-Presidenti Thaçi ndau Urdhrin Hero i Kosovës për 158 dëshmorët e varrosur në Kompleksin Memorial në Marinë: UÇK-ja të pamundurën e bëri realitet!/
-Veseli: Duhet të jemi të bashkuar për ta fuqizuar shtetin e Kosovës
-Kryeministri Haradinaj: Sot, po përmbyllet një borxh yni që ua kemi pasur të rënëve për liri.-(Per me shume fotografi shkoni ne Facebook dielli vatra)
Marinë/Skenderaj, 5 Tetor 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në inaugurimin e Kompleksit Memorial të Heronjve dhe Dëshmorëve në fshatin Marinë të Komunës së Skenderajt.
Presidenti Thaçi ka thënë se inaugurimi i Kompleksit Memorial të Dëshmorëve në Marinë po rrumbullakohet më varrimin e mbetjeve mortore të tre komandantëve të lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Abedin Rexhës, Mujë Krasniqit dhe Ilaz Kodrës.
“Në këtë tokë të Drenicës do të pushojnë përjetësisht eshtrat e 158 dëshmorëve të UÇK-së. Ata që në kohë dhe vende të ndryshme, në grupe ose individualisht, ranë heroikisht në beteja, istikame, aksione e përballje më forcat serbe në vitet 1998, 1999. Këtu do të prehet krenaria e Drenicës, Kosovës dhe mbarë kombit. Këta emra të skalitur në gur graniti ishin bijat dhe bijtë tuaj të shtrenjtë. Ishin bashkëluftëtarët tanë që më shumë se jetën e kishin të shtrenjtë lirinë e atdheut, lirinë e Kosovës. Në vitet e papërsëritshme, ata u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte projekti politik dhe ushtarak më i suksesshëm që ka krijuar historia e qëndresës dhe rezistencës së popullit shqiptar.
Kush hyri në radhët e saj, sipas presidentit Thaçi, e ka përmbushur një mision dhe aspiratë shumë shekullore të gjeneratave dhe brezave që pareshtur aspironin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Këta dëshmorë e heronj e mbytën frikën, shpirtin e robit, me armë në dorë, uniformë dhe emblemë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës treguan guximin dhe gatishmërinë për t’iu kundërvënë policisë dhe ushtrisë serbe. Dashuria dhe patriotizmi arritën shkallën më supreme të organizimit përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj UÇK-ja nga strategët dhe teoricienët e luftës konsiderohet si guerilja më e suksesshme e shekullit njëzet në botë. Ajo doli nga populli. Në të veproi pjesa më e gatshme e kombit për t’u sakrifikuar për çlirimin njëherë e përgjithmonë të Kosovës. Ishte ushtri e vullnetit dhe gatishmërisë për flijim. Ishte UÇK-ja ajo që e ngriti në pikën më të lartë të ndërkombëtarizimit çështjen e pazgjidhur të Kosovës. UÇK-ja të pamundurën e bëri realitet”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit shtoi se të rinj dhe të reja, studentë, punëtorë, fermerë, burra dhe gra nga të gjitha trojet kombëtare, me uniformën e UÇK-së, ranë në fushën e nderit.
Në krye të atdhetarëve idealistë, ai tha se kanë qenë edhe tre komandantët e shquar të tri brigadave, Abedin Rexha i brigadës 112, Mujë Krasniqi i brigadës 113 dhe Ilaz Kodra, i brigadës 114.
“Karakterin popullor dhe patriotik të luftës së drejtë të UÇK-së më së miri e tregon edhe fenomeni i rënies së komandantëve të brigadave. Ata qëndruan përballë armikut si Fehmi Lladrovci, Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi, duke rënë në fushëbeteja. Ata qëndruan pranë ushtarëve dhe popullatës civile, duke dhënë shembullin më të mirë se sa e fuqishme ishte dashuria ndaj atdheut, se sa e vlefshme është liria, e cila fitohet me gjak dhe sakrifica. Këta emra dëshmorësh heronj dhe të emra të tjerë anembanë Kosovës janë dëshmia më e mirë që nuk ka asnjë forcë sado desktruktive që arrin ta njollos karakterin dhe qëllimin çlirimtar të UÇK-së”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se emri, jeta dhe vepra e tyre merr shkëlqim edhe më të madh, aq sa thellohen rrënjët e lirisë, pavarësisë së Kosovës.
Presidenti Thaçi ka thënë se sot Kosova po punon në konsolidimin e rrafshit të jashtëm dhe të brendshëm.
“Po punojmë intenzivisht për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Presim me të drejtë në muajt e ardhshëm liberalizimin e vizave. Po punojmë fuqishëm në koordinim me miqtë tanë, SHBA-në dhe NATO-n, për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës, në ushtri të Kosovës. Si dhe në kuadër të dialogut të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, do të punojmë në mënyrë unike që të arrijmë marrëveshje paqësore, duke nënkuptuar njohje reciproke, njohje nga 5 vendet e BE-së, anëtarësim në NATO, BE dhe OKB. Dhe në kuadër të marrëveshjes me Serbinë për korrigjimin e kufijve, edhe për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën”, ka thënë presidenti Thaçi.
I pari i vendit ka thënë se ky memorial është dëshmi e respektit institucional për ata që dhanë më të shtrenjtën për Kosovën.
“Te ky memorial do të përkulen përjetë brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë për ta kuptuar se sa e shtrenjtë është liria dhe pavarësia. Ky memorial është dëshmi se askush nuk do të ketë forcë dhe argument për ta njollosur luftën e drejtë të UÇK–së. Komandantët Abedin Rexha, Mujë Krasniqi dhe Ilaz Kodra dhanë jetën në tokën e tyre. Qindra e qindra dëshmorë u sakrifikuan në tokën e tyre, për çlirimin e atdheut të tyre”, theksoi ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se nëse ardhja në jetë është një akt hyjnor, atëherë rënia për liri është akti më sublim dhe më heroik i njeriut.
Duke u bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore, presidenti Thaçi i ka nderuar më Urdhrin më të lartë – Hero i Kosovës të gjithë dëshmorët e varrosur në Kompleksin Memorial në fshatin Marinë të Skenderajt.
***
Veseli: Duhet të jemi të bashkuar për ta fuqizuar shtetin e Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ka deklaruar në Marinë të Skenderajt se toka e Kosovës është e larë me gjakun e dëshmorëve për tu arritur liria dhe shteti i pavarur e sovran.
Në ceremoninë e rivarrimit të dëshmorëve të UÇK-së, Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha, Kryeparlamentari Veseli tha se ëndrra e tyre është frymëzim në rrugën e fuqizimit të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës.
Veseli theksoi se askush nuk duhet të lejojë që të cenohet sovraniteti dhe integriteti i vendit.
Ai ka ftuar për bashkim nga të gjithë, ngase sipas tij, Kosova është tokë e shenjtë.
“Nuk duhet të lejojmë që të cenohet ky shtet, ky sovranitet, ky integritet. Jemi duke bërë punën më të mirë të mundshme. Ajo çka na duhet më shumë është që të jemi të bashkuar, mos t’i hapim fjalë njëri-tjetri, për arsyeje se kjo tokë është e shenjtë, sepse edhe amaneti i kolosëve është i shenjtë, kemi dhënë shumë sakrifica, duhet të punojmë edhe ma shumë”, ka thënë Veseli.
Në këtë ceremoni, Kryeparlamentari Veseli ka paralajmëruar po ashtu se votimi i tri projektligjeve që mundësojnë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të vendit do të jenë brenda ditësh ose javësh në Kuvend.
***
Kryeministri Haradinaj: Sot, po përmbyllet një borxh yni që ua kemi pasur të rënëve për liri.
Skenderaj, 5 tetor 2018- “Populli ynë i ka shumë borxh dëshmorëve, por një varr të dinjitetshëm ia kemi borxh çdo qytetari tonë që ka rënë për liri dhe sot, po përmbyllet një borxh yni që ua kemi pasur të rënëve për liri”. Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në inaugurimin e Kompleksit Memorial të Dëshmorëve dhe Heronjve të Kombit, në Marinë të Skenderajt, ku u bë edhe rivarrimi i heronjve Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha, ceremoni kjo që u organizua nën patronatin e kryeministrit te Kosovës, Ramush Haradinaj.
Para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues institucionalë, bashkëluftëtarë, familje të dëshmorëve, kryetarë të komunave dhe personalitet tjera të jetës politike, akademike e ushtarake të vendit, kryeministri Haradinaj tha se sot, po zënë vend, në tokën e vet, luftëtarët e kësaj toke, bijtë e këtij populli dhe, gjithë bashkëluftëtarët e tyre, familjet, ndihen të lehtësuar, se më në fund trupat e tyre po rehatohen në tokën e vet, ashtu siç i ka hije, me dinjitet.
Më tutje, kryeministri Haradinaj tha se borxhi tjetër të cilin ua kemi dëshmorëve, është se duhet forcuar liria, për të cilën ata ranë.
“Duhet forcuar shtetin, në ekonomi, politikë të brendshme dhe të jashtme, për të ruajtur Kosovën, për ta ruajtur territorin e vet dhe, kufijtë e vet t’i ruaj të paprekshëm prej kurrkujt, çoftë ai këtu me ne, çoftë tjetër kund, për shkak se këta kufij na i ka lënë amanet këta që po i rahatojmë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se të gjithë duhet ditur se rritja jonë na pëlqen të gjithëve, por kurrë njëherë nuk guxojmë të lëvizim atë që është mbërri me gjak.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, duke i falënderuar të gjithë të pranishmit dhe në veçanti kryeministrin Haradinaj për gjithë organizimin, tha se sot, Marina, hyri në hartën e kombit, si vendi ku pushojnë viganët e lirisë dhe nga sot ky vend bëhet pjesë e kujtesës sonë kolektive se si fitohet liria.
“Sot Marina po e bart peshën e dhimbjes dhe krenarisë tonë për heronjtë tanë që përjetësisht nga kjo tokë do t’i bëjnë roje atdheut, lirisë tonë, ndërgjegjes tonë”, tha kryetari Jashari.
Nga një fjalë e kanë mbajtur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ndërsa në emër të shoqatave të dala nga lufta, të pranishmit i përshëndeti Hysni Gucati.
Pas fjalimeve, nga Togu Ceremonial i FSK-së është bërë rivarrimi i Heronjve të Kombit, Ilaz Kodra, komandant i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, Mujë Krasniqi, komandant i Brigadës 113 që mbanë emrin e tij dhe Abedin Rexha, komandant i Brigadës 112 “Arben Haliti”
Kryeministri Haradinaj, i shoqëruar nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha dhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka bërë homazhe dhe vendosur kurora lulesh te Kompleksi Memorial i Dëshmorëve dhe Heronjve të Kombit, në Marinë të Skenderajt.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj bëri homazhe edhe te varret e Heronjve të Kombit, Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha