• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KLAUDIA MALAJ: EMRIN GAZETARE MA DHA NJOHJA ME TERRENIN…

July 16, 2016 by dgreca

 Nga: Prof. Murat Gecaj/ 1.Jemi takuar rastësisht, gjatë veprimtarive kulturore e letrare në kryeqytet. Por, më e rëndësishmja për mua ishte kur, një vit më parë, bëmë bashkë një Bisedë të ngrohtë, në studion e Radio-Tiranës. Ajo i kushtohej librit tim “Për ju, krijuese”, për të cilën përsëri të falënderoj përzemërsisht! Pra, si i kujton ti këto takime tonat?

-Ne jemi njohur më mirë, pikërisht nga takimi në Radio-Tirana, ku unë ju ftova në emisionin “Kohë Vere”, në rubrikën “Kopertina- Kohë për të Shfletuar”. Më pas,  jemi takuar në disa  përurime librash. Ju, profesor,  keni qenë aty pjesëmarrës dhe i papërtuar për t’i ndjekur veprimtaritë dhe, më tej, për të publikuar, në shtyp e në Internet, shkrime rreth përurimit të librave, ku keni qenë pjesëmarrës.

 2.Ti, Klaudia,  ke redaktuar edhe libra. Janë tre, tashmë, të redaktuar nga ti.. Ç’mund të na thuash edhe për këtë përvojë me përgjegjësi?

 -Po, unë kam redaktuar tre libra, deri më tani. Këta libra janë: “Prostitutë më bëri nëna” dhe „Pesh’ore Shpirti“, nga autorja Bukurije Bushati dhe „Ditari im“, nga motrushja ime e vogël (ne kështu i themi njëra-tjetrës), një vajzë shumë e talentuar, vetëm 8-vjeçe dhe që shkruan poezi, Sibora Huda. Mund ta quaj privilegj faktin, që ma besojnë një pjesë të shpirtit të tyre, disa autorë krijues, por sigurisht është edhe përgjegjësi. 

 3.Je gazetare e re, që provove punën në Radio-Tirana dhe, tanimë, në gazetën ditore “Telegraf”…Cilat janë përshtypjet tua dhe a je ndeshur me vëshirësi në profesion, përveç kënaqësive, që të jep ai?

-Unë jam përballë me profesionin, që në fund të vitit të parë të Fakultetit. Pra, kjo ndodhi para 4 vjetësh, me gazetën kulturore- javore, “Intervista”, shumë cilësore edhe serioze. Po gjatë asaj kohe, fillova të shkruaja në gazetën “Tirana Observer”, e cila tashmë është vetëm online. Me pas, përjetova kënaqësinë e gazetares  në TVSH, te emisioni “Kolor”. Qendrova aty 6 muaj dhe, pa u shkëputur asnjë ditë nga puna, kalova në Radio-Tirana, në departamentin e emisioneve social-kulturore, ku vazhdoj prej një viti e gjysëm. Aktualisht, aty jam autore dhe moderatore e emisionit “Format” e, në shtator, ky emision bën një vit, që nga fillimi i tij. 

Po kështu, po mbushet rreth një vit, që i jam bashkuar edhe stafit të një ndër gazetave më të njohure në Shqipëri, “Telegraf”. Aty kam sektorin e politikes, të cilën nuk e mbaj vetëm unë. Plus edhe dy rubrika të tjera: “Specialisti shpjegon: Fadil Kepi” dhe “Psikologjia”. Mund ta them, me plot gojë, që është krenari për mua të punoj me zotin Fadil Kepi. Është njeri korrekt, shumë i zoti e, nga ai, kam mësuar edhe unë mjaft, tashmë, për legjislacionin e pensioneve. Tani, gjatë verës, po kështu, kam nën përkujdesje gazetën javore, “Tendenca Verore”, po në “Telegraf”. 

Por, mund të them se unë, përditë, ndeshem me vështirësi dhe përditë mësoj shumë, nga punët që kryej. Gjithashtu, më është dashur të ndjek edhe shkollën e lartë…Pra, siç shihet, jam rritur njëkohësisht edhe në profesion edhe në Fakultet. Emrin „gazetare“ ma dha punë në terren, njohja me jetën e përditëshme.  Fakuteti më mësoi si të jem e kujdesshme, mos të gaboj në një shkrim ose në daljet mediatike. Më mësoi të bëj pyetjen e duhur, për të marrë përgjigjen që dëshiron. Kjo është „arma“ e gazetarit, pyetja. Po nuk formulove  pyetje të mira, nuk do të kesh një shkrim ose emision cilësor.

4.Në jetëshkrimnin tënd dhe siç e tregove më lart, kam lexuar se ke publikuar në disa gazeta. Për çfarë tematike ke shkruar?

-Në gazetën „Intervista“ kam realizuar disa intervista, por edhe materiale të tjera të tematikës së saj. Te „Tirana Observer“ e nisa me disa komente dhe analiza. Për hirë të së vërtetës, këtu e kam gjetur veten më mirë dhe kjo gjë më ka pëlqyer më shumë. Ndërsa te „Telegraf“, në të cilën jam aktualisht, merrem me çështjet politike të ditës, siç edhe e theksova edhe më lart. Përgatis edhe intervista të ndryshme, shoqërore e kulturore. 

Për mendimin tim, duket pak si hallakatje të bësh shumë gjëra, njëkohësisht. Por kështu kupton, se ku je më mirë dhe ku ti jep më shumë. Kështu, unë e kam kuptuar, se ku jam më mirë dhe çfarë dua të bëj: pra dua politikën. Dhe për këtë e falenderoj pafundësisht drejtorin e gazetës, zotin Engjëll Musai, i cili më caktoi në një drejtim të tillë edhe më ka besuar goxha. Por nuk duhet lënë pa përmendur që edhe ndihma e drejtorit, ndaj meje, ka qenë shumë e madhe dhe mbeshtetëse. 

5.Ndoshta, duhej të pyesja më parë: A mund të na tregosh diçka për familjen, shkollimin tënd etj.?

-Unë kam një vëlla, dy vjet më të vogël se veten, i cili quhet Klajdi. Dy prindërit e mrekullueshëm kanë ditur të më bëjnë kjo, që jam  sot. Dua të shtoj këtu, se babai im është ndjekësi më i rregullt i emisionit tim „Format“, në Radio-Tirana. Ndërsa mami e Klajdi, jo. Por, edhe pse nuk e ndjekin, më japin ide për emisionin. Megjithatë, janë krenarë për sukseset e mia, të arritura deri më tani.

6.Një krijues e re dhe e talentuar, siç je ti, zakonisht, thurë edhe poezi ose shkruan skica e tregime…A është e vërtetë kjo edhe për ty dhe a mund të presim ndonjë libër me poez,  nga ti?

-Unë kam nisur të shkruaj që e vogël, pa ndonjë qëllim dhe as nuk e kuptoja çfarë shkruaja. Por nuk i kam ruajtur poezitë e para. Mbaj mend se, kur kam shkruar poezinë e dytë, e kam grisur të parën. Dhe kështu e bëja me disa. Sepse poezia e radhës më dukej më e bukur, se e shkuara. Pastaj i ruajta disa, pastaj prapë i grisa. Ndërsa nga viti i dytë i Fakultetit fillova të kujdesesha për to. Pra, po, do jetë një libër nga unë. Por, se kur do të botohet ai, nuk e them të saktë, as vetë!? (ha,ha).  

7.E di që do ta “lavdërosh” (ha,ha) gazetën, ku punon, pra “Telegraf”-in…Çfarë mendon se është më e pëlqyer në faqet e kësaj gazete dhe a do të dëshiroje të kishte ndonjë rubrikë të re ose të ndryshonte diçka aty?

 -Meqë e dinit, që do ta lavdëroj, pa thonjëza të vëna, them se “Telegraf” është një gazetë e kompletuar. I ka të gjitha rubrikat, që i duhet një botimi të përditshëm. Është gazetë serioze dhe me një staf drejtuesish shumë të aftë.

 8.E fundit, në radhën e pyetjeve të mia: A mos kemi “harruar”(ha,ha) ndonjë gjë pa diskutuar bashkë, në këtë Bisedë modeste, për të cilën të falëndroj përzemërsisht? Gjithashtu, të urojmë mbarësi e frymëzime të reja, shoqëruar me një fat, si në punën e përditëshme gazetareske dhe në krijimtarinë poetike!

-Faleminderit shumë për këtë bisedë. Kemi mjaft për të thënë, por më mirë pa treguar çdo gjë, sesa t‘i zbulojmë të gjitha!

Tiranë, 16 korrik 2016

Filed Under: Interviste Tagged With: gazetare, Klaudia Malaj, Prof. Murat. gecaj, terreni

Klaudia Malaj, portret i suksesit dhe buzëqeshjes magjike

August 14, 2015 by dgreca

Nga Gani QARRI/
Femrat shqiptare, janë krenaria e përhershme e kombit tonë. Ato shkëlqejnë kudo,në atdhe e jashtë tij,si dhe në të gjitha profesionet që ushtrojnë,në arsim,sport, kulturë, politikë, mediat vizuele etj.
Një emër i ri premtues që shkëlqen në këtë drejtim,është e reja nga Tirana, Klaudia Malaj, të cilës me të drejtë, i është besuar një detyrë e nderuar, që çdo moshatar i saj,do ta ëndërronte dhe kishte lakmi.
Siç i kujtojmë ende me dhembje ,vitet e 90-ta, ishin ndër më të vështirat për popullin tonë, kohë kur shumë familje shqiptare u detyruan të iknin nga atdheu, madje disa edhe për të mos u kthyer më kurrë, në kërkim të mbijetesës nëpër vende të ndryshme të botës,fatkeqësi të cilën e përjetoi edhe ajo me prindër.
Klaudia është fëmija i parë në familje, e lindur më 4 qershor të vitit 1992, në Sarbrücken të Gjermanisë,ku atëbotë ata gjendeshin përkohësisht, për tu kthyer vetëm një vit pas lindjes së sajë, që më1993, përsëri në atdhe.
Prindërit e Klaudias, nëna Pranvera nga kryeqyteti Tirana dhe babai Lavdoshi nga qyteti historik i Flamurit,Vlora heroike, kanë edhe një djalë, 2 vite më i vogël, nga ajo.
Edhe pse e re në moshë, Klaudia është e njohur si udhëheqëse profesionale e emisionit të kulturës në “Radio Tiranë”.
Në veçanti, bie n ë sy për aftësinë në komunikim, thellësinë e mendimit dhe lehtësinë me të cilën trajton edhe temat më komplekse në emision.
Nga të gjithä ata që e njohin, Klaudia cilësohet si një bukuroshe e ëmbël me kaqurrela të gjata, e cila pareshtur ofron buzëqeshje me plotë dashamirësi.
Ajo, çmohet sidomos shumë për sjelljen e mirë, qëndrimin parimor dhe komunikimin familjarë e vllazëror me secilin bashkëbisedues.
Emri i saj, është portret i nderuar i medias dhe kulturës sonë kombëtare,vlerësim ky i cili nuk mund ti atribuohet secilit pretendues, autor apo krijues të sotëm.
Që në fëmijëri, thotë se i pëlqente pa masë aktërimi,kurse nga klasa e shtatë e shkollës fillore nis të shkruaj edhe poezi.
Krijimet e saj, ishin tejet serioze për moshën dhe temë të preferuar kishin dashurinë, ani pse autorja e tyre, ishte ende e re në moshë dhe për këto ndjenja njerëzore, kishte “mësuar” jo në mënyrën më të mirë, nga vërshimi i shumë serialeve të pa seleksionuara televizive, që atëkohë shtëpitë mediatike shqiptare kudo, emetonin me bollëk.
Megjithatë,poezitë e saj, rreth 200 sosh,ishin aq përmbajtësore, sa që ata të cilët i lexonin, jo rrallë ndodhte të mos besonin fare,se ato i takonin kësaj autore prestigjioze.
Madje qysh në atë kohë, poezia me titull “Dilema ime” do të vlerësohej lartë dhe vendosej në tabelë nderi ,në klasën e tetë, të shkollës fillore, ku Klaudia atëherë mësonte;
Dilema ime
Në rrugët e jetës po eci unë tani.
Të zgjedh Atë, apo Tjetër, nuk di.
*******************************
Sa gjëra kërkojmë në jetë
*********************************
Tjetër duam, e tjetër jeta na jep
****************************
U lodha duke dëgjuar premtime pa besë
***********************************
Nuk shohë një dritë jeshile që në jetë të vazhdoj
Por vetëm e kuqja në semafor më ndaloj,
Kjo ishte njëra nga poezitë e pakta të ruajtura nga ato vite,kurse të tjerat,ajo pothuajse do ti griste që të gjitha.
Më 2007-2011, në shkollën e mesme “Asim Vokshi” në Tiranë,Klaudia do të mësonte spanjishten dhe rusishten.
Njëkohësisht, ajo vazhdoi të shkruante përsëri poezi, të cilat edhe pse herë pas here i publikonte në fb. duke mos u ndjerë sa duhet e mbështetur ,nuk do ti ruante as ato.
