• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një kokë për një pëllëmbë tokë

February 15, 2019 by dgreca

1 azgan RamushOpinion nga Azgan HAKLAJ/

Koalicioni, apo më qartë kuarteti Putin-Erdogan-Rama-Thaçi, një aleancë antiperëdimore e antishqiptare, njëherësh kanë hyrë në dimrin e vetmisë së madhe. Dy të parët, lider autokratë dhe diktatorë kanë zgjuar ëndrrat dhe po përpiqen të jetësojnë ish-perandoritë ruso-otomane, njëherësh duan të ndajnë zonat e influencës në Ballkan përmes satelitëve të tyre Rama-Thaçi.
Edhe pak ditë festojmë 11-Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Pak ditë na ndajnë nga 20-Vjetori i Rambujesë.
Ky vit është 20-Vjetori i Çlirimit të Kosovës.
Edhe pak javë na ndajnë nga 20-Vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-s, Koalicionit të Lirisë, mbi Serbinë gjakatare të Millosheviçit. Në 78 ditë makineria luftarake serbe u shkërmoq si një kështjellë rëre e kasapi Millosheviç së bashku me gjeneralët e tij kanibalë u detyrua të kapitullonte pa kushte. Atë kohë Rusia e Boris Jelcinit, megjithë presionin diplomatik e Veton në OKB, nuk mundi t’u vijë në ndihmë vëllezërve serbë. Presidenti Klinton, Sekretarja e Shtetit Medlin Olbrajt, gjenerali Klark, Londra-Parisi-Roma i treguan mbarë botës se NATO dhe Perëndimi nuk do të lejonin kurrë që në zemër të Europës të ushtrohej dhunë, genocid e spastrim etnik. Makineria ushtarake kolosale e fitimtare e NATO-s mbështeti djemtë e vajzat e Kosovës e shumë bijë e bija nga mbarë hapësira etnike shqiptare që ishin rreshtuar në UÇK dhe me kurajo, vetmohim e trimëri të pashoqe rrokën armët e u hodhën si shqiponja në zjarrin e betejave për liri.
Kosova e mbretërve dardanë, e Lekë Dukagjinit, e Zhuj Selmanit, e Ymer Prizrenit, e Sylejman Vokshit, e Mic Sokolit, e Sef Koshares, e Haxhi Zekës, e Ali Ibres. Kosova e Lidhjes së Prizrenit, e Lidhjes së Pejës. Kosova e Kuvendit të Verrave të Llukës. Kosova e Kryengritjeve të mëdha 1908-1909-1910. Kosova e Kuvendit të Junikut, e trinomit të lirisë Hasan Prishtinës-Isa Boletinit-Bajram Currit më 21-25 maj 1912 hartoi Platformën e Kryengritjes së Përgjithshme që finalizoi Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar në Vlorë nga Plaku i Vlorës, Ismail Qemali.
Kosova – ky djep i kuvendeve, besëlidhjeve e kryengritjeve të mëdha për liri e pavarësi u mbyt nga gjaku i dragojve të ri të saj: Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Adem Jashari, Luan Haradinaj, Shkëlzen Haradinaj, Agim Ramadani, Sali Çekaj, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Adrian Krasniqi, Bedri Shala, Bekim Berisha, Iliaz Kodra e mijëra djemve dhe vajzave që dhanë jetën për liri e çlirim kombëtar.
Numri i të vrarëve është aq i madh sa çdo pëllëmbë toke është e larë me gjak.
20 vjet më parë Bota e Lirë u ba dëshmitare e Masakrës barbare e çnjerëzore të Reçakut, ku dhjetra shqiptarë të pafajshëm u ekzekutuan nga falangat gjakatare të Millosheviçit dhe Arkanit. Kjo ngjarje shënoi një pikë kthese për Diplomacinë Euro-Atlantike e përmes saj për vet të ardhmen e Kosovës e të Kombit Shqiptar.
Sot kohët kanë ndryshuar në disfavor të armiqëve tanë historik serbo-sllav-ruso-otoman.
Shqiptarët në Ballkan janë një armatë 10 milionëshe e rreshtuar në krah të Aleancës më të madhe e më të fuqishme që ka njohur bota: NATO-s, SHBA e BE.
Shqipëria shënon 10-Vjetorin e antarësimit në NATO.
Këtë vit Kosova shënon 20-Vjetorin e Çlirimit dhe 11-Vjetorin e Pavarësisë.
Shqiptarët e Malit të Zi me votën e tyre përcaktuan antarësimin e Malit të Zi në NATO dhe vazhdimin e qeverisjes pro perëndimore.
Shqiptarët e Maqedonisë u banë përcaktues të rrugës së Maqedonisë në NATO dhe BE si dhe ndryshimin e emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe zyrtarizuan Gjuhën Shqipe, gjuhën e Aleksandrit të Madh, Pirros, Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), Shenjtores Nanë Terezës.
Identiteti historik e kulturor i shqiptarëve, e drejta e tyre zakonore, vyrtytet e kodi i tyre i nderit solidariteti e humanizmi i trashëguar në shekuj, në genin e tyre, janë jo vetëm pashaportë e Identitetit Europian, por dhe themel i vlerave të Europës së civilizuar.
Beteja për Kosovën e Lirinë e saj nuk ishte vetëm betejë ushtarake.
Ajo ishte për një kohë të gjatë betejë diplomatike e morale, një gurë prove për vlerat e civilizimit perëndimor e kancelaritë e tyre.
Sot imperativ i kohës për Kombin Shqiptar është mbrojtja e Kosovës nga coptimi dhe mbrojtja e çdo pëllëmbe tokë të saj.
Kombi Shqiptar ka patur fatin të kishte nga gjaku i tij avokaten hyjnore, Nanë Terezen; gjeniun e politikës Ibrahim Rugovën; mendimtarin e filozofin, mendjendriturin, illuministin, “Volterin Shqiptar”- Ukshin Hotin, të cilin sherbimet sekrete serbo-sllave e vranë 20 vite më parë në shkurt 1999.
Kosova mbi trungun e saj ka provuar traktate, konferenca e protokolle, ka kaluar një sagë të gjatë sakrificash e kasandrash, humbjesh të mëdha jetësh njerëzore, genocid të pashembullt, shfarosje masive të popullsisë, spastrim etnik, me elaborate e operacione që nga Doktrina e Vuk Karaxhiqit – pyka shqiptare e Çubriolloviçit; elaborati i Qosiçit deri tek Operacioni “Patkoi” i Millosheviçit.
Në 11-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, në 20-Vjetorin e Çlirimit, Kosova është më afër se kurrë për t’u bërë pjesë e strukturave Euro-Atlantike dhe e Familjes Europiane.
Garante e mbrojtjes së këtyre arritjeve janë Ushtria e saj dhe SHBA. Kjo do të thotë së në trojet etnike shqiptare krahas Flamurit krenar të Gjergj Kastriotit do të valvitet edhe ai ngadhnjimtar i NATO-s, i SHBA dhe i BE.
Perëndimi e vlerat e lirisë, demokracisë e civilizimit kanë qënë gjithnjë ylli polar i shqiptarëve, të tilla janë sot e përgjithmonë.
Burrështetasit e shquar, themeluesit e shtetit të Arbërit, Gjergj Kastrioti, Ismail Qemali, Mbreti Zog. Rugova, Ramush Haradinaj, Ali Ahmeti, korifejtë e Rilindjes Kombëtare e të mendimit – Frashëllinjtë, De Rada, Mjeda, Pashko Vasa, Konica, Fishta, Arbër Xhaferi e Ismail Kadare ju kanë treguar bashkëkombasve të tyre se për shqiptarët dielli lind nga përendon.
Shqiptarët sot janë faktor madhor i pamohueshëm e fuqiplotë në trojet e tyre etnike në Ballkan.
Koha e pazarlleqeve dhe e traktateve të fshehta, siç është ky i ndryshimit të kufijve, pra shkëmbim territoresh në këmbim të njohjes, një teatër sharlatan politik, me skenaristë binomin Putin-Erdogan e aktorë trinjaket Vuçiç-Thaçi-Rama, ka perënduar përgjithmonë.
Shqiptarët në shekulln e kaluar edhe pse në kushte shumë herë më të rënda e të pafavorshme se sot kanë ditur t’u tregojnë vendin Haxhi Qamilëve dhe Esadistëve të tyre.
Edi Rama, siç shkruante me të drejtë këto ditë një analist nga Kosova, e ka shitur praktikisht Shqipërinë te Turqia. Portet, aeroportet, minierat e hidrocentralet, ajkën e pasurisë kombëtare të cilat janë mushkëritë e ekonomisë tonë, ua ka varur në qafë barbarëve të Azisë.
Edi Rama e ka pushkatuar Kauzën Çame duke ua falur grekëve sëbashku me Detin.
Teza e ndryshimit të kufijve, kjo dosje e zezë e kulisave politike ruso-turke e filluar qysh me çlirimin e Kosovës para dy dekadash, është hapur nga sivllau i Putinit, krushku i Erdoganit, nga Vuçiçi dhe po mbështetet nga dyshja kuislinge Thaçi-Rama, për interesat e tyre utilitare.
Vendosmëria e Kryeministrit Haradinaj dhe e Qeverisë së Tij, e Liderit të Opozitës së Bashkuar të Shqipërisë, z. Lulzim Basha, opinionit publik në Kosovë e në Shqipëri dhe nga patriotët e Kombit Shqiptar, për të mbrojtur çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare qoftë dhe me jetë njerëzore, është vija e kuqe që nuk mund ta kalojnë despotët e Kremlinit e të Ankarasë dhe shërbëtorët e tyre në Beograd e në të dy anët e kufirit etnik shqiptar.
Në epilogun e Çlirimit të Kosovës, ditës së madhe të triumfit kombëtar, sikur ta parandjente skenarin ogurzi për të cilin apostrofova më sipër e madhja Shkurte Fejza këndonte në kor me piskamen e shpirtit të një Kombi:
“Pa u farue djem e çika
Jo nuk ndahet Mitrovica
Nuk i lëshojmë trojet tona
Krejt Kosova është e Jona”.
Në rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit në Mitrovicë, ish Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, u shpreh me këto fjalë: “Varri i Juaj Baca Isë do të jetë piramidë e kufirit me Serbinë dhe ju do të jeni gardiani i mbrojtjes së trojeve tona.”
E Drejta Ndërkombëtare ka në themel të saj sovranitetin e popujve dhe kjo është thembra e Akilit e projektit antishqiptar të ndryshimit të kufijve përmes shkëmbimit të territoreve, për të cilin punojnë prej kohësh armiqtë tanë shekullor.
Kancelaritë ruso-turke dhe ajo e Beogradit janë mëse të bindura se nuk mund ta ndalojnë zgjerimin e NATO-s e as të BE-së në Ballkan.
E provuan me skenarin malazez dhe maqedonas dhe dështuan me turp.
Në të dy rastet ishin shqiptarët që i dogjën skenarët e tyre dhe i rreshtuan këto shtete në anën e NATO-s e të Perëndimit.
Me frontin e dytë antiperëndimor e antishqiptar, me aktor kalifët Rama e Thaçi, është përpjekja e fundit e carëve të rinj ruso-turk Putin-Erdogan për ta mbajtur Ballkanin peng të politikës së tyre.
Shqipëria sot është e uzurpuar nga Edi Rama e Qeveria e Tij kriminale.
Është kjo arsyeja madhore që i bashkon opozitën dhe popullin në një flamur të vetëm, atë Kuqezi.
Më 16 shkurt është Marrshimi i pandalshëm i Lirisë.
Sovrani zbret si tajfun në sheshet “Skenderbej” e “Nanë Tereza” dhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të shpeëtuar demokracinë e Shtetin e së Drejtës të marrë peng nga Sulltan Rama, i cili po shet edhe trojet amtare për pushtetin e tij.
Ky uragan, me rrëzimin e Sulltan Ramës i then një këmbë oktapodit antishqiptar e antiperëndimor.
Japonezët kanë një postulat: “Më fal tokë që të shkel”. Thaçi dhe Rama trojet shqiptare të mbytur nga gjaku i derdhur nga martirët e rënë për mbrojtjen e tyre duan t’ia bajnë bonos Vuçiçit.
Mitrovica dhe çdo pëllëmbë tokë shqiptare është e jona. Ato do t’i mbrojmë me jetën tonë me moton : “Një kokë për çdo pëllëmbë tokë”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Azgan haklaj, koalicioni antikombetar, kosova

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT