• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Profesori Edward P. Joseph: Serbia nuk duhet privilegjuar më

May 18, 2021 by dgreca

Nga Krenaren Cubolli-Evropa e Lire/*

Profesori Edward P. Joseph nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington beson se Bashkimi Evropian duhet të vendosë në mënyrë unanime për çështjen e Kosovës dhe në këtë mënyrë, bashkë me Shtetet e Bashkuara, të fitojë ndikim në krijimin e stabilitetit në Ballkan. Ai beson se Perëndimi duhet t’i japë fund qasjes privilegjuese që ka ndaj Serbisë, për shkak të qëndrimit që ka kjo e fundit ndaj Kosovës. Ai po ashtu propozon miratimin e dy parimeve nga blloku evropian dhe NATO-ja, përmes së cilave ndalet agresioni politik dhe shmangen ndryshimet territoriale.

Radi Evropa e Lirë: Zoti Joseph, në artikullin tuaj të fundit për Qendrën Wilson, ju keni thënë se besoni që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë mungesë ndikimi për të mbyllur çështjen e Kosovës dhe se ky problem ndikon edhe në shtetet tjera të Ballkanit. Ju po ashtu keni thënë se korrigjimi i ndasive brenda BE-së ndaj Kosovës është në njëfarë mënyrë çelësi. A mund të flisni më shumë për këtë gjë?

Edward P. Joseph: Është shumë e thjeshtë. Unë në fakt besoj se i gjithë ky konfuzion nuk është edhe aq i komplikuar. Ne nuk kemi pasur mundësi të mbyllim çështjen e Kosovës, dhe kjo gjë lidhet natyrisht me Serbinë, dhe Serbia më pas lidhet përveçse me Kosovën edhe me Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe Kroacinë. Kjo gjë lidhet edhe me vetë zhvillimin politik në Serbi. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi lidhet me zhvillimin e saj demokratik, që është duke bërë kthim mbrapa. Dhe krejt kjo lidhet me mungesë të ndikimit. Mungesa e ndikimit që kemi në Kosovë, ka të bëjë me atë pse çështja e Kosovës është ende e hapur.

Serbia nuk e ka njohur Kosovën, andaj edhe çështja e Kosovës ka mbetur pezull, ashtu sikurse edhe e Serbisë. Serbia nuk ka qenë në gjendje të ecë përpara. Në vend që të ecë përpara, është duke bërë kthim mbrapa. Udhëhëqësia e drejtuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq është duke bërë kthim mbrapa. Dhe nuk jam vetëm unë që po e them këtë. Kështu po thonë edhe akademikë dhe aktivistë serbë. Dhe krejt kjo ka të bëjë me mungesën tonë të ndikimit.

Përse kemi këtë mungesë? Jo pse Shtetet e Bashkuara nuk janë të fuqishme, në fakt janë shumë të fuqishme apo se Bashkimi Evropian nuk është i fuqishëm, pasi shumë vende brenda tij janë të fuqishme. Problemi është se ne nuk jemi të bashkuar sa i përket çështjes së Kosovës. Për shkak të këtyre ndasive, për shkak të këtyre pesë shteteve të BE-së që nuk njohin Kosovën, kjo i bie që ato pesë vende kanë pozicionin e njëjtë sikurse ai i Serbisë. I bie se ato kanë pozicionin e njëjtë me të Rusisë dhe Kinës. Kjo i bie që ne jemi të penguar. Nëse pesë shtete të BE-së kanë të njëjtin pozicion sikurse Serbia, Rusia dhe Kina, kjo i bie që Serbia nuk është stimuluar për ta njohur Kosovën, sepse Kosova është e bllokuar nga Rusia dhe Kina.

Të imagjinojmë se Rusia dhe Kina do të thonë se nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës edhe nëse Serbia do ta njohë shtetësinë e saj. Por nëse pesë vendet e BE-së e njohin Kosovën, kjo gjë nuk do të ishte edhe aq problematike, dhe aq serioze. Kjo pasi Kosova më pas do të mund të ishte pjesë e NATO-s dhe BE-së, dhe kjo bllokadë në Kombet e Bashkuara nuk do të kishte shumë rëndësi. Në këtë mënyrë, Serbia nuk do të kishte kaq shumë ndikim dhe potencialisht do të mund t’i ndalej ritmi, ndërkohë që Kosova do të bëhej anëtare e NATO-s, do të avanconte drejt BE-së dhe do të bëhej shtet më i fuqishëm. Çfarë do të fitonte Serbia përveçse do të shikonte dhe do të humbiste në strategjinë e të mbajturit Kosovën të izoluar. Pra krejt kjo është e lidhur me ndasitë në Evropë, që rrisin më pas ndikimin te Serbia dhe për shkak se Serbia ka ndikim, problem është i pazgjidhur.

Serbia “i duhet Perëndimit” më shumë sesa Perëndimi Serbisë

Radio Evropa e Lirë: Ju jeni edhe kritik i Perëndimit kur është fjala për qasjen e tij ndaj Serbisë. Për të qenë më e saktë ju thoni se “Qeveria më anti-demokratike në rajon dhe partnerja strategjike e Rusisë dhe Kinës – regjimi në Serbi, i udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq – trajtohet në mënyrën më të favorshme.

Edward P. Joseph: Po, plotësisht e saktë, madje është edhe më keq se aq. Ajo çfarë kam thënë është absolutisht e vërtetë dhe ka të bëjë pikërisht me këtë mungesën e ndikimit. Për shkak se kemi këto ndasi, Serbia ka më shumë ndikim. Dhe meqë ajo ka ndikim, ne jemi në pozicion të dobët dhe prandaj na “duhet” Serbia. Neve “na duhet” Serbia, më shumë sesa që ne i duhemi asaj. Ne jemi gati se në një pozitë të përgjërimit të saj. Dhe çfarë bëjmë ne? A jemi duke kërkuar llogari nga Serbia rreth përkushtimeve të saja për t’iu bashkuar BE-së dhe të mbajtur vlerat dhe standardet e BE-së? Jo nuk jemi. Në vitin kur Serbia ka prezantuar kandidaturën drejt BE-së, Vuçiq ka dobësuar nivelin e demokracisë në Serbi. Dhe përgjigjen tonë mund ta shihni nëpër deklarimet publike.Vetëm muajin e kaluar, një politikan i mirënjohur perëndimor, që është publikisht i lidhur me Rusinë dhe Kinën, ka thënë se Serbia është lidere ekonomike dhe politike në rajon. Dhe ne vazhdojmë të mos e mbajmë Serbinë përgjegjëse, e cila ka një qeveri që në thelb nuk është liberale, ndonëse dëshiron ta prezantojë veten si demokratike, por që nuk është e tillë. Nuk zbaton praktika demokratike dhe as ato të BE-së. Ajo promovon vlerat e Rusisë, Kinës dhe Hungarisë, dhe ne ende nuk e mbajmë përgjegjëse, pasi “na duhet” në çështjen e Kosovës.

Kështu edhe jemi përfshirë në çështjen e shkëmbimit të territoreve në kohën e administratës së ish-presidentit amerikan Donald Trump, dhe udhëheqësinë e asaj kohe në krye me Federica Mogherinin. Ne u patëm pajtuar që Kosova të bëjë ndërrim territoresh dhe më pas muajin e kaluar u befasuam kur non-paperi slloven kërkonte që e njëjta të ndodhte në Bosnje-Hercegovinën. Diplomatët më të lartë në SHBA dhe BE kanë qenë duke promovuar konceptin e njëjtë sikurse dokumenti slloven.

“Duhet ndalur agresioni politik”

Radio Evropa e Lirë: Çështja e ndryshimit të territoreve në Ballkan është duke qarkulluar nga viti 2018. Ju thoni se Uashingtoni dhe Brukseli kanë hequr dorë nga shkëmbimi i territoreve, por kjo temë nuk ka hequr dorë nga këto dy vende. Megjithatë, ju ende përmendni mundësinë që administrata aktuale amerikane të krijojë një standard për të gjashtë vendet që synojnë BE-në, duke theksuar se luftërat në rajon kanë mbaruar.

Edward P. Joseph: Po, kjo është zgjidhja ime. Uashingtoni dhe Brukseli patën thënë se heqim dorë nga tema e shkëmbimit të territoreve. Por muajin e kaluar papritur u prezantua “bomba sllovene” për ndryshime territoriale. Koncepti i njëjtë. Kthehemi prapë te mungesa e ndikimit. Përgjigjja për këtë çështje në teori mund të zgjidhet shpejt. Nëse pesë vendet e BE-së, Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qiproja do ta njihnin shtetësinë e Kosovës, ky problem do të zgjidhej menjëherë dhe situata në mes të Kosovës dhe Serbisë do të stabilizohej. Mirëpo e dimë që këto pesë shtete nuk do ta njohin shtetësinë e Kosovës për shkak të problemeve të tyre të brendshme, siç është Katalonja në Spanjë.

Prandaj unë kam gjetur zgjidhje për këtë gjë. Këto vende nuk kanë nevojë që ta njohin Kosovën, por ato vende bashkë me pjesën tjetër të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara duhet të krijojnë një pozicion unanim që zbatohet për Kosovën, Serbinë dhe pjesën tjetër të rajonit. Qasja e tyre duhet të jetë drejt dhënies fund të agresionit politik. Ato mund të mos e njohin të gjitha Kosovën dhe kjo mund të jetë në rregull, por ato vende duhet të vendosin limite sepse Serbia është kandidate për anëtarësim në BE dhe Kosova ka Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me bllokun evropian.

Ato më pas mund t’iu tregojnë këtyre vendeve se çfarë duhet të bëjnë, pasi të dyja vendet duan të jenë pjesë e BE-së. Prandaj ato mund të ndalohen në bërjen e luftës përmes mënyrave politike. Në këtë mënyrë, një pozicion unanim i gjithë BE-së nuk mund të injorohet. Serbisë do t’i ndalohet kryerja e fushatës për mosnjohje të shtetësisë së Kosovës, sepse kush është ajo që ta bëjë një gjë të tillë nëse BE-ja dhe SHBA-ja nuk ndalojnë diçka të tillë apo kush është Serbia që t’ia ndalojë Kosovës anëtarësimin në Interpol, nëse fuqitë e mëdha nuk e bëjnë një ndalesë të tillë?

Por në anën tjetër edhe Kosova nuk mund të nisë agresion politik kundër Serbisë dhe serbëve në Kosovë dhe të kërcënojë me bashkim me Shqipërinë, duke bërë serbët në Kosovë minoritet edhe më të vogël. Pra kush është Kosova që ta bëjë një gjë të tillë? Kosova nuk mund ta bëjë këtë gjë. Jo nëse dëshiron ta zbatojë MSA-në. Dhe këto veprime nuk janë në linjë me të. Përbëjnë agresion dhe kjo gjë duhet të ndalet.

Kur ky agresion politik të ndalet, gjithçka ndryshon, sepse fuqia e ndikimit bartet. Në situatë të këtillë, kur ndalet fushata e Serbisë për mosnjohje të Kosovës, ky shtet nuk mund ta ndalë Kosovën nga zhvillimi, nga rritja e kapacitetit të saj ndërkombëtar, më pas nuk mund t’ia ndalojë anëtarësimin në BE dhe organizata tjera apo edhe krijimin e marrëdhënieve me vendet tjera. Serbia më pas ose duhet të negociojë – diçka që duhet të bëjë – apo mund ta refuzojë një gjë të tillë. Nëse refuzon, tregon qartë se cila është zgjedhja e saj. Tregon për refuzim të BE-së për dallim nga të pretenduarit kinse po i bashkohet BE-së, ndërkohë që promovon agjendën e Rusisë, Kinës dhe Hungarisë.“BE-ja duhet të ketë pozicion unanim për çështjen e Kosovës”

Radio Evropa e Lirë: Në artikullin tuaj, ju keni përmendur nevojën e hartimit të dy parimeve koncize – një të formalizuar nga BE-ja, dhe tjetrën nga NATO-ja. A mund të na i shpalosni ato më shumë?

Edward P. Joseph: Na duhet ta kujtojmë se për çfarë është gjithë kjo gjë. E gjitha kjo synon që t’i mundësojë BE-së dhe SHBA-së që të mos privilegjojnë më Serbinë, sepse këtë gjë janë duke bërë tani. Meqë nuk kemi ndikim mbi Serbinë, ne privilegjojmë atë. Serbia mund të sillet në mënyrë jodemokratike, mund të jetë aleate me Rusinë dhe Kinën dhe ne të themi “ju jeni lidere”. Kjo gjë duhet të marrë fund. Kjo gjë mbaron kur të sillemi me Serbinë sikurse me vendet tjera. Jo duke e vendosur në një pozicion më të keq, por jo edhe më të mirë sesa të tjerët. Më pas do të mund të kishim dy parime. Njërën nga BE-ja dhe tjetrën nga NATO-ja. Ato janë të hartuara në atë mënyrë që kurrë nuk mund të zbatohen, shembull për Katalonjën. Gjithçka është e hartuar shumë me kujdes dhe lidhet me Serbinë dhe Kosovën, të cilat kanë marrëveshje zyrtare me BE-në. Katalonja nuk mund të përfshihet në këto parime asnjëherë, përveç nëse Qeveria në Madrid miraton diçka të tillë, por ajo nuk do të ndodhë. Parimi i BE-së përcakton që këto dy shtete nuk mund të kryejnë agresion politik kundër njëra-tjetrës. Parimi i NATO-s është shumë specifik dhe lidhet me ndryshime të kufijve. Në këtë rast lidhet me mundësinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, por ka të bëjë edhe me Bosnje-Hercegovinën. Pra kjo mund të vlejë për të gjitha shtetet.

Kjo është ajo që bëjmë këto parime. Ato i mundësojnë BE-së dhe SHBA-së të bëjnë diçka që nuk mund të bëjnë tani, pasi nuk e kanë mbështetjen e të gjitha shteteve, sepse pesë shtetet e BE-së janë të lidhura me Serbinë dhe Rusinë dhe Kinën sa i përket çështjes së Kosovës.

Alternativa për shtetet mosnjohëse

Radio Evropa e Lirë: Ju keni prezantuar edhe mundësinë që SHBA-ja të hartojë një Traktat për Mbrojtje të Ndërsjellë me Kosovën, sikurse atë që ka me Korenë Jugore.

Edward P. Joseph: Ky Traktat është i rëndësishëm për dy arsye, pasi pesë shtetet mosnjohëse të BE-së mund të kundërshtojnë idenë që t’ia ndalojnë Serbisë fushatën për mosnjohje të Kosovës dhe të thonë se Serbia mund të bëjë çfarë të dëshirojë dhe nuk na intereson nëse Rusia dhe Kina shtrijnë ndikimin në Ballkan.

Epo nëse ekziston një disponim i tillë, atëherë na duhet rritje e ndikimit aty po ashtu. Nëse Spanja është e interesuar vetëm për Katalonjën dhe kështu ia mundëson Serbisë që të vazhdojë kryerjen e agresionit politik dhe ia mundëson ndikimin Rusisë dhe Kinës, atëherë ashtu na shtyn edhe neve të bëjmë disa ndryshime. Kështu SHBA-ja mund të detyrohet të krijojë një marrëveshje bilaterale me Kosovën, për të cilën nuk mund të bëjë asgjë as Spanja, as Serbia, as Rusia dhe as Kina. Dhe nëse SHBA-ja e kthen Kosovën në partnere strategjike, atëherë për Serbinë ndryshon gjithçka. Strategjia e Serbisë në atë rrafsh dështon, ndërsa Kosova fiton siguri gati sikurse të ishte anëtare e NATO-s.

Prandaj nëse këto shtete nuk pranojnë propozimin që të mos e njohin Kosovën, madje që as Serbia të mos njohë Kosovën, atëherë kjo gjë e detyron SHBA-në të marrë vendime tjera, sepse një gjë e tillë nuk mund të tolerohet më.

‘Një skenar i ri ndryshon pozicionin e opozitës në Serbi”

Radio Evropa e Lirë: Parimet e reja do të cenonin politikisht presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Pse mendoni kështu?

Edward P. Joseph: Kjo është gjë shumë e rëndësishme. Kjo është pyetje shumë e rëndësishme sepse një nga argumentet që përdorin njerëzit që thonë ‘ju nuk e kuptoni këtë, sepse nëse e kritikojmë Serbinë për nivelin e demokracisë apo për pozicionin në rajon për dëmtim të Malit të Zi apo Bosnjës, presidenti Vuçiq do të thotë se shikoni, unë jam duke mbrojtur interesat e serbëve në Kosovë, Mal të Zi, Bosnje, apo edhe Kroaci, unë jam duke i mbrojtur dhe për këtë ata më bëjnë presion mua’.

Në këtë mënyrë ai mendon se mund të bëjë diçka të tillë dhe opozita të mbetet më e dobët. Por jo me këtë skenar, sepse edhe opozita në Serbi nuk ka pse ta njohë Kosovën. Ata mund të thonë çfarë të duan për Kosovën, por edhe do të mund ta kritikojnë presidentin Vuçiq në një mënyrë që nuk munden tani. Opozita nuk mund ta kritikojë tani Vuçiqin sepse ai ka përkrahjen publike të SHBA-së dhe BE-së. Ai mund të thotë se shihni se si jam duke ndërhyrë në çështjet e Malit të Zi dhe sërish e kam mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së. Por me skenarin e ri ai nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, sepse opozita mund t’i thotë nuk e ke përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së dhe ju jeni fajtor për këtë gjë. Ju e keni bërë këtë.

“Kosova, në pozicion sekondar”

Radio Evropa e Lirë: Përgjatë tekstit, ju përmendni presidentin serb Vuçiq, por jo edhe liderët e Kosovës. Si e komentoni qasjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në dialogun me Serbinë? Ai ka thënë se ky proces duhet të ketë parime, dhe të dyja palët duhet të jenë të barabarta.

Edward P. Joseph: Nuk është e nevojshme për mua. Pse me duhet mua të flasë për liderët e Kosovës? Ata pothuajse nuk kanë fare ndikim. Ata janë në pozicion sekondar. Kosovës i duhet njohja. Nuk ka rëndësi fare çfarë flet Kurti se dialogu nuk është prioriteti i tij, sepse ky nuk është realiteti. Realiteti është që Kosovës i duhet kjo gjë, dhe ai e di mirë këtë.

Kosova është në pozicion më të dobët sepse nuk ka ndikim dhe as ne nuk kemi ndikim. Pra nuk është qendër e problemit. Dua t’i referohem Kurtit në deklaratën që ka bërë në muajin shkurt për një të përditshme kroate. Ai hapur ka promovuar idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Ai po ashtu ka votuar në zgjedhjet në Shqipëri dhe partia e tij ka garuar në zgjedhjet në Shqipëri. Përmes të gjitha këtyre veprimeve, ai është duke promovuar bashkimin mes Kosovës dhe Serbisë dhe një gjë e tillë është e ndaluar sipas qasjes sime. Partia e tij nuk duhet të garojë në zgjedhjet në Shqipëri dhe ai nuk duhet të promovojë bashkimin me Shqipërinë. Kjo gjë duhet të ndalojë. Ky është agresion kundër serbëve në Kosovë dhe Serbisë.

Albin Kurti është kryeministër i të gjithë qytetarëve, dhe aty përfshihen edhe serbët e Kosovës. Ai nuk mund të ndryshojë kombësinë e qytetarëve të vet, nuk mund të thotë se ‘ju tani jeni qytetarë të Kosovës, por ne do ta ndryshojmë këtë sepse do të jemi konfederatë me Shqipërinë’.

Radio Evropa e Lirë: Mendoj se Kurti së fundmi ka thënë se nuk mund të bëjnë bashkimin me Shqipërinë sepse Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon një gjë të tillë.

Edward P. Joseph: Ai e ka thënë këtë gjë edhe në intervistën e tij në shkurt. Mirëpo ka thënë edhe se Kushtetuta e Kosovës është e padrejtë. Ai nuk thotë se duhet të bëjmë bashkimin me Shqipërinë sepse Serbia nuk na lë të anëtarësohemi në NATO dhe kjo është mënyra e vetme për ta bërë një gjë të tillë. Ai nuk e thotë këtë gjë.

Ai e thotë arsyen e ngjashme sikurse që ekziston për Serbinë e Madhe. Ai e përmend sesi shqiptarët janë ndarë një shekull më parë. Ky është mentalitet që nuk duhet ta kemi. Kjo nuk i përket shekullit XXI. Kjo është diçka e shekullit XIX. Luftrat kanë mbaruar. Shqiptarët do të jetojnë në Maqedoninë e Veriut, në Kosovën e pavarur, në Malin e Zi dhe Shqipëri, por jo në një shtet të përbashkët.

*

Krenare Cubolli është gazetare e Radios Evropa e Lirë në Pragë dhe autore e magazinës së përjavshme Hashtag. cubollik@rferl.org

Filed Under: Interviste Tagged With: Krenare Cubolli, Profesori Edward P. Joseph, Serbia nuk duet privilegjuar

Cila është vaksina për dezinformata?

April 11, 2021 by dgreca

Nga Krenare Cubolli/ Evropa e Lire/

S’ka virus, maskat nuk të mbrojnë nga koronavirusi, masat e izolimit janë të kota dhe vaksinat janë të rrezikshme.

Këto janë vetëm disa nga dezinformatat, që kanë qarkulluar nëpër rrjetet sociale, prej kur ka shpërthyer pandemia e koronavirusit.

Pretendime të tilla për pandeminë janë raportuar në shumicën e vendeve të botës, edhe për faktin se koronavirusi ka qenë problematikë e re për të gjithë.

Megjithatë, njohësit e fushës së mediave dhe politikave globale shëndetësore vlerësojnë se vazhdimësia e përsëritjes së supozimeve të tilla, edhe pas më shumë se 13 muajve të përballjes me pandeminë, flet për mungesë të informimit të saktë për pandeminë në Kosovë.

Ata shprehen të shqetësuar nga mungesa e vetëdijes për rreziqet që ngërthen brenda vetes pandemia dhe mendojnë se ide të tilla mund ta vonojnë procesin e ecjes përpara sikurse vendet tjera, në disa prej të cilave, shkalla e vaksinimit kundër koronavirusit po rritet relativisht shpejt.

Dren Gërguri, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka përcjellë përhapjen e informacioneve të rreme për pandeminë prej shpërthimit të saj.

Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se si në fillim është diskutuar shumë për zanafillën e koronavirusit, dhe janë përhapur informacione të rreme se ky virus është krijuar në laborator nga shtete e fuqishme.

“Pastaj me kalimin e ditëve, javëve, dezinformatat filluan të kalonin nga zanafilla e virusit, gjoja se te këshillat mjekësore, se si të mbrohen njerëzit nga koronavirusi”, thotë Gërguri.

Në një hulumtim që ka kryer Gërguri rreth kësaj çështjeje, në qershor të vitit të kaluar, ka rezultuar se limoni ka qenë produkti i dytë më i shitur në Kosovë.

“Arsyeja është sepse gjatë atyre muajve paraprakë kishte dezinformata se limoni të mbron nga virusi dhe përdorimi i limonit me ujë të nxehtë është diçka që duhet ta bëjë secili. Prandaj pas miellit, doli që limoni ishte produkti më i blerë nga qytetarët”.

Përgjatë analizimit të dezinformatave që kanë qarkulluar më së shumti në rrjetet sociale në mesin e shqipfolësve, Gërguri ka treguar se cilat janë reditur si pesë të parat në listë:

  • Doktori amerikan shkund botën, tregon të vërtetën për koronavirusin.
  • Diçka po ndodh! 40.000 trupa speciale amerikane kanë zbarkuar në vendet e Bashkimit Evropian përreth Ballkanit
  • Një mjek japonez tregon si ta kuptoni nëse jeni infektuar me COVID-19
  • Koronavirusi është mashtrim, masonët duan ta kontrollojnë botën
  • Ilaçi për koronavirus dhe mënyra si ta eliminojmë atë

Ai tregon se disa prej këtyre dezinformatave i ka pranuar edhe vetë në llogaritë e tij në rrjete sociale.

“Këtë me mjekun japonez e kam pranuar në Viber nga një shok i imi, i cili më shkroi dhe tha, ‘provoje sepse një mjek japonez po e thotë’. Unë pastaj e pyeta se ku hasi në këtë informacion dhe ai më tregoi se e ka parë në një faqe në Facebook. Pra, çfarë ka ndodhur është se këto dezinformata, prej Facebookut janë shpërndarë gjithmonë edhe në Viber dhe Whatspp, pasi nëse kthehemi një vit mbrapa ishte ajo ndjenja e panikut, frikës dhe në situata të tilla, njerëzit edhe nga dëshira për ta ndihmuar tjetrin, kanë shpërndarë dezinformata”, ka thënë Gërguri.

Hana Xhemajli, eksperte për hulumtime të politikave globale shëndetësore, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se ende vazhdon të dëgjojë dezinformata të tipit se virusi nuk ekziston.

Mirëpo tani për të përbën më shumë shqetësim kur njerëzit janë gjysmë të informuar dhe se aktualisht, sipas saj, dezinformata më e madhe lidhet me vaksinim.

“Ka mungesë të informatave rreth vaksinës dhe në atë hapësirë krijohen dezinformata të ndryshme. Nëse një herë kemi thënë se s’ka virus, atëherë shumë thjeshtë mund të themi se vaksinat janë të dëmshme. Në momentin që nuk flasin profesionistët, atëherë lindin konspiracione të ndryshme”.

Pas rritjes së dilemave për këtë vaksinë, më 8 prill ka reaguar edhe ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia.

Ai ka thënë para mediave se vaksina kundër koronavirusit është e sigurt dhe asnjë person që ka marrë vaksinën deri më tani në Kosovë, nuk ka pasur efekte anësore nga ajo.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit më 29 mars, pas pranimit të 24.000 dozave të vaksinave të kompanisë AstraZeneca, përmes COVAX-it, skemës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.

Vaksina e kompanisë AstraZeneca ka qenë temë diskutimi edhe në shumë vende tjera të botës, pasi disa vende përkohësisht patën pezulluar vaksinimin, meqë raportoheshin raste me trashje gjaku.

Megjithatë, në rishikimin e fundit të kësaj vaksine të kryer nga rregullatorët e Bashkimit Evropian dhe ata të Mbretërisë së Bashkuar, është thënë se përfitimet e kësaj vaksine i tejkalojnë rreziqet.

“Rastet e raportuara të trashjeve jo të zakonshme të gjakut, pas vaksinimit me vaksinën e AstraZenecas, duhet të renditen si efekte të mundshme anësore të vaksinës”, ka thënë shefja ekzekutive e agjencisë, Emer Cooke më 7 prill.

Çfarë shkoi keq?

Hana Xhemajli, eksperte për hulumtime të politikave globale shëndetësore, beson se hapësirë për dezinformata kanë lënë edhe institucionet që janë të thirrura për menaxhim të pandemisë.

“Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), që ka një staf prej rreth 150 personave, qe një vit e pak, ende nuk e kam parë ndonjë hulumtim të mirëfilltë rreth pandemisë. Puna e tyre e vetme është ajo. Ky institucion duhet të merret me hulumtime të numrave rreth pandemisë, të vijë me statistika, të na tregojë informata aktuale, dhe të informojë popullatën tash rreth vaksinimit”.

Edhe Arian Lumezi, gazetar me profesion, beson se shkalla e dezinformatave mund të jetë më rrezikshme tani, sepse tani ka kaluar kohë që jetojmë me këtë virus dhe pak a shumë dihet se cilat masa mbrojtëse funksionojnë.

Ai ka reaguar edhe përmes llogarisë së tij në Facebook lidhur me këtë çështje, duke thënë se shpërndarja e lajmeve të rreme duhet të ndëshkohet si vepër penale.

Lumezi ka folur me tone kritike edhe ndaj disa emisioneve televizive ku tregon se ka dëgjuar informacion të pavërtetë.

“Diskursi i përgjithshëm, debati publik ka degraduar shumë dhe është i bazuar kryesisht në dezinformata. Diçka që dëgjova në një emision ishte se maska nuk mbron nga koronavirusi. Me një kërkim të thjeshtë në internet mund ta kuptojmë se kjo gjë nuk është fare e vërtetë. Unë e konsideroj përhapjen e këtyre dezinformatave, dembeli intelektuale në rastin më të mirë, në rastin më të keq dezinformim dehumanizues, që burimin e ka më shumë te padituria”.

“Kriza institucionale e shtroi rrugën për më shumë dezinformata”

Si Xhemajli, ashtu edhe Lumezi besojnë se krizat institucionale kanë ndikuar që vëmendja e qytetarëve të bartet diku tjetër dhe jo në rreziqet e pandemisë.

Lumezi beson se pikërisht për këtë gjë, bindja e përgjithshme e qytetarëve tani është më e ulët.

“Prej argumenteve kryesore që mund t’i dëgjosh nga njerëzit, të cilët e kundërshtojnë vendimin e qeverisë për mbyllje, është që politikanët vetë kanë marrë pjesë nëpër fushata. Ata duhet të japin shembuj praktikë, të udhëheqin sipas shembullit”.

Xhemajli ka thënë se ndryshimet e mëdha të zyrtarëve të krye të institucioneve, ka nënkuptuar se nuk ka pasur stabilitet as në shpërndarje të informatave siç duhet.

“Kosova, gjatë këtyre 13 muajve të pandemisë, në shumicën e rasteve, nuk e ka menaxhuar pandeminë, por ka reaguar ndaj pandemisë. Kemi pasur shumë peripeci me rrëzim të qeverive, zgjedhje, me rregulla të ndryshme varësisht prej qeverive, prandaj gjithë këtë periudhë unë kam parë përzierje të politikave shëndetësore, të cilat në shumicën e kohës nuk janë artikuluar në mënyrën më të duhur”, ka thënë ajo.

Çfarë duhet bërë?

Me qëllim të luftimit të këtyre informacioneve të rreme, Hana Xhemajli beson se Qeveria e re e Kosovës duhet të nisë sa më parë një fushatë sensibilizuese rreth vaksinimit në Kosovë.

“Çfarë pres konkretisht nga IKSHKP-ja dhe Ministria e Shëndetësisë është një fushatë solide rreth pyetjeve dhe përgjigjjeve që i ka popullata, e cila mund të plasohet në secilin rrjet social, në secilin televizion, që nëse nuk e marrin vaksinën, e cila është e testuar dhe është e sigurt, atëherë ne do të kemi probleme që të dalim prej këtyre masave kufizuese”.

Arian Lumezi beson se edhe mediat duhet ta luajnë rolin e tyre në këtë mes.

“Përveç qeverisë, edhe mediat kanë jashtëzakonisht shumë përgjegjësi në vetëdijesim. Nuk po them që mediat të kthehen në mjet të ndërgjegjësimit të njerëzve, por së paku të mos bëhen mjet në dezinformim”.

Dren Gërguri vlerëson se secili qytetar duhet të përpiqet të verifikojë edhe vetë çdo informacion.

“Në epokën në të cilën ne jetojmë, secili qytetar duhet ta ketë sensin e gazetarit. Pra, që çdo informacion që e merr ta verifikojë së pari”.

Për verifikim, ai propozon ngritjen e tri pyetjeve:

  • A është i besueshëm burimi i informacionit?
  • A është raportuar ky lajm edhe në ndonjë media tjetër?
  • A mbështetet në burime zyrtare?

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë bashkë 132 vende anëtare në nënshkrimin e deklaratës rreth rreziqeve të infodemisë për koronavirusin.

Në të thuhet se prej shpërthimit të koronavirusit dhe shpallës së pandemisë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, zyrtarë të lartë në Kombet e Bashkuara dhe institucionet e saj, kanë tërhequr vërejtjen për sfidën e infodemisë apo keqinformimit dhe dezinformimit për pandeminë.

Guterres madje ka thënë se “me përhapjen të COVID-19, është nisur një cunami i keqinformimit, urrejtjes, skandaleve dhe frikësimit”.

Filed Under: Analiza Tagged With: dezinformimi, Krenare Cubolli, Vaksina

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT