Poezia, kjo fuqi magjike/
Pos krijuesve shqiptar në festivalin” Sofra Poetike, që u mbajt në Boros të Suedisë, morën pjesë edhe shkrimtarë suedez dhe të komuniteteve tjera që jetojnë në këtë vend skandinav./
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Qendra Kulturore Shqiptare “ Migjeni” në Boros të Suedisë, në kuadër të shumë aktiviteteve konkrete që po zhvillon një kohë të gjatë, së bashku me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “ Papa Klementi XI Albani” që vepron në këtë shtet skandinav, për herë të katërt organizuan manifestimin letrar i titulluar “ Sofra poetike në Boros”, i cili u mbajt dje e në të cilin morën pjesë krijues e dashamirë të fjalës së shkruar jo vetëm nga Suedia, por edhe nga disa vende evropiane si dhe poet e miq suedez. Sipas njërit nga organizatoret të këtij eveniment, Sokol Demaku ky manifestim që tashmë është bërë tradicional qëllim kryesor ka kultivimin dhe ruajtjen e poezisë shqipe në mërgatë. Thënë konkretisht, kjo veprimtari ka për qëllim që ta kultivoj e ruaj gjuhën dhe kulturën shqiptare në mërgim në këtë pjesë të Evropës. Njëkohësisht ky manifestim, kjo sofër, paraqet një shtytje e nxitje për të gjithë ata që janë të prirur të merren me shkrime që ta gjejnë vetën këtu, të veprojnë kështu në mënyrë të organizuar dhe nesër të krijojnë vepra më të mira letrare, artistike e kombëtare. Më pas ai foli edhe rreth aktivitetit të pasur e me përmbajtje që po zhvillon Shoqata kulturore shqiptare “ Migjeni” në Boros të Suedisë, e cila është bërë një faktor i rëndësishëm në kultivimin dhe ruajtjen e gjithçkaje që është shqiptare si dhe në integrimin e shqiptarëve në rrjedhat e shoqërisë suedeze. Kulmin e suksesit kjo shoqatë e ka arritur kur pas një pune të madhe dhe kontakteve të zhvilluara me organe e institucione kompetente u bë e mundshme që në kuadër të saj të funksionoj me mjaft sukses radio e kanali televiziv lokal. Po ashtu, anëtarët e kësaj shoqate po organizojnë aktivitete të shumta kulturore që po tubojnë jo vetëm pjesëtar të komunitetit shqiptar, por miq të komuniteteve tjera që jetojnë në këtë komunë e më gjerë. Ndërkaq, Hysen Ibrahimi, kryetar i SHSHASH” Papa Klementi i XI Albani”, të pranishmit i informoj lidhur me aktivitetin e madh që po zhvillon ky asosacion . Ai me shifra e fakte konkrete vuri në dukje se anëtarët e shoqatës së shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptar kanë bërë punë të madhe në botimin e librave të rinj dhe në fusha të tjera të krijimtarisë.
Me poezitë e tyre në këtë festival u paraqitën u paraqitën Hamit Gurguri, Axin Welat, Soleyman Ghasemiani, Bajram Muharremi, Fetah Bahtiri, Shuquri Sejdiu, Louise Halvardson, Henric Mimerson, Elhame Zhitia Krasniqi,Mona Juniku, Shaban Osmani,Muhamet Krasniqi,Remzi Basha,Emine Hoti, Edona Heta Sejdiu, Idriy Gashi, Ibrahim Abedini dhe Hysen Ibrahim.
Në këtë tubim mori pjesë edhe Zyrtarja e lartë e Komunës ës Borosit, Ida Legnemark, e cila pos tjerash tha se në në komunë jetojnë rreth 3500 pjesëtar të komunitetit shqiptar të cilët me sukses janë integruar në shoqërinë suedeze dhe janë një shembull i mirë i punës, mësimit ndihmës së zhvillimit të përgjithshëm në mjedisin ku ata jetojnë.
Poezia përmban mesazhe të rëndësishme
Në këtë tubim të rëndësishëm poetik, u lartësua poezia si një fuqi magjike që po arrin t’i tuboj krijues e dashamirë të fjalës së shkruar nga shumë vende të botës. Në poezitë e lexuara me këtë rast motiv kryesor i krijuesve ishte dhimbja për atdheun, pastaj në këto krijime jetojnë edhe lirika, lumturia e dashurisë dhe optimizmi. Zaten të gjitha këto janë pjesë përbërëse në poezinë shqipe. Kuptohet se në këtë poezi jetojnë edhe lirika, lumturia e dashurisë dhe optimizmi. Poezia ka veti dhe aftësi të mrekullueshme për të shprehur gëzime dhe hidhërime, vuajtje dhe fitore, shpeshherë në pak rreshta. Poezia kalon nëpër shekuj dhe përmban mesazhe të rëndësishme edhe për njerëzit e kohës sonë. Për këtë arsye ky manifestim tash e katër vjet me sukses ka futur përsëri kulturën shqiptare dhe poezinë në qendër të vëmendjes duke shpresuar që të kemi dobi dhe kënaqësi nga dita e Sofrës poetike”. Hamit Gërguri, autor i disa librave në gjuhën shqipe e suedeze, ndër të tjera theksoi se në shqiptarët erdhëm në këtë vend të largët e të ftohtë, por me zemër të ngrohtë. Gjetëm strehim, bukë e përkujdesje dhe buzëqeshjen e parë kur ikëm nga ato përndjekje barbare që na i bënte regjimi fashist serb. Ne, krijuesit dhe artistët shqiptar, me punën tonë po bëjmë përpjekje që ta rrisim dhe pasurojmë degën në atë drurin e pasur kulturor të Suedisë. Shuquri Sejdijaj, krijues dhe gazetar, pos tjerash, u angazhua që të kihet parasysh në kultivimin e drejt të gjuhës shqipe për shkak se, sipas tij, kohëve të fundit është i pranishëm një bastardim i gjuhës sonë të bukur. Këtë pos tjerash, fatkeqësisht mund ta vëresh edhe në disa medie e portale jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri dhe troje tjera etnike shqiptare.
U ndanë tetë shpërblime për poezitë më të mira
Sofra poetike ka edhe karakter garues ndaj edhe u ndanë tetë shpërblime për krijimet më të mira poetike, katër i ndanë Shoqata “ Migjeni” dhe katër të tjera Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar “ Papa Klementi XI Albani. Të shpërblyerit janë Elhame Zhitia Krasniqi, Fetah Bahtiri,Bajram Muharremi, Louise Halvardsson, Henrik Mimersson, Mona Juniku, Shaban Osmani, Idriz Gashi,Shuquri Sejdiu. Në këtë tubim u promovuan edhe Librat e autorëve shqiptar që jetojnë e veprojnë në këtë vend skandinav: Hamit Gurgurit, Hysen Ibrahimit, Sokol Demakut, Fetah Bahtirit, Emine Hotit, Mona Junikut, Bajram Muharremit- Bistrica dhe Antalogjija e “ Sofres Poetike”.
SHSHASH “Papa Klemnti XI” dhe QKSH “ Migjeni” që veprojnë në këtë shtet të largët meritojnë lëvdata për një punë të mrekullueshme që janë duke bërë këtu në mërgim me synimin e vetëm që në këtë mënyrë t’i shërbejnë rinisë sonë, popullit tonë dhe atdheut të cilin e duan aq shumë të gjithë këta krijues, shkrimtarë e veprimtarë. Po ashtu, qëllimi i këtij manifestimi është që t’i afroj njeri me tjetrin krijuesit shqiptar me krijuesit e vendit ku ata veprojnë e krijojnë, pra me poet suedezë dhe poet të komuniteteve tjera që jetojnë e veprojnë këtu.