-Studimi i fizibilitetit me orientime strategjike për zhvillimin e Trepçës i dorëzohet qeverisë së Kosovës. Studimi ka nxjerr në pah rezultate shumë të rëndësishme/
-Me Ligj, Trepça ka kaluar në menaxhim nga Agjencia Kosovare e Privatizimit te qeveria/
-Gjiganti ekonomik i Kosovës, Trepça, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna. Përfundimi i luftës në Kosovë para 18 viteve Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 27 Maj 2017/ Studimi i fizibilitetit me orientime strategjike për zhvillimin e Trepçës iu dorëzua kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, nga drejtuesit e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të udhëhequr nga kryesuesi, Petrit Gashi, në një takim në ambientet e qeverisë.
Duke vlerësuar punën e bërë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe kompania e angazhuar, kryeministri Mustafa foli për rezultatet e këtij studimi, bën të ditur njoftimi dërguar mbrëmë.
“Studimi ka nxjerr në pah rezultate shumë të rëndësishme sa i përket tregut që është shumë pozitive sepse ofron perspektivë të zhvillimit të Trepçës. Ka nxjerrë po ashtu rezultate të rëndësishme sa i përket teknologjisë dhe zhvillimit teknologjik, por edhe në këtë fushë mbetet edhe më tutje të punohet”, tha kryeministri, duke veçuar rëndësinë e mbrojtjes së ambientit në Mitrovicë me rrethinë gjatë procesit zhvillimor.
Kryeministri Mustafa tha po ashtu se është studiuar edhe mënyra e organizimit dhe strukturimit të mëtutjeshëm të Trepçës.
“Tani mbetet me rëndësi themelore që të konstituohet Bordi i Trepçës sa më shpejtë, të organizohet Trepça si shoqëri aksionare, të mund të veprojë dhe ta merr përgjegjësinë e plotë në këtë fushë”, tha kryeministri.
Mustafa tha se ky studim do të jetë në dispozicion të Trepçës dhe se qeveria së bashku me Agjencinë Kosovare të Privatizimit në këtë fazë do të orientojnë aktivitetet në mënyrë që të fillohet të punohet me të.
“Është paraparë që një fazë e organizimit të jetë edhe auditimi i fizibilitetit, i cili do të jep përgjigje sidomos në fazat tjera përpos minierave, edhe në fazat tjera të shkritores, elektrolizës së zinkut, të industrisë kimike, etj., që mbesin si faza për t’u parë se me çfarë burime do të financohen, si do të financohen, në çfarë tempo kohore do të zhvillohen dhe si të shtrihet Trepça si një prej gjigantëve ekonomikë, e cila duhet të zhvillohet më tutje”, tha kryeministri.
Pas këtij studimi, kryeministri Mustafa tha se qeveria do të ndërmarrë të gjitha masat për përshpejtimin që Trepça të ecën përpara.
Petrit Gashi, kryesues i Bordit të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, u shpreh shumë i kënaqur me punën që është bërë në këtë analizë për revitalizimin e Trepçës.
“Ne e kemi aprovuar para pak javësh si projekt, sot patëm kënaqësinë t’ia dorëzojmë qeverisë si pronar tashmë i Trepçës ose të pjesës më të madhe të aseteve. Besojmë që analizat që janë ofruar shërbejnë ose ofrojnë një bazë shumë të fuqishme për vendimmarrje për Trepçën në të ardhmen, edhe për revitalizimin ose ringjalljen e pjesëve të caktuara të Trepçës”, tha kryesuesi i Bordit të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Sa i takon investimeve në Trepçë, Gashi tha se studimi i ka trajtuar të gjitha alternativat, duke bërë të ditur se sipas studimit nuk duhen investime të mëdha nga qeveria, përveç në kapacitetet teknologjike, në mënyrë që puna që bëhet të jetë sa më produktive.
Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit në fillim të kësaj jave mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme, ku shqyrtoi dhe miratoi Raportin e dorëzuar nga kompania kontraktuese ndërkombëtare e angazhuar për realizimin e Studimit të Fizibilitetit të Trepçës me Orientim Strategjik.
Ky studim do të shërbejë si udhërrëfyes për zhvillimin e ardhshëm të kësaj ndërmarrje, e cila tashmë me Ligjin për Trepçën ka kaluar në menaxhim të qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në 8 tetor 2016, Kuvendi i Kosovës në seancën e dytë të veçantë, të nisur rreth mesnate, pas të pares një ditë herët, shqyrtoi edhe për herë të dytë dhe miratoi me shumicë votash Ligjin për Trepçën.
Gjiganti ekonomik i Kosovës, Trepça, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna. Përfundimi i luftës në Kosovë para 18 viteve Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial.
Pasuria minerare e nëntokës së Trepçës arrin vlerën së paku 13 miliardë euro, sipas një studimi të fizibilitetit të kryer nga ekpertë vendorë dhe ndërkombëtarë, vite më parë, por mendohet se është edhe shumë më e madhe e në vlerë më të lartë.
Ka pasur edhe deklarata që vlerësojnë se Trepça ka minerale në vlerë prej 2 trilionë dollarësh.Sipas historikut të Trepçës, hulumtimet gjeologjike kanë filluar në vitin 1924 nga gjeologët anglezë, ndërsa dy vite më vonë (në 1924) në Londër formohet një shoqëri aksionare e njohur me emrin “Trepça Mines Limited”, e cila merr në koncesion shfrytëzimin e këtij vendburimi minerar për 50 vjet, e në vitin 1930 fillon prodhimi provues i minirealizimeve të sulfurit dhe plumbit.