-Presidenti Thaçi, takim konsultativ me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme/-Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, dita kur duhet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të jetë ditë e diel, jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit/
-11 ose 18 qershori 2017 janë data të mundshme për zgjedhjet në Kosovë/
PRISHTINË, 11 Maj 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thirrur sot një takim konsultativ me përfaqësuesit e partive politike në Kosovë, pas votimit të mosbesimit të Qeverisë në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës.Në këtë takim, Presidenti ka theksuar se sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, dita kur duhet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të jetë ditë e diel, jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit.“Në përcaktimin e datës së zgjedhjeve duhet të marrim parasysh të gjithë faktorët që mund të ndikojnë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është shprehur i gatshëm të organizojë zgjedhjet dhe të sigurojë mbarëvajtjen e tyre”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi ka thënë se si Kosovë kemi instaluar traditën e organizimit të zgjedhjeve të lira e të suksesshme. Sipas tij, edhe zgjedhjet e ardhshme duhet të dëshmojmë këtë dhe të sigurojmë një proces elektoral të besueshëm dhe të pranueshëm nga të gjithë.
Pas diskutimeve me përfaqësuesit e partive politike dhe duke u bazuar në kompetencat kushtetuese, Presidenti shumë shpejt do të dekreton datën e zgjedhjeve, thekson Presidenca e Kosovës në njoftimin e dërguar.Sipas deklaratave brenda takimit të përfaqësuesve të partive, 11 ose 18 qershori 2017 janë datat e mundshme për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare në Kosovë.
Asnjë përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ka shkuar në takimin konsultativ të thirrur nga presidenti Thaçi për datën e zgjedhjeve. /b.j/