Skënder Bruçaj: Muslimanët janë të parët që vuajtën dhe po vuajnë nga këta pseudo-besimtarë në shumë fusha, në aspektin njerëzor, teologjik dhe personalitetit e tyre si musliman./
Komuniteti Musliman i Shqipërisë dënoi me forcë vrasjen e gazetarëve në Paris, duke theksuar se asnjë vrasje nuk mund të bazohet në fenë islame. Kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, tha në intervistë për “Zërin e Amerikës, se gazetarët po goditen nga terroristët sepse po thonë të vërtetën dhe po përpiqen të largojnë mjegullat e ideologjive të rreme.
Zëri i Amerikës: Zoti Bruçaj! Si e përjetuat lajmin nga Parisi se dy persona të armatosur duke përmendur bindjet e tyre fetare sulmuan një redaksi gazete dhe vranë aty 12 gazetarë?
Skënder Bruçaj: Me thënë të drejtën jam tronditur shumë, si të gjithë njerëzit normalë me etikë, që vlerësojnë jetën e njerëzve. Në fillim nuk e bëra dot një lidhje. Është një fatkeqësi shumë e madhe që në këto kohë dhe në këtë civilizim të ndodhin akte të tilla, të cilat nuk mund të atashohen as me ndonjë ideologji fetare as me ndonjë aspekt tjetër human, është jashtë njerëzore dhe e dhimbshme.
Në çastin që e dëgjuam nga mediat, në emër të Komunitetit Musliman të Shqipërisë ne bëmë një deklaratë dhe shprehëm dhimbjen tonë dhe ngushëllimet për të dëmtuarit. Morën edhe kontakt me ambasadorin e Francës në Tiranë. Vërtet janë ngjarje të dhimbshme, të cilat njerëzimi nuk duhet t’i përjetojë. I lutem Zotit që ngjarje të tilla të mos ndodhin as në Francë dhe në asnjë vend tjetër të botës, sepse është e dhimbshme kur merret jeta e njeriut, jetën që Zoti e ka krijuar, Zoti ia ka falur njeriut dhe nuk ka ë drejtë asnjë njeri që ta marrë atë. Jeta është e shenjtë dhe asnjëri nuk ka të drejtë të marrë jetën e asnjë personi, duke u bazuar në asnjë ideologji, për asnjë shkak, për asnjë arsye çfarëdoqoftë.
Zëri i Amerikës: Zoti kryetar! Këta persona terroristë në shumicën e rasteve godasin gazetarët. Cili është mendi juaj për këtë?
Skënder Bruçaj: Mediat kanë një rëndësi shumë të madhe sepse informojnë opinionin publik dhe shumë personave nuk u intereson që e vërteta të jetë shumë e qartë për njerëzit, sepse iu pëlqen kur a mjegull, kur ka gjëra të paqarta, sepse luftojnë për pushtet, luftojnë për kauzën e një të keqeje. Nëse do të sqaroheshin njerëzit dhe do të ishin më të qartë, nuk do të kishin ndjekës, nuk do të arrinin të manipulonin njerëz të tjerë, nuk do të arrijnë të gjejnë simpatizantë. Kjo ndoshta i shtyn ata të bëjnë një presion kundër mediave, për të bërë një presion kundër lirisë së fjalës. Ky është shkaku besoj. Ndoshta disa shkrime nëpër gazeta, libra që kanë dalë ose disa karikatura mund të kenë kaluar kufirin etik për sa i përket lirisë së fjalës; ndoshta disa muslimanë mund të jenë të shqetësuar nga mënyra se si janë shprehur apo si është folur për të shenjtin e tyre, por asnjëherë nuk është shkak për një veprim të tillë. Profeti Muhamed, gjatë kohës si predikues, ka hasur shumë vështirësi të mëdha, është keq keqtrajtuar mjaft në mënyrën më çnjerëzore, por asnjëherë nuk ua ka kthyer në atë formë; ai gjithmonë është lutur që njerëzit të jetojnë në paqe, të jenë në mirëkuptim me njëri-tjetrin. Pra, në aspektin Islam nuk ka asnjë lloj pike ku të mbështeten ata që kryejnë vrasje; nëse pretendon se është musliman – ai nuk është musliman, edhe nëse e ka emrin musliman ai në thelb nuk është musliman, se nuk janë parimet e Islamit ato që motivojnë atë grup njerëzish për të bërë akte të tilla si Parisi. Jam plotësisht i sigurtë që të gjitha komunitetet muslimane nëpër botë qysh atë ditë e kanë shprehur shumë qartë qëndrimin e tyre dhe e kanë dënuar këtë akt që është johuman dhe është jashtë çdo lloj koncepti fetar.
Zëri i Amerikës: Zoti kryetar! Edhe nga Shqipëria e Kosova ka të rinj që shkojnë në Siri dhe iu bashkohen aksioneve terroriste atje. Çfarë komenti keni mbi këto zhvillime?
Skënder Bruçaj: Të them të drejtën, këto dekadat e fundit problemin më të madh muslimanët e kanë patur me terroristët. Muslimanët janë të parët që vuajtën dhe po vuajnë nga këta pseudo-besimtarë në shumë fusha, në aspektin njerëzor, teologjik dhe personalitetit e tyre si musliman.
Besoj se këtu duhet një rol më i fortë nga shteti, nga ngo, nga komuniteti musliman për të parë qartë se cilat ishin shkaqet që detyruan disa individë, disa shqiptarë për të shkuar në Siri dhe për të luftuar për një kauzë që nuk e mbështet feja dhe parimet islame dhe as ato njerëzore dhe për t’i eleminuar ato shkaqe.
Zëri i Amerikës: Po cilat janë këto shkaqe?
Skënder Bruçaj: Nga studimet doli se injoranca është thelbi i këtyre. Këto njerëz as fenë që pretendojnë se janë pjesë e asaj nuk e njohin. Mungesa e një kulture, problemet ekonomike dhe psikologjike, karakteri individual i shtyn ndoshta për të marrë pjesë në një fushatë që nuk e di as vetë se si do të zhvillohet. Në rastin e Shqipërisë, edhe ngarkesa emocionale mund të jetë një nga shkaqet. Gjithmonë, sado të mëdha e të vogla mund të jenë religjonet e ndryshme diversiteti eksizton dhe ndodh ndonjëherë që individët kanë qasje ekstremiste. Por janë vetëm një grup i caktuar dhe ne duhet të jemi më të kujdesshëm që ky grup apo individë që nuk e kanë kuptuar fenë si duhet por e keqpërdorin për të fituar partizanë për të fituar pushtet, të njihet nga publiku se rruga e tyre nuk është një rrugë e drejtë, se mendimet e tyre janë jo të shëndosha për shoqërinë. Fal Zotit, në Shqipëri kemi patur pak raste. Ne kemi qenë shumë të hapur me muslimanët për të qartësuar gjërat si duhet, që brezat e rinj, ato individë që nuk janë të mirinformuar të mos manipulohen e të mos keqpërdoren. Në histori kemi parë se si njerëzit manipulohen nga ideologji të caktuara dhe dalin jashtë normave humane, dalin jashtë koncepteve normale.
Zëri i Amerikës: Nga se burojnë këto mendime që justifikojnë vrasjet?
Skënder Bruçaj: Unë them se kjo është një ideologji e re, por nuk bazohet në frymën e fesë islame dhe traditën profetike, sepse në to nuk gjen asgjë që të mbështesë vrasjet. Megjithatë ajo ka gjetur ndjekës të veçantë. Vendet ku shkojnë këta ndjekës janë prej vitesh në trazira dhe dhimbje, me autoritete të çuditshëm, dhe kur ka kaq shumë trazira e dhimbja dhe nuk ka demokraci as respektim të vlerave njerëzore, kur nuk ka një qetësi në shoqëri dalin rryma që vijnë si një lloj proteste. Unë besoj se ata janë individë jo të shëndoshë që janë grumbulluar atje, se kanë gjetur atje diçka që mendojnë se u përket. Janë mbledhur atje nga shumë shtete të shprehin ndjenjat negative që nuk i shprehin dot në vendet e tyre. Fatkeqësisht u ka dalë një rast atyre që anën e keqe njerëzore, perceptimet e gabuara që kanë t’i shprehin në një vend të caktuar, në një ideologji të caktuar që fatkeqësisht po dëmtojnë muslimanët dhe po shqetësojnë miliona njerëz në gjithë botën.
Është një ideologji e re, nuk është fe, nuk ka të bëjë as me profetin Muhamet, as me parimet e Islamit. Asnjë komunitet fetar, asnjë fe nuk e frymëzon një ideolgji, një veprim të tillë. Në Kuran dënohet ai person që i merr jetën një personi të pafajshëm sikur ka marrë jetën e gjithë njerëzimit. Kjo është shkruar fare qartë, ndaj nuk e di se ku e marrin guximin të bëjnë ato veprime, nëse besojnë te Kurani. Nuk mund të besosh te Kurani dhe të bësh ato veprime; kjo është një hipokrizi. Besoj se ata njerëz po jetojnë një hiporizi të skajshme, sepse nuk mund të thuash se jam ndjekës i një feje dhe vepron totalisht në kundërshtim me parimet e asaj feje. Dhe faktikisht këtë po shohim në ato vende.
Zëri i Amerikës: Disa xhami dhe disa oratorë fetarë u vunë në qendër të vëmendjes për mesazhet e papërshtatshme dhe përpjekje për rekrutime. Çfarë masash u morën për këto?
Skënder Bruçaj: Gjatë 20 vjetëve të fundit në Shqipëri ka patur shumë paligjshmëri dhe midis këtyre ishin edhe ndërtimet. Aty nis hapi i parë te paligjshmëria dhe për këtë ne kemi kërkuar pjesëmarrjen e shtetit për të hedhur çdo hap në përputhje me ligjin dhe me standartet, dhe që ne të jemi brenda kritereve ligjore. Një pjesë e mirë e këtyre njerëzve flasin nëpër xhami që janë jashtë kontrollit teknik, zyrtar dhe juridiksionit të komunitetit musliman shqiptar. Ai ka ndërtuar xhami në një fshat në tokën e tij dhe ka një këndvështrim privat të qasjes së gjërave dhe kjo e bën të dalë më tepër jashtë linjave institucionale. Ne jemi munduar që me ata njerëz të flasim se komunikime të tilla janë në dëm të shoqërisë dhe u kemi treguar parimet e fesë islame dhe se janë bërë rast negativ për Shqipërinë. Ndonjëherë nuk kemi gjetur mirëkuptimin, ndaj kemi kërkuar të kemi një komunikim më të rregullt zyrtar. Unë jam për lirinë e fjalës, për shprehjen e botëkuptimit fetar, por ne jetojmë në një ved që aspiron të shkojë drejt Europës, dhe na duhen disa rregulla, që të na mbajnë pak nën kontroll.
Duke filluar nga ky vit ne kemi centralizuar ndërtimin e xhamive, sipas një marrëveshje me shtetin dhe përmes një shtese në ligj. Tani e tutje xhamitë nuk mund të ndërtohen pa miratimin e komunitetit musliman dhe ky është një hap për të vendosur një përgjegjës në xhami, i cili ta përfaqësojë sa më mirë Islamin. Nëse në xhami një flet një person i painformuar me parimet e Islamit, flet nga mendja e tij dhe nga furnizime prej burimeve të tjera, atëherë ai i ndikon njerëzit. Ne po mundohemi që njerëzit që flasin në Shqipëri në emër të fesë të jenë më të qartë të jenë më të kujdesshëm dhe të kenë një ndikim më pozitiv tek besimtarët muslimanë.
Zëri i Amerikës: Cili është në fund të bisedës, një mesazhi juaj për besimtarët muslimanë shqiptarë?
Skënder Bruçaj: Unë i lutem krijuesit të gjithësisë që të ketë sa më shumë paqe dhe begati mes njerëzve, mirëkuptim, të duhen njerëzit mes tyre se edhe Zoti kështu dëshiron, që ne të gjejmë rrugën e komunikimit, ta duam njëri tjetrin, sepse jemi të gjithë krijet e tij, megjithë diversitetin që kemi.
Këshilla ime për besimtarët shqiptarë është që ta njohin më mirë fenë e tyre, të mos bazohen në mendimet e individëve të caktuar, por të lexojnë Kuranin dhe traditën profetike, sepse ato janë burimet kryesore të fesë tonë. Ata nuk duhet të ndikohen nga rryma të caktuara, që ndikohen nga globalizmi, nga rrugë të ndryshme për ta marrë informacionin në burime jo të sakta, por t’i afrohen më shumë fesë, të kenë më shumë besim, sepse besimi është ushqimi i shpirtit. Besoj që njerëzit që e ushqejnë shpirtin janë më të devotshëm ndaj Zotit, janë individë dhe qytetarë më të mirë dhe do të kenë më tepër kontribut në shoqëri. Shoqëritë e sotme kanë nevojë për njerëz që dinë ta ushqejnë shpirtin, që dinë të punojnë për shoqërinë, që dinë të jenë më tepër humanistë, dinë të kontribuojnë në shoqëri nga ana ekonomike, shoqërore dhe në promovimin e vlerave universale që Islami i promovon dhe i ka në esencë.(Bisedoi per Zerin e Amerikes Ilirian Agolli)