• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hapja e shkollave shqipe në Diasporë, këmbanë alarmi për qeveritarët dhe shoqatat…

July 25, 2013 by dgreca

Nga Keze Kozeta ZYLO/

Jemi në vitin e 101 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, vit që na vë në mendime të thella.  Janë shumë gjëra kardinale të parealizuara që së bashku me gëzimin e 101 vjetorit jeton brenda saj dhe dhimbja!…  E dhimbjet zakonisht janë më të fuqishme në se ato nuk kurohen në kohën e duhur…, ndryshe gangrenizohen…  Ajo që është më shqetësuese për çdo shqiptar e bir shqiptari është se akoma nuk mundëm të bashkojme trojet tona të gllabëruara padrejtësisht nga grykësit politikbërës të të gjitha kohërave dhe shteteve të huaja, për rrjedhojë dhe të vendit tim.  Vatra tjetër me plagë të qelbëzuar është asimilimi i fëmijëve shqiptarë të lindur e rritur jashtë tokës shqiptare, në dhera të huaja, shumica e të cilëve janë larguar të detyruar nga dhuna, pasiguria dhe mosqeverisja…  Le të ndalemi për një çast të gjithë së bashku dhe le të llogarisim se sa femije shqiptarë në botë nuk e dinë gjuhën shqipe, nuk komunikojnë dot me gjyshërit e tyre, të afërmit?… Le të ndalemi për një çast tek kjo gjeneratë e ardhshme që ne se nuk do të dijë të flasë shqip do ta ketë shumë të veshtirë të njohë historinë, kulturën, traditat e mrekullueshme nga i kanë rrënjët e të parëve të tyre.  Kjo gjenearatë e asimiluar me dashje apo pa dashje është një humbje e madhe e Kombit, dhe kjo përbën një ndër fatkeqesitë e mëdha kombëtare.  Meqënse jam tek llogaria shtrohet pyetja: “Në se na kanë copëtuar dhe na kanë bërë thela, thela politikgrykesit e huaj, pse ne vetë e shtojmë copëtimin me duarte tona”?   Në 101 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë (me gjysmën e trojeve të saj të rrëmbyera dhe pa Pavarësi) akoma nuk kemi një shkollë shqipe të institucionalizuar në gjithë Diasporën, jashtë trojeve të saj ku shumica e shqiptarëve jetojnë dhe punojnë atje.  Është shumë e dhimbshme ta përjetosh këtë gjë, sidomos në 100 vjetorin që kaloi, apo në 101 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisëqë  që po vjen së shpejti.

Personalisht përgëzoj pamasë emigrantët që punojnë me aq zjarr e dashuri të cilët kane hapur vatra të shkollave shqipe për t’ju mësuar fëmijëve gjuhën e ëmbël shqipe, por shtoj se këto janë sakrifica që i bëjnë vetë ata duke lënë fundjavën dhe duke shkuar për të mos asimiluar fëmijët e tyre, ndërkohe këto shkolla nuk janë si shkollat publike në vendet ku jetojnë, të përditshme, por ato janë vetëm në fundjave apo në dite të tjera…sipas programit të tyre.  Shumica e komuniteteve të tjera duke filluar me hebrenjtë, rusët, grekët, italianët etj…kanë shkolla ku ushtrohet gjuha e vendeve përkatëse ndërkohë u mësohet kultura dhe historia amerikane.

E dhimbjet vazhdojne më tej, por e kam të veshtire të ankohem përderisa akoma s’kemi gjetur doktorin e duhur…   Ndoqa me vëmendje dhe kujdes të posaçëm gjithë fushatën elektorale që organizuan dy partite kryesore pretendente për pushtet, por asnjera nuk kishte vënë në programin e tyre atë që është më themelorja ruajtjen e Gjuhës Shqipe në Diasporë, hapjen e shkollave shqipe kudo ku ka emigrantë.   Ndoshta slloganet e tyre ishin: Ne jemi ndryshimi, apo Rilindja, me mosvënien në program të gjuhës shqipe në këtë pikë, për ta të bën të shtosh parafjalën “Pa”  përpara slloganeve aq të medha dhe të bujshme të tyre…

Ndoshta në periudha të caktuara mëmëdheut tonë në Diasporë i është dashur mbijetesa si shtet, si komb dhe për këtë nuk mund të mohohen sakrificat e shumta të atyre burrave të shquar si Noli, Konica, Ismail Vlora, Sami Frasheri e gjithë të tjerët që derdhën dollarët për Pavarësinë e Shqipërisë, por nga ana tjeter rizgjimi i mundshëm i asaj kohe të artë bëhet vetëm me hapjen e shkollave shqipe ku ka mërgjimtarë të shumtë, dhe jo të jetosh nën hijen e tyre.  Përndryshe e mat vehten me hijen e mëngjesit dhe bëhesh një pengesë serioze…

Në se do të shikojmë statistikat në to flitet qartë se shumica e shqiptarëve banojnë jashtë trojeve të tyre, ku fëmijët më së shumti e mësojnë në mënyren autodidakte gjuhën e nënës, pa nje program të veçantë, pa gjuhën zyrtare.  Nga përvoja disavjeçare e mësimit të gjuhës shqipe këtu ku banojmë në Nju Jork është thellësisht emocionale kur flet së bashku me nxënësit gjuhën e ëmbël shqipe, t’ju njohësh traditat dhe kulturën shqiptare, por nga ana tjetër shpesh na ka ndodhur se nuk kishin dijeni fare për festat kombëtare dhe pse relativisht në moshë, dhe kjo është tronditëse kur shumë prej tyre janë asimiluar….  Mund te thuash gjithë ditën: “O sa mirë që jam Shqiptar”…por në se nuk di të flasësh shqip, kurrë nuk mund ta ndjesh njëlloj kulturën, traditën, historinë e vendit tënd dhe fatkeqesisht numri shtohet dhe bëhet më i madh sepse: “Viktimat e gjuhës janë më të shumta se ato të shpatës” thotë një nga ideologët e lëvizjes kombëtare Sami Frashëri.

Sot është fat që Shqipëria dhe Kosova janë hapur dhe janë futur në rrjedhën politike botërore, (pavarësisht se vazhdojnë të udhehiqen nga fuqitë e mëdha dhe s’janë në gjendje të qeverisin), por e kam fjalën për shqiptarët që mund të ndihmojnë vendin e tyre në shumë institucione botërere, organizma ndërkombëtare në se ata flasin rrjedhshëm dhe pastër gjuhën e nënës.

Se fjala vjen në se ka një vend punësimi në Kombet e Bashkuara për çështjen shqiptare dhe në aplikatë është kerkesa që duhet të dijë medoemos gjuhën shqipe, atëhere zgjidhja është më e lehtë për një që ka lindur në Shqipëri se sa për një që është jashtë saj…  Por kur shumë fëmijë emigrantësh do ta mësojnë zyrtarisht gjuhën shqipe, të jemi sigurtë se Kombi do të përparojë më shumë dhe kultura shqiptare më e lashtë do të përhapet si vetëtima në të gjithë botën dhe jo të mësohen nga nxënësit e huaj në tekstet të historisë botërore rreth Shqipërisë vetëm luftra dhe gjak, apo ndodh dhe që nuk përmendet fare…

Duke jetuar dhe punuar në New York, më ka befasuar fakti dhe më ka vënë thellësisht në mendime kur nje kolegja ime amerikane me origjinë hebre do të dërgonte djalin e saj me pushime në verë në Izrael.  Ajo më tregoi se shteti izraelit ju jep mundësinë të gjithë hebrenjve që jetojnë dhe kanë lindur jashtë shtetit të tyre për të vizituar dhe njohur me kulturën dhe kombin e tyre.  I gjithë udhëtimi, fjetja dhe ushqimi janë falas dhe të garantuara nga shteti i tyre.  Ç’shembull i bukur për të ndjekur!  Po a mund te realizohet kjo nga shtetet tanë kur lideret e tyre nuk kane kohë të mësojnë nga shembujt e mirë, por kanë kohë se si te grinden në mënyrën më foshnjarake dhe njëherazi më banditeske përderisa në gojët e tyre hyjnë e dalin pa doganë fjaët tradhtar, kriminel, hajdut!  E përderisa do të vazhdojë ndër vite kjo loje fort e pistë dhe dhunuese, miratimi i ligjit në Kuvend për hapjen e shkollave shqipe apo përpjekjet e shtetarëve do të jenë të squllta dhe pa rezultat…  Ndërkohë vargjet e Gjergj Fishtës duhet të kumbojne si zile alarmi për çdo shqiptar:  “Pra, mallkue nja i bir Shqyptari/ qi këtë gjuhë të Perëndis’/ trashigim, që na la i pari/ trashigim s’ia len ai fmis/ edhe atij iu thaftë, po, goja/ që përbuzë këtë gjuhë hyjnore/ qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja/ flet e t’veten e lèn mbas dore”.

Do te jete e tepërt të vazhdojë më tej shkrimin, pasi vargjet më lart me tingellojnë si kambanë dhe bindshëm thonë: “Stop asimilimit të gjuhës shqipe në Diasporë”!

Staten Island, New York

25 Korrik, 2013   

Filed Under: Kulture Tagged With: kembane alarmi, Keze Zylo, Shkolla shqipe

SHKOLLA SHQIPE NE BROOKLYN FESTOI 100 VJETORIN E PAVARESISE

November 21, 2012 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Dita e shumëpritur për të festuar 100 vjetorin e Pavarësisë erdhi me plot frymëzim dhe dashuri nga nxënësit, prindërit dhe mësuesit e Shkollës Shqipe në Staten Island dhe Brooklyn.  Të festosh 100 Vjetorin e Pavarësisë është një privilegj për të gjithë shqiptarët, është nder, respekt, por dhe detyrë për ata Burra të Kombit që derdhën gjak dhe që na dhanë Pavarësinë nga zgjedha otomane turke.  Eshtë detyrë e Shkollës që historinë dhe kulturën e Kombit tonë t’jua transmetojmë brezave këtu në Diasporë, ndryshe do të ndodhë asimilimi që do të jetë një tragjedi që s’do të falet kurrë.

Qindra shqiptarë u mblodhën së bashku me një entuziazëm të papërshkruar për të kremtuar 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.  Nxënësit e Shkollës Shqipe së bashku me një grup artistësh nën udhëheqjen e Prof.Petrika Melos dhe sopranos së shquar znj.Lindita Mezin Lole kishin muaj që po bënin përgatitjet për ta pritur këtë festë të shenjtë me madhështi.  Nxënësit të shoqëruar nga prindërit, Përfaqsues organizatash, media vinin grupe grupe dhe uronin njeri tjetrin: Gëzuar, Gëzuar 100 Vjetori i Pavarësisë.  Koncerti filloi në orën e caktuar, ku flamurmbajtësit shqiptar dhe amerikan parakaluan pranë sallës dhe u ngjitën në skenë.  Prezantuesit e programit tenori Bledar Maqellara, një djalë i talentuar që premton shumë në të ardhmen dhe studentja simpatike zonjusha Suada Hasa përshëndetën gjithë pjesëmarrësit dhe iu uruan atyre mirëseardhjen në këtë ditë të shenjtë.  TV Alba Life vazhdoi spikerja ka nderin dhe krenarinë se siç e tha dhe konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë z.Dritan Mishto hapi festimin e 100 vjetorit të Pavarësise në Diasporë në koncertin e madh që u bë në shkurt në Manhattan në bashkëpunim me një grup artistësh dhe sot po e kurorëzon me një program të pasur artistik realizuar nga nxënësit e Shkollës dhe artistët.

Programi filloi me interpretimin e dy Hymneve Shqiptare dhe Amerikane kënduar nga znj.Lindita Mezini Lole dhe kori i Shkolles Shqipe.  Artistja Lole, nxënësit dhe gjithë salla këndonin si në një kor të vetëm Rreth Flamurit të përbashkuar/ për një dëshirë e një qëllim/ të gjithë atje duke u bashkuar/ të japim jetën për shpëtim.

Më vonë në skenë është ngjitur nxënësja e shkollës shqipe artistja e ardhshme e diasporës, Kristina Melo e cila ka intepretuar poezinë: “Edhe unë si Marigoja”.  Ajo premtoi se dhe unë do të qëndisë Flamurin për bashkimin e Kombit, që u mirëprit me duartrokitje të nxehta nga të pranishmit

Nxënësit kënduan së bashku Hymnin e Shkollës Shqipe të intepretuar mjeshtërisht nga sopranoja Lindita Lole Mezini.  Vargjet si: Mezi presim Shkollën Shqipe/ qëtë flasim dhe tëmësojmë/ me shkronjat e Alfabetit/ si Engjëjt Kombin e Mbrojmë, preku zemrat e malluara të shqiptarëve në mërgim.

Flautistja Makbela Ademovi plot delikatesë interpretoi “Skercino” nga Kujtim Laro. Melodia e sjellë nëpërmjet flautit ishte një Komunikim i ngrohtë dhe shumë mbresëlënës.

Me shumë dashuri u mirëprit dhe grupi i fëmijëve drejtuar nga artistja e palodhur dhe plot vitalitet Pranvera Çobo, të cilët interpretuan këngën “O sot o kurrë”.  Kostumet popullore të fëmijëve, serioziteti me të cilën ata u paraqitën në skenë ishte një sukses i plotë.  Ata morën duartrokitje të zjarrta nga salla po ashtu dhe me këngën ” O këngët e vendit tim”.  Ishte një këngë që ngacmoi kujtesën e shumë pjesëmarrësve të cilët e shoqëruan gjithë kohën këtë melodi kaq popullore.

E veçantë ishte dhe kënga “Zëri i vendlindjes” me tekst të Pozaet Qoses dhe muzik të Skënder Lumshit kënduar aq bukur nga studentja Kejda Osmani e cila ka fituar vendin e parë në festivalin e fëmijëve të Gramshit.

Prezantuesja e programit ka ftuar në skenë nxënësen e talentuar, që premton për një të ardhme të shkëlqyer në art dhe më gjerë, Dea Bejlerin e cila ka intepretuar “Naganti i Isa Boletinit” shkruar nga poeti i Kombit Agim Shehu.

Tenori Bledar Maqellara interpretoi mjeshtërisht “Për ty Atdhe” këngë aq e njohur dhe e dashur për shqiptarët.  Zëri i Maqellarës buçiti në sallë dhe e pushtoi atë me duartrokitje të stuhishme, pranë nesh dukej sikur frymonte Tenori i jashtëzakonshëm Mentor Xhemali.

Emocione të papërshkrueshme e kanë pushtuar sallën kur në skenë u ngjitën aktori i mirënjohur nga Kosova z.Shaban Lajci në rolin me veshjen e Babait te Kombit Ismail Qemalit.  Interpretimi dhe zëri burrëror i tyre i sollën sallës Vlorën dhe burrat e shquar

të Kombit.  Aktori Agim Rugova në rolin e Luigj Gurakuqit lexoi Deklaratën e Pavarësisë, ndërsa Tom Gjergji ishte në rolin e Isa Boletinit me skenë nga Pavarësia e vitit 1912.

Pranë tyre ndodhej Marigoja vajza që qëndisi Flamurin Kombëtar, ku Ismail Qemali i tha se do të kujtohej sa herë do të ngrihej dhe festohej Dita e Flamurit.

Ardhja e tyre shoqërohej nga kënga e njohur labe me fjalët:

Cili je ti more burrë/ Që na vjen nga Shqiperia/ Unë jam ‘Smail Qemali/ Dua vatanet e mia/ Do t’i marr se s’është punë/ Është e jona Shqipëria

Pas kësaj kënge në skenë janë dëgjuar tingujt e pianos me këngën “Albanian Dance” interpretuar profesionalisht nga artisti Margin Bajrami dhe kompozuar po prej tij.

Programi përmbante dhe “Ode to Joy” të Bethovenit dhe këngën aq të dashur dhe popullore “O moj e bukura Arbëri”  inerpretuar nga znj.Mezini Lole shoqëruar nga Bejleri dhe Melo së bashku me korin e shkollës Shqipe.

Bledar Maqellara ka prezantuar Dr.Valbona Zylo Watkins për të përshëndetur në emër të Bordit të shkollës të gjithë të pranishmit.  Dr.Zylo Watkins tha se ne përulemi me respekt përpara veprës së patriotëve të shquar që ngritën Flamurin në Vlorë.  Eshtë detyra jonë që këtë Flamur ta ngrejmë përjetësisht së bashku me brezat që do tëvijnë.  Si gjeneratë e re premtojmë se do ta mbajmë gjallë Gjuhën Shqipe dhe kulturën tonë kombëtare.

Më vonë Maqellara ka ftuar në skenë përsëri sopranon Lole e cila në 100 vjetorin e Pavarësisëu u frymëzua për të sjellë këngën e re patriotike “Atdheu im”, kompozuar nga

prof.Petrika Melo me tekst nga K.Zylo.

Vargjet Atdheu im përmes palëve të Flamurit, apo Ismail Vlora ne në qiell të lartësojmë, ngriti peshë zemrat e artdashësve të cilët shumë prej tyre valëvisnin Flamurin kuq e zi.  Prof.Petrika Melo dukej sikur vallëzonte në tastierë  mjeshtërisht për kompozimin e tij me aq vlera për përçimin e mesazhit të bashikimit të të gjitha trojeve shqiptare së bashku me Diasporën që qëndron si krah shqiponje…  Znj. Mezini Lole jo vetëm që ka një zë të magjishëm, por në sytë e saj blu ka dritë, dritë për Kombin.  Më duhet të them sa ajo vjen nga familja e Mezinëve të Vlorës, atje ku jane bërë mbledhjet e para për Pavarësinë e Shqipërisë …Artistja Lole magjepsi artdashësit e shumtë me zërin e saj dhe i ftoi të gjithë të çoheshin në këmbë për të kënduar këngën “Për Mëmëdhenë”.

Në fund nxënëset e shkëlqyera Balidemaj dhe Çobaj iu kanë dhuruar buqeta me lule të freskëta artisteve të skenës.

Në këtë aktivitet ka përshëndetur dhe diplomati i Republikës së Kosovës në New York z.Fatmir Zajmi i cli iu uroi të gjithë Gëzuar festën dhe falënderoi organizatorët, artistët, nxënësit, mësuesit për këtë punë kaq të përkushtuar që po bëjnë me brezat e ardhshëm.

Ndërkohë Z.Qemal Zylo themeluesi i shkollave shqipe dhe Tv Alba Life falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, mësuesit, prindërit, nxënësit e dashur, Drejtorin e programit Alba Life, z.Amir Suka, kameramanin z.Ilir Ago, TV Kultura Shqiptare me z.Adem Belliu, Studion Pali, si dhe përfaqsuesit e shoqatave si Ana e Malit me z.Naser Cobo, Forumin për Demokraci me z.Grid Rroji, Dr. Ilir Hysa, Shoqatën Devolli me z.Neritan Bejleri, Rrënjët shqiptare, shoqatën Dibra me z.Dritan Gashi, Osman Greva, shoqatën Çamëria me z.Sali Bollati, Shoqёrinё Kulturore Artistike “Bashkimi Kombёtar”, Ansamblin Rugova, shoqatën “Zëri i Gruas” etj…

Në fund pjesëmarrësit e shumtë bënin foto me njeri tjetrin, takoheshin me emocion dhe dashuri duke u larguar me mbresa nga më të mirat për këtë aktivitet madhështor ne nderim të 100 Vjetorit të Pavarësisë.

 

17 Nëntor, 2012

Brooklyn, New York

 

 

 

 

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: 100 vjetorin, Brooklyn, e Pavaresese, festoi, Keze Zylo, Shkolla shqipe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT