-Qeveria e Kosovës nis përgatitjet për mbledhjen e tretë të përbashkët me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë/
-Aprovohet Raporti Vjetor i Punës së Qeverisë për vitin 2015, si dhe Platforma Vjetore e Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë për Vitin 2016/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Prill 2016/ Qeveria e Kosovës nis përgatitjet për mbledhjen e përbashkët në këtë pranverë me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë, të tretën pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014 dhe të dytës në Tiranë në 23 mars 2015.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës, kryeministri Isa Mustafa bëri të ditur se në takimin e 7 prillit në Prishtinë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, janë koordinuar që të organizohet takimi i radhës i përbashkët i dy qeverive, të vlerësohen të arriturat e deritanishme në dy takimet e mëparshme në Prizren dhe në Tiranë dhe të shihen marrëveshjet të cilat mund të lidhen për bashkëpunim edhe në fushat tjera të cilat kanë mbetur nga viti i kaluar.
“Unë për sot nuk do të hapja diskutim të veçantë lidhur me këtë. Do të propozoja që t’i caktojmë disa nga anëtarët e qeverisë që për mbledhjen e ardhshme të të na ofrojnë një propozim lidhur me kohën e vendin e mbajtjes së takimit dhe po ashtu që ministrat të mendojnë nëpër ministritë përkatëse se cilat marrëveshje tani i kemi gati, në mënyrë që t’i përgatisim për t’i lidhur në takimin e përbashkët që do ta kemi dhe se cilat çështje mendoni se do t’i diskutonim si çështje me prioritet”, tha kryeministri Mustafa.
Ai propozoi autorizimin e zëvendëskryeministrit Kujtim Shala, ministrit të Drejtësisë Hajrdin Kuçi, ministrit të Adminsitratës Publike, Mahir Jagcillar dhe zëvendësministrit të Jashtëm, Petrit Selimi, që të vijnë me një propozim në mbledhjen e ardhshme të qeverisë lidhur me kohën e vendin e mbajtes së mbledhjes së përbashkët të qeverive Kosovë-Shqipëri dhe për çështjet të cilat konsiderohen me prioritet, e pastaj të punohet në përgatitje.
“Koha për të cilën ne jemi marrë vesh përafërsisht me kryeministrin Rama, është fundi i majit ose java e parë e qershorit”, tha kryeministri Mustafa, duke kërkuar angazhim në përgatitjet e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që të jetë përmbajtjesore dhe t’i kontribuojë thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë.
Në 7 prill, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, mbërriti në Kosovë për të marrë pjesë të nesërmen në ceremoninë shtetërore të inaugurimit të Presidentit të ri të Republikës, Hashim Thaçi, ndërsa fillimisht në një takim me kryeministrin Isa Mustafa kanë biseduar për bashkëpunimet dhe axhendën e mbledhjes së tretë të dy qeverive.
Kryeministri Mustafa dhe kryeministri Rama kanë vlerësuar rezultatet pozitive që janë arritur deri më tani në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve duke shprehur përkushtimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit.
“Ishte kënaqësi që këtë vizitë 24 orëshe në Prishtinë, e cila sigurisht lidhet me domosdoshmërinë për të nderuar Presidentin e ri, nesër në ceremoninë e inaugurimit, ta nisnim me këtë bashkëbisedim miqësor me kryeministrin, dhe të diskutonim mbi axhendën e mbledhjes së ardhshme të dy qeverive, bazuar në faktin që kemi një dakordësi të plotë, sepse këtë na e japin shifrat dhe provat, që ky proces i bashkëqeverisjes së problemeve dhe çështjeve të interesit të përbashkët na ka dhënë rezultate shumë të mira”, ka theksuar kryeministri Rama në konferencën për shtyp pas takimit.
Mjafton, ka vijuar kryeministri shqiptar, të shohim shifrat e shkëmbimeve tregtare dhe të eksportit në të dy anët e kufirit, për të kuptuar jo vetëm se sa shumë është bërë së bashku, por edhe se çfarë potenciali të madh ka, sepse ka ende probleme për t’u adresuar dhe çështje për t’u zgjidhur, në mënyrë që kjo hapësirë të jetë një hapësirë e lirë shkëmbimesh dhe një hapësirë ku përmes këtyre shkëmbimeve arrihet mirëqenia e popullit tonë në të dy anët.
“Nga ana tjetër, është me rëndësi të theksoj që ne përgatitemi për etapën e tretë të Procesit të Berlinit, që do të na çoj së bashku edhe me kryeministrat e rajonit këtë vit në Paris dhe jam shumë krenar që historia e suksesit në procesin e mbledhjeve të dy qeverive është një arsye që ne të nxisim së bashku një proces më të gjerë rajonal për heqjen e barrierave jotarifore dhe për lehtësimin maksimal të shkëmbimeve mes njerëzve, mallrave, në mënyrë që të rrisim maksimalisht hapësirën e të gjitha sipërmarrjeve shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe në rajon”, ka theksuar kryeministri shqiptar Rama.
Kryeministri kosovar Isa Mustafa është shprehur se, kishte kënaqësi të veçantë që takohej me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin biseduan lidhur me shumë çështje.
“Vlerësuam bashkëpunimin tonë vëllazëror, por edhe bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë si dhe bashkëpunimin ekonomik.
Vlerësuam, po ashtu, se kemi arritur mjaft në zbatimin e marrëveshjeve të cilat i kemi nënshkruar vitin e kaluar dhe marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar edhe në takimin e parë në Prizren, pastaj në takimin në Tiranë në shumë fusha, në fushën e ekonomisë, në fushën e arsimit, në fushën e shkencës, në fushën e kulturës, në fushën e bashkëpunimit tregtar”, ka thënë kryeministri kosovar.
Mustafa ka theksuar se, do të vazhdojmë me takime të përbashkëta të dy qeverive dhe do të punojmë bashkërisht në përgatitjen e takimit të ardhshëm, në të cilin do të bëjmë një vlerësim të punëve të deritanishme, por edhe të aktiviteteve të cilat ne kemi interes t’i zhvillojmë si aktivitete të përbashkëta sepse vlerësojmë se bashkëpunimi me Shqipërinë është i interesit të veçantë për Republikën e Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa ka zhvilluar mbledhjen e 84-të, të 17-tën në vitin 2016, në të cilën janë miratuar vendime nga përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore të ekzekutivit.
Fillimisht, kabineti qeveritar aprovoi Raportin Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2015.
Kryeministri Isa Mustafa, ka bërë prezantimin e punës së qeverisë duke thënë ndër të tjera se gjatë vitit 2015, qeveria ka punuar në realizimin e 5 prioriteteve të cilat kanë qenë edhe shtyllat themelore të Programit të punës në periudhën 2015-2018: Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, punësimi dhe mirëqenia; sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës; axhenda evropiane dhe politika e jashtme; arsimi, shkenca, kultura, sporti dhe zhvillimi rinor; shëndetësia bashkëkohore.
“Konsideroj se e arritur e madhe e vitit 2015 është finalizimi dhe nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Kjo marrëveshje pritet ta përafrojë dhe integrojë ekonominë e vendit me hapësirën ekonomike evropiane dhe të shteteve anëtare të BE-së. Me nënshkrimin e MSA-së, prodhuesit vendor pritet të kenë qasje në tregun e BE-së dhe për rrjedhojë të kemi nxitje të zhvillimit ekonomik, të punësimit, por edhe të përmirësimit të cilësisë së produkteve dhe shërbimeve, të cilat ofrohen nga bizneset tona ose të cilat konsumohen në tregjet tona”, tha kryeministri Mustafa.
Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe Platforma Vjetore e Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë për Vitin 2016.
Kjo platformë përmban udhëzime të përgjithshme të punës së Agjencisë, duke garantuar parimet e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat Politike dhe Civile, si dhe të gjitha parimet e tjera relevante të paraqitura në instrumentet ligjore të njohura ndërkombëtarisht. Qëllimi i kësaj platforme është përcaktimi i prioriteteve të Agjencisë në kuadër të mbledhjes, analizës dhe shpërndarjes së informacioneve dhe produkteve inteligjente për kërcënimet e sigurisë kombëtare që ndërlidhen me rendin kushtetues, sovranitetin dhe tërësinë territoriale, integritetin e institucioneve shtetërore, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, jetën, mirëqenien, pronën dhe sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy
Privacy Overview
This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.