Dikujt nuk i intereson që shqiptarët në të dy anët e kufirit të afrohen vazhdimisht si shqiptarë, si pjesë të një trupi të çarë me shpatë. Dëshirojnë me i nda përfundimisht “shqiptarë” veç e “kosovarë” veç. Më keq se ç’kanë qenë ndarë mizorisht për njëqind vjet./
Nga Mehmet Elezi/
Do gazeta po na bëjnë çorbë, shkruan Flora Deda. Jo “kombi shqiptar”, jo “kombi kosovar”. Ç’duan që na ngatërrojnë, a nuk jemi të tërë një komb shqiptar?
1.Mendoj se kjo “ngatërresë” ka prapavijë politike, për të cilën jam shprehur shumë herë. Por ndodh që është edhe çështje gjuhësore. Për prapavijën politike. Është shfaqur hapur qysh fillim të viteve 1990, kur në disa media filloi me u folë për “shqiptarë” dhe “kosovarë”. Më pas një e përmuajshme lëshoi idenë e “dy kombeve shqipfolëse”. Ky “zbulim” rimerret kohë pas kohe e qitet në treg si mall origjinal.
Dikujt nuk i intereson që shqiptarët në të dy anët e kufirit të afrohen vazhdimisht si shqiptarë, si pjesë të një trupi të çarë me shpatë. Dëshirojnë me i nda përfundimisht “shqiptarë” veç e “kosovarë” veç. Më keq se ç’kanë qenë ndarë mizorisht për njëqind vjet.
Nuk është përpjekje e re.
Në librin “Në gjuhë” dhe “për gjuhë” (Dukagjini 1999), akademik Rexhep Ismajli ka nënvizuar mishërimin ligjor të kësaj strategjie. Në tri kushtetutat e Jugosllavisë (1946, 1953, 1963) dhe në tri kushtetutat e Serbisë (1947, 1953, 1963), shqiptarët trajtohen si “kombe” të ndryshme. Shqiptarët e Jugosllavisë emërtohen Shiptari, gjuha shqipe kur është fjala për ta emërtohet shiptarski jezik. Ndërsa shqiptarët e Shqipërisë quhen Albanci, gjuha shqipe në Shqipëri albanski ose arbanski jezik.
Në memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave e Arteve të vitit 1986, që i shtroi rrugën Milosheviçit, fakti që këtyre dy “entiteteve”, “Shiptari” e “Albanci”, u qe lejuar me njësue gjuhën dhe flamurin, cilësohet “lëshim” që prek interesat serbe.
2.“Çorba” – po përdor cilësimin e zonjës Deda – ka edhe një anë gjuhësore.
Në shumicën e gjuhëve perëndimore për komb përdoret nacion (nation). Fjalë me gurrë latine, lidhet me foljen me le, me u lindë. Fjalën nacion përkthyesit në shqip e japin gjithmonë komb. Dhe këtu shfaqet problemi. Duke qenë se në botën e sotme mungon një përkufizim i gjithëpranuar për kombin, në do gjuhë kuptohet ndryshe, në do të tjera ndryshe.
Përmbledhtazi:
Në anglisht nacion ka tjetër përmbajtje nga komb në shqip. Nacion në anglisht shpreh tërësinë e shtetasve të një vendi, pavarësisht nga prejardhja, gjuha amëtare, gjaku, raca etj. Në këtë kuptim presidentët amerikanë flasin për kombin amerikan. Në kombin amerikan bën pjesë krejt popullsia e SHBA: të bardhë, të zinj, të verdhë, latinos, indigjenë…
Komb në shqip është tjetërgjë. Për ne kombi shqiptar përbëhet nga të gjithë ata që gjuhën shqipe kanë gjuhë nëne, që kanë rrënjë, gjak e histori të njëjtë dhe nderojnë të njëjtat simbole kombëtare. Pavarësisht nga shtetet ku jetojnë e pasaportat që mbajnë.
