Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA zhvilloi një vizitë ngushëllimi në Konsullatën e Republikës së Kosovës në New York në nderim të dhjetë shqiptarëve nga Kosova që humbën jetën në aksident në Kroaci teksa ktheheshin në vendlindje. Delegacioni i Vatrës u kryesua nga kryetari z.Elmi Berisha, nënkryetari z.Besim Malota, sekretarja e përgjithshme znj.Nazo Veliu, kryetari i degës Hudson Valley Simon Qafa, anëtari i Këshillit të Vatrës Çezar Ndreu, editori i Diellit Sokol Paja dhe sipërmarrësi shqiptar nga Plava Ramadan Ibriç. Delegacioni i Vatrës u prit nga Konsulli i Përgjithshëm Ambasador Frymëzim Izufaj, këshilltari Lulzim Krasniqi dhe Teuta Hyseni sekretare e dytë e Konsullatës së Kosovës në New York.
Kryetari i Vatrës dhe delegacioni pasi shprehën ngushëllimet e rastit për ngjarjen tragjike të humbjes së jetëve të dhjetë shqiptarëve nga Kosova në Kroaci, garantuan Konsullin Ambasador Isufaj se Vatra do të jetë kurdoherë një derë e hapur për misionin dhe një bashkëpunëtore e ngushtë për të çuar përpara çështjen kombëtare dhe interesin kombëtar.
Kryetari z.Elmi Berisha në diskutimet kryesore që zhvilloi u ndal të nevoja e zhvillimit, vazhdimit dhe forcimit të dialogut Kosovë – Serbi nën mbikëqyrjen direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nevoja e përgatitjes së një dosjeje ligjore të fuqishme për të paditur Serbinë për genocid në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Ambasador Isufaj pasi falënderoi delegacionin e Vatrës për ngushëllimet u shpreh me vlerësime të veçanta për Vatrën, rolin e saj në histori dhe traditën e shkëlqyer të bashkëpunimit të frytshëm mes misionit diplomatik të Kosovës dhe Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. (S.PAJA)