Nga Uran Butka/Nuk dëshiroja t’i ktheja sërish përgjigje Kristo Frashërit, por detyrohem, sepse në shkrimin e tij para dy ditëve, më ka bërë disa pyetje dhe më lutet t’u jap pëgjigje. Natyrisht, të përgjigjesh është edukatë e korrektësi, si edhe respekt për moshën dhe vullnetin e tij të jashtëzakonshëm. Sigurisht është mirë edhe për lexuesin, i cili nuk meriton të mashtrohet më nga historia dhe, përmes debatit, të gjejë vetë të vërtetën. Debati mes nesh, nuk është një përballje mes personash, por një përballje mes dy filozofish e dy metodologjish të ndryshme historiografike.
Pyetja e parë e Kristo Frashërit: Lutemi të na sqarojë (Urani): si shpjegohet që në Kolonjën e tij, me popullsinë e saj patriotike, çeta e prof.Safet Butkës të vejë duke u firasur, kurse çeta e “çapaçulëve” , siç i quante Safeti partizanët, të rritej me aq shpejtësi, sa e nxorri jashtë loje çetën e Butkalliut?
Edhe me këtë pyetje, historiani Kristo Frashëri rrëfen qartazi eklektizëm, tendenciozitet dhe mosnjohje, armiq të historiografisë. Historiani i vërtetë i shqyrton ngjarjet historike në kohën që kanë ndodhur me metodologji shkencore dhe mbi bazën e dokumenteve e fakteve, mundësisht nga më shumë se një burim, ndërsa Kristo Frashëri i shqyrton mbi bazën e bindjeve të tij ideologjike, shpesh me hamendje dhe ndonjëherë duke u mbështetur tek vetëm ndonjë fakt, që i ka mbetur në kokë, pa këqyrur gjithë gamën e dokumentave, që i referohen ngjarjes apo fenomenit. Ndërkohë, nga ato punime që kam lexuar nga Kristo Frashëri, kam vënë re që ai ka mbetur peng i mendësive komuniste dhe i të dhënave të njëanshme, që i ka kapërdirë dikur, ndërsa nuk njeh faktet e reja që janë zbuluar apo publikuar ndër vite, nga arkivat shqiptare e sidomos të huaja. Veç kësaj, është aq i shpërndarë në kohë, që nga antikiteti e deri në kohën e sotme, sa që nuk është i thelluar dhe i specializuar në asnjë periudhë të historisë. Bie fjala, në librin voluminoz “Historia e Lëvizjes së Majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH ,1878-1941”, K.Frashëri e nxjerr themelimin e PKSH si një rrjedhojë e si një kurorëzim të Lëvizjes së Majtë shqiptare qysh nga Lidhja e Prizrenit!? Madje ai arrin deri aty, sa ta konsiderojë edhe Sami Frashërin si zëdhënes të së majtës. Një parashtrim tendencioz me një metodologji antishkencore, për t’i ngritur vlerat e munguara të PKSH. Vetë fakti që në rezolucionin e PKSH dhe veprat e E.Hoxhës, thuhet se PKSH është një parti e tipit të ri, një parti bolshevike etj, si edhe fakti tjetër që tipari kryesor i PKSH ishte terrorizmi, e rrëzojnë hipotezën e Kristo Frashërit për një gjenezë dhe shtrat të lashtë e të natyrshëm shqiptar të PKSH.
Po le t’i kthehemi pyetjes së tij për Safet Butkën. Dua t’i them atij dhe kujtdo tjetër se unë nuk mbroj Safet Butkës, sepse figura e tij nuk ka nevojë as për apologjinë time dhe as për cytjet e Kristos. Përkundrazi. Ajo është një figurë që është ngritur dhe ka zënë vend në histori, pavarësisht nga ne. Unë nuk jam aspak i alarmuar për ato që thotë Kristo Frashëri, por, si për çdo ngjarje historike apo figurë kombëtare, që është deformuar ose vazhdon edhe sot e kësaj dite të përbaltet, unë nuk kam qëndruar indiferent, por kam përgënjeshtruar me dokumente denigrimet dhe kam evidentuar po me dokumente e paanësi vlerat e historike.
Ndërsa Kristo Frashëri shkruan: “Zoti Uran Butka e ka provuar tashmë përfundimisht se ka një alergji të sëmurë ndaj militantëve shqiptarë të Lëvizjes së Majtë”. Me cilin më ngatërron mua, zoti Kristo dhe ku e mbështet këtë pandehmë? Sa për dijeni dhe informacion të munguar, po ju them se në studimet e mia kanë zënë vend edhe personalitete të së Majtës, si Hasan Reçi, i cili u dënua me vdekje nga regjimi Zogist, por u fal, u dënua me vdekje nga fashistët italianë, por iu kthye me burgim të përjetshëm në burgun e Shën Stefanit, mirëpo u pushkatua nga komunistët, ndonëse ishte një nja prekursorët e Lëvizjes së Majtë në Shqipëri; kam shkruar me realizëm për Llazar Fundon, një nga ideatorët e së Majtës europiane, i cili në Ventotene, ku e kishin internuar fashistët, bashkë me Sandro Pertinin, Altiero Spinelin dhe profesorët shqiptarë atje, hartuan Rezolucionin e Europës së ardhme të Bashkuar e demokratike, dhe kur u lirua nga internimi, shkoi në Kosovë, ku luftonte bashkë me Kryezinjtë për çlirimin e Gjakovës nga gjermanët, por u godit pas shpine nga Brigata V e Shefqet Peçit, u zu rob dhe u pushkatua pa gjyq, me urdhët të Enver Hoxhës: “Pasi të torturohet për vdekje, të pushkatohet!” urdhëronte sadisti paranojak Enver Hoxha. Përse duhet të torturohej për vdekje e mandej të pushkatohej?! Kam bërë studime për Ymer Dëshnicën, Mustafa Gjinishin, Sejfulla Malëshovën, Ramize Gjebrenë, Drita Kosturin, Gjergj Kokoshin, Shefqet Bejën, Riza Danin e dhjetra të tjerë të majtë atdhetarë e demokratë, por kam shkruar mbi bazën e dokumentave arkivore edhe për të majtën eksreme, staliniste, që kreu krime kundër njerëzimit gjatë luftës dhe përgjatë regjimit komunist si Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koci Xoxe, Hysni Kapo, Haxhi Lleshi, Shefqet Peçi, Kristo Themelko, Aranit Çela, N.Haznedari e dhjetra të tjerë.
Ndryshimi midis teje dhe meje, zoti Kristo, qëndron, veç të tjerash, edhe në marëdhënie me të kaluarën: ju jinni i lidhur me nyje të errëta me të shkuarën, ndërsa unë i përkas një familjeje atdhetare, demokrate dhe antifashiste, pa asnjë njollë edhe personalisht.
Im atë, Safet Butka, një nga themeluesit e shkollës kombëtare, kalorës i arsimit shqiptar, siç e quan studiuesi Iljaz Gogaj, apo “Pestalioci i Shqipërisë”, siç e konsideron Musa Kraja, luftëtar i lirisë, antifashist i orëve të para, mbasi u kthye nga internimi trevjeçar në Itali, formoi në Kolonjë një çetë luftarake nacionasliste siç ishte në traditën e luftës shqiptare për liri. Sipas Kristo Frashërit ( që thotë: unë personalisht kam një të dhënë), në pranverën e vitit 1943 çeta e Safet Butkës kishte 200 luftëtarë, ndërsa ajo e Mustafa Radovickës 60 vetë. Më pas çeta e Mustafa Radovickës u shndrrua në batalionin “Hakmarrja” me 250 vetë, ndërsa çeta e Safet Butkës u firos në 40 vetë, “sepse çeta e birit të Sali Butkës bridhte fshat më fshat dhe fliste për Abdyl Frashërin dhe Mid’hat Frashërin, kurse premtimin për luftë të armatosur kundër okupatorit e kishte harruar”.
Kjo është një e dhënë e paidentifikuar , ndërkohë që konkluzioni i historanit të angazhuar politikisht është i pavërtetë. Historiani nuk duhet ta marrë si të vërtetë absolute një të dhënë, por ta përqasë edhe më të dhëna të tjera, për të nxjerrë të vërtetën. Safet Butka, pasi formoi çetën në Kolonjë, u përpoq që të krijonte bashkëpunim me çetën parizane për veprime të përbashkëta kundër okupatorit. Më 19 mars 1943 u arrit marrëveshja midis përfaqësuesve të Ballit Kombëtar dhe përfaqësuesve të Nacionalçlirimtares në Kolonjë, një marrëveshje me 11 pika, për luftë të përbashkët të çetave nacionaliste dhe partizane për çlirimin e Atdheut nga zgjedha fashiste. ( Arkivi i Shtetit,. F. 42, Dosja 22, viti 1943). Më pas Safeti u hodh në Korçë, ku u bë komandant i gjithë çetave nacionaliste të Qarkut të Korçës ( çetave të Kolonjës, Korçës, Devollit, Pogradecit) dhe atje i zhvilloi luftimet e tij kryesore kundër okupatorëve. Në Kolonjë mbeti një çetë me komandant Qemal Burimin, ndoshta me 40 vetë, siç thotë e dhëna e Kristo Frashërit, në të vërtetë me 200 vetë, siç e pohon edhe britaniku D.Smajl. Eshtë e vërtetë gjithashtu, që Safet Butka bënte propagandë kombëtare, kudo që shkonte: në Kolonjë, Korçë, Devoll, Pogradec, Dangëlli, Përmet, Skrapar. E pohon vetë Kristo Frashëri: “ Çeta e Safet Butkës bridhte fshat më fshat dhe fliste për Abdyl Frashërin dhe Mid’hat Frashërin”. Po për kë duhet t’u fliste, zoti Kristo? Për Enverin apo për Titon dhe Stalinin? Apo për “Bijtë e Stalinit jemi ne” që këndonin partizanët në atë kohë? Ndërsa për Abdyl Frashërin, ideologun e Rilindjes dhe udhëheqësin e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, si edhe për birin e tij, Mid’hatin, kryetar i Kongresit të Manastirit, protagonist i Pavarësisë, ministër i Ismail Qemalit, kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, ambassador i Shqipërisë në Greqi etj. dhe kryetar i Ballit Kombëtar, me të cilin bëri marrëveshje Fronti NÇ në Mukje për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, para ardhjes së gjermanëve, pra, për këto dy figura të mëdha të kombit fliste Safet Butka, për të ringjallur atdhetarinë dhe rezistencën. Për Jani Vreton fliste Safet Butka dhe jo për ata që bashkëpunonin me fashistët: ”Ne brezi i ri, duhet t’i ngemë një monument rilindësit të shquar Jani Vreto” – shkruante Safeti. Amanetin e tij e plotësova unë, biri i tij, kur në vitin 1995 arrita të ngre në Leskovik, pranë rrapit madhështor, bustin e Jani Vretos.
Safeti propagandonte rilindjen, bashkimin, por edhe luftën e përbashkët kundër okupatorit. Ai i quante si partizanët dhe ballistët bij të këtij populli dhe vëllezër, që kishin marrë armët për liri. Ka me qindra dëshmi të shkruara për këtë qëndrim të tij. Ku e gjeti Kristo Frashëri fjalën “çapaçulët” për partizanët, sikur e paska thënë Safeti? Të na thotë në ç’dokument, letër apo dëshmi e ka gjetur? Historiani serioz nuk hamendëson, as nuk shpif , as nuk i fut të gjithë njerëzit në një thes, siç bën Kristo Frashëri.
Motoja e Safet Butkës ishte vëlazërimi dhe lufta e përbashkët për Shqipërinë. Në arkivin shtetëror gjendet një letër e Josif Pashkos drejtuar Safet Butkës:
“Na kënaq propozimi juaj për të marrë pjesë në luftën që çetat partizane po zhvillojnë prej dy ditësh kudër armikut. Lutemi, njoftoni sa më parë forcat tuaja, që të lajmërojmë menjëherë shtabin,i cili do të caktojë vendin ku ju mund të vini ne ndihmë të luftës që po zhvillojmë” (Aqsh, fondi 772, dosja 5).
Në dokumentin e Arkivit të Shtetit, F.270/Arkivi i Partisë, dosja 69, viti 1943, lexojmë: “Më 23 janar 1943 çeta e Safetit prej 350 vetësh kalonte në fshatin Qarr të Floqit, për t’i ndaluar hovin ushtrisë italiane, që të shtrihej në atë krahinë dhe që vinte me i mbyllun lëvizjet. Burri i pendës dhe i pushkës nuk e humb aspak, lufton me okupatorin dhe e detyron të tërhiqet. Safeti asht i palodhshëm, jo vetëm si luftar, por i palodhshëm edhe si orator. Fjalimet e tij janë krejtësisht për bashkimin kombëtar. Konferenca e mbajtun prej tij në Hoçisht të Devollit asht ajo që i dha me kuptue gjithë popullit se Safeti nuk ban asnji dallim feje, krahine , ideologjie”.
Daily Telegraf, njoftonte më 26 mars 1943: “Një nga grupet kryesore të patriotëve shqiptarë është i komanduar nga prof. Safet Butka, drejtori i Liceut të Tiranës, vepron në zonën Korçë-Kolonjë. Kohët e fundit ky grup shpartalloi një njësi të tërë italiane, duke vrarë ushtarët , ndërsa ata që mbetën u dorëzuan…” (Nga dokumentat Britanike, Cir/B, 14.04.1943)
Miss Durham, në raportin “Mbi rezistencën antifashiste në Shqipëri” drejtuar ministrit të Jashtëm Britanik Anthony Eden më 30 korrik 1943, shkruante: ” Në krahinën e Korçës, zemra dhe shtëpia e nacionalizmit shqiptar në Jug, Safet Butka, ish-profesor, komandon një njësi vullnetare dhe një numër çetash… Grupi i prof. Butkës në Korçë kohët e fundit ka luftuar me një detashment Italian. Ka sulmuar gjithashtu shtabin Italian në Voskopojë, ku kapën shumë armë e municione dhe liruan një numër robërish shqiptarë”.( Foreign Office, 371/37144 )
Pyetja e dytë e Kristo Frashërit: Unë nuk di të jetë shkruar derimë sot ndonjë punim , ku të jetë trajtuar historia e çetës balliste të Safet Butkës dhe të jenë reshtuar aksionet e saj luftarake. Me sa di unë, asnjë historian ballist, madje as Uran Butka, nuk e ka sqaruar poinionin publik mbi kontributin që ka dhënë Safet Butka me luftën e tij të armatosur kundër okupatorit fashist italian”.
Me këtë pyetje, historiani komunist Kristo Frashëri rrëfen paditurinë e tij historike dhe njëherësh edhe tendenciozitetin enverist se luftën antifashiste e kanë bërë veç komunistët, që lufta antifashiste është monopol i PKSH, një tabu gjysëmshekullore, por që e ka shkërmoqur koha dhe studimet postkomuniste.
Për Safet Butkën dhe luftën e tij antifashiste janë shkruar mjaft kumtesa dhe botuar mjaft dokumente nga akivat shqiptare, britanike, italiane etj. Po sjell disa prej tyre. Doktor profesor Muharrem Dezhgiu,që sipas klasifikimit të K.Frashërit, nuk është as ballist e as komunist, por një historian i ekujlibruar, shkruan në kumtesën e tij “Safet Butka luftëtar për mbrojtjen e idealit kombëtar”:
“Ishin ditët e para të prillit 1939, kur ndërgjegja kombëtare ishte vënë përpara provës së vështirë përballë agresionit ë Italisë fashiste ndaj vendit tonë. Manifestimet e rinisë shkollore , të frymëzuara e të drejtuara nga profesorët e tyre lëviznin si një lumë në rrugët e qytetit. Dhe në ballë të tyre qëndronte mësuesi, profesori dhe drejtori i Gjimnazit të Tranës”.
Historiani Dezhgiu e trajton gjerësisht në këtë kumtesë të gjatë, me referenca arkivore, luftimet e çetave të Safet Butkës kundër pushtuesve italianë e gjermanë, të reshtuara një nga një, siç i kërkon Kristo Frashëri. ( Kumtesë e botuar në librin “Safet Butka”, 2003).
Po ashtu, profesori i nderuar Koli Xoxe ka botuar një kumtesë me titullin “Qytetërimi perëndimor, sipas Safet Butkës”. Ndër të tjera, ai shkruan: “Safet Butka ishte i bindur se qytetërimi i Shqipërisë ishte i lidhur me shkallën e lirisë dhe të pavarësisë së saj. Kur e pa që pavarësia dhe liria po rrezikoheshin nga fashizmi, që këtë herë vinte nga perëmdimi, por s’kishte të bënte fare me qytetërimin europian, Safet Butka hodhi parrullën Atdheu në rrezik! Dhe u priu studentëve në demonstratat kundër pushtimit Italian. Ky duhej luftuar edhe si pushtues edhe si varrmihës i qytetërimit europian. Shqipëria u pushtua, Safet Butka u bë misionar i qëndresës antifashiste” ( Kumtesë shkencore, mbajtur në 100 vjetorin e lindjes së Safet Butkës, viti 2001 gjithashtu e botuar).
Gjithashtu në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar te vitit 2008, botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, në zërin “Safet Butka” shkruhet, mes të tjerash: “Studiues, pedagog, drejtues dhe reformator i arsimit kombëtar, veprimtar antifashist i Ballit Kombëtar… Zhvilloi veprimtari antifashiste në radhët e nxënësve e të intelektualëve në Tiranë dhe në Shkodër në prag dhe pas pushtimit të vendit. U burgos dhe më pas u internua për tre vjet në ishullin Ventotene. Bënte pjesë në krahun që kërkonte angazhimin e Ballit në luftë kundër forcave pushtuese. Safet Butka qe themelues dhe komandant i çetave të para të armatosura të Ballit Kombëtar në qarkun e Korçës, që zhvilluan luftime në Grykën e Barmashit kundër gjermanëve (13.08.1943) dhe në Pocestë ( 9-13.09.1943) e në Floq (23.1.1943) kundër italianëve… Është dekoruar me titujt “Martir i Demokracisë” dhe “Urdhërin e Flamurit Kombëtar”.
Safet Butka ka pasur kontakte dhe letërkëmbimme oficerët britanikë: B.Maklin, kryetar i Misionit britanik në Shqipëri, D.Smajl e tj. Letërkëmbimi mes tyre ruhet në Arkivin e Shtetit Fondi 772 dosja 6, dhe në arkivat britanike, PRO FO 371 43550.
Në Arkivin e Shtetit gjendet edhe Marrëveshja (Akordi) në shqip dhe në frëngjisht datë 8.08.1943, ndërmjet Misionit britanik të përfaqësuar dhe të firmosur nga major Maklin dhe komandantit të çetave Safet Butka për realizimin e aksionesve luftarake në zonat e Qafë Thanës-Librazhd dhe Barmash-Perat. (AQSH, fondi 270/AP D.40, v.1943).
Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, u organizuan nga Safet Butka dy beteja kundër gjermanëve, njëra në Grykat e Barmashit më 13 gusht 1943( Profesor Kristo, mos e ngatërro këtë me aksionin që bënë partizanët me komandant Riza Kodhelin në muajin më 6 korrik 1943 në Barmash, kur u dogj Borova dhe u masakruan nga gjermanët 107 banorë të pafajshëm). Kjo është një luftë tjetër, e çetave të Safet Butkës në muajin gusht 1943, ku mori pjesë edhe majori britanik Dejvid Smajl, i cili e përshkruan atë në librin “Me detyrë në Shqipëri”. Po citojmë paksa nga ky libër: “Më 10 gusht u largova nga Shtylla për të ngritur një pritë bashkë me një çetë balliste. Prita ishte rezultat i një marrëveshjeje të Maklinit me Safet Butkën. Fred Nosi dhe partizanët shoqërues të Misionit e kundërshtuan fuqimisht këtë aksion dhe ndërmorën masa për ta sabotuar. Në fshatin Kurtes na priste një çetë balliste prej 200 vetësh e komanduar nga Qemal Burimi, me të cilin hartuam planin e sulmit. Të nesërmen iu afruam vendit ku do të bënim aksionin, përtej fshatit të djegur Barmash… Në këtë luftë vramë 23 gjermanë, morëm dokumentet e identifikimit të tyre, hodhëm në erë një kamion me zinxhirë dhe tre kamionë të zakonshëm, një top 88mm…”.
Për këtë luftë të çetave të Safet Butkës kundër gjermanëve flet gjerësisht edhe dokumenti i Arkivit të Shtetit, F.270/Ap D.64, v.1943.
Po ashtu, Safet Butka, 6 ditë para se të ndërronte jetë, organizoi një betejë të përbashkët me partizanët e batalioneve Çlirimi dhe “Ali Kelmendi” në Pocestë të Korçës kundër italianëve, në rrugën Pogradec-Korçë, nga data 9 shtator deri më 13 shtator 1943. Në këtë luftë të përbashkët ranë dëshmorë dy partizanë: Zenel Skënderi dhe Bato Pojani, si edhe një nacionalist, Nexhip Mileci. Ja ç’shkruhet në një dokument të kohës:
” Ndër ditët 9 deri më 13 të këtij muaji armiku ka qenë i impenjuar prej trupave tona të udhëhequra prej Safet Butkës në beteja t’nalta në zonën Pogradec-Korçë. Armiku pësoi humbje të rënda në njerëz, nga ana jonë humbjet janë të lehta. Eshtë për t’u shënuar gjesti heroik i djaloshit Nexhip Feim Mileci që ra fli si shëmbull dëshmori i rinisë sonë të shumëvuajtur” ( AQSh, F.558 D.20 v1943)
Pikërisht, gjashtë ditë pas kësaj beteje të përbashkët kundër pushtuesit , Safet Butka, që ndodhej me shtabin dhe çetat e tij në Teqenë e Melçanit në Korçë, u rrethua nga forcat komuniste, të komanduara nga nga Nexhip Vinçani. Pse? Kishte ndryshuar politika. Sapo ishte hedhur poshtë zyrtarisht Marrëveshja e Mukjes dhe ishte shpallur lufta e armatosur kundër Ballit Kombëtar në Konferencën e Dytë të Labinotit (4-9 shtator 1943) . Përpara Safet Butkës qëndronte dilemma: ose të konfrontohej me forcat partizane, duke u bërë shkak e aktor vëllëvrasjes, që ai e quante mënxyrë kombëtare, ose të vetëmohohej. Zgjodhi rrugën e dytë. Kur dikush nga kryesia e Ballit të Korçës i tha: “T’u biem partizanëve!”, Safeti iu përgjigj: “Vetëm kur të kaloni mbi trupin tim!” Është e bërë proverbiale thënia e tij para vetëvrasjes: “Të parin dhe të fundit shqiptar, që do të vras, është vetja ime” (Botimi “Safet Butka”, Tiranë 2002)
Në këtë pikë, jam plotësisht dakord me Kristo Frashërin, që thotë: “Safet Butka, për të mos u bërë aktor i vëllavrasjes, i dha fund vetes, përpara se të fillonte vëllavrasja”.