• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Homazh për Dardaneshën e Lirisë, Nekibe Kelmendin (Ish ministre e drejtësisë së Kosovës)

June 22, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Amaneti juaj: “M’i bëj të fala Kosovës”, më është bere si refren duke e pëshpëritur në buzë herë pas here, është një refren që do të jetojë gjatë, është kënga e shpirtit të një Zane si në legjenda që e donte me jetën e saj Kosovën!

Në përkujtim të 11 vjetorit të ndarjes nga jeta

Botuar në librin “Refleksione shpirtërore” “Esse dhe kritikë letrare”

Në ditën e ikjes tënde, o Dardanesha e bukur shqiptare, ndjeva dallgët e oqeanit me krah pulëbardhash të rreshtuara njera pranë tjetrës të cilat dukeshin sikur bënin homazh për ty motra ime prej Kosove!

Ndërsa përgjatë Manhattanit në kerthizë të botës, një shatërvan në mes të OKB-se ndali rrjedhjen e ujit, aty ku mijëra shqiptare përfshirë dhe mua mblidheshin herë pas here për të denoncuar genocidin serb dhe për të demonstruar para botës kërkesat tona për Pavarësinë e Kosovës, që ju e donit aq shumë!

Por ju edhe pse po largoheshit nga kjo botë se ç’më latë një ndjesi se po vazhdonit të na dhuronit buzëqeshje hyjnore, buzëqeshje që ta dhurojnë vetëm lulet bozhur si ty, që hapën petalet gjithë aromë vetëm në ditën e Lirisë së Kosovës.

Ju ishit e plagosur në shpirt, ende kishit pikla gjaku të pathara të bashkëshortit tënd, ish avokatit të mirënjohur Bajramit dhe djemve të tu Kushtrimit dhe Kastriotit të vrarë e masakruar nga kuçedra serbe.

Ata dhe gjithë martirët e Kombit si yje qielli spërkatin me pikëza drite Kosovën martire, e në këto pikëza u bashkove dhe ti sokoleshë Pejane, ndaj dhe unë më duket sikur i lexoj më qartë enigmat e shumta…ato duken të kthjellta në bebëzat e syrit tënd.

Ikja tënde e shpejtë la plagë të çelura ende të pashëruara, ndaj duke hyre në palcën e fjalës tënde në sa e sa mediume kombëtare dhe ndërkombëtare, më doli si feniks burri i madh shqiptar, IBRAHIM RUGOVA!

Brenda gjoksit tuaj dëgjova ca tinguj të përvajshëm që rënkonin tutje nëpër erën e Ilirisë. Rënkonin për bijtë e vrarë, për mijëra të zhdukur… Ishin trimat e Kosovës dhe ti Drenushë e Lirisë që mbollët ëndrrat me sythe shprese.

Edhe pse kujtimet e makthshme i përjetove kudo, dhe pe me sytë e tu fatin tragjik të familjes dhe të Kombit, ju përsëri nuk e shuajtët ëndrrën, ëndrrën e bukur të Lirisë. Ju u shkritë si qiriri i Naim Frashërit, si një zonjëz e rrallë e Kombit, për t’i dhënë atij pakëz dritë…

E kjo dritëz ndizet si pishtar e bëhet flakërrimë për Kosovën, ku zambakët e bardhë të Prizrenit pikojnë bukuri mëngjezore.

“Vizioni juaj mbeti Republika e Kosovës shtet demokratik i të gjithë qytetarëve pa dallim, e integruar në strukturat evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Liri, pavarësi, demokraci ishin parimet themelore të zonjës NEKIBE KELMENDI dhe të të gjithë lëvizjes gjithë popullore, për idealet e së cilës zonja Kelmendi u angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë ideal”, ka thënë presidentja e Kosoves, zonja Jahjaga, sipas Kosovapress.

Ju ikët para kohe dhe në ikjen tuaj m’u duk sikur pëllumbat e Manhattanit më çukitnin në xhamin e dritares dhe sillnin pranë amanetin tënd të fundit: “M’i bëj të fala Kosovës”. Eshtë amaneti tënd që s’e tret as dheu, amanet që u dha në gjithë botën ku frymojnë shqiptarë, u tha me lot në sy nga bija juaj me emrin Kosovare, me emrin më të bukur në botë.

Amaneti tënd: “M’i bëj të fala Kosovës”, më është bere si refren duke e pëshpëritur në buzë herë pas here, është një refren që do të jetojë gjatë, është kënga e shpirtit të një Zane si në legjenda që e donte me jetën e saj Kosovën!

Ju tashme flini e qetë, sepse siç thotë poeti i madh Din Mehmet në poezinë e tij: Gjërat më të shtrenjta i dhatë për Kosovën/ dhe dashurinë tuaj e shënuat në çdo lule/ në çdo gur, në çdo rrugë…

Ju prehuni e qetë, o Teutë e bukur shqiptare. Ju jeni si një degë e blertë plot sythe në pemën e madhe të Lirisë!

Tani ju ndriçoni, ndriçoni nga qielli dhe plas nata serbe në ferr…

21 Qershor, 2022

Staten Island, New York

Filed Under: ESSE Tagged With: Keze Kozeta Zylo

Festivali i parë i shkollave Shqipe “Alba Life” New York dhe mbyllja me plot sukses e vitit akademik 2021-2022

June 6, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

E ftuar speciale Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Washington DC znj.Floreta Faber.  

Nderuan me pjesëmarrjen Ministrja e Shtetit për rininë dhe fëmijët në Republikën e Shqipërisë, zonja Bora Muzhaqi dhe z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit”.

Gjuha jonë, gjuhë hyjnore,

Flet me zemrat si me Zotin,

Oh ç’bekime dhurojnë gjyshërit,

Nga gëzimi derdhin lotin…

Amfiteatri i Qendrës “Illyria” siguruar nga z.Mark Gjonaj gumëzhinte plot e përplot nga zërat gazmorë të nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit që operon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe në Online.  Ishte një e shtunë e bukur plot diell që të lëbyrte sytë, një e shtunë ku ushtuan në skenë këngët dhe vallet e mrekullueshme shqiptare.  Çfarë magjie sollën në skenë do të më thoshte nje gjyshe rreth të 80-ve!  Ne nipërit dhe mbesat tona i sjellim me dëshirën më të madhe për të mësuar shqip vazhdoi gjyshja.  

Dhe dita e shtunë ishte magji, ishte bota e pasur dhe e çiltër e fëmijëve që u ngjitën në skenë plot confidencë për të shfaqur festivalin e bukur.  Ata vallëzonin plot harmoni dhe në ritëm të muzikës popullore që ia shtonin dhe më shumë elegancën dhe hijeshinë amfiteatrit.  

Nxënësit me kostumet shumëngjyrëshe dhe ngjyrat e Flamurit  kuq e zi sillnin dhe më shumë emocion tek të pranishmit që i duartrokisnin plot ëndje dhe emocion artistët e ardhshëm të Diasporës. 

Gjatë vitit akademik Shkolla Shqipe “Alba Life” me përvojë 15 vjeçare ka krijuar traditën kulturore të festojë me koncerte si: Ditën e Shenjtë të Flamurit Kombëtar, Festat e Fundvitit, Pavarësinë e Kosovës, Ditën e Shenjtë të Mësuesit, Koncert për mbylljen e vitit akademik shkollor, pjesëmarres në Festivalin e Shkollave Shqipe dhe për herë të parë organizoi Festivalin e të gjitha shkollave shqipe “Alba Life”.  Festivali u moderua nga dy nxënës të talentuar bashkëpunëtore të TV “Alba Life” si Arelt Xhaferri dhe Kendra Duli.  Ekspresiviteti i tyre në të shprehur e bënte dhe më të bukur komunikimin me publikun.  

E ftuar speciale në këtë festival ishte Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Washington DC zonja Floreta Faber 

Zonja Faber përshëndeti të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit për punën e shkëlqyer që po bëjnë për të mësuar Gjuhën Shqipe pranë Shkollave “Alba Life”.  Ambasadore Faber me një karrierë të gjatë në diplomaci inkurajoi fort që të mos i harrojnë rrënjët e të parëve ndaj duhet ta shfrytëzojnë mundësinë që iu është dhënë për të mësuar dhe folur shqip.    

K. Zylo bashkëthemeluese e shkollave shqipe “Alba Life” në emër të bordit dhe gjithë mësuesëve vlerësoi Ambasadoren Faber me Çmimin e Mirënjohjes si një personalitet i lartë i diplomacisë shqiptare dhe për kontributinn e saj të vyer për Shkollat Shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun dhe në Online.  

Ambasasore Faber ka qenë e pranishme para tri vjetësh në hapjen e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx dhe iu ka shpërndarë nxënësve librat e Abetares.

Dhenia e çmimit u mirëprit me duartrokitje nga të pranishmit.

Festivali i parë dhe dhënia e çertifikatave 

Fjala e hapjes u bë nga Dr.Valbona Zylo Watkins e cila përshëndeti në emër të Bordit si drejtuese e procesit mësimor.  Ajo është profesore në Staten Island College dhe në Montclair Academy në New Jersey e cila ka dhënë një kontribut të vyer për mbarëvajtjen e mësimit të Gjuhës Shqipe në New York.  Programi filloi me këngën: Ty Flamur të duam shumë, kënduar nga kori i shkollave nën drejtimin e artistes së shquar Dëshira Ahmeti Kërliu.  

Valltarët e shkollës Shqipe Alba Life në Bronx shfaqën vallen kuq e zi dhe “Vallja e Tropojës” intepretuar nga nxënësit e Bronxit, përgatitur nga mësuese Majlinda Tafaj.  Shtoj se kjo shkollë është hapur para tri vjetësh dhe është plot sukses. Në këtë shkollë japin mësim gjithashtu plot përkushtim mësueset Fatbardha Shiqerukaj, Mirvete Krasniqi Veselaj dhe Alda Hoxhaj,   

Në këtë festival nderoi me pjesëmarrjen e saj ministrja e Shtetit për rininë dhe fëmijët, zonja Bora Muzhaqi.  Në përshëndetjen e saj zonja Buzhaqi tha se sot kam marrë shumë emocione si asnjëherë tjetër dhe u ndjeva tejet krenare, kur dëgjova këta nxënës që intepretonin mrekullisht këngët dhe vallet shqiptare.    

Në këtë aktivitet madhështor ishte Z.Mark Gjonaj i cili si përherë të befason me pjesëmarrjen e tij në aktivitete dhe prania e tij veçse frymëzon brezat për të punuar më shumë për Diasporën dhe Kombin.  Ai ka mirënjohjen e pakufishme të nxënësve, bordit dhe prindërve

Përshëndetën festivalin kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, z. Mhill Velaj, si dhe z. Shaban Lajci artisti i mirënjohur i Diasporës dhe Atdheut.

Në skenë performuan nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island e cila është shkolla e parë që u krijua në këtë ishull të bukur.  Ata interpretuan vallen: “Mor Bubrrec” përgatitur nga mësuese Elona Shkreta, Anxhela Alushaj dhe Ariana Topallaj.

Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Brooklyn interpretuan: “Valle Kosovare” dhe “Vallja e Bariut- Rrënjët tona” përgatitur nga mësueset Gela Bulku dhe Ariana Topallaj. Një falënderim dhe mirënjohje e veçantë i shkon prindit Lindita Ndregjoni për përgatitjen e kostumeve plot hijeshi dhe profesionalizëm. 

Shkolla e Quensit  performoi: “Tring zilja, tring zilja”, “Sa do doja një qenush” këngë për fëmijë, përgatitur nga mësuese Eriola Shahaj nën drejtimin e artistit të njohur Dionis Delia. 

Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island përgatitur nga mësuese Entela Muda interpretuan “Vallja e Tiranës”.

Kori i Shkollave Shqipe intepretoi himnin e Shkollës Shqipe Gjuha Shqipe, Gjuha Jonë kompozuar mjeshtërisht nga profesori i pianos Petrika Melo drejtuar nga artistja e shquar Dëshira Ahmeti Kerliu.

Programi u mbyll me këngën popullore aq të njohur: “Xhamadani Vija Vija” kënduar nga kori nën drejtimin e artistes së mirënjohur dhe vitale Valbona Peraj.

Me çmimin e mirënjohjes u vlerësua zonja Vera Mjeku si një personalitet i shquar i Diasporës Shqiptaro Amerikane dhe mike e madhe e shkollave shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun dhe në Online.

Pas këtij programi madhështor Dr.Valbona Zylo Watkins bashkë me Ambasadoren Faber dhe ministren Muzhaqi nën kujdesin e të gjitha mësueseve të klasave të cilat kanë bërë një punë të mrekullueshme për mësimin e Gjuhës Shqipe iu ndanë çertifikatat të gjithë nxënësve për vitin akademik shkollor 2021-2022.

Gjithë festivali u filmua dhe fotografua nga bashkëpunetorët e TV “Alba Life” si: gazetari Valon Gerbeshi, Bujar Sadikaj dhe Elton Xhaferri.  

Dreka festive dhe çmimet nga Alba Life

Natyrisht pas një dite shumë të ngarkuar shumica e pjesëmarrësve drekuan së bashku në restorantin “La Botte” në Westchester të organizuar nga bordi i shkollës me kontributin e secilit si drekë festive.

Në këtë drekë festive u krye ceremonia e dhënies së çmimeve të mirënjohjes si Arta Xhaferri koordinatore pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx me motivacionin: 

si Koordinatore për kontributin e saj të vyer dhe me profesionalizëm pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx.

Mësuese Entela Muda Çmimin e Mirënjohjes për kontributin e saj si një mësuese e përkushtuar me profesionalizëm pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island.

U vlerëuan me plot dashuri dhe respekt nxënësit e dalluar të Shkollës Shqipe “Alba Life” si:

Blenda Ekuran Shehu, Kelvin Adil Rustani, Lediana Agim Hasanaj, Dion Odise Salillari 

Ariana Daci.  Ata janë krenari e Shkollës Shqipe “Alba Life” dhe do të jenë frymëzues për gjeneratat e ardhshme.

Dreka e organizuar kaloi në një atmosferë shumë festive dhe të pranishmit u argëtuan nën tingujt e DJ drejtuar mjeshtërisht nga z.Bujar Sadikaj. 

4 Qershor, 2022

Qendra “Illyria” Bronx, NY

Filed Under: Politike Tagged With: Keze Kozeta Zylo

Trëndafila Maji për gratë, nënat dhe edukatoret nga Motrat Qiriazi, New York

May 3, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Organizata e mirënjohur “Motrat Qiriazi” organizoi mbrëmje gala në festën e nënës në Amerikë. Në sallën e vallëzimit “Ballroom” në Vista Penthouse dhe Sky Lounge me një pamje të magjishme nga dritaret e qelqta dukej Manhattani kryeqendra e botës, ndërsa brenda ndrinin vajzat, nënat, motrat dhe gratë me bashkëshortët e tyre të cilët kishin ardhur për të festuar së bashku këtë ditë speciale. Në hyrje të mirëprisnin me plot dashuri presidentja e Organizatës “Motrat Qiriazi” znj. Isidoros Tsamblakos dhe gjithë Bordi dhe anëtarë si Alda Mosko, Ariana Elezaj, Eva Burnazi, Zenie Sina, etj. Nën tingujt e Jazz performance të intepretuara mjeshtërisht nga Arenc Leka, violinë e Faton Macula Kitar, salla bëhej dhe më e bukur dhe natyrshëm sillte hare e gëzim në zemrat e të pranishmëve.

Aktivitetin e moderoi zonjusha simpatike Zhuljeta Buja.  

Presidentja e Organizatës “Motrat Qiriazi” znj. Isidoros Tsamblakos e hapi aktivitetin duke përshëndetur të gjithë pjesëmarrësit dhe iu uroi atyre një mbrëmje të gëzueshme dhe të bukur në ditën e shenjtë të nënave.  

Zonja Tsamblakos bashkë me zonjën Alda Mosko dhe bordin ndau çmimet me një ceremoni të bukur dhe shumë festive. 

Me çmimin: Gruaja e vitit u vlerësua Kozeta Zylo, edukatore e vitit zonjusha Jonela Hasani dhe nëna e vitit znj.Pertefe Leka.  

Zonjat Leka dhe Hasani shprehën mirënjohjen e pakufishme për vlerësimin dhe natyrshëm çmimi bëhet frymëzim për dëgjuesit dhe brezat. E nderuar të ishja në krah të tyre.

Në shkollat tona shqipe “Alba Life” në të gjithë Nju Jorkun Motrat “Qiriazi” janë histori frymëzuese ndaj dhe ata e këndojnë me krenari Këngen e Alfabetit Shqip, të shkruar prej Sevasti Qiriazit si: Armiqëtë o shqipëtarë/ Po përpiqenë/ Shkronjat turçe dhe greqishte/ Të na apënë/ Le t’i mbajnë ata per vetëhe/ Kemi tonatë.

Kënga e nënës në shqip ishte tejet emocionuese, dikujt i rridhnin pikëza loti, interpretuar në violinë dhe shoqëruar nga Arenc Leka. Nëna është perëndeshë, nëna është hyjni ndaj dhe i këndohet:   Nënë, emër i dashur për mua/ Më je e shtrenjtë, të të dua/ Sa jetë e tërë për ty unë thurr melodi.

Një çmim special, proklamatë mirënjohjeje u dha për zonjat Kozeta Zylo, Pertefe Leka dhe Jonela Hasani nga Ligjvënësi i Westchester County z.David Tubiolo.  Më duhet të shtoj se z.Tubiolo është një mik i madh i shqiptarëve dhe merr pjesë aktivisht në evente më të rëndësishme të organizuara nga Diaspora.

Një buqetë me trëndafila Maji iu dhurua dhe Konsulles së Republikës së Shqipërisë në New York zonjës Najada Sojli si shenjë mirënjohjeje në përkushtim të punës dhe devotshmërisë së saj me profesionalizëm në sherbime konsullore për publikun.

Me shumë emocion u mirëprit vlerësimi dhe mirënjohja e dhënë nga zonja Alda Mosko në emër të Motrave “Qiriazi” e cila nuk i mbajti dot lotët kur foli për punën vullnetare të të ndjerit Ylli Luka si një bamirës në komunitet me zemrën e tij të madhe.  Djali i tij në emër të nënës së tij Agathia Luka e cila ka një kontribut të madh në organizatën “Motrat Qiriazi” e pranoi me përulje vlerësimin për të Atin e shtrenjtë  dhe ndihej krenar për pasurinë shpirtërore që la tek brezat.  Ky vlerësim u mirëprit me duartroikitje si dhe me dhimbje nga të gjithë ne që e kishim mik dhe e çmonim per ndihmën e tij te pakursyer në komunitet dhe kudo.  Natyrisht Ai na bekonte nga lart si një Yll i qiellit ku ka zënë vend.  

Një mirënjohje speciale iu dha mediave si TV “Alba Life”, TV “Kultura Shqiptare”, Arbërie Hetemi fotografe dhe Afërdita Palokaj editore e AAWO Newsletter.  

Pak biografi për gratë që u nderuan për vitin 2022

Kozeta Zylo gruaja e vitit 2022

Shquhet ndër veprimtaret më aktive në Komunitetin Shqiptaro-Amerikan.  Ajo është  shkrimtare e mirënjohur në Diasporë  e cila ka publikuar tetë libra dhe së fundi librin për fëmijë.  

Znj. Zylo është një gazetare e shquar e Diasporës, artikujt e saj janë të publikuara në gazetat “Illyria”,  “Dielli” , NY, “VOAL” Zvicër, Rumani, Shqipëri etj.  Libri “Diaspora si krah shqiponje” u pranua në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, Washington DC.  Ajo ka realizuar qindra intervista që nga njerëzit më të famshëm e deri tek ai më i thjeshti.  Znj.Zylo është shpallur gruaja dhe mësuesja e vitit në Diasporë nga organizata të njohura.

Zonja Zylo është shkrimtare, poete, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit që operon në të gjitha lagjet e New York-ut dhe në Online.

Jonela Hasani edukatore e vitit

Jonela Hasani është edukatore dhe këshilltare në Departamentin e Arsimit të Nju Jorkut për 17 vitet e fundit.

Jonela Hasani punon si Këshilltare Shkollore dhe Sekretare Administrative Ekzekutive në Departamentin e Arsimit të Nju Jorkut.

Arsimi dhe pozicioni i saj në Departamentin e Arsimit të qytetit të Nju Jorkut ka lejuar që përvoja e saj të punojë ngushtë me popullsinë e shkollave të mesme dhe studentët në rrezik. 

Znj. Hasani posedon njohuri të shumta në lidhje me vlerën e kapacitetit të marrëdhënies, besimit dhe besueshmërisë. Znj. Hasani ka frymëzuar shumë studentë që të bëhen shumë të suksesshëm në jetën e tyre. Në shkollën e saj znj. Hasani ka krijuar një program “Girls Club and South Asian Girls Club” me mision dhe vizion për Vetë-Zbulimin dhe Fuqizimin e Gruas.

Pertefe Leka nëna e vitit, 2022

Pertefe Leka është mësuese, shkrimtare, studiuese, nënë dhe gjyshe e devotshme. 

Në moshën 80-vjeçare ajo vazhdon të shkruajë artikuj dhe libra bazuar në kërkime të thella mbi jetën dhe veprën e nxënësve të historisë dhe letërsisë shqiptare. 

Pertefe Leka ka lindur dhe është rritur në Shkodër. Ajo punoi si mësuese në Vrakë atje ku ka lënë gjurmët e mësuesisë shkrimtari i Kombit Migjeni.

Zonja Leka është një kontribuese e denjë në studimet, shkrimet letrare dhe historike në gazetën e mirënjohur “Illyria” dhe më gjerë nëmediet e tjera.

Ajo ka sjellë pranë lexuesve me fakte të pamohueshme figurat e ndritura të historisë, shumë prej tyre të lënë në harresënga komunizmi.

Në nderim të kontributit të saj, të punës si dhe të penes zonja Pertefe Leka është bërë frymëzim dhe ndaj u vlerësua me çmimin “Nëna e Vitit 2022” nga organizata shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”.

1 Maj, 2022

Queens, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: beti beno, Keze Kozeta Zylo, Motrat Qiriazi, Pertefe Leka

Rruga Fan Noli në Bronx do të ndrijë përjetësisht

April 10, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Burri që çuditi dhenë,

Kur me Wilson u takua,

Bisedoi për Mëmëdhenë,

Dhe e mbrojti si fajkua.

Vij pranë rrugës së Fan Nolit,

Në Bronx ku u shkruajt historia,

Në gjunjë i bie Gjergj Kastriotit,

Dhe Flamurit sa Shqipëria.

Diaspora Shqiptaro Amerikane përjetoi sot një ditë historike në Bronx të Nju Jorkut. Një rrugë në Morris Park të Bronx-it në New York iu vendos emri i burrit të ndritur të Kombit: “Fan Noli”!  Kjo rrugë me këtë emër të madh u realizua nën kujdesin e posacëm të z.Mark Gjonaj “Nder I Kombit” ish këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut ne bashkëpunim të ngushtë me Federatën Panshqiptare “Vatra” ku një ndër themeluesit e saj ka qenë vetë Fan Noli.  

Aktivitetin e moderoi Dr. Pashko Camaj aktivist i mirënjohur dhe anëtar kryesie i Vatrës.  Në këtë aktivitet të rëndësishëm morën pjesë personalitete të shquara si Senatori Amerikan, Udhëheqës i shumicës së Senatit të Shteteve të Bashkuara Chuck Shumer, Ambasadore Floreta Faber, Washington DC, Ambasadori Ferit Hoxha prane UN, z.Vedat Gashi kandidat per në Kongresin Amerikan, Ansambleisti Michael Benedetto etj.  

Në përshëndetjen e tij z.Elmi Berisha kryetar i Vatrës me plot krenari tha midis të tjerash se: “Sot për çdo shqiptar është një ditë e pa harruar, një ditë lavdie e krenarie kombëtare e shtetërore. Një ditë e madhe që do mbesë historike në memorien tonë si komb e si mërgatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shërbimi i At Fan Nolit ndaj popullit, e shtetit e kombit të tij është gjeniale”.  

Z.Mark Gjonaj politikan i palodhur për çështjen kombëtare tha se kjo ditë është e bekuar sepse i vumë emrin një rruge në Bronx, emrin e një udhëhqësi të pashoq për kombin Shqiptar si Fan Noli.  

Senatori Chuck Shumer midis të tjerash tha se: “Fan Noli nuk është vetëm heroi i shqiptarëve, por dhe i Amerikës, sepse ai punoi dhe luftoi për Lirinë e shqiptarëve.  

Ndërsa dëgjoja Chuck Shumer që fliste me aq simpati për Fan Nolin nëpërmjet vidiove live (direkt) në mendje më vinte takimi i Nolit me presidentin amerikan Wilson që ishte një fat i madh për Shqipërinë.  Noli në kujtimet e tij shkruan: 

“Ndjeva një lëmsh mallëngjimi në grykë dhe më rrotullonte në kokë një emër, që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare, e ai ishte emri i Presidentit Wilson”.

“Kam patur nderin në një rast historik ta takoj këtë njeri të madh që tani është bërë orakulli i njerëzve të vuajtur. Ishte Dita e Pavarësisë, kur përfaqëusesit e të gjitha grupeve nacionale në Amerikë ishin ftuar nga presidenti Wilson për ta shoqëruar si miqtë e tij të huaj në jahtin Mayflover gjatë pelegrinazhit në Malin Vernon. Gjatë kthimit unë si lutës i përulur iu afrova dhe i thashë ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë, dhe t’i kthejë asaj bukën e jetës, Lirinë. Dhe përgjigjja e tij fisnike ishte: ‘Unë do të kem një zë (votë) në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”.

Dita e sotme ishte me nje aktivtet te larmishëm me këngë e valle të traditës së mrekullueshme shqiptare.  Me plot krenari morën pjesë në këtë aktivitet dhe performuan këngën hymn: Gjuha Shqipe, Gjuha jonë dhe Vallen e Pavarësisë së Kosovës Shkolla Shqipe “Alba Life” në Bronx nën kujdesin e mësueseve të përkushtuara dhe koordinatoreve si: Arta Xhaferri, Blerim Gjocaj, Majlinda Tafaj, Mirvete Krasniqi Veselaj, Fatbardha Shiqerukaj, Davida Hasanaj, Alda Hoxhaj. 

TV “Alba Life” së shpejti do të sjellë kronikën e përgatitur enkas për këtë aktivitet të rëndësishëm si dhe disa interivsta të realizuara nga zonjusha simpatike Kendra Duli.   

9 prill, 2022

New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Kozeta Zylo

Shkolla Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në Mjediset Universitare të St.Francis College në Brooklyn

December 1, 2021 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/


Dita e shenjtë e Flamurit Kombëtar festohet me madhështi nga e gjithë Diaspora anë e mbanë globit. Doemos kjo festë duket sikur bashkon gjithë shqiptarët, veç ziliqarët dhe politikanët s’ka arritur akoma t’i bashkojë…Ndonëse është përsëri kohë pandemie, por me kushte më të zbutura përsëri aktivitetet shumë të rëndësishme nga Diaspora Shqiptare në Amerikë nuk kanë munguar. Shkolla Shqipe Alba Life çdo vit e feston Ditën e Shenjtë të Flamurit dhe e ka në programin e saj. Javën e kaluar mori pjesë me krenari të ligjshme me një program artistik në Akademinë përkujtimore kushtuar 66 vjetorit të ditëlindjes së Heroit legjendar Adem Jasharit si dhe të 109 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë që u zhvillua në Qendrën “Illyria” siguruar nga z.Mark Gjonaj këshilltar i Bashkisë së Nju jorkut dhe që kemi pasur nderin të parët si shkollë për t’i përdorur këto mjedise tejet komode. Sot Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx të shoqëruar nga koordinatorët znj.Arta Xhaferri, Blerim Gjocaj, anëtar i Stafit të TV “Alba Life” z.Elton Xhaferri si dhe nga mësueset Fatbardha Shiqerukaj dhe Majlinda Tafaj shkuan pranë kolegjit St.Francis dhe festuan 109 Vjetorin e Pavarësisë me një grup studentësh eksellent shqiptarësh nga St.Francis College Brooklyn, kolegj i krijuar që nga viti 1859.Ftesa dërguar z.Qemal Zylo themelues dhe drejtues i TV dhe Shkollës Shqipe “Alba Life” nga z. Arkelino Hila president i Klubit Rrënjët Shqiptare në St.Francis College u mirëprit me plot dashuri dhe përkushtim. Kjo natë festive në kolegj në Ditën e Flamurit nderonte gjithashtu sportistët e dalluar në atletikë dhe studentët që kanë dhënë kontribute të dukshme në shumë fusha. Ajo që të bën përshtypje është se ky klub është me studentë të shkëlqyer dhe inkurajojnë fuqimisht çdo student të kolegjit që të përfshihen dhe të kontribuojë sa më shumë në jetën studentore. Më duhet të shtoj se ishin këta studentë të klubit që erdhën si ekip si pranë shkollës në Bronx si: Albion Veliu, Adjola Rrashi, Kleid Saraci, Emiljan Bodini, Sarah Shurdha, Herta Hada, Xhessika Hasankolli dhe Alkida Koleci të cilët vlerësuan me pllakën e mirënjohjes dhënë nga zonjusha Megi Rama me motivacionin: “Certifikatë mirënjohje Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit për kontribut të jashtëzakonshëm në Komunitetin shqiptar në mësimin e Gjuhës Shqipe, kulturës dhe traditave, fëmijëve me origjinë shqiptare.”. Ata premtuan para nxënësve se do të kenë lidhje të vazhdueshme dhe ja erdhi Dita e Flamurit dhe u bënë bashkë në këto mjedise me studentë elitarë. Koordinatorja e Shkolles Shqipe “Alba Life” ne Bronx znj. Arta Xhaferri pershëndeti të gjithë studentët në emër të Bordit dhe mësuesëve si: Mirëmbrëma të dashur studentë dhe pjesëmarrës në këtë aktivitet,Është kënaqësi si koordinatore të jem me ju dhe të festojmë së bashku Ditën e Flamurit Kombëtar Shqiptar. Ne kemi ardhur sot këtu si Shkollë Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit që operon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe në emër të mësuesve dhe stafit të saj ju përshëndesim dhe ju përgëzojmë që mbani gjallë traditat shqiptare. Sot jam këtu me Blerim Gjocaj koordinator si dhe mësueset Fatbardhën dhe Majlindën dhe disa nxënës për të performuar dy valle të bukura shqiptare si vallen e Tropojës dhe të Kosovës udhëhequr nga këto mësuese të përkushtuara. Jemi krenarë me ju dhe le të valëvitet lart Flamuri Shqiptar. Ne jetojmë në këtë vend ku të gjithë amerikanët kanë mundësinë e mahnitshme për të shfaqur patriotizmin e tyre duke mbajtur me krenari flamurin Amerikan.”Le të valëviten të dy flamujtë përgjithmonë në paqe!Duajeni Amerikën, vendin më demokratik në botë dhe i mundësive më të mëdha.Zoti e bekoftë Amerikën!Zoti e bekoftë Shqipërinë!Në këtë aktivitet kishte miq të ftuar si tenori Isli Ademi, Kledi Roda president i parë i klubit dhe Fatime Dukova ish presidente e klubit.Pjesëmarrësit u argëtuan me ushqime të shijshme tradicionale shqiptare si dhe vazhduan me aktivitete dhe ceremoni të tjera sportive.Të gjithë të rinjtë kudo ku janë, nxënësit e Alba Life dhe studentët shqiptarë nëpër Kolegje janë e ardhmja e diasporës, ata janë dritë kombëtare që duhen mbështetur për të fluturuar të lirë si shqiponja në hapësirat pafund. Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar te gjithëbashkëkombasve tanë!
30 Nëntor, 2021New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Kozeta Zylo

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 23
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT