• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova, Kompleks Memorial për Presidentin historik Rugova ….

December 2, 2020 by dgreca

-Sot Ditëlindja e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, në Istog inaugurohet Kompleksi Memorial/

-Kryeministri Hoti: Istogut sot po i kthehet simbolikisht në bronz djali i zgjedhur, të cilin ky qytet ia dha kombit, për ta shndërruar në prijës dhe burrështetas të parë të Republikës së Kosovës/

-Para mëse tre dekadave dhe në intervistat ekskluzive që kam zhvilluar para më shumë se çerek shekulli e viteve në vijim, Presidenti Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur… Fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”/

 -“Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretari Amerikan të Shtetit Igëllberger/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

 PRISHTINË, 2 Dhjetor 2020/ Para 76 viteve,  në 2 Dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, ka lindur Ibrahim Rugova, i cili kujtohet si Presidenti historik i Kosovës dhe arkitekti i pavarësisë.

Në komunën e lindjes, Istog, sot u bë inaugurimi i Kompleksit Memorial Dr. Ibrahim Rugova, ndërsa si tradicionalisht, përfaqësues institucionalë e politikë dhe qytetarë  i bënë homazhe Presidentit historik dhe vizituan familjen e tij.

Kryeministri i Republikës së Kosovës,  Avdullah Hoti në ceremoninë e inaugurimit të Kompleksit Memorial ‘Dr. Ibrahim Rugova’, tha se Istogut sot po i kthehet simbolikisht në bronz djali i zgjedhur, të cilin ky qytet ia dha kombit, për ta shndërruar në prijës dhe burrështetas të parë të Republikës së Kosovës.

 Kryeministri Hoti nënvizoi se me urtësinë dhe largpamësinë e tij, Presidenti Rugova e trasoi të ardhmen e Republikës së Kosovës.

“Kërkesa e kahmotshme e shqiptarëve të Kosovës për mëvetësi u legalizua pikërisht nga LDK-ja dhe kryetari i saj i parë, Dr. Ibrahim Rugova. Lidhja me botën perëndimore, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e tjera të NATO-s rezultoi vendimtare për shpëtimin e popullit të Kosovës nga gjenocidi serb më 1998 dhe 1999”, theksoi Kryeministri Hoti.

 Kryeministri Hoti u zotua se në pajtim të plotë me idetë e Presidentit Rugova, me frymën që e la trashëgim, do të vazhdojë ta kultivojë dhe ta forcojë bashkëpunimin me miqtë, sepse, siç thoshte shpesh Presidenti Rugova, “shtëpia pa miq nuk mbahet”.

 Në veprimtaritë në Kosovë u theksua se  në lëvizjen për liri e pavarësi Rugova u bë simbol i rezistencës me përkrahjen e popullit, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.

Që para mëse tre dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur. “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte ai.

Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, para 31 viteve – në 23 Dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti politike lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, që shpallte Kosovën Republikë, si dhe Referendumit të 26 deri 30 Shtatorit 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 përqind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 përqind, në 24 Maj 1992 Rugova në zgjedhjet e para pluraliste nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh Presdiednt i Republikës së Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Po në vitin 1992 kur u votua në zgjedhjet e para pluraliste presidenciale e parlamentare, Rugova për herë të parë si President i parë i Kosovës Ditën e Flamurit e të Pavarësisë së Shqipërisë – 28 Nëntorin e festoi në Vlorë në 80 vjetor. Nga Vlora dhe në festimet tjera e urimet nëpër vite të 28 Nëntorit Presidenti Rugova theksonte edhe mesazhin se Pavarësia e Kosovës është plotësim i Pavarësisë Shqiptare, “e cila u cungua pa vullnetin e shqiptarëve”.

“Në 28 Nëntor 1992 Presidenti Rugova qëndron në Vlorë në festimin e 80 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri ai realizon takime me Presidentin Sali Berisha dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit shqiptar”, shkruaj nga faqe historie.

I zgjedhur president i Kosovës në zgjedhjet e para pluraliste, Dr. Rugova pas vizitës në Shqipëri në Nëntor për festën e 80 vjetorit të Pavarësisë, në Dhjetor 1992 shkoi në Bruksel, ku takohet me Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lorens Igëllberger, i cili i shpreh mirënjohje Pesidentit Rugova si lider i popullit shqiptar për kontributin e tij në ruajtjen e paqes në Kosovë. Sekretari Amerikan i Shtetit Igëllberger siguroi Presidentin Rugova se nga shqiptarët nuk kërkohet që të heqin dorë nga objektivi i tyre për të ardhmen e Kosovës.

Presidenti Rugova edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, edhe në Amerikë e në shtetet e Bashkimit Evropian, kudo, fliste për Pavarësinë e Kosovës si zgjidhja më e mirë dhe kompromisi i shqiptarëve.

Si gjithmonë, edhe në 4 Mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës President i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës, Rugova shprehej: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën e parë ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë para 26 viteve fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”, derisa bisedonim gjatë ditën e enjëte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, si edhe në raste të tjera, falënderonte e vlerësonte shumë për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistë.

Atë intervistë të parë me Presidentin e parë të Kosovës e zhvilloja në kohë të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova.

Në intervistë, Presidenti Rugova tek fliste atëherë si për ëndërra parashikonte ngjarjet që pasuan, theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”. 
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova. 
Ai besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte. 

“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej Presidenti Rugova.
Pyetjes se çfarë do të thotë politikë globale shqiptare dhe si mund të realizohet ajo në praktikë, në kushtet e ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij, Presidenti Rugova iu përgjigj: “Kjo politikë do të shembë muret mes shqiptarëve”.

“Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët po bashkëpunojmë në planin politik”, theksonte Presidenti historik i Kosovës. 
 “Në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Do të thotë se kemi një vizion se ç’duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se politika globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte”, shprehej ai. 
Rugova vlerësonte se, “politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në planin ndërkombëtar”. “Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj, brenda dhe jashtë, e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje, që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët”, vijonte ai. 

Në 11 Tetor 1991, në Prishtinë, ishte miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova.  Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Presidenti Rugova në intervistë vlerësonte se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, se “opcioni i parë ishte një Kosovë e pavarur e neutrale”, dhe “që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale”.

“Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretari Amerikan të Shtetit Igëllberger.

 Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të 28 Nëntorit 2002, derisa në atë kohë kur isha kryeredaktor i gazetës historike në fund të dhjetorit 2002 zhvilloja intervistën ekskluzive për Rilindjen festive të Vitit të Ri.

Më pak se një muaj para përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë në Prishtinë, Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.

“Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, thoshte Rugova në intervistën ekskluzive që zhvillova në prag të Vitit të Ri 2003 për gazetën Rilindja.

Mes pyetjeve që i bëra Presidentit Rugova, në bashkëbisedim, iu drejtova: “Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13 vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet”.

Presidenti Rugova u përgjegj: “Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.

Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i eci këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë”.

Edhe tani dhe përjetshëm Flamuri i Dardanisë, i dizajnuar sipas idesë së Presidentit historik Rugova dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar janë në të dy anët e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Pavarësisë me emrin e Ibrahim Rugovës.

 Presidenti Rugova kaherë theksonte idenë për autostradën Shqipëri-Kosovë, Rrugën e Kombit, nëpër shtigjet e vjetra historike, derisa shprehej se, “nëpër vendin tim kalojnë rrugë të rëndësishme evropiane, sikur ishte rruga antike Via Egnatia”.

Me vendimin e Qeverisë kosovare, është emërtuar “Ibrahim Rugova” autostrada në Kosovë, e ndërtuar në vazhdim të autostradës në Shqipëri nga bregdeti shqiptar-Durrësi deri në portën kufitare në Morinë-Vërmicë, mes qytetit të Lidhjes së Prizrenit dhe Kukësit.

Në Tetorin e vitit 2005,  Presidenti Rugova në takim me projektuesit thoshte se se ndërtimi i autostradës Prishtinë-Durrës tregon se, “ne jemi të aftë të bëjmë dhe mbajmë shtet, dhe se e meritojmë pavarësinë”.

 “Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e pavarësisë, të jemi një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë”, më thoshte Presidenti Rugova në një intervistë tjetër eksluzive në jubileun e 60 vjetorit të gazetës Rilindja, të 12 Shkurtit 2005, ku poashtu fliste edhe për autostradën dhe marrëdhëniet me Shqipërinë, edhe për garancitë e shtetit të Kosovës për pakicat kombëtare, për të gjithë qytetarët.

“Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë”, theksonte Rugova në intervistën eksluzive që në ballinë të gazetës Rilindja kishte kryetitullin: “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin”.


“Njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, theksonte Rugova.

Ndërsa, i pyetur për marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, shembull për rajonin dhe se si e shihte të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet euroatlantike, Rugova thoshte:

“Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë-Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë”.

Me rastin e pritjes që më bëri dhe intervistës ekskluzive në prag të 12 Shkurtit 2005 – ditës së 60 vjetorit të gazetës Rilindja, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues e Kryeredaktorit Presidentit Rugova i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës.

Si gjithmonë, edhe në 4 Mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës President i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës – në liri, Rugova shprehej: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

 Më pak se një muaj para se të kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, regjistrova fjalët-mesazhin e tij, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005.
 “Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme.

Ibrahim Rugova u shua në 21 Janar 2006. Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit të Kosovës.

KRYEMINISTRI HOTI: SIÇ THOSHTE SHPESH PRESIDENTI RUGOVA, “SHTËPIA PA MIQ NUK MBAHET”

 ISTOG, 2 Dhjetor 2020-Gazeta DIELLI/

-Fjala e Kryeministrt të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në Istog në ceremoninë e inaugurimit të Kompleksit Memorial Dr. Ibrahim Rugova/

I nderuar nënkryetar i LDK-së Lutfi Haziri,

I nderuar kryetar i Degës së LDK-së në Istog, z. Haki Rugova,

Të dashur familjarë e bashkëvendës të Presidentit Rugova,

Zonja dhe zotërinj,

Ndihem vërtet i privilegjuar që ndodhem sot këtu, në mesin e njerëzve më të dashur dhe më të afërt të Presidentit historik të Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, në Istogun e bukur të LDK-së e të Kosovës.

Zbulimi i shtatores së Presidentit Rugova, në ditën e lindjes së tij, pikërisht sot e këtu, është shenjë e kujdesit dhe e nderimit të përhershëm të qytetarëve dhe të institucioneve të vendit për prijësin e tyre, për themeluesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ideatorin e Republikës së pavarur, të lirë dhe demokratike të Kosovës – dr. Ibrahim Rugova.

Istogut sot po i kthehet simbolikisht në bronz djali i zgjedhur, të cilin ky qytet ia dha kombit, për ta shndërruar në prijës dhe burrështetas të parë të Republikës së Kosovës. Kështu, që nga sot, ky qytet fatlum do të ketë edhe një shenjë më shumë në identitetin e vet të pasur, një shenjë që e nderon Istogun dhe mbarë Kosovën, shtatoren e njeriut që i priu një epoke për t’u bërë vetë shënjues i saj.

Ibrahim Rugova, djalosh i rritur pa babanë e rrëmbyer nga komunistët, njohu kodet e forta të lidhjes me nënën dhe me farefisin, njohu kodin e lidhjes së gjakut e të nderit të trungut familjar, që më pastaj i shërbeu si themel i fortë për njohjen e kodit të etnisë.

Rugova i urtë, njohu tejpërtej trashëgiminë gjuhësore, letrare e kulturore shqiptare, i studioi ato me zell e me dashuri, duke depërtuar thellë në vetëdijen dhe në psikologjinë e etnisë. Dija e vetëdija për historinë dhe trashëgiminë kulturore e shpirtërore të etnisë, i ndihmuan studiuesit Ibrahim Rugova që nga bota e letrave të kapërcente lehtësisht në botën e politikës, në të cilën, po ashtu, ai mbeti i veçantë, i dashur dhe i papërsëritshëm.

Të dashur bashkëvendës të Presidentit Rugova,

Zonja e zotërinj,

Me urtësinë dhe largpamësinë e tij, Presidenti Rugova e trasoi të ardhmen e Republikës së Kosovës. Bota e njohu dhe e pranoi Kosovën dhe aspiratat e popullit të saj për liri, pavarësi e demokraci nëpërmjet Presidentit Rugova, i cili me dije dhe me takt diplomatik arriti ta ndërkombëtarizonte çështjen e Kosovës në qendrat kryesore të diplomacisë botërore.

Në frymën e Bogdanit dhe të pasardhësve të tij, Rugova e orientoi politikën tonë drejt botës së qytetëruar europerëndimore, së cilës ne i përkasim edhe gjeografikisht, por edhe kulturalisht e shpirtërisht.

Rugova e mori në dorë fatin e popullit të Kosovës në një periudhë shumë të rëndë, kur ish-federata jugosllave po shpërbëhej rrëmujshëm, nëpërmjet tragjedive dhe mizorive të papara, ndërsa për Kosovën pothuajse nuk dinte askush.

Duke u vënë në krye të LDK-së dhe të lëvizjes së madhe për liri e pavarësi, ai u shndërrua shpejt në prijës gjithëpopullor, në simbol të një epoke nga e cila lindi dhe u formësua Republika e pavarur e Kosovës.

Kërkesa e kahmotshme e shqiptarëve të Kosovës për mëvetësi u legalizua pikërisht nga LDK-ja dhe kryetari i saj i parë, dr. Ibrahim Rugova. Lidhja me botën perëndimore, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e tjera të NATO-s rezultoi vendimtare për shpëtimin e popullit të Kosovës nga gjenocidi serb më 1998 dhe 1999.

Edhe pas mbarimit të luftës, këto vende mike e ndihmuan fuqishëm Kosovën në udhën e shtetndërtimit dhe të afirmimit të saj kudo në botë. Ato po na ndihmojnë edhe sot, jo vetëm në luftimin dhe menaxhimin e pandemisë Covid 19, por në të gjitha fushat e tjera.

 Në pajtim të plotë me idetë e tij, me frymën që ai na la trashëgim, ne do të vazhdojmë ta kultivojmë dhe ta forcojmë bashkëpunimin me miqtë, sepse, siç thoshte shpesh Presidenti Rugova, “shtëpia pa miq nuk mbahet”! Dhe, në këtë rrugë, në këtë mision të shenjtë, nuk do të ndalemi asnjëherë, derisa Republika e Kosovës të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, si dhe e mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë, ashtu siç proklamonte këtu e tri dekada më parë Presidenti Rugova, prijësi ynë i dashur, nga i cili, po ashtu, kemi një amanet kuptimplotë – miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E gëzofshi shtatoren e Presidentit Rugova!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe miqtë e saj!     

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kompleks Memorial, President Ibrahim Rugova

Kosova nderon të rënët për LIRI-Kompleks Memorial në Marinë

October 5, 2018 by dgreca

1 Ballore

-Presidenti Thaçi ndau Urdhrin Hero i Kosovës për 158 dëshmorët e varrosur në Kompleksin Memorial në Marinë: UÇK-ja të pamundurën e bëri realitet!/

1 Bashke1

-Veseli: Duhet të jemi të bashkuar për ta fuqizuar shtetin e Kosovës

2 ok Haradinaj

-Kryeministri Haradinaj: Sot, po përmbyllet një borxh yni që ua kemi pasur të rënëve për liri.-(Per me shume fotografi shkoni ne Facebook dielli vatra)

Marinë/Skenderaj, 5 Tetor 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në inaugurimin e Kompleksit Memorial të Heronjve dhe Dëshmorëve në fshatin Marinë të Komunës së Skenderajt.
Presidenti Thaçi ka thënë se inaugurimi i Kompleksit Memorial të Dëshmorëve në Marinë po rrumbullakohet më varrimin e mbetjeve mortore të tre komandantëve të lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Abedin Rexhës, Mujë Krasniqit dhe Ilaz Kodrës.
“Në këtë tokë të Drenicës do të pushojnë përjetësisht eshtrat e 158 dëshmorëve të UÇK-së. Ata që në kohë dhe vende të ndryshme, në grupe ose individualisht, ranë heroikisht në beteja, istikame, aksione e përballje më forcat serbe në vitet 1998, 1999. Këtu do të prehet krenaria e Drenicës, Kosovës dhe mbarë kombit. Këta emra të skalitur në gur graniti ishin bijat dhe bijtë tuaj të shtrenjtë. Ishin bashkëluftëtarët tanë që më shumë se jetën e kishin të shtrenjtë lirinë e atdheut, lirinë e Kosovës. Në vitet e papërsëritshme, ata u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte projekti politik dhe ushtarak më i suksesshëm që ka krijuar historia e qëndresës dhe rezistencës së popullit shqiptar.
Kush hyri në radhët e saj, sipas presidentit Thaçi, e ka përmbushur një mision dhe aspiratë shumë shekullore të gjeneratave dhe brezave që pareshtur aspironin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Këta dëshmorë e heronj e mbytën frikën, shpirtin e robit, me armë në dorë, uniformë dhe emblemë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës treguan guximin dhe gatishmërinë për t’iu kundërvënë policisë dhe ushtrisë serbe. Dashuria dhe patriotizmi arritën shkallën më supreme të organizimit përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj UÇK-ja nga strategët dhe teoricienët e luftës konsiderohet si guerilja më e suksesshme e shekullit njëzet në botë. Ajo doli nga populli. Në të veproi pjesa më e gatshme e kombit për t’u sakrifikuar për çlirimin njëherë e përgjithmonë të Kosovës. Ishte ushtri e vullnetit dhe gatishmërisë për flijim. Ishte UÇK-ja ajo që e ngriti në pikën më të lartë të ndërkombëtarizimit çështjen e pazgjidhur të Kosovës. UÇK-ja të pamundurën e bëri realitet”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit shtoi se të rinj dhe të reja, studentë, punëtorë, fermerë, burra dhe gra nga të gjitha trojet kombëtare, me uniformën e UÇK-së, ranë në fushën e nderit.
Në krye të atdhetarëve idealistë, ai tha se kanë qenë edhe tre komandantët e shquar të tri brigadave, Abedin Rexha i brigadës 112, Mujë Krasniqi i brigadës 113 dhe Ilaz Kodra, i brigadës 114.
“Karakterin popullor dhe patriotik të luftës së drejtë të UÇK-së më së miri e tregon edhe fenomeni i rënies së komandantëve të brigadave. Ata qëndruan përballë armikut si Fehmi Lladrovci, Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi, duke rënë në fushëbeteja. Ata qëndruan pranë ushtarëve dhe popullatës civile, duke dhënë shembullin më të mirë se sa e fuqishme ishte dashuria ndaj atdheut, se sa e vlefshme është liria, e cila fitohet me gjak dhe sakrifica. Këta emra dëshmorësh heronj dhe të emra të tjerë anembanë Kosovës janë dëshmia më e mirë që nuk ka asnjë forcë sado desktruktive që arrin ta njollos karakterin dhe qëllimin çlirimtar të UÇK-së”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se emri, jeta dhe vepra e tyre merr shkëlqim edhe më të madh, aq sa thellohen rrënjët e lirisë, pavarësisë së Kosovës.
Presidenti Thaçi ka thënë se sot Kosova po punon në konsolidimin e rrafshit të jashtëm dhe të brendshëm.
“Po punojmë intenzivisht për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Presim me të drejtë në muajt e ardhshëm liberalizimin e vizave. Po punojmë fuqishëm në koordinim me miqtë tanë, SHBA-në dhe NATO-n, për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës, në ushtri të Kosovës. Si dhe në kuadër të dialogut të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, do të punojmë në mënyrë unike që të arrijmë marrëveshje paqësore, duke nënkuptuar njohje reciproke, njohje nga 5 vendet e BE-së, anëtarësim në NATO, BE dhe OKB. Dhe në kuadër të marrëveshjes me Serbinë për korrigjimin e kufijve, edhe për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën”, ka thënë presidenti Thaçi.
I pari i vendit ka thënë se ky memorial është dëshmi e respektit institucional për ata që dhanë më të shtrenjtën për Kosovën.
“Te ky memorial do të përkulen përjetë brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë për ta kuptuar se sa e shtrenjtë është liria dhe pavarësia. Ky memorial është dëshmi se askush nuk do të ketë forcë dhe argument për ta njollosur luftën e drejtë të UÇK–së. Komandantët Abedin Rexha, Mujë Krasniqi dhe Ilaz Kodra dhanë jetën në tokën e tyre. Qindra e qindra dëshmorë u sakrifikuan në tokën e tyre, për çlirimin e atdheut të tyre”, theksoi ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se nëse ardhja në jetë është një akt hyjnor, atëherë rënia për liri është akti më sublim dhe më heroik i njeriut.
Duke u bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore, presidenti Thaçi i ka nderuar më Urdhrin më të lartë – Hero i Kosovës të gjithë dëshmorët e varrosur në Kompleksin Memorial në fshatin Marinë të Skenderajt.

***
Veseli: Duhet të jemi të bashkuar për ta fuqizuar shtetin e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ka deklaruar në Marinë të Skenderajt se toka e Kosovës është e larë me gjakun e dëshmorëve për tu arritur liria dhe shteti i pavarur e sovran.
Në ceremoninë e rivarrimit të dëshmorëve të UÇK-së, Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha, Kryeparlamentari Veseli tha se ëndrra e tyre është frymëzim në rrugën e fuqizimit të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës.
Veseli theksoi se askush nuk duhet të lejojë që të cenohet sovraniteti dhe integriteti i vendit.
Ai ka ftuar për bashkim nga të gjithë, ngase sipas tij, Kosova është tokë e shenjtë.
“Nuk duhet të lejojmë që të cenohet ky shtet, ky sovranitet, ky integritet. Jemi duke bërë punën më të mirë të mundshme. Ajo çka na duhet më shumë është që të jemi të bashkuar, mos t’i hapim fjalë njëri-tjetri, për arsyeje se kjo tokë është e shenjtë, sepse edhe amaneti i kolosëve është i shenjtë, kemi dhënë shumë sakrifica, duhet të punojmë edhe ma shumë”, ka thënë Veseli.
Në këtë ceremoni, Kryeparlamentari Veseli ka paralajmëruar po ashtu se votimi i tri projektligjeve që mundësojnë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të vendit do të jenë brenda ditësh ose javësh në Kuvend.
***
Kryeministri Haradinaj: Sot, po përmbyllet një borxh yni që ua kemi pasur të rënëve për liri.

Skenderaj, 5 tetor 2018- “Populli ynë i ka shumë borxh dëshmorëve, por një varr të dinjitetshëm ia kemi borxh çdo qytetari tonë që ka rënë për liri dhe sot, po përmbyllet një borxh yni që ua kemi pasur të rënëve për liri”. Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në inaugurimin e Kompleksit Memorial të Dëshmorëve dhe Heronjve të Kombit, në Marinë të Skenderajt, ku u bë edhe rivarrimi i heronjve Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha, ceremoni kjo që u organizua nën patronatin e kryeministrit te Kosovës, Ramush Haradinaj.
Para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues institucionalë, bashkëluftëtarë, familje të dëshmorëve, kryetarë të komunave dhe personalitet tjera të jetës politike, akademike e ushtarake të vendit, kryeministri Haradinaj tha se sot, po zënë vend, në tokën e vet, luftëtarët e kësaj toke, bijtë e këtij populli dhe, gjithë bashkëluftëtarët e tyre, familjet, ndihen të lehtësuar, se më në fund trupat e tyre po rehatohen në tokën e vet, ashtu siç i ka hije, me dinjitet.
Më tutje, kryeministri Haradinaj tha se borxhi tjetër të cilin ua kemi dëshmorëve, është se duhet forcuar liria, për të cilën ata ranë.
“Duhet forcuar shtetin, në ekonomi, politikë të brendshme dhe të jashtme, për të ruajtur Kosovën, për ta ruajtur territorin e vet dhe, kufijtë e vet t’i ruaj të paprekshëm prej kurrkujt, çoftë ai këtu me ne, çoftë tjetër kund, për shkak se këta kufij na i ka lënë amanet këta që po i rahatojmë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se të gjithë duhet ditur se rritja jonë na pëlqen të gjithëve, por kurrë njëherë nuk guxojmë të lëvizim atë që është mbërri me gjak.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, duke i falënderuar të gjithë të pranishmit dhe në veçanti kryeministrin Haradinaj për gjithë organizimin, tha se sot, Marina, hyri në hartën e kombit, si vendi ku pushojnë viganët e lirisë dhe nga sot ky vend bëhet pjesë e kujtesës sonë kolektive se si fitohet liria.
“Sot Marina po e bart peshën e dhimbjes dhe krenarisë tonë për heronjtë tanë që përjetësisht nga kjo tokë do t’i bëjnë roje atdheut, lirisë tonë, ndërgjegjes tonë”, tha kryetari Jashari.
Nga një fjalë e kanë mbajtur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ndërsa në emër të shoqatave të dala nga lufta, të pranishmit i përshëndeti Hysni Gucati.
Pas fjalimeve, nga Togu Ceremonial i FSK-së është bërë rivarrimi i Heronjve të Kombit, Ilaz Kodra, komandant i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, Mujë Krasniqi, komandant i Brigadës 113 që mbanë emrin e tij dhe Abedin Rexha, komandant i Brigadës 112 “Arben Haliti”
Kryeministri Haradinaj, i shoqëruar nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha dhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka bërë homazhe dhe vendosur kurora lulesh te Kompleksi Memorial i Dëshmorëve dhe Heronjve të Kombit, në Marinë të Skenderajt.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj bëri homazhe edhe te varret e Heronjve të Kombit, Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, deshmoret, Kompleks Memorial, ne Marine

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT