• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT, I FTUAR: KRISTAQ TURTULLI

August 1, 2013 by dgreca

POEMTH PËR LYPSARIN/
Atje…/

Anës lulishtes dhe rrugës së madhe/

Gjendet një stol i thjeshtë dërrase,/

Atje…/

I tund era dhe varen degët e shelgjeve lotuese./

Atje…/

Jetonte një njeri./
Çdo mëngjes lahej duke psherëtirë me një bulës vese,/

Që lëvizte në kah drite./

Kravatën e me ngjyra shkundte,

nyje e lidhte,

Pastaj ngadalë, me ceremoni krihej,

me krehrin delikat të rezeve mëngjesore.

 

Nuk kish emër, e thërrisnin lypsari.

Stinët për atë njeri

ishin mure,

ndërsa qielli ish çati.
Dimri gjëmonte, s’kish kohë të mendonte,

Se në një cep rruge, ish një njeri që flinte

E shkundte dhe i dërgonte dëborë, erë dhe shi.
Me hipokrizi kartolina Vit të Ri i jepte.

Me tallje prapë ia merrte.

Fshinte paçavuret e ditëve.

E vështronte me kokëfortësi,

Si të thoshte: Prapë këtu je ti!

Në këtë stol të thjeshtë dërrase?!

Emrin nuk ka nevojë ta di; Je ai Lypsari.

Të cilit mbi qerpikë i qëndronte loti.

I ngrirë.

Por përsëri në agun e mëngjesit ngrihej nga supet dëborën shkundte

dhe lidhte kravatën me  ngjyra, si ëndrra që kishte.

E natë e ditë pëshpëriste,

duke u dredhur, një këngë për lypësit, por se linin ta thoshte.

‘Jepuni të tjerëve që lypin dritë dhe jetë.

Sikur mua më keni dhenë…’

 

Pranvera naive nuk e dëgjonte, ish marrosur me vete,

Por nuk harronte të hidhte në atë stol, ku ish një njeri,

Një pëllëmbë fllad dhe një grusht petale,

Që ta dehte.

Lozonjarja kish shumë dashnorë hamshorë,

prandaj s’mund të ngrohte…

Një njeri me kravatë të kaltër që lypte.

Dhe me naivitet thoshte:

‘Jepuni të tjerëve që lypin dritë dhe jetë.

Sikur mua më keni dhenë…’

 

Vera gjoksmadhe, faqekuqe, bukuroshe

në netët shkëlqimtare

Nuk çante kryet për hollësira.

Me zemërgjerësi e mbështillte,

e çlodhte.
Nën kuvertën e yjeve,

i këndonte rrëzë veshit këngën e prostitutave.

I varte në gjoks si medaljon një hënë të zbehtë

dhe me paturpësi

kur se kish mendjen, ia ngjishte buzët, me epsh e puthte.
Vjeshta finoke, e ngopur me vajtje ardhje,

dhe dashuri të konsumuara,

femër e vjetër, e pjellë, vithedalë
E mashtronte me fjalë boshe,

pastaj e mbulonte me fletë të arta,
Së bashku pëshpëritnin plot gjera të harruara,
Të braktisura, të lëna diku, ku nuk hyn as drita.

Në atë stol të thjeshte dërrase.

Ndërsa hëna qe mbështjellë me pece të vjetra.
Në atë stol,
Anës lulishtes dhe rrugës së madhe.
Njeriu i pastrehë,

Përsëri lahej dhe krihej në vesën mëngjesore,

Me ceremoni lidhte kravatën me ngjyrat e ylberit,

I buzëqeshte rrezes së dritës
dhe ngrohej tek rrekëza e shpresës.

‘Jepuni të tjerëve që lypin dritë dhe jetë.

Sikur mua më keni dhenë…’

 

Por stinët e braktisën një natë,

U lodhën me të.

Nuk kishin kohë.

Lypsar je dhe u qan hallin të tjerëve!

Dhe qielli ish mbushur me re.

Nuk kish yje dhe hënë.

Të gjithë ishin të preokupuar me ballon e madhe.

E lanë pa kthim, vetëm.

Njeriu pa shtëpi,

Pa fjalë, pa mërzi.

Me kujdes palosi

Kravatën me ngjyra të ylberit,

Nuk e lidhi nyje,

Nuk kish kush ta zgjidhte.

Si jastëk e vuri

nën kokë,

Dhe iku në heshtje, si të tjerët me erën.

Përsëri tha:‘Jepuni të tjerëve që lypin dritë dhe jetë.

Sikur mua më keni dhenë…’

Dërrasat e lagështa u drodhën, mërdhinë

Atje. Në atë stol të thjeshtë.

Anës lulishtes dhe rrugës së madhe…
Atje, në atë stol jetonte një njeri.
Dikush me pendesë një trëndafil vendosi
A ndoshta e flaku rastësisht aty.
Eh, aty,
Në atë stol të thjeshtë prej dërrase,

Midis lulishtes dhe rrugës së madhe….

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Kristaq Turtulli, Poemth per Lypsarin

KRISTAQ TURTULLI NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

July 26, 2013 by dgreca

KRISTAQ TURTULLI/

Poemth për prindërit/

U tërhoq dielli në heshtje, pa vështruar përqark/
I nervozuar,/
i fyer, /
I thanë të ka skaduar leja e hyrjes,/
për të dhenë dritë./

Hëna verdhashe, tinëzare,/
Prostituta kusare,/

shndërruar në drapër, donte të priste qiellin në mijëra pjesë./

Të shkurtonte dhe të krasiste yjet,
Ti bënte të shëmtuar, kataroshë
qerosë,
lapangjozë…

Katarakti i ëndrrës ngriu, ngeli e varur në   kujtesë,
si një relikt e vjetër e shpërdoruar.
Nuk mundën të shkëndijonin më gurët e kalldrëmeve të shpresës.
Ishte bërë natë…

Hija e gjatë e babait, luhatej, përkulej,
e lodhur,  e munduar,
Në rrugët e rrugicat e kalldrëmta të qytetit zbriste, ngjitej.
Shumë vendlindjen e donte,
I dha gjithçka dhe për vete asgjë s’kërkonte.

Mbarte natë e ditë si Ante,
Pallton e vjetër, gri, të reve,
të halleve,
të persekutimeve.
Rrëkeja e djersës së babait  pikëlonte në kalldrëme,
së bashku me pengun e pathënë,
dritën e paparë,
shpresën e vrarë.

Qyteti memec,

Në shkallët e padijes u ngec.

Nuk çau më kryet për ata që i dhanë dritë dhe krenari.

I nëpërkëmbi, i mohoi, i tradhtoi.

I zymtë si nata,

U mbështoll me pelerinën e mërisë.

Gjuhë tharë, sy dalë,

Zemër vrarë.

 

U verbua pa lindur ëndrra.
Fëmija shtatanik belbëzoi disa fjalë,

Dhe u ndot në pelena.

Syve të qytetit iu shurdhua kujtesa.
Dyer dhe dritare u veshën me sklepa.
E shumë vuajtura,

Fisnikja,

Flokë argjenda,
E pamposhtura

Nëna ime.

Me rëkëtinën e zemrës ardhjen e babait, ndjente.

Në këmbë brofte.
Përgjonte, të mos dilnin zvarranikët prej skutave.

Me lot lante pastronte gurët e kalldrëmeve,

për të përzënë hijet e natës,
Gjarpërinjtë e ligësinë,

Vrerët e poshtërsinë.
Përpara se të vinte dhe të shkelte në kalldrëme:
I dashuri.

I heshturi,
i ndershmi,
i vuajturi,
Babai.

Nëna e donte buzëqeshjen,
dritën e diellit, gazmendin e çiltër,
të gjitha i donte.
Sepse ish grua dhe nënë.

Por ato ishin larg, dhunshëm u ndërprenë,
Qysh kur fyen, nervozuan diellin, kur i thanë:
Hej ti bubuzhel, karikaturë e kotë, ku shkon, ndalo aty!

Nuk e kupton, të ka skaduar leja  hyrjes.
Nuk na duhesh më, shko, gremisu. Të tjerë diej do krijojmë.

Të ndriçojnë dhe të ngrohin kur duam ne dhe jo kur do ti vetë.
Nëna gjithnjë, si nënë.
Hapte zemrën, shtrinte krahët, zgjidhte shaminë.
Diellin ftonte. E thërriste ta dëgjonte:

O Diell, o bir! Flakte mërzinë.
Ç’mund të bëjë një botë pa dritë.

Njerëzit janë çiliminj të prapë, nuk dinë seç bëjnë.
Më dëgjon  o diell po të flet një nënë!

Të lutem fali. Pendohen të gjorët atëherë kur është vonë.

 

Dielli dëgjonte dhe përtypte në heshtje mërinë.
Shtyhej në qiell, ngucej mes yjeve.

Heshtje.
Shpejtonte nëna të mblidhte xixëllonjat e fshehura nëpër hatulla.
Për të krijuar rrëkenë e vogël të dritës.
Jo për vete, po për të tjerë.

Palltoja e gjatë, gri e halleve,
Lëvizte nëpër terr rrugicave.

Ajo pallto e vjetër, nuk kishte vetëm babanë nën vete.
Por gjithë botën e madhe.

Kërkonin, nxitonin duart e nënës, dridheshin,
Xixëllonjat tentonin të iknin, të shkisnin, zhurmonin,
Ankoheshin me potere,

Na lësho, moj nëne. Kur iku dielli, na lër të ikim dhe ne.

Nëna s’ dëgjonte, nxitonte, mblodhi disa shkëndijëza,
Oshtinin hapat e babait mbi kalldrëme,
Hijet, rrëketë, dashakeqësitë, skërmiteshin, i vinin stërkëmbësa.

kërkonin ta ndalnin, ta gjunjëzonin në rrugë.

 

Një lot drite afronte që atje tutje.

I dashuri,

I heshturi,

I vuajturi,

I ndershmi.

Njeriu. Ish në prag të shtëpisë.

Duart e nënës përvëlonin, digjeshin.

 

I shtriu Nëna krahët përpara, hapi gishtërinjtë,
hodhi mbi të dashurin të voglat dritëza.
Hijet u gjunjëzuan rënë përdhe.

Qyteti si plak grindavec gërmuqej dhe teshtinte.

Nëna vetëtimthi shikimin derdhi mbi mua, duke thënë:
Vocërrak, mos u huto, vrapo,

mbas rrëkesë së dritës,
të gjesh lumin e shpresës
jetës….
Vrapo biro,

Pas teje le të vijnë të tjerë…

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Kristaq Turtulli, ne sofren poetike, Poemth per prinderit, te Diellit

ZOTI NUK ËSHTË QENDRA E FRIKËS POR BURIMI I DASHURISË

July 6, 2013 by dgreca

Mendime për librin autobiografik të profesor Sami Repishti” NË HIJEN E ROZAFËS”/

Nga KRISTAQ TURTULLI/

Shumë kush nga ne ka dëgjuar dhe lexuar mjaft për intelektualizmin dhe patriotizmin shkodran, të klerit katolik, mysliman dhe ortodoks. Sido që fqinjët tanë tradicionalë dhe pushtuesit, u përpoqën që tre fetë ti përdornin si pisha për të ndezur zjarre dhe përvëluar Shqipërinë. Këto tre fe kanë qene në shekuj në harmoni të mrekullueshme, si kudo në Shqipëri edhe në Shkodër.

Kemi lexuar dhe admiruar heroizmin e pashembullt të malësisë shqiptare që mbrojtën me thonj dhe gjak gjuhën, traditën, besën dhe fisnikërinë e lavdërueshme si rrallë në botë. Shumë kombe dhe popuj edhe pse kanë qenë shumë më të mëdhenj se populli shqiptar, në popullsi dhe hapësirë territoriale janë asimiluar, zhdukur, sikur nuk kanë ekzistuar kurrë, përgjatë tallazeve të pushtimeve, luftërave dhe shfarosjeve. Ne mbijetuam, e ruajtëm gjuhën, zakonet dhe traditat e respektuara si rrallë kush. Jo vetëm kaq, por bijtë më të mirë të mërguar, mbajtëm në këmbë, çliruan dhe udhëhoqën drejt civilizimit popuj e kombe të tjera. Ne shpërndamë dije dhe përparim, fqinjët tanë si lubi donin të na zhduknin, kur nuk mundën, na morën si hakmarrje, si shpagim; legjendat, gojëdhënat, doket, zakonet tona, deri sot e gjithë ditën.

Klerikë të ndershëm të arsimuar, të përkushtuar ndaj Zotit, drejtësisë dhe atdhedashurisë. Personalitete të mendimit dhe të përparimit. Heronj të heshtur, të pajisur me kulturë perëndimore dhe civilizim. Kolosë të mendimit intelektual: Qysh me të madhin Marin Barleti, i cili i përshkroi me madhështi dhe patriotizëm heroizmin e Skënderbeut dhe qëndresës së popullit shqiptar, kundër hordhisë turke, perandorisë më të madhe të kohës. Pal Engjellin, me formulën e pagëzimit, i dha besim dhe shpresë çdo familje shqiptari, ti jepte frymë jete dhe besimi fëmijës dhe të vazhdonte qëndresën. Burimorin, origjinalin Gjon Buzuku, ‘Meshari’ i tij qëndron në majë të malit si pishtar ndriçues në memorien dhe admirimin tonë. Pjetër Bardhin, Pjetër Bogdanin, Ndre Mjeda. Gjeniun, akademikun, epikun e madhërishëm Patër Gjergj Fishta. Patër Antoni Arapi. Patër Ndue. Patër Gjonin dhe plot të tjerë. Të gjithë këta kanë qenë patriotë të mëdhenj, shkrimtarë të shkëlqyer, historianë, kronikanë, lëvrues të gjuhës së bukur shqipe, pishtarë dhe fanarë të përparimit dhe mendimit shqiptar.

Shumë kush nga ne ka dëgjuar dhe lexuar mjaft për intelektualizmin dhe qytetarizmin shkodran. Të malësisë dhe të klerit, rezistencën shpirtërore kundër komunizmit. Shkodra, ky qytet e lashtë me tradita të merituara, qëndresë e hershme e identitetit iliro- shqiptar. Shkodra, vatër e zjarrtë e demokracisë dhe progresit Shqiptar.

Qysh në fillim të ardhjes së komunistëve në pushtet u munduan ta nëpërkëmbnin Shkodrën dhe malësinë. Në kuintat e ndyra u përgatit loja e sigurimit të shtetit,që të nëpërkëmbet Shkodra, në radhë të parë duhet të nëpërkëmbet besimi i saj. Krenaria dhe feja. U gjend menjëherë alibia, duhet të fajësohen klerikët, besimi fetar dhe me pas asgjësuar, sikundër edhe ndodhi. Intelektualët më të shquar, klerikë, u përballën me dinjitet me marrëzinë e kohës dhe nuk u përkulën. Prandaj u martirizuan egër prej komunizmit. Humbën në vite dhe vite neper burgje dhe birucat, u vranë, u pushkatuan, u zhdukën pa nam e nishan. Dhe nuk u përmenden. Ndoshta dikush prej tyre tani vonë fare pak. Dhe jo aq sa e meritonin dhe sa kishin sakrifikuar.

Shumë pak prej tyre, mund ti numërosh me gishtat e dorës, me kosoren dhe lakun në qafë arritën të çanin gardhin e hekurt. Tu shpëtonin plumbave dhe qenve te tërbuar, morën arratinë, shkuan në perëndim. Por me zemër të ndezur prej mallit dhe përkushtimit të pashuar atdhetar.

Një prej tyre është pa dyshim personaliteti, patrioti dhe shqiptari i madh, me kulturë dhe inteligjencë profesor Sami Repishti. Ai ka qenë pjesëmarrës aktiv për të drejtat e popullit Kosovar për vetëvendosje. Akademiku Sami Repishti si rrallë kush ka dëshmuar vazhdimisht, ka ngritur zërin me dinjitet dhe pa u tërhequr përpara Kongresit Amerikan, për të drejtat e shqiptarëve dhe kosovarëve. Ai ka mbajtur lidhje me Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, gjithmonë për çështjen shqiptare. Ka drejtuar Këshillin Kombëtar Shqiptar Amerikan për shumë vite me radhë. Ai ka botuar me qindra artikuj e studime mbi problemet shqiptare dhe te drejtat e njeriut ne shtypin shqiptar dhe te huaj. Sami Repishti është dekoruar disa here nga qeveritë shqiptare dhe amerikane, për merita te shquara dhe për veprimtari patriotike dhe akademike.

Ish profesori i nderuar i Universitetit Adelphi, Sami Repishti tani është në moshën tetëdhjetë e tetë vjeçare. Është një histori e gjallë e dhembjes dhe së vërtetës. Një libër i hapur, dëshmitar okular, për të ndriçuar llambën e së drejtës dhe të së vërtetës. Dhe na tregon se individi i vogël rritet, merr përmasa mbinjerëzore, dhe fisnikërohet nga madhështia e kauzës që i shërben.

Libri me vlera njohëse, përshkruese, informative, shpirtërore dhe edukative për brezat që vijnë: ‘Në hijen e Rozafës.’Përshkruhet qysh në faqen e parë deri në faqen përmbyllëse nga një ndjenjë e fuqishme për vendin, fëmijërinë, Shkodrën fisnike dhe patriotike. Kontradiktat e thella në gjirin e shoqërisë shkodrane, brumosjen e karakterit të tij, e cila i shkaktoi aq mundnim e persekutim. Vuajtjen, mbrojtjen e integritetit kundër vasalitetit jugosllav. Dashuria e pakufishme për nënën, respektin ndaj kujtimit të babait, klerik. Për shokët, miqtë edhe pse i prangosur dhe i torturuar deri në barbari. Në ferrin dantesk, nën presionin e tmerrshëm, si të gjithë të burgosurit e tjerë, viktima të pafaj, atij iu lëkund besimi tek zoti dhe humanizmi. Por përsëri i dalluar dhe i brumosur për karakter të fortë, nuk i humbi këto elemente të rëndësishme. Mbeti njeri, shkollar, intelektual, shqiptar, patriot si rrallë të tjerë.

Sami Repishti midis shumë veprave të botuara me karakter historik dhe librit me tregime:’ Pika loti,’ tregime nga burgu. Në vitin 2004 botoi librin e tij të merituar outobiografik:’ Në hijen e Rozafës.’ Narracion i hollë,dhembje ,mundim, kundërshti, luftë për dinjitet dhe sensibilitet. ‘Në hijen e Rozafës.’nuk është thjesht një libër që tregon jetën e një individi, por është një analizë e thellë e jetës politike dhe shoqërore shqiptare në harkun kohor njëzet e pesë vjeçar, midis viteve tridhjetë deri në mbarim të vitit 1959 të shekullit të kaluar. Në Shqipëri ndodhën ndryshime të mëdha siç ishte pushtimi fashist, lufta e popullit mbarë për rezistencë kundër okupatorit. Lufta civile, vëllavrasja, si dhe ardhja e komunizmit. Mënyra e egër e vendosjen së diktaturës së proletariatit .Intelektualët, patriotët e ndershëm e kuptuan dhe e përjetuan menjëherë, se nuk ish e vërtetë çka thuhej. Komunizmi që po aplikohej në Shqipëri ish një fasadë që do ti sillte popullit veçse mjerim, prandaj e kundërshtuan, u përballën me të dhe u kryqëzuan prej saj.

Si të gjithë të rinjtë dhe Sami Repishti u gjend që në fillim në udhëkryq. Kazani ziente. Ai duhej të merrte një vendim qoftë dhe me rrezikun e jetës. Të bëhej pjesë e rrjedhës të pashmangshme ku kish mbërthye euforia dhe çmenduria. Ta kundërshtonte atë dhe të përpiqej për një mundësi më të mirë? Ai me kthjelltësi dhe ndërgjegje i tha: ‘Jo’ diktaturës dhe morri rrugën që nuk kishte fund, një lundërtar në detin e gjerë, pa brigje. Akti i tij rebel pothuajse e vrau, por e çliroi njëkohësisht shpirtërisht dhe mundësisht.

Sami Repishti paraqitet një figurë komplekse në libër. Ai është dëshmitar okular i jetës në ferrin fashit dhe komunist në Shqipëri. Jo si ‘politikan’,apo ‘personalitet’ i makro politikës shqiptare, por si student dhe i ri, i cili u ndërgjegjësua për rolin e vet, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashuria për atdhe dhe dëshira për liri. Ne ato momente të vështira shohim një djalosh të ri me qëndrim të qartë, besnik i vetvetes, i jetës për të jetuar me dinjitet pa kompromis.

‘Gjatë udhës, thotë autori, takova dhe njoha ma mirë ‘njeriun,’ krijesën fisnike, të etur për liri, të djegur për vëllazërim e njëkohësisht të aftë për të zbritur poshtë, në botën ku mbretëron çnjerëzimi ma i plotë dhe vdekja e frikshme. Në këtë botë të nëntokës përqafova viktimën dhe e doja atë me pasion. Kjo dashuri për njeriun mundi dhe kërcënimin e vdekjes.

Sami Repishti lindi dhe hodhi shtat në hijen e kështjellës tremijë vjeçare së Rozafës. U ushqye dhe u frymëzua prej legjendën e dhimbshme, magjepse dhe e papërsëritëshme: Një murojë madhështore e pathyeshme ndërtuar mbi trupin e njomë të një nuseje, të një nëne që linte djalin jetim nga respekti i padiskutueshëm për besën, mbajtjen e fjalës dhe traditën. Ideja e sakrificës që kërkon jetë njerëzore në formën më të ashpër, ushqeu fantazinë e një populli, që mund dhe vdekjen. Më vonë mbretërit ilirë e kishin mbajtur dhe mbrojtur këtë kështjellë me një legjendë, dashuri nëne, bese dhe krenari si rrallë në botë: Bardhyli. Pleurati. Teuta. Agroni. Deri tek dorëzimi i mbretit Genci, i përcjellë në Romë me pranga floriri.

Në këto histori madhështore flijimesh, përpjekjesh, luftërash, qëndrese të kështjellës së Rozafës dhe qytetit të tij Shkodrës, u brumos karakteri i djaloshit të ri, birit të thjeshtë Sami Rapishti.

Në një pjesë të rëndësishme të librit autori përshkruan me dhimbje dhe revoltë pushtimin vendit prej Italisë fashiste. Si priti dhe e përjetoi populli i vuajtur Shqiptar këtë ditë të zezë. Shkodra si e gjithë Shqipëria ishte në tension e flakë. Trusninë e përjetuan dhe shkollarët, për të cilën e përshkruan dhe jetuar autori me aq patos dhe art. Himni kombëtar këndohej pa pushim. Shqetësim, dhimbje për nënën Shqipëri, gatishmërinë e të gjithëve për të shkuar dhe luftuar me armë kundër pushtuesit. Hija e rëndë e pushtimit. Por qëndrimi i popullit kundër pushtimit nuk u fashit, nuk reshtën demonstratat dhe lëvizjet mazive të organizuara. Si i gjithë populli ai vetë po ashtu dhe familja e tij u përfshinë në këtë lëvizje të madhe për liri dhe përparim.

Sami Repishti si patriot dhe intelektual i formuar, luftoi pa kompromis kundër çnjerëzimit, pavarësisht nga ngjyra.

Pikërisht në këtë lëvizje frontale ai u përfshi me idealizmin për një Shqipëri të vërtetë me vështrim demokratik perëndimor, duke futur brenda të gjitha trojet shqiptare të ndara padrejtësisht nga trungu i nënës Shqipëri. Ai u përball në të njëjtën kohë me komunizmin që ish ushqehej dhe shtyhej prej Jugosllavëve:

‘Me moton shkatërrimtare, o me ne, o kundra nesh.’

Sami Repishti edhe pse shumë i ri, nuk mund të pranonte një shoqëri që premtonte dhunë dhe urrejtje. Një shoqëri që nëpërkëmbte parimet morale, që ishin bazë e një qytetërimin tre mijë vjeçar. Komunistët nuk i kërkonin trojet shqiptare, as nuk e hapnin këtë kapitull. Ata kërkonin luftë pa kompromis kundër të gjithëve, pronës, fesë, duke shkulur nga rrënjët botën e vjetër, me ideologë të mëdhenj Titon dhe Stalinin dhe me militantë të brumosur me urrejtje.

Në kulmin e përfshirjes madhore të lëvizjes për çlirim, në mbledhjen e njësitit. Sami Repishti

ngihet dhe thotë:

‘Unë nuk jam komunist.’

Por ky deklarim burrëror dhe i sinqertë, nuk kaloi pa gjurmë. Pa vonesë ai e kuptoi se tashmë ishte përballë kundërshtarësh, deri tek Lili, vajzën që adhuronte aq shumë. E cila i tha:

‘Meqenëse nuk je i një mendje me ideologjinë komuniste dhe kushdo që nuk e pranon ose kundërshton këtë, është armik që duhet të urrehet dhe të luftohet pa mëshirë.’

Në këtë pështjellim njerëzor autori i thotë vajzës së zemrës:

‘Lili, ke humbur çka është fisnike tek ti, ke humbur çka është e jotja dhe vetëm e jotja…’

Sa bukur, sa njerëzore, sa e madhërishme. Samiu e kuptoi qysh në fillim zvetënimin e personalitetit të njeriut dhe ia tha me forcë dhe sinqeritet të dashurës së tij.

Interesant është gjithashtu debati me të kushëririn komunist. Ata kishin bindje të kundërta. Kushëriri kërkonte ndryshim dhe dhunë pa kompromis. Samiu i thoshte për tolerancë dhe mirëkuptim në interes të vendit. Në fund u ndanë të indinjuar me njëri tjetrin. Shikimi i kushëririt ishte tmerrshëm. Por vetëm dy ditë më vonë, nën errësirën e natës, kushëriri u hyri në shtëpi me hap të shpejtë dhe u tha:

‘Policia fashiste më ndjek. A mund ta kaloj natën këtu tek ju?’

I ati i Samiut, hoxha Hafis Ibrahim Repishti e pranoi pa hezitim në shtëpi edhe pse e dinte që komunistët ishin ateistë. Besa e shqiptarit është më e rëndësishme se gjithçka.

Në mesnatë fashistët shkatërruan derën në kërkim të kushëririt. Nëna e Samiut e nxori nipin nga dera tjetër. Në shtëpinë e tyre filloi bastisja. Oficeri kapi të atin nga krahu dhe e shtyu me forcë në dhomën tjetër, filloi të bërtiste. Për një klerik mysliman trajtim i këtillë ishte shumë i rëndë, pësoi hemorragji cerebrale, paralizë dhe mbas disa ditësh i ati vdiq. Babai i Samiut, kleriku i ndershëm hoxha Hafis Ibrahim Repishti, sakrifikoi jetën për nipin komunist. Ai mbrojti njeriun, të nipin, jo bindjet politike, apo fetare. Por sa vlerë kish kjo për të tjerët!

Erdhi çlirimi i vendit. Kjo ngjarje e jashtëzakonshme dhe e rëndësishme për një popull dhe komb, shoqërohej nga frika e së panjohurës. Kush janë fitimtarët, partizanët, udhëheqësit e pakontestueshëm të rendit të ri që premtohej me aq zulmë e bujë? Mirëpo metodat e përdorura përgjatë përpjekjes për të ardhur në pushtet ishin të ashpra e diktatoriale. E liruar nga dy regjime, shoqëria shqiptare priste me padurim që të lindte më në fund një periudhë paqeje e sigurie.

Befas nëpër rrugët e shkatërruara dhe qytetet e Shqipërisë, u shfaqën si kërpudha pas shiut fqinjët e veriut të veshur me kostumin e ndihmëtarit dhe këshilluesit. Por psikologjia e masave të një qyteti si Shkodra që e kish pësuar vazhdimisht invazione nga fqinja e veriut, nuk lejonte pranimin pa kushte të një bashkëpunimi të ngushtë me jugosllavët, praninë dhe imponimin e instruktorëve serbë dhe malazezë në të gjitha sektorët e jetës së vendit.

Autori Sami Repishti na jep me art dhe vërtetësi pamjen e Shqipërisë në vitet e para të pas çlirimit të vendit, varfërinë, euforinë, pasigurinë. Në të njëjtën kohë po ngrinte kokë organizimi i shtetit mbështetur mbi forcën e zjarrit dhe të hekurit. Kudo dëgjoheshin krisma dhe thirrje të ekzaltuar të masave. Filluan të bëheshin ekzekutime publike sipas stilit fashist. Maskarada ish e tmerrshme, rreth të pushkatuarve, grupe partizanësh dhe partizane hidhnin valle, duke kënduar këngën:

‘Lule Sofo, lule djalë.’

Ishte mënyra përhapjes së ankthit dhe frikës që realizonte ekzekutimi që u bëhej,‘bashkëpunëtorëve të armikut,’ Por njëherësh qysh në fillim, tregonte mospërfillje për shtetin ligjor si dhe mospërfillje për ndjenjat qytetare.

Çdo ditë nëpër rrugët e qytetit dëgjoheshin të ulëritura e që e përsëritnin si në kor:

‘Plumbin ballit, plumbin ballit!Vdekje tradhtarëve!’

Gjithçka ishte llogaritur më së mirë, ardhja e komunizmit në radhë të parë duhet të krijojë atmosferën e frikës. Autori na je jep të saktësi sesi klasa shoqërore shkodrane dhe të malësisë së madhe, dikur e privilegjuar dhe e fuqishme, më vonë e dërmuar prej krizës ekonomike, ndryshimeve shoqërore e kataklizmave të luftës, po avullohej, burgosej, zhdukej, pa lënë trashëgimtarë për zëvendësim. Boshllëku i mbetur në traditën fisnike, shekullore ishte i madh dhe i frikshëm.

Në këtë trusni, terror, që po ngrihej përpara syve të inteligjencës së mirëfilltë shkodrane, humbje vlerash të çmuara të traditës dhe kulturës, u ndje nevoja për veprim.

‘Para meje, shkruan autori, ngrihej çdo ditë ma e madhe kërcënuese’ ndërtesa’ që më zinte frymën përgatiste murimin e përjetshëm, si varri i Rozafës viktimë. Ai ishte vetëm njëzet vjet dhe në luftë të brendshme shpirtërore. Për tu fisnikëruar dhe lartësuar. Dhe gjykonte se shoqëria e re, kish vrarë me dorën e vet, ambiciet e saj morale. ‘Njeriu i ri’ që po krijohej ish i përqendruar vetëm në një pikë: ‘urrejtje.’Tek ai ishte përqendruar një ndjenjë:’ hakmarrja.’ Tek ai, gjithçka ishte e frymëzuar nga një qëllim: etja e pangopshme për pushtet.’

Ndërkohë dy ngjarje të rëndësishme ndodhën në qytetin e Shkodrës. Në maj të vitit 1946 u zhvillua demonstrata e parë antikomuniste e qetë por e fuqishme, krejtësisht spontane, nën vëzhgimin e Sigurimit. Ishte funerali i arqipeshkvit katolik që vdiq, ndërsa mbahej në gjendje arresti, në shtratin e vdekjes. Ndërsa më 9 shtator 1946 ndodhi‘Lëvizja e Postribës’.Këto dy ngjarje u bënë shkak të ‘spastrohej’ i gjithë qyteti i Shkodrës me rrethe. Brenda një muaji qyteti kishte njëmbëdhjetë burgje të përkohshme dhe më shumë se njëmijë e dyqind të arrestuar. Hija e rëndë e ekzekutimeve ishte kudo.

Arrestimi i autorit të librit: ‘Në hijen e Rozafës,’ ndodhi në mbasdreken e 22 tetorit 1946. E flakën në qeli. Dhe qysh në momenti e parë u përplas me dhunën e egër dhe torturën e cila i vazhdoi për shumë muaj me radhë për të pranuar fajin e pakryer. Ai e mendoi shpesh vdekjen. I mbyllur, i torturuar shumë pranë hijes së kështjellës së Rozafës. Ardhja e nënës për të vizituar në burgun e spitalit dhe dhuna e egër e njërit prej rojeve ndaj nënës së vuajtur. Lotët e nënës së gjorë binin rrëke për të takuar djalin. Autori me shpirt në dhembë i thotë rojës:

‘Unë nuk do ta shkelmoja kurrë nënën tende.’

Më në fund mbërrin gjyqi, një farsë e zakonshme, turma të eksituar që bërtasin. Gjykatësit, prokurori, vetë flasin, paraqitin akuzat e rreme dhe vetë vulosin. Heshtje prej të akuzuarve, pastaj dënimi me pesëmbëdhjetë vjet burg, shumë të tjerë me pushkatim.

Më 28 nëntor 1947 e transferojnë në burgun e madh. Solidariteti i të burgosurve , të cilët heqin kapotën nga vetja dhe ja japin më të dobëtit. Aty autori ra gjithashtu në kontakt me klerikë dhe të njerëz shquar të burgosur padrejtësisht, të cilët ndihmuan në forcimin dhe vendosmërinë e karakterit. Më vonë puna kapitëse në kampet e punës. Shpirtligësia, harbutllëku, egërsia e gardianëve dhe rojeve të burgut nuk kish kufi. Po ju jap disa shembuj:

Një oficer duke u tallur urdhëroi heqjen e mjekrës së një imami shtatëdhjetë vjeçar. Imami i ulur në gjunjë dridhej prej dhembjes e turpit dhe lotët i binin rrëke. E tallura e oficerit vazhdoi:

‘ Hoxhë, a ndjehesh më mirë tani pa mjekër?

Imami plak u përgjigj me zë që dridhej prej dëshpërimit:

‘A nuk turpëroheni prej pleqërisë sime?’

Apo shehu plak nga Luma, një burrë fisnik i pa përkulur. Por i dërmuar prej plagëve dhe torturave për tu dhënë burgosurve të tjerë shpresë dhe besim thoshte shpesh:

‘Zoti nuk është qendra e frikës siç e propagandojnë këta, por burimi i dashurisë.’

Talljet e rojeve dhe gardianëve ishin të poshtra, të papërballueshme, të tejskajshme kundër priftërinjve të përgjakur dhe të munduar. Ata duke u zgërdhirë u thoshin:

‘Ore uratë, sikur të kisha atë Zotin tënd tani këtu, do ti a thyeja brinjët me këtë dru lisi, dëgjove ore?

Autori Sami Repishti takoi në burg dhe njohu nga afër klerikët e akuzuar padrejtësisht për fshehje armësh në kishë. Autori takoi gjithashtu dhe dëshmitarin okular, i cili e dinte mirë të vërtetën. E lojës së sigurimit të shtetit. Po të binte besimi, binte dhe Shkodra. Ata e akuzuan e besimin. Akusuan Shkodrën, u arrestuan bijtë më të mirë, u burgosën. Më pas të gjithë klerikët u pushkatuan dhe u flakën, humbën në rrëpirat ku frynin erëra të mëdha. Krahas punës së rëndë rraskapitëse, në baltë erë dhe të ftohtë vazhdonte tortura dhe marrëzia e rojeve.

Në protestën më të vogël:

‘Unë nuk jam kafshë pune,’ tha një i burgosur.

Ndëshkimi i sh mesjetar:

‘Je armik i poshtë o derr i derrit.’u tërbua roja dhe i vuri cigaren e ndezur në sy.

Viktima lëshoi britmë therëse dhe i tha:

‘ O, Aristidh Karrabeci. Edhe Zotin mund të harroj, por jo fytyrën dhe emrin tënd.’

Më në fund më 1 korrik 1956 Sami Repishti u lirua prej burgut. Por u përball menjëherë me vuajtjen e urinë e familjes, ata nuk kishin bukë ti nxirrnin. Varfërinë e një populli të tërë, të cilët jetonin me triska për një kile sheqer ose oriz. Si dhe propaganda e shfrenuar komuniste për mirëqenien e popullit të vet, heroik, luftarak dhe paqedashës.

Kështu ai doli nga një burg i vogël dhe u përball me burgun e madh,ku vuante një popull i tërë i indoktrinuar deri në marrëzi. Ndiqej, përgjohej ngado. Tehu i mprehtë i arrestimit të dytë rëndonte çdo minutë mbi kokën e tij. Çdo lëvizje që ndodhte në vend ose në botën matanë telave me gjemba, emri i tij ishte në listë për tu arrestua dhe ekzekutuar. Samiu ishte në dilemë të madhe. Ikja dhe mos ikja. Vetësakrifikimi dhe e drejta për të jetuar. Ai nuk ish si gjithë të tjerët. Mbasi nuk bëri asnjëherë kompromis me dinjitetin në kulmin e tmerrit, mundimit dhe të torturës. Atë e mundonte në të njëjtën kohë hakmarrja e pushtetit ndaj fatit të nënës dhe njerëzve të tij.

Me dhimbje dhe art ka përshkruar autori monologimin në varrin e të atit:

‘Kështu më deshe, besnik të vetvetes. Ti më mësove të luftoj për parime të drejta, që kërkojnë vuajtje dhe sakrificë. Të lutem babë falu për mue…’Kontrasti i filozofisë së jetës, mes babës dhe djalit ishte i plotë…

Gjendja e Samiut mori karakter tragjik. Çdo minutë ai ish i ndërgjegjshëm për arrestimin , burgosjen dhe ekzekutimin. Një jetë me vuajtje të padurueshme dhe të përhershme nuk është jetë. Vdekja me dinjitet është më e pranueshme. Le të goditej prej rojeve të kufirit në se zbulohej por nuk kish më kthim prapa.

Dhe ai më 23 gusht 1959 bëri arratisjen nëpërmjet lumit të Bunës.

Pse shkruaj? thotë autori në parathënien e librit. Jam viktimë e, denoncimi i krimit e kriminelit. Justifikon mbijetesën time. Zbulimi i dhimbjes se vuajtur e ngre viktimën në sferën e absolutes dhe hedh dritë mbi fajtorin e frymën e së‘keqes’. Drita këput vargonjtë e lidhur në errësirë. Drita sjell lirinë…

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Kristaq Turtulli, mendime, nen hijen e Rozafes, repishti

AURORA

July 5, 2013 by dgreca

Tregim nga KRISTAQ  TURTULLI/

Nuk më ish dhenë rasti të shihja më parë agimet polare, Aurorën Boreale. Dhe kur u gjenda përpara tyre, u mrekullova. Çdo agim polar ish i veçantë, i papërsëritshëm, në ngjyra, në lëvizje, në frymëmarrje, në jetë. Mu duk sikur atje gjendej sekreti dhe misteri. Ish vërtet fantastike. Mu mbajt fryma prej mrekullisë së natyrës. Ishte një frymëmarrje gjithëpërfshirëse, qiell, ujë dhe tokë. Yjet thellë në qiell, si fëmijë të brishtë, të hutuar, përpëlitnin qepallat, drithëroheshin për pamundësinë e shprehjes dhe Aurora Boreale si për ti qetësuar i kish mbuluar me vello të shndritshme. Nata po bënte fir, ishte mpakur, vinte duke u terur. Si një pëlhurë e tejdukshme, transparente shkiste ngadalë nëpër gishtërinjtë e gjithësisë, shoqëruar me një simfoni të lehtë. Mund të kish në të nota Moxarti ose Bethoveni, ndoshta, nuk e di, sepse kudo ndjehej diçka si melodi.

Ngjyrat mahnitëse ishin ndehur mbi gjithçka, me reflekse të kuqërremta, portokalli, të gjelbra, të verdha, të kaltra ushqyese. Dritë hijet mbusheshin me kolor prej intonacioneve, përzierjeve të ngjyrave nga  piktori gjenial, i papërsëritshëm natyrë. Vezullime dhe shkëndijime, si të ishin miliona dhe miliona xixëllonja që ngriheshin butë prej tokës dhe ngjiteshin drejt qiellit, shkonin larg dhe përziheshin me yjet. Një pjesë yjeve dhe xixëllonjave zbrisnin ngadalë, lehtë, gjithë delikatesë dhe thitheshin me dashuri dhe neps prej tokës. Gjithçka ishte në vallëzim, shpërthim, befasi dhe joshje. Të dukej sikur gjendeshe përpara një botë magjike, me të fshehtat e pashpjeguara, të shkruara në qiell dhe të derdhura në tokë me penela të arta. Të vjen befasisht një përhumbje. Të duket sikur je mbështjellë me një copës veladon të shndritshëm, të purpurt qielli e toke dhe në krahë ke flatra. Të bëhet sikur lehtësisht po shkëputesh prej toke dhe shkon tutje, tok me shkëndijimet e vezullimet. Atje ku nuk kanë shkuar të tjerët, në zemrën e ngjyrave të magjisë së Aurorës Boreale….

-Bukur, hë,- më tha shoqëruesi.

-Është fantastike,- i thashë,- si në përrallë.

Dhe përnjëmend mu kujtua Aurora. Ju ndoshta e mbani mend Aurorën dhe nënën e saj. Ajo do mbetet për mua gjithmonë sekreti dhe misteri. Ish si shkëndijim mes plogështisë dhe shurdhërisë së qytetit. Pothuajse një Aurorë Boreale e vërtetë. Ne ishim të verbër, nuk dinim të shihnim dhe të njihnim. Qemë futur në guaskën e provincializmit. Unë që po ju shkruaj, në radhë të parë nuk e dija. Aurora qysh fëmijë. E vogël e vetme, si një dritës në muzg, mbështjellë me një palltoshkë të gjelbër dhe jakë të bardhë.  Me këpucka të ngrëna dhe doçka të ngrira, shtynte nëpër rrugët e rrugicat e kalldrëmta të qytetit, karrocën e nënës sakate, të veshur me rroba të gjelbra.

Për mua Aurora ishte më e mira dhe më e bukura e mëhallës, por jo vetëm e mëhallës. Pse jo, ajo ish më e mira dhe më e bukura e  qytetit, me gjithë rrethinat përreth. Aurora ishte brishtë dhe reflektuese si një vesë në gjethen e gjelbër të syrit të nënës. Lëkura e saj ishte e bardhë si qumështi. Sytë e saj ishin të veçantë, si rrallë vajzë tjetër. Sytë e saj herë më dukeshin të kaltër, e herë të gjelbër dhe kur prekej bëheshin transparentë me reflekse shkëndijuese, vezullimesh si ujërat e burimeve. Ajo ish e ëmbël, delikate, flokë kaçurrela, të zeza. Kish diçka befasuese, drithëruese, magjike.

Bato Dangëllia një plak i shukët. Jetonte vetëm, në një kthinë të magazinave të braktisura të konservimit. Familja, për të ruajtur të pastër biografinë, i kish dhënë duart me kohë, meqenëse bëri 15 vjet burg për politikë. Plaku Bato jetonte me ndonjë lek që i jepnin bashkëqytetarët në përkthimin e letrave në anglisht dhe frëngjisht. (Thuhej se përkthente dhe veprat e një shkrimtari të shquar dhe shteti i botonte jashtë pa vënë poshtë emrin e përkthyesit. Por qytetit tonë i kanë pëlqyer thashethemet e nuk lë shumë shteg për tu besuar. Të ish kaq i zoti Bato Dangëllia sa të merreshin  shkrimtarët e shquar me një zgjebanik si ai.)

Bato Dangëllia ecte i pashpresë, kokulur,  truplëshuar. Kish disa ditë pa futur gjë në gojë, skish më letra të vinin nga jashtë. Dhe inspektori nuk  i kish dhenë ndonjë libër të shkrimtarit të përkthente. As vetë nuk e mori vesh si u gjend puq, ngjitur me karrocën e sakates Kristinë që shtyhej prej së voglës, së bijës, Aurorë. Gati sa nuk u gremisën të tre përdhe në kalldrëmin e lagësht të rrugicës. Gratë klithën dhe ai trondit e rënkoi. Vështrimi i plakut u mbërthye në sytë e vajzës, shtrëngoi dorezat e karrocës dhe i befasuar lëshoi një zë që vinte prej së thelli:

-O zot çfarë sysh! Të jenë realë këta sy!

U tërhoq pas i hutuar duke mërmëritur:

-O zot! Sytë e kësaj çupëline, të sakates Kristinë, ngjajnë çuditërisht me Aurorën Boreale!

Pra me agimet polare, por atëherë nuk e kisha idenë.  Bukurinë dhe mirësinë e saj shpesh e krahasoja me ndriçimin verbues, marramendës mëngjesor pranveror. Bulëza e vogël e vesës reflektuese si diamant pikonte mbi gjethin e gjelbër dhe unë e dëshiroja ta puthja fort vajzën që doja, në buzët e plota gjithë musht.

Por nëna ime Meri nuk e kish për zemër të bukurën, dritëzën Aurorë. Sa herë përmendja Aurorën, nëna mblidhte buzët me bezdi dhe shkonte e mërzitur në kuzhinë. Ngaqë ëma e Aurorës ishte sakate, çalonte në të dyja këmbët. Kur e ëma e saj ecte, dukej sikur ish e këputur për mezi. Prej shkapërderdhjes së trupit dhe lëvizjeve, të bëhej sikur befas, eshtrat do ti shkëputeshin, copëtoheshin, e do ti flakeshin tutje. E ndonjë eshtër e shkëputur prej trupit të sakates mund të sulej papritmas drejt teje, si shigjetë, të shponte tej përtej, të plandoste përdhe. Pastaj po të shihje lëvizjen e kokës së saj përgjatë ecjes, provoje marramendje. Koka i dridhej, i lëvizte pa përqendrim lart e poshtë, majtas djathtas dhe nuk të bëhej ta shikoje dy herë.

-Nënë, Aurora është plot mirësi dhe dritë mëngjesi,- i thashë.

-Hë, ashtu thua ti se aq… Por bukuria është një copë herë,- ia bëri nëna.

Babai vetëm dëgjonte, thithte me vrull duhanin e fortë dhe s’fliste. U mërzita një ditë kur nëna më tha, ‘aq di’. Prandaj i fola me ton të rëndë:

– Nënë, nuk të lejoj të më fyesh…

-Nuk të fyen nëna mor bir, jo. E pres gjuhën. E bukur është çupa more bir, nuk ke ç’i thua, si dritë mëngjesi, – më tha nëna,- por cenet e trupit dhe të mendjes trashëgohen në familje nga njëri brez në tjetrin, deri në brezin e shtatë, e di këtë ti? Kush do më garantojë mua se fëmija që do lindë kjo vajzë, nuk do ti ngjajë nënës së saj. E njoh me dhëmbë dhe dhëmballë familjen e çupës e nënën e saj, të gjorën Kristinën. Kështu sakate për gjynah ka qenë Kristina që e vogël. Edhe nëna e Kristinës çalamane ka qenë. Nuk ja ha hakën, qëndistare e mrekullueshme ka qenë, qëndiste pajat e çupave kur u vinte koha për tu martuar. Por ç’e do, nuk i bënte zemra të qëndiste për vete. Qante natë e ditë mbi qëndisma. E shkreta vajzë, sakatja e mjerë, çalonte nga të dy këmbët. Kur i kaloi mosha për tu martuar shkoi për vizitë tek Cen Shajaku, mjeku i njohur popullor. Nuk e di se çfarë i bëri Ceni, por në krye të disa muajve, për habinë tonë Kristina nuk çalonte. Ajo Kristina u ripërtëri, ecte për bukuri si zonjë e rëndë, përpiqej ta mbante trupin drejt dhe kokën lart. I kish hipur një nur  dhe bukuri që të verbonte. Djemve të mëhallës u pikonte gjuha lëng, por familjarët i tërhiqnin prej mënge të mblidhnin kallaballëkun. Bukuria është një copë herë. Kur nuk e prisnim, në krye të vitit Kristina u martua me Çuçi Lutën, punëtorin e ri të minierës, të ardhur nga fshatrat e rrëzës. Çuçi ish djalë i fuqishëm, trupmadh, qafëtrashë, qime dendur si ari e me sytë vëngër. Ai punonte në një turn me babanë, burrë i fortë, hante një pllakë bukë dhe bënte në ditë dy norma bashkë. Çuçi Lutka u mburrej shokëve të turnit:

‘ Hej ju ta dini mirë, kam marrë nusen më të bukur të qytezës së minatorëve,’ dhe qeshte me të madhe. Të tjerët nuk guxonin ti kthenin fjalë se ai të shembte me grushte.

Kur lindi Kristina, Çuçi Lutka u deh prej gëzimit, qerasi me konjak të gjithë shokët dhe miqtë. Një mbrëmje vere zbrazi shishen e konjakut dhe bërtiti në mes të qytetit me sa zë që kishte në kokë:

‘Vajzës do ti vë emrin Aurora.’

Mirëpo pas lindjes së vajzës Kristina u këput menjëherë, u bë sërish sakate siç ish më parë, bile më keq. I shoqi Çuçi Lutka u ngrys, mbarte gruan në krahë si foshnjë, e vendoste në karrocë dhe shtynte Kristinën  në rrugët me kalldrëm, vetull mbledhur, i vrenjtur si murg. Ndërsa Aurorën e vogël si një lepurushkë, e mbarte mbi shpinë në një torbë të përgatitur prej pëlhure. Por Çuçi Lutka u mërzit së shtyri gruan me karrocë, ndoshta u lodh, u  përdhos prej shikimeve idhnare të tjerëve, që dikur u mburrej. Ai burrë i madh kish nevojë edhe për të tjera gjëra, as dreqi e nuk e di. Befas u zhduk, humbi disa javë, ndoshta dhe muaj. Kristina e donte, e kërkonte, qëndronte në dritare, qante të këpuste shpirtin. Më në fund Çuçi Lutka u shfaq duke ecur nëpër rrugët e lagështa të qytezës si gamile e vjetër, veshur me një kapotë të madhe të zbardhur ushtari. Ish i parruar, i uritur, i pistë si kafshë dhe kërkoi ta merrte Aurorën me vete. Familja e Kristinës e llahtarisur nuk e la, ku do ta çonte vajzën e vogël ai palo burrë, që mbante erë të rëndë që atje tutje.

‘Ore njerëz,’ lutej e bubullinte Çuçi Lutka, ‘thojini, mbushjani mendjen, kjo është ime bijë, ç’mund ti bëjë fëmijës një sakate që nuk është e zonja për vete.’

Familja e Kristinës lajmëroi policinë, Çuçi u tremb, me policinë nuk mpriheshin brirët, kapërceu avllinë dhe humbi në terr. Aurora u rit  me mundime. E di, more bir, Aurora është vajzë e mirë. Për atë  çupë nuk kam ç’të them, është vërtet si dritë.

-Kur nuk ke ç’të thuash pse më lodh moj nënë,-  u ngrita dhe vështrova nga babai, i cili vazhdonte të pinte duhan dhe nuk fliste.

-Të lodh! Jo bir jo, por mos e dhëntë Zoti të lodhë nëna…Po sikur të mos e dhëntë Zoti, të më çalojë fëmija i djalit tim nga të dyja këmbët, hë? Se dardha bie nën dardhë. Mua më dhimbset Kristina dhe vajza e saj por.., më kupton. Bir, janë disa gjëra që..?

-I bukur është trëndafili moj grua, por ato dreq gjemba përse i dalin,- foli babai dhe më shkeli syrin.

-Çfarë, çfarë, na flet për trëndafil dhe gjemba,-iu hakërrua nëna babait. – Na hedh thumba e nuk qederosesh për trashëgimi, sikur ta kam sjellë djalin me vete.

-Pse trëndafili, a nuk ka gjemba,- këmbëngulte babai.

Nëna nuk i ktheu përgjigje, bëri lëvizje nervoze me dorë dhe shkoi me hap të nxituar në kuzhinë.

Përse vallë nëna mendonte vetëm anën e keqe. Njerëzit që kanë fatkeqësi dhe cene në familje, e jo për faj të tyre, janë të detyruar të dënohen dhe ta vuajnë të gjithë bashkërisht. Të braktisen, të lihen në mëshirë të fatit siç bëri Çuçi Lutka.

Më besoni u verbova qysh në fillim prej bukurisë dhe përkushtimit e dashurisë së Aurorës ndaj nënës së saj. Ajo qysh kur ish e vogël e mbante t’ ëmën gjithnjë për krahu. I ndodhej pranë së ëmës në çdo moment.

Dikur, njëri prej shokëve, bashkëmoshatari Gane Tërbo, kokë katrori, i cili hodhi shtat shpejt, u bë më i shëndoshë. Rritja shpejtë e trupit i riti mendjen, u bë i egër, i dhunshëm. I përkëdheluri i shtëpisë, ngaqë i vinin pako me ushqime dhe veshmbathje nga jashtë shtetit dhe ish në gjendje më të mirë ekonomike nga ne të tjerët. Ai pa shkak bëhej harbut dhe ngacmonte të tjerët. Baba i tij Demo Tërbo, qe kryetar këshilli i lagjes.

Një ditë ky Gane Tërbo qeshi me të keq, me zë të lartë:

-Hi, hi, hi,- dhe tregoi me gisht, kur karroca e vjetër e gruas sakate u pengua në gurët e nxjerrë të rrugës dhe u rrëzua. E bija e përskuqur në fytyrë u turr ta ngrinte, krahët  e dobëta të vajzës u drodhën. Ajo ca prej hutimit, qeshjes histerike të Gane Tërbos, nuk mundi ta mbante nënën e vet. Të dyja nënë e bijë ranë përmbys si lëmshe të shpërvjelur në pragun e trotuarit me gurrë të lëmuar e të qullur prej shiut.

Gane Tërbo u zgërdhi më keq dhe ia bëri përsëri hi, hi, hi, gërr- mërr dhe pastaj shtoi me të keq:

– Hej…ej, j, j, ejani shihni, nga jeni e nga s’jeni. Përpara nesh parakalon me dhimbje, karikatura më qesharake të shekullit të njëzetë!

Ndjeva dokëndisje në zëmër prej fjalëve dhe përqeshjes së ndyrë të shokut:

-Ç’ bëre Gane Tërbo, ç’bëre, përqeshen ato të gjora- i thashë.

-Përqeshet e zgërdhihet që ç’ke me të, o buf kënete. Pa ikë mbushu e mos mi shastis shumë veshët. Ato duhet të mbyllen në azil, – mu shkreh i fryrë Gane Tërbo dhe shtrëngoi grushtet gati për sherr,- mu qëro nga sytë, apo do të shembesh me grushte.

-O sa qejf, shembuni me grushte, ç’prisni,- ia bënë të tjerët.

Nuk u ktheva përgjigje, por nxitova të ndihmoja femrat e rrëzuara. Aurora u kthye me rrëmbim nga unë, e zverdhur, e rrëmbushur prej lotëve. Më ngjau si lule mëngjesi e brishtë, e përmbytur prej vesës. Në cep, poshtë vetullës së majtë, të bukur kish një gërvishtje të vogël. Ajo më vështroi egër dhe më tha:

-Nuk është trimëri të qeshësh me fatkeqësinë e tjetrit.

– Më fal Aurora, më beso, nuk isha unë, Gane Tërbo ish..,- Mu tha pështyma në grykë, doja me gjithë shpirt ti shpjegohesha, se ndjehesh i prekur, i fyer, njëlloj si ajo prej qeshjes dhe fjalëve të poshtra të kokë katrorit Gane Tërbo.

-Ai është shoku yt, prandaj e ti je si ai,- më tha ajo.

-Gabohesh Aurorë, nuk jam si ai, ndryshoj si nata me ditën…

Vajza mi nguli sytë e kaltër, që iu bënë gri të errët si det me tallaz, sikur do më përpinte, mbulonte me dallgë dhe pa folur më ktheu krahët. Edhe sytë e saj ishin gjithë nerv kishin një refleks verbues si magji. Aurora duke marrë frymë me vështirësi prej lodhjes dhe inatit e vendosi të ëmën në karrocë. E ëma rënkonte dhe ankohej me përvuajtje sa të copëtonte shpirtin, me siguri duhej të ish lënduar prej rrëzimit. Ikën.

Më magjepste shikimi i flakëruar i vajzës. Ma prishi gjumin, e me gjithë shpirt doja që ajo vajzë e mrekullueshme të bëhej e imja. Po përse moj nënë mendon aq përciptas për të bukurën e të mirën Aurorë dhe nënën e saj të shumëvuajtur? Ne nuk jemi njëlloj si Gane Tërbo, si familja e tij.

Vonë e morra vesh që Gane Tërbo kish tentuar të përdhunonte Aurorën. E ruajti një mbrëmje në qoshe të shtëpisë, kur vajza kish dalë të mbushte ujë tek pusi. E mbërtheu Aurorën nga krahët e puthi fort duke i thëthirë buzët dhe shtrënguar për gjoksi. Aurora u hutua një moment, por e mblodhi në çast veten, e goditi me stome në shpatull për tu shkëputur prej tij. Pa i lënë kohë tjetrit të mblidhte veten, ia flakëriti me pëllëmbë në fytyrë dhe iku me vrap.

Gane Tërbo nuk tërhiqej, përpiqej ta  shtinte në dorë Aurorën, e ngaqë ajo nuk e përfillte, ai nevrikosej dhe kërkonte të hakmerrej. Të dy femrat e vetmuara, dridheshin në heshtje kur e ndjenin që afrohej hija e tij.

-Çi ke këta  sy ti, si pyll vjeshte me shi,- e ngacmoi Gane Tërbo.

-Ik, më lër të qetë, ndryshe do ankohem…- mërmëriti Aurora.

-Do të ankohesh, vërtet. Ha, shko ankohu, ku do vesh të ankohesh tek im atë, në këshill!- u tall Gane Tërbo. Ai mburrej, ndjehej i mbrojtur që kish babanë kryetarin autoritar dhe të ashpër të këshillit.

– Do ti them babës tim,- i foli Aurora me zë të plotë.

Gane Tërbo u shkul së qeshuri.

-Çfarë, do ti thuash babës tënd, hë kujt, Çuçi Lutkës! Ha,ha, ha! Me sa di unë Çuçi Lutka është baba yt, apo jo? Shko, bërtit, thirre të humburin, merhumin që nuk i gjendet as nami dhe nishani! Ndoshta  do të ngresh të vdekurin prej varrit, me kocka të bardha dhe lecka të kalbura! Shko, ulëri, gërhit fort në kupë të qiellit: bu, bu, bu, bi,bi bi, ngrihu, më mbro baba merhumi, Çuçi Lutka, ngrihu.

-Babi im është gjallë,- gërhiti e tronditur Aurora, e rrëmbushur nga lotët.

-Babi tënd është gjallë! Bu,bu, bu, bi, bi ,bi. Sa për dijeni, e kam parë me sytë e mi kur u kall në dhe Çuçi Lutka. Shko gërmoje, kërkoje, qurravitu të kalburit, të treturit, ha, ha, ha. Apo mos ka gjetur sakatja, nëna jote ndonjë burrë tjetër, të humbur dhe të marrë si Çuçi,- u zgërdhi me të keq Gane Tërbo.

Aurora u drodh, sytë e bukur i perënduan. U lëkund si gjethi në vjeshtë, kafshoi buzën dhe iku me vrap duke dënesur…

-Mos qaj Aurora,- u përpoqa ta ngushëlloja.

Ajo me zhbiroi me sy:

-Të mos qaj, kështu thua. Nuk qaj. Sakatët e gjallë i tallin, e të vdekurit nuk i lënë as të qetë të prehen, -tha dhe iku me vrap.

Unë ngela si hu në mes të rrugës. Aurora, Aurora, më foli shpirti, por ajo nuk dëgjoi se kish shumë erë…

Kur nuk pritej, një hije e stërmadhe, fantazmë e  përbaltur, që hungërinte si përbindësh i mbiu përpara dhe i preu rrugën Gane Tërbos. Ish natë e errët me shi, nuk shihje sikur dhe gishtërinjtë të  futeshin në sy. U përfol se ish Çuçi Lutka i harruari, merhumi. Qyteti mblodhi buzët me mërzi dhe mosbesim. Çuçi Lutka, kokë shpella, he, he, he, nuk ka bërë vaki të çohen të vdekurit prej varrit. Mos vallë nën pelerinën e përbaltur të rezilit fshihet ndonjë djalë i zgjuar, i robëruar pas Aurorës! Por Gane Tërbo betohej se ish i humburi, i përfoluri Çuçi Lutka dhe askush tjetër.

Fantazma e rënduar si një gorille e Çuçi të marrit, mi bllokoi të gjitha horizontet.

Nata ish e zezë sterrë, nuk kisha nga ti a mbaja. Më mbërtheu për gryke, më morri frymën, më kërcënoi, më gërhiti, më ofendoi, më tha, spurdhjak, çapaçul, kërmill, ti ishe ai krimb, glistër e keqe, që më shqetësove në gjumin e madh. Hë fol, kërkove të ngrihesha prej funddheut, varrit. Siç më sheh u ngrita, ja, erdha, kam një kuintal me baltë dhe një det të madh me dhembje. Fol, përse më doje more mistrec, qullac i keq. Të vdekurit e ardhur një copë herë prej thirrjes së gjakut dhe nevojës, nuk pyesin fort për ca çapaçulë të pështirosur që vetë mburren e quhen kryetarë këshilli dhe bijtë e tyre. Më kupton ç’po të them?! Do ta këpus kokën si të zogut, do ta bëj mishin rripa- rripa po i re në qafë vajzës sime Aurora. Më dëgjon? Të dëgjoj. Gorilla u tjetërsua në mostër e përbindshme dhe unë ngriva. Në daç besoni, në daç mos besoni…

Fillova të bërtisja: Hej ti gorillë, më lësho, jam djali i kryetarit të këshillit, më lësho, nuk të njoh, të vdekurit nuk mund të shkulen prej varrit, prandaj nuk e ke çfarë të më bësh. Çuçi Lutka u tërbua me keq, hungëriti, më shkundi majtas djathtas, më ngriti peshë si ti isha leckë, më tha, more i mjerë qenke një koqe budalla. Di ti ç’është dhembja e prindit. Po më ikte fryma dhe zemra po pushonte së rrahuri. Këmbët i lëvizja të lëshuara sa andej këndej në ajër. Kulloja prej djersëve të ftohta. Më dukej sikur më kishin varur në çengel, futur në thesin e merimangës dhe përleshesha me terrin. Babai më dëgjoi, erdhi me vrap siç ish në benevrekë, më shkuli prej çengelit dhe më tha:

Gane mor bir, kaq budalla je që u përmend të vdekurve, kryetarët e këshillave të lagjeve apo të pushteteve. Rritu, piqu e mos u lësho si i azdisur pas femrave sakate dhe jetime…

Unë dëgjoja i qetë, ndërsa Aurora vështronte ngulët me sytë e bukur, gjithë reflekse dhe intonacione ngjyrash….

 

Ndërkohë vazhdoja të shihja i mrekulluar agimet polare, Aurorën Boreale, me ngjyrat përrallore. Mu duk sikur atje gjendej sekreti dhe misteri. Mu mbajt fryma prej mrekullisë së natyrës.

Nuk di se ku ndodhet sot dhe çfarë bëhet Aurora e rinisë?  Pyeta veten, afër polit të veriut dhe mijëra e mijëra kilometra larg vendlindjes…

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Aurora, Kristaq Turtulli, Tregim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT