• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë, Krushë e Madhe-Mesash Presidentit të Amerikës

March 26, 2018 by dgreca

 -Kryministri Haradinaj: Presidentit të Amerikës, Trump, i themi, a mundet ta përfundojë çështjen e Kosovës, që Kosova të ecë edhe më tutje, sepse ka mbetur puna e pakryer/

1 Krushe3 Krushe4 Krushe

-Kryministri i Kosovës nga Krusha e Madhe, mesazh për liderë botërorë e presidentin e Serbisë/

 -Në Krushë të Madhe përkujtohet masakra e para 19 viteve e forcave serbe/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

 KRUSHË E MADHE, 26 Mars 2018/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot nga Krusha e Madhe kishte një mesazh edhe për Presidentitin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si dhe për liderë tjerë botërorë dhe për presidentin e Serbisë.

“Presidentit të Amerikës, Trump, i themi, a mundet ta përfundojë çështjen e Kosovës, që Kosova të ecë edhe më tutje, sepse ka mbetur puna e pakryer. Kështu i themi edhe kryeministres së Anglisë Theresa May, edhe Kancerales së Gjermanisë, Angela Merkel”, tha kryeministri i Kosovës.

E, vijoi Haradinaj, ndërsa presidentit të Serbisë, Vuçiç, që po thotë se duhet dhënë diçka për të njohur Kosovën, do t’i themi, çliroje popullin tënd dhe mos e mbaj me frikë të së kaluarës; kujtoje tragjedinë e popullit të Kosovës, dhimbjen e tij; kuptoji këto varre e këta njerëz që janë me dhimbje; njihe këtë dhimbje; nderoje këtë dhimbje, sepse i bën mirë popullit tënd!

“Duke kërkuar për të marrë ende prej Kosovës në emër të njohjes reciproke, është gabim. Paqja arrihet duke respektuar dhimbjen e tjetrit, duke respektuar të drejtën e tjetrit. Ne në Kosovë, shqiptarët e Kosovës jemi të interesuar për paqe, përjetë, jemi të interesuar që të mos kthehen kurrë dhimbja dhe tragjeditë. Ne nuk dimë se çka të japim më për të drejtën tonë, për lirinë tonë, sesa njerëzit tanë që i kemi këtu dhe ata që nuk po mund t’i gjejmë ende”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Në fshatin Krushë të Madhe të komunës së Rahovecit u mbajt sot tubim përkujtimor për më shumë se 240 martirë të vrarë dhe të masakruar para 19 viteve, në 25,26 e 27 mars 1999, nga forcat serbe.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri homazhe dhe mori pjesë në tubimin përkujtimor. Ai, duke kujtuar edhe 64 qytetarë që ende figurojnë të zhdukur, para të pranishmëve të shumtë, tha se edhe pas gati dy dekadave, kjo dhimbje është në zemër, në mendje dhe në jetët tona.

“Ne kemi ardhur sot në përvjetor të flijimit të qytetarëve të Krushës së Madhe, por edhe të shumë vendeve nëpër Kosovë, që kanë shumë dhimbje. Kujtojmë edhe Reçakun, Prekazin, Izbicën, Obrinë, Celinën, Fortesën, Mejën, Suharekën, Kotlinën, Podujevën, Pastaselin, Samadraxhën, Leshanin, Makovcin, Kishnicën, Mitrovicën, Gjakovën, Rezallën, Qikatovën, Likoshanin, Qirezin, Lybeniqin,  e kështu me radhë”, u shpreh Haradinaj.

Në tubim përkujtimor folën edhe Selami Hoti, kryetar i fshatit, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, si dhe Vajdin Berisha, përfaqësues i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së.Pranvera në Kosovë është stinë e dhembjes, e nderimeve e përkujtimeve për heronjtë, dëshmorët e martirët e rënë për shumë të shtrnjtën liri e pavarësi

Është stina kur përkutohet se, në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Në Izbicë, fshat tjetër i krahinës së Drenicës në Kosovë, përkujtohen 147 civilë shqiptarë të pushkatuar në masakrën e 28 marsit 1999, nga forcat serbe, të cilat në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimeve i kishin nxjerrë nga varret dhe i kishin dërguar e groposur nëpër varreza masive në Serbi.

Ndër masakrat në Kosovë që do përkujtohen në këtë pranverë është edhe ajo në  fshatin Mejë të Gjakovës, e 27 prillit 1999, kur forcat serbe kanë rrembyer nga kolonat e refugjatëve dhe masakruar e zhdukur 377 shqiptarë. Asnjëri nga të ndalurit në rrethimin e hekurt nuk kishte arritur të dilte i gjallë.

Në Kosovë ndodhi edhe masakra serbe në burgun e Dubravës, e datës 22 maj 1999, ku u vranë 114 shqiptarë të burgosur. Forcat kriminale serbe bënë masakra në gjithë Kosovën, edhe në Reçak, në Likoshan dhe Çirez, Obri, Poklek,  Suharekë, Kralan, Goden,  Rogovë,  Celinë, Lubeniq, Makoc, Kotlinë, Fushë Kosovë, Gjakovë, Rahovec, Studime, Kaçandoll, Bajgorë, Shipol, Çabër…

 Në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan nga Kosova mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan mëse 12 mijë,  e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi në varreza masive, apo edhe duke i djegur, ndërsa ende nuk dihet për fatin e mëse 1600 të zhdukurve ende të pagjetur.

 Kryeministri Haradinaj: Jemi me dhimbjen tuaj çdo ditë e çdo vit!

 Krushë e Madhe, 26 mars 2018- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri homazhe dhe mori pjesë në tubimin Përkujtimor në nderim të 241 viktimave të Krushës së Madhe.

Duke kujtuar edhe 64 qytetarë që ende figurojnë të zhdukur, kryeministri Haradinaj, para të pranishmëve të shumtë, tha se edhe pas gati dy dekadave, kjo dhimbje është në zemër, në mendje dhe në jetët tona.

Fjala e plotë e kryeministrit Haradinaj:

 Ne kemi ardhur sot në përvjetor të flijimit, të qytetarëve të Krushës së Madhe, por edhe të shumë vendeve nëpër Kosovë. Është një numër i madh i vendeve që ka shumë dhimbje. Por, Krusha dhe dhimbja këtu është e veçantë. Nuk mundemi pa e kujtuar edhe Reçakun, Prekazin, Izbicën, Obrinë, Celinën, Fortesën, Mejën, Suharekën, Kotlinën, Podujevën, Pastaselin, Samadraxhën, Leshanin, Makovcin, Kishnicën, Mitrovicën, Gjakovën, Rezallën, Qikatovën, Likoshanin, Qirezin, Lybeniqin,  e kështu me radhë.

Pra, mos harroni, në tokën e Kosovës ashtu sikur kjo dhimbje që e ndjejmë sot, janë plotë vende që kanë dhimbje e janë plotë familje që e ndjejnë këtë dhimbje.

Edhe pse ka kaluar kohë, gati dy dekada, kjo dhimbje është në zemër, në mendje dhe në jetët tona. Shqiptarët kanë dëshmuar në shekuj se e kanë fuqinë për të vazhduar jetën, e kanë fuqinë për të jetuar, fuqinë për të treguar gjallërinë e vet për të mos u ndalur.

Sikur të mos ishte kështu, nuk do të ishim sot këtu, nuk do t’i kishim fëmijët që janë këtu, nuk do ta kishim Krushën, që nuk po dorëzohet, por po vazhdon të jetojë dhe të ecë përpara.

Jam i bindur se ata që nuk janë me ne, martirët tanë të pafajshëm të flijuar, por edhe profesori i nderuar Ukshin Hoti që është jo vetëm ideolog i lirisë, i së drejtës shqiptare,  por edhe model i patriotit të mirë, sot, në këto ditë, do të na thoshin, mos u ndalni, shkoni përpara, si Kosovë dhe si vend!

E drejta jonë për liri u arrit. U arrit edhe me ndihmën e NATO-s, të prirë nga Amerika, por deri në ditën e intervenimit të NATO-s, shumë prej nesh u flijuam. Flijimet nuk u ndalën edhe më tutje. E sot, në emrin tuaj, por nëse jo, në emrin tim, Presidentit të Amerikës, Trump, i themi, a mundet ta përfundojë çështjen e Kosovës, që Kosova të ecë edhe më tutje, sepse ka mbetur puna e pakryer. Kështu i themi edhe kryeministres së Anglisë Theresa May, edhe Kancerales së Gjermanisë, Angela Merkel, e ndërsa presidentit të Serbisë, Vuçiq, që po thotë se duhet dhënë diçka për të njohur Kosovën, do t’i themi, çliroje popullin tënd dhe mos e mbaj me frikë të së kaluarës; kujtoje tragjedinë e popullit të Kosovës, dhimbjen e tij; kuptoji këto varre e këta njerëz që janë me dhimbje; njihe këtë dhimbje; nderoje këtë dhimbje, sepse i bën mirë popullit tënd!

Duke kërkuar për të marrë ende prej Kosovës në emër të njohjes reciproke, është gabim.

Paqja arrihet duke respektuar dhimbjen e tjetrit, duke respektuar të drejtën e tjetrit.

Ne në Kosovë, shqiptarët e Kosovës jemi të interesuar për paqe, përjetë, jemi të interesuar që të mos kthehen kurrë dhimbja dhe tragjeditë. Ne nuk dimë se çka të japim më për të drejtën tonë, për lirinë tonë, sesa njerëzit tanë që i kemi këtu dhe ata që nuk po mund t’i gjejmë ende.

Është e padrejtë për t’i kërkuar Kosovës në fazën finale për njohje, edhe diçka. S’ka ku të shkojë më Kosova. Kosova e ka respektuar angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare në maksimum. Kosova vërtet është e interesuar për jetë të qetë, stabilitet, për paqe.

Në Kosovë respektohen komunitetet. Do t’i ruajmë të gjithë, që janë njerëz të këtij vendi, edhe serbët e Kosovës, por njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të bëhet më mbi ndonjë pazar të ri, sepse s’ka mbetur më çka.

Nga Krusha, ju them të gjithëve, edhe tanëve, edhe fqinjëve, por edhe miqve, ka ardhur koha për t’i mbyllë plagët e së kaluarës në Ballkan, ka ardhur koha me u ndalë retorika, ka ardhur koha me ecë përpara. Nuk ka çka jep Kosova më shumë, sesa guximin me ecë përpara, jo me harru, sepse ai popull që harron i përsëriten, ai popull që ka guxim me ecë përpara, siç kemi pasur ne guxim më 1999 me u kthye në shtëpitë dhe trojet tona, siç kemi pasur guxim me gjithë ato dhimbje për të vazhduar jetën, ashtu siç ka guxim sot Krusha të vazhdojë jetën, ashtu duhet ne si Kosovë me pas guxim me ecë përpara, por jo duke harru. Është një dallim i madh, guximi për të ecur përpara me harresën. Harresa na bën dëm, guximi me ecë përpara na bën më të fortë.

Të nderuar krushianë, të nderuara familje të martirëve, dëshmorëve, të të pagjeturve. Për mua është nder i madhe me qenë me ju dhe mos harroni, jemi me dhimbjen tuaj çdo ditë e çdo vit.

Lavdi!

Po sot, kryeministri Haradinaj ka kujtuar dhe anëtarët e Familjes Berisha nga Suhareka, të vrarë e të masakruar nga forcat serbe, 19 vjet më parë.
Kryeministri Haradinaj kujtoi edhe dëshmorët e Betejës së Landovicës, si dhe rënien e dëshmorit Njazi Azemi-komandant Mjekrra, luftëtar i orëve të para të UÇK-së dhe UÇPMB-së.
Para të pranishmëve të shumtë në këtë tubim përkujtimor folën edhe Selami Hoti, kryetar i fshatit, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, si dhe Vajdin Berisha, përfaqësues i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Filed Under: Featured Tagged With: Kosove, Krushë e Madhe-Mesash, Presidentit të Amerikës

Kosovë-Njësia Speciale dërgohet në Veri

March 26, 2018 by dgreca

-Policia e Kosovës ka angazhuar “njësi relevante” në veri për zbatimt të vendimit të ndalimit të vizitës së dy zyrtarëve nga Serbia, mes tyre Ministri i Mbrohjtjes Aleksandar Vulin/

 -Ministri i Jashtëm, Pacolli: “Për të hyrë sot në Kosovë nuk kanë leje asnjëri prej tyre, as Gjuriç dhe as Vulin. Kushdo qe futet ilegalisht në Kosovë do të arrestohet!”/

1 Policia Veri

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/  PRISHTINË, 26 Mars 2018/ Policia e Kosovës deklaroi pak më parë se bazuar në  planifikimet e saja policore, në zbatim të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës (RKS) për ndalim të vizitës në Kosovë të zyrtarëve serbë Vulin dhe Gjuriç, ka angazhuar njësi relevante policore për implementim të këtij vendimi.
Sipas informacioneve dhe deklarimeve të vetë zyrtarëve serbë, të njëjtit kanë deklaruar se edhe përkundër vendimit zyrtar të autoriteteve të Kosovës për ndalim të hyrjes së tyre, ata do të realizojnë vizitën e tyre të planifikuar në veri të Mitrovicës.
Policia e Kosovës, me qëllim të zbatimit të vendimit zyrtar të autoriteteve shtetërore, ka angazhuar njësi relevante policore të cilat do të veprojnë konform situatës në raport me vendimin e MPJ-së së RKS-së. Ndërsa do të ju lejohet hyrja vetëm personaliteteve të cilët do të kenë leje zyrtare të autoriteteve të shtetit të RKS-së, për të realizuar vizitat e tyre të planifikuara sipas kërkesës zyrtare, përfundon njoftimi dërguar nga Policia e Kosovës.Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka deklaruar: “Për të hyrë sot në Kosovë nuk kanë leje asnjëri prej tyre, as Gjuriç dhe as Vulin. Kushdo qe futet ilegalisht në Kosovë do të arrestohet!”.E nga Beogradi, agjencia serbe e lajmeve Tanjug sapo njoftoi se “merr vesh” se Prishtina ia ka ndaluar ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, vizitën në Mitrovicë. Thuhet se ai donte të vizitojë një familje.Poashtu Tanjug “merr vesh” se, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka thirrë për nesër mbledhjen e Këshillit për Siguri Kombëtare.Agjencia serbe e lajmeve shton vetëm edhe se, “sipas infotmatave jozyrtare, një nga temat do jetë çështja e Kosovës”, ndërsa nuk jep hollësi të tjera.

 POLICIA E KOSOVËS: KOMUNIKATË PËR MEDIA-(Shtesë 1)

 Prishtinë, 26 mars 2018 (ora 11:30)-Policia e Kosovës në kuadër të autorizimeve dhe kompetencave ligjore ka ndërmarrë veprime në drejtim të dislokimit të njësive përgjegjëse në terren në pjesën veriore të Kosovës, me të vetmin qëllim  zbatimin e vendimit të Qeverisë dhe nuk ka qëllime tjera.Në kuadër të kësaj dëshirojmë t’i informojmë të gjithë qytetarët tanë, në veçanti ata në veri të Kosovës mos të bien pre të çfarëdo dezinformate lidhur me angazhimet tona në atë pjesë. Ne mbetemi të përkushtuar në zbatimin e rendit dhe ligjit si dhe ofrimin e shërbimeve policore për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

 POLICIA E KOSOVËS: KOMUNIKATË PËR MEDIA-(Shtesë 2)

Prishtinë, 26 mars 2018 (ora 13:30)/ Në vazhdimësi të informimit të drejtë të opinionit publik dhe me qëllim të shmangies së dezinformacioneve të mundshme, Policia e Kosovës bazuar në vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të RKS-së, për lejimin e hyrjes së ministrit të Kulturës z.Vladan Vukosavljevic, ju informojmë se të njëjtit i është lejuar hyrja në territorin e Kosovës konform vendimit, por i njëjti pas hyrjes nuk ka vazhduar tutje për në Veri të Mitrovicës, duke u kthyer me vetë dëshirë mbrapa për në Serbi.Vizita e lejuar e z.Vukosavljevic ka qenë e planifikuar të realizohet në pikën kufitare Merdare që lidh Kosovën me Serbinë, mirëpo e njëjta nuk është realizuar  në atë pikë kufitare por në pikën kufitare Jarinje në veri të vendit.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, Njesia speciale, veri

Amerika, e pranishme në Kosovë edhe me Korpusin e Paqes

March 20, 2018 by dgreca

-Ministri Shyqiri Bytyqi takim me përfaqësuesit Korpusit të Paqes në Kosovë dhe të Drejtorive Komunale të Arsimit/

-Korpusi i Paqes është një program vullnetar i drejtuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, misioni i të cilit përfshinë sigurimin e asistencës teknike, duke ndihmuar njerëzit jashtë SHBA-ve që të kuptojnë kulturën amerikane dhe duke ndihmuar qytetarët amerikanë që të kuptojnë kulturat e vendeve të tjera./

1 Ministri-Arsim-Korpus.JPG1 grupi i I erdhi 8 Qershor 2014.JPG2 Grupi i katert gusht 2014

-Në 17 gusht 2017 Ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie ka udhëhequr ceremoninë e betimit të grupit më të ri, të katërt, të përbërë nga 35 vullnetarë të Korpusit të Paqes në Kosovë/

