Nga dr. Gjon BUÇAJ/Kryetar VATRËS/
Pesë maji ishte rast i përshtatshëm për disa dukuni të cilat, me arsye, shkaktuen reagime dhe komente të ndryshme. Në të vërtetë dukunitë që u panë me shqetsim, ishin vetëm simptome të nji semundjeje të randë nga e cila ende vuen shoqnia shqiptare. Po afrohet nji çerek shekulli prej ramjes de jure të komunizmit, por faktikisht trashigimia e diktaturës së kalueme asht ende prezente në të gjithë sektorët e jetës shqiptare, qofshin shtetnorë, politikë ose shoqnorë e kulturorë, dikund ma shumë e dikund ma pak.
Nderimet me grusht të fëmijve apo të të rritunve para varrezave ose para fotografisë së diktatorit, i cili simbolizon periudhën ma të errtë të historisë sonë, qofshin me 5 maj ose me 29 nandor, me pjesëmarrje edhe të zyrëtarve të lartë qeveritarë, arsyetojnë shqetsimet që klasa e ish të përsekutuemëvet shprehi në kohën e fushatës së fundit paraelektorale.
Dukunitë e përmenduna ma nalt, sado anakronike dhe të shëmtueme, janë legjitime sepse simbolizojnë nji sistem i cili, sado tragjik, sado antikombëtar dhe antinjerzor, nuk asht dënue as parimisht, lene ma juridikisht, për krimet e pa shembullta që kreu mbi popullin shqiptar.
Tue mos u dënue, diktatura mbetet legjitime edhe për breznitë e ardhëshme, nga do që të vijë, majtas apo djathtas.
Për demokratizimin (në vend të termit dekomunistizim) e shoqnisë shqiptare, detyra kryesore bjen mbi klasën politike, por forca promotore duhej të ishte klasa intelektuale.
Në vend të letrave të hapuna drejtue qeverisë për të ndërhy në çashtje të gjuhes, ose në çashtje të tjera si në kohe të diktaturës, intelektualët duhet të bajnë presjon mbi klasën politike për thellimin e frymës demokratike dhe shkëputjen përfundimtare nga trashigimija e së kaluemës; kjo, simbas eksperiencës së shteteve të tjera ish komuniste, do të lehetësonte edhe luftën kundër korrupsionit.
Dënimi i komunizmit si sistem dhe i krimeve të tij, si dhe zbatimi i ligjit të lustracionit, do të realizohen në Shqipni heret a vonë, por interesi kombëtar e don ma mirë heret se vonë!