Nga Belgjika raportohet se të paktën 26 njerëz janë vrarë si pasojë e dy sulmeve të tmerrshme në aeroportin e Brukselit, si dhe në një stacion të metrosë.
Zyrtarët thonë se të paktën 11 njerëz kanë vdekur në stacionin e metrosë, ndërsa mediet njoftojnë për 13 të tjerë të vrarë nga shpërthimet në aeroport.
Dy shpërthime kanë goditur zonat e nisjes në aeroportin Zaventem në Bruksel.Një prokuror belg e ka konfirmuar se njëri nga shpërthimet në aeroportin e Bruksel ishte sulm vetëvrasës.
Shpërthimet vijnë katër ditë pasi autoritetet belge kanë kapur në Bruksel Salah Abdeslamin, të dyshuarin kryesor për sulmet terroriste në Paris, më 13 nëntor të vitit të kaluar.
Aeroporti është evakuuar dhe është mbyllur për fluturime.Agjencia e lajmeve Belga raporton se përpara shpërthimeve janë dëgjuar brohoritje në gjuhën arabe.
Ka po ashtu raporte për një shpërthim në një stacion të metrosë në lagjen Maelbek, pranë institucioneve të Bashkimit Evropian.
Transmetuesi publik në Belgjikë, VRT thotë se asnjë person nuk është vrarë nga shpërthimi në stacionin e metrosë, përderisa raporte të tjera raportojnë për të paktën 10 të vdekur.
Operatori i sistemit të metrosë ka thënë se të gjitha stacionet në qytet janë mbyllur.
Rrjeti hekurudhor drejt aeroportit është ndërprerë dhe njerëzit janë udhëzuar të mos shkojnë në aeroport.
Sipas disa raporteve, së paku njëri nga shpërthimet ka qenë pranë hapësirës së kompanisë ajrore American Airlines, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar.
Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel tha se “asaj që i jemi frikësuar ka ndodhur”, duke shtuar se autoritetet janë të shqetësuara për sulme të tjera të mundshme.
Duke folur gjatë një konference për media në Bruksel, Michel tha se “ka shumë të vrarë, shumë të lënduar” nga sulmet e sotme në aeroport dhe në stacion të metrosë.
Ai shtoi se kontrollet kufitare janë riforcuar.
Michel tha se “e kuptojmë se po përballemi me një moment tragjik. Duhet të jemi të qetë e të tregojmë solidaritet”.
Prokurori Federal i Belgjikës, Frederic Van Leeuw i ka quajtur të tri shpërthimet në Bruksel si “sulme terroriste”.
Ai tha se “njëri prej sulmeve më siguri që është bërë nga një sulmues vetëvrasës”.
Ndërkohë, shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, duke folur gjatë një konference për media në Jordani, ka thënë se “sot është një ditë e rëndë”, duke iu referuar sulmeve të sotme të Brukselit.
Mogherini e ka ndërprerë konferencën e planifikuar me ministrin e Jashtëm të Jordanit, Nasser Judeh, pasi ishte shumë e emocionuar për t’u prononcuar.
Liderët evropianë i kanë dënuar shpërthimet që goditën aeroportin e Brukselit dhe sistemin e metrosë në këtë qytet.
Kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven e ka përshkruar shpërthimin si “sulm kundër Evropës Demokratike”.
“Është një sulm kundër Evropës demokratike”, ka thënë kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven, përmes një deklarate. “Ne kurrë nuk do të pranojmë që terroristët t’i sulmojnë shoqëritë tona të hapura”.
Edhe kryeministri i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen i ka dënuar shpërthimet në rrjetin social “Twitter”, si “akte të neveritshme”.
Ndërsa, kryeministri holandez, Mark Rutte, tha se Belgjika është “goditur nga sulme qyqare dhe vrasëse”.
Reagime ka pasur edhe nga Kremlini, prej nga zëdhënësi Dmitry Peskov e ka cituar presidentin rus, Vladimir Putin, të ketë thënë se “i dënon fort këto krime barbare”.
Belgjika tani ka rritur kërcënimin terrorist në nivelin më të lartë.
Ministri i Brendshëm belg, Jan Jambon, kishte paralajmëruar të hënën sulme të mundshme hakmarrëse pas kapjes së Abdeslamit.
“E dimë se bllokimi i një qelize mund të nxisë një tjetër veprim. Jemi të vetëdijshëm për këtë”, i ka thënë ai radios belge.
Aeroporti Zaventem ndodhet 11 kilometra në verilindje të Brukselit. Vitin e kaluar, mbi 23 milionë njerëz kanë kaluar në këtë aeroport.