Në fakultet, në vend të aktrimit që e pëlqente vet dhe dëshirës së prindërve për të studijuar mjekësinë, ajo krejt rastësisht do të vendoste për gazetarinë, të cilën do ta mbaronte në vitet 2011-2014,ani pse, pikërisht atë, nuk e kishte përmend as kujtuar kurrë si profesion të jetës së saj.
Pas,mbarimit të bachelorit për gazetari,të cilin sapo e ka përfunduar, Klaudia fillon “Masterin shkencor për mardhënie me publikun”.
Në fillim të vitit të dytë,ajo nis të shkruaj tek gazeta javore. INTERVISTA….. dhe përreth një vit boton aty.
“Nuk kisha provuar kurrë më parë me komente dhe opinione, por në vit të tretë,shkrimet nisa ti dërgojë tek “Tirana Observer”, ku publikova edhe diplomen time”,… thotë në mes tjerash Klaudia.
“Në tetor të 2014, shkoj për praktikë tek Televizioni Publik Shqiptar., kurse në prill të 2015 kalova në radio,ku kam hapsirën time me intervista, vazhdon Klaudia.” Të them të drejtën i dua që të dyja, radion dhe televizionin. Madje, sa herë dal në terren për një intervistë që më duhet në radio, më merr malli shumë edhe për televizionin.
Në Radio Tiranë, Klaudia bënë një punë të denjë që i sjellë jo vetëm vëmendje por edhe respekt e mirënjohje, derisa ajo vazhdimisht trajton vlerat e elitës krijuese të të gjithë kombit pa përjashtim.
Shumë çuditshëm lindin edhe poezitë e mija, shprehet Klaudia; “kjo (poezi) përshembull lindi kur po fshija pluhurat në shtepi…,:
Heshtja nga unë mësoi të flasë
Piktori mbi pluhur, një portret pikturoi.
I dha sy që të shikoi.
I dha vesh që të dëgjoi.
I dha gojë që me të të bisedoi.
I mësoi fjalët dhe e kompletoi.
***********************************
“Përse më dhè jetë, dhe s’më dhè zemër?” – Portreti i tha!
Nuk ta dhashë, – u përgjigj piktori, – se do lëndoheshe sa më s’ka!.
Dy poezitë e paraqitura në këtë shkrim, janë të vetmet që nuk kam grisur………sqaron autorja.
Opusi krijuesi Klaudias, është i lidhur ngushtë me rolin e gazetares dhe redaktores në emisionet kulturore të Radio Tiranës
Intervistat që udhëheqë Klaudia, shoqërohen me butësinë e zërit të mrekullueshëm dhe buzëqeshjen e magjishme , të cilat i emiton me aq përkushtim e dinjitet para publikut të gjerë mbarëkombëtar.
Pra, siç do të thoshte edhe autori me famë botërore dhe biografi i shquar,Stefan Cfajg: ajo sikur merrë me vete kudo edhe diellin e saj,me të cilin edhe krijimeve tjera nga autor të rinj,u ofron atmosferë sipërore shkëlqimi, u jep atyre ngjyrë tejet vezulluese dhe shije të adhurushme interesimi, deri në pafundësi.
” Diell” ky, i cili ndihmonë atë të ngrohë dhe shkrijë zemrat e krijuesve shqiptar nga të gjitha trojet tona etnike.
Në punën që bënë, ajo është dëshmuar të jetë e zonja të trajtojë edhe tema të arrira me përmbajtje, nocione dhe zhanre të ndryshme krijimesh, që kanë të bëjnë me majat e mendimit ideor dhe kulmet e mjeshtrisë krijuese e artistike nga emra autorësh të cilët, jo rastësisht kombin tonë e bënë të njohur edhe në Botë.
Ndaj, trajtesat e saj, që nga fillimi, marrin dimensionet e kronikës së kohëve,dhe përjashtojnë çdo mundësi kolizioni apo fenomeni të ashtuquajtur të goditjeve të dyfishta; “të shprehjes dhe mendimit” siç do të thoshte i madhi Roland Bart, të cilat me siguri do të mbeten shembulli më sublim edhe për brezat që vijnë në të ardhmen.
Të përgjigjesh në mikrofon para syve shkëlqyes me reflektime aq të thella metaforike të Klaudias, është një sfidë e vërtetë, ngase çdo pyetje, sqarim, plotësim e trajtim faktesh, ajo e shndërron në art, gjatë intervistave të saj të zhvilluara me aq kujdes e përkushtim…”
Njëjtë edhe krijimet e Klaudias, na vijnë si shfaqje të rralla artistike, shoqëruar me polifoni zërash poetikë,e që parë nga cilido këndvështrim, ato përherë spikasin për vlera të larta përkushtimore, si të ishin pjesë të zgjedhura nga shënimet jetësore të kolosit botëror të letërsisë, të famshmit Franc Kafka; në të cilat përkundër moshës së saj të re, dominon përmbajtje e “pjekur” jetësore, interesante dhe autentike.

Kështu, puna, talenti dhe përkushtimi i saj,vërtetë kanë madhëruar në mënyrë meritore,emrin e Klaudias.
Karakteristikë e krijimeve të së cilës, mbetet vargu i shkurtër por tërheqës e domethënës i cili, nga të gjitha grupmoshat e adhuruesve, lexohet me një frymë dhe plotë ëndje e ndjesi:
Rruga bëhet duke ecur
Nuk e dua gjithë jetën si një fundjavë
Nuk dua shpesh festa të zhurmshme
Nuk kam kërkuar vetëm sukses në jetë
*****************************************
Ke edhe dështime
*****************************************
Ka orë që nuk mbarojnë kurrë
*************************************
Tradhëtarët dikur ishin miqt tanë
I donim shumë. …..

Ajo na vie edhe si misionare që zotronë “universin” e lartësuar me frymëzime poetike nga dashuria, si dritë e jetës e cila e shoqëron Klaudian në rrugëtimin e saj kudo:
Në heshtje të kërkova
Nuk di ç’t’i bëj kujtimit që le në dhomën e braktisur.
Nuk të kam, por as harruar në mendjen time nuk je.
************************************************************
Ti ishe aty sërish, me puthje përqafime dhe ëndërrime.
Më ndiqje dhe sot në ëndrrat e largëta që mbetën kujtime.
Me një fjalë,jo vetëm në poezi, por edhe në jetë e profesion, Klaudia është një femër e kompletuar,e cila gjithmonë ka vizion për risi dhe aktivitet të pareshtur kulturor.
Të jesh pjesë e këtij suksesi, sigurisht që nuk është aq e lehtë dhe e thjeshtë sa duket,por kujdesi me kohë dhe për çdo gjë duke mos i lënë asnjë detaj rastësisë,ka bërë që gjithçka të ecën në drejtimin e duhur dhe kthyer Klaudian në simbolikë të punës dhe sjelljes shembullore.
Femrat e tilla,kam bindjen se nuk janë rastësi, ato sikur vijnë të lindura për sukses dhe arritje. Madje ato, shpesh herë dinë të jenë më të zonja se meshkujt, të udhëheqin me shumë elan firma të mëdha, institucione me rëndësi dhe poste të larta shtetërore, duke mundësuar tejkalimin e kufijve të mbetur të ndasive gjinore edhe në shoqërinë shqiptare.
Duke njohur Klaudian, bindemi plotësisht se natyra e butë dhe e padjallëzuar e pamjes së saj,përveç mirësjelljes së përhershme që buron pashtershëm nga kjo fytyrë engjëllore,na njeh edhe me një femër me karakter të fortë,e cila është në gjendje t’i bëjë ballë çfarëdo sfide dhe menaxhojë çdo detyrë të besuar me sukses e përkushtim,për çka ajo dhe nderohet me dhjetëra komente e mirënjohje të ndryshme nga të intervistuarit e shumtë.
Ndaj, në shenjë respekti për punën,përpjekjet dhe angazhimet e saj , përveç mirënjohjes më të madhe dhe falënderimit të veçantë e meritor,për optimizmin, vendosmërinë profesionalizimin dhe kreativitetin që ajo në vazhdimësi sjellë e promovon,mes nesh me aq dashamirësi dhe elan të pafund, me të cilat na bënë të krenohemi të gjithë ne, është i pashmangshëm edhe një urim i përzemërt me dëshirat më të mira për suksese të mëtejme e të gjithanëshme në karrierë, si dhe për shëndet e lumturi të përhershme dhe gjithë të mirat në Jetë,për këtë fenomen të artit e të kulturës radiovizive, portret të suksesit dhe burim origjinal të buzqeshjes magjike, që presim, shpresojmë dhe dëshirojmë me gjithë zemër, të bëhet emër i nderuar në gjithë hapësirën kombëtare,Klaudinë tonë!.
Gani Qarri Cyrih, 13 Gusht 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Gani Qarri, Klaudia Malaj, portret i suksesit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT