• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Jup Kastrati dhe … “Veprimtaria Antikombëtare e Klerit Katolik Shqiptar”

October 21, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/
Nëse dishroni me pa një popull pa t’ ardhme, “shkatrroni shkollat”(F.R.)/
Nga Fritz RADOVANI: Pjesa II/
Nga ky dokument i botuem nga anadollaku “ dr. prof.” Jup Kastrati “Parathanje” e librit të Rakip Beqaj: “Veprimtaria Antikombëtare e Klerit Katolik Shqiptar”, kam besimin se, do të bindeni sesi merreshin tituj e grada shkencore në institucionet përkatëse të Shqipnisë. Titulli i këtij shkrimi (me një modifikim të vogël, nder kllapa), asht marrë nga një pasues i tij, Gjovalin Shkurtaj. …Edhe ky i “konvertuem akademik” ndër arkivat e “shokut” Rakip Beqaj.
PARATHANJE
Vepra e shokut Rakip Beqja, “Veprimtaria antikombëtare e klerit katolik shqiptar”, asht e para e kësaj fare, që po botohet në vendin tone. Libri ka randësi politike, ideologjike dhe shkencore. Ky botim që po del me rastin e 25- vjetorit të çlirimit të Atdheut, asht rezultat gjurmimesh dhe hulumtimesh, prej disa vjetësh, nga ana e auktorit. Përpara se të merrte këtë formë që ka sot, vepra u paraqit si punim diplome në Fakultetin e historisë së USHT me 1964. Gjatë kësaj kohë, u përpunue fillim e mbarim, tue iu largue karakterit shkollor, që kishte në variantin e parë. Në këtë mënyrë iu dha trajtesa e një studimi shkencor me karakter monografik. Punimi asht konceptue drejt, tue u nda në katër kapituj kryesorë.
Në kapitullin e parë, auktori e ka pa të arësyeshme të flasë për kushtet historike e shoqënore të lindjes së kristianizmit dhe për futjen e përhapjen e tij në Shqipni. Në disa paragrafë, auktori ban fjalë edhe për fenë, shikue në dritën e shkencës marksiste-leniniste, për shtetin e Vatikanit, për kishën katolike dhe kapitalet e saj. Kjo hymje ishte e nevojëshme për të kuptue rranjët e thella historike të fesë katolike, e cila, në vendin tone, gjithëmonë “ka qenë ideologji e pushtuesve romakë, italianë dhe austriakë” siç na mëson shoku Enver. Kisha katolike ka veprue, gjithëherë, si shtypëse e çdo lëvizjeje përparimtare, demokratike, popullore. Ajo ka qenë vazhdimisht kundër mendimit të lirë. Ajo ka mbetë gjatë gjithë ekzistencës së saj, në pozita antikombëtare dhe reaksionare. Auktori, me anë dokumentash dhe faktesh të pamohueshme, ka arritë të zbulojë degjenerimin dhe korrupsionin e klerit. Në fund të kapitullit të parë, hartuesi i monografisë ban një përgjithësim me randësi, në lidhje me kishën katolike shqiptare, tue na tregue se ajo, në çdo kohë ka qenë e predispozueme dhe e gatëshme të përdorë pozitën e vet politike për qellime të këqia, tradhëtare në shërbim të të huejvet, kundër interesave të Atdheut tonë.
Në kapitullin e dytë, auktori, mbasi shqyrton gjëndjen e Shqipnisë në pragun e pushtimit nga Italia fashiste si dhe gjendjen ndërkombëtare në pragun e shpërthimit të luftës së dytë botnore, ndalohet tek roli i shtetit të Vatikanit. Në mënyrë të veçantë ai sjell fakte konkrete, që dëshmojnë se si krenët e klerit katolik shqiptar kanë qenë gjithmonë në shërbim të të huejvet; kështu p.sh., nga 1870 deri në mbarimin e luftës së parë botnore u shërbyen austro-hungarezëve; gjatë periudhës 1919-1943 qenë në shërbim të italianëve; kurse, nga shtatori 1943 deri në çlirimin e Shqipnisë, 29 nandor 1944, qenë të lidhun kambë e krye me gjermanët nazistë. Këto lidhje me të huejtë siç e spjegon bukur autori rrjedhin, së pari, nga fakti se këta agjentë të Vatikanit në Shqipni, gjithëherë, kanë përmbushë detyrat, që u ka ngarkue ai; së dyti, sepse kleri katolik shqiptar ka pasë kurdoherë, të njejta qellime politike dhe ideologjike me pushtuesit e huej. Fondet e ndryshme, që u derdhën në vendin tonë nga Austro-Hungaria dhe Italia fashiste për të mbajtë gjallë institucionet fetare sollën si rrjedhim, nënshtrimin pa kushte të klerit katolik ndaj pushtuesve imperialistë. Ma anë dokumentash arkivale, autori i veprës tregon qartë dhe në mënyrë bindëse se si kleri katolik shqiptar punoi për pregatitjen e pushtimit të Shqipnisë nga Italia fashiste. Për të parën herë në botimet tona shkencore i bahet e njohun publikut të gjanë veprimtaria antikombëtare dhe reaksionare e njanës nga organizatat e klerit katolik shqiptar, pra “Veprimit Katolik” (Aksionit Katolik).
Në kapitullin e tretë auktori flet për pushtimin e Shqipnisë nga Italia fashiste dhe për bashkëpunimin e klerit katolik shqiptar me pushtuesit. Krerët e klerit katolik së bashku me tradhëtarët e tjerë të vendit sanksionuen humbjen e pavarësisë së Shqipnisë. Me anë dokumentash të panjohun ose pak të njohun, auktori tregon veprimtarinë tradhëtare të klerit katolik gjatë hovit të ri të Luftës Nacinal – Çlirimtare. “Kur Shqipëria lëngonte nënë thundrën e fashizmit gjakatar dhe populli luftonte për t’u çliruar, – shkruen shoku Enver – këta klerikë kryesorë katolikë muarrë flamurin e antishqiptarizmës dhe u treguan shumë aktivë në luftën kundër popullit shqiptar. Ata muarrë pozita të rëndësishme politike nën fashizmin dhe me egërsinë më të madhe u hodhën në luftë kundër popullit. (1)
Në kapitullin e katërt, auktori studion pushtimin e Shqipnisë nga trupat gjermane dhe bashkëpunimin e klerit katolik me pushtuesit nazistë. Përmes së dhanash së shumta flitet për forcimin dhe zgjanimin e Luftës Nacional – Çlirimtare gjatë vitit 1944, për disfatën e reaksionit të mbrendëshëm dhe të klerit katolik, për luftën e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare për çlirimin e plotë të Shqipnisë si dhe për veprimtarinë antikombëtare të klerit katolik në këtë periudhë.
Në këtë mënyrë mbyllet libri i parë i kësaj monografie. Për veprimtarinë reaksionare dhe antikombëtare të klerit katolik mbas çlirimit të Shqipnisë, gjatë pushtetit popullor, auktori do të hedhë në shtyp, së shpejti, librin e dytë.
Tue e rrokë me një vështrim vëllimin e parë, të bijnë në sy një seri veçorishë pozitive të këtij libri. Karakteristikë e përgjithëshme e veprës që kemi në dorë, asht çfrytëzimi i një literature të gjanë, tue fillue nga veprat e klasikëvet të marksizëm – leninizmit, tue vazhdue me materialet historike të Partisë së Punës së Shqipnisë si dhe raportet dhe fjalimet programatike të shokut Enver. Hartuesi i këtij studimi asht mbështetë mbi burime të shumta dhe të ndyshme; së pari, burime arkivale të panjohuna deri më sot dhe të pabotueme, të cilat ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit – Tiranë, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendëshme – Tiranë; së dyti, në libra, broshura, revista, gazeta, buletine, të botuem, në mënyrë të veçantë në artikuj të shtypit periodik të vetë klerit katolik; së treti, në organet reaksionare, që botohen jashtë shtetit nga tradhëtarët e vendit tonë. Tue u mbështetë në këtë bibliografi të gjanë, auktori ka ditë të interpretojë drejt ngjarjet dhe fenomenet, ka arritë të zbulojë rranjët e vjetra dhe të reja të veprimtarisë antikombëtare dhe reaksionare të klerit katolik. Mbi bazën e një dokumentacioni të shumtë ka ba analizën e faktevet, ka nxjerrë konkluzionet e duhuna logjike, ka sqarue mjaft çështje të panjohuna nga publiku i gjanë. Në këtë drejtim, ai i ka sjellë një shërbim të vyer historisë së Shqipnisë. Mbasi përfundon së lexuemi veprën, lexuesi e mpreh edhe ma shumë vigjilencën e vet revolucionare. Këndej del edhe ana edukative e veprës. Ngjarjet e ndryshme politike, auktori i ka shikue me objektivitet, tue u mbështetë në partishmërinë proletare.
Një meritë tjetër e veprës qëndron në faktin se ajo nis një luftë të hapët me historiografinë borgjeze shqiptare. Auktori i ka ikë me mjeshtri trajtimit në mënyrë të përgjithëshme të fenomeneve të ndryshme. Çështjeve nuk i ka qëndrue në sipërfaqe, por i ka thellue. Tue pasë për bazë ’’metodologjinë marksiste-leniniste, tue u mbështetë në metodën e materializmit dialektik dhe historik, auktori ka dërmue njëherë e përgjithmonë mitin e “patriotizmit” të klerit katolik, ka rrëzue tezat e absolutizueme nga disa historianë klerikë, në lidhje me të ashtuquejturën “veprimtari kombëtare” të klerit katolik. Si rrjedhim, Rakip Beqja e ka shikue me sy kritik historiografinë klerikale të Shkodrës dhe asht ngritë me guxim kundër saj. Ka mbajtë qëndrim të patundun, të premë dhe parimor ndaj disa figurave klerikale, që në historinë e letërsisë shqipe janë quejtë “kontradiktorë” ose “kompleksë”, si, bie fjala, shkrimtarit reaksionar Fishta.
Ky asht një qëndrim aktiv i studiuesit, i cili nuk asht vetëm hetues, gjurmues, përshkrues dhe regjistrues i faktit, por edhe interpretues i drejtë dhe i palëkundun i fenomenit.
Një tjetër veçori e veprës asht fakti se auktori ka vu, në radhë të parë, atë që asht kombëtare mbi atë krahinore. Ai mban qëndrim kritik ndaj konservatorizmit, partikularizmit, regjonalizmit dhe ndaj çdo çfaqjeje regresive të së kaluemes. Vepra tingëllon si një thupër e fortë ndaj auktorëve të historisë kishtare shqiptare, që kishin idealizue dhe ba “idhuj të paprekshëm” disa krenë të klerit katolik. Vepra, që nga kreu e deri në fund, shquhet për frymën e thellë klasore.
Në vepër ndeshën dy botë: e reja me të vjetrën, rryma përparimtare me atë që asht reaksionare, fetare, prapanike, anakronike. Në njenën anë, një vijë e kuqe spikatë në mbarë veprën: asht rruga e atdhetarëvet të vërtetë, rryma e partisë, e komunistëve, e Luftës Nacional-Çlirimtare. Kjo ka të ardhëmen përpara, i përket së resë, asaj që asht përparimtare, progresive, demokratike, popullore; prandaj triumfon mbi të vjetrën. Nga ana tjetër, një vijë e zezë bie në sy në veprimtarinë e klerit katolik shqiptar: asht vazhda e tradhëtisë, e falsitetit, e demagogjisë, vija e reaksionit ma të tërbuem, e antishqiptarizmit, e asaj që asht regresive, e mykun, e dalun boje; prandaj asht e destinueme të vdesë.
Asht siç provohet mjaft mirë në vepër, baza politike, ekonomike dhe ideologjike e klerit katolik në Shqipni ka qenë, gjithmonë, e huej për botën shqiptare. Tue iu referue materialeve të botueme nga vetë kleri, po sjellim këtë të dhanë historike, që dëshmon qartë se, pothuej, të gjithë misionarët, organizatorët dhe krenët e klerit katolik në Shqipni në shekujt e kaluar kanë qenë me kombësi të huej. Mjafton t’u hedhim një sy françeskanëve dhe jezuitëve, tue mos u ndalue tek benediktinët e domenikanët.
Historikisht dëshmohet që në vitin 1248 Urdhëni françeskan filloi me u vendosë në Shqipni, me zgjedhjen e françeskanit Giovanni de Plano Carpini arqipeshkëv i Tivarit. (2) Ky prelat bani me ardhë në Shqipni françeskanët dhe domenikanët, tue zevendsue , kështu, benediktinët, të cilët, që nga kjo kohë, kishin fillue me braktisë manastirët e tyne. Në veprën “Schizzo Storico sull’opera dei Franceskani in Albania”, asht dhanë lista e françeskanëve, që u zgjodhën peshkopë ndër dioqeze të ndryshme, (3) Kështu, p.sh., në arkidioqezin e Tivarit dhe të Durrësit, në dioqezin e Shkodrës, Lezhës, Sapës, Pultit, Krujës, Sh’Shtjefnit (në Mat), Arbërit, Shazit, Bardhecit, Drishtit, Ulqinit, Shurdhahit, Sapës e Sardës, d.m.th. ndër dy arkidioqezë dhe trembdhjet dioqezë janë të regjistruem rreth 80 peshkopë të huej. Çdo njeni nga këta ipeshkvij ka sjellë në vendin tonë frymën e nënshtrimit ndaj politikës austriake dhe italiane. Me një ideollogji të tillë u rritën dhe u edukuen edhe klerikët katolikë vendas.
Në kete temë historike, janë kapur ato periudha që për rëndësinë e tyre në saje të një studimi, analize e sinteze të thellë të ngjarjeve e fakteve mbi klerin katolik shqiptar, jepet qartë figura reaksionare, antikombëtare e atyre veladonezezëve, që për shekuj duke qenë përfaqësuesit e pushtetit shpirtëror të njerëzve, kanë luajtur ashtu siç thotë autori vetëm rol merimangash në vendin tonë, në endjen e atyre fijeve të njohura të errësirës mesjetare.
Vepra duke qenë një sintezë e konfliktit të ashpër klasor të shkallës kombëtare e ndërkombëtare, lot një rol të rëndësishëm për studime shkencore në fushën e historisë së vendit tonë dhe ka një vlerë të madhe për edukimin revolucionar të masave punonjëse.
Jup Kastrati
1. ENVER HOXHA: Fjalime të mbajtura para popullit të Shkodrës, Mirditës, Leshit, Milotit, Mamurasit, Urës së Zezë, (15 Shtator 1949) N.SH.B.Sh. Tiranë, 1949, faqe 14.
2. Schizzo Storico sull’opera del Francescani in Albania (pró manuscripo). Scutari, Tipografia Francescana. 1930, faqe…
3. Po aty, në faqe 16 – 21.
Tiranë, 1969.
Shenim nga FR: Materiali “Parathanje” asht botue i plotë dhe pa asnjë ndryshim nga origjinali. Bashkpuntori i sigurimit i “shokut” Rakip Beqaj, Jup Kastrati, që në vitin 1967 me “Revolucioni Kultural”, si njeri i besimit i ideatorit tē “Muzeut Ateist” Ramiz Alia, ishte i ngarkuem edhe me detyren e “Kryetarit tē Komisionit të Pērzgjedhjes së Leteraturēs Fetare Kishtare”. (Vazhdon…)
Melbourne, 2014.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe ... “Veprimtaria Antikombëtare e, Frtiz Radovani, Jup Kastrati, Klerit Katolik, shqiptar

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT