-Mustafa: Në kuadër të programit me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë marrë obligime që të barazohet standardi me rrugët evropiane/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 21 Dhjetor 2015/Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi sot angazhimet e qeverisë që ndërtimi i infrastrukturës të bëhet si pjesë e krijimit të kushteve për zhvillim më të shpejtë ekonomik dhe barazimit të standardeve të rrugëve dhe hekurudhave kosovare me ato që i kërkon Bashkimi Evropian.
“Ne po vazhdojmë procesin e integrimit dhe të hapjes së të gjitha rrugëve për integrim në në Bashkimin Evropian. Në kuadër të programit me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë marrë obligime që të barazohet standardi i rrugëve me rrugët evropiane”, u shpreh ai.
Në këtë drejtim, bëri të ditur kryeministri Mustafa, po punohet edhe në dy autostradave, në vazhdimin më tej të rrugës së kombit të ndërtuar nga Durrësi në Prishtinë, në pjesën e mbetur deri në Merdare, dhe të rrugës për në Shkup.
“Kemi përgatitur të gjitha dokumentacionet dhe po ashtu kemi siguruar fondin për rikonstruimin e hekurudhës, me përkrahjen e Bankës Investive Evropiane, Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Komisionit Evropian. Është një shumë prej 160 milionë euro, që është destinuar për të”, tha kreu i qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Mustafa foli në një përurim sot në mesditë në rrugën nacionale Prishtinë – Mitrovicë, të segmentit Milloshevë – Stanofc.
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tha se përurimi i rrugës në këtë segment është vetëm njëra nga projektet e mëdha infrastrukturore që janë kryer gjatë këtij viti.
“Nga Buxheti i përgjithshëm, prej 175 milionë euro, 131 milionë i kemi pasur investime kapitale, ku një pjesë e madhe e tyre kanë shkuar për projektet e vitit të kaluar, natyrisht tani kemi filluar edhe me projektet e reja”, tha ai.
Gjatë vitit të ardhshëm, paralajmëroi ministri kosovar i Infrastrukturës, do të jenë afër 100 projekte të reja infrastrukturore në mbështetje të komunave, vlera e përgjithshme e të cilave është afër 80 milionë euro.
Kongresmeni republikan Rohabacher: Kosova ka fituar zero nga marrëveshja me Serbinë
SHBA – (/rel/) Me marrëveshjen me Serbinë, Kosova ka hequr dorë nga pjesa veriore e saj, thotë kongresmeni republikan, Dana Rohrabacher. Sipas tij, marrëveshja nuk sjell paqe afatgjate në rajon. Në favor të kësaj do të ishte rregullimi i kufijve, thotë Rohrabacher për Radion Europa e Lirë.
Zoti Rohrabacher, si e vlerësoni marrëveshjen e fundit midis kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq?
Para së gjithash, dua të vlerësoj lart të gjithë ata që kanë marrë pjesë, administratën tonë, miqtë evropianë, ashtu si edhe Serbinë dhe Kosovën, për arritjen e një rezultati, të cilin e cilësojnë si më të mirin. Ky është hapi i parë. Po ashtu duhet të duartrokasim kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë që janë ulur pranë njëri-tjetrit, kanë folur me njëri-tjetrin për rrugët kah të shkojnë. Kjo është pozitive. Megjithatë, kjo marrëveshje, përveç që tregon se njerëzit mund të flasin së bashku, nuk përmban ndonjë substancë që mund ta bëjë premtuese paqen. Në fakt, sipas të gjitha gjasave, do të minimizojë shanset për paqe dhe qetësi përgjatë kufirit.
Mund të na shpjegoni përse mendoni kështu?
Të pranojmë se Kosova nuk ka marrë absolutisht asgjë për atë që ka dhënë. Ajo çfarë ka dhënë është e drejta për të qeverisur pjesën veriore të vendit dhe dy komunitetet brenda tij. Kosova nuk kanë fituar sovranitet, përkundrazi. Kjo marrëveshje minon kërkesën e Kosovës për sovranitet, sepse nuk i jep autoritetin për të ushtruar sovranitetin.Nëse arrini marrëveshje, e cila nuk ju mundëson që në praktikë të realizoni sovranitetin, atëherë nuk keni sovranitet. Andaj, Kosova, në esencë, ka dhënë veriun.Megjithatë, nuk them se nuk është dashur ta bëjë një gjë të tillë. Mendoj se banorët e veriut të Kosovës, të cilët këtu janë në pyetje, duhet ta kishin të drejtën për vetëvendosje. Do të duhej të kishte votime dhe njerëzit në veri, me siguri 90 për qind e tyre, do të votonin për të qenë pjesë e Serbisë. Dhe, Kosova ka pasur shansin e vërtetë që të marrë diçka në këmbim të kësaj. Ka grupe të kosovarëve në Serbi që duan të jenë pjesë e Kosovës.
Mendoni në Luginën e Preshevës?
Po, ndoshta edhe në pjesë të tjera, por kryesisht në Luginën e Preshevës. Do të mund të bënin një shkëmbim të barabartë të territoreve dhe të popullsisë nëse do të pajtoheshin për rregullimin e kufijve. Por, në vend të kësaj, kanë marrë asgjë, zero.Tani, madje, nuk mund të dërgojnë as policinë në pjesën veriore të vendit, nuk mund të dërgojnë ushtrinë e tyre, nuk do të kenë gjyqtarë që do të zgjidhen nga qeveria e tyre; ata do të zgjidhen nga serbët në veri. Kjo është humbje e madhe e sovranitetit për Kosovën.
Por, në debatin e fundit të një nënkomisioni të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, të cilin e keni udhëhequr ju, janë dëgjuar qëndrime të kundërta me këtë që thoni, për shembull nga kongresisti Eliot Engel, analisti Daniel Serëer, të cilët kanë thënë se shkëmbimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë do të paraqiste rrezik për Bosnjën, Maqedoninë dhe madje për vetë Serbinë…
Kjo është e pakuptimtë. Gjithmonë ka një justifikim për të mos bërë diçka. Ka shumë shembuj, ku njerëzit kanë ndryshuar kufijtë e tyre. Çekët dhe sllovakët e kanë bërë një gjë të tillë. Keni Bangladeshin që ka shpallur pavarësinë. Dhe, keni Kosovën. Andaj, këto kundër-argumente që kujtoni, do të ishin argumente kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Atëherë, të gjithë në botë do të donin të shpallnin pavarësinë, baskët dhe kushdo tjetër. Por, jo. Kjo është një çështje midis serbëve dhe kosovarëve. Rregullimi i kufijve midis këtyre dy vendeve është punë e tyre – nuk është e askujt tjetër në botë, është e tyre. Por, lojtarët e tjerë përdorin taktika të frikshme për t’i bërë kosovarët që të pranojnë marrëveshje kundër tyre.
Ku do të ishte fundi i këtyre ndryshimeve? Çfarë do të thoshte Sanxhaku, një pjesë e Serbisë, e dominuar me boshnjakë? Mund të thotë edhe ai se do që të jetë pjesë e Bosnjës…
Ky është një problem krejt tjetër. Para se cilado pakicë kombëtare të mendojë në një gjë të tillë, në ndarje nga një shtet, duhet të përmbushë disa kushte. Duhet të jetë shumicë dhe të ndodhet në periferi të shtetit dhe jo në brendi të tij, sepse në të kundërtën, nuk do të kishte kuptim. Por, nëse njerëzit jetojnë në periferi të një shteti dhe duan të shpallin pavarësinë, nuk mund të bëni asgjë – sepse, nëse i ndaloni, do të keni konflikte afatgjata me ta.
T’i kthehemi marrëveshjes… Keni dëgjuar se serbët e veriut të Kosovës kanë paralajmëruar protesta, bllokada, bojkotim të zgjedhjeve të ardhshme lokale…
Të gjitha grupet do të jenë të zemëruara me këtë marrëveshje, sepse ajo nuk bën përpjekje të realizojë qëllimin fundamental moral, por përfaqëson vetëm një mënyrë politike të shmangies së konfliktit të menjëhershëm. Pra, bëhet fjalë vetëm për lojëra politike, që nuk do të sjellin paqe dhe stabilitet të përhershëm. Një gjë të tillë, madje edhe tani, e tregojnë disa grupe etnike dhe për këtë duhet menduar seriozisht. Andaj, nëse ekzistojnë dy komunitete pakicë, njëri në Kosovë, tjetri në Serbi, prej të cilëve njëri nuk do të jetë pjesë e Kosovës, ndërsa tjetri nuk do të jetë pjesë e Serbisë, përse të mos korrigjohen kufijtë, në mënyrë që këto dy komunitete të jenë të kënaqura. Askush tjetër në rajon nuk do të shqetësohej.
Autoritetet serbe, sidomos kryeministri Ivica Daçiq dhe zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq, u kanë bërë thirrje serbëve të Kosovës që të pranojnë marrëveshjen, duke thënë se Serbisë nuk i duhen më luftëra, as viktima…
Këto janë mesazhet e tyre, që bëjnë përpjekje të tregojnë një atmosferë të mirë, sepse ata kanë fituar çdo gjë që kanë dashur. Serbët tani kanë një rajon autonom në veri, ku kosovarët nuk mund të çojnë ushtrinë as policinë, ku gjyqtarët e tyre nuk mund të marrin vendime; çdo gjë u është lënë serbëve lokalë dhe kosovarët nuk mund të ushtrojnë sovranitetin me forcat e tyre. Natyrisht që udhëheqësit serbë do të flasin në këtë mënyrë, por, një ditë, kur gjërat të shkojnë pak më tutje, do të keni forca politike në Serbi që do të manipulojnë me veriun e Kosovës dhe me komunitetin e atjeshëm serb. Kështu që ai problem do të shfaqet sërish. Por, ky zhvillim i ngjarjeve ka mundur të ndalohet. Njeriu vërtet pyetet se çfarë kuptimi ka që të ndalohen dy grupe njerëzish që të jetojnë atje ku duan të jetojnë. Çfarë kuptimi ka të detyrohen të jetojnë atje ku nuk duan, të jetojnë në vendin tuaj, nëse e dini se për një gjë të tillë, gjithmonë do të prodhojnë probleme.
Kosovë-1 miliard e 680 milionë, Buxheti i Shtetit 2016
Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Drejt fundvitit te festave Sheshi Skenderbeu ne Prishtine, Qeveria dhe Kuvendi i Kosoves/
-Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, është një nga 28 pikat e axhendës së seancës plenare të Kuvendit të ftuar për nesër/
-Kuvendi i Kosovës javën e ardhëshme do do mblidhet edhe në një seancë tjetër në 17 dhjetor, ku presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, do të mbajë fjalimin vjetor para deputetëve/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 13 Dhjetor 2015/ Kuvendi i Republikës së Kosovës është ftuar mblidhet nesër për miratimin e Buxhetit të Shtetit 2016, në vlerë prej 1 miliard e 680 milionë euro, të miratuar nga qeveria në 30 tetor. “Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016”, është një nga 28 pikat e axhendës.
Qeverisë së Kosovës vlerëson se “Projektligji për Buxhetin 2016, reflekton përkushtimin për adresimin e objektivave zhvillimore dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies për qytetarët duke qenë plotësisht në harmoni edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar”.
Në 17 nëntor, Kuvendi në seancën e zhvilluar në një “sallë alternative” pa opozitën, e cila e pamundësoi me hedhje gazi lotsjellës në sallën plenare, miratoi në parim projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 me 71 vota pro, 7 abstenime e 1 kundër.
Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa, javën e kaluar, në 8 dhjetor, miratoi Raportin me amendamente të Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 dhe e procedoi tutje në seancë të Kuvendit.
Kuvendi i Kosovës prej gati tre muajsh, nga fillimi i sesionit vjeshtor me seancën e 17 shtatorit, bllokohet nga opozita, në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, edhe me gjuajtje gazi lotsjellës në seanca e jashtë tyre, pas të cilave zhvillime ka pasur 7 deputetë opozitarë të arrestuar e 1 pas orësh qëndrimi i ftuar në Polici dhe Prokurori, është liruar me procedurë të rregulltë.
Seanca e nesërme është ftuar nga Kryesia e Kuvendit përkundër kundërshtimit të opozitës së bashkuar, e cila ka paralajmëruar se do vazhdojë me pamundësimin e zhvillimit të seancave plenare.
Kuvendi i Kosovës javën e ardhëshme do do mblidhet edhe në një seancë tjetër në 17 dhjetor, ku presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, do të mbajë fjalimin vjetor para deputetëve. Sipas deklaratave, opozita nuk do ta pengojë këtë seancë, megjithatë mund të japë mesazhet e saj me ndonjë “aksion politik” të parë edhe më herët në seanca të veçanta-solemne, ku deputetë opozitarë aty ku ishin ulur kanë shpalosur parulla me slogane.
Javën e kaluar u bë një vit nga konstituimi i Kuvendit të Kosovës, në 8 dhjetor 2014, i cili një ditë më pas zgjodhi qeverinë e re, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
Pas zgjedhjes, qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, për vitin 2015 kishte paraparë të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje.
Kosova nis përgatitet për festën e Vitit të Ri 2016
Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, përgatitet për festat e fundvitit – mbërrin bredhi në Sheshin Skënderbeu për t’u ngritur/
-Ngjarja e vitit 2015 e Kosovës: Marrëveshja për Stabilizim Asociim me Bashkimit Evropian/
-Në vitin 2016 Kosova dhe Shqipëria inaugurojnë “autostradën” energjetike – linjën interkonektive 400 kV/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Dhjetor 2015/ Kosova përgatitet për festën e Vitit të Ri 2016, të 17-tin në vitet e lirisë e të 8-tin në vitet e pavarësisë tradicionalisht në sheshe qytetesh edhe me koncerte e fishekzjarre.
Për Kosovën Viti i Ri pritet të sjellë liberalizimin e vizave, ndërsa ngjarja më e rëndësishme e vitit 2015, madje edhe që nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008, vlerësohet Marrëveshja për Stabilizim Asociim e nënshkruar në 27 tetor në Strasburg me Bashkimit Evropian, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale.
Një nga ngjarjet e rëndësishme për Kosovën e Shqipërinë në vitin 2016 është paralajmëruar të jetë inaugurimi i “autostradës” energjetike – linjës interkonektive 400 kV, ndërtimi i së cilës në pjesën kosovare përfundon para festës së Vitit të Ri.
Në Prishtinë ka nisur puna e dekorimeve për festat e fundvitit, bredhat me stoli ngrihen në tre sheshet e qendrës, Skënderbeu , Nëna Terezë dhe Zahir Pajaziti, si dhe në “porta hyrëse” të kryeqytetit të Kosovës. Pjesë e organizimeve është edhe “Tregu i Fundvitit” në shesh.
Në vitin e madh të lirisë së Kosovës 1999, në mbrëmjen e 31 dhjetorit mëse 100 mijë njerëz për herë të parë të lirë ishin në sheshet kryesore të Prishtinës në pritjen e Vitit të Ri 2000. Festime të mëdha në sheshe kishte edhe në qytetet e tjera ksovare.
“Në robëri pritet veç festa e lirisë”, ishin raportimet që kam bërë nga Kosova në fundvitet e para 1999-ës – vitit historik të lirisë, në vitet e shtetrrethimeve ushtarako-policore, luftës, masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve.
Kosova me trashëgimi të pasur
-Kalaja e Prizrenit, plan menaxhimi në 2016/
-Gërmime në Kishën Katolike të Prizrenit/
Nga Behlul Jashari/
PRIZREN- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, bashkë me zëvendësministrin Rexhep Hoti, ka qëndruar të Martën me 8 Dhjetornë Prizren, me ç’rast ka vizituar Kalanë e Prizrenit.Sipas dinamikës së punëve dhe projeksioneve nga Institutit Arkeologjik, Kalaja e Prizrenit, në fund te vitit 2016 do të ketë planin e menaxhimit, stazat e ecjes, ndriçime dhe shume elemente të tjera që janë në shërbim të ngritjes së turizmit kulturor dhe shtojnë kërkesat për të vizituar këtë monument të veçante të trashëgimisë kulturore të Kosovës.Ministri Shala u njoftua me procesin e gërmimeve arkeologjike dhe konservimeve që po bëhen në këtë lokalitet historik, i cili ruan thesare arkeologjike e historike mijëvjeçare.Ministri Shala u shpreh i kënaqur me ecurinë e punëve në gërmime dhe konservimeve në Kalanë e Prizrenit.Po ashtu, ministri Shala falënderoi Ambasadën Amerikanë për ndihmën dhe mbështetjen e fuqishme që i ka dhënë këtij lokaliteti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të Kosovës, që është shenjë e rëndësishme e identitetit kulturor të Kosovës.Po ashtu, Shala u shpreh se MKRS-ja edhe në vitin e ardhshëm do të vazhdojë të ndihmojë gërmimet arkeologjike, restaurimet dhe konservimet në Kalanë e Prizrenit.
MKRS-ja këtë vit ka ndihmuar gërmimet arkeologjike dhe konservimin në këtë kala me 200 mijë euro, ndërsa mbështetja për këtë lokalitet do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.
Gjatë vizitës në Prizren, ministri Kujtim Shala po ashtu vizitoi edhe Katedralen Katolike të Prizrenit “Zoja Ndihmtare”, ku u njoh për së afrimi me gërmimet arkeologjike, gjendjen e këtij objekti dhe restaurimet që po bëhen në të.
Ministri Shala u pritë nga Don Shan Zefi, kancelar i Ipeshkvisë së Kosovës, me të cilin bisedoi për rëndësinë që ka ky objekt për trashëgiminë kulturore të Kosovës.
Ministri Shala u shpreh se ky objekt është tejet i rëndësishëm për trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të Kosovës, dhe si i tillë do të ketë mbështetjen e MKRS-së.
VIZITË EDHE KALANË HARILAQIT
FUSHË KOSOVË, 8 Dhjetor 2015/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, bashkë me zëvendësministrit Rexhep Hoti dhe i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, vizitoi Kalanë e Harilaqit, ku u njoftua për së afrimi më gërmimet arkeologjike që po bëhen në këtë lokalitet me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore të Kosovës.
Me këtë rast, ministri Shala i përgëzoi arkeologët për punën që kanë bërë gjatë këtij viti në këtë lokalitet, dhe njëkohësisht u shpreh se MKRS-ja është e përkushtuar që të ndihmojë dhe të mbështesë trashëgiminë kulturore të Kosovës, si në gjurmime, po ashtu në konservim, restaurim, promovimin dhe njohjen sa më të gjerë të saj.
Ministri Shala, po ashtu u shpreh se këto gjurmime dhe gjetjet e shumta që po bëhen anë e kënd Kosovës, janë dëshmi e fuqishme se Kosova ka një trashëgimi të pasur që lidhet me kohëra të ndryshme, që nga periudha e hershme dardane, dhe si të tilla, përbëjnë vlerë të posaçme për kulturën e Kosovës.
Ministri Shala u shpreh se Kosova këto pasuri të jashtëzakonshme kulturore, të periudhave të hershme dhe atyre të mëvonshme, janë në interes të shtetit të Kosovës, prandaj nga ne kërkohet t’i ruajmë dhe promovojmë.
Po ashtu, ministri Shala vlerësoi se materialet e pasura arkeologjike që janë zbuluar në këtë lokalitet, si: thika stralli, qeramikë, vegla pune, stoli, monedha, etj., por edhe objektet sakrale dhe profane, janë dëshmi se kemi të bëjmë me një vendbanimi të hershëm e me rëndësi për kohën.
Kalaja e Harilaqit ka domethënie për identitetin kulturo e shpirtërore të Kosovës, u shpreh Shala dhe shtoi se ai dhe MKRS-ja, në synime te tij politike ka prioritet mbrojtjen dhe afirmimin e trashëgimisë së pasur kulturore, njëherësh duke çmuar, ruajtur dhe vlerësuar diversitetin e saj, si vlerë shtesë të Kosovës.
MKRS-ja gjatë këtij viti ka ndihmuar me 40 mijë euro për Kalanë e Harilaqit, dhe po aq janë të parapara për vitin e ardhshëm.
- « Previous Page
- 1
- …
- 77
- 78
- 79
- 80
- 81
- …
- 106
- Next Page »