CARLO BOLLINO MJEL LOPËN
– Bisnes me Martirët /
Nga KOLEC TRABOINI/Bukner Art # 1 dhe # 2 janë bërë për bisnes. Rruan para me thes italiani Carlo Bollino me kësisoj sajimesh me bunker. Nuk i mjaftoi i pari po duhej edhe i dyti. Pse nuk deklarohet nga ministri kukull i financave sa para mori Bollino për të sajuar këto Bunker Artet Idiote? Për të parin thuhet mbi 1 milion Euro. Për të dytën nuk thuhet asgjë por ajo që dihet botërisht është, që Carlo Bolino pa i dhënë mbi një milion Euro nuk e luan sumën. Italian i zgjuar ai. I di vërra si nxirret paraja. Ka zbuluar në Shqipëri minierë floriri. Paguan populli shqiptar që vuan prej satrapëve E dini se për ti parë ato fotot e Martirëve në Bunker Art 2 duhet të presësh bilietën në hyrje. Pra pasi u bënë me paratë publike këto bunkermanira që i morën këta partnerët e Qeverisë Rilindase, populli duhet te paguaj sërisht e sërish e pafundësisht. Pse heshtin ish të përsekutuarit dhe familjet e martirëve katolikë. Si e lejon Kisha Katolike të bëhet biznes me Martirët?! Pushteti në këtë rast është bashkpunëtor e partner i Don Carlos. Dhe publicitetin e bëjnë hapur në televizionin e Bollinos. Afro 5 dollarë një bilietë për të vizituar Bunker Idiot Art # 2. Ky popull që ripet, në televizionin e Bollinos duhet të shfaqet i lumtur. Njëra dorë lan tjetrën e të dyja fytyrën e vet të lërosur të Parneritet Strategjik Media – Pushtet që funksionon suksesshëm. Ndërkohë: Hesht shtypi shqiptar. Hesht Kisha Katolike. Hesht opozita që pret kalendat greke për tu shfaqur. Heshtin organizimet e ish të përndjekurve. Heshtin familjet e Martirëve. Hesht dhe Vatikani. Ndërkohë Don Carlo Bollino mjel lopën shqiptare. Faqja e zezë…
10 dhjetor 2016
BOTUES E TAGRAMBLEDHËS TË HYQYMETIT
Nga KOLEC TRABOINI/ Meqë banditët e qeverisjes, sejmenët botues të lidhur me pushtetin i kanë mbyllur të gjitha shtigjet që autori të mund të këtë lidhje nëpërmjet tregut të librit me lexues-blerës, ju njoftojmë se librat që autorët duan ti tregtojnë individualisht nuk gjënden më në asnjë librari në Shqipëri. Siç na spjegoi “Adrion-i” që të çosh një libër për shitje në librari duhet të kesh një NIPT. Që të kesh një Nipt duhet të hapësh një bisnes të vogël. Do të parapaguash 2 milion lekë në vit parapagim. O ju kripsha trute, o tatimorë, se veç për ti kripur i keni. O tagrambledhes të hyqzmetit me gjithë drejtuesit tuaj pa tru, u dashka të paguash edhe 2 milion lekë të tjera pasi ke paguar botuesin për të shitur dy libra në librari. O të çmendur. Ku veni? Po a e kishte Kryeministri ate lesh NIPT-i n me vete kur vajti muhaxhir nëpër botë me ekspoziten e vet të vizatimeve? E paguajti ai 2 milionshin e bisnesit të vogël në tatimore meqë tregton vizatime me e pa kornizë? Në këto kushte izolimi nga neokomunistet në pushtet me keq se në kohë të diktaturës, nëse dikush është i interesuar ju kujtojmë se ju dërgojmë libra nëpërmjet postimit në çdo vend që të ndodheni. Është e vetmja mënyrë që autorët të komunikojnë me lexuesit sepse mafia botuese e lidhur me pushtetin kërkon që së pari tu marrë autorëve lekët për botim e më pas ti tregtojë ato, pra të kenë fitim të dyfishtë. Autorët kësisoj në saj të nje programi tarifor shtetror mafioz gjendën dy herë të rjepur. Dhe vini re, 60 Euro për metër katror në Panairin e Librit i shesin stendat organizatorët. Dhe ngopën mirë se mund të kenë marrë me mijra euro nga Ambasada Kineze që kishte zënë një pavion të madh sa për 10 stenda botuesish të vegjël. Pa le edhe libri fetar.Tumllas. Paskemi qënë kaq të etur për fe, ne shqipot që i vumë kazmën e i rrafshuam tempujt me thirrjen e parë te Byrose Politike. Ndërsa autorët e letërsisë shqipe në të sëmës. Autorët shkojnë e vinë me duar ndër xhepa të shpuar e rjepur prej botuesve të mëdhenj të lidhur me qeverisjen në Panairin e Kotësive, të një sistemi ekonomik e kulturor idiot. Dhe paratë për të paguar këta derdimenë që pjellin të tilla pseudoreforma i paguajnë qytetarët. Ripet populli si dash kurbani. Sa shumë po duron ky popull. Durim durimadh paska qenë. Po deri kur?! traboini@yahoo.com LIBRA TË AUTORIT K.P. TRABOINI Petalet e bajames së hidhur – tregime, 1973 Balada e largësive – album poetik, Athinë 1995 Rapsodi Ushtore – satirë, Athinë 1995 Gjurmë në histori – letërsi dokumentare, Athinë 1995 Katërkëndëshi i mundimeve – roman, 2000 Mos vdis dashuri – poezi, 2002 Nokturn – poezi, 2004 Requiem për një gjethe – poezi, 2005 E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias – esè, 2005 Trinia ime – poezi, 2006 Lufta e maleve-Palok Traboini – esè, 2006 Koha e prostitutave – lirika & etyde, 2007 Bukuri shkodrane – esè, 2007 Itaka Grua – lirika, 2008 Kujto Poetin (bashkautor) – antologji poetike, 2011 Lule Pellazgjike – lirika, 2012 U dashka të dal natën vonë- poezi, 2012 100 poetë për dashurinë(bashkautor)-antologji, 2012 Flamuri në Deçiq- Palok Traboini 1911, – 2012 Zhgënjimi i Ambasadorit amerikan – esé, 2012 E kam Atdheun tek Porta – poezi, 2013 Dashuri- 200 lirika të zgjedhura, 2013 Çamëri-Zemra ime (bashkautor) – antologji, 2014 Aristidh Kola – esé, 2014 Fajin e ka Hekuba – poezi, 2014 Orakujt kanë zbritur në ferr – poemë, 2015 Djali nga Hoti – rrëfime për fëmijë, 2015 Libohovitët e Amerikës – Histori & Tradita, 2016 Odeon – poezi, 2016 At e bir për mëmëdhenë nga Sotir Pani – përg. K.Traboini 2016
MARRËZIA E MADHËSHTISË NUK ËSHTË VETËM MARRËZI
– Kryeministri flet në Parlament si Dushan Mugosha në Mukje/
NE FOTO: Don Kishoti i Rilindjes….Ngjashëm kjo me Nanon kur puthabrekej me Millosheviqin në Kretë. Kur e kam dëgjuar të thotë ne parlament, jam partizan e jo ballist që ha pula( për mua si partizanët e ballistët kanë qenë bij të Shqipërisë tragjike)…/
– Nga KOLEC TRABOINI/ Gjithmonë ja kam pas frikën atyre që janë ne pushtet (jo frikë personale por sociale) dhe fakti që ka 25 vjet që gjithmonë i luftoj pa kompromis pushtetarët, tregon, sipas intuitës sime, se rreziku i kthimit të kohës së mallkuar të regjimit diktatorial i konglomeratit të dhunshëm tipik si Zog-Enver gjithmonë ekziston. Nuk kam asnjë aludim apo simpati për revanshistet (kthimi i se mbrapshtës në pushtet) por dhe të ngrihet ky farë Rame me një mediokritet të pashoq ( edhe si artist është një mjerim i gjallë) e të barrikadohet si të ishte jugosllavi Dushan Mugosha në Mukje, kjo nuk qëndron. Kjo kalon çdo kufi. Kjo është marrëzi. Ngjashëm kjo me Nanon kur puthabrekej me Millosheviqin në Kretë. Kur e kam dëgjuar të thotë ne parlament, jam partizan e jo ballist që ha pula( për mua si partizanët e ballistët kanë qenë bij të Shqipërisë tragjike), i kam hequr vizë përfundimisht dhe e konsideroj tru shkarë dhe ajo çfarë ka thënë një hajvanllëk. Ky njeri, duke qenë pjesë e nomenklaturës familjare komuniste kërkon të los edhe rolin e garipit popullor me morinë e fjalëve që veç një rrugaç i mjerë e pa strehë mund ti fliste. E njohur kjo si veçori e pinjollëve të bijve të oborreve të autokratëve. Ky kryeministër me oratori brutale, tip tallava,është një individ pa asnjë intuitë politike megjithëse makina ideologjike e propagandon dhe e shet në media si një gjeni. Mekanizëm i vjetër sa bota ky i sahanlëpirësve të pushteteve autokratike apo totalitare. Mekanizëm që dështoi e u shkërmoq në 1997, por që kryeministri i sotëm e paska harruar e dosido duhet t’ia kujtojmë. Të gjithë totalitarët kanë pasur pas vetes legenë të propagandës. Po nga do që ta lustrojnë dhe e pudrosin kot e kanë. Shembujt se si spekulohet me idetë e majta socialiste prej atyre që inspirojnë të vendosin pushtet absolut kemi plot në histori. Duçja pasi manipuloi turmat me ide socialiste si gazetar (ngjashmëri e rastësishme apo rregull i përgjithshëm për kapje pushteti kjo) kaloi në fashizëm. Nuk ka gjëra të pangjashme në këtë botë te vjetër. Mjafton të mos i harrojmë. Prandaj qëndron përherë aktuale ajo shprehja proverbiale e Julius Fuçikut para se të ekzekutohej nga nazistët: Njerëz ju dua. Jeni vigjilent!
IDEALI I KRYQËZUAR I NACIONALIZMIT SHQIPTAR
Për fatin e trishtë të popullit shqiptar, sot në skenën politike kanë dalë forcat më të pandërgjegjshme, ambicioni i të cilave është vetëm e vetëm përfitimi dhe pasurimi me çdo kusht dhe pa marrë parasysh mjetet që përdoren. Kaq keq janë katandisur punët në Atdheun tonë të stërmunduar, sa para se të kërkohet mafia në fusha të tjera, duhet kërkuar në skenën politike. Një mafie aq dinake dhe e sofistikuar saqë e ka kthyer politikën shqiptare në një rreth vicioz ku përplasen jo dy apo tre ide e programe, për çfarë është e bëhet politika, por dy a tre individë, politikanë të paskrupullt, të cilët për hir të interesave personale apo të klaneve që u përkasin, nuk e kanë për gjë t’i venë flakën Shqipërisë, siç ia vunë në mënyrë të vazhdueshme në fillimet e demokracisë, por në mënyrën më të pashpirt e makabre në pranverë të vitit 1997.
Po si iu bë peshqesh këtij populli kjo kastë piratësh qeverisës, qofshin të së majtës apo të së djathtës? Si ndodhi e si rrodhi që në mënyrë sistematike u shkatërrua çdo pasuri kombëtare e këtij populli, që për pesëdhjetë vjet vërtet ka hequr mundimet e Krishtit, por ama edhe pse ndër më të varfërit në botë, me një pagë për të mbajtur frymën, ndërtoi hidrocentrale, fabrika e uzina, bëri bonifikimin e fushave, ngriti një industri të naftës e të plehrave kimike, instaloi linja të tensionit të lartë nga jugu në veri e nga lindja në perëndim. Pra, diç kishte në potencial ky popull, çfarë e ushqente shpresën se kalimi në sistemin e ri do të mund të bëhej pa eksese dhe vuajtje të mëdha ekonomike. Mirëpo çfarë ndodhi në të vërtetë? Politika injektoi idenë e mbrapshtë të shkatërrimit, se do t ‘na i ndërtonte kapitalizmi perëndimor më të mira veprat industriale, madje me teknologji moderne bashkëkohore. Do të na i ndërtonte Amerika badihava… E kështu, politika i vuri flakën Shqipërisë duke nxitur vjedhjet e shkatërrimet. Në të vërtetë, shkatërrimet ishin leverdia më e madhe e politikës, sepse beniaminët e dikurshëm të komunizmit, që tororisnin gjoja ide të zhvillimeve të reja të socializmit envero-ramizian në gazetën “Zëri i Popullit”, (e që sot shiten si ide reformatore që paraprinë demokracinë në vitet 90), dolën pra më pas si “palikarë” të rinovuar në skenat e tranzicionit. Dhe, për ta bërë më të besueshme nevojën e shkatërrimit, përhapën soj-soj teorish, madje duke u vënë ndërmarrjeve, fabrikave e uzinave epitete si “uzinat e fabrikat e Enver Hoxhës”, “Hidroçentralet e Partisë”, “Rrangallat e Diktaturës”. Pra përpunuan fillimisht platformën e shkatërrimit moral të industrisë kombëtare që ta kishin më të lehtë shkatërrimin material. I tërë qëllimi ishte që, si inisiativa ekonomike, ashtu edhe ajo politike të binte në duart tyre a të bijve të tyre, e kurrsesi në duart e njerëzve që për gjysëm shekulli konsideroheshin “armiq”, të cilët duheshin izoluar në mënyrat më të stërholluara ekonomikisht e politikisht. Cila ishte kjo kastë e rinovuar dhe e konvertuar ” demokratikisht” për të mbijetuar në tribunat e jetës dramatike shqiptare edhe në kushtet e reja të shembjes së komunizmit anë e mbanë Europës. Kujt i takon merita e krijimit të këtij labirinthi pa rrugëdalje, këtij kaosi qytetar, këtij mjerimi kombëtar ekonomik ku u gjend Shqipëria në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit që shkoi?! Dhe vazhdon si ogur i keq edhe pse dekada e shekullit të ri po kalon… Natyrisht është thënë e stërthënë, ndaj nuk është vështirë të evidentohet emri i Ramiz Alisë si krijuesi i klaneve dhe i skemave të politikës së sotme sipas mësimeve e stilit të inicuar nga Gorbaçovi në Katovicë të Polonisë. Ose e thënë ndryshe, diktatori i fundit shqiptar krijoi Katovicën Shqiptare si një cikël i mbyllur brenda orbitës së PPSH-së, nga frika e marrjes së pushtetit prej së djathtës nacionaliste, kundërshtare e PPSH-së që ndodhej në perëndim, në aleancë kjo me “armiqtë e brendshëm” dhe klasat e përmbysura. Frika e Ramiz Alisë e kishte një shkak. Fantazma e përgjakur e Nikolla dhe Elena Çausheskut i shfaqej si Makbethit kufoma e Bankos. Prandaj dhe u ngut që, në lëshimin e parë për pluralizmin, në krye të forcës opozitare të viheshin patjetër një ekip a liderë komunistë të argasur dhe të besuar. Njerez që të ishin demagogë të besueshëm dhe oratorë të rreptë metingjesh, për të mos u lënë hapësirë forcave të tjera nacionaliste që mund të ktheheshin nga jashtë apo rizgjoheshin në vend. Dhe kështu krijoi skalionet e politikës shqiptare, rreshterët e demokracisë, të cilët jo vetëm kishin qenë nga rrethi i afërt i oborrit të pasmë të Bllokut të Byrosë Politike, por madje deri dhe ish ministra e diplomatë të Qeverisë Komuniste na u bënë kryetarë partish. Mirëpo Ramiz Alia kishte inkuadruar në projektet e veta nga ai lloj llumi bolshevik i paprinciptë, që nuk e kishin për gjë ta hidhnin krijuesin e vet në moçalin më të parë që do të takonin në rrugëtimin politik. Dhe vërtet Ramiz Alinë së pari e hodhën të vetët, e hodhën në moçal, e shanë dhe e mallkuan, i bënë një gjyq kafesh, e pastaj së fundi e lanë të kalonte pleqërinë si një eremit, e sa herë që e donte puna për ta treguar si një gogol për të trembur fëmijët e politikës naive shqiptare, e vunë të fliste, të bënte libra, të jepte intervista në konkurencë me Nexhmije e Liliana Hoxhën, të udhëtonte në Amerikë, të pinte, drekosej e darkosej në Pier Four, restorantin patriotik të shqiptarëve të Bostonit. Kështu pra u formua garda e politikës së sotme, në të cilën përfshihen soj-soj politikanësh që e katandisën shtetin, Shqipërinë, të sëmurën e Ballkanit. Të gjithë këta udhëheqës të sotëm, dalë prej kuintave të PPSH, ndarë e rindarë nëpër parti si në një lojë kungulleshke, bashkë me bandat e mediokërve që u vinë nga pas, në këtë periudhë kritike për popullin shqiptar janë si krimbat e zinj që e hanë nga brenda trungun e kombit shqiptar. Le të hedhim një vështrim në paralelen tjetër të politikës, në rradhët e forcave të quajtura nacionaliste. Shumë intelektualë e njerëz të thjeshtë të popullit kishin shpresa tek një idealist shqiptar i pakompromentuar si Abaz Ermënji, i vetmi i mbetur gjallë nga nacionalistët shqiptarë të Luftës së Dytë Botërore, profesor në Liceun e Korçës, antifashist, komandant formacionesh të armatosura të Ballit Kombetar, organizator të rezistencës antikomuniste, profesor universiteti në Francë dhe udhëheqës i një force nacionaliste që kishte arritur të mbijetonte në mërgim. Mirëpo programi i partive (socialistët + demokratët + socialdemoktratët) ishte i tillë, saqë arriti ta neutralizojë efektin e opozitës së vërtetë të mbetur nga lufta civile në Luftën e Dytë Botërore. Natyrisht, këtu duhet marrë në konsideratë se idealistë të njohur si Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, kishin kaluar në histori dhe pjesa e mbetur e nacionalistëve të përçarë si mos më keq kishte marrë tatëpjetën në mërgim. Ndërsa Legaliteti ishte një forcë gati e papërfillshme e pa kurrfarë influence përveçse kishte disa efekte nostalgjike në disa bij oficerësh zogollianë që bënin parada groteske. Influenca e mërgimtarëve nacionalistë në Shqipëri mbeti mjaft e vogël për shumë arsye. Së pari, sepse sistemi monist i kishte njollosur në mënyrë të rafinuar nacionalizmin, ndërkohë që kishte glorifikuar “internacionalizmin”, kështu që brezat e lindur pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipërinë e izoluar, kishin një përfytyrim krejt bardhë e zi për nacionalistët që qenë shpërndarë nga sytë këmbët nëpër Europë, Amerikë e Australi e ku mendohej të ishin shuar e harruar. Ndaj, shfaqja e tyre në kryeqytetin e tensionuar shqiptar kaloi pothuajse pa bërë ndonjë efekt. Por s’duhet harruar se qysh në vitin 1990 ishte hartuar programi i neutralizimit të këtyre forcave duke përfshirë edhe ato të ashtuqujtura Legaliteti. Pra, bijëzat e PPSH-së, si PS+PD+PSD+PR (e si në zinxhir bërthamor tashmë derivojnë me parti bijëza të reja), përdorën njëqind mënyra të sofistikuara që lojën e pushtetit pozitë-opozitë ta bënin ndërmjet vetes, e kurrë të mos linin që forcat e djathta të vërteta të organizoheshin deri në atë shkallë sa të përbënin një masë rreziku për interesat e tyre.
Kungulleshka e Kuqe e ndarë në katër pjesë, duke u koloruar sipas ide-projektit ramizian, kishte këtë detyrë historike; njëra, PS-ja mori përsipër vazhdimin e demaskimit të forcave nacionaliste me të cilat trembte popullin si me gogolin e përrallave, ndërkohë simotra e saj siameze PD-ja, i mbante nacionalistët pranë si aleatë të vegjël duke i mbikqyrur, imponuar, zvenitur, dekoloruar, për të mos e lënë kurrë që të bëhet forcë rivale. Pozicioni dhe programi antinacionalist i PS-së ishte i afishuar, ndërkohë pozicioni dhe programi i PD-së ishte i kamufluar. Mirëpo kjo e fundit, duke qenë në pushtet, kur vinin në evidencë çështje kardinale si ajo për Kosovën apo çështja e pronave, shkiste si ngjalë nga ujrat blu të djathta në ujrat rozë të PS-së, ndërsa për çështje kombëtare, kreu demokrat e kishte deklaruar në Krasna Montana se çështja e Kosovës ishte çështje e brendshme e Jugosllavisë. Presidenti i asaj kohe njëkohsisht bëri një futje spektakolare të Shqipërisë në Konferencën e Vendeve Islamike, duke e lënë diplomacinë e qarqet Europiane me gojë hapur. Edhe sot, në atë konferencë jemi, ndërkohë që Europën e kemi ende larg… Në këtë periudhë, forcat nacionaliste të grupuara në dy parti kryesore, Balli Kombëtar dhe Legaliteti, kishin rënë në një gjumë letargjik. Kështu dhe Partia Republikane e Godos-Mediut që kishte kontradikta me të dyja krahët. Pra kërkonin mbi të gjitha të mbijetonin dhe prandaj e pranonin me kënaqësi serumin e PD-së për prani sado simbolike në parlament. Gjatë kohës që ishte në pushtet, kjo e fundit përfitonte jo pak nga fasada e këtyre partive për të theksuar gjoja tonet blu të djathta, që ishin aparenca e saj nëpër tribuna mitingjesh. Mirëpo qëndrimi ndaj pronës, e moskthimi i tokave pronarëve të ligjshëm, ligji 7501, krijuan hendekun e parë serioz mes nacionalistëve dhe udhëheqësve të Partisë Demokratike në pushtet. Prej kësaj çarjeje fitoi jo pak Partia Socialiste, që ishte katandisur si mos më keq pas futjes së liderit të saj Fatos Nano në burg për korrupsion ekonomik me ndihmat e huaja për Shqipërinë. U desh hartimi i një projekt-kushtetute, në të cilën parashikohej një pushtet autoritar e disi absolut i presidentit që jetonte euforinë e vet në mes të një servilizmi e apatie totale të nëpunësve e të kuadrove të partisë së vet.
Gjysma rozë e ish PPSH-së e ndjeu se ishte situata më e mirë për një revansh ndaj simotrës së vet siameze blu. Projektkushtetuta e rrëzuar nga votimet në një referendum popullor i futi panikun militantëve të partisë në pushtet, të cilët edhe ata rimorën revanshin e vet historik. Në zgjedhjet e vitit 1996 militantët e partisë në pushtet u treguan kaq shumë të zellshëm, sa thuajse harruan se zgjedhjet kanë rregulla e ligje rigoroze e monitorohen, madje jo vetëm nga masmedia vendase, por edhe nga përfaqësuesit e huaj. Dhe kështu, hapur fare dhe me entuziazëm bolshevik, shpërndaheshin fletëvotime të panumërta nëpër duart e militantëve, të cilët i kthyen zgjedhjet në mitingje partiake bubulluese. Rezultati dihet. Pushteti në fuqi fitoi në mënyrë spektakolare krejt ngjashëm me fitoren e Frontit dhe komunistëve të Enver Hoxhës në fundin e vitit 1945. Këto zgjedhje sollën precedentin më të dëmshëm dhe të rrezikshëm për demokracinë e brishtë shqiptare. Ishte një kthim galopant pas i demokracisë rrëqethëse. Të huajt panë se shqiptarët, çuditërisht ishin vetë kthyer në atmosferën e zgjedhjeve të diktaturës moniste, ku pushteti fitonte “Njëzëri ” me mbi 90 për qind të votave. Precedentët e absurditeteve të diktaturës ishin rikthyer si fantazma të frikshme në zgjedhjet e pranverës 1996. Forcat nacionaliste, edhe pse të pakta dhe pa influencë të madhe në skenën e politikës shqiptare, u gjendën para një situate të paparashikuar. Edhe pse deri atëherë kishin pranuar të qëndronin nën hijen e PD-së në pushtet, për shkak të interesave të së djathtës, ata nuk mund të pranonin që demokratët, aleatë në pushtet, të operonin me mjete e stile të praktikuara dhunshëm nga komunistët në monizëm. I ndodhur përpara këtij fakti tronditës, idealisti kombëtar Abaz Ermënji, që udhëhiqte (jo pa probleme) Partinë e Ballit Kombëtar, refuzoi në mënyrë kategorike të shkelte në parlamentin e sapozgjedhur. Pra e refuzonte vendin e deputetit që i kishte rezervuar e “djathta” pas “fitores së bujshme”. Tek ky nacionalist, principet idealiste dhe respekti ndaj popullit, të cilin e konsideronte sovranin e vetëm, ishin mbi interesat e partisë së tij dhe mbi interesat e një vendi në parlament, paçka se i ëndërruar nga çdo idealist që kërkon t’i shërbejë Atdheut. Abaz Ermënji po jetonte një nga dilemat më tronditëse të jetës së tij në skenën e politikës e të nacionalizmit. E dinte se kampi rozë i PS, megjithëse e sulmonte në mënyrat më të paprincipta, madje duke e quajtur Profesorin e moshuar deri dhe kriminel, do ta priste me brohori reagimin e tij. Çfarë duhet të bënte një nacionalist e idealist kombëtar në një situatë të tillë? Prijësi plak e luftëtari gjysmëshekullor i lirisë, ndodhej si në mes të Shillës e Karibës së politikës! Deri atëherë kishte jetuar me shpresën se e djathta nacionaliste do të triumfonte drejtësisht e ndershmërisht në Shqipëri. Po ky nuk ishte triumf. Ky ishte turp. E, për më tepër, marrje nëpër këmbë e popullit. Sovrani ishte kthyer në çirak dhe mbi zverkun e tij kalëronin dhunuesit e zgjedhjeve të lira. Abas Ermenji, komandanti i çetave nacionaliste, profesor universiteti në Francë , i cili me aq kompetencë kishte shkruar një libër madhor “Historia e Shqipërisë”, kish një dinjitet të lartë e nuk mund të lejonte që të shkeleshin parimet kushtetuese dhe parimet e lirisë, për të cilat kish luftuar tërë jetën. Si nacionalist ishte afruar fillimisht me forcat demokratike, por nuk kishte arritur të kuptonte në fillimet e pluralizmit, se Shqipëria kishte rënë viktimë e skemës së Katovicës për transferimin e pushtetit në të njëjtat shtresa të privilegjuara të kastës komuniste, iniciuar kjo në zyrat hijerënda të Komitetit Qendror të PPSH. Edhe pse antikomunist i sprovuar në Luftën e Dytë Botërore dhe gjatë dekadave të luftës së ftohtë, ai kishte pranuar që t’i afrohej aleancës së djathtë, në qendër të së cilës ishte Partia Demokratike edhe pse në udhëheqje të kësaj force politike qëndronin ish-komunistë dhe pinjollë të baballarëve që për gjysmë shekulli terrorizuan popullin shqiptar.Idealizmi kombëtar dhe besimi në triumfin e demokracisë e vuri Abas Ermenjin në një front me ata që lirisë, demokracisë dhe vetë popullit ia kishin me të keq. Abas Ermenji nuk arriti ta nuhaste lojën e prapaskenave, nuk arriti gjithashtu të mblidhte rreth vetes përkrahës idealistë. E kështu partia e tij, kundërshtarja më e rreptë e Partisë Komuniste të Enver Hoxhës, mbeti një formacion politik i zbehtë e me rol periferik. I ndodhur në një gjendje ku e ashtquajtura “e djathtë” tek e cila mbahej shpresa i kish tradhëtuar idealet e tij, luftëtari plak i lirisë nuk mund të bëhej pjesë e një loje cinike. Ai nuk mund të hynte në atë Parlament, i cili nuk e kishte legjitimitetin e shprehjes së vullnetit të lirë të popullit. Me popullin ishte luajtur. Populli ishte tradhëtuar e për më tepër, ishte nëpërkëmbur. Abas Ermenji ishte ndodhur përballë plumbave, por syri nuk i ishte trembur sepse e kishte taksur jetën për idealin. Por tani, në pleqëri të vonë, kur mendoi se arriti ta shohë e jetojë atë ditë të bardhë të çlirimit të njeriut prej dhunës, për të cilën luftuan por nuk e arritën burra të ndritur të kombit si Mit’hat Frashëri, veterani kombëtar papritur, në maj 1996, ndjeu se diçka brenda tij po thyhej. Luftëtari u lodh, u kërrus, sytë iu mbyllën me dhembje sepse nuk mund të shihte se si po kryqëzohej si Krishti, për të dytën herë, ideali i tij kombëtar e populli i tij të përgjunjej e të poshtërohej. Demokrati Abaz Ermënji, i ndodhur në mes të dy forcave të errëta të rrjedhës bashkëkohore kombëtare, vendosi që si një kapiten i besnik, të mbytet bashkë me anijen e tij, pa ambicje për të dalë në bregun e kompromiseve të pamoralshme. U ul e shkroi, ashtu si dikur ishte shkruar Dekalogu i partisë së tij nacionaliste Balli Kombëtar, Promemorjen e denoncimit të farsës së zgjedhjeve të 26 majit 1996, denoncimin e mashtrimit cinik që iu bë popullit shqiptar, refuzimin e vendit të deputetit në parlamentin e turpit dhe hipokrizisë, duke e lënë kështu pas vetes këtë akt të lartë qytetar, si testamentin e tij të fundit politik. Kohë më pas, veterani kombëtar Abas Ermenji, do të mbyllte sytë në Paris, i lënë në harrim si atëherë dhe sot e kësaj ditë, sepse ishte më shumë idealist kombëtar se sa duhej në këtë epokë mjerane, kur shkëlqimi i përket yjeve të korrupsionit të politikës dhe klaneve mafioze, me ose pa pushtet. Boston, Qershor 2004
- « Previous Page
- 1
- …
- 7
- 8
- 9
- 10
- 11
- …
- 25
- Next Page »