Policia e Malit të Zi tha sot se një veteran i ushtrisë jugosllave që punonte në mbrojtjen kundër-ajrore gjatë bombardimeve të NATO-s të vitit 1999, hodhi një granatë dore në kompleksin e ambasadës amerikane në Podgoricë rreth mesnatës dhe pastaj hodhi veten në erë.Ambasada në faqen e saj në Facebook tha se asnjë nga personeli i saj nuk u dëmtua nga incidenti dhe po ashtu nuk pati njoftime për dëme materiale.
Malazezi i moshës 41 vjeçare dhe i lindur në Serbi, u identifikua nga policia me inicialet D.J., por mediat thanë se emri i tij i plotë ishte Dalibor Jaukoviç.
Pak para mesnatës, ai hodhi një granatë dore mbi gardhin e kompleksit të ambasadës dhe më pas hodhi veten në erë, u tha gazetarëve shefi i policisë, Enis Bakoviç.
Bakoviç tha se po zhvillohen hetime për të përcaktuar nëse ai kishte vepruar i vetëm apo me të tjerët. “Ne po kërkojmë në mediat sociale së bashku me FBI-në”, tha ai.
“Nuk ka shenja se ishte akt terrorizmi”, tha prokurorja Lepa Medenica.
Policë me armë automatike dhe automjete patrullonin rrugët pranë ndërtesës së ambasadës të enjten në mëngjes pas incidentit.
Megjithëse ambasada tha se stafi i saj ishte i padëmtuar, ambasada u mbyll për lëshimin e vizave deri në një njoftim tjetër.
“Ambasada e SHBA-së në Podgoricë këshillon shtetsasit amerikanë se në ambasadë ka një situatë aktive të sigurisë,” thuhej në faqen e saj të internetit.
Mali i Zi, një nga vend i vogël me dalje në det, u bë anëtari i 29-të i NATO-s në muajin maj të vitit 2017.(VOA)
***
Kosova dënon sulmin ndaj Ambasadës së SHBA në Mal të Zi
-Ministri i Jashtëm Pacolli: Dënoj fuqishëm sulmin ndaj Ambasadës amerikane në Mal të Zi/
PRISHTINË, 22 Shkurt 2018-Gazeta DIELLI/ Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka dënuar sulmin, që ndodhi mbrëmë vonë ndaj Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi.
“Jam duke i përcjellur me vëmendje zhvillimet e mbrëmshme, që ndodhën në Podgoricë, ku sipas raportimeve të deritashme kishte një sulm me një mjet eksploziv ndaj Ambasadës Amerikane në Malin e Zi. Megjithëse motivet ende mbeten të paqarta dhe organet përgjegjëse të sigurisë atje janë duke kryer punën e tyre për zbardhjen e rrethanave, dënoj me fjalët më të ashpra këtë sulm të ulët ndaj Institucioneve të aleatit dhe partnerit tonë strategjik, SHBA-së. Kosova mbetet e palëkundur pranë SHBA-ve dhe ofron ndihmën dhe bashkëpunimin në zhvillimin e hetimeve me institucionet përgjegjëse të Malit të Zi nëse kjo vlerësohet e nevojshme”, është shprehur Ministri i Jashtëm Pacolli./b.j/