-Grupi i parë i Korpusit të Paqes i SHBA-ve kishte 25 vullnetarë, të cilët mbërritën në Kosovë në 8 qershor 2014, ndërsa betimin solemn e dhanë në 20 gusht/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 20 Mars 2018/ Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti sot në takim përfaqësuesit Korpusit të Paqes në Kosovë dhe të Drejtorive Komunale të Arsimit. Ai i ka ftuar Drejtoritë Komunale të Arsimit që të nxisin interesimin e komunitetit për të bashkëpunuar me vullnetarët e Korpusit të Paqes, të cilët janë të angazhuar në mësimdhënien e gjuhës angleze.Qëllimi i këtij takimi ishte sensibilizimi i drejtorëve të shkollave, duke ditur që ka komuna të cilat nuk janë përfshirë në këtë vullnetarizëm të Korpusit të Paqes, në përfitimet që sjellë ky Korpus, diskutimi për mundësitë e reja dhe zgjerimi i bashkëpunimit.Ministri Bytyqi ka falënderuar përfaqësuesit e Korpusit të Paqes dhe e ka vlerësuar punën e tyre vullnetare, në ndihmën që po u ofrojnë mësimdhënësve në dhënin e mundësisë së përfitimit të teknikave të reja të mësimdhënies.

Ai tha se, Korpusi i Paqes ka disa vite që në Kosovë është i angazhuar për të ndihmuar mësimdhënësit tanë në mënyrë praktike. “Përmes kësaj forme të bashkëpunimit po bartet edhe kultura amerikane dhe jemi mirënjohës për të gjitha përpjekjet që kanë bërë për popullin e Kosovës. Kërkoj nga ju që t’i njoftoni shkollat e komunave prej nga vini, në mënyrë që të gjitha shkollat të kenë mundësi të aplikojnë dhe të përfitojnë nga kjo mundësi e mirë që po ofrohet nga Korpusi i Paqes”, është shprehur ministri Bytyqi duke iu drejtuar përfaqësuesve të Drejtorive Komunale të Arsimit.Korpusi i Paqes është një program vullnetar i drejtuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, misioni i të cilit përfshinë sigurimin e asistencës teknike, duke ndihmuar njerëzit jashtë SHBA-ve që të kuptojnë kulturën amerikane dhe duke ndihmuar qytetarët amerikanë që të kuptojnë kulturat e vendeve të tjera.

Korpusi i Paqes vazhdon që të sjellë në Kosovë ndihmën përmes vullnetarizmit të tyre. Pritet edhe nënshkrimi i një Marrëveshje Bashkëpunimi në mes të Ministrisë së Arsimit dhe Korpusit të Paqes.Në 17 gusht 2017 Ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie ka udhëhequr ceremoninë e betimit të grupit më të ri, të katërt, të përbërë nga 35 vullnetarë të Korpusit të Paqes në Kosovë. Ata shërbejnë në shkollat kosovare për dy vite në kuadër të programit arsimor në gjuhën angleze pranë Korpusit të Paqes në Kosovë, si mësues të gjuhës angleze, pasi edhe iu ndanë certifikata për përfundimin me sukses të trajnimit gjatë tre muajve në Kosovë. Ambasadori amerikan Delawie me atë rast theksoi se, “vullnetarët e Korpusit të Paqes paraqesin një partneritet ndërmjet dy vendeve tona” dhe se, “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër miqtë dhe mbështetësit më të ngushtë të Kosovës”.

Grupi i parë i Korpusit të Paqes i SHBA-ve kishte 25 vullnetarë, të cilët mbërritën në Kosovë në 8 qershor 2014, ndërsa betimin solemn e dhanë në 20 gusht, poashtu pas trajnimit parapërgatitor në komunitetet në Kosovë.

Para se të shkonin në pikat e tyre të shërbimit vullnetarët u aftësuan për tre muaj në mënyrë gjithëpërfshirëse për aspektet ndërkulturore, gjuhësore, dhe teknike.

Korpusi i Paqës filloi programin e tij të parë në Kosovë me ftesë të Presidentes së atëherëshme Atifete Jahjaga, e cila në 9 shtator të vitit 2013 me ambasadoren në atë kohë të SHBA-së në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, nënshkruan marrëveshjen ndërshtetërore për hapjen e programit të Korpusit të Paqes në Kosovë.

“Me këtë marrëveshje, Kosova bëhet shteti i 140 nikoqir i Korpusit të Paqes, organizatë kjo e vullnetarëve amerikanë e themeluar nga Presidenti Kenedi, që me dekada kanë ndërtuar ura të miqësisë mes popujve përreth botës”, theksoi atëherë Presidentja në ceremoninë ku ishte edhe drejtoresha e Korpusit Amerikan të Paqes, Helen Lowman.

Fillet dhe misioni i Korpusit të Paqes datojnë nga viti 1960 kur senatori i atëhershëm John F. Kennedy sfidoi studentët e Universitetit të Michigan-it për t’i shërbyer shtetit të tyre në kauzën epaqes duke jetuar dhe punuar në shtetet në zhvillim në nivel të homologëve të tyre lokalë. Nga ky frymëzim u ngrit një agjencion i qeverisë federale i përkushtuar ndaj paqes dhe miqësisë në botë.

Tre qëllimet fillestare të Korpusit të Paqes mbeten të njëjta: 1. Të ndihmojë popullin e shteteve të interesuara për të plotësuar nevojat e tyre për gra dhe burra të aftësuar; 2. Të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të amerikanëve nga ana e popullit të cilit i shërben; dhe 3. Të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të popujve tjerë nga ana e amerikanëve.

Vullnetarët e Korpusit të Paqes janë të përkushtuar ndaj ndërtimit të kapaciteteve lokale dhe zhvillimit të qëndrueshëm në nivelin bazë, për dallim nga financimi tradicional i zhvillimit.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Korpusi i paqes, Kosove

PETER LEUTENSTORFER- PEDAGOGU GJERMAN QË NDIHMON ARSIMIN NË KOSOVË

March 8, 2018 by dgreca

2 Prof Gjerman1 Prof Gjerman.JPG
Shkruan: Enver Sulaj/

Rrëfimi për P.Peter Leutenstorfer, një pedagog me përvojë të gjatë nga Gjermania, i cili sivjet kremton ditëlindjen e 90-të, është një histori më vete, jo vetëm e përkushtimit të tij për dijen dhe arsimimin, por edhe shembull i një pedagogu që mbetet model për të gjithë, jo vetëm në Gjermani, por edhe në Kosovë. Rrëfimi për të fillon me gjimnazin “Loyola” në Prizren, shkollë e cila u themelua në vitin 2005, ndërsa P. Leutenstorfer për kaq vite ka fuqizuar dhe ka mbikëqyrur funskionimin e departamentit të gjuhës latine në këtë shkollë. Në një rrëfim të rrallë, ai shpalos detaje nga jeta dhe veprimtaria e tij arsimore e gjatë.

I lindur në vitin 1928, ai ishte ushtar që në moshën 15 vjeçe, i burgosur lufte në moshën 17 vjeçe dhe më pas ka mbaruar shkollën e mesme për të hyrë në rendin e jezuitëve. Kjo u pasua nga gjashtë semestra të studimeve të filozofisë, dy vjet praktikë si mësues i gjermanishtes dhe latinishtes, tetë semestra të teologjisë dhe prapë tetë semestra  gjermanisht, latinisht dhe greqisht.
Pas studimeve, ai u bë mësues i gjuhës gjermane, latine dhe greke në kolegjin St. Blasien në Schwarzwald, pesë prej të cilave edhe në Dresden. Gjatë kësaj kohe, ai ka udhëhequr rregullisht shfaqjet teatrore me nxënësit (regjinë). “Në atë kohë P. Walter Happel ishte drejtori im në St. Blasien dhe ai më kërkoi të vija në Kosovë për të ndihmuar mësuesit e ardhshëm të gjuhës latine, ndërsa gjimnazi „Loyola“ nuk ishte hapur akoma“, thotë P. Leutenstorfer.

Duke folur për rëndësinë që ka gjuha latine, ai thotë se të gjithë nxënësit duhet të marrin mësime latine, por mësuesit e ardhshëm në këtë gjimnaz kishin mësuar pak latinisht, ndërsa një studim të plotë ne gjuhën latine në universitet nuk kishte pasur për ta. Libri i paraparë ishte gjermanisht, ndërsa gjuha me të cilën ne ishim në gjendje të komunikonim me ta ishte gjuha frënge. Ky fillim ishte pak i vështirë, por i suksesshëm, sepse të gjithë ishin me shumë zell aty. Më vonë, kolegët ishin në gjendje të përmirësonin latinishten e tyre dhe gjithashtu të fitonin përvojë mësimore kur vizitonin gjimnazin St. Blasien.
Gjuha latine nuk është luks apo kohë e humbur për nxënësit kosovarë: një e katërta deri një e treta e fjalorit shqip vjen nga latinishtja; ajo kishte pushtuar luginat e Shqipërisë dhe të Kosovës me kulturën romake nëpërmjet Ilirisë. Gjuha latine është pjesë e vetë imazhit (identitetit) të shqiptarëve dhe kosovarëve. Përfitimet e menjëhershme të kësaj gjuhe nuk janë menjëherë të dukshme (përveç në mjekësi dhe jurisprudencë). Por përkthimi i teksteve nga një gjuhë e lashtë në gjuhën e vet moderne trajnon të menduarin (pamja e saktë- një tipar shumë i ngjashëm me jetën për të gjitha tiparet që kanë të bëjnë me të), e thekson vëmendjen ndaj gjuhës së vet.
Në përvojën time në Gjermani, thotë ai, studentët që kanë mësuar siç duhet latinisht, shkruajnë ese më të mira në klasat e larta, sepse ata i kushtojnë më shumë vëmendje gjuhës amtare përmes latinishtes. Latinishtja është natyrisht edhe një mundësi e favorshme për të mesuar gjuhë të huaja moderne, veçanërisht gjuhën italiane, spanjolle, rumune, frënge.
Duke folur për rëndësinë e gjuhëve klasike në përgatitjen e kuadrove të reja shkencore, ai thotë se është i rëndësishëm fakti se gjithmonë ka njerëz në Evropë që dinë të flasin gjuhën greke të vjetër, sespe djepi i teatrit, poezisë dhe historisë qëndron në Greqi. Kuptimi i domosdoshëm e mban greqishten për teologjinë, sepse libri i shenjtë “Dhjata e Re” është shkruar në gjuhën greke. Rëndësia që i jepet mësimit të latinishtes në Gjermani, ndryshon: Ajo rritet dhe ulet në masë të madhe dhe vazhdimisht kërkohen mësues te gjuhës latine. Në gjimnazin “Loyola”, latinishtja tashmë ka një qëndrim të forte, siguria e mësuesve është rritur dhe nxënësit fillojnë të ndryshojnë nga të mësuarit e dhënë, për të kërkuar vetë dhe për të gjetur kuptimin e teksteve.

Leutenstorfer gjatë karrierës së tij është marrë me përkthime nga latinishtja dhe greqishtja. Për mua, thotë ai, latinishtja ka dhe një tjetër kuptim: Në kohën e punës sime në teatër (rreth tridhjetëvjeçare) kam përkthyer pjesë teatrale të barokut dhe i kam shfaqur me nxënësit (në një masë të vogël edhe në latinisht). Ndonjëherë më kërkohet që të përkthej tekste liturgjike dhe historike. Ish-nxënës dhe të tjerët më kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur që të korrigjoj tezat e tyre të doktoratës dhe tekstet që dalin nga kolegji shpesh përfundojnë në tryezën time- madje edhe “Vjetari” i gjimnazit “Loyola”.
Duke folur për arritjet e gjimnazit “Loyola”, ai thotë se që nga fillimi, të gjithë përgjegjësit  dhe i gjithë stafi i shkollës janë përpjekur të arrijnë nivelin ndërkombëtar dhe janë në rrugë të mirë për të. Mësimet zhvillohen rregullisht dhe përgatiten mirë. Klima në klasa është miqësore dhe pothuajse të gjithë nxënësit janë shumë të interesuar dhe të gatshëm për të mësuar. Nxënësit që duan të vijnë në këtë shkollë duhet të sjellin interes dhe gatishmëri për të mësuar dhe të jenë të përgatitur që përvetësimi i njohurive gjithashtu do të thotë punë.
Ata duhet të kuptojnë se suksesi i mësimit është një përpjekje kolektive e të gjithëve, pra të ndihmojnë dhe të u ndihmohet  (por në mënyrë të ndershme!).
Ajo që mua më duket pak e zhvilluar është përfshirja aktive me gjuhën amtare, thotë P.Leutenstorfer.  Njerëzit e arsimuar duhet ta duan gjuhën e tyre amtare. Që nga fillimi, nxënësit  do të duhet të shkruajnë vetë tekstet e tyre, nga storiet e deri tek esetë. Kjo do të thotë që studentët duhet të lexojnë më shumë dhe mësuesit duhet të korrigjojnë më shumë. P.Leutenstorfer thotë se është gjithmonë i kënaqur me mirësinë dhe përzemërsinë me të cilën e mirëpresin në gjimnazin „Loyola“, dhe jo vetëm nga kolegët. Nxënësit  janë gjithashtu miradashës të sjellshëm dhe të gatshëm për ndihmë: ata përshëndesin dhe nxitojnë për të ofruar një karrige gjatë vizitave në klasë – edhe atëherë kur për vete nuk do të kishin një të tillë. Për veten time nuk ka pension; ndihmoj deri sa të jem i dobishëm, ndërsa ardhja në Kosovë është gjithmonë një kënaqësi e madhe për mua, thotë në përmbyllje P. Lutenstorfer.

Filed Under: Interviste Tagged With: Enver Sulaj, Kosove, Pedagogu Gjerman, Peter Leutenstorfer

Vizat japoneze për qytetarët e Kosovës jepen në Tiranë

March 3, 2018 by dgreca

-Ministri i Jashtëm Pacolli vazhdon takimet me autoritetet e larta në Japoni, vizat japoneze për qytetarët e Kosovës do të jepen në Tiranë/

1 Vizat Japoneze 2

Tokio, 2 Mars 2018 – Gazeta DIELLI/ Si hap i parë i takimit të djeshëm midis dy ministrave të jashtëm të Japonisë dhe Kosovës, Taro Kono dhe Behgjet Pacolli në Tokio, menjëherë sot, ka mbërritur nota verbale japoneze me lajmin e mirë për qytetarët e Kosovës.Japonia pranoi menjëherë kërkesën e ministrit Pacolli, që vizat për kosovarët, që duan të udhëtojnë në Japoni, të jepen pranë Ambasadës së këtij vendi në Tiranë.Ky është një lehtësim i konsiderueshëm për shtetasit e Kosovës, duke patur parasysh se deri më tani, vizat për ta jepeshin në ambasadën e Japonisë në Vjenë.Gjatë takimit të djeshëm pala japoneze premtoi se do ta merrte parasysh kërkesën e shefit të diplomacisë së Kosovës për regjim pa viza, në rast se Bashkimi Europian do t’i heqë vizat për kosovarët në të ardhmen e afërt.

Ndërkohë, dita e dytë e vizitës së ministrit të jashtëm të Kosovës dhe numrit dy të qeverisë, shoqëruar nga ministri i zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka në Tokio, kishte në fokus bashkëpunimin ekonomik me Japoninë, njerin nga tre vendet më të zhvilluara ekonomike të botës dhe donatorët kryesorë në rrafsh botëror.Kështu dy ministrat patën takime me drejtuesit kryesorë të JICA, (Agjencia Japoneze e bashkëpunimit ndërkombëtar), dhe  të JBIC (Banka Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar), përkatësisht me Kazuhiko Koshikawa dhe Tadashi MAEDA, ministrin e shtetit për financat, Kenichiro UENO,  me Ministrin e ngarkuar për lojrat Tokio Olympic and Paralympic Games Shunichi SUZUKI.

Gjatë këtyre takimeve, ministri Pacolli ftoi investitorët japonezë të vinë në Kosovë në vendin e mundësive dhe lehtësive të mëdha për ndërmarrësit, afër tregut europian prej 500 milionësh.

“Na jeni gjendur në momentet më të vështira duke na ndihmuar. Sot ne duam që kompanitë japoneze në Kosovë të prodhojnë mallrat e tyre, në bashkëpunim me kosovarët”, tha z. Pacolli.Ai përsëriti gatishmërinë e qeverisë së Kosovës për themelimin e  një zone të lirë  ekonomike në dispozicion të ndërmarrësve japonezë. Ministri i jashtëm kërkoi ndihmë prej agjencive ndihmuese japoneze dhe Bankës kryesore të bashkëpunimit ndërkombëtar, asistencë për ngritjen e platformave agroushqimore, të shkollave profesionale cilësorë, etj. Bashkëbiseduesit e tij japonezë premtuan një nivel të ri bashkëpunimi me Kosovën dhe se do të punonin në drejtimet e sugjeruara nga z. Pacolli.Po ashtu gjatë paradites së sotme, në mjediset e Qendrës Meiji para një mjedisi ndërmarrësish të interesuar për Kosovën, ministri Lluka prezantoi lehtësitë ligjore, financiare, etj dhe ju përgjigj pyetjeve të tyre.Në mesditë, në praninë e autoriteteve të larta japoneze, miqve të Kosovës në institucionet e këtij vendi, zëvendësministrit të jashtëm Mori, mbi 20 ambasadorëve nga vende të ndryshme dhe që nuk e njohin Kosovën, u organizua  një pritje me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së vendit.Në pritje mbajtën fjalë rasti mysafirë të shquar, ministri i jashtëm Pacolli, ambasadori Leon Malazogu, etj./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, Tirane, Vizat Japoneze

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT