Presidenti në ikje i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama u shpreh të mërkurën se, presidenti i zgjedhur Donald Trump mund të mos i ndjekë këshillat e tij për disa çështje, duke qenë se i fitoi zgjedhjet dhe duke i kundërshtuar ato. Obama deklaroi se, me të marrë detyrën, Trump do të përballet me “kompleksitetin” e këtyre çështjeve dhe ka gjasa që opinioni i tij të ndryshojë, si për Obamacare dhe reformën e punës. Në një konferencë për shtyp, e fundit si kryetar shteti, Obama i cilësoi bisedat telefonike të zhvilluara me Trump si “konstruktive” dhe në disa raste “të gjata”.Obama tha se, këshilla më e mirë që mund të jeptë Trump, – dhe që ia ka dhënë,- është të mbështetet tek stafi i tij. “Është një punë me një magnitudë aq të fortë, saqë nuk mund ta bësh dot i vetëm”, u shpreh Obama. Konferencën Obama e hapi duke mbrojtur mediat e atashuara pranë Shtëpisë së Bardhë, duke thënë se gazetarët që mbuluan aktivitetet e administratës së tij ishin një aspekt i rëndësishëm i funksionimit të demokracisë. “Ne u japim llogari atyre që na kanë sjellë këtu. Dhe ju e keni bërë detyrën”, tha Obama për reporterët. “Nuk është nevoja të jesh servil, duhet të jesh skeptik”, vijoi ai. Fjalët e presidentit të parë me ngjyrë të Amerikës ishin një kontrast ndaj atyre të Trump, i cili akuzoi strukturat e shtypit pranë Shtëpisë së Bardhë për raportim të “lajmeve të rreme”. Më tej, Obama preku edhe marrëdhëniet me Rusinë, të cilat pas konflikteve në Ukrainë dhe Siri kanë prekur minimumin historik. “Mbajtja e marrëdhënieve konstruktive me Rusinë është një prioritet për SHBA dhe në interes të gjithë botës. Por me Putin ka patur një përshkallëzim të ndjenjës anti-amerikane”, theksoi Obama. Nuk mungoi edhe një përgjigje sa i takon Bradley Manning, ndihmësi i themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, i cili po shkon drejt lirimit. “Manning ka shlyer një dënim të ashpër në burg, një dënim që nuk ishte në proporcion me krimin. E kam shqyrtuar me imtësi rastin e tij”, tha Obama, duke shtuar se mesazheve të Assange në rrjetet sociale, nuk ua vë veshin. Ndryshe nga parardhësi i tij, George W. Bush, Obama e mbyll mandatin e tij me një rritje thuajse rekord të aprovimit. Një sondazh i CNN/ORC, i publikuar të mërkurën tregoi se 60 për qind e amerikanëve e aprovojnë punën që ai ka bërë si president.