VATRA: QEVERIA DHE OPOZITA DUHET TË DIALOGOJNË PËR TË ZGJIDHË KRIZËN POLITIKE/
Të shtunën me 1 Prill 2017 në mesditë një përfaqësi e Vatrës u takua me Klevis Balliu, këshilltar për marrdhënie ndërkombëtare të Presidentit të Republikës Shkëlqesisë së Tij Z. Bujar Nishani, i cili është duke kryer një vizitë pune në ShBA.
Kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj duke i uruar mirëseardhjen në Vatër mysafirit, tha se Vatra ndjehet e vlerësuar nga Institucioni i Presidencës. Marrdhëniet e Vatrës me presidentin Bujar Nishani kanë qenë të ngrohta dhe në mirëkuptim të plotë. Gjatë manadatit të tij Presidenti Nishani e ka vizituar dy herë selinë e Vatrës,përvec takimeve të tjera, ndërkohë që ka vlerësuar e dekoruar figurat themeluse të Vatrës dhe martirët e saj, që lanë Amerikën dhe u kthyen në Shqipëri për ta bërë Shqipërinë Demokratike, por u ndëshkuan me plumba, u plasën në burgjet e diktaturës dhe kampet e internimit nga regjimi komunist.Vatra është nderuar nga Presidenti i Republikës me Urdhërin e Flamurit, dhe për këtë i është mirënjohës presidentit. Federata Panshqiptare e Amerikës e ka ndjekë me vëmendje vepritarinë kombëtare të institucionit të Presedencës dhe e vlerëson gjithëpërfshirjen e Presidentit për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë në trojet e tyre etnike dhe në diasporë.
Më pas kryetari i Vatrës e informoi mysafirin për qëndrimet dhe veprimtaritë e Federatës Vatrës, e cila në momentin e tanishëm është në prag të Kuvendit të saj vjetor, që do të zhvillohet me 10 Qershor 2017. Në prag të Kuvendit janë duke u zhvilluar takimet e degëve që funksionojnë në shtetet e Amerikës së Veriut dhe në Kanada, të cilat gjatë analizave të punës, bëjnë zgjedhjet e reja të drejtusve të degëve konform Kushtetutës së Vatrës dhe zgjedhin delegatët për në Kuvendin e Vatrës në raportin një delegate për 10 anëtarë.
Kryetari i Vatrës parashtroi qëndrimet e Vatrës për zhvillimet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës dhe shfaqi shqetësimin për situatën e krijuar në Shqipëri, ku mungon dialogu politik dhe situata mbetet e tejet e tensionuar. Për vatranët, ashtu si për shumicën e shqiptarëve të Amerikës, është e paparanueshme që për 25 vjet Demokraci, kemi një Shqipëri tejet e varfër,qytetarë që e shohin zgjidhjen vetëm duke emigruar, një Shqipëri e kriminalizuar, ku droga është kryefjala e ditës. Vatra ndjehet e shqetësuar për kriminalizimin e pushtetit dhe parlamentit, për korrupsionin e lartë në të gjithë nivelet e shtetit, për kultivimin masiv dhe trafikimin e drogës, ku Raporti i Departamentit të Shtetit e paraqet realisht alarmante situatën, ku është pesfishuar prodhimi dhe trafikimi i drogës, por nga ana tjetër Vatra mbetet e shqetësuar edhe për bllokimin e Reformës në Drejtësi dhe është kundër bojkotit të jetës parlamentare. Vatra ka besim se faktori ndërkombëtar, veçanërisht SHBA, nuk do të lejojnë që Drejtësia të kapet nga Ekzekutivi. Qeveria nga ana e saj nuk ka pse sillet me arrogancë ndaj opozitës, por të dialogojë me të për të gjetë zgjidhjen krizës. Zgjedhjet pa Opozitën e kthejnë Shqipërinë në kohën e Ramiz Alisë. Palët duhet të dialogojnë dhe të gjejnë zgjidhje afatgjata për t’i dhënë fund njëherë e mirë shitblerjes së votës, një fenomen karakteristik për Shqipërinë e tranzicionit. Shqipëria duhet t’i shmanget një destabilizimi të mundshëm, që vjen nga tensionimi mes palëve, ndryshe demokracia mbetet në udhëkryq, dhe rrezikon jo vetëm Shqipërinë, por të gjithë rajonin.
Vatra ka mendimin se Presidenti i Republikës duhet të rrisë rolin mbi palët dhe të bëhet pjesë e zgjidhjes së krizës, duke ofruar bisedimet në tavolinë.
Rreth këtyre problemeve diskutuan edhe zv.kryetarët Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, Dritan Mishto, Marjan Cubi, Zef Balaj, Dalip Greca dhe Lek Përlleshi.Debati për zhvillimet në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, por veçanërisht për krizën politike në shtetin shqiptar, arriti në përfundimin e përbashkët që Vatra, ashtu siç ka vepruar edhe në të shkuarën të mbajë qëndrim jo vetëm me deklartë publike, por edhe të informojë në linjën e saj Departamentin e Shtetit dhe politikanët amerikan.
Këshilltari i presidentit Klevis Balliu falenderoi për pritjen e organizuar dhe solli përshëndetjet e presidentit Nishani. Ai informoi për takimet e zhvilluara në Shtetin e Nju Jork-ut me politikanë të niveleve të ndryshme dhe u ndal në takimet e tij në Albany, ku u takua me anëtarë të Senatit dhe Kongresit të Shtetit të Nju Jork-ut. Po ashtu ai informoi edhe për takimet e planifikuara në Washington, ku do të takojë kongresmenë e senatorë.
Këshilltari i Presidentit informi mbi situatën aktuale në Shqipëri dhe iu përgjigj pyetjeve.
***
Informim për lexuesit: Kush është Këshilltari i Presidentit Nishani, Klevis Balliu?
Zoti Klevis Balliu lindi në qytetin e Tiranës, më 23 gusht 1989.Mbaroi me rezultate të shkëlqyera Shkollën e Mesme në Brooklands College Royal Holloway në Londër. Studimet e larta i kreu po aty. U diplomua për Shkenca Politike në Universitetin Richmon International University of London. Në universitet ka qenë një nga gjashtë senatorët dhe organizonte, për të gjitha klasat, takime të ndryshme me shkrimtarë e profesorë të ftuar nga universiteti.
Pas përfundimit me sukses të studimeve, rikthehet në Shqipëri për të nisur karrierën e tij profesionale.Hapat e para të tij nisën si gazetar në “Shtëpinë Botuese 55” ku shkroi dhe botoi opinione të ndryshme rreth situatave aktuale të vendit. Pasi fitoi përvojë, emërohet aty Drejtor Ekzekutiv. Më pas mori rolin e analistit politik në media të ndryshme të vendit, por dhe në ato ndërkombëtare.
Që në moshë fare të re, tregoi interes për botën intelektuale. Kur ishte 14 vjeç, botoi librin “Dita e Verës”. Është autor i disa shkrimeve në gazeta të ndryshme.
Në shkurt të vitit 2015, Klevis Balliu, emërohet Këshilltar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare i Presidentit të Republikës. Zoti Balliu flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe italiane.