur shpesh edhe në diasporë), si dëshmia më e pakundërshtueshme e unitetit gjuhësor, zakonor, detyrues dhe kulturor kombëtar. Dallimet lokale të kanuneve, ashtu si dallimet dialektikore në gjuhë, kurrë s’kanë qenë të tilla, që të shndërrohen në sisteme më vete të së drejtës zakonore. Ato, së toku, përbëjnë kulturën dhe shpirtin e shqiptarit dhe kanë qenë kështjella të mbrojtjes së vetëqenies si person dhe si komb.
E drejta zakonore tek ne, fatkeqësisht, është studiuar me lentet e filozofisë M-L, prandaj dhe e padrejtë, prandaj jo shkencërisht. Edhe profesorë të nderuar si I. Elezi, Dh. Shuteriqi, kanë rënë në këtë kurth dhe i kanë parë vlerat si antivlera e, dashur pa dashur, e kanë akuzuar të drejtën zakonore, ashtu si gopçeviçët, oranoviçët etj. Duke anashkaluar studimet serioze e dashamirëse të të huajve të tjerë, si J. G. Hahn-it, F. Nopçe-s, M. Shuflaj-it, Edit Durhamit, Th. Ipenit, J. Godarit etj., duke kritikuar Fishtën, Koliqin (që paskan himnizuar Kanunin!); shkencëtarët tanë të jurisprudencës, kanë dhënë dëshmi të rëndomta antishkencore. Më i diskutuar e i përfolur keqas është fenomeni i gjakmarrjes. E drejta zakonore shqiptare gjithëpërfshirëse e trajton gjakmarrjen si institut vetëmbrojtës. Gjakmarrja nuk është dukuri vetëm shqiptare; ajo ka qenë gjithëvepruese edhe në qytetërime të tjera (që kanë bërë histori), si në Persi, në Greqinë antike, Romën e lashtë, fiset gjermane etj. Sot është vepruese në shumë vende dhe kushtetuta, madje, dhe, kur e drejta e ndëshkimit kapital ngjitet në Kushtetuta demokratike, ajo bëhet shenjë qytetërimi. Tek ne, e koordinuar me institutin juridik të besës, zakonit, ndores etj.; ajo në shekuj është jo vetëm kategori etiko-morale, por edhe juridike. Dhënia e besës është detyrë dhe burrni, është marrëveshje dypalëshe armëpushimi, për të zbatuar e mundur urrejtjen dhe vetëgjyqësinë. Gjakmarrja në kanunet tona është penalitet dhe moral për të mbrojtur jetën e për të ndëshkuar vrasësin. Dënimi me vdekje në SHBA, Kinë, krejt Lindje e Mesme, etj, etj., sot është e drejtë juridike.
* * *
Në serinë e botimeve serioze, që nga Barleti e Noli, Biemmi nga Tivari e Dhimitër Frëngu nga Drishti, Gjon Muzaka, Buda, Zamputi etj., plus më të rejat nga Tonin Çobani, David Luka etj. që, krahas botimit bazal të Shtjefën Gjeçovit, përbëjnë vlera dokumentare e analiza të mirëfillta shkencore. Vite të shkuara, kam mbajtur shënime për princin e largët dhe Kanunin, por ato më thaheshin që në sythe, sepse të gjitha stinët e kulturës sonë sllavokomuniste ishin prej bore…
DUKAGJINËT
Siç shpjegon Gjon Muzaka, dukagjinët rrjedhin nga fiset e vjetër të qytetërimit mesjetar, trojanët ilirë. Ata kanë lëvizur nëpër Evropë e kanë ardhur në vendlindje të të parëve të tyre nga Franca (1202-1204). Njëri prej tyre u vendos në Itali (Venecie) e tjetri në Zadrimë, që erdh e u shumuan me toka e gjë, si sundimtarë të mëdhenj. Krahina ku shtriheshin dukagjinët popullohej nga fisi ilir i pirustëve të përmendur për mjeshtërinë e përpunimit të metaleve. Flitet për miniera argjendi në Fand, Dukagjin, Mirditë (Hopf, Suflaj) e në disa dokumente historike përmenden si përfaqësues të Arbrit, që në shekullin e 7-të, me shtrirje deri në Bosnjë.
Thuhet se mbiemrin e morën nga fshati Dukagjin, midis Mirditës e Pukës (sipas Sirdanit). Një etimologji e dytë e shpjegon mbiemrin nga fjala duk-a (dukje) +(e) gjanë, pra vend me sheshpamje të gjerë. Padyshim, pinjolli më në zë i asaj dere të madhe ishte Lekë Dukagjini, i lindur në Ulpianë më 1410.
Edhe sot njihen kështjellat e tij pranë Drinit, në Iballë, Pejë, Kukës, Gjakovë, si dhe toponimet Sofra e Lekës, Guri i Lekës, Lisi i Lekës, Livadhet e Lekës, apo Dajlani i Lekës (mbi Vaun e Dejës), e mbi të gjitha “Kanuni i Lekës” që u ka qëndruar shekujve si shkëmb historik.
Leka ka pasur grua Teodhorën, motrën e Gjon Muzakës e dera e tyre i lidhte krushqitë me dyer princash. Motra e tij, bukuroshja Roza, kundërshtoi dorën e princërve Krajloviç Marku, Millosh Obiliqi e Rela, për motive patriotike të lidhura me prapaskena turko-sllave. (E legjenda thotë, se në pabesi Krajloviçi i nxori sytë dhe i preu krahun Rozës, duke shtuar mërinë shekullore që na ndan me ta). Thuhet se kështjellat e tij ishin nga më luksozet në Evropë, kurse kupa e verës e Princit Lekë ishte prej floriri e nxinte 9 litra verë. Principata e Dukagjinëve ishte nga më të mëdhatë në Shqipëri. Ajo përfshinte Zadrimën e Sipërme gjer në kufi me Serbinë. Ulpiana dhe Lezha qenë kryeqendra. Zadrima, Puka, Selita, Fani, një pjesë e Mirditës, Gashi, Krasniqi, krahinat e Pejës e të Gjakovës etj., ishin domene të Lekë Dukagjinit. Në fqinjësi me sllavët, atje ku mbaronte besa, Leka do të kishte probleme nga një aleancë e fëlliqur ortodokse-islame (Sulltan Murati i Dytë ishte martuar me bijën e Gjergj Brankoviçit, që sundoi Serbinë në vitet 1427-1456). Me ta ishin të qarta kufijtë e urrejtjes. Dhe shumë herë të tjera Evropa do të përkëdhelte Turqinë, në dëm të shqiptarëve që u bënë mburojë për vetë Evropën.
Lekë Dukagjini është përfolur edhe në marrëdhëniet me Skënderbeun, me Lekë Zaharinë e me Senjorën Venetik. Argumentet historike kryesisht të huaja, e vendosin të drejtën nga ana e Lekës. Një gjë është e saktë: Evropa, me gjithë dredhkat që i bënte Skënderbeut, e njohu atë si hero të shqiptarëve dhe të kristianizmit, por ajo kurrë, kurrë nuk e njohu ashtu siç e meritonte popullin shqiptar dhe princërit e tjerë në krah të Skënderbeut, ajo nuk ka njohur dhe vlerësuar zakonet e ndritura të shqiptarëve, kulturën tonë, paçka se fillesat e qytetërimit të saj nisin nga ilirët dhe trojet e tyre. Sidoqoftë, Lekë Dukagjini dhe Kanuni i tij, është ngritur në mit nga populli shqiptar. Dhe kur miti identifikohet me jetën e njerëzve që e krijojnë, ai fiton kuptimin universal dhe përhumb zanafillën historike… Pas vdekjes së Lekës, që luftoi si Skënderbeu edhe 15 vjet pas tij, e gjithë Shqipëria u bë gërmadhë. Qytete të mrekullueshme, që krahasoheshin me qytetet italiane, u rrafshuan e raca italiane mori goditje totale. Edhe për Evropën, që “më shumë kishte marrë, se u kishte dhënë shqiptarëve”, atdheu i trimave u bë një realitet i harruar e për qindra vjet, mollë për t’u kafshuar nga fqinjët.
KANUNI
Emri i Lekë Dukagjinit është identifikuar me veprën e tij, Kanunin, aq sa asnjëri s’qëndron dot pa tjetrin. Kjo përbën cilësinë e autorëve dhe veprave të mëdha, në të gjitha fushat e dijes njerëzore. Pak autorë e kanë këtë fat.
Kanuni zë fill pas vdekjes së autorit, në një nga kohët më të terrta e të shkatërrimeve të historisë mijëvjeçare të racës sonë, në natën osmane. Ndërsa Shqipëria u shkul nga themelet e kështjellat e qytetet ranë, nuk ra kështjella shpirtërore e shqiptarit. Shqiptarët u strehuan maleve e gërxheve e luginave të thella, në jug dhe në veri të vendit, ku nuk dëgjoheshin tamtamet aziatike. Brenda në gjoks morën gjuhën dhe kanunin. Larg garnizoneve barbare e në thikë për thikë me ta (shqiptarët morën dhenë gjetkë, drejt detit) e, ata që mbetën, e ruajtën lirinë e tyre, gjuhën, zakonet, kulturën, me një rezistencë të pashembullt, kur të tjerët, dhe vende e shtete të mëdha, u asimiluan e u tretën si kripa. Shqiptari i besoi shpirtit të tij, i mbërthyer në një ekzistencë primitive (me një thi e me një gjel), ai jetonte lirshëm në balada, zakone, këngë… Oksigjen kishin gjuhën e madhe shqipe. Shtet dhe moral dhe detyrim dhe liri kishin Kanunin. Që funksiononte pa asnjë administratë, polic, burg e gjykatë. E kish bekuar Skënderbeu këtë Kanun në një Kuvend pleqsh të të gjithë veriut, e ashtu mbeti, i pandryshuar për qindra vjet. “Paskan mbetë si e tha Leka”.,
Specifika e Kanunit: nuk bazohej në fjalën e shkruar, por në të thënën. Ashtu, gojë më gojë, ai përhapej e bëhej dije. Ashtu, si Homeriada, që u shkrua pas Homerit, ai mbështetej tek fjala e urtë (artistike) figurative, me atë koncizitet e saktësi si në poezinë e madhe. Këtë “monument unikal” e mblodhi dhe e shkroi shkencëtari Shtjefën Gjeçovi. Në 2000 faqe dorëshkrim, ai punoi 30 vjet, derisa Kanuni u botua i plotë më 1933 në Shkodër. E strukturoi në 12 libra, 24 kapituj dhe 159 nënkapituj. Nuk besoj të ketë libër ligjor apo Kushtetutë në botë, që 1263 sentenca jepen me fjalë të urta; një vulë e veçantë kjo, për drejtësinë, nivelin dhe floririn e urtësisë popullore.
…
Ne, te keqedukuar nga dogmat bolshevike, nuk kemi parë në këtë Kanun mishërimin e mendimit progresiv të Rilindjes evropiane, ku lartësohen të drejtat natyrore të njeriut të lirë, në një bashkësi të lirë, njëkohësisht, gjithmonë e gjithmonë, të pushtuar nga të huajt… Kanuni u botua menjëherë në gjermanisht dhe Universiteti i Lajpcigut i dha Shtjefën Gjeçovit titullin “Doktor Nderi”. Të mos harrojmë se Gjecovi ishte shkencëtar i madh. Ai ishte pjesë e një katërshe të shquar franceshkanësh me botime të shquara si Lahuta e malcisë e Gj. Fishtës, Visaret e kombit e B. Palajt, Përralla Kombëtare e Donard Kurtit dhe Kanuni që mori emrin e nderuar të tij;të katra këto vepra monumentale këto në kulturën tonë kombëtare. Mbi to heshtja dhe goditjet kanë qenë kriminale. Indinjohem që Gjecovi ynë, juristi, gjuhëtari, arkeologu, folkloristi … nuk ka asnjë çmim nga dheu amë, as nga universitetet, as nga akademitë; të gjithë e kanë vrarë shpirtërisht në mënyrë akademike e , ndofta prandaj e vranë dhe fizikisht armiqtë më të egër të popullit tonë, më 14 tetor 1929. (!)…
Goditjen më të madhe autori dhe vepra e morën në mesin e viteve ’60-të, kur prijësit e çartur me “profesorët” e tyre enveristë e quajtën “barbar dhe reaksionar”, duke ndërmarrë kështu fushatën më absurde kundër çdo gjëje tradicionale: fesë e institucioneve të saj, traditave, zakoneve, kanuneve… Mendësia politike e një politike të pistë postkomuniste, e ka goditur dhe shkatërruar Kanunin edhe pas viteve ’90-të, duke justifikuar kështu keqqeverisjet “bashkëkohore”. Në fakt, as gjakmarrjet e shumta të tipit mafioz e rrugaçëror, as ngujimet e sotme në disa zona të veriut, nuk kanë të bëjnë aspak me Kanunin e, aq më tepër s’kanë të bëjmë me besën e dinjitetin e shqiptarit. Thjesht, ato s’janë vrasje “me Kanun”, por me “pseudoqeveri”, dëshmia më e turpshme e reminishencave të regjimit turko-sllavo-komunist.
Kështu, kanunet tona, plagët i kanë më të rënda nga bashkëkohësia shqiptare e këtij shekulli, shprehje e një vetëvrasjeje shpirtërore me pasoja afatgjata.
Origjinaliteti i Kanunit të Lekë Dukagjinit del duke e krahasuar me legjislacionet popullore të vendeve të tjera të Evropës mesjetare. Ai i ngjan Common-loë-t, anglez, por ai anonimat, fatlum, sepse vetë parlamenti i hershëm vepronte si gjykatë në bazë të Common-loë-t. Pikërisht fatlum, sepse kanuni i pashkruar anglez (700 vjeçar) ka përcaktuar parimet themelore të jurisprudencës anglo-amerikane, sot më përparimtarja në botë. (Kujtojmë se ky legjislacion, edhe sot, njeh dënimin me vdekje të vrasësve). Ndërsa Kanuni ynë…(?? ) gjatë 70 viteve të fundit kemi ndërruar 6-7 Kushtetuta dhe kjo në fuqi (e teta pas 90`)i ka themelet në rërë ose në sloganet burokratike të komisionerëve evropianë…
Kanuni ynë është pjesë e ndërgjegjes së vrarë kombëtare, kulturë e mohuar e korpus balador, por rezistent e i paprekshëm si baladat e mitet. Kurrsesi s’mund të quhet i pakulturuar e primitiv, një popull që i beson këngës e baladës e fjalës, që me majën e gjilpërës ka qëndisur veshjen e tij me larmi e art të pashoq, që çdo krahinë e qytet ka një origjinalitet veshjesh e këngësh, që dramat e tij i ka të pashkruara, që qytetet moderne i ka të mbuluara me dhé, që Evropa e fqinjët e tij veç e kanë lakmuar e kanë marrë prej tij, që ka mitologjinë më poetike në Evropë etj. etj.
Le ta shohim Kanunin paksa sa na lejojnë këto shënime, brenda në shtyllat e tij, atje ku dhe plagët i ka më të mëdha:
“FJALA MORT NUK BAN”
Sikur mban një urtësi biblike kjo sentencë (“e para ishte fjala”), diçka nga lindja dhe krijimi. Fjala e shqiptarit (në gjuhën më të vjetër të Evropës, e njohur që atëherë kur evropianët dilnin nga shpellat e vareshin nëpër pemë), është frymë dhe veprim, liri dhe e drejtë, përgjegjësi dhe urdhër. Fjala e zgjedhur, elitare, e pandryshueshme dhe stoike si guri i kështjellës… E tillë sepse “nuk ban mort”. Fjala shqipe në Kanun, si semantikë dhe ndërtim, shpreh një urtësi popullore të provuar dhe aq elegante e koncize, aq figurative dhe e drejtpërdrejtë, identifikohet me të drejtën dhe të vërtetën; dhe postulat juridik, dhe e bukur e tingëlluese, ajo të kujton poetët e mëdhenj. Jo vetëm Kanuni, por e gjithë kultura shqiptare, është një Homeriadë, mbledhur e ruajtur, fillimisht si e thënë. Ashtu si Iliada dhe Odiseja, ashtu si këngët e kreshnikëve, si baladat, këngët, përrallat. E thëna është më e vjetër se e shkruara. Ajo është baza dhe oksigjeni i çdo dije e arti të madh, ata që filluan të ulin fjalën në letër, veç vlerës dhe qytetërimit që sillte shkrimi, tinëzisht mohuan prejardhjen shqipe… Dhe senjoret e vjetra e të reja (greqishtja, latinishtja, frëngjishtja, italishtja etj.) origjinat i kanë te fjala iliropellazgjishte.
Por le të vijmë tek objekti ynë:
Fjala në Kanun është gur i cmuar e shërben edhe si dije, edhe si nen e paragraf ligjor. Si e tillë, ajo ruan jetëgjatësinë shekullore, si në një Kushtetutë të sprovuar. “Gjaku shkon për gjak”, “Grueja është shakull për me bajtë”, “gja çdo gja”, “Pas pengut shkojnë opingat”, “fala s’ta fala”, “Kanuja s’e kap”, ”Cubi asht me be në krah”, “kamba e huej, kaptinat tona”, “be mbi be kanuja s’ban”, etj. Këto fjalë e sentenca juridike kaq jetëgjata, kanë rregulluar marrëdhëniet komplekse të një komuniteti, që, si ai, ka përballuar trysni vullkanike, ushtarake, administrative e shfarosëse nga armiq të egër. Kjo fjalë, si nen, ishte rezistencë patriotike e kulturore dhe ka përballuar kundërshti të shumta ideologjike, por ka vërtetuar edhe dobësinë e sistemeve-gjoja moderne të shteteve e qeverive të përkohshme.
Nga 1920 deri më sot, numërohen dhjetëra qeveri të përkohshme që kanë mbjellë mosbesimin e qytetarit tek shteti i tij, deri në vetëgjyqësi primitive, fatkeqësisht dukuri edhe pas 90`
“GJYQ MBI GJYQ KANUNI NUK BAN
”Institucioni i pleqësisë dhe fjala e urtë (kuvendet dhe nenet) kanë qenë çelësa të administrimit të jetës. Pleqësia është Kuvend burrash të zgjedhur. Jo kushdo merrte pjesë në Kuvend dhe kushdo njihej si “i urtë”, “burrë”, apo “plak”. Vetëm urtësia, fjala e mençur, e drejta dhe e vërteta ishin kritere vlerësimi, më tepër se vota. Pleqësitë, tradicionalë në çdo cep të kombit shqiptar, ruanin një urtësi, vendimmarrje e organizim të përsosur intuitiv, deri në përgjegjësitë penale të tyre e të palëve të kundërta, deri në shpalljen e luftës e mobilizimin e përgjithshëm. “Plak mbi plak, gjyq mbi gjyq e be mbi be”, kjo sentencë kuptimplote tregon, se asnjë çështje s’mund të gjykohet në shkallë të tjera. Juridiksioni (i pleqësisë) ka vetëm një shkallë dhe kjo “është e formës së prerë”, si të themi, të barabartë me një Gjyq Kushtetues, që kanë sot vendet demokratike. Edhe pleqësia e një fshati të vogël ballafaqohej me të drejtën kanunore, direkt si me të drejtën kushtetuese. Më së paku, kjo është shprehje e një përgjegjësie (ligjore) të shkallës më të lartë, që rriste autoritetin e pleqësive apo Kuvendeve që në hallkën fillestare.
Krahas pleqësisë, si një element organik përbërës i Kuvendit, lartësohej institucioni i besës, i be-së dhe i pengut. Veç karakterit të fuqishëm, besa tregon dhe rëndësinë e fjalës në Kuvend. Burri flet njëherë dhe nuk luan me fjalën. Burri lidhet me fjalë, jo me pranga e ai mund edhe të vritet, por jo të rrihet, të torturohet e të poshtërohet. Besa dhe pengu u jepet Kuvendeve, ose të dy palëve në kontradiktë, me vullnet të lirë dhe me përgjegjësinë e vendimit, pavarësisht palës fajtore. “Pas pengut shkojnë opingat” e këtu si në një gjyq qytetërimi, njihet edhe e drejta e mbrojtjes së dëshmitarit. (Kujtojmë se tash pas 600 e ca vjetësh, Kuvendi ynë Popullor mezi ka hartuar ca nene për mbrojtjen e dëshmitarit!). “Del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit”, ky “nen” nënkupton, se gjithkush mund të gabojë, pavarësisht detyrës, figura penale nuk përjashtonte as prijësit e vet, shprehje kjo që përcakton shkallën e drejtë dhe demokratike të pleqësisë. “Ndera e marrur gjobë nuk ka”, “Shtëpia e shqiptarit asht e zotit dhe e mikut” e “Mikut i lëshohet kryet e vendit”, por “ai nuk prin, por duhet t’i prijsh”. Një besim kaq shpirtëror tek fjala e urtë, te besa, te beja e pengu, pa ekuivokë e nënparagrafë, tregon se kemi të bëjmë me qytetarë dinjitozë. Gjithë ngrehina e Kanunit tregon një shkallë qytetërimi iluminist të një populli, që, veç është nëpërkëmbur e sharë, pikërisht në monumentet shpirtërore të tij. Nuk gaboj të them, se këshillat e sotme të komunave, bashkive e prefekturave, nuk e kanë autoritetin e pleqësive përkatëse të Kanunit. Kjo tregon, se qytetari shqiptar i historisë së re, është qytetar në rënie e diagrami i drejtësisë ka bërë më të poshtë…
Shembujt janë tepër diskreditues e më së paku tregojnë, se në raportin shtet-qytetar, mosbesimi është bërë normë, siç është bërë normale gënjeshtra e ministrit, kryeministrit apo presidentit(!) dhe kjo nën asistencën e Evropës!
“GJAKU SHKON PËR GJAK”…
Është faji, pa është ligji. Është një gjak fillestar, që nëse nuk lahet, bota njerëzore do të vriste në kaos. Sentenca “Gjaku shkon për gjak” në Kanunin e Lekës ka tërhequr mbi vete të gjitha shigjetat e akuzave dhe nga armiq e dashakeq të kulturës sonë, i është vënë vula Kanunit si Kanun gjakatar, i egër e barbar. E gjithë përmbajtja e këtij kapitulli, në fakt është kundër gjakderdhjes. Le t’u drejtohemi të vërtetave:
“Gjaqet i la Leka një për një”, domethënë po vrave, duhet të vritesh e krim të tretë nuk ka. Sipas Kanunit, gjaku ka vlerën juridike të të gjitha mbrapshtinave, por me ndryshimin esencial, se grabitja është një pre që dënohet “dy me një”, ndërsa gjaku “një me një”. Spekulimet e shumta e trajtojnë këtë marrje gjaku si vetëgjyqësi. Në fakt, është zbatim ligjshmërie zakonore e përcaktuar dhe e pranuar me vullnet të lirë nga një bashkësi historike etnokulturore. Aq më pak, s’kemi të bëjmë me hakmarrje, e aq më tepër se ky nen nuk përjashton askënd. “Kanuni nuk është shenjë e barbarisë apo e kanibalizmit të shqiptarëve”, – thotë Gjergj Fishta, – “ndëshkimi me vdekje i vrasësit në Kanun, ka qenë si një vendim i dhënë nga një gjykatë evropiane e asaj kohe”…
Pra, ekzekutori (qytetari apo polici), “nuk ban gja tjetër veçse çon në vend një ligj”… sikurse edhe francezët ia prenë kokën Luigjit XVI, sipas ligjit të tyre… Të marrunit e gjakut vazhdon Fishta, buron prej rrethanave të përjashtme e prej të metave të organizimit shoqëror të një kombi, jo prej gjendjes shpirtnore të tij. “Gjak për gjak” është plotësisht parandaluese, për një rrjedhje gjaku zinxhir, dhe jo siç e kanë interpretuar ata që e kanë lexuar së prapthi. Në Kanun edhe gjakësi ka mbrojtje ligjore si cubi, por ai është më i mbrapshtë, pra, atë që ka shkaktuar duhet ta paguajë me të njëjtin çmim. Nenet përkatëse, progresi i gjakmarrjes së drejtë (me Kanun), koha, shenjat, respektimi i viktimës etj., të kujtojnë kohën homerike të ballafaqimeve burrërore, të kujtojnë skenat e dramave madhështore të njeriut. Dhe të dramave të medha mitike. “Kush e jep fishekun, kush prin në vrasje, kush e heq gishtin, dorasi e dorëzania” kanë kuptim në zbatimin e përpiktë, gjykimin e paanshëm dhe ndikim parandalues. “Shpirt për shpirt, se dukjen e fal Zoti”. E tillë është dhe dorëzania, ky “polic modern”, i njohur në Kuvend si një ndërmjetës për zgjidhjen e keqkuptimeve. “Gjaku shkon për gisht”, “Gjaku s’bahet gjobë”, “Kush vret vetin, shkon gjakhupës”, etj., flasin vetë. Vini re: Viktima nuk futet në gjak me shtetin. Gjaku që shkakton shteti, s’lahet me gjak. Kjo është një shenjë qytetarie kanunore. (Kujtojmë, se, sot, “në demokraci”, ka raste kur qytetari hakmerret edhe ndaj policit, gjykatësit, prokurorit apo dëshmitarit, domethënë është më primitiv se njeriu i Kanunit. Po si i bëhet kur Prokurori a gjykatësi apo polici gjykojnë me sy në xhep? Po atëherë kur përfaqësuesi i shtetit është vrasës dhe pjesëmarrës në krim? Atëherë, zotni, punët shkojnë keq e qytetari është i detyruar të bëjë vetëgjyqësi.
Kanuni përjashton nga hakmarrja të pambrojturit ose qeniet e dobëta, si pleqtë, gratë, fëmijët, madje dhe burrin që fshihet pas gruas.
Gjakmarrja ka qenë dhe është e njohur në shumë qytetërime dhe përvojat juridike tregojnë, se sa më të forta të jenë ligjet ndaj kriminelëve, aq më tepër shoqëria çlirohet nga krimi. Dënimi me burg të përjetshëm, sipas Evropës së re, për mendimin tim, nuk është më human se vrasja e vrasësit. Një jetë në burg, lidhur me zinxhirë duar e këmbë në një birucë, është më vrasës se vrasja. Jo se jam kundër Evropës, por në kushtet e vrasjeve kaotike në shoqërinë shqiptare në tranzicion, unë nuk do të votoja për heqjen e dënimit me vdekje… Natyrisht, jo çdo vrasje është vrasje dhe çdo krim ka rrethana lehtësuese që i njeh ligji dhe Kanuni…
“GJA ÇDO GJA”
Gjë çdo gjë. Prona çdo gjë. Prona është gjithçka. Kjo sentencë kaq hermetike, këto dy fjalë dyrrokëshe (gja çdo gja), shprehin parimin bazë të Kanunit-shenjtërimin e pronës private, themelin e të gjitha marrëdhënieve shoqërore. S’ka asnjë ndryshim nga parimi universal i shoqërisë së sotme demokratike, të sanksionuar te të gjitha instancat ndërkombëtare për pronën.
Më kot u kemi rënë në qafë kanuneve shqiptare!
Prona private, sidomos ajo mbron tokën, truallin e shtëpinë, është dukuri e lirisë, madje rritja e pronës shkon proporcionalisht me rritjen e lirisë. Të morën tokën, truallin e shtëpinë, domethënë të morën lirinë, ekzistencën, gjithçka. Sepse veproi kështu regjimi bolshevik në të gjithë lindjen komuniste, ndaj solli një nga krizat më të mëdha të njerëzimit në marrëdhëniet me pronën dhe shpërndarjen. Sikur këta vjetët e demokracisë shqiptare, të zbatonim parimin bazë të kanuneve tona, shoqëria jonë nuk do të ishte kaq problematike e konfliktuale. Dhe koha po provon, se ato Kushtetuta që nuk zbatojnë këtë ligj themeltar, gjithnjë do të kenë tronditje sizmike, bashkë me qeveritë përkatëse. Dhe plaga e pronës akoma rrjedh gjak.
Në këtë pjesë të Kanunit lexojmë:
“Themeli nuk shkulet”, “Guri i kufirit ka dëshmitarë prapa”, “Kufijtë e tokës nuk luhen”, “Kufini nuk ban lak”, “Ndera e vathit asht në kumbonë”, etj., etj., që në sentencën “gja për gja” përmblidhet gjithë esenca e të drejtës mbi pronën private. (shihni sa poetikisht shprehen edhe pronat për ujërat, udhët, ledhet, etj: “Ujët asht gjaku i tokës”, “udhët janë dejet e tokës”.
“GRUEJA ASHT SHAKULL PËR ME MBAJTË”
Kjo fjalë e Lekës dhe krejt pozicioni i gruas në Kanun është më e diskutueshmja dhe më e keqtrajtuar. Kjo mori goditje veçanërisht në vitet 60-të, kur propaganda sajoi të ashtuquajturin “emancipim të gruas”. Sentenca është cunguar dhe keqtrajtuar edhe në përkthimin anglisht, gjermanisht e italisht, fakt që ka ardhur jo vetëm nga paragjykimet, por edhe moskuptimi i shqipes.
Kujtojmë se pozicioni i gruas ka qenë inferior edhe në botëkuptimin babilonas, para 6000 vjetësh, edhe në atë biblik para 2000 vjetësh, edhe në atë islam para 150 vjetësh. Edhe sot, në demokracitë e zhvilluara, pozicioni i gruas nuk është i barabartë me të burrit, në asnjë vend të botës. Kjo mendoj, rrjedh jo vetëm nga tradita, por edhe nga mundësia më e madhe që ka mashkulli në fushën e dijes dhe të mendimit. Që kur u vendos pozicioni i mashkullit në shoqërinë njerëzore, njerëzimi hodhi hapin drejt kulturës së qytetërimeve që pasuan. Edhe perënditë në tragjeditë e Eskilit “Orestiada” gjykuan në favor të Agamemnonit dhe të Orestit, jo të Klitemnestrës.
Në Kanun gruaja nuk është aspak “kafshë ngarkese”, as e ngarkuar me mitrën e saj (barrën), as për të mbajtur burrin e vet, as për dru zjarri e buljerë uji. Shtrembërime të tilla kanë qenë të qëllimshme, por edhe nga moskuptimi figurativ i fjalës së urtë. “Shakullin për me bajtë”, autori i librit “Princi i përfolur” (T. Ç.), e shpjegon: “Shakulli” nuk është kosh, as samar, as buljerë. Dhe fjala “me bajtë” nuk ka kuptim “transportin”. Shakulli në malësitë tona (por edhe në jug) ka qenë një enë e mjedisit pastoral, ndërtuar me lëkurë të imtash, që përdorej për të mbajtur verën. Thuhet se vera në shakull ka një aromë të këndshme dhe e ndërtonin amvisat e atëhershme. Askush nuk ka vërejtur në këtë fjalë kuptimin figurativ. Shakulli është lëkurëhollë, i butë, delikat, i brishtë e vera joshëse që të deh (siç të deh gruaja). Ka kuptimin e një gjëje të mirë, eterike, diçka nga ëndrra e një ndjenje sensuale. Kjo është punë poetësh… Fjalët e urta grueja e ngarkueme (shtatzënë) si maza e tamlit (qumështit)”, “grueja e veje flet vetë”, etj si: “grueja s’bejn në gjak”, “., si dhe gjithë procedura e trajtimit të gruas në Shqipëri, nuk ishte aspak më poshtë se simotrat e saj legjislative në Evropë..
Dhe diçka tjetër: Figura e nënës, motrës, nuses, vjehrrës, kunatës, në marrëdhëniet familjare shqiptare, rrethohen me respekt, me dashuri e humanizëm, ato lartësohen në folklorin tonë, në mite, përralla e këngë, madje poetizohen mrekullisht, jo vetëm se lindin fëmijë, por edhe se janë kaq dinjitoze, kaq me shpirt artisti, kaq të bukura e të qëndrueshme, kaq besnike e të ndershme; ajo mban qiellin e dashurisë mbi supe dhe rrezaton vetëm dritë e mirësi dhe është e pakrahasueshme me gjetkë e ngjetkë… paçka se ne nuk dimë t’i puthim dorën formalisht e labi thotë: “Të dua, moj qene”!…
SI PËRFUNDIM:
Kurrsesi nuk shtrohet problemi, që ne të aplikojmë sot Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ai, si çdo Homeriadë, duhet trajtuar si monument kulture. Dhe si çdo monument, rrezaton përvojë, drejtësi e stadin e një jete gjashtëshekullore, plot dritë e hije të bukurisë e shkëlqimit të vjetër të racës sonë.