Me 20 mars 2016 Kryetari i demokratëve shqiptarë, Lulzim Basha, i shoqëruar nga bashkëshortja Aurela, deputetet Jorida Tabaku e Gent Strazimiri dhe Ish Ambasadori Shqiptar në Londër-Mal Berisha, bashkëbiseduan për 3 orë me vatranët./
NGA DALIP GRECA*/
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Z. Lulzim Basha, i shoqëruar nga bashkëshortja Aurela, nga deputetët Jorida Tabaku e Gent Strazimiri dhe ish Ambasadori i Shqipërisë në Londër Mal Berisha, kanë lënë si takim të fundit atë me Vatrën, siç u shpreh ai “Qershia mbi Tortë”-ëmbëlsira për në fund.Takimi u realizua ditën e Dielë, 20 Mars 2016, nga ora 3 deri në 6 pasdite. Kryetari i demokratëve iu është përgjigjur miqsisht kritikave të vatranëve pse Vatra u njoftua për takimin vetëm një ditë me parë dhe pse u la për në fund ky takim?!
Në fakt Vatra është një institucion që mbart historinë më të spikatur të Shqiptarëve të Amerikës dhe askush nuk mund ta zëvendësojë atë, askush nuk mund ta anshkalojë Vatrën, askush nuk mund të tentojë bashkim të diasporës pa Vatrën, askush nuk mund të lozë me Vatrën, qofshin këta edhe nga ata që bëjnë dredhi për Kryebari, thënë më shqip, që përpiqen të luajnë rolin e “kryepleqëve” të komunitetit, pa i zgjedhur kush, e pa e pasë statusin e “kryeplakut”. Federatës me emrin simbolik”Vatra Shqiptare” e pagëzuar me këtë emër nga Faik Konica, do t’i mjaftonin 104 vite histori monumentale,që nga themelimi, do t’i mjaftonin fushatat e mëdha për shpëtimin e Kombit në vitet ’20-45, kur e patëm humbur Pavarësinë; do të ishte i mjaftë përfaqësimi i Vatrës në Konferencën e Paqës në Paris, Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve(realizuar nga ish Kryetari i Vatrës Fan S. Noli), Organizimi dhe financimi i Diplomacisë së Shtetit Shqiptar nga Vatra, kur nuk kishim shtet (përfaqësimi dinjitoz me Dekanin e Diplomacisë në Washington Ministrin Faik bej Konicën), botimi për dekada i librave shqip dhe dërgimi i tyre në Shqipëri, organizimi i shkollave shqipe në SHBA dhe ruajtja e gjuhës kombëtare dhe traditave, Lobimi për Shqipërinë tek miqtë amerikanë dhe Europianë, Huaja Kombëtare që shpëtoi Shqipërinë, Organizimi i Fondit të studentëve që nga vitet ’20-30 të Shekullit XX dhe sot,dërgimi i Trupave vullnetare të Vatrës për të ruajtë kufijtë jugorë të Shqipërisë dhe pjesmarrja e tyre në Luftën e Vlorës, dërgimi i Bandës Muzikore të Vatrës në vitet ’20 në Shqipëri dhe krijimi i Bandës muzikore të Shtetit Shqiptar, lufta pa kompromis kundër diktaturës komuniste për 50 vite,etj …dhe sikur fare të mos punonte Vatra sot, ajo mbetet një monument historik që nuk mund ta anashkalojë askush këtu në SHBA apo shtetarët që venë e vijnë, apo ata që telekomandojnë që nga Tirana dhe mendojnë për konventat e Diasporës, pa Vatrën. Dikush ka hartuar një listë me organizata kryetarësh fiktivë, lista me shoqata katundesh a krahinash,me përfaqësues që s’dihet se kë përfaqësojnë dhe këtë e paraqesin si bashkim komunitetit!
Çudi, duket se koha përsëritet me reminishencat e para 100 viteve, Kur Faik Konica konstatonte: “Që më 1896 e gjer më 1910, kam parë disa dyzina shoqëri shqiptarësh të lindin, të vikasin, të rriten pak dhe të vdesin. Pyes veten, Pse? Pa dyshim një nga shkaqet e para është karakteri i shqiptarëve, të cilët si individualistë të mësuar të rrojnë dhe të veprojnë veç e veç, nuk janë të zotët të lidhen për një qëllim të përbashkët, të dëgjojnë dhe të pyesin njeri-tjetrin”.
– Faik Konica, gazeta “Dielli”, Nr 51, viti 1912…(Katundet, qytetet, krahinat u bashkuan dhe krijuan Vatrën. Po Sot, të kthehemi prapë tek katundet?)
… Pas takimit të Vatrës me Lulzim Bashën nëpër Komunitet nisën sërish diskutimet e thekura të shqiptarëve nëpër kafenetë: Pse presin vetëm demokratët këta të Vatrës dhe nuk presin socialistët?! Përse nuk e presin Edi Ramën?
Natyrisht që Vatra është e të gjithë shqiptarëve, por ajo nuk do ta marrë për dore Kryeministrin t’i tregojë derën dhe t’i lutet “Aman, eja në Vatër”. Nëse ai do ta ndjente “peshën historike” të Vatrës si monument i shqiptarëve të Amerikës, natyrisht që do ta gjente vetë derën, por nuk i intereson. Madje ai po tenton që të organizojë në të ardhmen jo të largët edhe një Konventë me diasporën në Tiranë, ç’ka e ka biseduar gjatë takimit të fundit në Nju Jork me një pjesë të besuarish të tij, e tenton këtë edhe pse i ka hequr diasporës së Amerikës shërbimin më elementar, atë Konsullor, me traditë më shumë se 100 vjeçare, që nga viti 1921. Ai do të mbahet mend si Kryeministri që mbylli Konsullatën në Nju Jork.
Kur Kryeministri erdhi në vizitën e parë pas marrjes të Mandatit, në shtator 2013, Vatra e respektoi dhe një përfaqësi e saj me Kryetarin, sekretaren dhe Editorin, shkuan dhe e takuan në rezidencën e tij të përkohshme në Hotel në prani të Ambasadorit Ferit Hoxha. Folën hapur, i paraqitën edhe një Promemorje me shkrim, që në thelb kërkonte: Dekomunistizim të Shoqërisë shqiptare, dekriminalizim, drejtësi të pavarur, hartimin e Ligjit të lustracionit, realizimin e integrimit real të shtresës së ish të përndjekurve,luftë kundër korrupsionit,dënimin e krimeve të Komunizmit, dhe hartimin e një Ligji real për pronat, pa harruar dhe problemet e çështjes kombëtare, përfshi dhe Çështjen Çame. Z. Rama, ironizoi kërkesën e Vatrës për luftë kundër Komunizmit dhe simboleve të tij, duke u shprehur”Kjo lufta kundër komunizmit ka mbaruar me vdekjen e Enverit…” Se sa kishte mbaruar komunizmi e pamë kur Ministrat e Ramës përkuleshin para fotografive të Enver Hoxhës dhe vetë Rama rrethohej nëpër festat e së majtës me portrete të diktatorit.Që nga ajo ditë, Rama, e ka harruar Vatrën dhe Promemorien e saj…Ai i bën takimet në mënyrë ilegale në Nju jork,shkon në bazat e tij tek Rusët e gjetkë, apo mbledh një grup të përzgjedhur prej tij për të “qarë hallet e Diasporës”, ku natyrisht përjashtohet Vatra….
***
…Por le të kthehemi tek kronika e takimit të së Dielës të 20 marsit 2016 të mysafirëve demokratë me vatranët mikpritës.Kryetari i Vatrës e ka pritë në hyrje të ndërtesës grupin e mysafirëve, që iu printe Basha. Natyrisht që salla e Vatrës ishte e vogël për një takim të tillë, ku një pjesë e vatranëve qëndruan në këmbë. Në këtë takim kanë ardhë edhe përfaqësues të degëve të Vatrës jashtë Nju Jork-ut, si nga dega e Michiganit(zv/kryetari Mondi Rakaj) dhe e Hartfordit(Zv/Kryetari Ilir Kola).
Kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj u ka uruar mirëseardhjen mysafirëve.Ai tha se me z. Basha jemi takuar dhe herë të tjera, këtu në Vatër, por edhe në Tiranë. Z. Basha e ka vizituar Vatrën në vitin jubilar të 100 vjetorit, ndërkohë që ka pritur grupe të Vatrës në Tiranë, siç ishte dhe rasti kur ai fitoi Bashkinë e Tiranës si Kryebashkiak, apo rasti i dekorimit nga Presidenti Nishani i vatranëve martirë etj.
Dr. Buçaj i ka njohur mysafirët me veprimtaritë e Vatrës, të cilat nga 100 vjetori kanë shënuar një rritje të dukshme, ç’ka ka shtuar edhe numrin e degëve, edhe rritjen e numrit të vatranëve.Vatra, tha dr. Buçaj, nuk e ka sot luksin e figurave të mëdha të ish themelusve dhe drejtusve të saj eminentë, si Fan S. Noli e Faik Konica, Kristo Kirka e Kristo Dako,Bahri Omari e Kostë Cekrezi, Aqif Përmeti e
Kolë Tromara, e të tjerë, por ajo asnjëherë nuk e ka ndalë punën e saj për çështjen Kombëtare. Shtëpia e Vatrës e ka pasë dhe do ta ketë derën hapur për bashkatdhetarët që vijnë nga vendlindja.Ne ndjehemi krenarë kur bashkatdhetarë, të zgjedhur, politikanë,intelektualë,shkrimtarë, gazetarë, kryetarë komunash, nga Lugina e Preshevës, Bujovci, Prishtina,Tirana, Malësia dhe Ulqini, Tetova dhe Shkupi, e kanë bërë shtëpinë e Vatrës si një ndalesë të domosdoshme për çështjen Kombëtare. Kush punon mirë për Kombin dhe forcimin e demokracisë ka pasë dhe do ta ketë mbështetjen e Vatrës.
Ne tha z. Buçaj, e kemi përgëzuar Qeverinë e Partisë Demokratike, kur ajo ka punuar mirë për çështjen Kombëtare, por edhe e kemi kritikuar për probleme e qëndrime që nuk përputhen me ato të Vatrës, siç është psh ndërtimi i varrezave greke në tokën shqiptare, problemi i pronave, korrupsionit,lufta kundër krimit etj.
Të njëjtën gjë bëmë edhe me qeverinë e Edi Ramës. Ia thamë fare shkoqur në takimin e shtatorit 2013, se nëse do të punonte për Kombin, do të luftonte pa kompromis kundër korrupsionit, do të luftonte krimin, do të vendoste drejtësi në kthimin e pronave pronarve të ligjsshëm, do të dekomunistizonte Shoqërinë dhe do t’i hapte rrugën lustracionit,Vatra do ta mbështeste. Por ai e harroi takimin me Vatrën dhe i ktheu shpinën asaj.
Vatra, tha kreu i vatranëve, ka shërbyer si një urë e fortë lidhjeje për forcimin e marrdhënieve amerikano-shqiptare,që në fillesën e këtyre marrdhënieve, dhe po ashtu ka dhënë kontribut të veçantë edhe në këto 25 vite të pasrrëzimit të Komunizmit.Ne tha dr. Bucaj, e mbështesim fort punën e ambasadorit amerikan në Tiranë z. Donald Lu, për reformën në drejtësi, Byronë e Hetimit, luftën kundër korrupsionit etj.
Takimi i demokratëve me vatranët ka qenë i hapur dhe debati i lirë. Palët kanë folë drejtëpërsëdrejti, pa dorashka, pa i fshur asgjë njëri-tjetrit.Vatranët kanë bërë edhe kritika të forta për përmirësime në punën e Partisë Demokratike.
Në debat janë përfshirë shumë nga pjesmarrsit, me mesazhe, pyetje, sugjerime e alternativa. Kanë folë dy nënkryetarët Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, Lek Mirakaj dhe Mithat Gashi, Nazo Veliu, Musli Mulosmanaj, Muhamet Omari, Marjana Bulku, Ylli Dosku, Uka Gjonbalaj,Mimoza Dajçi, Bashkim Musabelliu, Ndoc Gjergji, e të tjerë.
Lekë Mirakaj, anëtar i Këshillit të Vatrës, ish i përndjekur politik i regjimit komunist, i tha z. Basha se duhet të kenë më shumë besim tek ish të përndjekurit.Bijtë dhe bijat tona, tha ai, janë shkolluar në Amerikë dhe Europë. Aktivizojini ata. Lufta për dekomunistizimin e shoqërisë, duhet bërë pa kompromis dhe jo me fushata. Rikthimi i hijes së Enver Hoxhës është bërë në sytë tuaj. Ju nuk kishit çfarë prisnit kur një Ministër i Qeverisë së Majtë, siç ishte ai i Drejtësisë, Nasip Naço, përulej para Enver Hoxhës, ju atëherë duhej ta braktisnit Parlamentin (siç vepruat me Prengën) dhe të vinit kusht se pa shkarkimin Ministrit enverist nuk ktheheshit në Parlament. Do të kishit edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve pasi mbronit një kauz të drejtë.
Nënkryetari i degës së Vatrës së Michiganit Mondi Rakaj, përcolli mesazhin e degës së Michiganit,të vatranëve të asaj dege dhe në veçanti të kryetari Alfons Grishaj. Elisa Malile, mbesa e vatranit të vjetër Vagjel Lacho, shefe e financave pranë zyrës së Senatorit amerikan Gary Peters në Michigan, i ofroi bashkëpunim kryetarit demokrat në emër të zyrës së Senatorit.
Mithat Gashi, anëtar i kryesisë së Vatrës, në fjalën përshendetëse, ndau me pjesëmarrësit një aktivitet të Zoti Bashës para 19-vjetësh në lidhje me Kosovën. Z. Gashi, theksoi, “Në mars të vitit 1997, unë shkrova një peticion për gazetën ‘The Neë York Times’ në lidhje me paskatësitë e raportimeve që gazeta bënte për Kosovën, dhe Z. Basha është një ndër nënshkruesit e këtij peticioni, pra aktiviteti i tij për çashtje kombëtare fillon qysh kur Z. Basha ishte student në Hollandë.” Ne fjalën e tij, Z. Gashi tha: Duhet të theksojmë që të gjitha të mirat dhe të këqijat që ka tejkaluar dhe po kalon populli shqiptar janë si rrjedhojë e politikanëve që kanë qeverisë vendin tonë gjatë këtij një-çerek shekulli. Kam disa shqetësime për të cilat nuk kërkoj përgjëgje, por shpresoj të reflektoni mbi qendrimin e Partisë Demokratike në lidhje me keto tema, disa prej të cilave u përsëritën gjatë kësaj bisede: 1.Vartësia e tepërt e qytetarit shqiptarë në institucionet shtetrore: Qytetaret kanë krijuar përshtypjen se po të veshën me karrigen e shtetit, pasurohesh. Kjo është si rrjedhojë e propogandave partiake që u bëhet votuesëve, sidmos gjatë procesit elekoral. E keqja është se çdo punë shtetërore, lidhet me mbështetjen politike që një qytetarë i jep apo nuk u jep një partie politike gjatë fushatës zgjedhore. Qytetarët kanë përshtypjen se po të fillojnë një punë në shtet, do të pasurohen dhe do të rregullojnë gjendjen ekonomike.Vartësia në këtë mënyrë në institucionet shtetrore nuk e zhvillon ekonominë e vendit. Kjo lidhet me shqetësimin tjeter;
2.Pasurimi i zyrtareve më të lartë të qeverisë që kalon çdo cak të normales dhe etikës njerëzore. Ministra dhe zyrtarë të lartë që kanë qenë dhe janë në qeverisje kanë akumuluar pasuri dhe po të përdorim metodat më të fundit statistikore do të diltë që propabiliteti i akumulimit të miliona dollarëve në një kohë shum të shkurtër të dhjetra zyrtarëve të shtetit shqiptarë është jashtë normalës.
3.Vonimi i ngritjës së një tribune gjyqsore për të gjykuar krimet e komunizmit: Kanë kaluar 25 vjet dhe ju dhe kryesia e Partisë Demokratike duhet të keni një pozicion të kthjelltë mbi këtë çështje.Dekomunistizimi i vendit nuk mund arrihet pa një tribunë gjyqësore që të merret me krimet e komunizmit, të paktën për hirë të historisë, dhe për hirë të së vërtetës;
4.Kthimi i pronës, i tokave, që sistemi komunist i konfiskoi me dhunë: Ligji 7501 u vu në korrik të vitit 1991 në kushte jo normale, ku 170 deputetë socialistë (komunistë), 75 deputetë të Partisë Demokratike (një pjesë ish-komunistë) dhe 5 të Omonia-s. Brenda 8 ditëve u moren vendime, për të cilat, edhe nga ana teknike nuk kemi informata të kthjellta se sa deputetë ishin pro dhe sa ishin kundra, por dihet që të gjithë deputetët kanë qenë të ndikuar nga mentaliteti komunist sa i përket konceptit të pronës private.
- Forma e regjimit: Ne vitin 1997, në kushte të vështira dhe të papërshtatshme u krye një Referendum. Shumë burime tregojnë se votat ishin me shumicë në favor të Morarkisë, por pati manipulime.Pavaresisht bindjeve te mija politike sa i përket formës së regjimit, duhet të përsëritet referendumi.Populli ka të drejtë që me vota të lira të vendosë formën e regjimit.
- Se fundi, është keqardhje që Reforma në drejtësi, për të cilën, debatohet sot, është presion nga Amerika, dhe jo vullnet politik i shqiptarëve….
Zoti Basha në fjalën e tij përshëndetse ka falenderuar Vatrën, kryesinë dhe strukturat e saj për punën e vazhdueshme kombëtare për më shumë se një shekull. Ne ndjehemi vatarnë mes jush, tha Basha dhe duke drejtuar vështrimin nga bashkshortja, ai tha se familajrisht jemi me Vatrën. Aurela është mbesë vatrani, gjyshi i saj ishte aktiv në Vatrën e Nolit dhe të Konicës.
Kryetari Basha i ka njohur vatranët me alternativën e PD për të nxjerrë vendin nga kriza dhe për t’iu kthyer shpresën shqiptarëve.
Pasi përshkroi me detaje vizitën e tij në Departamentin e Shtetit, takimin me Miqtë e Shqipërisë, kongresmenë e senatorë, takimin me Këshillin e Atlantikut, Basha tha se tre janë çështjet kryesore, për të cilat ai dhe delegacioni i tij diskutuan dhe morën mbështetjen e Shteteve të Bashkuara: 1- Dekriminalizimi, 2- Reforma në drejtësi dhe 3- Zgjedhjet e lira e të ndershme.
Ai denoncoi Qeverinë Rama: “Kjo qeveri e di që gjykimi popullor po të bëhet sot, apo të ardhmen e afërt dhe do ta nxjerrë menjëherë në opozitë. Ndaj po merr të gjitha masat që t’i rrethojë zgjedhjet e ardhshme me kriminelë dhe me paratë e korrupsionit.
Ato 1 miliard e 200 milionë dollarë që i mungojnë buxhetit të shtetit, që nuk u bënë kurrë shkolla, spitale, rroga e pensione e që i bien 400 dollarë për frymë; nga ato 400 dollarë për frymë, këta mendojnë se ditën e zgjedhjeve duke iu ndarë nga 20 apo 15 dollarë për frymë do t’i blejnë edhe katër vitet e ardhshme. Po ta shikojmë vetëm matematikisht, është një biznes i mirë, apo jo?! Merr 400 për vit e kthe 20 për katër vjet, tha Basha.
Por sigurisht është rrënim, shkatërrim i pakthyeshëm i Shqipërisë dhe shanseve të saj për të ecur përpara. Prandaj, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë domosdoshmëria numër një që Shqipëria të ecë përpara dhe këtu kam kërkuar dhe kam marrë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Basha. Më tej, kreu demokrat sqaroi:“Çfarë do të kërkojmë ne konkretisht?
Së pari, votim dhe numërim elektronik për të kufizuar mundësitë e krimit dhe njerëzve të pushtetit që vijnë me trastat e korrupsionit që të blejnë apo intimidojnë votuesit, që të blejnë apo intimidojnë numëruesit e votës.
Së dyti, kufizimin e përdorimit të parasë në fushatë. Duke parë modele edhe të financimit 100% të partive politike nga financat publike dhe kriminalizimin e financimit privat.
Dhe së treti, auditimin strikt të partive politike, jo sa marrin por sa shpenzojnë. Po të shohësh se çfarë shpenzojnë e kupton se interesat e tyre të lidhura me interesat e oligarkëve mundësojnë që në fushatat elektorale të hidhen miliona e miliona euro në çdo qytet, me një qëllim, kapjen dhe blerjen e vullnetit të qytetarëve.
Por parakusht për këtë është zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, nxjerrja e kriminelëve jashtë Parlamentit, jashtë bashkive dhe zyrave të tjera të pushtetit ku kanë ardhur e ku tashmë janë të paligjshëm në raport me legjislacionin e vendit, në raport me ligjin për dekriminalizimin.
Reforma në drejtësi, po jo ashtu siç e do kryeministri, që t’i presë këmbët, duart, gjuhën drejtësisë në mënyrë që të mos veprojë aty ku duhet të veprojë sa më parë, ku është lufta,kundër korrupsionit. Por një drejtësi të pavarur, profesionale, të trajnuar nga SHBA-të. Një Byro Kombëtare të Hetimit që detyrë të parë të kenë vënien para drejtësisë të zyrtarëve të nivelit të lartë që vjedhin shumat e parave në nivele të tilla marramendëse. E duke bërë këtë deprivojnë fëmijët dhe familjet shqiptare nga buka e gojës, nga vendet e punës dhe nga zhvillimi. Këto janë tre çështjet për të cilat në Uashington kam marrë jo vetëm mirëkuptim por edhe mbështetje të madhe”, u tha Basha vatranëve. Basha foli edhe për shfrytëzimin e resurseve të diasporës në përgjitëhsi dhe Vatrës ën Vecanti. Ai tha se Partia Demokratike do të tentojë të çojë në Parlament 35 për qind të rinj.
Drejtuesit dhe anëtarët e VATRA-s dhanë mbështetje dhe inkurajuan vazhdimin e aksionit politik të opozitës duke ofruar dhe ndihmën e tyre.
* Botuar në Diellin e printuar, mars 2016, me titull: LULZIM BASHA: NUK MUND TA MENDOJ NJË VIZITË NË AMERIKË PA U TAKUAR ME VATRANËT