Të gjitha partitë politike në Kosovë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të hyrë në një proces zgjedhor të ri, të parakohshëm, përfshirë edhe subjektet në koalicionin qeverisës, megjithëse këto të fundit kanë kërkuar që vendi “t’i përfundojë proceset e nisura”.
Mundësia e zgjedhjeve të reja në Kosovë u përmend posaçërisht në fund javën e kaluar, pas Konventës së tetë të Partisë Demokratike të Kosovës, kur u shpreh gatishmëria për t’u futur në garën zgjedhore.
Përmes deklarimeve për mospërmbushje të obligimeve karshi, siç thonë, qytetarëve të vendit, partitë në koalicionin qeverisës kanë shtuar kritikat ndaj njëra tjetrës ‘për ngecje të proceseve të nisura, e në veçanti në rastin e krijimit të Ushtrisë së Kosovës’.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, i tha Radios Evropa e Lirë, se Kosova ndodhet përpara proceseve të rëndësishme dhe mbajtja e zgjedhjeve, sipas tij, do të pamundësonte përfundimin e tyre.
Por, Pajaziti tha se partia e tij është e gatshme për zgjedhje, në raste se mbahen ato.
“Ne si PDK mendojmë se i gjithë spektri politik me përgjegjësin e vet duhet t’i kryejë punët dhe detyrimet karshi qytetarëve dhe institucioneve ndërkombëtare, e para. Ndërsa ne si subjekti më i madh politik, në kohën e fundit kemi pasur edhe aktivitete partiake në të cilat kemi vlerësuar se jemi të gatshëm për të gjitha proceset. Jemi të gatshëm të përballemi me sfidat në institucione, në Kuvend e më tutje. Po ashtu, nëse veç krijohen rrethana të zgjedhjeve, ne po ashtu jemi të gatshëm edhe për zgjedhje“, tha Pajaziti.
Por, partneri në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe mandati i përcaktuar me marrëveshjen e arritur me PDK-në duhet të zbatohet deri në fund.
Megjithkëtë, Haki Rugova nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se nëse rrethanat krijohen që të shkohet në zgjedhje, LDK-ja është e gatshme për këtë proces.
“Nuk besoj se do të ishte mirë [të shkohet në zgjedhje] për shkak të situatave, për shkak të rrethanave politike që janë. Ne duhet t’i shtyjmë agjendat politike që ka koalicioni LDK- PDK. Unë mendoj se ka rezultate të mira e pozitive në qeverisje dhe ato duhet të shkojnë si dhe të realizohen premtimet. Agjenda politike që është konceptuar që në fillim si projekt të shkojë deri në fund të mandatit”, tha Rugova.
Koalicioni qeverisës PDK-LDK u krijua pas zgjedhjeve të vitit 2014 dhe një bllokade politike prej gjashtë muajsh, që e futi vendin në një krizë të thellë institucionale.
Dy partitë u përballën me reagimin e fuqishëm të opozitës në Kuvend, në disa situata, përfshirë edhe atë të diskutimeve për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Zgjedhjet e reja u përmenden shumë herë në dy vitet e funksionimit të koalicionit, ndërkohë që opozita i ka quajtur të, siç thotë, ‘pa kredibilitet’ institucionet e vendit dhe mekanizmat e tyre, duke lënë të kuptohet se zgjedhjet do të ndryshonin gjendjen.
Organizimi i zgjedhjeve thonë në opozitën e Kosovës, nuk duhet të varet nga disponimi i partive në pushtet, por ‘nga gjendja reale në të cilën ndodhet vendi’.
Dardan Molliqaj sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje tha për Radion Evropa e Lirë se nevoja për zgjedhje të reja të lira dhe demokratike ka qenë shumë më e hershme, por një gjë e tillë nuk është praktikuar. Sipas tij Vetëvendosje është e gatshme për procesin zgjedhor.
“Tendenca e partisë në pushtet, përkatësisht PDK-së, ka disa muaj që është duke u përgatitur për ta çuar vendin në zgjedhje. Normalisht krejtësisht për interesa personale të grupit të ngushtë edhe të Kadri Veselit edhe interesave të klaneve brenda PDK-së”.
“Asgjë për interesa të shtetit. Se a do të ketë zgjedhje të parakohshme apo jo në këtë pjesë të vitit, kjo veçse varet nga faktori vendor, kushtimisht partitë në pushtet. Po ashtu varet edhe nga faktori ndërkombëtar dhe për ne këta dy faktor janë të panjohur”, tha Molliqaj.
Megjithëse e ka cilësuar të rëndësishëm faktin se Kuvendi nuk i ka votuar Demarkacionin dhe Asociacionin, Molliqaj ka thënë se “mos liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës” është, siç e quan, “papërgjegjësi e disa qeverive të vendit”.
Njohës të rrethanave politike në Kosovë, ndërkohë, thonë se partitë politike ‘po kërkojnë mënyra më të lehta për t’iu ikur përgjegjësisë për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova’.
Koalicioni ndërmjet PDK-së dhe LDK-së me pjesëmarrjen edhe të komuniteteve pakicë, vlerësohet të ketë arritur mbështetjen edhe të faktorit ndërkombëtar, për përfundimin e një numri çështjesh përfshirë krijimin e Gjykatës Speciale dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë, përmes zbatimit të marrëveshjeve, njëra nga të cilat është edhe ajo për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. (REL)