Shkruan: Adil FETAHU/
Fundi i marsit të këtij viti, qoftë edhe fundi i turpshëm i Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi (ICTY), me aktgjykimin skandaloz për shpalljen e pajfasisë dhe lirimin e kriminelit të terbuar serb Vojisllav Sheshel, të cilin aktakuza e ngarkonte me së paku 9 vepra penale, krime të rënda: 3 krime kundër njerëzimit dhe 6 krime të luftës. Aktakuza e ngarkonte Sheshelin me veprat kriminale: përndjekje dhe krim kundër njerëzimit; shkelje e zakoneve të luftës; mundim dhe shkelje të ligjit; sjellje të vrazhdë; përzënien si krim kundër njerëimit; sjellje jonjerëzore dhe zhvendosje të dhunshme të popullsisë joserbe; shkatërrime të paskrupullta; shkatërrime të qëllimshme të institucioneve; dhe plaçkitje të pasurisë publike dhe private.
Me aktgjykimin, të cilin ai Tribunal e shpalli më 31 mars 2016, me 2/3 e votive, dhe arsyetimin që dha kryetari i kolegjit gjyqësor, francezi Jean Claude Antonetti, i kumtoi Sheshelit, i cili në stilin e tij të sjelljes arrogante ndaj Tribunalit gjatë gjithë kohës së qëndrimit në paraburgim dhe gjatë procesit të gjykimit e injoronte dhe shante Tribunalin dhe vet gjyqtarët, e që i liruar përkohëssisht nga paraburgimi gjoja për shkaqe humanitare-shëndetësore, as nuk denjoi ta dëgjojë e shikojë përms linkut shpalljen e aktgjykimit,- gjyqtari Antonetti kumtoi se Shesheli nuk është fajtor dhe lirohet nga çdo pikë e aktakuzës, dhe ndërpritet paraburgimi kundër tij (ndonëse Shesheli nuk ishte në paraburgim dhe ishte betuar se nuk do të kthehej më në Hagë!).
Në arsyetimin e shkurtër të aktgjykimit lirues, gjyqtari Antonetti dha shpjegime të cilat shkonin përtej argumenteve juridike e provave të vërtetuara, dhe dilnin në sferën e politikës dhe shfajësimin e njëanshëm të kriminelit Sheshel dhe kriminelëve tjerë të bashkuar në ndërmarrjen e përbashkët të krimit.
Rekrutimin, organizimin, indoktrinimin, nxitjen dhe dërgimin në luftë të paramilitarëve të partive dhe grupacioneve të ndryshme, ndër të cilët edhe çetnikët e Sheshelit si grupacioni më i madh, gjyqari Antonetti e arsyetoi me faktin, se Kushtetuta e RSFJ-së, në kontekst të luftës, lejonte rekrutimin e vullnetarëve, dhe se ata vullnetarë i janë bashkangjitur mbrojtjes territoriale dhe hierarkisë ushtarake të Ushtrisë Jugosllave, ku Shesheli as nuk ka pasur rol komandues, as nuk ka qenë epror dhe as nuk ka pasur kurrëfar ndikimi në luftimet e zhvilluara në terren. Sipas gjyqtarit Antonetti, prokurori nuk ka mund të ofrojë prova të pamëdyshje, se ka pasur sulme sistematike mbi popullsinë civile në Kroaci e Bosnje. Ka ekzistuar konflikti i armatosur midis dy palëve, ndërsa civilët kanë ikur nga rajoni i konfliktit, kurse bartja (transporti) i tyre me autobusë ka pasur karakter humanitar, konkludon kryetari i trupit gjykues (!) Sa i përket ndjekjes së Kroatëve nga Vojvodina (Hërtkovci), gjyqtari Antonetti e shfajson kriminelin Sheshel, pasi atje nuk kishte konflikt të armatosur ushtarak as që ka pasur lidhje me konfliktet e tjera, dhe se banorët e Hërtkovcit nuk kanë qenë të përndjekur, veçse kanë kërkuar strehim për motive personale, prandaj Shesheli nuk ësht fajtor për ikjen e tyre. Duke u ndërlidhur me akuzën që i bënte prokurori dhe rolin e Sheshelit në projektin për Serbinë e Madhe, gjyqtari Antonetti thotë se ai është projekt politik, e jo projekt kriminal (!). Marrëveshja midis Millosheviqit e Sheshelit ka qenë ruajtja e Jugosllavisë, ose e territoreve tradicionalisht serbe, dhe kjo nuk ishte ndërmarrje e përbashkët kriminale, vlerëson Antonetti. Roli i Sheshelit në pastrimet etnike dhe shpalljen e autonomisë së territoreve me shumicë serbe në Kroaci e Bosnje, sipas vlerësimit të gjyqtarit Antonetti, nuk ishte me qëllime kriminale. Dërgimi i vullnetarëve atje, nuk është krim, veçse dëshirë për të mbrojtur serbët.
Nga arsyetimet e tilla, fitohet përshtypja se gjyqtari Antonetti ishte përqëndruar në mbrojtjen e krimeve dhe të kriminelit Sheshel, ma tepër se vet Shesheli dhe Serbia!
Gjyqtarja italiane Flavia Latanzi – zëri i ndërgjegjës nga trupi gjykues
Në trupin gjykues që ka zhvilluar procesin gjyqësor kundër kriminelit Sheshel, ishin tre gjyqtarë: Jean Claude Antonetti (nga Franca), Mandiaye Niang (nga Senegali), dhe Flavie Lattanzi (nga Italia). Kryetar i trupit gjykues ishte francezi Antonetti, i cili gjatë gjithë procesit dhe në fund të tij, lujati rolin skandaloz. Gjyqtari Antonetti nuk ka qenë ndonjë autoritet i njohur në fushën e drejtësisë në vendin e vet. Për gjyqtarin Niang, nga Senegali, mund të thuhet se “ai nuk përzihet në punët e veta”, vetëmse detyrën e gjyqtarit në Tribunalin e Hagës e ka si parajsë i kësaj bote. I vetmi zë i ndërgjegjës, dhe një pikë e ndritshme në errësirën e drejtësisë së këtij rasti, ishte gjyqtarja e denjë italiane, Flavia Lattanzi, gjyqtare me pedigre profesionale e profesoreshë e të drejtës ndërkombëtare në disa universitete të Italisë. Gjyqtarja Lattanzi ishte gjyqtare ad-hoc, e angazhuar në rastin konkret. Përveç një pike të aktakuzës (atë për plaçkitjen e pasurisë publike dhe private), gjyqtarja Lattanzi e kishte ndarë mendimin nga dy anëtarët e tjerë të kolegjit gjyqësor për të gjitha pikat e tjera, duke konsideruar se Shesheli për të gjitha ato ishte fajtor dhe mbanë përgjegjësi penale.
Në praktikën gjyqësore në përgjithësi, dhe në praktikën e Tribunalit të Hagës në veçanti, gjyqtari që ndanë mendimin nga kolegët e tjerë, jep opinion e vet me shkrim, për arsyet dhe argumentet e veçimit. Mendimi i tillë paraqet pjesë përbëarëse të aktgjykimit, që mbetet në shkresat e lëndës dhe u jepet palëve dhe komunikohet në mjetet e informimit kur raportojnë për rastin. Gjyqtarja Lattanzi vetëm në një pikë, nga 9 pikat e aktakuzës, ishte pajtuar me mendimin e kolegëve sa i përket pafajsisë së Sheshelit; pikën që e akuzonte për plaçkitje, që nuk ishte argumentuar e vërtetuar me prova të sigurta. Për të gjitha pikat e tjera të aktakuzës, gjyqtarja Lattanzi kishte mendimin se janë argumentuar me prova e dëshmi, dhe se për to Shesheli duheh të gjykohej. Ja arsyetimi i shkurtër i mendimit të ndarë të gjyqtaret Lattanzi.
Ata (fjalën e ka për dy kolegët e tjerë të trupit gjykues) nuk kishin marrë parasysh faktin, se Sheshli I kishte kërcënuar dhe frikësuar dëshmitarët brënda Gjykatës, kurse bashkëpunëtort e tij këtë e kishin bërë jashtë Gjykatës. Ato kërcënime e frikësime kanë bërë efekt, që disa dëshmitarë i kanë ndryshuar ose tëherqur krejtësisht dëshmitë e tyre. Nga ana tjetër, kolegji nuk ka dhënë arsyetimet e duhura në aktgjykim, por më tepër ka dhënë arsye të cilat shkojnë në favor të lirimit të Sheshelit nga përgjegjësia, siç ishte e drejta kushtetuese jugosllave e luftës për mbrojtjen e Jugosllavisë. Sipas mendimit të veçuar të gjyqtares Lattanzi, kishte mjaft prova, se në Kroaci dhe në BeH janë kryer sulme sistematike të hapura, në të cilat janë kryer krime kundër njerëzimit dhe se ato ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale, për t’i detyruar joserbët të lëshojnë pjesë të territorit të Jugosllavisë. Kishte mjaft prova se Shesheli ka nxitë krimet përmes fjalimeve me retorikë luftënxitëse. Por, në aktgjykimin e kolegjit nuk janë shpjeguar arsyetimet për faktet dhe arsyet juridike të konkludimit të shumicës së anëtarëve të kolegjit. Nuk janë marrë parasysh të gjitha provat që ka ofruar prokuroria në tërësinë e tyre, por me vetëdije janë koncentruar në disa prova më të pakta të mbrojtjes. Kështu, kolegji gjyqësor ka zbatuar kritere të cilat nuk i parasheh praktika e Gjykatës Ndërkombëtare. Shumica e anëtarëve ka marrë si rrethanë lehtësuese për të akuzuarin konekstin e “luftës së drejtë” për për mbrojtjen e Jugosllavisë dhe mbrojtjen e interesave serbe. Por, kompetenca e Gjykatës Ndërkombëtare duhet të përkufizohej e koncentrohej në vërtetimin, se a janë kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, dhe sa ka përgjegjësi i akuzuar për ato krime. Unë jam bindur se në shkresat e lëndës ka prova e dëshmi të mjaftueshme për të konkluduar se në Kroaci dhe BeH janë kryer krime kundër njerëzimit dhe se ka ekzistuar ndëmarrja e përbashkët kriminale, në të cilën ka marrë pjesë aktive Vojisllav Shesheli, bahkë me forcat e tjera serbe, dhe se qëllimi i asaj ndërmarje të përbashkët kriminale ka qenë që, përmes krimeve, të detyrohet popullsia joserbe të lëshojë pjesë të caktuara të territoreve të ish-Jugosllavisë. Për rolin e Shesheli në kryerjen fizike të veprave penale, janë plotësuar kushtet që atij t’i shqiptohet aktgjykimi dënues, e jo lirues, ka shkruar në mendimin e saj të veçuar gjyqtarja Lattanzi.
Shesheli vet i ka caktuar se në cilat vende e fushëbeteja do shkojnë vullnetarët të cilët ai i ka rekrutuar, përgatitur, indoktrinuar e nxitur dhe i ka vizituar disa herë në terren, duke ua kujtuar detyrat e pastrimit etnik, duke i motivuar moralisht e materialisht ata dhe familjet e tyre. Ata Sheshelin e kanë konsideruar si udhëheqës dhe komandant suprem të tyre. Fakti se vullnetarët e Sheshelit janë përfshirë e vu nën kierarkinë dhe komandën e forcave të armatosura, është vetëm edhe një element dhe argument shtesë për përgjegjësinë e Sheshelit në kontekstin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, së bashku me të tjerët, për të arritur qëllimin e spastrimit etnik, konkludon gjyqtarja Lattanzi.
Kur e lexova aktgjykimin e shumicës së anëtarëve të Trupit Gjykues, mu bë sikur u ktheva për shumë shekuj prapa, në kohë të hershme të historisë së njerëzimit, kur Romakët, për të arsyetuar pushtimet e tyre të përgjakshme dhe vrasjet e armiqve të tyre politik në luftërat civile, thoshin: “Silen enim legel inter arma” (Në luftë, ligjet heshin), përfundon gjyqtarja Lattanzi, mendimin e vet të veçuar nga mendimi i dy kolegëve tjerë në procesin gjyqësor kundër kriminelit Sheshel.
Po të ketë njeri i interesuar dhe i përgatitur mirë profsinalisht,, duke hulumtuar tërë procesin gjyqësor kundër kriminelit Sheshel, dhe vendimi sklandaloz i Trupit gjykues për lirimin e tij, do të mund të nxirrte një libër të mirë për anën e errët të gjykimeve të atij Tribunali, që nuk është vetëm ky rast, por edhe shumë raste tjera.