Ky koncept është trashëguar prej rilindasve. Ata përshtatën fjalën komb me prejardhje arabe dhe e mbushën me përmbajtje sipas rrethanave politike të kohës. Për komb gjuha shqipe ka fjalën e vet të mirëfilltë lem. “Me i dhanë lemit e polemit nji të keqe të msheftë…”, thuhet në Kanunin e Skanderbegut, mbledhur e kodifikuar nga imzot Frano Ilia. Lem, ashtu si nacion, lidhet me foljen me le. Ndonëse me shtjellim jo plotësisht të saktë, këtë fjalë e kanë edhe fjalorët e akademisë (marrë prej Gazullit). Fjala shqip ka mbetur në hije
Pikënisje e kombit, në kuptimin që i jep gjuha shqipe, është etnia, por nuk janë e njëjta gjë. Kombi është koncept i shoqërive pasfeudale, është “etni” në shkallën moderne të zhvillimit.
Për një arsye të thjeshtë, kurrfarë alibie nuk mund të ndërtohet duke cituar thënie të miqve tanë që paskan përmendur “kombin kosovar”. Nëse Hillari Klintoni, Toni Bleri apo Mati Ahtisari kanë shqiptuar “komb kosovar”, ata s’kanë menduar shqip dhe nuk janë shprehur shqip. Kanë menduar anglisht dhe në mendje kanë pasur konceptin që bart fjala nation në anglisht.
Një përkthyes i saktë togfjalëshin anglisht “Kosovar Nation” nuk e përkthen “kombi kosovar”. Një përkthyes i saktë “Kosovar Nation” e shqipëron “populli i Kosovës”. Togfjalëshi “populli i Kosovës” nënkupton tërësinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës, shumicën shqiptare dhe pakicat serbe, turke, rome…, pra “kombin” sipas konceptit amerikan. Në këtë kuptim flitet për komb shumetnik (multiethnic nation) në Kosovë. Shqip nuk mund të thuhet Kosova është komb shumetnik. Thuhet Kosova është vend shumetnik ose shoqëri shumetnike.
Me të njëjtën logjikë në anglisht mund të thuhet nacioni serb për tërësinë e shtetasve me pasaportë serbe, nacioni maqedon për tërësinë e shtetasve me pasaportë maqedonase, nacioni malazias për për tërësinë e shtetasve me pasaportë malazeze. Kjo nuk do të thotë se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë serbë, se tetovarët e të tjerë janë maqedonas, se ulqinakët e të tjerë janë malazezë. Shqiptarët e viseve të mësipërme janë shtetas të vendeve ku jetojnë, në anën tjetër janë pjesë e pandashme e kombit shqiptar me gjuhë, gjak e histori të përbashkët.
Nëse “kombi shqiptar” qenka “komb më vete”, “kombi kosovar” edhe ky qenka “komb më vete”, atëherë, sipas përhapësve të kësaj “teorie”, ku do të futeshin shqiptarët e Maqedonisë, të Luginës së Preshevës, të Malit të Zi, cila do të ishte përkatësia kombëtare e tyre? Apo do të quheshin thjesht maqedonë, serbë, malazezë dhe do të asimiloheshin?
4.Gjuha vesh mendimin. Në të njëjtën veshje mund të futet lëndë e ndryshme. Për shembull në shqip themi: fëmijë delikat, sëmuret shpesh. Anglishtja e ka fjalën delikat (delicate), por fjalia e mësipërme në anglisht do të përkthehej: fëmijë i brishtë (fragile), sëmuret shpesh. Edhe në frengjisht e njëjta gjë. Një përkthim fjalë për fjalë do ta errësonte kuptimin.
Kështu ka ndodhur edhe me fjalët nacion (nation) dhe komb.
Miqtë tanë të çmuar, që janë shprehur në anglisht për “Kosovar Nation”, janë shprehur saktë. Pahiri a dashtas, pasaktësia niset e bitiset kur nuk respektohet kumti i tekstit origjinal, kur togfjalëshi përkthehet mekanikisht “kombi kosovar”