• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Flet regjisori Vladimir Kasa dhe ëndrra e arratisjes për në Amerikë

June 4, 2016 by dgreca

Për gjithë sakrificën dhe vlerat estetike që i dhashë vendit tim, përfitoj sot një pension prej 70 dollarësh…  Vërtetë tragji-komike…  Nuk jam i penduar për gjithcka bëra, ndihem i fortë dhe energjik e me mendje të kthiejllët si në ato vite, por tashme me pjekurinë e moshës dhe një akumulim artistik që dhëntë zoti ndodh ndonjë çudi…  Dhe çudirat ndodhin…  V.Kasa/

 Nga Bisedoi Keze Kozeta Zylo/

 Kam dëshirë ta filloj bisedën me ju për publikun artadashës me fëmijërinë tuaj, cilat janë kujtimet gjatë kësaj periudhe dhe çfarë vendi kanë zënd në memorjen tuaj?  Janë realizuar ëndrrat e fëmijërisë suaj dhe a kanë qenë ato ëndrra katalizator për t’u lidhur me botën e artit?

 –Në botën magjike të artit jam futur krejt rastësisht.  Në vitin 1968, vazhdoja vitin e fundit në gjimnazin e Pukës i detyruar të ndihmoja familjen e vëllait, i cili ishte transferuar atje.  Unë vija nga gjimnazi “Qemal Stafa” i Tiranës dhe kuptohet që u vendosa perballë një realiteti të mërzitshëm.  Regjisori shkodran Edmond Mëhilli, i sapoemëruar në shtëpinë e kulturës Pukë, më propozoi një rol në dramën “Hijet e Natës” te dramaturgut Vedat Kokona.

E pranova me kënaqësi duke menduar se thyente ditët e mërzitshme e të ftohta e pse nuk kisha marr pjesë kurrë në aktivitete të tilla artistike.  Roli ishte shumë i bukur dhe mbante pothuaj gjithë cfaqjen.  Fillova të punoja me një pasion të çmendur me vehten time.  Kaq shumë më bëri për vehte kjo punë, sa në çfaqjen që dhamë për publikun pata një sukses të jashtëzakonshëm.  E kështu pas një muaji shkuam në Elbasan në festivalin e trupave amatore, ku mora medaljen e artë si aktori më i mirë i festivalit dhe m’u propozua të futesha në Akademine e Arteve, dega dramë.  Kështu vura hapat e para në klasën e profesor Mihallaq Luarasit të cilit i jam mirënjohës për këmbëguljen e tij në largimin tim me studime ne Rumani.  Pasi mbarova vitin e dytë dega dramë, së bashku me një grup studentësh, shkova me studime në Rumani pranë Akademisë së Teatrit dhe Filmit “ION LUCA CARAGIALE”, Bukuresht.

Ju jeni një regjisor i mirënjohur në botën e kinematografisë shqiptare, cilat janë disa nga filmat e rëndësishëm kombëtar që ju keni realizuar?

 Filmi artistik “Streha e re” me regji të V.Kasaj dhe S.Pecani.

Kino Studio Shqipëria e re. 1976

Filmi artistik me dy seri “Ditët që sollën pranverën” me regjisor V.Kasaj. RTSh, 1978

Filmi artistik me dy seri: “Flaka e maleve” me regjisor V.Kasaj. RTSH, 1980

Filmi artistik “Inxhinieri i minierës”, me regjisor V,Kasaj. RTSH, 1981

Kino Komedia “Canta e zezë, me regjisor V.Kasaj. RTSH, 1984

Kino Komedia “Hapi sytë e zezë” regjisor V.Kasaj. RTSH, 1984

Filmi artistik me dy seri: “Rikonstruksioni” me regjisor V.Kasaj, fituesi i çmimit të madh Aleksandër Moisiu në festivalin e filmit në Tiranë, si filmi më i mirë i vitit.  RTSH, 1986

Gjatë xhirimeve ju keni pasur pranë aktorë kombëtarë mjaft të dashur për publikun, cilat janë disa nga momentet më pikante që do të kujtonit dhe çfarë më konkretisht? 

 E doja marrëzisht profesionin tim, e duke punuar në RTSH, që nga struktura mund ta krahasoj me gazetën, kishim lidhur jetën me të dhe nuk njihnim orar.  Kam realizuar me dhjetra teledrama me Teatrin Kombëtar, teatrin “Migjeni”, Shkodër, teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës, atë të Korçës apo Elbasanit dhe Fierit si dhe koncertin e madh të ndërrimit të viteve 1980, 1982,1984, 1987 që nga përmasat ishte produksioni më i rëndësishëm i vitit.  Qindra emisione humoristike apo koncerte në natyrë, me aktorët tanë më të mirë të humorit dhe këngëtarët e mrekullueshëm të vendit tim.  Kam pasur privilegjin të punoj me ajkën e artit Shqiptar, për të cilët ruaj kujtime të bukura.  Dua të veçoj këtu aktorët e humorit si Luftar Pajën, Tano Banushin, Skënder Sallakun, Aleko Prodanin, Ceken, Zef Deden, Gezim Krujën, Fadi Hasën, apo parodistët e Fierit dhe Vlorës.  Këngëarët tanë të mrekullueshëm, Vaçe Zela, Gaqo Cako, Avni Mula, Zeliha Sinën, Ema Qazimi, Luan Zhegu, Parashqevi Simaku e qindra të tjerë që të më falin se nuk mund t’i përmend në këto pak reshta.  Njerëz të përkushtuar dhe të devotshëm.  Më kujtohet në xhirimet e koncertit të madh të Vitit të Ri 1984, xhironim në skenën e Akademisë së Arteve, ora 03:40 e mëngjesit, ku duhet të vinte të këndonte V.Zela.  Dërguam makinën ta merrte në shtëpi dhe erdhi.  Po qeshte me ne, se na quante lugetërit e natës …  -Po mirë xhanëm nuk ju zë gjumi mbi pultin e regjisë?  Këndoi me atë zë të mrekullueshëm edhe pse e kthyem disa herë…  Kur po ikte më tha: “Vëre dorën në ballë”.  Ishte shumë e nxehtë.  Kam qenë me 39 gjithë ditën vazhdoi artistja.

Qeshi dhe u largua.  Në një nga këto netët e lodhshme më kërkon drejtori i përgjithshem i RTSH-s, Marash Hajati.  Lashë montazhin dhe shkova.  Si është puna me filmin që keni xhiruar në Cakran të Fierit, më tha?  Unë ngela i befasuar se nuk po kuptoja se për çfarë e kishte fjalën…  -Keni marrë një gomar ku hypën Luftar Paja? -Po i thashë… -Duhet ta hiqni nga filmi, se është ngritur organizata bazë e fshatit dhe ka dërguar letër në Komiteti Qendror, pasi gomari është i një të deklasuari…Ju mund të qeshni… por gomari u hoq dhe na detyroi të rimontonim filmin duke parë çdo kuadër se mos dilte koka apo pëlliste diku jashtë kuadrit.

 

Ju keni disa foto me legjendën e Teatrit Kombëtar Kadri Roshin, cili ka qenë bashkëpunimi me të dhe tematika qe aktori pëlqente më shumë si dhe mesazhet që ai përcillte pranë jush në radhë të parë dhe pastaj për miliona artashës që e shikonin me ëndje?

 

Dashuria ime ishte kinemaja.  Kisha shumë ëndrra dhe vija me një informacion të kohës nga studimet në Rumani.  Këtë e ndjeja në punë me kolegët, me aktorët dhe me ekipin realizues të filmave.  Isha shumë egzigjent në punë dhe kërkoja në radhë të parë disiplinë, sepse vija re një lloj indiference nga teknika.  Filmi është art kolektiv dhe nëse nuk funksionojnë të gjitha hallkat në perfeksion ndikon në anën artistike të tij.  Këto raporte kisha krijuar dhe me aktorët, për të cilët dua të theksoj se kisha fatin të punoja me gjigandët e artit skenik si, Kadri Roshi, Robert Ndrenika, Ndrek Luca, Roza Anagnosi, Reshat Arbana, Serafin Fanko, Sander Prosi, Sulejman Pitarka, Bep Shiroka etj.  Isha shumë i ri në moshë dhe puna me ta më mësoi shumë.  Shpesh në shesh të xhirimit shumë gjëra ngecnin për një arsye apo tjetrën, por falë eksperiencës dhe urtësisë së këtyre aktorëve të mëdhenj unë bëra një shkollë të dytë, atë të mjeshtërisë së aktorit.  Vetëm me punë dhe vetëm punë me përkushtim, u formova si artist.

Ky ishte leksioni më i mirë që mora prej këtyre akorëve të mëdhenj…

 

Ndër figurat historike kombëtare keni menduar ndonjëherë për të realizuar një film rreth Ali Pashë Tepelenës dhe për cilin aktor mendoni se do të ishte më i përshtatshëm?  Vetë  qyteti i Tepelenës, kalaja aq pranë , rrugicat e ngushta, lumi Vjosa dhe ura e drunjtë  që  lidh qytetin me vendet e tjera janë  frymëzim i magjishëm për artistët, cili është  opinioni juaj?

 

Unë jam nga Tepelena dhe fatmirësisht kam jetuar aty dy vjet.  Gjithmonë e admiroj këtë vend në kujtimet e mia, sepse vërtet aty kishte gjëra përtej imagjinatës.  Si djali i Cavoit pasi kështu ma kishin vënë nofkën shokët ndihesha komod dhe shumë shpejt u përshtata me ta.  Isha tip sportiv dhe u bëra pjestar i ekipit të basketebollit me Minatorin e Tepelenës që merrte pjesë në kategorinë e dytë.  Njoha shumë njerëz të mrekullueshëm që punonin me përkushtim si pedagog, sportist apo artist, me të cilët kam mbajtur lidhje të vazhdueshme dhe në këtë kontekst nuk kishte si të kalonte pa u ndjerë figura e Ali Pashe Tepelenës.  Në atë kohë qarkullonin shumë legjenda të cilat dëshironim ti preknim në rrënojat e kalasë, sic ishte tuneli që lidhte kalanë me fshatin Damës (ashtu flitej në atë kohë mes nesh)…  Kalon poshtë Vjoses thonin dhe ne që nuk lamë brimë pa kërkuar, apo cdo relike që gjenim e ruanim si hajmali pasi mendonim se na sillte fat.  Shpesh kur shkoja i papërgatitur në mësim, i lutesha një pafilleje që kisha gjetur në kala për të mos u ngritur në mësim dhe cuditërisht funksiononte.  Kështu u mitizua Ali Pasha tek unë dhe ndihesha i detyruar të bëja dicka për të.  Dhe momenti erdhi kur lexova novelën e Kico Blushit “Koka e prerë”.  Kisha shfletuar shumë për të, por kjo më ngjiti dhe fillova të skicoja sekuencat e para.  Në një ditë të bukur kur xhironim filmin “RIKONSTRUKSIONI”me mikun tim aktorin e madh Kadri Roshi dolëm për të gjuajtur peshk në det të hapur.  Ja hodha si ide.  Më pa dhe u emocionua…

E kuptova menjëherë se e ngacmoi mendimi për të luajtur rolin e këtij njeriu të madh… I thashë se doja ta vendosja në kalanë e Porto Palermos përsa i përket xhirimeve në exterier… Fillova t’i flisja gjithë kohës se më kishte hypur delli I frymëzimit dhe pasi më la te flisja pa më ndërprerë, më kapi nga dora dhe me sytë që i shkëlqenin më tha: “Ndoshta do të kem fatin ta luaj sa të jem gjallë”. …Por as ai dhe as unë nuk patëm mundësinë për të realizuar këtë film historik, të parin e këtyre përmasave.

Ndryshimet demokratike të vitit 91, shkatërruan përfundimisht ëndrrën tonë…

Do thoni ju, kush të pengon, bëje tani!…

Mos harroni qe filmi është industri dhe me mundësitë financiare të vendit tonë është absurde ta mendosh.

 

Filmi “Lulëkuqet mbi mure” është një ndër filmat me shikues më të shumtë, ku ju bashkëpunoni ngushtë me regjisorin e shquar Dhimitër Anagnosti cilat janë disa nga vështirësitë qe keni pasur në realizimin e këtij filmi me aktor brilant si Kadri Roshi etj?

 

Bashkëpunimi me regjisorin Dhimitër Anagnosti në filmin “Lulëkuqet mbi mure” ka qenë shumë konkret, pasi jam marrë me zgjedhjen e trupës së fëmijëve të jetimores.  U desh të seleksionoheshin rreth 500 nxënës të shkollave të ndryshme të Tiranës nga ku doli ai grup i vogël i mrekullueshëm aktorësh.  Puna me fëmijët aktor më afronte më shumë me ta, pasi edhe vetë isha në një moshë të re dhe për më tepër skenari i filmit më kishte bërë për vehte, e ashtu sic është shprehur edhe Taqo (kështu i flisnin Dhimitrit) gjetëm njeri tjetrin. Unë solla në këtë film

atë energji dhe akumulimin artistik të përfituar në shkollën rumune, që për hir të vërtetës mund të them që ishte në nivele botërore dhe të mësonte vërtetë ABC-n e kinemasë.  Atë që admiroja tek Taqo ishte disiplina dhe përkushtimi ndaj punës, për të mos folur pastaj për eksperiencën shumëvjecare në kinema.  Dhimitri kishte mbaruar shkollën ruse për operator dhe kjo i jepte avantazhin e madh në ndërtimin e mizaskenave, ndërsa unë fusja në lojën e fëmijëve pikërisht ato çapkënllëqe të fëmijërisë sime.  Në punë kam kërkuar gjithmonë te futem në psikologjinë e personazhit duke e pasuruar ate nga jeta ime, për të thënë gëithmonë diçka të re dhe mos të përsëriteshin klishe të mërziteshme.  Sigurisht kjo ndërthurje mes lirisë time personale të përfituar në vitet e studimit jashtë shtetit dhe llogjikes racionale të Dhimitrit, ndryshuan shumë episode nga skenari fillestar duke realizuar nje film ikonë të kinematografisë shqiptare. Xhironim me Kadri Roshin episodin që fëmijët i lidhin një spango te shkallët për tu hakmarrë ndaj tij. Morëm një akrobat të cirkut që do bënte rolin e kaskadorit në rrëzimin tek shkallët. Shikoja Kadriun që vinte vërdallë nëpër atelier dhe për një moment më mori mënjanë duke më thënë se donte ta bënte vetë pengimin tek shkallët, por unë i thashë se do vritej dhe nuk ja lejonte mosha.

Jo, jo,më tha!  I thashë Taqos dhe pasi nguroi disa çaste u futëm në xhirim. Ajo rënia akrobatike e bërë nga Kadriu u bë disa herë dhe kjo për faj të tij se nuk arrinte atë që donim.  Në dublin e katërt e mbyllëm me sukses dhe të gjithë shkuam të përgëzonim Kadriun.  Hajde këtu më tha, duke më futur pas kuintave.  Ngriti bluzën dhe më tregoi kurrizin e mavijosur dhe të enjtur. Me erdhi shumë keq.  Të hëngri vetë b…i thashë dhe e përqafova.  Në historinë e filmit shqiptar nuk mund të le pa përmendur këtë kastë të mrekullueshme aktorësh pa të cilët nuk mund të kompletohej gjerdani i bukur i kinematografisë.

 

Ju jeni regjisor i filmit “Flaka e maleve” me një tematikë mjaft interesante dhe intriguese cila ka qenë puna juaj konkretisht dhe si bashkëpunuat me aktorët dhe banuesit e zonave ku xhiruat filmin?

 

Filmi “Flaka e maleve” mund të them pa frikë se ka qenë filmi më i vështirë në karierën time. Kisha menduar ta vendosja në zonën e Malësisë së Madhe për ashpërsinë dhe bukurinë e mahniteshme që mbarte në vetëvehte, kështu që u stacionuam në Selcë, afër Vermoshit, në periudhën më të ftohtë të vitit, ku bora shkonte mbi një metër.  Që në ditët e para kuptova se sa vështirë do ta kishim për realizimin e filmit dhe ashtu ndodhi vërteë.  Makinat nuk ndizeshin nga i ftohti, bateritë e kameras (filmi eshte xhiruar në elektronik) nuk mbanin e shkarkoheshin shpejt dhe shumë telashe të tjera që sot kur i kujtoj më zë frika, por mirë thonë që pasioni për punën të bënë të harrosh çdo gjë.  Në këto kushte detyrohem të shpërngulem në Shkodër dhe ta vendos filmin në rrethinat e saj në Bogë, Koplik, Leqet e Hotit, për xhirimet jashtë dhe Shkodër të gjitha interieret në mjedise reale.  Por kjo kërkonte te ndryshoja çdo gjë në skenarin tekniko-regjizorial.  Ai që është profesionist e kupton më mire se çdo të thotë.  Punoja gjithë natën mbi skenar që të nesërmen të isha gati në sheshin e xhirimit.  Filmi i bënte jehonë ngjarjeve të kryengritjes së vitit 1911, në Malësinë e Madhe, por unë dëshiroja të theksoja shpirtin liridashës të shqipetarëve për të rritur ndërgjegjen kombëtare në Kosovë pasi aty kishin filluar levizjet e para për Pamvarësi.  Ndrek Luca ishte në rolin kryesor, ky aktor i madh, kishte kohë që ishte njohur me skenarin dhe në ndryshim nga të tjerët punonte në detaj me personazhin duke i veshur petkun e malësorit dukagjinas prej nga kishte origjinën e tij.  Ansambli i aktorëve u kompletua me trupën e Teatrit “Migjeni” Shkodër, me të cilët kisha bashkëpunuar ne filmin “Ditët që sollën Pranverën” dhe njihja shumë mirë karakteret e secilit.  Ajo që ndodhi më vonë kur filmi mori miratimin për vizionim në publik është e trishtueshme, sepse shumë episode u hoqën me motivin se aludonte me ngjarjet në Kosovë dhe kuptohet që mua më dhëmbi jashtë mase sikur më hoqën një pjesë të trupit tim.  Por më e dhimbshme për mua si krijues ishte coptimi i gjëmës episodi i vajtocave, që në konceptin tim ishte nje spektakël homerik real me vlera kolosale të traditës shqiptare të cilat sot i ka asimiluar koha.  Filmi pati vertetë një jehonë të madhe në Kosovë dhe diasporë, si dhe anë e mbanë e për mua nuk kishte vlerësim më të madh se urimet që merrja ngado.

 

Sot mjaft filma shqiptarë janë nën konstruktim, e mirëpritët këtë ligj?  Çfarë ndryshoni konkretisht tek filmat e mëparshëm dhe pse, ndërkohë që historia është histori dhe i lihet asaj me gjithë vërtetësinë që mbart?

 

Filmi shqiptar po përjeton një situatë të vështirë në shumë drejtime.  Në radhë të pare dhe që për mendimin tim është financiar, sepse fondi i caktuar nga buxheti i shtetit për qendrën kombëtare të filmit është i pa përfilleshëm, pothuaj qesharak dhe e dyta, ne sot nuk kemi salla kinemaje të cilat janë apo nuk janë 3-4 të tilla.

Ky fenomen nuk ndodh vetëm tek ne, sot ka vende të Europës me traditë dhe shumë herë më të fuqishëm se ne, që ka një rënie të theksuar të filmit artistik.  Unë mendoj se futja dhe progresi i madh që po ndodh në elektronikë, sic janë televizionet, po sfidon dita ditës kinemanë dhe që ajo më kryesorja, Hollivudi, ky gjigand i kinematografisë botërore ka përqëndruar rreth vehtes ajkën e aktorëve në botë dhe e kanë kethyer në industrinë më fitim prurëse.  Shikoj në ekranet e TV tanë që transmetohen pothuaj çdo ditë filmat tanë dhe ndiqen me shumë vëmendje nga të rinjtë edhe pse në mënyrë pirateske, pasi janë shumë pak TV që derdhin detyrimet në shoqatën tonë të mbrojtjes së të drejtave të autorëve.  Kam dëgjuar që është një projekt për digitalizimin e TV shtetëror dhe do isha shumë i lumtur që gjithë arkivi i këtij TV (ai që ka mbetur) të mund të arkivohej përsëmbari pasi një nga filmat e mi Ditët që sollën Pranverën (2 seri) i cili është montuar në magnetoskop amerikan AMPEX, nuk mund të transmetohet, pasi kjo lloj paisje nuk figuron më në përdorim.  Ju doni të dini dhe me të drejte shtroni pyetje rreth ndryshimit të këtyre dy epokave.  Sistemi komunist kohë në të cilën dhe janë realizuar këta filma, investonte shumë në anën ideologjike edhe pse njerzit jetonin në mizerabilitet. Orientimi kryesor në fushën e artit si filmi, muzika apo teatri ishte paraqitja e gënjeshtërt e atij realiteti dhe kufizimet ideore të realizmit socialist.  Shumë nga ju nuk e dinë se miratimi i një filmi për t’u shfaqur në publik bëhej nga një komision i ardhur nga komiteti qendror të cilët nuk kishin idenë se nga binte filmi.  Kështu ndodhi me filmin “Flaka e Maleve” apo “Lulëkuqet mbi mure” ku po të vini re një episod si: “mbledhjen e celulës komuniste” duket si çiban në film dhe motivonte rolin e partisë në strehën vorfnore… Qesharake.  Ky paradoks sot duket shumë i largët, por ne që i perjetuam nuk mund ti harrojmë kollaj, apo ajo që mua më tmerronte ishte fakti që pasi i vritej babait diku djali ne kufi…, babai, deklaronte… “Ja bëj hallall gjakun e tim biri partisë”!…  Sigurisht këtij prindi thellë thellë ja dinte shpirti për humbjen tragjike…

 

Ka ndonjë peng regjisori Vladimir Kasa?

 

A kam ndonjë peng?  Eshtë një pyetje që do të jap tri pergjigje, që kurë nuk i kam publikuar më parë.  Në Korrik të vitit 1982 u martova me një pianiste shumë të bukur nga një familje profesorësh të respektuar e quajtur Valbona Kasaj (Shehu) sot pedagoge me emër pranë Liceut Artistik “Jordan Misja”,Tiranë.  Fati na bashkoi për jetë dy artistë, njera koncertiste dhe plot ëndrra për të ardhmen e saj dhe unë që kisha nisur rrugëtimin tim në kinematografi.  Të vendosur perballë këtij realiteti kuptohet që dikush nga ne të dy duhet të sakrifikonte  dhe të tërhiqej nga ëndrra e tij për t’u marrë me fëmijët, pasi dhurata e parë e Zotit, ishn dy mrekullitë, Alba dhe Flori.  I jam borxhli Vabonës dhe sinqerisht e kam pasur peng  gjithë jetën për sakrificën e bërë, duke më dhënë mundësinë mua ti përkushtohesha profesionit.  Ajo diti të edukonte dhe të rriste dy fëmijë për të cilët jemi krenar, e me një vullnet të jashtëzakonshën u rrit nga ana profesionale ne fushën pedagogjike, duke vendosur bazat e një shkolle të re pianistike, gjë që solli breza të tërë pianistëh që debutojnë sot në skenat amerikane dhe europiane.

Pengu tjetër lidhet me vajtjen time në Romë-Itali në vitin 1989 për blerje filmash në llogari të RTSH-s.  Pas pune ku viziononim me dhjetra filma dhe kalonim ne “site” pranë në studio produksioni italiane, në mbrëmje me miqtë tanë, shkonim në klubin  e artistëve që ndodhej në një lagje shumë të bukur të Romës për të pirë ndonjë kafe.  Aty pata mundësinë të takoja mes të tjerëve dhe shkrimtarin e madh Italian A.Moravia, por ajo qe dua të veçoj është takimi me regjisorin e talentuar dhe shumë të njohur aso kohe Francesco Nutin.  Diskutuam gjatë së bashku për kinematografinë italiane, për plejadën e aktorëve të papërsëritshëm, për shkollën italiane të kinemasë që solli një revolucion në botën e artit, e shumë, e shumë tema të tjera që isha kurioz qysh në rininë time dhe kuptohet që pastaj i kthyem sytë për kinematografinë shqiptare të cilën ai nuk e njihte fare.  Flisja me pasion se kisha ç’të tregoja thoja duke ngritur vlerat e regjisorëve dhe aktorëve tanë.  Aty nga fundi i bisedës dola dhe tek krijimtaria ime duke i treguar që tashmë në këtë histori të kinemasë shqiptare, renditeshin dhe tetë filmat artistik të realizuar prej meje.  Pashë që më shikoi me habi.  Shume i ri më tha për një prodhimtari kaq të madhe dhe pas një pauze qeshi duke shtuar…”Me siguri duhet të jeni shumë i pasur”!  Nuk fola dhe pa dashur më shkoi mendja kur isha student në Rumani.  Ne vitin e dytë të shkollës më lindi ideja të arratisesha në Amerikë pasi mundesia e ikjes ishte shumë e lehtë. Fillova ta bluaja në kokë gjithnjë e më tepër këtë ide, por nuk guxoja ta bisedoja me njeri.  Kisha filluar të kisha emocione dhe natën më zinte gjumi shumë vonë. Pikërisht atë vit duke ecur rrugëve të Bukureshtit me dy shoqet e mia pianisten e njohur Nora Cashku dhe violinisten e talentuar Rajmonda Koço

(gruaja e dirigjentit Eno Koço) pësova një perforacion akut në stomak që falë mikeshave te mia përfundova në urgjencën e spitalit më të afërt.  Nuk kisha vuajtur kurë nga stomaku pasi gëzoja një shendet shumë sportiv dhe mendoj se pikërisht ideja e aratisjes time më krijonte vazhdimisht një pështjellim në fund të barkut.  Nejse, u operova dhe çdo gjë kaloi me sukses e pas dy ditesh më erdhi konsulli ynë me makinë për të shkuar në ambasadë ku familja ime ishte shumë e shqetësuar dhe donte të sigurohej nëse ishja mirë.  Fillova të flisja me nënën time e cila vetëm qante…qante…qante…!  E doja marrëzisht atë njeri të mrekullueshëm dhe teksa po mbaronim bisedën më tha ashtu e mekur: “Më ka marrë malli bir, mezi po pres të shoh”!  Atë natë nuk fjeta fare… Më dilte fytyra e nënës sime, babait, vëllezëreve dhe motrave të mia… Mendoja aratisjen time… Mendoja pasojat që do kishte familja ime… Mendoja nënën time… Do t’i fusja në gropë të gjithë… Ky ishte pengu i fundit që kurrë nuk ja thashë njeriu, por atë natë me Francesco Nutin më erdhi ndërmend dhe e kapërdiva me vehte…

 

Çfarë sollën në jetën e Vladimir Kasaj ndryshimet që ndodhën në Shqipëri pas vitit 91?

 

Asokohe ishim të çoroditur dhe gjëja e pare që më shkoi ndërmend doja të kethehesha pas disa vjetësh në Rumani, për të vetmen arsye  se kisha nostalgji për vitet e shkollës dhe më kryesorja për të takuar shokët e mi, të cilët nga viti 1974 nuk dinin gjë fare për fatin tim, sepse  largimi i të gjithë studentëve shqiptar u bënë mënyrë misterioze dhe të fshehtë, që siç mësuam më vonë” rrezikoheshim të bëheshim kontigjent i agjenturave të huaja, e gjepura të tilla.

Mendoni çfarë butaforie dhe ç’ishte në gjendje të fabrikonte regjimi komunist!  Kështu një natë të ftohtë Marsi pa dijeninë e askujt na mblodhën dhe na nisën drejt Tiranës. Kisha shumë emocion kur u riktheva në Bukuresht.  Më dukej se nuk kishte ndryshuar asgjë. Gjuhën edhe pse nuk e kisha përdorur fare gjatë këtyre viteve e flisja në mënyrë të përsosur.  Mendoni ti fanepsesh krejt papritur dikujt, që pasi ke qëndruar e punuar së bashku vite të tëra apo ndonjë zemre të lënduar largohesh pa pikë politese duke mos i dhëne as dorën.  Çaste vertetë të paharrueshme, përqafime. Por ajo që dua të theksoj ishte fakti se në ato ditë u njoha me një rumun të amekanizuar të quajtur Vasile Boleanu dhe shkëmbyem numurat e telefonit (kuptohet numurat e shtëpisë se celularin nuk e njihnim akoma).  Ky njeri punonte për llogari të një TV amerikan.  Nuk kaluan as tre muaj kur ky person më merr në telefon nga kufiri i Qafë Thanës e më lutet të shkoja ta merrja pasi kishte ardhur me grup xhirimi dhe kishte frikë të udhëtonte nëpër Shqipëri.  Flasim gjithmoë për vitet 92 kur vërtet situata ishte kaotike.  Nuk kam ndërmed të zgjatem se çfarë mikpritje dhe sigurie i krijova këij njeriu dhe grupit të xhirimit.  Realizuam dy filma dekumentar me metrazh të gjatë falë mundësive dhe njohjeve të mia.  E futa dhe xhiroi nga t’i donte e bardha zemër.  Mblodhi kapele ushtarësh e policësh, rrypa mezi dhe helmeta ushtarakësh bile dhe një copë nga statuja e bronztë tashmë të rrëzuar e Stalinit që ishte vendosur përball hotel Dajtit, pasi siç më tregonte, atje në Amerikë kishte një muze personal shumë interesant.  Siç duket i pëlqeva me punën time këtij miku, se realizimi i dekumentarëve u bë falë punës dhe pervojës shumëvjeçare që unë kisha tashmë.  Kam ardhur me mendimin më tha që ty Vladimir mos të dhëmbi koka gjithë jetën…  Ishte fillimi i një rruge të panjohur për ne dhe sinqerisht besonim qorazi në ndonjë mrekulli.  Krijuam firmën “Technical Media Cooperation”, ai president dhe unë zv/presidenti i firmës me perspektivën e ngritjes së një TV privat që do punonte për llogari të një kanali amerikan ku ai punonte.  Ide që unë qysh në fillimet e ndryshimeve demokratike më kishte lindur dhe po e përpunoja në kokë.  Bile kur e diskutoja me koleg më shikonin me habi, pasi ishte koha kur ekonominë e tregut dhe unë që fillova nga të parët të flisja për të, më quanin xhambaz, fjalë e shëmtuar, por ky ishte koncepti komunist i asaj kohe.  U la me këtë rumunin e amerikanizuar të dërgonte një kamera dhe një magnetoskok pasi operatorë të mrekullueshëm nuk mungonin edhe këtu e të merresha me lajme të ndryshme të rajonit që në ato kohë vlonte i tëri.  Që mos të bëhem i lodhshëm ëndrra vazhdonte deri në momentin që shiti filmat me një vlerë marramendëse për kohën dhe su bë më i gjallë.

I dashur lexues, nëse dikujt i bie rasti ta takoj këtë njeri diku andej nga Amerika, i thoni se me idenë që pati e me pak shpenzime në ngjarjet që ndodhën në Shqiperi, si në 97-ën dhe Kosovë, do siguronte lajme që do t’i dhjetëfishonin pasurinë e tij, nëse ishte i tillë dhe mua do më kishte një nga mediat më të fuqisheme, kur TV private këtu filluan pas 10 vjetësh me vonesë. Kështu i zhgënjyer mendova të mbijetoj duke parë se puna në TV Shqiptar dhe prurja e militantëve anonim si dhe paga qesharake për të përballuar jetën më detyruan të gjeja rrugë të tjera jashtë profesionit tim, por rrugë të ndershme!

Dhe në këto reshta të fundit dëshiroj t’ju falënderoj ju znj.Kozeta që më dhatë mundësinë t’i rikethehem pas shumë vitesh magjisë së artit të shtatë ku unë kisha vënë jetën dhe ëndrrën time.  Vërtetë rrëfim i dhimbshëm siç u shprehët ju, por mendoni një jetë të lënë në mes dhe një mosmirëjohje për atë që ngritëm me aq dashuri dhe sakrificë.  Mund të thoni që fajtor jeni ju për shkëputjen totale nga profesioni.  Edhe unë ja kam bërë këtë pyetje vehtes dhe sinqerisht më ka munduar ky mendim për shumë kohë, por nuk jam i vetmi ndër kineastët shqiptarë që u ndodhëm perballë një realiteti të tillë.  Motivet janë të shumta dhe nuk kam ndërmend ti rendis ato këtu, por di t’u them se për gjithë sakrificën dhe vlerat estetike që i dhashë vendit tim, përfitoj sot një pension prej 70 dollarësh…  Vërtet tragji-komike…  Nuk jam i penduar për gjithcka bëra, ndihem i fortë dhe energjik e me mendje të kthiejllët si në ato vite, por tashme me pjekurinë e moshës dhe një akumulim artistik që dhëntë zoti ndodh ndonjë çudi…

Dhe çudirat ndodhin…

 

Qershor, 2016

Staten Island, New York     

Filed Under: Interviste Tagged With: endrra e arratisjes, Keze Zylo, ne Amerike, Regjisori, Vladimir Kasa

Me pastorin amerikan Steve Galegor që flet një shqipe të kulluar

May 24, 2016 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/Pastori amerikan Steve Galegor me thjeshtësinë e tij në rrugën e Zotit ka ditur të fitojë zemrat e mjaft shqiptarëve jo vetëm në Amerikë, por edhe në Shqipëri dhe trojet shqiptare.  Shqipja e kulluar që përdor në komunikim me njerëzit e bëjnë dhe më të dashur midis.

Këto ditë në ishullin Staten Island një lagje e bukur në New York shqiptarë të shumtë u mblodhën në një takim me pastorin Steve Galegor.  Shumë prej tyre në bisedë të lirë shprehnin dashurinë dhe kënaqësinë që mblidheshin së bashku për të shkëmbyer mendime dhe për të folur rreth fjalës hyjnore të Zotit.  Me plot mirëseardhje na priste tek dera e hyrjes Melania, bashkëshortja e Pastorit Steve Galegor një grua ëngjëllore amerikane që ka vite që është midis shqiptarëve.  Ata të dy së bashku festojnë çdo vit Ditën e Flamurit Klombëtar Shqiptar duke i zbukuruar mjediset në kishën amerikane në Nju Xhersi ku Galegor është pastor dhe shqiptarë dhe amerikanë mblidhen si një familje së bashku për të respektuar Ditën tonë të shenjtë kombëtare.

E veçanta e këtij takimi në Staten Island midis nesh ishte se ishin mysafirë të ftuar nga Peja e Kosovës si pastori Gani Smolica me bashkëshorten e tij znj.Adile.

Z.Smolica dëshmoi pranë bashkatdhetareve te tij rrugen e gjatë dhe të vështirë që bëjnë për kishën e tyre në Pejë.  Z.Smolica ka mbaruar universitetin për gjuhë të huaja anglisht  dhe tregoi lidhjet e shumta me misionarë të Zotit dhe dashurinë e njerëzve për Fjalën e tij Hyjnore.

Ata e kishin ngritur kishën në Pejë mbi shtëpinë e një serbi i cili e kishte shitur më parë.  Shtëpia e Zotit mblidhte midis besimtarëve krisitian dhe  njerëz myslymanë apo te feve të ndryshme.  Fjala e tij elekuente dhe puna plot përkushtim tregoi dhe njëherë forcën e Zotit dhe frymëzimin që ju jep në çdo moment të jetës.

Me shumë dhimbje tregoi per luftën që kishte përjetuar në Kosovë ikjen e madhe të popullit të Kosovës nga tmerret e kriminelëve serbë.

Ai së bashku me familjen në kohën e luftës u sistemua në Tiranë ku kishte strehuar dhe ndihmuar në apartamentin e tij 35 kosovarë.  Më duhet të shtoj këtu se gjatë luftës në Kosovë pastori Steve Galegor ka jetuar disa vite në Korçë dhe ka strehuar në shtepinë e tij familje të Kosovës.

Në ekran u shfaqën ndër vite puna e madhe me njerëzit që bëhej në Kishë në Pejë si dhe ndihmat e ndryshme qe u jepeshin të vobektëve pa dallim feje.  Me dhimbje u përjetua dhe dëshmia për një djalë që kishte humbur të atin e tij në luftë, ku serbët ia kishin pushkatuar në sytë e tij duke i thënë:  Ne do të vrasim babain, por nuk do të vrasim ty sepse duam që ta përjetosh për gjithë jetën humbjen e tij.  Djali nga shoku në tru që pësoi për ngjarjen makabre që pa me sytë e tij nuk foli dot për 6 muaj.  Por me kujdesin e njerëzve, të kishës, të miqve të shumtë arriti që të hyjë në jetën aktive duke vepruar normalisht në çdo gjë.  Gjatë luftës në Kosovë me serbët  dramë kishte pësuar dhe kampioni i peshëngritjes z.Esat Kica i cili ishte anëtar në bashkësinë e kishës në Pejë dhe shpërndante me adhurim Fjalën e Zotit.

Dëshmia e z.Gani Smolica u mirëprit me mjaft interes nga bashkatdhetarë.  Pas kësaj Pastori Galegor na ftoi për kafe dhe ëmbëlsirë ku pjesëmarrësit bisedonin dhe ndanin histori të ndryshme me njeri tjetrin.

Ishte një mbrëmje e bukur midis motrash dhe vëllezërish shqiptarë nën shoqërimin e pastorit amerikan Steve Galegor i cili flet një shqipe të kulluar dhe me humanizmin e tij ka ndihmuar mjaft shqiptarë në nevoja të ndryshme, ndaj dhe shqiptarët i shprehin mirënjohjen e pakufishme për tërë jetën.

 

Fund maji, 2016

Staten Island, New York

 

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Zylo, Me pastorin amerikan Steve Galegor që flet, një shqipe të kulluar

Jadigjar Luzaj, i persekutuar politik që në moshën 6 muajsh

May 22, 2016 by dgreca

 “Unë linda njeri, dhe dua të vdes njeri.” Këtë thënie të Gëtes e kam pasur si prioritet në jetë dhe e stimulojë dhe tek fëmijët e mi./

Bisedoi Keze Kozeta Zylo/

 Zoti Luzaj, na flisni ju lutem për familjen tuaj dhe si e keni përjetuar fëmijërinë në Shqipëri?

Zonja Zylo, në radhë të parë dëshiroj t’ju falenderoj për interesimin tuaj ndaj meje dhe familjes sime.Jeta ime është ashtu si dhe e qindra e mijëra fëmijve të brezit 1944, të cilët mbetën jetim apo gjysmë jetim si unë. Unë linda me fat të keq për vete dhe Atdheun. Baba, mbas ardhjes në fuqi të diktaturës së egër komuniste në nëntor të vitit 1944, me dy kushërinjtë e pare professor Isuf Luzaj dhe vëllain e tij, Ifraim Luzaj u larguan nga Atdheu. Në atë kohë, unë isha vetëm gjashtë-muajsh. Qysh atëhere filloi kalvari i vuajtjeve tona.

Babai juaj u  arratis, çfarë u bë me familjarët që nuk u larguan dot nga Shqipëria?

Pothuajse të gjithë më të mëdhenjtë përfunduan nëpër burgje, që nga gjyshi dhe deri te xhaxhallarët. Unë dhe nëna, kur në shtëpi mbetën vetëm gyshja dhe dy hallat, na u desh të shkonim të jetonim tek vëllezërit e nënës në Kaninë. Shteti i diktaturës shtetëzoi gjithcka, dhe na la shumë pak tokë për t’u ushqyer. Unë bëra tre vjet të shkollës fillore tek dajot, deri sa doli gjyshi nga burgu.

Në vitin 1954, shkova në Vlorë me nënën. Gjyshi na kish bërë një kasolle në oborrin e shtëpive tona, mbasi në ato jetonte sekretarja e Gaqo Neshos me familje. Aty, me rrogën e nënës punëtore 4300 lekë, m’u desh të kaloja të gjithë fëmijërinë time deri ne mbarim te shkollës së mesme në vitin 1962.  Megjithëse jetonim në qytet, unë studioja me kandil.  Për arsye të rezultateve të mira, kur diktatura dhe lufta e klasave ra një farë soji, m’u dha e drejta e studimit për fizikë, ashtu si edhe shumë fëmijë të tjerë të persekutuar.

E ushtruat profesionin tuaj pas mbarimit të studimeve?

Menjëherë pas mbarimit të studimeve, u emërova në Vlorë nga Ministria, por që Vlora më la pa punë. Aryseja dihetj i persekutuar, kondita të këqia politike. Më dhanë tri herë fletë pune për elektriçist, por asnjëherë nuk më pranuan në punë. Kjo ka qënë një nga periudhat më të vështira për mua, në këtë kohë vazhdonte të më ushqente nëna. Kur mbarova universitetin, ne të persekutuarit na conin jo në zborë tre-mujor si gjithë të tjerët, por dy vjet ushtar. Unë bëra vetëm një muaj e gjysëm dhe u lirova pasi në 1965’ën kisha kaluar një koncesion polmonar, dhe isha shtruar në senatorium. Kështu që mbasi shkova në spital ushtarak, u lirova dhe i shpëtova fermës ushtarake në Kakruk të Skraparit.

Cilat kanë qëne tmerret që ju keni ndjerë dhe parë me sytë tuaj?

Pasi dola nga spitali ushtarak, më kërkuan të shkoj si arsimtar në Zhep të Skraparit sepse kishte nevojë për arsimtar. Më kujtohet udhëtimi gjashtë-orësh nëpër malet e Skraparit, në Grykën e Dëvririt. Më zuri një dëborë e madhe që më arrinte deri në brez—nga Çorovoda dhe deri në Gjerbës. Isha i shoqëruar nga postieri i asaj zone. Me një çadër dhe një valixhe, mbërrita në Gjerbës dhe, një ditë më vonë, në Zhep. Zhepi ishte dy orë e gjysëm larg Gjerbës mbasi kaloje Lumin e Tomorricës. Në atë zonë të ashpër, ku shihje një qindarkë qiell me sy, sic thosh një mësues i persekutuar gjirokastrit, fillova punën si mësues. Atje gjeta mikpritje bujare të familjeve Skrapalie, dhe dashurinë e nxënësve që ishin më të mjeruar se Lulat e Migjenit. Ato ishin fytyra të bukura, por të zvenitura nga ushqimi i keq. Më dalin përpara syve këpucët e tyre të hapura—dukeshin sikur do kafshonin mësuesin.  Rrobat me aq shumë andra, nuk kish ku t’i kafshonte as qeni.

Atje, në Gjerbës, njoha mësuesin dhe mikun tim të persekutuar Ksenofon Dilon dhe një plak tepër fisnik mbi të 80’at. Plaku, gjysmë i kërrusur, ishte larguar në emigracion që nga 1900 deri ne 1912 në Turqi. Pastaj, ai ishte në Amerikë deri ne 1930, kur dhe u kthye në Shqipëri. Po e përmend këtë plak për dy tregimet historike të tij:Ai dhe disa të rinj Shqiptar kishin pritur me duar-trokitje Ismail Qemalin ne 1911 dhe ai iu kishte thënë: “mos duar-trokisni djema, se nuk kemi bër atë që duhet akoma për Shqipërinë” dhe që edhe sot nuk është bërë akoma ajo që duhet për Shqipërinë.

Ndërsa Abdul Frashëri, tregonte plaku, kur shkoi te Bismarku, ky i fundit e pyeti: “Ka shumë Shqipëria njerëz të mësuar si ti?” Dhe Abdyli iu përgjigj: “Po.” Ndërsa Bismarku i tha: “Ai komb, do 100 vjet me kërbaç dhe 100 vjet arsim dhe dituri, pa të hyjë në rradhët e kombeve.”

 Sa kohë qëndruat në Zhepe?

 Deri në vitin shkollor 1969-70, kur më transferuan më afër në Kakrut, midis Çorovodës dhe Poliçanit. Kjo m’u bë për hir të respektit që fitova nga populli i Zhepës, dhe nga Shefi i Seksionit të Arsimit. Kakruka qe një fat për mua, se dhe u fejova, dhe realizova një nga ëndrrat e bukura të mijat. Gjeta personin më ideal në jetë, që nuk do ta krahasoja as me një anëtare të Komitetit Qëndror, apo të Parlamentit—bij e një të burgosuri të dënuar me pushkatim, që për mungesë faktesh, iu kthye me jetë burg. Ajo pati njohur babën e vet përmes hekurave të Burgut të Burrelit. Ai kishte qën Emisar Politik i Ballit për zonën e Lumit të Vlorës, me pseudonimin “Besniku.” Ai ishte Neim Sheka nga Smokthina. Pas burgut, u internua në Smokthinë të Vlorës, në Bashaj. Bashkëshortja ime, Engjëllushja, është edhe mbesa e familjes të dëgjuar të Agajve. Ajo u adoptua nga halla e saj që të vazhdonte shkollën në Durrës—aty ku unë e pashë dhe e njoha për herë të parë.  Ne ditën e parë kur u fejuam, unë desha t’i thosha dy gjëra, ndërsa ajo më ndërpreu: “Nuk kam nevoj, i di të gjitha.” Ajo ishte e zgjuar, e mëncur, dhe shumë e shkathët. Më ka qëndruar besnike hap-pas-hapi, asnjëherë nuk më eshtë ndarë, e cilaë ka qenë shkaku kryesor që i kam shpëtuar burgut.

 Po ju u internuat?

Internimit i kam shpëtuar në 1965-67-en për arsye se isha student dhe i sëmurë. Dhe nënën si grua plakë, nuk e prekën. Internuan vetëm xhaxhanë me familje, dhe kushërinjtë e mij, fëmijët e Profesorit. Por, unë persekutimin më të madh e pata që nga 1973, kur u pushova me motivacion që të punoja si punëtor në një ndërmarrje periferike, bonifikim, dhe pikërisht në kavë të gurit për 17 vjet rresht—deri në 1990. Shokët kur më shihnin që kthehesha nga puna më thërrisnin “Zhan Valzhan,” (Jean Valjean) si personazhi kyresor i Hygoit, veprat e të cilit i lexoj gjithmonë. Kështu ndjehesha më krenar. Nuk më vinte keq që nuk ushtroja profesionin tim. Unë isha i kënaqur që kisha marrë me dije dhe kulturë për të jetuar jetën.

 Kur e krijuat familjen tuaj, a mendonit se një ditë do t’i realizonit ëndrrat për fëmijët tuaj?

 Për këtë, një motivim i parë në jetë ka qenë qysh në klasën e pestë, një thënie e akademikut të madhë Rus, Micurin, që thosh te teksti i Nina Potapoves: “Mej nje mozhjem zhdat millostiej ot prirodi, nasha zadash, zjatu njehjo.” Që  do të  thotë: “Ne nuk duhet të presim lëmoshë nga natyra, detyra jonë është t’ja marrim asaj.” Unë dhe ime shoqe jetuam në kushte shumë të vështira. Ajo ne fabrikë të cimentos me tre turne, dhe unë në gurore. Krijuam një familje të përvuajtur, por të lumtur. Me gjyshen dhe nënën, dhe xhaxheshën që një vit para se t’i dilte i shoqi nga burgu (mbas 14 vitesh), ra nga ulliri dhe u paralizua. Zoti na dha tre femijë—dy vajza dhe një djalë, të cilët janë kompensim i lumturisë tonë. Ëndrra jonë gjithmonë nuk ka gjetur prehje, ajo ka vazhduar përmes sakrificash të shumta dhe të vazhdueshme.

Ku ju gjeti përmbysja e diktatures dhe si e përjetuat hedhjen e bustit te diktatorit nga populli dhe klasa juaj?

 Përymbysja e diktaturës na gjeti në Itali. Fill mbas Ambasadave, me dhënien e pasaportave, tentuam të iknim, me përjashtim të gjyshes që ishte 100 vjece. Por, dikush na kish spiunuar,  dhe Sigurimi na ktheu duke na thënë që mund të ikte gjysma e familjes (me pretekstin tonë për të takuar xhaxhanë dhe babanë në Itali) dhe mbasi të kthehej gjysma, të shkonte gjysma tjetër. Mbas një jave, ika unë me dy fëmijtë e mëdhej, dhe xhaxhanë, me një peng në zemër që lash nënën, gruan, dhe vajzën e vogël gjashtë-vjece, Blerinën. Pa i humbur shpresat se e njihja mirë time shoqe, unë zbrita me tragetin e Otrantos në Otranto, dhe të nesërmen mbërrita në Venecie me tren. Me vete kisha $100 që m’i kish dhënë një kushëri. Gruaja, me 80,000 lekë që i kisha lën unë dhe me shkathësinë e saj, erdhi jo vonë pas meje. Ajo i dha lekët një miku të xhaxhait për të mundësuar ardhjen pa e marrë vesh Sigurimi. Vetëm dy njerëz të besuar dinin për ikjen e gruas—vëllai dhe një kushëri i saj nga Agajt. Dy ditë pas mbërritjes tonë në Itali, erdhi gjysma tjetër në Brindisi. Gruaja takoi xhaxhanë në Leçe, dhe u bashkua me ne në Mestre, ku jetuam pesë muaj e gjysmë.

Italianët u treguan shumë human, dhe na ndihmuan. Ata na gjetën shtëpi dhe punë për mua dhe për time shoqe. Në Itali përjetuam rrënien e bustit të diktatorit me lotë gëzimi. Aty e pamë që diktatura në lëngim po binte, po fitonim një gjë të madhe: Lirinë. Atë e ëndërronte edhe Ezopi. Nuk ështe pak. Por që kombi ynë të vihet në rrugë të mbarë, do kohë. Amerika eshtë një komb i madh, që ka parë një luftë civile të tmerrshme. Dy gjeneralët e saj—i Veriut dhe i Jugut—i dhanë dorën njëri-tjetrit dhe thanë do bëjmë Amerikën, dhe e bënë. Nuk quajtën asnjë tradhtar, dhe i quajtën të gjithë dëshmor të kombit. Nuk ka ndonjë ditë feste për këtë, kanë vetëm festën e Pavarësisë. Ne në Shqipëri duam dy festa. Harrojmë që ajo që na bashkon është 28 Nëntori dhe ajo që na ndanë është 29-ta. Kjo e fundit nuk na dha Liri, na dha diktaturë, robëri, gjysma e Shqiptarëve u arratisën, internuan, pushkatuan, apo burgosën.

Në ç ‘rrethana u takuat me babain tuaj dhe disa nga kujtimet tuaja që jetuat me të?

Nga Italia u larguam në 5 Mars 1991, ditën e eksodit të madh, me ndihmën e autoritetëve Italiane, pa garanci. Babai nuk guxoi të na bënte garanci për shkak se ishte rimartuar dhe bashkëshortja e tij ishte një person jo dashamirëse. Dhe për këtë, unë babën e lajmërova kur po nisesha nga Fiumicino, Aeorporti i Romës. Pasi mbërritem në Amerikë, ai na priti në Sarasota, Florida dhe jetuam së bashku me të për dy-tre javë. Më pas, shkuam në Clearwater, ku na ndihmoi dajua i sime shoqe, Daver Ago. Daveri na gjeti një shtëpi me qira dhe punë në një restorant. Ne kishim kursyer aq para në Itali sa për të filluar jetën. Restoranti ishte shqiptar, sepse ne nuk dinim as një fjalë anglisht. Prioriteti ynë kryesor ishte shkollimi i fëmijëve. Blerina filloi klasën e parë, për të cilën kishte bërë një javë në Shqipëri dhe tre muaj në Itali. Djali, Gentiani, vazhdoi shkollën e mesme. Vajza e madhe, Enkeleida, hyri në kolegj. Në Florida jetuam nga 1991-93, dhe më vonë u vendosëm në Michigan me punë, shkolla, dhe pare më të mirë.

Babai më tha një ditë në telefon: “unë e prisha në pleqëri, por unë e di që ti do ecësh se ke familje të mirë, të shëndoshë, dhe grua të mirë dhe të zonjën.” Dhe kështu ndodhi.  Dy fëmijtë e mëdhej mbaruan studimet te Unversiteti i Michiganit, e vogëla te Universiteti Wayne State. Ne vazhduam punë deri sa dolëm në pension në 2008’ën. Fëmijtë u punësuan rreth zonës së kryeqytetit amerikan me punë të mira.  Janë martuar me shqiptarë dhe shqiptare. Enkeleida dhe Blerina sejcila kanë një vajzë, Emma dhe Alba. Dhe djali ka një djalë dhe një vajzë, Andy dhe Sarah Shqiponja. Këto na kanë larguar stresin, na japin gëzim, dhe jetojmë të lumtur në vendin e Perëndisë, pa harruar Atdheun tonë.

Në vitin 1993, unë e çova babën në Shqipëri, dhe u takua me nënën e vetë. Ajo ndërroi jet në 1996, dhe babai ndërroi jetë në 1997.  Nuk arriti të na vizitonte dot në shtepinë e parë që blemë në Grosse Pointe Park, Michigan.

Ju jeni nipi i prof.Isuf Luzaj, një figurë intelektuale poliedrike. Sa ka ndikuar xhaxhai juaj në jetën tuaj dhe a shpresoni se një ditë të gjithë figurave të rëndësishme intelektuale kombëtare do t’u jepet vendi i nderit në Atdhe, pasi deri tani vazhdon historia si me parë, tejet e cunguar?

 Me Profesorin kemi komunikuar që në Shqipëri, që i kthente përgjigje sime shoqes me një letër të gjatë, ku i thoshte: “Në qoftë se je e bija e atij që kam njohur unë, Neim Shekës, je me të vërtetë një bijë Labe, trime, dhe e zgjuar.” Profesori dhe baba e donin shumë Engjë llushen.

Ne jemi krenar për xhaxhanë. Një kundërshtar në debate do më thoshte: “Ai nuk eshtë vetëm i juaji, është i të gjithëve ne.” Ai ishte një luftëtar trim, sa një herë do më thoshte mua në telefon: “Të gjitha fjalët e këqija mi kanë thënë, vetëm frikacak s’më kanë thënë.” Por ishte edhe një intelektual i shkallës sipërore, apo sic e quajnë “Filozofi Shqiptar.” Profesori ka qënë shumë largpamës. Ai më thoshte shpesh se Demokracia në Shqipëri do konsolidohet vonë, aty nga 2025’a, 2030’a. Në varrimin e dëshmorëve të Luftës së Dukatit, do hidhej në një brinjë, dhe do thoshte: “Dëgjoni vëllezër, ne luftën do t’a humbasim, por ne do të kthehemi fitimtar mbas 10, 20, 30 apo 40 vjetëve.” Këtë thënie, e kamë në një incizim të babait. Ai ka qënë decizir në Konferencën e Mukjes, që shpesh nuk e përmëndin. Kur në një kohë, përmëndnin ndonjë person jo pjesëmarrës. Ku në fund të Marrëveshjes, Ymer Dishnica do t’i thoshte: “Ti e ke vendin nga ne.” Dhe Profesori iu përgjigj: “Dhe ti e ke vendin nga ne.” Janë munduar të hedhin baltë mbi të, këto i di nga babai im, që nuk iu nda asnjëherë. Një fjalë e urtë thotë: “Shqiponja mund të ulet dhe të hajë ushqim bashkë me pulat në tokë, por pulat nuk fluturojnë dot deri atje lart në re.” Prandaj, më plotbesim, te gjithë  njerë zve që  kanë  kontribuar për Atdhe, do t’u jepet vendi i nderit.

Unë u rrita gjysëm jetim pa babë, por pata fatin e mirë që pata një gjysh të mirë, të mëncur, të urtë, bujar, pjesëtar në Luftën e Janinës, dhe për të cilin Profesori do më thoshte një ditë në telefon: “Rrapo Meto Vranishti, Rrapo Celo Sevasteri, dhe Qazim Luzi nga Kanina, janë tre filozofët natyral të Labërisë.”

Ju sot jetoni në Amerike, në vendin më demokratik të botës. A mendoni se ky vend i lirë ju ka kuruar sadopak plagët që morët nga vendi ku u lindët dhe u rritët?

 “Amerika,” thosh xhaxhai, “është vend i Perëndisë. Mos vidh, mos u merr me drogë, mos u merr me spiunllëqe, dhe ajo të ka në pëllëmbë të dorës.” Amerika është ajo që po demokratizon gjithë botën. Është shtëpija e pritjes së planetëve të tjerë. Atë oportunitet që të jep Amerika, nuk ta jep as një vend tjetër në botë. Ajo na ka kuruar shumë gjëra, por atë që na thosh xhaxhai që “ju jeni Komunist, pa e ditur që jeni Komunist,” nuk kurohet sepse Komunizmi na ka futur në shpirt urrejtjen, që është vështirë ta çrrënjosësh.

Këtu, nuk do të lë pa përmendur një thënie të Gëtes te “Vuajtjet e Djaloshit Verter,” që simbolizon vetë autorin: “Unë linda njeri, dhe dua të vdes njeri.” Këtë thënie e kam pasur si prioritet në jetë dhe e stimulojë dhe tek fëmijët e mi.

Faleminderit zonja Zylo!

Maj, 2016, New York

Filed Under: Interviste Tagged With: i persekutuar politik. qysh 6 muajsh, Jadigjar Luzaj, Keze Zylo

KARATEISTET E ULQINIT NE TURNEUN E 15-të NDERKOMBETAR

April 23, 2016 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Klubi i Karatesë “Ulqini” do të marrë pjesë në turneun e 15-të ndërkombëtar në New York.Lajme të gëzuara dëgjojmë prej trojeve tona shqiptare ku këtë radhë e kemi fjalën për Klubin e Karatesë “Ulqini” i cili do të marrë pjesë në turneun e 15-të ndërkombëtar në New York. Ekipi i Ulqinit nga Mali I Zi njohur për rezultate të larta sportive ka disa ditë që ka ardhur në ishullin e Staten Island në New York dhe po stërvitet intensivisht për të garuar në turneun ndërkombëtar. Ftesa e ardhur nga traineri i ekipit të karatesë në Staten Island nga z.Safet Tahiri së bashku me bashkëshorten e tij dhe djalin që e ka sportist në karate e pritëm me shumë kënaqësi, pasi kemi kohë që i ndjekim stërvitjet dhe rezultatet e tyre.

Z.Tahiri me rezultate të dukshme dhe tepër të kënaqshme ka ditur bukur të punojë me bashkatdhetarët matanë oqeanit, me shqiptarët e Ulqinit, dhe ja ku u konkretizua puna së bashku e tyre me legjendën e Shatokan Karate në Staten Island.  Shqiptari Tahiri është mik i afërt me legjendën e Shatokan z.Hanshi Scarda i cili ka praktikuar artet marciale mbi 50 vjet.Ai ka fituar rripin e zi të rangut më të larte në ShBA i njohur nga Japonia.  Ai është i specializuar në mësimin e fëmijëve me nevoja të vecanta dhe që iu ka humbur besimi.  Kujdesi i tij i jashtëzakonshëm prej mjeshtri ka bërë që këta sportistë të jenë anëtarë aktivë të komunitetit dhe të jenë mjekë, avokatë, mësues dhe në profesione të ndryshme.  Kjo është prova më e qartë për një legjendë si z.Hanshi, i cili i sjellë studentët të stërviten dhe të lëvizin për jetën.

Eshtë shumë interesante stërvitja e tyre dhe puna aq serioze që bëjnë së bashku si ekip për të fituar trofenë ndëkombëtare të karatesë.  Gjatë bisedave direkte në dhomën sportive ku ata stërviteshin, karateistët dhe kryetari i Klubit të Karatesë “Ulqini” z.Gjergj Daboviq na folën fjalë miradie për legjendën e Shatokan Karate të Staten Island z.Hanshi i cili ndihmon shqiptarët që të stërviten dhe frymëzon për të vazhduar me gjenerata këtë sport të mrekullueshëm.

Z.Skënder Tahiri menaxher i klubit të karatesë “Ulqini” tha se në Ulqin u bë hapja e organizimit të turneut 15-të ndërkombëtar ku morën pjesë 49 klube nga 9 shtete të ndryshme.  Klubi i Karatesë “Ulqini” është regjistruar në vitin 1985, por ka qenë qysh në lindje të shoqatës së Ulqinit për sportin e cila është themeluar në vitin 1975.

Z.Ruzhdi Rama kryetrainer i klubit “Ulqini” foli me krenari të ligjshme për stërvitjen dhe sukseset e njëspasnjëshme që ka fituar Klubi i Karatesë “Ulqini” ku theksoi se Dardan Ceka ka fituar dy herë kampion kombëtar dhe shumë rezultate në Ballkan dhe në Europë.

Ajo që do të më bënte përshtypje në këto biseda me drejtuesit e Klubit të Karatesë si z.Gjergj Djadoviq, Rama dhe Tahiri ishte se ata sollën pranë nesh dhe Dr.Bari Cekën i cili ka qenë karateist aktiv dhe ka qenë i pari që ka sjellë medaljen e arit në Ulqin.  Në bisedën para kamerave me Dr.Cekën me humor i thashë se tashmë mos u jep pacienteve të tu barna të ndryshme për t’i kuruar, por hap salla sportive për pacientët e tu ku të ushtrojmë sportin e karatesë në vend të barnave të shërimit.  Dr.Bari Ceka është një doktor mjaft i dashur për mijëra shqiptarë që janë nën kujdesin e tij dhe që qendrën shendetësore e ka në Staten Island, New York  i cili është i specializuar për sëmundjet e zemrës dhe që punon për Staten Island University Hospital në New York.

Studentët e Ulqinit së bashku me studentët në Staten Island këto ditë u stërvitën dhe nga trainerja e skuadrës kombëtare në SHBA Ariel David.  Midis djemve karateistë kishte dhe 4 vajza si Diellëza, Antigona etj të cilat i kishin sjellë Kombit dhe Ulqinit trofe të ndryshme.  Ato folën me krenari dhe plot kulturë për sportin e tyre, stërvitjen me orë të tëra dhe rezultatet që kishin arritur.  Ne ndihemi të barabarta me djemtë dhe në disa raste me trofetë tona jua kemi kaluar atyre.  Antigona vazhdonte studimet në universitetin e Prishtinës, ndërsa Diellëza vazhdonte shkollën e mesme në Ulqin.

Në fund të stëvitjes Legjenda e Shatokan z.Hanshi Scarda u dha rripin e zit të gjithë sportistëve të Karatesë si Çmimi më i lartë. Të gjithë drejtuesit e Klubit të Karatesë “Ulqini” dhe në Staten Island janë optimistë se do t’i sjellin Kombit dhe Ulqinit trofenë e fitores në turneun e 15-të botëror që do të zhvillohet në  New York.

22 prill, 2016

Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: KARATEISTET E ULQINIT, Keze Zylo, NE TURNEUN E 15-të NDERKOMBETAR

Bisedë me topmodelen shqiptare në New York Lola Luma

April 6, 2016 by dgreca

Gratë nëse e duan diçka me gjithë shpirt e zemër nuk ka asnjë forcë që mund t’i ndalojë ta realizojnë atë”, thote Lola Luma/

Bisedoi Keze Kozeta Zylo/*

Lola Luma lindi në Shkodër.  Prinderit e saj janë Mimoza Hakcanin nga Tirana dhe Kolec Luma nga Shkodra. Ajo ka një vëlla, Anton Luma. Lola ka treguar pasionin e saj për aktrim që në moshë të vogël në grupet teatrale dhe koncertet e ndryshme shkollore, të motrave Saleziane dhe të Dom Boskos.  Në moshën 10 vjeç vihet re talenti i saj krijues duke organizuar talent show “Miss Rrugica.”

Emigron me familjen e saj në Nju Jork (2001).

Mbaron studimet në Instititutin e Filmit dhe Teatrit “Lee Strasberg” në degën e Aktrim ku kishte si mësuese aktoren e madhe të Hollivudit Jennifer Esposito.

Dipllomohet në kolegjin “La Guardia Community College” për Teatër dhe Komunikim ku merr pjesë  në grupet teatrale të shkollës duke luajtur në dramat “Trapped Abstract” dhe “The Vortican.  Ndërsa është house model për Jovanin, Lola  merr pjesë në reality show të MTV-së  The Real World: Brooklyn (2009).

Gjatë Fashion Week, Lola hap runaway show for Thuy (2010).

Prezanton edicionin e parë të Javës së Filmit Shqipëtar në Nju Jork “100 për 100” (2012). Merr pjesë në Paradën Shqiptare në Nju York organizuar nga rrënjët Albanian Roots, ku merr dhe çertifikatën e lartë të mirënjohjes për kontributin e madh të dhënë ndaj komunitetit Shqipëtar (2012-2013).

Interpreton poemën e Migjenit “Kënga e Rinisë” ku merr dhe vlerësim nga kritikët e letërsise (2013).  Lola bëhet imazhi i kompanisë së modës Italiane në New York Les Copains (2013).

Në Shqipëri merr pjesë në panelin e jurisë për emisionin “Albanian Top Model” të Joni Peçit (2013).

Prezanton përkrah Bujar Alimanit dhe është pjesë e jurisë së ” Young Albanian Filmakers Festival” (2013).

Gëzon statusin e një topmodeleje 

duke u shpallur në vitin 2013 nga revista Maxim një ndër femrat më “hot” të Nju Jorkut për Vitin 2014. Ka modeluar për disa nga kompanitë më prestigjioze në Nju Jork si L’OREAL, JOVANI, TERANI COUTURE, Les Copains, Demetrios Bride.

Merr çmimin Femra e Vitit 2013 nga Gazeta Shekulli (2013).

Le ta fillojmë me fëmijerinë tuaj, mbresa dhe kujtime të fëmijërisë ku e keni kaluar atë?

Fëmijërinë e kam kaluar në Shkodër, aty ku shkodranët marrin frymë Shkodre. Imagjino filmin “Cifti i Lumtur”, shtëpinë e Luigj Gurakuqit, rrugën që ai ka përshkuar, pra kjo është rruga që linda dhe kam kaluar një ndër fëmijëritë më të bukura që një fëmijë mundet.

Zgjimi në mëngjes në lagjen “Nikaj” (kështu e quanin prindërit tanë) fillonte herët me praktikën e violinës së Denis Cungelit, që kthehej më vonë në një orkester instrumentesh që bënin rikoshe ndërmjet profesor Aleksandër Janës në fizarmonikë, profesor Rafael Shabanit në çelo, Julian Janës në piano, profesoreshë Dori Jakut, Eli Jakut e Gjon Shkrrelit në violinë. Muzika zgjonte tenorin e lagjes Pashko Kallmeti që me një “O Sole Mio” jepte sinjalin për fillimin e një dite të mbarë, ku të cilit diktatura komuniste ja kishte mohuar shkollimin, por kurrë mposhtur talentin. Më vonë pasonte Antonela Kiri, shoqja ime komshi që ishte super e talentuar në kërcimin rrep. Sa doja të isha si ajo atëeherë, por dhe ajo nuk ma prishte qejfin dhe më merrtë sa herë në konkurimet e saj me shkollat. Arti dhe muzika ishte djepi që na tundte çdo ditë ëmbël, në gjeneratën e shkodranëve të rinj.

Ditët që ishim në shkollë rrugica bënte pak pushim. Pas shkollë kthehesha gjithmonë në shtëpi me dy shokët e mi të ngushtë Klaudion dhe Jozin ku diskutonim zakonisht për planin sesi do ta kalonim ditën. Shumica e shokëve dhe shoqeve të mia rrinin me orë duke mësuar, kurse unë e kuptoja mësimin në klasë dhe kisha gjithmonë nevojë për vetëm një rifreskim.

Kisha krijuar një grup me fëmijët e lagjes dhe i jepja mësim ato që mësoja vetë në shkollë. Maja e ditës ishte organizimi i eventit të lagjes “Miss Rrugica”, gjë që unë e bëja me shumë pasion. Falë përkrahjes së babit dhe bujarisë së arkitektit te lagjes Pjerin Jana dhe bashkëshortes së tij Loreta në sponsorizim arrinim gjithmonë të krijonim evente të arrira. Qendra e muzikës mikrofoni dhe organoja ishin pjesë e pandarë e eventeve tona falë profesor Lekë Janës. Kameramen kishim Gac Janën që nuk linte asnjëherë pa xhiruar dhe prapaskenat.

Prindërit e mi kanë investuar që unë të ndiqja kurset private për Anglisht dhe Italisht, ku të dyja i kam  folur rrjedhshëm dhe shkruar që në moshën nëntë vjeç. Një pasion tjetër të trashëguar nga mami kam leximin.

Mami kur u martua dhe erdhi në Shkodër nuse, një pjesë e mirë e pajës së saj përbëhej nga librat . Biblioteka e saj ishte e larmishme me libra jo vetëm për të rritur, por dhe për fëmijë që ajo i kishte ruajtur që kur kishte qenë e vogël. Kur dilnim bashkë shpesh herë ndaloheshim në Piacë ku blinim dy libra dhe ja dedikonim njëra tjetrës. Kjo traditë vazhdon që sot e kësaj dite. Gjatë pushimeve verore kam ndjekur kurset e Motrave Saleziane dhe të Dom Boskos në Shkodër. Dy kurset e mia të preferuara kanë qenë ato të muzikës dhe të kërcimit me të cilët shpesh herë jepnim spektakle nëpër rrethinat e Shkodrës. Sa shumë aventura kemi kaluar me shoqet e shokët e lagjes.  Mbase kjo intervistë nuk mund ti përmbledh të gjitha, por një ditë një libër për fëmijë do jetë vëndi ideal për tu rrëfyer.

Në Shkodër njerëzit mblidheshin nëpër oborre e veranda, biles dhe pjesa më e madhe e dasmave atje bëhej. Në familje kishim shpesh herë vizitorë e ndër ta ishte dhe miku i ngushtë i babit Sali Shijaku e Tonin Tërshana. Buçiste arti dhe muzika në atë kohe dhe dehte shpirtrat e etur romantik. Piktorët ndjenin në atë kohë jo me zemër e shpirt, por me penë. Stërgjyshen time e njoha për herë të parë nga portreti i mikut të familjes Simon Rrota. Vetëm në lagjen tonë kishim të paktën tre piktorë me emër si Georges Kalmetti, Rrik Ndoja e Tomozin Vlashi.

Çfarë do të kujtoni nga shkollat në Shqipëri dhe cili është dallimi midis shkollave këtu dhe në Shqipëri?

Ështe interesant fakti që formimi akademik në Shqipëri eshtë i ngurtë dhe nuk të jep hapësirë që të dëgjohet opinioni yt. Kjo bën që të ndjehesh jo i lirë të shprehësh një mendim . Nuk mendoj që në Shqipëri  ka demokraci në sistemin shkollor. Shkarkimi dhe vënia në punë e personave të pakualifikuar ka sjellë si rrjedhim degjenerimin e vetë sistemit, ku studenti shkon ne shkollë vetëm per një dipllomë dhe jo për formimin e tij akademik dhe profesori vetëm për rrogë e jo për pasion.  Çdo gjë mësohet përmendësh dhe nuk analizohet.  Dhe kush humb në fund? Humb e gjithë shoqëria!

Descartes thotë,” Ka tani disa vite qëkur e kam kuptuar sesa opinione të rreme kam pasur nga fëmijëria ime duke menduar se ato ishin të drejtat, e sa e dyshimtë ishte çdo gjë që unë si pasojë i kisha bazuar mbi to!”

Me këtë parim mundohem dhe unë ta shikoj botën dhe te krijoj opinionet e mia ndaj saj.

Kur erdhët në Amerikë dhe si arritët të keni këto rezultate të shkëlqyera në modelim, aktrim?

 Jemi shpërngulur familjarisht në Amerikë në vitin 2001. Prindërit e mi kanë sakrifikuar shumë duke lënë çdo gjë mbrapa për të ndërtuar një jetë më të mirë për mua dhe vëllain tim. Fillimet nuk janë asnjëherë të lehta. Të vish nga një kulturë e izoluar pas shumë vitesh komunizëm është një “shok” kulture. Prindërit e mi e kanë pasur më të vështirë, por më kanë dhënë mua dhe vëllait tim një mësim të mirë. Të dy kanë ndjekur Global Institute of Technology ne Mahatan duke u diplomuar për Associate in Aplied science-Management.

Unë dhe vëllai kemi ndjekur hapat e tyre duke ndjekur respektivisht pasionet tona. Vëllai ka përfunduar shkollën për kolorist dhe stilist flokësh kurse unë kam mbaruar shkollën në Institutin e Filmit dhe Teatrit “Lee Strasberg”per aktrim dhe “La Guardia Community College” për teatër dhe komunikim. Që herët jam angazhuar me trupën teatrale të shkollës. Pas një seance fotografike me Fadil Berishën më ka kërkuar që të bëhem modelja oficiale e shtëpisë së modës Jovani, pastaj çdo gjë tjetër është histori.

Ju jeni integruar në botën e artit amerikan cilat janë disa nga vështiresitë tuaja dhe rrugët që ju arritët deri në këtë stad?

Balanca midis familjes dhe karrierës është më e vështira. Kujtoj njeherë kur një pjestar i familjes gjendej në spital dhe unë që kaloja netët në një karrige. Bëja dush në spital, ndërroja rrobat dhe shkoja të punoja modele në mëngjes. Një tragji-komedi sepse isha hirushja në darkë dhe në mëngjes bëhesha princeshë. Profesioni im do sakrifica, por familja për mua vjen gjithmonë në plan të parë.

Ju keni fituar disa çmime a mund të na thoni disa prej tyre?

Femra e Vitit në Nju Jork nga Gazeta Shekulli (2013) dhe një ndër femrat më hot të vitit 2014 nga Revista Maxim.

Në rezumenë tuaj lexova që po modeloni në disa kompani cilat janë ato konkretisht dhe cfarë rruge ndoqët për të arritur deri aty?

Të jesh i suksesshëm në çdo fushë duhet medomosdo të kesh, përkushtim, kohë, dëshirë dhe të mos kesh frikë të sakrifikosh. Disa nga kompanitë e modës që po punoj tani janë Demitrios Bride, Venus Bridal, Sivalia Couture, Cividini etj.

Cilat janë projektet tuaja dhe ëndrrat e parealizuara? 

Nuk kam ëndrra por synime që i vendos vetes çdo ditë.  Janë të shumta dhe pres ti realizoj së shpejti.

Ne se do t’ju afroheje një shumë e majme dollarësh nga kompani të ndryshme për të pozuar nudo në llogari të tyre, do ta pranonit?

 Modelimi është art dhe duhet trajtuar si i tillë. Pranimi do të vinte nga rëndësia e projektit dhe jo nga shuma në para.

Sot çfarë është për ju Amerika?

Amerika është një shtet demokratik, me sistemin më kapitalist në botë, ku peshku i madh e ha të voglin nëse i vogli nuk mëson triqet e lojës shpejt. Amerika është e madhe po ashtu dhe mundesitë janë të mëdha. Shpesh herë mendoj për të rinjtë në Shqipëri dhe vendos veten time në pozicionin e tyre dhe më vjen me të vërtetë shumë keq për ta dhe mundësitë e vogla që ata kanë. Atëherë e kuptoj me të vërtetë sesa me fat jam tani që jam amerikane.

Ju keni vite në Amerikë keni menduar se një ditë mund të ktheheni në Shqipëri dhe të sillni gjithë përvojën tuaj maksimale që morët në shtetin më demokratik të botës?

Asnjërë si dihet! Shqipëria ka nevojë për një frymë e ide të reja inovative. Sa herë shkoj në Shqipëri më duket se njerëzit jetojnë akoma në një realitet  paralel virtual, ku hiqen për atë që s’janë. Shqipëria tani është bërë si ajo shtëpia që mban dritaret mbyllur dhe ka nevojë për një shkundje pluhri dhe ajrosje mushkërish

Ju jeni përzgjedhur si personazh i librit “Zonjat Shiptare të Nju Jorkut” ideuar nga “Albanian Excellence”, libër qe do të botohet për herëtë parë për gratë e suksesshme përtej oqeanit, si ndiheni për këtë?

Ju falënderoj për nominimin tim përkrah shumë femrave te tjera që kane berë histori nepër botë me zërin e punën e tyre. Ndjehem e privilegjuar që më është dhënë e drejta për të qenë ambasadore e femrave shqipëtare jashtë kufijve të Shqipërisë dhe përfitoj nga rasti që ti përcjell një mesazh të gjitha atyre femrave që besojnë në mua se:

“Nëse e duan diçka me gjithë shpirt e zemër nuk ka asnjë forcë që mund tia ndalojë ta realizojnë atë”.

Cili mendoni se duhet të jetë imazhi i gruas shqiptare në shekullin e XXI?

Një femër që mendon, po dhe reagon si një mashkull.Ku dy gjinitë bëjnë dallimin vetëm nga seksi.

Nju Jork, 2016

*Personazh në librin “Zonjat Shqiptare në New York”

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Bisede, Keze Zylo, Lola Luma, Topmodele

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 19
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT