-Nga eksporti i bimëve etero-vajore, ose “lulkave” siç shpreheshin me qesëndi disa pesimistë që deshën ta hedhin në gjyq, u rritën të ardhurat në ekonomitë që i kultivuan si dhe në atë kombëtare-/
-Me rastin e 90 vjetorit të lindjes-
Nga Fuat Memelli-Boston/
Agronomi Kiço Çeku, është ndoshta i vetmi nga specialistët e bujqësisë që shumicën e jetës ia kushtoi kësaj pune. Asgjë e madhe nuk arrihet pa pasion e këmbëngulje. Kiços nuk i ka munguar asnjë nga këto “kolona” të suksesit. Ndërkohë ai përherë ka parë përtej momentit dhe politikave, duke ditur edhe leverdinë e këtyre bimëve për ekonominë shqiptare, e cila e “mbërtheu” pas kësaj pune. Mbi 40 vjet punë, në shumicën e tyre është marrë me bimët etero-vajore. Ky pasion nuk lindi rastësisht. I lindur dhe rritur në Dardhë të Korçës, mes natyrës së bukur dhe gjelbërimit, luleve e burimeve të shumta të ujit, në shpirtin e tij hodhi rrënjë dashuria për bimët. Për këto arësye ai zgjodhi degën e Agronomisë në ish-Institutin Bujqësor, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Pas mbarimit të institutit, në vitin 1955 fillon punë si kryeagronom në Stacionin e Zooteknisë në Shkodër. Ai kujton me dashuri e mall Shkodrën, lumin Buna dhe Drinin që “puthen” nën hijen e gurtë të Rozafës së famshme, Thethin, Reçin, Postribën. Kujton edhe një bletërritës që kur shkonin në malet e Lezhës e më vonë të Reçit ku lulëzonte sherbela, bletari i thoshte:” Sherbela është një dhuratë e madhe që natyra i ka dhënë Shqipërisë”.
Në ato vite ishte krijuar Agroeksporti dhe kishte kërkesa për sherbelë, pasi siguronte të ardhura të mëdha në valutë. Nisur nga ky fakt, fshatarët vërshuan të mbledhin sa më shumë sherbele, pa zbatuar kriteret që duheshin. Kjo punë e rezikoi shumë sherbelën . Edhe prodhimi i mjaltit folloi të bjerë. Nga ky shqetësim, vendosi të meret me këtë punë duke iu përkushtuar tërësisht, me synim rigjenerimin e vendeve të shfrytëzuara pa kriter dhe mbi të gjitha mbjelljes së tokave gurishtore me bimë etero-vajore (aromatiko- mjekësore) që i përshtaten atyre tokave. Qysh kur punonte në Stacionin e Zooteknisë në Shkodër, grumbulloi fara të sherbelës nga dy ekotipet, atij Lezhë-Kakariq dhe Reçit të Shkodrës, pasi nga viti në vit po degradoheshin sipërfaqe të mëdha. Transferohet në katedrën e pedologjisë në Institutin Bujqësor dhe bën pjesë në grupin e punës për përpilimin e hartave pedologjike në gjithë Shqipërinë. Kjo punë i vlejti pasi pa nga afër edhe tokat gurishtore zhavorishte ku mund të mbilleshin bimët etero-vajore. Për të siguruar treg për to, u lidh me drejtorin e Agroeksportit, Theodhor Fundo, njeri me horizont të gjerë si dhe me specilalistin Jorgji Nauni, i specializuar në Hungari.
Për të realizuar idetë e tij për kultivimin e këtyre bimëve, kërkoi të shkojë në kooperativën e Mazhës të rrethit të Krujës, një ekonomi e dobët e cila merte 30 lekë për ditë pune. Krahas punëve të tjera, krijoi një brigadë të vogël me të moshuar që nuk i prishnin punë kooperativës dhe mbolli 28 ha me këto bimë si korenadër, finok, borzilok dhe kamomil. Disa njerëz pesimistë filluan të ankohen duke thënë se “Kiçua do të na marrë në qafë me këto lulka që mbjell”. Por, siç ka thënë një filozof “Durimi është një bimë e hidhur, por ka fruta të ëmbla”. Dhe kështu ndodhi. Bimët e mbjella dhanë prodhim të madh që shkoi për eksport. Vlera e ditës së punës u rrit nga 30 lekë në 90 lekë. Akulli u thye dhe shtypi i kohës i bëri jehonë të veçantë. Këto bimë filluan të mbillen edhe në ekonomi të tjera të rrethit të Krujës sidomos në tokat gurishtore, siç ishte ajo e Bilajt ku bënin pjesë disa fshatra. Kjo ekonomi u bë qendër shkencore dhe prodhuese për këto bimë. Gazetarët Lefter Peço dhe Duro Mustafaj bënë një artikull me titull “ Kiço Çeku e ngriti institutin në fushë.” Duke u marë shumë me bimën e borzilokut, njerzit filluan ta thërresin : Kiço borziloku. Nisur nga aritjet në këtë fushë, ministri i bujqësisë Pirro Dodbiba kërkoi që ai të vijë të punojë në ministri, ku u krijua një sektor i veçantë për kultivimin, mbrojtjen dhe ripërtëritjen e këtyre bimëve. Pranë ndërmarjeve pyjore u krijuan sektorë të veçantë për kultivimin e tyre. Po kështu edhe në mjaft ekonomi bujqësore filloi kultivimi , duke rritur vlerën e ditës së punës. Në rrethin e Shkodrës për mbjelljjjen e tyre u krijua sektori i Postopojës. Ekotipet e sherbelës së Reçit dhe Kakariqit, për nga përmbajtja e esencës e bënin atë nga më të mirat në botë, tok me atë të zonës së Dalmacisë. Në Dardhë, fshatin e Kiços dhe Nikolicë, u ngritën eksperimente për kultivimin e çajit natyral të Gramozit, duke e zbritur gradualisht nga lartësia 2200 metro mbi nivelin e detit, në 1200 metro. Një eksperiment i tillë u ngrit edhe në zonën e Llogarasë. Ndërkohë që kjo punë po ecte mirë në disa ekonomi, kishte specialistë skeptikë që e kundërshtonin këtë punë edhe në Ministrinë e Bujqësisë, duke thënë se “ne na duhen drithërat e bukës për sigurimin e saj në vend, jo lulet e Kiço Çekut.” Një zëvendësministër duke biseduar me disa specialistë, kërkoi që Kiçua të dërgohet në gjyq, pasi ai po sabotonte sipas zyrtarit. Aty pranë u ndodh Kiçua dhe iu përgjigj flakë për flakë:” Sabotator je ti që shkon nëpër ekonomi dhe flet kundër kësaj punë dhe kundër meje. Që nesër unë do ik në sektorin e Postopojës dhe do gjelbëroj ato toka gurishtore”.
Kiçua rikthehet në rrethin e Shkodrës ku kishte punuar më parë. Në Postopojë ( në sllavisht: tokë e shkretë) ai kishte filluar punën e ksperimentale qysh kur ishte në ministri. Vazhdoi punën e nisur me mbjelljen e këtyre tokave me sherbelë, lavandul, piretruam, shëngjin, etj. Disa njerëz skeptikë nuk iu ndanë edhe këtu. Një ditë një grup i përbërë nga drejtues të rrethit dhe një drejtor i Ministrisë së Bujqësisë, shkuan për të parë punë e nisur në Postopojë. Ky drejtor i thotë Kiços:”Po dështove në këtë punë, do vij të të var te kjo pema këtu afër.” Kiçua, të cilit asnjëherë nuk i ka munguar guximi, i përgjigjet: “Nga kjo tokë unë do nxjerr flori dhe do të var ty te ky hangar që do jetë plot me prodhime”. Një mbështetje e madhe për Kiçon u bë kryeinxhinieri i Ndërmrjes Pyjore të Shkodrës, Pirro Xhumetiku, nga varej sektori i bimëve etero-vajore të Postopojës. Ishte viti 1975 kur tokat gurishtore të Postopojës filluan të gjelbërojnë nga këto bimë. Unë kam qënë atëherë për të pasqyruar ne televizion këtë punë të madhe të bërë nën drejtimin e Kiço Çekut dhe jam dëshmitar i saj. Pas çdo suksesi në teren, vinin kërkesa për ta marë Kiçon në Tiranë. Në vitin 1980 u krijua Instituti i Pyjeve dhe Bimëve Etero- Vajore si dhe stacjoni i këtyre bimëve në NB “Gjergj Dimitrov”, nën drejtimin e specialistit të përkushtuar, Kadri Balla, me synim përhapjen e kësaj përvoje në ekonomi të tjera. Pas përshtatjes së bimëve të çajit në lartësi më të ulta, në Dardhë u bë mbjellja në tokat e dobëta shtufë, një pjesë e tyre të abandonuara. Kiçua përgatiti edhe një broshurë me titull” Çaji i malit dhe kultivimi i tij”. Në Dardhë, pjesë e kooperativës së Mirasit, u organizua edhe festa e çajit. Ky ekotip u përhap edhe në zona të tjera të Shqipërisë. Por, Kiçua ndjente dhimbje kur para viteve ’90, shumica e rigonit shqiptar merrej nga disa firma greke dhe qysh në Shqipëri i vihej etiketa” Prodhim grek”, kur në të vërtetë ishte shqiptar. Shteti mbyllte sytë pasi deshte vetëm të sigurohej volutë. Por kjo gjendje vazhdon edhe sot. Sillet në Amerikë rigon dhe çaj mali me stampën “Prodhim grek” kur ato janë prodhime shqiptare.
Duke patur babain në Amerikë, në fillim të vitëve ’90 Kiçua erdhi këtu bashkë me familjen. Ky vend i lirisë, u bë atdhe i dytë , por zemra e tij kishte mbetur në atdheun e parë. Pasioni për bimët etero- vajore, nuk iu nda edhe këtu. Ai solli nga Shqipëria tre bimë: sherbelën e Reçit, rigonin e Gjirokastrës dhe çajin e Dardhës. Pas një punë mbi 20 vjeçare e ka përshtatur dhe çajin e ka mbjellë në Boston, ndërsa sherbelën dhe rigonin te shtëpia e djalit në Florida. Një ditë kur pinim kafe së bashku me dardharin tjetër, Sotir Pani, që u nga kjo jetë prej covidit, Kiçua kishte marë me vete një tufë çaji nga ai i mbjellë në Dardhë dhe na thotë: “U mora 20 vjet për ta përshtatur në klimën e Bostonit. Merrni disa fije dhe mbillini në shtëpi. Kur të rritet mblidheni, bëni çaj dhe do më kujtoni”. Këtë moment e tregon edhe fotua bashkëngjitur. Si argument për çajin dhe rigonin që shitet në Amerikë me markën greke, ai thotë se jam gati të ballafaqohem me tregëtarët grekë dhe t’ju them se ato janë prodhime shqiptare.
Një trishtim tjetër i Kiços është se shumë specialistë bujqësie pas viteve ’90, morën rrugën e emigracionit. Rrallë e për mall kujtohet shteti dhe shumë rrallë, me pikatore, bëhet ndonjë vlerësim për specialistët e shquar të bujqësisë, kur për profesione të tjera janë bërë vlerësime me lopatë. “Njeriu i thjeshtë vdes një herë, thotë ai, ndërsa specialisti vdes dy herë, një herë kur shoqëria injoron punën e tij shumëvjeçare dhe një herë kur i vjen vdekja natyrale. Vlerësimi më i madh për mua, thotë Kiçua, është ai që më kanë bërë njerëzit e thjeshtë si dhe specialistët me të cilët kam punuar një jetë”. Ai ndjen kënaqësi pasi sot vazhdon puna e nisur prej tij jo vetëm në Malësinë e Madhe, por edhe në zona të tjera të Shqipërisë. Sipas të dhënave të Mark Rupës që punon në një projekt per bimët mjekësore , sot në Shqipëri mbillen mbi 4500 ha me këto bimë, rreth 4000 familje merren me këtë punë dhe sigurojnë rreth 50 për qind të të ardhurave.
Këtë korrik Kiçua mbush 90 vjet, por është plot energji. Puna që ka bërë dhe vazhdon të bëjë, humori i tij i pashterur, tingujt e kitarës që i ka rënë dhe vazhdon t’i bjerë, e mbajnë gjallë. Këtë përvjetor kërkon ta festojë në Dardhë, në vendlindjen e tij, vendin ku rrobërohet shpirti, me të afërm, miq e shokë, të cilët i do dhe e duan aq shumë.
Korrik, 2021
Captions:
1.Çaj i kultivuar në Amerikë
2.Me familjen
3.Edhe sherbelën e mbolli në USA.
4.Me specialistin Kadri Balla
5.Me shokë të tij në Boston
6. Kitara, “ shoqe” e vjetër e Kiços.