Shkruan: MSc. Eraldo MEÇALLA*/
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
Lufta e Ftohte është një nga ngjarjet më kardinale dhe me më ndikim për rendin ndërkombëtar të kohës, nga origjina e cila daton në fund të Luftës së II-të Botërore dhe deri në përfundimin e saj në vitin 1989. Roli i saj si tensionues për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare e bën tepër të rëndësishme studimin e detajeve, që të kuptojmë mesazhin që ajo solli dhe atë që trashigoi.
Origjina e Luftës së Ftohtë lidhet drejtëpërsëdrejti me vitet 1944 – 1949, sepse menjëherë pas muajve pasardhës së Luftës së II-të Botërore ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, kishte përplasje të fuqisë ideologjike, gjeografike dhe politike. Sovjetikët e bazonin vazhdimsinë e shtetit në arenën ndërkombëtare tek konflikti, ndërsa Amerikanët kishin ideale demokratike prandaj ishin të bindur për një qëndrim dhe koalicion perëndimor kundër BRSS.
Josif Stalini për dominimin territorial në Europën Lindore kërkonte nga Britania e Madhe dhe SHBA-ja : 1.) Njohjen e pushtimeve territoriale të viteve 1939 – 1940. 2.) Krijimin e një rripi sigurie, me anë të kontrollit të qyteteve të Europës Lindore. 3.) Kontrollin e së ardhmes së Gjermanisë. Por pas ndarjes së Gjermanisë në zona okupimi u ra dakort për spostimin e kufijve Polakë, për prespektivën e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe për këtë arsye SHBA-ja aplikoi “Bretton Woods”, kjo do të konsolidonte regjimet demokratike dhe do ti jepte baza solide paqes. Ideologjia Amerikane nënkuptonte një gjëndje natyrale të paqes, ndërsa Ideologjia Sovjtike e quante konfliktin ndërkombëtar si normalitet, pra paqja këcënohej nga agresiviteti i diktaturave. Vizionet dypalëshe përplaseshin fort, përpara detyrës së ridizejnimit të të gjithë sistemit ndërkombëtar. Në vitet 1945 – 1947, të gjëndur përreth tavolinave të negocimit mosbesimi ndërmjet SHBA-së dhe BRSS-së u rrit jashtëzakonisht. Në fillim të vitit 1947, në Uashington përherë e më tepër po bindeshin për ndryshimin e frymës në Europë drejt pro-ameikanëve dhe kapitalizmit dhe sa më larg komunizmit dhe BRSS-së. Për këtë SHBA-ja, aplikoi “teorinë e rimëkëmbjes” dhe instrumentin e saj Planin Marshall, kjo do të sillte rënien graduale ose të menjëhershme të fuqisë Sovjetike, pengimin në Europë të përhapjes së “Stalinizmit Sovjeitk” dhe do të ndihmonte Europën Perëndimore. Ishte konfiguruar një situatë që nga njëra anë ushtrohej forcë brutale difensive dhe nga ana tjetër kapacitete dinamike për të ndërtuar konsensuse dhe kompromise.
Problemi qëndror i Luftës së Ftohtë ishte Gjermania, Berlini ishte nën okupimin e katër fituesve dhe e rrethuar totalisht nga zona e okupuar nga Sovjetikët nga e cila varej për furnizime dhe shërbime jetësore. Trupat sovjetike kishin bllokuar hyrjet tokësore dhe kishin ndërprerë energjinë elektrike dhe për të mos shkaktur shpërthimin e luftës, SHBA-ja dhe Britania e Madhe i furnizuan ato nga ajri me ndihmat bazë jetësore. Zgjidhja e përkohëshme erdhi me lindjen në zonën perëndimore të Republikës Federale Gjermane nën kujdesin e tre aleatëve e cila ishte parimisht sovrane së brëndëshmi dhe e çarmatosur, ndërsa Republika Demokratike Gjermane ishte e kontrolluar nga Moska me një regjim komunist.
Më 4 prill 1949, u krijua Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), si një traktat mbrojtje kolektive në rast agresioni të njërit prej shteteve aleate dhe si kundërpërgjigje BRSS-ja krijoi më vonë “Paktin e Varshavës”.
Në vitin 1949, shpërthimi i bombës së parë bërthamore nga Sovjetikët dhe konkludimi i ofensivës finale të luftës civile të Partisë Komuniste Kineze kundër forcave kombëtare ishin ngjarje që alternonin terrenin e konfrontimit bipolare. Dy ngjarje të tjera që rritën tensionet ishin: 1.) Traktati i Aleancës ndërmjet Kinës dhe BRSS-së në vitin 1950. 2.) Autorizimi i operacionit ushtarak nga Stalini kur trupat Koreano Veriore pushtuan Korenë e Jugut. Si kundërpërgjigje globale kundër-komunizmit SHBA-ja në vitin 1953 me anë të CIA-se, organizoi një operacion të fshehtë në Iran për të rrëzuar qeverinë Mossadeq, më pas një tjetër operacion në Guatemala dhe disa të tjerë në përgjatë Luftë së Ftohtë.
Në vitin 1953, menjëherë pas vdekjes së Stalinit u hap një fazë e re në marrëdhëniet ndërkombëtare sepse Nikita Hurshovi pasardhësi i tij, solli një fushatë ndryshimesh dhe idenë e një “Bashkjetese Paqësore”. Deivid Eisenhowe presidenti i SHBA-së, u shpreh se nëse Sovjetikët dëshironin paqen duhet të lejonin ribashkimin e Koreve, zgjedhje të lira në Europën Lindore dhe ribashkimin e Gjermanisë, por BRSS-ja nuk ishta gati për këtë ajo nuk donte të humbiste dhe mbi të gjitha nuk donte të përfundonte Luftën e Ftohtë.
Hurshovi, vuri theksin tek Raketat Interkontinentale të armatosura me koka nukleare, kjo e bëri çdo bllok vunerabël, tashmë lufta ishte një opsion vetëvrasës. Tendenca për të përdorur “Diplomacinë Bërthamore” që të perfitonin fitore simbolike, pozicione më të avantazhuara dhe influencë në vendet e Botës së Tretë çoi në krizat më të rrezikshme të Luftës së Ftohtë.
Më 1 nëntor 1952, Amerikanët kishin shpërthyer bombën e parë termonukleare por edhe Sovjetikët po kryenin eksperimente të shumta në këtë drejtim. Pas prishjes Kino-Sovjetike, Hurshovi takoi Fidel Kastron që ishte drejt keqësimit të marrëdhënieve me SHBA-në. Duke qënë se SHBA-ja, kishte në Turqi dhe Itali rraketa me rreze të mesme për të goditur BRSS-në, Hurshovi vendosi si presion armë analoge në Kubë. Situata u bë shumë kritike por pas presioneve Amerikane, më pas Hurshovi pranoi të tërhiqte raketat por vetëm pasi president i SHBA-së Xhon Kenedi pranoi që nuk do ta sulmonte Kubën. Më 13 gusht 1961, u inicua ndërtimi i “Murit të Berlinit” që të ndalonte qytetarët e Republikës Demokratike Gjermane të largoheshin nga vendi. Pas revolucionit Kinez, Uashingtoni kishte parë tek Vietnami një front kruçial në Azi, por ishte kjo që e çoi SHBA-në drejt disfatës politike e psikologjike më shumë se ushtarake. Nga viti 1961, SHBA-ja mbështeti Vietnamin e Jugut me furnizime, ndihma, këshilltarë ushtarak por ishte President i SHBA-së Lyndon Johnson që e ktheu Vietnamin në një luftë Amerikane.
Në vitin 1967, Çekosllovakia kishte filluar një moto reformatorësh dhe lidhi një marrëdhënie tregëtare me Gjermaninë Perëndimore dhe SHBA-në, si kundërpërgjigje menjëherë Moska e pushtoi ushtarakisht Çekosllovakinë, por e njëjta dëshirë egzistonte në Romani, Poloni, dhe Hungari. Në vitin 1970, filluan edhe protestat e para të punëtorëve në bllokun komunist, kjo sinjalizonte një pakënaqësi popullore. Në këtë kohë pozita e SHBA-së po forcohej, duke parë konfliktet e brëndëshme të Kinës me “revolucionin kulturor” dhe prishjen e saj me BRSS-në. Mao Ce Duni, la menjëanë radikalizmin ideologjik dhe i dha sinjale interesi SHBA-së, kjo ishte një kartë diplomatike tepër e fuqishme për SHBA-në kundër BRSS-së. Nga fundi i viteve 1970, SHBA-ja dhe BRSS-ja ishin përfshirë në një spirale antagoniste të armatimit dhe akuzoheshin reciprokisht që të kultivonin strategji të rrezikshme zgjerimi, ekspansioniste.
Në vitin 1979, BRSS-ja pushtoi Afganistanin, ndërsa më 30 prill 1975 pavarësisht veprimeve të presidentit të SHBA-së Richard Nixon, Vietnami i Jugut kapitulloi dhe u ribashkua nën regjimin komunist. Në diplomacinë trekëndore SHBA, BRSS, Kinë ishte Amerika që luante në të dyja tavolinat. Interesante ishte edhe kriza e Lindjes së Mesme në vitin 1973, Izraeli ishte i lidhur me SHBA-në ndërsa Egjipti me BRSS-në.
Në vitin 1975, u nënshkrua “Akti i Helsinkit” nga 37 shtete Europiane së bashku me SHBA-në dhe Kanadanë, akti obligonte respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Një marrëveshje historike ishte edhe ajo e paqes ndërmjet Egjiptit dhe Izraelit në vitin 1978 e ndërmjetësuar nga presidenti i SHBA-së Jimi Carter. Ndërsa nga viti 1981, presidenti i SHBA-së Ronald Regan kërkonte të detyronte Sovjetikët për të negociuar në një pozitë më inferiore sepse ideologjia komuniste ishte në rënie. Gjithsesei rreziku qëndronte tek arsenali bërthamor që zotëronin palët dhe që ishin të gatshme të lëshoheshin brënda disa minutave nga të dy shtetet. Viti 1983, shkoi drejt një tensionimi nga frika bërthamore dhe Ronald Regan mendoi të rihapte dialogun me Sovjetikët. Nga ana tjetër Mikail Gorbaçovi e njihte situatën dramatike dhe vështirësitë e sistemit sovjetik dhe ishte i hapur për zgjidhje të reja.
Në vitin 1986, Gurbaçovi publikisht propozoi një plan reduktimi gradual të armatimit bërthamorë, për herë të parë Moska dhe Uashingtoni dialogonin jo për stabilizimin e Luftës së Ftohtë por për të prapësuar mekanizmin e rivalitetit ushtarak që e ushqente. Më pas Gurbaçovi lejoi hapjen e kanaleve radio të huaja dhe të televizoineve. Në nëntor të vitit 1989, u mendua për një hapje të pjesëshme të kufijve Gjerman por në rastin e një regjimi në rënie një komunikim në media ndikoi që televizionet të shpallnin hapjen totale të kufijve. Miliona Berlinez shkuan përgjatë pikave të kufirit dhe përgjatë “Murit të Berlinit” dhe rojet pa urdhra ju dorëzuan presioneve dhe hapën kalimet. Perandoria Sovjetike e Stalinit nuk egzistonte më, kishte marrë fund ndarja e Europës në dy blloqe të kundërta ku “Muri i Berlinit” ka qënë simboli më solid dhe bashkë me të ra edhe ideologjia politike.
Lufta e Ftohtë i mori njerëzimit një gjysmë shekulli të mbushur me luftë ideologjike ndërmjet sistemit kapitalist dhe atij komunist dhe me një garë armatimi bërthamorë të ashpër por pa i përdorur ato. Zhvillimet dhe inovacionet tekonologjike, politike, ekonomike ishin në krahun e duhur përgjatë Luftës së Ftohtë. Kjo luftë mund të kishte shkuar në një përplasje të drejtëpërdrejtë, por fati dhe koha ishin përkrah koalicionit perëndimor dhe demokracisë, të cilat me anë të mjeteve diplomatike dhe presioneve ushtarake arritën të ruanin paqen, stabilitetin, sigurinë dhe krijuan Rendin e Ri Ndërkombëtar për mbarë globin.
*Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
E-mail: mecallaeraldo@yahoo.com
Tiranë, Shqipëri
Tiranë më 11 / 07 / 2015