• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA PARA ÇEREK SHEKULLI, ZGJEDHJE PËR LIRI E PAVARËSI

May 24, 2017 by dgreca

-Presidenti i parë i Republikës së Kosovës u zgjodh Dr.Ibrahim Rugova/1 rugova vota

-Regjistrin zgjedhor të Kosovës e përbënin 853.432 votues, prej të cilëve 762.257 kanë dalë në vendvotime, pra 89.32 përqind të votuesve të regjistruar. Nuk kanë dalë në votime 80.791 votues, ndërsa 10.384 fletëvotime ishin të pavlefshme.1 Behlul-Në zgjedhjet e drejtpërdrejta kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës fituan 574.755 vota, që do të thotë 76.44 përqind; kandidatët e Partisë Parlamentare të Kosovës morën 36.594 vota, ose 4.86 përqind; kandidatët e Partisë Fshatare të Kosovës 23.682 vota, ose 3.15 përqind; kandidatët e Partisë Shqiptare Demokristiane 23.303 vota ose 3.10 përqind; kandidatët e pavarur (jopartiakë) fituan 24.702 vota ose 3.29 përqind/2 Behlul

-Raportimet me telex nga Prishtina të para 25 viteve për zgjedhjet e para pluraliste të 24 majit 1992, të korrespondentit tash edhe të Gazetës DIELLI nga 12 qershori 2015, shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë në Kosovë/

1 behlul RugovaSPECIALE-GAZETA DIELLI NGA KORRESPONDENTI NË KOSOVË BEHLUL JASHARI3 behlul

PRISHTINË, 24 Maj 2017/ Kosova para  çerek shekulli – 25 viteve, në 24 maj 1992, mbajti zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, të lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda okupimi e shtetrrethimi nga regjimi i dhunës serbe.2 Behlul

Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 shtator 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.

Në mbledhjen 2 majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike  angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

Partia e parë e pluralizmit në Kosovë, Lidhja Demokratike, e cila ishte angazhuar edhe për formimin e partive të tjera, në 8 maj 1992 deklaronte se, “duke qenë se zgjedhjet e 24 majit, të shpallura nga Kuvendi i Republikës së Kosovës i konsideron jo si luftë të partive politike të Kosovës për pushtet, por si përpjekje e organizuar e masive për të mos pranuar strukturat e pushtetit dhe statusit që po përpiqet të na imponojë Serbia, LDK-ja do të përpiqet që fushata parazgjedhore, organizimi dhe realizimi i zgjedhjeve të zhvillohen në frymë të bashkëpunimit të plotë, në mënyra e forma të ndryshme, në mes të të gjitha partive politike e të subjekteve të tjera politike”.

“Këshilli Qendror i Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosi që LDK-ja, si parti politike vetë ose në bashkëpunim me partitë e tjera, të paraqesë kandidatët për deputetë në të 100 njësitë zgjedhore, kurse kryetarin e LDK-së dhe të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, Dr.Ibrahim Rugova, ta kandidojë për kryetar të Republikës së Kosovës”, theksohej në Konkluzionet e Këshillit Qendror të LDK-së për zgjedhjet shumëpartiake në 1992.

Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet në Kosovë theksonte se ato janë mbajtur sipas sistemit të kombinuar zgjedhor, dhe në vazhdim konstatonte:

“Nga së paku 130 vende për Parlament, 100 janë zgjedhur përmes votimit të drejtpërdrejtë, pra, në bazë të sistemit të shumicës, ndërsa 30 vende janë zgjedhur përmes sistemit proporcional.
Zgjedhjet u mbajtën më 24 maj të vitit 1992. Vendvotimet ishin të hapura prej orës 7 deri në 19. Kandidatët për deputetë në Parlamentin e Kosovës i paraqitën 22 subjekte politike, të cilat kandiduan 490 kandidatë.
Lidhja Demokratike e Kosovës paraqiti kandidaturën e Dr.Ibrahim Rugovës për Kryetar. Kandidimi i tij është përkrahur edhe nga partitë e tjera politike shqiptare si dhe nga Partia për Aksion Demokratik dhe nga Partia Popullore Turke.
Regjistrin zgjedhor të Kosovës e përbënin 853.432 votues, prej të cilëve 762.257 kanë dalë në vendvotime, pra 89.32 përqind të votuesve të regjistruar. Nuk kanë dalë në votime 80.791 votues, ndërsa 10.384 fletëvotime ishin të pavlefshme.
Në zgjedhjet e drejtpërdrejta kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës fituan 574.755 vota, që do të thotë 76.44 përqind; kandidatët e Partisë Parlamentare të Kosovës morën 36.594 vota, ose 4.86 përqind; kandidatët e Partisë Fshatare të Kosovës 23.682 vota, ose 3.15 përqind; kandidatët e Partisë Shqiptare Demokristiane 23.303 vota ose 3.10 përqind; kandidatët e pavarur (jopartiakë) fituan 24.702 vota ose 3.29 përqind.
Subjektet e tjera zgjedhore që morën pjesë në këto votime fituan më pak se 1.87 përqind të votave, andaj ata nuk fituan të drejtën për të marrë pjesë në shpërndarjen proporcionale të vendeve në Parlament.
Shqiptarët, muslimanët, turqit, romët, kroatët dhe një numër i vogël serbësh dhe malazezësh poashtu morën pjesë në zgjedhjet e 24 majit.

Pasqyra e vendeve në Parlament është si vijon: Lidhja Demokratike e Kosovës  96 deputetë, Partia Parlamentare e Kosovës 13 deputetë, Partia Fshatare e Kosovës  7 deputetë, Partia Shqiptare Demokristiane  7 deputetë, Kandidatët e Pavarur  2 deputetë.

Pjesëtarët e etnitetit musliman, në bazë të përqindjes së popullsisë dhe shpërndarjes proporcionale kanë katër deputetë, ndërsa një kandidat i këtij etniteti fitoi me votimet e drejtpërsëdrejta.
Në përbërjen e re të Parlamentit të Kosovës janë dy deputetë të etnitetit turk, të cilët u zgjodhën si kandidatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në Parlamentin e Kosovës kanë mbetur 14 vende të zbrazëta, të cilat sipas përqindjes së popullsisë së Kosovës dhe shpërndarjes proporcionale të vendeve në Parlament u takojnë pjesëtarëve të etnitetit serb dhe malazez.
Zgjedhjet për Kryetarin e Kosovës janë mbajtur në Kosovë dhe jashtë saj, në vendet ku shqiptarët nga Kosova janë të punësuar. Në Kosovë për Dr.Ibrahim Rugovën për Kryetar të Kosovës votuan 762.257 votues, (fletëvotime të pavlefshme dhe “kundër” ishin 3.812), ndërsa jashtë Kosovës votuan 105.300 votues. Gjithsej 867.557 votuan për Kryetarin e Republikës së Kosovës.
Në disa vendvotime policia serbe ndërhyri për të ndërprerë procesin zgjedhor. Në dy sosh policia konsifkoi një pjesë të materialit zgjedhor.
I tërë materiali zgjedhor i zgjedhjeve të 24 majit i është dorëzuar Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Zgjedhjet në Kosovë u mbikëqyrën nga 8 grupe vëzhguesish nga SHBA dhe nga shtetet evropiane. Këto zgjedhje i përcollën 82 ekipe gazetarësh apo të agjencive të lajmeve nga mbarë bota.
Subjektet politike që morën pjesë në zgjedhje, Komisioni Republikan për Zgjedhje (kryetar Tadej Rodiqi), grupet e huaja vëzhguese, si dhe shumë raporte dhe artikuj të gazetarëve të huaj dhe të Kosovës, të cilët përcollën në tërësi procesin e zgjedhjeve, kanë raportuar për korrektësinë e votimeve.
Kosova ishte vendi i fundit në Evropë ku janë mbajtur zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat populli i Kosovës dëshmoi përcaktimin e tij për liri dhe demokraci”, përfundonte Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet Shumëpartiake Presidenciale dhe Parlamentare në Republikën e Kosovës, i prezantuar në Prishtinë në 15 qershor 1992.

Vëzhguesit e huaj në një konferencë shtypi të mbajtur në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve në Prishtinë, deklaruan përshtypjet e tyre rreth zgjedhjeve të 24 majit në Kosovë.
Dr.Majkëll van Vajt Prag, sekretar i përgjithshëm i UNPO-s (Organizata e Kombeve të Papërfaqësuara në OKB) vlerësoi se zgjedhjet ishin organizuar në mënyrë korrekte dhe me rregullsi. Gjatë këtyre vëzhgimeve, që bëri ai, nuk ka hasur në ndonjë parregullsi. Veçanërisht e ka impresionuar organizimi i vendvotimeve rezervë.
Delegacioni i Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, i përbërë nga Konrad Hubers, Pol Berens, Çarls Braun, Debora Xehkobs, Rom Pameir, Maks Primorac, Karl Roads dhe Kevin Tin, thanë se ishte madhështore pjesëmarrja e votuesve dhe dëshira e tyre për të shfaqur vullnetin politik përmes votimit. “Zgjedhjet janë mbajtur me efikasitet të madh, na ka impresionuar fakti se gjithkund ishin organizuar edhe vendvotimet rezervë, që viheshin në veprim kur policia ndërprente votimin në vendvotimet e para. Policia i ka penguar mjaft votimet edhe duke arrestuar njerëz”, thanë ata. Poashtu theksuan se, grupi që vëzhgoi zgjedhjet në Prizren, gjatë kohës që u mor në polici, kishte parë në stacion të arrestuar dhe material votues e flamuj të konfiskuar. Konrad Hubers, që i printe këtij delegacioni, vlerësoi se këto zgjedhje janë një moment historik për Kosovën.
Debora Xehkobs tha se katër anëtarët e delegacionit amerikan që vizituan Pejën, kanë fituar një përvojë të shkëlqyer nga vëzhgimi i këtyre zgjedhjeve.

“U mrekulluam nga mjeshtria e shqiptarëve për organizimin e zgjedhjeve, duke mashtruar edhe policinë”, tha ajo dhe falenderoi për këtë përvojë.

Një anëtar tjetër i këtij delegacioni theksoi se ajo që na interesoi dhe mahniti ishte vetorganizimi i njerëzve. “Çdo gjë u bë në mënyrë vullnetare, duke u nisur nga shërbimet dhe punët që janë bërë këtu, e deri te njerëzit që kanë organizuar zgjedhjet në çdo pjesë të Kosovës”, u shpreh ai.

Vlerësimet e vëzhduesve dhe gazetarëve nga bota ishin se zgjedhjet ishin të mira, të rregullta dhe fer. “Vëzhguesit dhe gazetarët e huaj i çmojnë shumë edhe mënyrat alternative të organizimit të zgjedhjeve, ngase bota di se çka do të thotë okupim, prandaj edhe këtu ata e shohin aftësinë e këtij populli që dëshiron të fitojë dhe të jetë i lirë. Ky popull nuk kërkon asgjë tjetër pos shansit për t’u realizuar si popull, e të cilën nuk e ka pasur kurrë”, theksonin raportimet e kohës së zgjedhjeve të para pluraliste të Kosovës.

Po para çerek shekulli – 25 viteve, në 24 majin 1992, raportimet e korrespondentit tash edhe të Gazetës DIELLI nga 12 qershori 2015, që bëheshin me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë-ATSH në Kosovë.  Raportimet bëheshin nga zyra e telexit që u bë edhe zyrë e ATSH-së në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes të përditshme shqipe kosovare në atë kohë, me orientim e përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes gjithëkombëtare për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës ishte korrespondenti prej atëherë-nga fillimi në Kosovë i Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë, e që kishte nisë të dalë nga 18 janari 1991. Që atëherë nisën edhe bashkëpunimet me ATSH-në, nga e cila merreshin informacione e botoheshin në gazetën “Buku” dhe kështu u themeluan bashkëpunimet e para të mediave Shqipëri-Kosovë.

Zyra e telexit-e ATSH në Pallatin Rilinda u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Presidenti historik, i zgjedhjeve të para çerek shekulli,  Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive, të parën dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare para 23 viteve, të cilën e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, si edhe vazhdimisht, falenderonte dhe vlerësonet ATSH-në për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, KOSOVA PARA ÇEREK SHEKULLI, per liri e Pavaresi, zgjedhje

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT