…Këtu të gjithë ndjehemi të kërcënuar, këtu secili prej nesh potencialisht është një kufomë e masakruar në rrugë, a në një nga kafenetë e panumërta që e kanë mbushur kryeqytetin e parazitizmit, ndërkohë që politikanët i bien defit duke thirrur zëçjerrë si kasnecë mesjetarë sikur gjoja jetojmë në një epokë të ndritur dhe të jetosh edhe si skllav në këtë vend ku sundojnë ata na qënka një lumturi e madhe./
Nga KOLEC TRABOINI/
Nuk mendoj se ka alibi në krim, nuk mendoj se një krim i përbindshëm mund të kthehet në një melodramë familjare. Është krejt e kote çdo përpjekje për ta manipuluar situatën, për tia zbutur egërsinë me të cilën u shfaq dhe për të mjegulluar shkaktarët e vërtetë. Kur kryhet një krim në asnjë rast nuk është fajtor veç krimineli por edhe ata që ndihmuan sadopak për të qënë kriminel dhe ata të tjerët që në vend ta parandalojnë krimin e stimuluan, dhe vetë ata që me zell në dëshirën e informimit a qëllime të tjera na i sjellin fytyrat e kriminelëve përditë e përnatë në ekran apo në faqet e gazetave duke e bërë portretizimin e Shqipërisë si fytyra më e zezë e krimit në Europë. Kudo ndodhin krime por kriminelit nuk i lihet aq shumë vend sa të thuash që në sytë e të rinjëve shqiptarë të duket si trim, si një personazh me doza heroizmi. Kjo shoqëri e sëmurë ka një faj të madh, se lejon politikën të los edhe kartën e krimit në manovrat e saj për të siguruar pushtet. Këtu politika los me kufoma. Ja përplasin kufomat njëri –tjetrit por vrasësit nuk dënohen. Edhe kur dalin të flasin politikanët tanë, kjo është karta më e fortë me të cilën përpiqen të përballojnë kundërshtarin, çfarë të çon në mendimin se pak gjasa ka ky vend të bjerë ndonjëherë në qetësi. Këtu dëgjon edhe mynzyra të tilla, ku media ndikuar nga politika të jep edhe prognozën, që krimineli që ka vrarë 5 vjetë mund të dënohet nga 20 vjet deri në burgim të përjetshëm. Natyrisht nuk kanë se çfarë të thonë tjetër kur kanë dëgjuar kryeministrin të thotë se ai krimineli që ka vrarë 5 njerëz, “e ka të gjatë rrugën ë kthimit në shtëpi”. Më të vërtetë të vesh duart në kokë sepse i lihet shteg një krimineli që ka vrarë 5 njerëz të kthehet sërish në shtëpi, dhe…që të profanojmë edhe ne si qytetarë-qyqarë të dështuar të këtij vendi, të kthehet krimineli të vrasë edhe 50 shqiptarë të tjerë. Na ruaj Zot prej kësaj mendësie. Sepse ai kriminel edhe për një njeri të kishte vrarë në krim të përsëritur, duhej ti jepeshin dy dënime me burgim të përjetshëm dhe pa asnjë të drejtë apelimi për uljen e dënimit. E kjo duhej bërë sepse krimi në Shqipëri ka marrë dhenë. Këtu krimineli nuk ka frikë as shtetin, as policinë, as popullin, këtu krimineli është në pushtet të plotfuqishëm dhe meqë ka edhe para mund të ngjitet lirisht nëpër shkallët e politikës dhe të shtetit. Të gjithë bëjnë sikur nuk dinë por populli flet se jo më votat por edhe vendet e deputetëve në Parlament shitën dhe pazari shkon deri në 400 mijë dollarë. Shkoni në popull e flisni me njerëzit e thjeshtë, ata që votojnë dhe të cilët i mallkoni nëse e shesin votën për një çap bukë. Ata janë e vërteta juaj lakuriq e jo gazetat e televizionet që të shfaqen si prostituta ideologjike. Këtu ligjet mbi krimet duhen ashpërsuar e jo zbutur në pamundësi për të vënë dënimin me vdekje. Po kush të dëgjon? Po si qenka o marrokët mediatikë të vendit tim, o prokurorë të çoroditur, o gjykatës të korruptuar deri në palcë dhe laskandraqë të politikës, që për 5 njerëz të vrarë të dënohesh me 20 vjet burg. Po më krijohet përshtypja se Shqipëria është kthyer në një çmendinë dhe qytetarët e thjeshtë i kanë kthyer në Guinplenë, u kanë prerë buzët dhe duket sikur qeshin. Kjo është një çmenduri kolektive, jo thjeshtë një fjalë por një realitet absurd i postdiktaturës të mikluar si demokraci. Këtu burgosen për energji të papaguar a përdorur në mënyrë të paligjëshme, ndërsa guvernatorin e vjedhjes së miliona dollarëve fare thjeshtë me një paraqitje. Çfarë Gjykate e Lartë është kjo a më thoni. Pse është e kujt i duhet. Kryekreje kujt i shërben? Se veç populli jo, kurrë. Ky është një shtet me mentalitet shtetarësh mesjetar. Një shtet marrok ku politika loz funksionin e impulsimit të çmëndurisë ndërsa ata që vinë në pushtet vetkastrohen në tru të vogël, jetojnë në delire, bëjnë dasma nëpër kështjella si princër e mbretër, udhëtojnë nëpër botë me parat e popullit që varfërohet përditë. Këtu njerëzit sapo vinë në pushtet bëhen sofistë të pandreqshëm, përpiqen tu mbushin mendjen qytetarëve se e zeza është e bardhë, por atyre gabueshëm u duket e zezë, se çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet, por ju do të paguani më shumë, se ne si shtet nuk do t’ju përgjojmë telefonat, por do t’ju ndjekim hap pas hapi, ku të jeni e ku të mos jeni me celular. O Zot, çfarë psikologji ordinere që as në Afrikën Qendrore nuk shkojnë më, ndërsa në Europë jo që jo. Dhe na thonë se i kanë bërë shkollat jashtë, por mësimet ama i paskan marrë së prapthi. Edhe kjo masakër e 4 nëntorit 2014 u kthye në melodramë kombëtare për tragjedinë e nënës së një vrasësi të pesëfishtë në vend të vrasim mendjen e ti biem kambanave të alarmit së pari për 4 të vdekur në pak minuta, por edhe se këtu të gjithë ndjehemi të kërcënuar, këtu secili prej nesh potencialisht është një kufomë e masakruar në rrugë, a në një nga kafenetë e panumërta që e kanë mbushur kryeqytetin e parazitizmit, ndërkohë që politikanët i bien defit duke thirrur zëçjerrë si kasnecë mesjetarë sikur gjoja jetojmë në një epokë të ndritur dhe të jetosh edhe si skllav në këtë vend ku sundojnë ata na qënka një lumturi e madhe.